Nga Gjovalin Zezaj
Pjesa e parë
Memorie.al / Gjovalin Zezaj ka lindur në qytetin e Shkodrës në vitin 1928. Ai ishte i pari student i gjimnazit “At Gjergj Fishta” të qytetit të Shkodrës, që u arrestua nga Sigurimi i Shtetit me 27 nëntor të vitit 1945, pasi së bashku me disa studentë të tjerë, themeluan organizatën antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”. Pasi u mbajt për disa kohë në hetuesi në një nga burgjet e improvizuara të qytetit të Shkodrës, ai doli në gjyq para një kolegji ushtarak, ku bashkë me të ishin edhe një grup i madh prej 39 të pandehurish, ku bënin pjesë dhe tre klerikë. Në pretencën e tij, prokurori Aranit Çela, kërkoi dënimin me vdekje, me pushkatim, për 11 nga këta të pandehur, ndërsa për Gjovalinin, megjithëse ishte ende në moshë adoleshente, ai kërkoi burgim të përjetshëm. Duke përfituar nga amnistia për arsye moshe, Gjovalini bëri vetëm 6 vjet burg dhe pasi lirohet nga burgu dërgohet për të punuar në punë shumë të rënda. Por mbas 7 vitesh, më 25 maj 1959, ditën kur kreu i Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushovi, i shoqëruar nga Enver Hoxha dhe udhëheqës të tjerë të lartë të PPSh-së, ishte për vizitë në qytetin e Shkodrës, Gjovali arrestohet për herë të dytë nga Sigurimi i Shtetit. Pasi mbahet për disa kohë në hetuesi, del në gjyq dhe dënohet me 5 vjet burg politik, i akuzuar për agjitacion e propaganda kundër pushtetit popullor. Mbasi lirohet burgu kur vuajti të gjithë dënimin e dhënë nga gjykata, vazhdon gjimnazin në shkollën e natës (pa shkëputje nga puna) dhe merr maturën. Gjovalin Zezaj punoi punë të rënda deri sa doli në pension dhe pas viteve ’90-të, me shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia, ai u aktivizua me Shoqatën e ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë të Shqipërisë, për degën e Shkodrës, deri sa ndërroi jetë në vitin 2020, në moshën 92 vjeçare. Gjithashtu ai ka botuar librin: “Gjenocid mesjetar në shekullin XX-të”, pjesë nga i cili kemi përzgjedhur për botim në këtë shkrim.
Fragment nga libri “GJENOCIDI MESJETAR NE SHEKULLIN XX-të”
Dënimi i parë
Tashmë ishim mësuar me atë zhurmë të zakonshme, si çerdhe grethash. Më kishte marrë një gjumë i thellë, por edhe atëherë nuk pata fat. Një polic erdhi si i tërbuar. Më zgjoi nga gjumi e më dërgoi tek Shefi i Degës, i cili më pyeti nëse e njihja Mark Çunin. Të them të vërtetën pata një tronditje të thellë shpirtërore, por e përmbajta veten duke u paraqitur i qetë, dhe i thashë:
– Markun e kam njohur nëpërmjet babait tim, që e ka pasur nxënës në katundin Rrenxa-Bushat. Nëpërmjet dy familjeve tona lindi një miqësi e sinqertë, – por pa mbaruar mirë fjalën shefi i Degës më tha:
– “Këto janë përralla, fol për aktivitetin tuaj armiqësor kundër pushtetit popullor të ngritur me gjakun e dëshmorëve, që dhanë jetën për liri…, e që ju donit ta përmbysnit”, – e mbasi foli si i çmendur për Stalinin e madh, nga nervozizmi djersët i shkonin rrëke në fytyrë. Për të ndjerë veten disi të çliruar, zbërtheu kopsën e xhaketës që dukej sikur po i merrte frymën. Thirri policin, që më vonë e kuptova se për çka.
Mbas pak, hynë brenda me dhunë polici me Mark Çunin të lidhur me pranga. U hutova! Kuptova se ishte arrestuar. Si qëndronte puna! Tashti ishte e kotë!
