Nga Uvil Zajmi
Memorie.al / Ben Minga, Gust Kola dhe Çim Muça! Emocione dhe gola spektakolarë. Jo vetëm në kampionate e kupa, por edhe në takime ndërkombëtare, si ato ndaj Spanjës, Polonisë e Belgjikës. Nga i paharruari Arben Minga, te dy të tjerët. Ku janë sot, me çfarë merren ish-protagonistët e treshes së madhe të viteve ’80-’90?
Vitet ’80-të, rikthimi i traditës së humbur!
“17 Nëntori”, skuadra e fillim viteve ’80-të, ishte potente dhe e frikshme. Ajo kishte karakteristikë lojën klasike brenda traditës, të harmonizuar me aftësi individuale dhe lojën e grupit, shpirtin e lartë të garës, ritmin, përgatitjen atletike, agresivitetin, të mbështetur edhe nga tifozeria. Minga luante dhe realizonte në të gjitha pozicionet, ndërsa Kola, nga e majta zhvendosej mirë në zonë në kërkim të topit që, pasi e zotëronte, godiste fuqishëm portën.
Pastaj Muça për aftësi teknike, shikimin periferik, administrimin e lojës kur skuadra kishte topin. E njihnin shumë mirë lojën e njëri-tjetrit dhe çdo sulm i skuadrës finalizohej prej tyre. Sulmi fillonte nga krahët me mbrojtësit Millan Baçi apo Nine Naçi e Bedri Omuri, për t’u konkretizuar me harkimet në zonë për ta, lojë tipike e futbollit tiranas. Në veçanti grinta (egoja) ishte element parësor i skuadrës që tregohej e aftë të përmbyste çdo rezultat edhe kur ishte e pamundur.
Gjigantët Minga dhe Kola, jepnin garanci në lojën në tokë e ajër, ndërsa Muça, mjeshtër i rafinuar në rolin e sulmuesit, shënuesit dhe të njeriut asist. Katër herë kampionë së bashku dhe tri herë fitues të Kupës së Shqipërisë. Kola, Minga e Muça janë edhe ndër të parët e renditjes së golashënuesve më të mirë të klubit, të cilën e komandonte Indrit Fortuzi.
Minga- Muça-Kola, kur shpirti zbriste në fushë!
Të papërsëritshëm, ndonëse vinin nga një formim sportiv jo i njëjtë, po kështu dhe ai i edukimit arsimor: një merceolog, një inxhinier dhe një mësues i edukimit fizik. Inteligjencë, forcë, entuziazëm, fryma e grupit, shpirt gare: këto ishin një vazhdimësi e traditës së “17 Nëntorit” të Myslym Allës. Te kjo skuadër nuk mund të luaje nëse nuk kishe këto karakteristika.
Minga dhe Kola, me një staturë fizike dhe gjatësi të admirueshme, mbi 180 cm., pak më i “vogël” ishte Muça. Kola i majtë shënues, Minga në qendër shënues dhe Muça organizator, fantazist shënues. Cikli i treshes tiranase të “17 Nëntorit” fillon sapo ajo e “Dinamos” ul siparin. Pra, u takon fillim viteve ’80-të. Pas sezonit ’69-’70-të, që ishte edhe triumfi i fundit tiranas dhe dominimit të “Dinamos”, rikthimi në dhjetëvjeçarin e sukseseve (’81-’82, ’84-’85, ’87-’88, ’88-’89) ishte kontribut i skuadrës që ndërtuan trajnerët Enver Shehu, Shyqri Rreli, por në veçanti i treshes.
“17 Nëntori” i Kolës, Mingës dhe Muçës ka dominuar me lojë e rezultate, por dhe në përfaqësimet ndërkombëtare, që patën fatin të luanin në periudhën e viteve ’80 – ’90-të. Në dhjetë ndeshje ndërkombëtare me ekipin kombëtar, janë së bashku: takimi i parë daton më 27 tetor 1982 në Izmir, Turqi-Shqipëri 1-0 me trajner Shyqyri Rrelin. Dhe i fundit, kur trajneri i paharruar Agron Sulaj, i vendos të tre kundër Spanjës, më 3 dhjetor të ’86-ës, në “Qemal Stafa” 1-2 (gol i Muçës në të 28-ën minutë).
