Nga Kristale Ivezaj Rama
Pjesa e dytë
Memorie.al / “Unë kam lindur në një burg në Shkodër dhe pas dy javësh, na internuan familjarisht në Berat. Të gjesh kënaqësi duke e parë tjetrin të vuajë, sidomos fëmijët! Njeriu, atëherë, fillon e dyshon tek këta njerëz që, nuk kanë asgjë të përbashkët me njeriun, përveç emrit njeri”?!
Zoti Simon, nuk futeshit në burg, nëse ju flisnit ashtu?
Duhet të merrje shumë gjëra parasysh. Por ishte e nevojshme t’ju tregoje nganjëherë se kush jemi. Ti ke shumë gjëra në dorë, por atë kryesoren e kam unë. Ti ke në dorë të më futësh në burg, të më japësh punë të rëndë, por të më bësh veglën tënde, nuk e ke në dorë ti.
A keni patur momente të tilla përplasjeje, kur jeni ndjerë krenar për veten, në lidhje edhe me këto që thoni?
Më krenar për veten jam ndjerë kur më thirrën për t’u bërë spiun. Ishte luftë e tmerrshme. Ishim duke punuar, kur shohim afër, po vjen Operativi i Sigurimit dhe ai që na bënte apelin. Binte pak shi, i hollë. Ishim nja 5-6 veta, punonim bashkë. Dhe vjen ai që na bënte apelin, dhe thotë, – Simon, hajde pak. Sigurisht që do shkoje patjetër.
Ata u shtangën, edhe unë. Mendova që tani më arrestuan. Më thotë, – do marrësh preventivin. Ne punonim në një periudhë, duke ndërtuar një kinema. Unë nuk kisha punuar kurrë në ndërtim, por për të ndryshuar punën e bujqësisë, u futa edhe unë aty.
“Do marrësh preventivin, – më tha, – dhe do e dërgosh në drejtori”. I thashë, unë preventivin?! Unë nuk jam as brigadier! Isha 26 vjeç. Dhe më thotë që ty të kanë kërkuar. Isha me çizme. Shkoj në shtëpi për t’u pastruar. Vjen Sokoli i shqetësuar. Të gjithë u shqetësuan. I them vëllait, 99.99 % janë duke më arrestuar.
Por pas meje mund të arrestojnë edhe dikë tjetër nga shokët tanë. Dhe do thonë, kështu – kështu ka thënë Simoni. Simonin vetëm kur ta varin në litar se nuk e hap gojën. Prandaj, mos të bien pre e lojërave dhe intrigave të këtyre, t’ia thuash atyre shokëve, nëse do kenë fatin e keq. Dhe nisem. Kisha një biçikletë që e përdornim brenda fermës, brenda sektorit. Marr biçikletën dhe nisem në Lushnje.
Kur mbërrij afër qytetit, dëgjoj një zë që më thërret: “O Moni, o Moni”? Kur kthej kokën unë, shoh operativin. Një herë, bëra sikur nuk e dëgjova. Ai atëherë e ndryshoi, jo Moni, por: “O Simon”. Kur thirri “O Simon”, ndala. “Hë, – tha,- ku po shkon”? Thashë, po shkoj të dorëzoj preventivin.
– “Po pse, ti kështu, i pa rruar”? – tha. I thashë: Nuk po shkoj për në paradë, po shkoj për punë dhe nuk e kam vënë re jam i rruar apo i pa rruar. –“Na,-tha, ndize një cigare”. – Jo, i them, faleminderit, nuk e pi. “Mirë,- tha, nisu atëherë, shko çoje”.
Vazhdova rrugën unë. Ky, mesa duket, kishte hipur në një makinë. Kur po eci unë, këtu tani, ishte rruga për t’u kthyer për tek Dega e Punëve të Brendshme. Dhe ky ishte mu këtu. Ndërsa rruga për të çuar preventivin, vazhdonte drejt. Kur mbërrita këtu, më thotë: “Ndalo, lëre biçikletën në trotuar dhe hajde pas meje”. –
Biçikletën nuk mund ta lë, se e kam blerë me lekë, nuk mund ta lë në rrugë. –“Lëre aty – tha, – e ruajmë ne”. – Po kam edhe preventivin – i thashë. – “Lëre aty”! Kur më tha: “ec!”, në atë rrugë 50 metra që ishte për te Dega e Punëve të Brendshme, po mendoja, tani vetëm kur të dali ndonjë e të më venë hekurat.
