Nga Robin Stummer
The Guardian, 16 Qershor 2008
– “Njeriu prej letre”: jeta dhe vdekja e një futbollisti –
Memorie.al/ Ndërsa Austria përgatitet të luajë nesër me Gjermaninë, Robin Stummer, raporton mbi misterin rreth vdekjes në periudhën e paraluftës të Matthias Sindelar, një prej futbollistëve të mëdhenj në botë. A e vrau atë Gestapo, nëse ai kreu vetëvrasje, apo ishte thjesht një aksident?! Disa sekonda filmim dhe lajme pikante, një grusht artikujsh të brishta shtypi, një emër rruge dhe së fundi, një varr si gjithë të tjerët. E tillë është trashëgimia e pakët e Matthias Sindelar – një prej futbollistëve më të mëdhenj në botë, “Pelé i viteve të paraluftës”, një gjeni sportiv, që jo vetëm e futi lojën e futbollit në epokën moderne, por e shpërfilli plotësisht edhe Hitlerin, gjatë rrugëtimit të tij. Shumë besojnë se përbuzja e qendërsulmuesit austriak për nazistët, do t’i kushtonte atij dhe jetën. Por a e ka nënçmuar Austria talentin e Mathias Sindelarit?!
Në një vend të vogël jo të tejmbushur me heronj të sportit të klasit botëror, dëshmorë të profilit të lartë antifashistë, për këtë arsye mungesa e Sindelarit nga e kaluara dhe e tashmja zyrtare e Austrisë, është disi e çuditshme. Pa statuja, pa emër stadiumi, pa postera.
Asnjë akademi futbolli nuk mban emrin e tij, nuk ka pasur asnjë film, asnjë ekspozitë, asnjë pllakat dhe asnjë hetim të ri, për vdekjen e tij të dyshimtë! Një sondazh i kohëve të fundit në Austri e konfirmoi Sindelarin, si yllin më të madh sportiv të vendit, megjithatë tifozët e futbollit në vend, për kompeticionin Euro 2008, luftojnë për të gjetur ndonjë shenjë të mbetur të tij.
Është një harresë që edhe disa austriakë të mësuar prej kohësh me çuditshmërinë e institucionalizuar e gjejnë të habitshme. “Është një mungesë e mahnitshme, një enigmë, por edhe një turp i vërtetë”, thotë historiani austriak i futbollit, duke ngritur supet. Dr Erich Krenslehner. “Për një yll të madh si Sindelar, të mos ketë asnjë memorial, është shumë e çuditshme, një mister…”?!
Pra, pse një komb është kaq i aftë në glorifikimin e Mozartit, Shtrausit dhe Hajdnit dhe kaq i pa-aftë për të përqafuar e vlerësuar kujtimin e sportistit të tij më të mirë?!
Një top prej bronzi vendosur në krye të pllakës së mermerit mbi varrin e Sindelarit, në varrezat ‘Zentralfriedhof’ të Vjenës. Fytyra e tij e butë e derdhur në bronz – balli i lartë, flokët që tërhiqen, nga metali jeshil i ndezur, vështron nga lapidari, mbi datat 1903-1939. Në fytyrën e gjelbër metalike, shtatë dekada shi, kanë lënë vija të errëta, nga vija e flokëve deri në qafë, që duken si djersa fantazmës pas ndeshjes. Nuk ka lule!
Euro 2008, bashkë-pritëse Austria e filloi kompeticionin e renditur në vendin e 92-të në botë, por për pjesën më të mirë të një dekade dhe pothuajse në kujtesën e gjallë, Austria ishte, së bashku me Anglinë, skuadra më e frikshme në futboll. Dhe ata kishin lojtarin e tyre kryesor, pikërisht Sindelarin.
Matthias Sindelar, ishte një vorbull vjenez i shpejtësisë dhe hirit, një lojtar thuajse jashtëzakonisht i talentuar, që ecte me vals, me lehtësi të çuditshme rreth kundërshtarëve. Gazetarët dhe komentatorët sportiv e titulluan Sindelar, Die Papierne – ‘Njeriu prej letre’, që fluturonte nëpër fushë.