Pas Fortuzit, si i pari shënues në ranglistën e historinë e klubit, vijnë menjëherë të tre, Kola, Minga dhe Muça. Firmën e tyre kanë edhe disa nga golat më spektakolarë dhe ndër më historikët e fanellës kuqezi: ai i Kolës në Mielec, në barazimin e madh 2-2 me Poloninë; goli i dytë i jashtëzakonshëm i Mingës në fitoren 2-0 ndaj Belgjikës në Tiranë dhe goli i Muçës ndaj Spanjës në “Qemal Stafa”. Në kupat e Europës, së bashku në fushë do të veçonim përfaqësimet kundër Bajernit të Mynihut, por i paharruar, kualifikimi në Rumani ndaj “Dinamos” së Bukureshtit.
Arben Minga
I datëlindjes 1959, gjithmonë me numrin 10 në fanellë. Nga të rinjtë e Arbanës me skuadrën e parë të “17 Nëntorit”, e cila drejtohej nga Fatmir Frashëri, që e aktivizoi pa hezitim. Me numër 10, me një hap galopant, vështirë t’ia merrje topin, i fortë shumë fizikisht (188 cm. i gjatë), në çdo terren e kohë, shumë deçiziv në ndeshjet në udhëtim, ku e tërhiqte edhe i vetëm skuadrën. Realizues i gjithanshëm me kokë e këmbë. Debutimi, 17 vjeç në gusht të vitit 1976, në miqësoren ndaj “Traktorit” të Lushnjës (1-1), duke realizuar edhe golin e tij të parë me skuadrën bardhe-blu.
Nga tre golat magjikë në turnetë europiane veçojmë: 1 tetor 1986 në Bukuresht, “Dinamo” Bukureshti – “17 Nëntori” 1-2; në “Olimpia Stadion” ndaj Bajernit (3-1) 18 tetor 1989 dhe kundër Belgjikës në “Qemal Stafa”, 24 dhjetor 1984, minuta e 89-të, goli i dytë pas një aksioni dhe veprimi fenomenal. Goleador në sezonin 1984-’85 me Fakjen me 13 gola. Me “17 Nëntorin” luajti nga viti 1976-1991, pastaj në Rumani te “FC Brashov”, “Dacia, FC” Giorgiu (’91-’94) dhe Futboll Klub Tirana 1994-’96. 738 takime, nga të cilat 387 (266 gola të realizuar). Ndeshja e parë në Kombëtare, Shqipëri-RFGJ 0-2, Tiranë 1 prill 1981 (në fushë me Ballgjinin e Përnaskën e, trajner Loro Boriçin) dhe e fundit ndaj Anglisë (0-2) në Tiranë, në marsin e vitit 1989. 28 ndeshje me kombëtaren dhe 2 gola.
Shkëlqim Muça
I datëlindjes 1960, u shfaq në vitet ’80-të si një talent i vërtetë, i zbuluar tek të rinjtë e klubit. Aftësitë individuale, driblim-pasim-shpejtësi, intuitë dhe elegancë e evidentuan shpejt nga të tjerët. Tre vite me të rinjtë dhe pastaj në 1978-ën, merret nga trajneri Frashëri me ekipin e parë të 17 Nëntorit, me të cilin luan deri në vitin 1989. Me numrin 8, ai ingranohet menjëherë me lojën dhe dinamikën e 17 Nëntorit, si dhe dyshen Kola-Minga.
Duke luajtur në mes të tyre ai kompletoi dhe alternoi forcën me fantazinë. Golat e shënuar nga “17 Nëntori” kishin si asist edhe Muçën në mesfushë. Tri herë doli kampion me këtë klub. Nga golat spektakolarë veçojmë atë ndaj “Labinotit” në “Qemal Stafa”; goli i shënuar në finalen për Kupën e Shqipërisë në Shkodër ndaj “Flamurtarit”, goli i jashtëzakonshëm ndaj “Partizanit” në “Qemal Stafa”, realizuar nga mesfusha, por që nuk u vlerësua i rregullt nga arbitrat e takimit.