Kisha përballë meje Markun dhe krye-xhelatin. Ishin momente të paimagjinueshme. Marku i lidhur me duar mbas shpine, dhe kamxhiku i Shefit të Degës binte pa pushim në trupin e tij, në fytyrë e gjithkund, ndërsa gjaku i rridhte pa pushim nga hundët e nga goja. Skenë vërtetë rrëqethëse dhe e dhimbshme. Është e pabesueshme se si njeriu arrin të sillet në mënyrë kaq shtazarake me njeriun.
Kjo është e vërteta e hidhur. Nuk mjaftoi me kaq, e përplasi në një nga qoshet e murit dhe aty e godiste me sa fuqi që kishte me grusht stomakut. Më në fund Marku ra pa ndjenja dhe kur polici e tërhoqi zvarrë për shkallësh, koka e tij përplasej për çdo këmbë shkalle.
…Hetuesit, për të shfryrë inatin ngaqë nuk u rrëfeva para tyre për “mëkatet e bëra”, më zbritën nga banjoja e katit të tretë që, të paktën, ishte e ajrosur, në katin përdhes, nën shkallë. Në të vërtetë ajo ishte një banjo primitive, por shërbente edhe si vend dënimi e torture për të detyruar të burgosurit të thonin të vërtetat e të pavërtetat.
Përveç erës së qelbur e të padurueshme, aty s’kishte as dritare, por ajrosej vetëm kur hapej dera nga ndonjë i burgosur që kryente nevojat personale, i përcjellur nga polici ose ushtari me veshje partizani. Për fat, këtu qëndrova me shpirt ndër dhëmbë vetëm tri ditë, pastaj më dërguan përsëri lartë. Aty gjeta Mark Çunin, që dergjej pa shtrojë e mbulojë, i katandisur mos Zot më keq. Nga njëra anë torturat, nga ana tjetër me krahun e thyer dhe pa kurrfarë ndihme mjekësore.
U mundova me ato pak mjete rrethanore t’i vija në ndihmë. Krahun e thyer i’a lidha me një peshqir që e ndava përgjysmë, ndërsa plagët ishin të shumta, e ku kisha mundësi, i’a freskoja me ujë. Vetëm ky ishte shërbimi që mund t’i bëja. Nuk kaloi shumë kohë që isha vendosur këtu, kur erdhi, tashmë miku i të burgosurve, Fadil Rakiqi, i cili më thotë: “Kanë arrestuar një prift italian dhe e kanë futur në birucën ku ishe ti”. Kaq dhe iku.
E kuptova pse më kishin nxjerrë nga ai vend. Isha shumë kurioz të dija se kush ishte i arrestuari i fundit. Prita të nesërmen kur mori shërbimin Fadili, i cili na shoqëronte në banjo, ne të burgosurve të katit përdhes. Kur më erdhi radha mua, i thashë mikut tonë: “Kujdes se dua të flas disa çaste me klerikun”. U futa brenda në banjo, ndërsa Fadili survejonte tek shkallët.
E pashë të mbledhur gërmuq (sepse ishte nën shkallë) njeriun të cilin nuk e njoha. I thashë se jam student i arrestuar e i tregova emrin tim. Ai m’u përgjigj me zërin e tij të ëmbël: “Jam At Giovanni Fausti”, emër që e dëgjoja për të parën herë. E kuptova se ishte një personalitet i Klerit Katolik dhe u largova nga ai, duke e përshëndetur me respekt dhe me dhimbje…!
…Në fund të muajit janar të vitit 1946, më çuan në një zyrë të katit të dytë të Shtabit të Brigadës, ku na kishin mbledhur të gjithëve që kishim përfunduar procesin hetimor. Porsa u hap dera, përballë meje qëndronte në këmbë “ujku” me fytyrë njeriu, prokurori, kapiten Aranit Çela, që në Shkodër kishte lënë nam për egërsinë e tij.
Ai bëri një bisedë hipokrizie me mua duke u paraqitur si njeri human dhe ndër të tjera, më tha: “Na vjen keq që po bie viktimë e të tjerëve. Ti, – tha ai,- je në lulen e rinisë, gëzoje atë po deshe, zgjidh e merr lirimin nga burgu ose vdekjen. Gjithnjë – vazhdoi ai, – nesër hapet gjyqi i popullit dhe tregoji trupit gjykues se udhëheqësit tuaj, ishin Padër Giovani Fausti, Padër Danjel Dajani e Padër Gjon Shllaku.