Por për punëtorët çekë, hungarezë dhe polakë të fabrikave, diletantët dhe borgjezët e shoqërive të kafeneve, shumë prej tyre hebrenj, të cilët u dyndën për ta parë kur luante për klubin e tij, Futboll Klub “Austria” të Vjenës, ai ishte ‘Sindi’ i tyre. Dhe Sindi, thjesht e luante lojën e tij, si askush tjetër.
Sindelar ishte vjenez ‘i ri’. Prindërit e tij ishin katolikë nga Moravia, tani në Republikën Çeke. Ai fliste në dialektin e paqartë vjenez, u rrit në periferinë e varfër të Favoriten, një bastion i së majtës socialiste.
“Në fjalimin e tij, në mënyrën e tij, ai ishte një person i zakonshëm vjenez,” kujton Franz Schwarz, djali i presidentit të të Futboll Klub “Austria”, të viteve ‘20-’30-të dhe tani në të nëntëdhjetat, një nga të paktët e gjallë, që takoi Sindelarin, i cili shton: “Ai kishte diçka shumë të veçantë në talentin e tij, ishte vërtetë i jashtëzakonshëm”.
Duke filluar nga pranvera e vitit 1931, me mundjen 5-0 të Skocisë, e cila në atë kohë ishte një nga skuadrat më të nderuara të Evropës, bardhekuqtë do të ishin të pamposhtur, për 20 ndeshjet ndërkombëtare të ardhshme, duke shtyrë 11 gola pas portierit të Gjermanisë, në dy ndeshje, pa asnjë të pësuar. Të gjitha skuadrat kryesore të Evropës u rrëzuan. Në dhjetor të vitit 1932, skuadra tani e quajtur ‘Wunderteam’, ishte gati të përballej me forcën më të fuqishme në botë: Anglinë.
Një turmë prej 60.000 vetash, mbushi “Stamford Bridge”, ndërsa një turmë edhe më e madhe u grumbullua në “Heldenplatz” të Vjenës, për të dëgjuar komentet në radio. Por “Wunderteam”, humbi 4-3. Shtypi britanik përshëndeti të ardhurit: “Ekipi anglez ishte me fat që fitoi”. Ky, ishte verdikti i Manchester Guardian. “Nuk mund të kishte as më të voglin dyshim, se si ekip (Austrisë) ishte eprori. Ishte një fitore dhe jo më shumë”, tha Times. “Dhe nuk u fitua aspak lehtë”.
Deri në verën e vitit 1934, Austria kishte fituar ose barazuar 28 nga 31 ndeshje, megjithëse u mund me vështirësi në gjysmëfinalet e Kupës së Botës, duke humbur 1-0 në Milano ndaj pritësve dhe fituesve përfundimtarë, Italisë. Por fama e Sindelarit, ishte përhapur edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sindi, kishte filluar të fitonte shuma të mëdha parash, ai i shpenzonte ato duke veshur kostume të shtrenjta dhe ngarë makina luksoze, duke luajtur bixhoz dhe duke shkuar me…! “Wunderteam”, pavarësisht humbjes së Kupës së Botës, dukej i pandalshëm por kjo, ishte Europa e viteve ’30-të.
Ideologëve nazistë u pëlqente futbolli ndërkombëtar. Ishte miqësore me propagandën masive. Dhe ekzistonte perspektiva e fitores së pashmangshme. Dhe pas fitores, një triumf kolektiv i vullnetit sportiv kombëtar. Problemi ishte se skuadra e Gjermanisë naziste, ishte në rastin më të mire, e nivelit të mesëm. Por këshilltarët sportivë të Fyhrer-it kishin një plan.
Një nga veprimet e para të qeverisë së re naziste, në Austri e krijuar pas Anschluss të marsit 1938, ishte; shpërbërja e Shoqatës Profesionale të Futbollit të vendit. Klubet sportive hebre u shpallën të jashtëligjshme, terrenet u sekuestruan, lojtarët u ndaluan, zyrtarët e klubit u shkarkuan.
Shumë ikën jashtë vendit. Të tjerët fatalisht, qëndruan aty. Austria do të bëhej Ostmark, një provincë e Rajhut. Kombëtarja e futbollit e cila ishte kualifikuar për Kupën e Botës, të asaj vere në Francë, do të aneksohej, do të shkonte emri i ekipit ‘Austri’, lojtarët do të ‘ftoheshin’ për t’u bashkuar me skuadrën gjermane.