Dhe, i paharruar ai ndaj Zubizaretës të Spanjës në Tiranë (03.12.1986) pas një kombinimi Omuri-Minga-Muça…! Debutimi me Kombëtaren më 22.09.1982 në Vjenë, Austri-Shqipëri 5-0, me trajner Shyqri Rrelin. Bashkë me Kolën e Mingën, i gjejmë në Kombëtare, në takimin pasardhës, 27 tetor 1982, në Izmir, Turqi-Shqipëri 1-0. E fundit e Muçës me fanellën kuqezi, daton në tetorin e vitit 1987, kur trajneri Sulaj, e aktivizon në një ndeshje të luajtur në Vlorë, Shqipëri-Rumani 0-1. Në total 16 ndeshje me kombëtaren, 2 gola.
Agustin Kola
Edhe ky i datëlindjes 1959. I talentuar si akrobat dhe notar, në moshën 14-vjeçare, zbulohet në Spartakiadën e Pionierëve nga trajnerët Aurel Verria dhe Rada, të cilët e rekomandojnë të vazhdojë shkollën e “Mjeshtërisë Sportive” në Tiranë. Produkt i “Shkëndisë”, që në fund të viteve ’70-të, i kishte mbetur fama dhe emri, pasi tradita po shuhej. Kola, luan pak vite me skuadrën e shkollës dhe transferohet te Tirana, si lojtar tipik “17 Nëntoras”, me të cilën luajti nga viti 1977 deri në 1996-ën, gjithmonë me numrin 11.
Shumë i fuqishëm në lojën në krahë, por edhe në qendër dhe polemizues me vendimet e arbitrave, kur shpeshherë ndaj tij luhej rëndë. Me një të majtë agresive, goditës i fortë me kokë dhe shumë i paparashikueshëm në zonë. Por, edhe si mbrojtës ishte i jashtëzakonshëm. Një futbollist i kompletuar, disa herë kampion e fitues i Superkupës dhe i Kupave të Shqipërisë me “17 Nëntorin”, si dhe goleadar në dy sezone: ’87 – ’88 me 18 gola dhe ’88 – ’89 me 19 gola.
Kola realizoi zyrtarisht 140 gola me “17 Nëntorin”, ndërsa me Kombëtaren si titullar, ishte i padiskutueshëm në 22 ndeshje, kur shënoi 1 gol me shumë vlerë në barazimin 2-2 ndaj Polonisë së Boniekut (31.10.1984). Më 6 dhjetor 1980, debuton me kombëtaren e Zyber Konçit, duke zëvendësuar Sefedin Brahon (e “Luftëtarit të Gjirokastrës) ndaj Austrisë në Tiranë dhe e fundit zyrtare, në Kostancë, Rumani-Shqipëri 3-0, më 20 shtator 1988. Rikthehet sërish me kombëtaren e Bejkush Birçes në Athinë, në miqësoren 2-0 ndaj Greqisë, kur luante me klubin e “Egalios” 04.09.1991.
Raportet e treshes, rivaliteti brenda saj
Vetëm 20 deri 30 minuta, ky ishte kufiri kohor i tifozerisë së veçantë tiranase, kur nuk shënohej. Thirrjet “Tirona! Tirona!” ishin më shumë një ngacmim dhe i drejtoheshin treshes, Minga- Kola-Muça, pasi goli prej tyre pritej, në veçanti nga tifozët e tribunës “A”. Kur shënonte Minga, rivaliteti ishte në kulm, pasi egoja e Kolës njihej nga të gjithë. Shpeshherë loja e skuadrës përqendrohej te ky futbollist dhe gjithçka qetësohej, kur edhe Kola realizonte. Më mirë se të gjithë, këtë e dinte trajneri Enver Shehu, pasi i njihte mirë karakteret e tyre. Autobusi i skuadrës do të nisej gjithmonë pasi të garantohej se kishte hipur apo jo Agustin Kola.
Josa e Minga, dyshja e Tironës, që tronditi një Mbretëri!