Porsa dëgjova këto fjalë nga goja e prokurorit provokator, u indinjova pa masë, por duke u treguar gjakftohtë e i matur, i’u përgjigja: “Këta emra i kam dëgjuar për të parën herë këtu në hetuesi, gjithashtu kam qenë student i Gjimnazit të Shtetit”. Përgjigja ime negative nuk i ra për shtat prokurorit, i cili më tha: “Po qe se ti nuk pranon, do të të shkojë koka”.
Më 31 janar të vitit 1946, herët në mëngjes, futen policët në çdo dhomë e, në heshtje, na lidhën me pranga dy nga dy e na nxorën në korridorin përdhese të ndërtesës. Kishte persona që nuk i kisha njohur kurrë e që i pashë këtu për të parën herë. Në fakt nuk e dija se sa vetë ishin implikuar në këtë çështje, dhe nuk ishin pak, megjithëse jemi përpjekur me mish e me shpirt që, të ruanim konspiracionin në një farë mase, e të shpëtonim disa kokë. Në fakt, i’a arritëm deri diku qëllimit.
Çdo ditë populli i Shkodrës, na priste në të dy anët e rrugës i terrorizuar duke parë ato skena aq të dhimbshme e të shëmtuara, në kurrizin e patriotëve dhe klerikëve të pafajshëm. Në krye të këtij korteu të përmotshëm printe Padër Giovani Fausti, Padër Danjel Dajani e Padër Gjon Shllaku, pastaj seminaristët, studentët, ushtarakët e fshatarë të akuzuar si bashkëpunëtorë me grupin tone, që numëroheshin 39 të pandehur të rrethuar nga një mori policësh, partizanësh e oficerësh të Sigurimit të armatosur deri ndër dhëmbë.
Tani e kishte fjalën salla e “Gjyqit të popullit” e vendosur në Kinema “Rozafat”, e përshtatur kohët e fundit nga komunistët. Publiku përbëhej nga njerëz të besuar të partisë me autorizim të posaçëm e, rrallë herë mund të hynin në sallë njerëzit tanë, ndërsa altoparlantë të fuqishëm të lidhur edhe me Radio Shkodrën, transmetonin punimet e seancave të përditshme të të ashtuquajturit “Gjyqit të popullit”.
Ndërsa ne po i afroheshim ndërtesës së Kinema “Rozafatit”, altoparlantët transmetonin këngë partizane revolucionare të kohës si: “Hakmarrje rini”, etj., në mes të intervalit muzikor, spikeri, Masar Bekteshi, çirrej me zërin e tij shurdhues, duke thënë: “Vini re! Vini re! Sot hapet seanca e parë e Gjyqit të popullit, kundër një grupi kriminal të organizatës fashiste-terroriste të udhëhequr nga krerët e Klerit Katolik të Shkodrës”.
Në mes duartrokitjesh e brohoritjesh histerike të pjesëmarrësve komunistë, doli në tribunën e gjyqit, Prokurori, Kapiten Aranit Çela, duke u mburrur e kapardisur si kapadai.
Trupi gjykues përbëhej nga kryetari i tij, Toger Mustafa Iliazi, anëtarët: Kapiten Namik Qemali, e Aspirant Tonin Miloti dhe Shaban Dautaj, sekretar. Seanca e parë e gjyqit u përqendrua vetëm me pyetjet e shumta, që iu bënë Padër Faustit, i cili i’u përgjigj me burrëri, gjakftohtësi dhe me vendosmëri të patundur në rrugën e martirizimit.
Seanca e dytë do të hapej prej Pader Danjel Dajanit, i cili do t’u përgjigjej akuzave falso të përgatitura në kuzhinën e hetuesisë policore kriminale, me në krye Zoi Themelin.
…Prokurori, mbasi mbaroi pretencën prej krimineli e sadisti, me ata dy sy që i vezullonin sa andej këtej, si ato të nepërkës e me atë gojë helm e vrer, mori frymë thellë, “i varfri” ishte lodhur duke lexuar të gjithë ata emra ndër të cilët njëmbëdhjetë vetë me vdekje.