Kur iu afruam Degës, kthehet dhe më thotë: “Ec pas meje”. Çfarë po ndodhte, nuk po kuptoja gjë? Megjithatë, gjithë rrugës i lutesha Zotit, që të më japi forcë, mos të koritem, mos të fëlliqem. Duke ecur pas tij, kur, më fut në hotel. Ishte hoteli më i mirë i Lushnjës, quhej hotel “Myzeqeja”.
Këta kamerierët, përgjegjësit e hotelit, ishin të gjithë spiunë. E pashë që ky ia bëri me sy atij të sportelit. Unë pas tij. Në katin e dytë, në fund të korridorit, një dhomë. Hap atë dhomën dhe ishte një tavolinë, dy karrige dhe një minder. – “Ti do rrish këtu”, tha. E mbylli derën dhe tha se do vinte me një shok pas pak. Tani, unë nuk e dija se çfarë do ndodhte me mua. Nuk e kisha idenë. Diçka e keqe po, por se çfarë…! U ula tek ai minderi përballë tavolinës dhe llogaritja distancën e kokës me murin.
E mata, ishte një pëllëmbë distanca nga koka tek muri. Mendova, në rast se do më torturojnë, dhe nuk do jem në gjendje ta përballoj, t’i jap fund jetës. Kjo zgjati një orë. Kur futet çelësi, hapet dera dhe hyn kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, me gjithë Punëtorin Operativ. Ngrihem në këmbë. Më zgjasin dorën. Dhe ulemi. Filluan komplimentet, sepse kështu e nisnin.
“Unë jam filani, jam kryetari i Degës, kam marrë informacion nga Operativi që, je djalë i zgjuar, je djalë i hijshëm. Gjynah që ti të rrish në internim dhe të kalbesh…! Duke qenë se ti je i biri i Pal Bibës, njerëzit kanë besim tek ti, mund të flasin. Është një shans, është një privilegj që të japim ty.
Mund të të çojmë në Tiranë të vazhdosh edhe universitetin. Kemi dëgjuar që luan mirë edhe futboll, mund të të futim me “Dinamon”. Të krijosh familje. Dhe nuk do kesh punë me njeri, do kesh lidhje direkt me mua si kryetar i Degës. Ky është shansi! Kjo varet nga dora jote. Duhet ta shfrytëzosh këtë moment”, tha ai.
Unë i them: Faleminderit shumë për privilegjin, por, qoftë unë, qoftë kolegët e mi, nuk na del koha të merremi me politikë, sepse kemi një punë aq të rëndë sa, nuk na bie në mend të merremi me gjëra të tilla. Atëherë, ai ndryshoi. Nga komplimente, u kthye në ulërima, britma.
Çfarë ju thanë?
“Ti je bir i një krimineli, edhe ti, si ai je”, dhe ma futi një shqelm në kockë të këmbës. Më lëshuan sytë xixa. Mirëpo, kafshova gjuhën se, nuk doja t’ju jepja kënaqësi. Pastaj fillova me bërtima, jo nga dhimbja, por drejt atij.
E guximshme, kjo. Si mundët ta bënit?! A nuk patët frikë?
Unë i thashë; jam fajtor aq sa është ai djali yt, që është duke luajtur me shokët e vet dhe nuk e di se çfarë po bën babai i vet. Madje, djali yt ka më shumë faj, nëse do t’i hyjmë, sepse në darkë merr përkëdheljet e babës, ndërsa unë nuk e kam parë babën dhe as nuk më ka parë.
Atëherë, i bëri efekt kjo thënia ime, por, para se t’i thoja këtë punën e të birit, i them: – Unë ja ku jam, këtu, bëni ç’të doni me mua. Unë, spiuni juaj nuk bëhem. Ka marrë fund ajo punë. Ja, ku më keni, më bëni çfarë të doni. Dhe atëherë pas kësaj, i thashë punën e djalit. Atëherë u tërhoq pak.
Mirëpo, gjatë debateve që zgjatën nja 5 orë, më shumë bërtita unë, aq sa më thoshte: “Ule zërin”. Me thënë të drejtën, kur je në të drejtën tënde, të jep edhe zoti forcën, të duken si miza. Pavarësisht se unë e kisha sfiduar vdekjen dhe nuk më bënte përshtypje as vdekja, absolutisht, për asnjë moment nuk ka qenë dilemë, a po me dhimbset vetja apo nuk po më dhimbset.
Atëherë, pas 5-6 orësh, më thotë: “Dëgjo këtu, këto muhabete që bëmë këtu, nuk do i’a thuash askujt. Po i the dikujt, ne kemi njerëz që na i dinë të gjitha dhe nuk do të sjellim makinën të të arrestojmë, por do të vish vetë këtu t’i vësh hekurat. Dhe do të dënojmë me kostumin e prerë 25 vjet, dhe nuk ke për të dalë më gjallë. Ti e di mirë, që ne i dënojmë dhe ri dënojmë brenda në burg”.
