Nga Njazi Nelaj
Pjesa e dymbëdhjetë
Memorie.al / Të përzënë nga shkolla sovjetike e Aviacionit, me ëndrra të prera në mes, një pjesë e grupit të studentëve për pilotë, që kishim studiuar një vit në qytetin e Batajskut, më 8 janar të vitit 1962, pas një lundrimi “skëterrë”, me një anije mallrash, mbërritëm në qendrën e Shkollës së Tretë të Aviacionit Ushtarak të Kinës, në qytetin Çin Zhou. Ai ndodhet në “zemër” të Mançurisë; në atë kohë kishte rreth 200.000 banorë. Pa ndonjë industri të spikatur. Një qytet me ndërtime 2-3 katëshe por me rrugë të asfaltuara. Terreni përqark qytetit ishte fushor; pranë tij janë brigjet Perëndimorë të Detit të Verdhë. Njëra nga vlerat e këtij qyteti mbahej fakti që aty ishte qendra e Shkollës së Tretë të aviacionit ushtarak të Kinës. Vajtja ime në këtë shkollë e në atë qytet ishte një rast fatlum. Në listën prej 7 studentësh të kursit tonë ku bënin pjesë: Adem Çeça, Dhori Zhezha, Mihal Pano, Bashkim Agolli, Andrea Toli dhe Sherif Hajnaj (Bracki), u përfshi, fare rastësisht dhe emri im, Niazi Nelaj.
-Në Shkollën kineze të Aviacionit Ushtarak-
Delegacioni ishte kthyer në Atdhe; Gogoja, për arsye që nuk i mësuam dot, ishte ndarë nga shokët e tash, së bashku me ne duhej të kthehej në Shqipëri. Ai ishte me moshë rreth 35 vjeç, me trup të bëshëm e me natyrë të qeshur. Fliste mirë gjuhën bullgare. Në Bullgari, Gogoja kishte studiuar dhe me bullgarishten komunikonte lirshëm, sikur ne që flisnim rusisht. Shkriheshim së qeshuri kur ndiqnim komunikimin e Gogos me përkthyesin tonë. Gogoja bullgarisht e, përkthyesi rusisht; merreshin vesh, për bukuri.
E them që në krye të herës: Gogoja ishte një njeri i pjekur, pa vese, i sjellshëm, i matur e i kulturuar, Ishim më të rinj në moshë por ai na e dëgjonte fjalën dhe luante me ne sikur të ishim shokë të tij prej shumë kohësh. Siç mund ta shpreh, siç thonë në anët tona: “Gogoja qethej me shelegë”! Si anëtar i një delegacioni qeveritar, kinezët e kishin trajtuar Gogon mjaft mirë ekonomikisht. Pas largimit të shokëve, i kishin dhënë në dorë gjithë paratë e dietës, të cilat ai i kishte harxhuar për të blerë dhurata për të afërmit. Me grupin tonë u bashkua kur xhepat e tij kishin mbetur bosh. Nuk i ndodheshin të holla as për ushqim, pa lere për nevoja të tjera ekonomike.
Ne, si pilotë na ushqenin mirë, në sasi dhe cilësisht. Na vinte keq për Gogon, prandaj e ftonim shpesh në tavolinën tonë, me bujari. Shpejt Gogoja u bë “piloti i gjashtë” i grupit tonë. Para nesh, në atë qytezë turistike ishin sistemuar oficerët e grupit, të përzënë si protestues, të cilët përkundër trajtimit ekonomik jo konform ligjeve, kishin refuzuar të fluturonin. Së bashku me ta ishin dhe disa studentë të deklaruar si të paaftë, për arsye të ndryshme.