E në këtë moment të gjithë pjesëmarrësit u ngritën në këmbë, siç e kishin zakon, duke brohoritur e duartrokitur për “birin e popullit”, të aftë në profesionin e tij, që po sfidonte me krenari si gjeli në pleh, burrat e rininë e pafajshme. Ndërsa e kundërta për njerëzit tanë. Diku, në një skaj të sallës të vetmuar, pashë vëllanë tim me dy motrat, që në fytyrat e tyre shprehej trishtim.
…Në krahun e majtë të hyrjes qëndronte ndërtesa e burgut të madh, katërkëndëshe dykatëshe, në fasadën e oborrit të madh ishte vendosur drejtoria e administratës e burgut dhe forcat e policisë. Brenda kësaj ndërtese katërkëndëshe, ishte një oborr rreth 200 m.2 e, në mes të këtij oborri të brendshëm ishte vendosur një trumë, që shërbente për të furnizuar të burgosurit me ujë.
Ndërtesa kishte katër dhoma të mëdha, të shtruara me një dysheme me dërrasa të kalbura, secila dhomë merrte rreth 80 vetë, por edhe më shumë, të sistemuar në katër rreshta, ku, ndonjëherë, hapësira e fjetjes ishte jo më shumë se 30 cm. Në katin e dytë, përveç dy dhomave të mëdha, kishte edhe 4 dhoma të vogla (dy majtas e dy djathtas ndërtesës). Këto përdoreshin për të sëmurët, pothuaj si dhoma të infermierit, pa kurrfarë shërbimi mjekësor.
Në katin përdhes, përballë derës së hyrjes me kafaz me hekura, ishte banjoja krejt primitive, e hapur, pa ndarje. Në të dy anët e oborrit, nën shkallë ishin dy biruca, të cilat shërbenin për të dënuar të burgosurit e “pabindur” ose, për të dënuarit me vdekje, të lidhur këmbë e duar, në pritje, ndoshta, edhe për disa muaj të ekzekutimit ose rrallë herë, të faljes nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.
Meqë isha dënuar me 30 vjet burg, kisha fituar të drejtën të rrija në dhomën përdhese nr.7, në dhomën e atyre që ishin dënuar rëndë. Pra, kjo ishte dhoma e të dënuarve, menjëherë mbas atyre me burgim të përjetshëm. Ata më pritën me përzemërsi, duke më lënë në krye të vendit e, si mbas zakonit, më ofruan kutinë e duhanit, duke më thënë se burgu është për burra.
Aty gjeta të rinjtë malësorë që kishin qenë në një grup me Preng Calin, i cili, thanë ata, u dorëzua vetëm e vetëm për të na shpëtuar ne më të rinjve nga vdekja e sigurt. Atë ditë nuk kishin mbarim vizitat, herë më thërriste një grup, herë një tjetër. Në atë dhomë ishin edhe vëllezërit Zenel e Hamit Kazazi që, në përpjekje me forcat e shumta të Sigurimit, ishin plagosur e pastaj dënuar me burg të rëndë.
…Tashmë situata në vendin tonë rëndohej përherë e më tepër. Në shënjestër ishin klerikët e intelektualët. Kulti fetar ishte i lejuar zyrtarisht, por, de facto, ishte i jashtëligjshëm. Në vitin 1946, arrestohet Padër Karlo Serreqi, nën akuzën absurde se nuk kishte denoncuar rrëfimin që i kishte bërë një i arratisur, i plagosur rëndë, që mbas pak vdiq. Pastaj, Padër Karlo Serreqi, dënohet nga gjykata me pushkatim, që më vonë iu kthye me burgim të përjetshëm. Në këtë kohë arrestohet edhe një klerik i moshuar, Hafiz Derguti, njeri i ndershëm, trim dhe patriot.