Nëse “Qemal Stafa” ka patur një moment pasigurie kur edhe themelet e tij mund të ishin tronditur, ka qenë ajo minutë, ai gol, ai entuziazëm, ajo situatë e jashtëzakonshme e një stadiumi, tifozerie, të gjithë në këmbë duke bërtitur “Gooool”. Sezoni europian 1984-‘86, luhet për eliminatoret e kampionatit Botëror “Meksikë 86’”, grupi 1, Shqipëri-Belgjikë. E shtunë 22 dhjetor 1984, mesditë dimri, interesim i madh, spektator i shumtë i pa numërt, i ulur, në këmbë, me bileta, pa biletë, një Shqipëri me veshët te radio e sytë te ekrani.
Kombëtarja vjen pas një barazimi premtues 2-2 në Poloni. 90-të minuta ndaj Belgjikës, 90-të minuta të paharruara, për cilindo që ka qenë atë ditë i pranishëm aty, me “Qemal Stafën” dëshmitare live të asaj ngjarje të madhe, të papërsëritshme sportive. Nga dhomat e zhveshjes, dalja e skuadrave në fushë, shorti dhe vërshëllima e spanjollit Sançes, për të nisur atë ndeshje, nga më të famshme të historisë kuqezi. Përballë është një Mbretëri, Belgjika e trajnerit Thyes, e Pfaff, Shifo, Varkauteren, Kulemans, janë të fortë, të pamundur, por në kombëtarin kryeqytetas, do të ndëshkohen! Madje rëndë.
Dy janë momentet që ai stadium, spektatori, historia do t’i kujtojë përjetësisht. Goli i parë: ‘69, kur Mirel Josa me kokë e shfrytëzon topin e rikthyer në lojë, pas një pritje të vështirë të portierit, ndërhyn mes shpejtësi dhe 1-0. Goli i dytë: Minuta 86’, Minga zotëron një top në mesfushë, ka nisur vrapin potent, askush nuk ka mundur ta frenojë, ka përballë vetëm një mbrojtës e portierin, një stadium në këmbë, në pritje, ankth pa fund…! Në kufijtë e zonës, rreth 17 m., ai ka goditur me të djathtën, tokazi, një bombë e vërtetë, topi në të majtë të portierit belg dhe rrjetë nga porta veriore.
Një aksion individual i mrekullueshëm, një alternim shpejtësi, forcë, e finalizim mjeshtëror. Pastaj vrapi galopant i paharruar i tij drejt tifozerisë së sektorit përballë, tërësisht në ekstazë. 2-0, një triumf përtej imagjinatës, i regjistruar në “Qemal Stafën” mitike! Shqipëria e atij takimi është: Perlat Musta, Hysen Zmijani, Skënder Hodja, Adnan Ocelli, Muhedin Targaj, Ferit Rragami, Sulejman Demollari, Mirel Josa, Shkëlqim Muça (Arben Vila 88’), Arben Minga, Agustin Kola. Trainer, Shyqri Rreli. Belgjika: Pfaff, Grun, Van der Elst, Renkuin, Degrofte, Jespers, Shifo, (‘46 Klisteers), Kuleman, Verkauteren, Klaesen, Kaniatyneski (’62 Voordekers), Trainer, Gi Thys.
Ndarja dhe bashkimi i treshes…!
Të tre bashkë, luajtën deri në vitin 1989. I pari që u largua nga treshja, ishte Shkëlqim Muça, pas një dëmtimi kronik, kur u nda përfundimisht me futbollin. Pasi tij dyshja Minga-Kola vazhdoi për pak kohë së bashku, por pas ’90-ës morën drejtime të ndryshme, me skuadra jashtë vendit. Minga në Rumani dhe Kola në Greqi. I pari (Minga), u rikthye për t’u transferuar bashkë me familjen në Kanada, në vitet 2000, ndërsa Kola për t’u sistemuar përfundimisht në Tiranë. Në sezonin 1994-1995, ka një të veçantë: Minga-Muça-Kola, i gjejmë sërish bashkë te “Sport Klub Tirana”. Minga e Kola si futbollistë tashmë, në fund të karrierës, ndërsa Muça si trajner i skuadrës. Minga e la pas një viti, ndërsa Kola vazhdoi edhe dy sezone të tjera.