Pas kësaj, i thashë: Nuk kam ç’t’u them, se nuk është ndonjë gjë e bukur për t’u treguar. “Atëherë, ngrihu dhe je i lirë të ikësh”, më tha ai, pasi kishte humbur çdo shpresë se unë mund ta pranoja ofertën e tyre.
Pas atij presioni psikologjik, a mund të ktheheshit lirisht në shtëpi?
Dola, shkova mora biçikletën, kishin lenë dikë që ta ruante. Pasi nisem për në kamp, tek kryqëzimi ku ndahet rruga për Berat, ndërtohej Fabrika e Letrës në Lushnje, kur shoh Kurt Kolën, që po suvatonte. Dhe i thërras, o Kurt. Zbriti nga skela Kurti dhe vjen te unë. Anës rrugës pambuku i mbjellë ishte i lartë. E mbështes biçikletën dhe futem në pambuk dhe i tregoj Kurtit gjithë historinë, kështu, kështu ndodhi me mua.
Kurti ishte njeri që kishim shumë besim tek njëri-tjetri, shumë. Dhe unë kisha nevojë të shfryja pak. Kurti ishte i sigurt për këtë punë. Ndejtëm 1 orë apo 2 dhe u nisa duke falënderuar Zotin. Ajo ndjenja e krenarisë, që thatë ju, ishte duke falënderuar origjinën time, kam mbajt shumë. Sepse ne, u mbajtëm në internim tashmë, jo për babën. Tashmë u mbajtëm në internim për qëndrimin tonë.
Kur u liruat nga internimi?
Jemi liruar me 4 korrik të vitit 1989. Filluam në vitin 1945 dhe deri në 4 korrik të vitit 1989. Pra 44 vjet gjithsej. Për ta thënë, thuhet me një gojë, por se sa peripeci ka brenda, vetëm shpirti jonë e di.
Na kanë treguar një histori tuajën, lidhur me detin të cilin e keni parë shumë vonë. Si jeni ndjerë?
Po është shumë e vërtetë ajo që ju kanë thënë. Detin, e kam parë për herë të parë, vetëm në vitin 1990. Në gjimnaz e kisha parë në hartë, në orën e gjeografisë. Gjithë ai bregdet dhe thoja me veten time: a do vijë ndonjëherë dita ta shoh, ta prek? Nuk e kisha idenë. Laheshim nëpër kanale. Kur u lirova, udhëtimi i parë ka qenë për në Durrës.
Të nesërmen. I hipa autobusit deri në Lushnje, pastaj preva biletën dhe u nisa për në Durrës. Kur i afrohemi Shkozetit, diku, kthej kokën, se gjithë kohën po prisja kur po e shoh detin. Kur mbërrij në Shkozet, dukej deti. Zbres. Nuk ia kisha idenë as rrugëve, asgjë. Zbres nga treni duke pyetur, rrugë pa rrugë, mbërrij në plazh. Kur shoh femrat me rroba banje… i shihja me ndrojtje, fshehurazi. Unë isha me pantallona. Eci dhe shkoj buzë detit dhe ulem.
Mbani mend çfarë dite ishte? Kishte diell?
Jooo, ishte diell, diell. Ishte ditë plazhi. Korrik ka qenë. Ulem aty, m’u morën pak mendtë. U shtriva në rërë, duke parë qiellin. Më dukej që po shihja detin edhe lart. U ngrita, preka pak ujin, laga fytyrën.
Sa vjeç ishit?
41 – 42 vjeç. Ndejta edhe 1 orë duke e soditur. U nisa për në Durrës, udhëtova në këmbë nja 4 a 5 km. se nuk ia kisha idenë. Duke pyetur. Mbërrita tek stacioni i trenit, dhe u nisa për Lushnje. Pastaj u nisa për Gjazë, kështu quhej sektori ku kemi jetuar, Gjazë. Kjo është historia e trishtë e imja. Mirëpo, kur je në pafajësinë tënde…! Sot është kollaj të flasësh, por atëherë, ka qenë shumë e vështirë. Ka qenë ndihma e Zotit dhe origjina e familjes!
Duhet të dini një gjë: Ne kemi qenë nga të rinjtë më të hijshëm. Dhe duhet të sakrifikoje shumë. Po them, më të hijshmit, jo vetëm unë, por të të gjithë kampit. Binim në sy. Ishim racë, njëri më i mirë se tjetri. Duhet të sakrifikoje rininë tënde, sepse me anën e vajzave, kishin rënë shumë viktima.