Një nga këta student, ishte një palo tragjasiot me emrin Xhavit Kabella. E njihja Xhavitin qysh në Batajsk mbasi ishte në të njëjtin grup studentësh por u skartua, pas një testi mjekësor. Përsëri më doli përpara, këtu, në Cajgonin e largët. Ai ishte, as më shumë e as më pak se një “pykë në diell”. I prapambetur mendërisht, me nivel nën atë që kishin shokët e grupit dhe me vese të karakterit. Më vjen në mend çasti kur e pyeti mësuesja e rusishtes, në Batajsk, për portretin e Maksim Gorkit, i cili ishte i varur në mur. Xhaviti u përgjigj se ishte portreti i Stalinit. Mësuesja jonë u habit, ndërsa ne që e njihnim Xhavitin, çfarë malli ishte – qeshëm.
Edhe këtu, në Cajgonin e Kinës, Xhaviti, jo vetëm që nuk kishte ndryshuar por, me sjelljen e tij paprecedent, na turpëroi. Shkonte tek kotecët e fshatarëve përqark qytezës dhe rrëmbente vezët e pulave. Nuk ishte shkak mungesa e ushqimeve apo përmirësimi i dietës, me vezët që rrëmbente Xhaviti, se ushqimi ishte i bollshëm e me cilësi; çështja ishte vetëm të kënaqte vesin e tij të kobatarit. Veprimet keqbërëse të shokut tone, nuk mbetën jashtë vëmendjes të vendasve të cilët, e kaluan me të qeshur, për hir të miqësisë. Ne e gjetëm “të gatshëm “këtë opinion negativ, të cilin e mbuluam me sjelljen tonë korrekte e të kulturuar. Me vështirësi krijuam një opinion të ri, të shëndoshë e të merituar. Sjellja e Xhavitit mbeti e izoluar dhe e vetmuar përballë qëndrimit tonë. Në mëngjesin e datës 11 prill të vitit 1963, hipëm në anijen oqeanike “Vlora” e u nisëm për në Atdhe.
Rruga e kthimit për në atdhe na u duk më e shkurtër
Mezi e pritëm daljen e anijes në det të hapët. Nuk na besohej se do të niseshim. Kur dëgjuam sirenën e anijes tonë e të atyre që ndodheshin në port (shenjë që tregon nisjen e anijes), na buçiti zemra, më fort se gjëmimi i sirenës. Më së fundi, në sytë e lodhur të shokëve të mi, pashë shkëlqimin dhe gjallërinë e moshës. Anija “Vlora” ishte më e sofistikuar, në krahasim me anijen “Durrësi”, me të cilën shkuam në Kinë. Lundrimi me anijen “Durrësi”, na nxori thinja e na e mërziti atë vajtje aq interesante.
Anija “Vlora” ishte e prodhuar në Itali; e pajisur me një motor të fuqishëm, me naftë, i cili çlironte 18-20 milje detare në një orë. U akomoduan në anije si marinarë por, në kushte më të mira nga ato të vajtjes në Kinë. Ekuipazhi i anijes me kapiten Haxhi Shehun, kryeinxhinier Bertin e gjatë; mjek Zyber Mukën e plot njerëz të mirë, na trajtuan si miq e si shokë të vjetër. Kohën më të shumtë të ditës e kalonim mbi kuvertë. Na gëzonte zemra e hidheshim përpjetë, si fëmijë, kur vinim re se anija jonë, duke “garuar” në shpejtësi me anijet e tjera të korridorit lundrues, ua kalonte atyre e i linte prapa.
Gëzonim se kishim ndjesinë e mirë se po i afroheshim më shpejt në kohë Shqipërisë tonë. Ndjenim erën e vendit tonë të dashur, edhe pse ishim shumë kilometra larg, në det. Në sytë e secilit dukej qartë malli për prindërit, vëllezërit e motrat, farë e fis, për të gjithë ata që i njihnim e na njihnin. Na kishte pikur malli. Padurimin e vinim re në çdo qëndrim e në çdo veprim tonin.
Rrugët detare nga kalonim, portet dhe qytetet që na shfaqeshin përpara ose ato ku ndalonim, natyra e bukur që na shfaqej, e cila ndryshonte vazhdimisht, nuk na e mbushnin mendjen. I shikonim por jo me interesim; ishim indiferentë ndaj tyre. Jo vetëm se i kishim kaluar në të shkuar. Gjetkë e kishim mendjen. Shqipëria ishte shndërruar në mendjen tone, në një magnet gjigant, forca e të cilit i çakordon të gjithë instrumentet e orientimit tonë. Kisha ndjesinë se malli për njerëzit e për vendin tim, i pre-valonte të gjitha dashuritë.