Ku janë sot, çfarë bëjnë legjendarët?
Fatkeqësisht Arben Minga nuk jeton më. I diplomuar për Merceologji, Minga u nda nga jeta në moshë të re, pas një sëmundjeje të rëndë më 30 janar 2007, në Uindsor Kanada, ku jetonte prej vitesh me bashkëshorten, Nora Goxhi (ish-basketbolliste e njohur) dhe dy djemtë. Futbollin e la kur ishte 36 vjeç, pa e vazhduar atë si trajner, apo funksione drejtuese. Edhe sot futbollit kombëtar, i mungon një personalitet i tillë. E tërhiqte skuadrën edhe i vetëm në momente të vështira. Asnjë trashëgimtar nuk e pasoi karrierën e tij.
Muça, inxhinieri i Gjeologjisë
Shkëlqim Muça, i diplomuar në Fakultetin e Gjeologjisë, nuk ishte produkt i “Mjeshtërisë Sportive”. Profesionin e inxhinierit nuk e aplikoi asnjëherë. Nuk luajti me asnjë skuadër tjetër, përveç “17 Nëntorit”. U largua nga futbolli pas disa dëmtimeve të rënda, jo mirë të diagnostikuara dhe të trajtuara nga mjekësia sportive. I’u nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale, por nuk mundi të rikthej në fushë si futbollist, por si trajner, duke vazhduar me sukses karrierën me disa klube. Nuk pati pasues si futbollistë në familje.
Kola, i pakrahasueshëm
Mësues i edukimit fizik, Kola nuk e ushtroi shumë profesionin. Pasi luajti disa vite në Greqi, pas ndryshimeve politike dhe në moshë të madhe u rikthye si futbollist te “17 Nëntori”, duke u ndarë me të si lojtar në moshën 38-vjeçare. Më pas vazhdoi karrierën si trajner, duke drejtuar edhe “17 Nëntorin” e tij. I pakrahasueshëm për angazhimin dhe atë që transmetonte në skuadër kur luante. Një lider i vërtetë. Aktualisht jeton në Tiranë dhe është i angazhuar me sistemin zinxhir të ekipeve të moshave të fëmijëve.
Edhe Agustin Kola nuk pati vijues futbollistë në familje. Minga, Kola, Muça, kanë qenë dhe mbeten një treshe që, sado të shkruash për ta, prap, të mbetën shumë gjëra për të thënë. Madje sa më shumë t’i kujtosh, aq më tepër dalin gjëra të reja për ta, pasi karriera e tyre është mjaft e pasur. Jemi të sigurt që mund të kemi lënë mjaft detaje pa thënë lidhur me karrierën e tyre. Por, nga dëshira për t’i risjellë në kujtesën e sportdashësve, menduam se edhe me kaq rreshta, diçka do të shërbejë. Për kontributin që kanë dhënë te “17 Nëntori”, në skuadrën kombëtare dhe atë që kanë transmetuar në fushë, janë të papërsëritshëm në të gjitha aspektet, sportive dhe njerëzore.
Sindroma e besëtytnisë së stolit
Te “17 Nëntori” sindroma e besëtytnisë së stolit, ka qenë shumë e theksuar. Pra, te drejtuesit ishte krijuar ideja se, nëse do të kishte stolin në pjesën jugore të tribunës, skuadra do të kishte fat në ndeshje. Për këtë arsye, pavarësisht kur ishte ndeshja dhe orën e zhvillimit, që paradite rreth orës 10:00, një përfaqësues i klubit, shkonte në stadiumin “Dinamo” apo stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” dhe qëndronte i ulur në stolat e boshatisur.
Si rastësisht, apo me një motiv tjetër, askush s’e kuptonte dhe nuk mund t’a mendonte një gjë të tillë. Pas shumë vitesh, kur ky informacion i shpërndarë, rivaliteti ishte i paparë se, cili do të ulej në stolin që do t’i sillte fat. Në veçanti, kur luhej njëri nga tri takimet derbi dhe më shumë rivaliteti ishte në “Qemal Stafa”, pasi në stadiumin “Dinamo”, ekipi i “17 Nëntorit” ulej gjithmonë në stolin jugor. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016