Ka pas raste përdhunimi ndaj të internuarave?
Jo, nuk ka pas. Raste përdhunimi nuk ka pas, absolutisht asnjë. Të paktën në momentin që unë kam filluar të kuptoj. Në Tepelenë, nuk e di se çfarë ka ndodhur, sepse kam qenë i vogël. Flitet që komandanti i kampit… por nuk kam dëgjuar nga nëna, as nga motra. Ndoshta si malësorë, i kanë mbuluar këto muhabete…! Më pastaj, jo, nuk ka ndodhur.
Ku shkonin njerëzit pasi liroheshin nga kampi? Kishit para?
Shumicën e rasteve kur liroheshin, rrinin në kamp.
Si ishte gjendja e jetesës?
Jetonin nëpër shtëpira me tulle, të pa suvatuara. Sigurisht ngushtë, por ishin më mirë se sa të shkoje në fshat, sepse fshati ishte kooperativë, ishin më mirë aty. Për këtë arsye, liroheshin, por rrinin aty.
Sa veta banonin në një shtëpi të vogël?
Ne ishim: vëllai, e shoqja dhe 3 fëmijët, unë dhe nëna. 7 vetë në dy dhoma. Dhomat ishin 3 x 3 m.
A i kishit disa sende të nevojshme për jetesën, një furrë, një banjo?
Kishim një sobë me dru dhe me dru ngroheshim. Për t’u larë… me kanoçe.
Kishit banjo të veçanta apo të përbashkëta, me të tjera familje?
Kishim një tualet brenda në shtëpi, aty laheshim. Do u tregoj një gjë të bukur, në thojza e bukur! Është pak banale, por do ua tregoj. Mua, më kishte marrë flokët kumbara, nun i thonë. Ky ishte i internuar me ne që në Tepelenë dhe niset të arratiset. E kapën dhe bëri 23 vjet burg në Burrel.
Si quhej?
Musa Sina, quhej. Ka vdekur, i shkreti. Kishte një vëlla, Beqir Sina, gazetar në New York. Ai i kishte thënë nënës që të m’i priste flokët. Atëherë, nënës i kishte ardhur keq. Ishte burrë simpatik, me mustaqe të holla. I vëllai nga Amerika, i kishte dërguar një kostum. Kur doli nga burgu i dërgoi një pako. I vishte ato. Shumicën e kohës ishte pa punë, se ishte i sëmurë.
Tualetet kishin një gropë jashtë. Dhe vinte dikush me lopatë pastronte gropën e zezë, i mblidhte në një qerre dhe i hiqte tutje. Paguhej mirë për atë kohë. Këtë punë e bënte një plak. Një ditë prej ditësh, plaku vdes. Dhe vendos ta bëjë Musai këtë punë. Pasi bëmë apelin në darkë, shkoi në zyrën e Këshillit. Aty ishte sekretari i partisë, kryetari i frontit, përgjegjësi i sektorit.
I bie derës ky. –“Hë, Musë, pse ke ardhur”? Ai thotë: “Kam marrë vesh që ka vdekur Vladimiri, – se kështu e kishte emrin plaku që pastronte gropat e tualeteve. – Kam ardhur të më jepni punë t’i pastroj unë ato”. – Mirë të ka shkuar mëndja, por ti nuk ke triska fronti. Kjo ishte një copë letër që tregonte, që ke biografi të mirë. “Po pse? – thotë i gjori Musa– edhe për të ngrënë m… duhen triska fronti”?! Dhe…nuk ia dhanë punën. Sepse nuk kishte biografinë e mirë!
Deri te gropa e zezë? E pabesueshme. Çfarë bëtë ju kur filluan proçeset demokratike?
Në vitin 1991, kemi ardhur në Tiranë. Kushërira e kunatës së Sokolit, na lëshoi një dhomë, një hapësirë dhe erdhëm në Tiranë. Aty kemi ndenjur 3-4 vjet. Unë në 1991-in, ika në Itali me anijet e eksodit. Nuk e kisha në mend të ikja, por vjen një mik i familjes, ai kishte mbaruar universitetin, dhe e shoqja e nxiste për të ikur.