Në ditën e shënuar të 1 Majit 1963, në orën 7 e 30 të mëngjesit, anija jonë “Vlora” me të cilën lundruam 20 ditë e net, nëpër dete e oqeane, u ankorua në kalatën Perëndimore të portit të Durrësit. Futjen e saj në kalatë e përshëndetën, me sirena triumfi, sipas traditës detare, të gjitha anijet që ishin të ankoruara dhe ato që prisnin radhën, në radë. Ishte ditë pushimi, festa tradicionale e punëtorëve por njerëzit e portit punonin. Sipas rregullit, edhe pse shpejtonim nga padurimi për të prekur tokën nënë, nuk na lanë të zbrisnim, pa kaluar nëpërmjet doganës së portit.
Vinim nga larg; ktheheshim nga Kina, nga një vend aziatik, e megjithëse dy vendet ishin të lidhur me miqësi të pathyeshme, në bagazhet tona mjerane mund të ndodheshin sende, të cilët, në Shqipërinë e asaj kohe, ishin të ndaluara të qarkullonin. E kam thënë më lart: në vendin tonë aso kohe nuk lejohej të qarkullonin as letrat e bixhozit. E çfarë mund të kishte brenda një valixhe studenti? Me paratë që merrnim, ne që ishim duhanpirës, mezi kishim mbledhur ndonjë cent, sa për të blerë dhurata simbolike për të dashurit tanë. Megjithatë, i’u bindëm rregullit e kaluam andej nga na thanë; nga zyra e doganës.
Në Kinën e atyre viteve, kontraceptivët shiteshin në çdo dyqan e ishin aq të lirë sa disa shitëse t’i jepnin në vend të restos. Tek ne përdoreshin vetëm në institucionet shëndetësore, me rekomandimin dhe nën këqyrjen e specialistit përkatës. Dy të afërm, të cilët kishin shumë fëmijë e nuk donin të lindnin të tjerë, më kishin porositur t’u sillja nga Kina, të tillë mjete të cilët parandalonin shtatzëninë. E pleqërova çështjen me mikun tim kinez, përkthyesin “flori” nga Ujguri, Petjan.
E nuhata hilenë e doganierëve, të cilët e shtrinin kontrollin deri në pjesët intime të trupit, prandaj ia lashë kontraceptivët një detari, nga Durrësi, me të cilin zura shoqëri gjatë lundrimit. Durrsaku, i ri, me trup mundësi, shtatshkurtër e me flokë kaçurrel, mjaft energjik, mekanik i mirë, jo vetëm e nxori porosinë nga dogana, por ma solli atë në Tiranë.
Detarët, gjatë lundrimit na kishin informuar se doganierët janë të specializuar dhe i dinë të gjitha hiletë e mundshme të ardhacakëve. Ata të kontrollojnë edhe në trup, na thanë detarët që i zumë shokë. Mendova hilenë që do të përdorja për të kaluar një palë letra bixhozi prej kaproni, të cilat i kisha për zemër. Doganierëve hileqarë, mund t’ua dilje vetëm me hile. E gjeta rrugëdaljen por e mbajta për vete.
Mënyra e mashtrimit ishte e thjeshtë por rezultoi efikase. Letrat e bixhozit i ndava në dy pjesë dhe i futa midis çorapeve dhe këmbës; gjysmat e tyre në secilën këmbë. Mbatha këpucët e bukura, me llapë të cilat i bleva në ekspozitën e Pekinit. Këpucët ishin të gjëra e më nxunë me gjithë objektet e ndaluara. Një nga një, na urdhëruan të kalonim në dhomën ku do t’i nënshtroheshim kontrollit të rreptë doganor. Më erdhi radha. Nuk isha pa emocione.