Në një skaj të oborrit të madh, ngjitur me ndërtesën e burgut, ishte një dhomë përdhese. Aty gjendeshin femrat e burgosura politikisht, ndër të cilat 18-vjeçarja Ana Daja, e cila luftoi me konviktorët servilë e komunistë, të cilët i dolën befas në pritë, ndërsa po shkonte në shkollë, që t’i merrnin me dhunë distinktivin e “Veprimit Katolik”, që mbante në gjoks. Ata në mes të rrugës u përleshën, e kapën për flokësh, e rrëzuan përtokë, por me gjithë përpjekjet e tyre, aksioni dështoi me turp.
Distinktivi mbeti si mbeti në gjoksin e saj. Por, mjerisht, persekutimi e ndoqi në çdo çast. Arrestohet për “veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor” e, dënohet me katër vjet burg. Aty ishin dhe Vitoren Kuka, Agime Pipa, motrat Terezina e Liza Pali e, shumë vajza të tjera të dënuara si antikomuniste.
Në katin e dytë, në të dy ekstremet e ndërtesës, ishin dhomat Nr.3 e ajo Nr.10. Këto ishin rezervë për të sëmurët që ishin me sëmundje infektive dhe që ishin në proces galopant të T.B.C. (Turbekoloz). Aty ishin shtruar Agim Boksi, Filip Logoreci, Lekë Harapi, Luigj Kçira, Pjetër Gjoka etj. Shteti nuk u jepte asnjë ndihmë mjekësore, por familjet, edhe pse jo në gjendje të mirë ekonomike, detyroheshin të përballonin ilaçet dhe ushqimet për të sëmurët e tyre.
Në janarin e vitit 1945 shpërtheu ‘Revolta e Malësisë së Madhe’ me në krye Bajraktarin e Kelmendit, Preng Calin. Pak muaj më vonë, ‘Revolta e Koplikut’, me në krye Llesh Marashin që, më vonë do të zihej gjallë e do të ekzekutohej me varje…!
…U dërguan forca të shumta policore e ushtarake dhe mbas disa orë luftimesh, kryengritja më e madhe antikomuniste u shua. Krahina e Postribës e pagoi këtë revoltë shumë shtrenjt. Inkuizicioni i kuq, pushkatoi 15 vetë, ndër të cilët edhe disa nga qyteti i Shkodrës e, shumë të tjerë u dënuan me burg të rëndë.
Fundi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti Shkodrën e mbarë Shqipërinë në një gjendje mjaft të mirë ekonomike, por Arka e Shtetit ishte boshatisur nga okupatori. Kjo rëndoi mbi tregtarët e pasur. Shteti u vuri tatimin e jashtëzakonshëm, për fitimet gjatë Luftës.
…Kur vinin të burgosur të dënuar rishtas, ata na tregonin lajme të reja rreth situatës në hetuesi, na tregonin se si njerëzit kalonin shkallën e arsyetimit dhe për t’u shpëtuar me çdo kusht torturave, kërkonin vdekjen e shpejtë.
Nga fundi i vitit 1946, spikeri i devotshëm komunist, Masar Bekteshi, njoftonte nga altoparlanti i Radio Shkodrës se, në kontrollin e bërë nga Forcat e Mbrojtjes së Popullit në Kishën Françeskane të Shkodrës, gjetën të fshehura disa arka me armë e municion. Ne të burgosurit politikë që po dëgjonim me vëmendje këtë lajm ogurzi, jo vetëm që nuk e besuam, por u revoltuam për këtë mashtrim dhelprak të përgatitur në kuzhinën e Sigurimit të Shtetit.
Por e vërteta do të merrej vesh më vonë. Skenari ishte përgatitur nga udhëheqja në Tiranë.
Në oborrin e gjimnazit françeskan u futën disa bastardë të Sigurimit të Shtetit, të lidhur me studentin seminarist Ndoc Vasili dhe të ndihmës kuzhinierit.
Brenda një dite filloi e mbaroi gjyqi, nga ku u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan:
- Imzot Frano Gjini, vjeç 62.
- Monsinjor Nikollë Deda, vjeç 58.
- Padër Mati Prendushi, vjeç 66.
- Çiprian Nika, vjeç 46.
- Pader Pal Dodaj, vjeç 67.
Ndërsa Padër Donat Kurti, ish-drejtori i Gjimnazit Françeskan “Illyricum”, edhe ky dënohet me vdekje, por dënimi i kthehet në burgim të përjetshëm. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016