Kishte ardhur në shtëpi për të na uruar mirëseardhjen dhe doli ky muhabeti dhe më thotë: “Simon, po iki në Durrës me anije, a po vjen edhe ti”? Ta merr mendja tani, në këtë moshë, për të bërë aventura, e me ik?! “Jo, po unë nuk iki dot vetë”, më thotë ai. Epo meqë s’ikën dot vetë, do të të shoqëroj, po vij, i them unë. Ky e kishte babain doktor. Kishte telefon në shtëpi, se atëherë jo të gjithë kishin telefona nëpër shtëpira.
I them, shkojmë tek shtëpia jote, interesohemi, se mos hamë ndonjë plumb kot. Ai merr në telefon në Durrës dhe i thonë që; kalohet lirshëm. Gjuajnë vërtet me armë, por gjuajnë lart, në ajër. Dhe përqafohem me vëllanë tim, Sokolin, i hipim trenit dhe nisemi. Shkojmë në Durrës, njerëz si miza në anijen, “Panameze”, kështu quhej. Nuk kishe ku të hidhje kokrrën e mollës. Ne hipëm të mërkurën, anija u tërhoq ca nga pesha e njerëzve por, edhe me çimento ishte ngarkuar. Në mëngjes jemi nisur. Mbërritëm në darkë në Brindisi.
Sa zgjati udhëtimi?
Një ditë e gjysmë zgjati. Kemi ndenjur në Brindisi jashtë. Pa larë, pa ushqim, një tmerr i vërtetë. Na sollën ca mushama për t’u mbështjellë natën. Ca si qese, por kishte shumë njerëz. Shumë e vështirë. Kaloi edhe ajo. Na futën nëpër shkolla për t’strehuar. Ndenjëm nja 2-3 javë në Brindisi.
A ju dhanë status refugjati?
Fillimisht jo. Pastaj na shpërndanë nëpër kampe, na morën në intervista. Unë fitova statusin e refugjatit politik, por nuk vlente. Nuk pata ndonjë lehtësi… në Itali, sepse në Gjermani më kanë trajtuar më mirë. Por dhe në Itali, kam kaluar mirë. Ata të studiojnë, të shohin që je serioz. Më lutën të rrija, në Udine, por i thash që; unë nuk njoh vendin tim, jo të njoh Italinë, para vendit tim. Kam ardhur rastësisht.
Sa kohë qëndruat në Itali? A punuat gjëkundi?
Dy vjet qëndrova në Itali. Kam punuar në një Caritas, u gjeja punë shqiptarëve. Pastaj u ktheva, nuk mund të njihja Italinë, dhe nuk e di si e morën vesh, erdhën gazetarë nga Holanda, madje, m’u lutën të shkoja në Hollandë. U bëri përshtypje shumë. Si ka mundësi që një njeri të jetë i dënuar 44 vjet? “Të sistemojmë me punë, me shtëpi me të gjitha…”, m’u lutën ata.
Të kishte marrë malli për familjen, për nënën. A ishte nëna gjallë në atë kohë?
Jo, nëna vdiq në kamp. Ajo, u nda me të shoqin, pra me babën tim, kur ishte vetëm 23 vjeç dhe me tri fëmijë. Me peripecitë e shumë që kaloi, u sëmur nga zemra. Dhe në vitin 1974 vdiq, ishte 54 vjeç.
Kur u kthyet nga Italia në Shqipëri, krijuat familje, pra, a u martuat?
Unë martova që kur isha në Tiranë. Vëllai kishte marrë grua myslimane. Dhe unë kisha qejf të dilja të shëtisja. Në atë rrugëtim vetëm i lutesha Zotit që, nëse e ke vendos të martohem, kur të shkoj në shtëpi të më japësh kënaqësinë nga gruaja, dhe kënaqësinë edhe kur të iki në punë. Mundësisht një grua katolike. Dhe deshi Zoti, gruan e gjeta katolike, një grua të mirë. Kam kënaqësinë, siç thashë.
A mund të na tregoni ndonjë episod nga ky çast, kaq i shumëpritur në jetën tuaj?
Edhe ajo ka një histori të bukur. Një mikeshë më thotë se njihte një vajzë, të lindur e rritur në Tiranë, por me origjinë nga Puka. Kjo më shtyu kureshtjen ta njihja. Jo vetëm nga Puka, por edhe nga Iballa. Mirëpo, ne kemi një gjë, që mos jemi brenda fisit. Edhe interesohem. Pavarësisht se jemi brenda një fshati, nuk ishim fis. Pas disa takimeve, ajo goditja e parë ishte pamja. Ishte e pashme! Pastaj njeriu fillon duke u njohur, bisedon…!
Faleminderit shumë për intervistën, zoti Simon dhe ju uroj jetë të gjatë e të lumtur me familjen tuaj.
Faleminderit ju./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016