Nëpunësi i doganës, një mesoburrë, me trup të imët e kokë të thatë, me pak flokë e me syze miopi në sy, me “xhentilesë”, pa drojë tha: “Na falni për bezdinë, por e kemi si rregull t’ju kontrollojmë edhe në trup”! E dija që kështu e kishin udhëzuar mjeranin, ndaj u përgjigja: “Si të jetë rregulli, nuk kam kundërshtim”! Isha i bindur se nëpunësi i doganës do të prekte me dorë privatësinë time, duke i futur duart edhe atje ku nuk dëftohet.
Shpresoja se hilenë time, sikur të isha njëri nga ata pleqtë magjistarë kinezë, nëpunësi me eksperiencë nuk do ta kapte. Rezultoi e dobishme dredhia ime. Malli i sjellë kontrabandë nuk u diktua e unë, me hapa të ngadaltë se mos më diktonin të fshehtën, dola nga korridori ku të “futnin duart”, sipas ligjit. Asnjërit nga shokët e mi, kontrolli “i rreptë”, doganor nuk i ndaloi asnjë send (nuk them dot mall)!
Me një autobus të Ministrisë të Mbrojtjes erdhëm në Tiranë. U strehova në familjen e një të afërmit tim, në Tiranë të Re, i cili, aso kohe ishte punonjës i Sigurimit të Shtetit. Në shtëpinë e tij isha i mirëpritur dhe, siç ishte tradita e gjetur e atyre viteve, në shtëpinë e të afërmit, hyje pa trokitur. Të nesërmen, më 2 Maj 1963, së bashku me shokët e mi, u paraqitëm në Ministrinë e Mbrojtjes. Na priti një punonjës i Drejtorisë të Kuadrit të kësaj ministrie dhe një përfaqësues i Komandës së Aviacionit.
Derisa të kompletoheshin dokumentet, për emërimin tonë në detyrë dhe gradimin oficerë të Ushtrisë Popullore, na dhanë pagën e pilotit të thjeshtë (shoqërues) dhe 1 muaj leje, për të shkuar pranë familjeve. Përfaqësuesit e shtetit, ata që na pritën, na bënë me dije se, kur të ktheheshim nga leja, nuk do të paraqiteshim në Ministrinë e Mbrojtjes, por në Regjimentin e Aviacionit të Rinasit. Na dhanë kështu emërimin paraprak: pilotë gjuajtës – bombardues dhe repartin ku do të shkonim. Të pesë shokët, siç erdhëm nga Shkolla e Aviacionit, nuk na ndanë. Kjo, doemos na gëzoi.
Qëndrova 2-3 ditë në Tiranë, shëtita nëpër qytetin për të cilin kisha mall. U takova e u çmalla me të afërmit, në ditën e pastajme, me tren, u nisa për në Fier. Deri në Fier shkonte treni i pasagjerëve. Fjeta atë natë, në një hotel, emri i të cilit nuk më kujtohet. Hoteli ishte në rrugën automobilistike që të çon në Qafën e Koshovicës e më tej në Levan. Punonjësja e hotelit, një grua, e sjellshme dhe e kulturuar, u soll me mua me korrektësi e me dashamirësi.
Të nesërmen, herët në mëngjes, u nisa për në Krahës, nëpërmjet Mallakastrës (ishte e vetmja rrugë makinash), me një kamion, gjoja pasagjerësh, të pajisur me stola druri, të trashë e i mbuluar me mushama. Aiu ngjante kamionëve ushtarakë. Shoferi i kamionit, një barkalec me moshë mesatare, me emrin Kamber, rrugës bënte ligjin. Ai e ndalonte kamionin kur e ku të donte, merrte në makinë cilindo që i nxirrte dorën dhe e kishte xhepin plot me para. Rrugës nuk pashë ta ndalonte ndonjë polic. Rruga automobilistike përfundonte në Krahës (qendër); më tej mund të shkoje në fshat në këmbë ose i hipur në ndonjë kafshë dore.
Në Krahës (qendër) mbërrita në mesditë. Më duhej të udhëtoja edhe 1 orë, në këmbë, për të mbërritur në shtëpinë time. Në dorë mbaja një valixhe të lehtë si konstruksion por të mbushur me dhurata. Ajo ishte e rëndë e në atë distancë, në dorë nuk mund ta transportoja. Më erdhi në ndihmë një bashkëfshatar i cili, e ngarkoi valixhen time në samarin e gomarit. Rrugës për në mëhallën time (Ahmetaj), e cila gjarpëron nëpër një sistem kodrash (rrugë dhish), u shkëmbeva me mjaft bashkëfshatarë, të rritur e të mitur.
Të miturit, të cilët sapo kishin përfunduar mësimin e asaj dite, në shkollën e vetme të fshatit e cila ndodhet në majë të bregut e dominon të tetë mëhallët e Kalivaçit, më hapnin udhën e më përshëndetnin me togfjalëshin “mirëdita”, duke ngritur dorën e djathtë lart, siç përshëndetnin aso kohe pionierët. Mjaft prej tyre nuk i njihja por u ktheja përshëndetjen, miqësisht, me shumë dashuri. Më të rriturit, shumica e të cilëve më njihte personalisht, ndalonin, përqafoheshin, më duhej t’u përgjigjesha pyetjeve të shumta të tyre.
Ishte buzëmbrëmje kur mbërrita në shtëpi. Nënën dhe babanë i gjeta jashtë, në avlli. Secili prej tyre ishte ulur mbi një sofat. Vëllai i vetëm, Dilaveri erdhi pak më vonë. Atë e kishte ngarkuar babai me detyrën për të sjellë tufën e dhenve, në shtëpi. Të përmalluar, si unë dhe të dy prindërit e mi, u përqafuam e nuk shkëputeshim dot nga krahët e njëri-tjetrit. U futa brenda e u ula në qoshen e djathtë të shtëpisë përdhese, mbi një shilte, me lule, të cilën e kishte thurur nëna me dorë.
Akoma pa shkëmbyer përshëndetjet e pa mbaruar pyetje- përgjigjet, siç ndodh rëndom në këta raste, shtëpia u mbush me gra e pak më vonë edhe me burra. Ishin njerëz të afërm dhe gjitonë, të cilët kishin mësuar për ardhjen time. E para erdhi Hysnija, të cilës i thërrisnim Ninija. Një plakë me tipare burri, me origjinë nga Kolonja e Gjirokastrës. Pas saj erdhi Tajanja, e kudondodhura e mëhallës dhe Memja, të dyja moshatare me nënën time.
Më pas erdhi Nefizeja, Xha Lazja, Muharrem Kamberi i shkathët e i mprehtë, nga mendja e nga goja, Hyrija, Hatemja, Samoja, Zonja e Vogël, Loloja e mjaft të tjerë. Dukej sikur gratë garonin me njëra – tjetrën; kush të takohej më parë, me mua e kush të pyeste më parë. Nuk kishin njoftim se do të vija atë ditë, por, sapo më pa njëri, njoftimi u përhap gojë më gojë, me shpejtësinë që qarkullon thashetheme. Urimet “u derdhën si lumë”; ato i priste nëna. Kur erdhën dhentë, babai “u fut në rol”.
Mbasi i sistemoi, në kasollen pranë shtëpisë, me shpirtin bujar të spikatur, bëri zakonin që kërkonte ajo ndodhi. Bariu i njohur në tërë trevën, siç e kishte traditë, kapi një qengj pirës, më të mirin e qengjave, atë që kishte taksur për mua, i cili kishte lindur qysh në janar, e theri dhe e rropi, në mes të avllisë, të shtruar me pllaka guri. Nuk e shkoi në hell, siç bënte zakonisht, nga droja se do t’i shkrinte dhjami i qumështit por, e poqi në saç. Shijen e kishte të njëjtë, sikur ta kishte pjekur në hell. Atë natë e gdhimë.
Ditët që pasuan nuk mundën ta shuanin mallin e akumuluar nga mungesa ime e gjatë. Një vit e gjysmë, pa marrë asnjë lajm a letër prej meje. Vizitat, ftesat, gostitë, nuk më lanë të çmallesha plotësisht me pjesëtarët e familjes dhe me fisin. Më duhej të bëja vizita tek të dashurit e mi. Vizitën e parë ia bëra motrës së vetme; Lumturisë. E kishte djegur malli Lumen; siç digjet motra për vëllanë, sidomos kur e ka të larguar e të mërguar. Pastaj vajta tek teze Sherina, në Zhulaj. Duhet shumë tezja, në veçanti kur nuk e ke njohur hallën. Asaj gruaje burrëreshë, banorët e fshatit i thoshin: “Ti je nëna e fshatit”. E meritonte këtë ofiq, ajo grua, për gjykimin e saj dhe për atë sjellje tejet njerëzore.
Gjatë ditëve që qëndrova në fshat, nuk lashë pa shkelur asnjë shtëpi. Kisha munguar gjatë e në çdo familje, diçka kishte ndodhur. Njeri kishte patur dasmë, një i dytë ishte shtuar me fëmijë, një tjetër ishte fejuar, dikush ishte liruar nga ushtria, në ndonjë familje kishte ndodhur dhe ndonjë fatkeqësi etj. Jeta i ka e i do të gjitha; si gëzimet dhe hidhërimet. Më duhej të shkoja, me dëshirë e kënaqësi, i pa imponuar nga njeri. Dashuria dhe respekti për njerëzit ishte motivi që më bënte t’u gjendesha pranë atyre njerëzve të mirë.
Pas një muaji, u ktheva në Tiranë. Së bashku me Andrea Tolin, Adem Çeçën, Dhori Zhezhën dhe Nipçen (Bashkim Agollin), shkuam në Rinas e u paraqitëm në zyrën e Komandantit të Regjimentit, të lavdishmit Niko Hoxha. Koloneli autoritar na priti, i gëzuar e na uroi mirëseardhjen. U gëzua, i paharruari Niko Hoxha, “babai” i Aviacionit Luftarak Shqiptar se, do t’i shtoheshin pilotët, të cilët i donte aq shumë. Me buzëqeshje, koloneli na paraqiti detyrën dhe regjimentin që komandonte.
Ai na dha lajmin e mirë se ishim graduar, nëntogerë e ishim emëruar pilotë gjuajtës- bombardues në atë regjiment të sapokrijuar. Të gjithë do të rreshtoheshim në skuadriljen e dytë e do të fluturonim me aeroplanët ‘Mig-17 F’. Skuadrilja e dytë kishte 12 aeroplanë të tillë, të rinj, me resurse të plotë. Komandant i skuadriljes ishte piloti i talentuar, nga Vunoi Kosta Neço Dede, me gradën e kapitenit të parë. Zëvendës komandant i skuadriljes, ishte kapiteni i dytë, Gëzdar Riza Veipi, një tjetër pilot i talentuar, me origjinë nga Picari i Gjirokastrës.
Regjimenti kishte “uri” për pilotë e mezi na priste. Pa u pajisur me uniformë oficeri, nisëm të fluturonim. Na pajisën me kominoshe e në këmbë kishim mbathur atlete, siç erdhëm nga Kina. Nuk ishim të pajisur me uniformë oficeri. Dita-ditës, punët rrodhën në shtratin e tyre e ne u integruam shpejt, në atë mjedis e në atë kolektiv interesant. Ishim të së njëjtës racë dhe ia dinim asaj pune.
Aeroplanin e panjohur për ne, ‘Mig-17 F’, e përvetësuam relativisht shpejt, pa patur variantin mësimor, i cili erdhi në regjiment, shumë kohë më pas. Pa kaluar shumë ditë “shijuam” të qenit në gatishmëri luftarake. Fillimisht si udhëheqës fluturimi i çiftit roja, e mbasi fluturuam, u futëm në formacion, në rolin e shoqëruesit. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016