Shumë lojtarë dhe zyrtarë u pajtuan me marrjen në dorëzim dhe disa ishin mbështetës entuziastë, aktivë por Sindelar, me sa duket, edhe ai mendonte si ta.
Futboll Klub “Austria”, shkarkoi shumë drejtorë, lojtarë dhe zyrtarë, për shkak se ishin hebrenj, ose dyshoheshin se ishin hebrenj; mes tyre ishte presidenti i klubit veteran, Dr. Michel Schwarz.
Ata që i mbijetuan spastrimeve u udhëzuan të mos flisnin me kolegët e shkarkuar. Sindelar refuzoi. “Presidenti i ri i klubit, na ka ndaluar të flasim me ju,” i tha ai shumë të respektuarit Schwarz, pak para se presidenti i rrëzuar të ikte jashtë vendit, “por unë do të flas gjithmonë me ju, zotëri Doktor”.
Më 3 prill 1938, disa javë pasi nazistët aneksuan Austrinë, “Wunderteam” doli në fushë për herë të fundit kundër Gjermanisë. Ndeshja, në stadiumin “Prater” të Vjenës (tani i njohur si stadiumi “Ernst Happel”), u cilësua nga autoritetet sportive naziste, si një derbi ‘ribashkimi’, një festë 90-minutëshe e vëllazërisë gjermane. Doli të ishte një nga ndeshjet më të jashtëzakonshme të luajtura ndonjëherë.
Propagandistët nazistë, urdhëruan që shfaqja e lojës të përfundonte me një barazim. Sindelar, thuhet, kërkoi që skuadra e tij të lejohej të vishte fanellën e tyre tradicionale, jo një fanellë të re ‘jo kombëtare naziste’ dhe për këtë ndeshja e tyre e fundit, do të njihej si ‘Austria’. Nazistët ranë dakord.
“Wunderteam” e kaloi pjesën e parë të ndeshjes duke u përpjekur të mos shënonte. Sindelar dhe Karl Sesta, vepruan si memecë, në fillim duke i lejuar gjermanët të diktonin lojën. Aksionet e shumta gjatë lojës, vazhduan edhe në pjesën e dytë. Por rreth 70 minuta më pas, diçka u këput. Sindi goditi me një kërcim nga portieri gjerman, në këndin e poshtëm të djathtë të rrjetës. Turma shpërtheu. Funksionarët nazistë e panë me mosbesim, pasi menjëherë pas kësaj, Sesta goditi topin, nga 45 metra në portën gjermane. Dy me zero. Në përfundim të ndeshjes, turma e tifozerisë ishte e egër, ndërsa, sipas një rrëfimi, Sindi vrapoi drejt personaliteteve naziste dhe zyrtarëve të klubit dhe filloi duke kërcyer “vals”, krejt i vetëm e duke u buzëqeshur atyre.
Dhjetë muaj më vonë ai vdiq…!
Viti i fundit i Sindelar, ishte i çuditshëm. Edhe kur Vjena u përball me dhunën e egër dhe sekuestrimin ‘ligjor’ të pronës së qytetarëve hebrenj, Sindelar, me sa duket mbante miqësi të ngushta dhe publike me ta.
Disa herë atij iu ‘kërkua’, siç thuhet në nivelin më të lartë, të bashkohej e të stërvitej me organizatën sportive nacionaliste gjermane (tërësisht naziste). Përsëri ai refuzoi, megjithëse tetë ish-lojtarë të “Austrisë”, luajtën për ekipin gjerman, që humbi që në raundin e parë të Kupës së Botës, në vitin 1938.
A ishte Sindelar i vetëdijshëm, për të kryer vetëvrasje, apo thjesht po bënte një tjetër lojë të humbur. Këtë herë duke u zbehur shpejt sipas rendit të ri, do të kishte qenë e lehtë që të kërkonte një punë jashtë vendit, pasi ai kishte miq me ndikim në futbollin anglez. Por lëvizja e tij e radhës do të ishte një kthesë e paparashikueshme, e barabartë me akrobacitë e tij në fushë!
Në verën e vitit 1938, Sindelar edhe pse në mesin e të tridhjetave, ishte një nga lojtarët më të mirë në botë. Ai bleu një kafene të vjetër, diku në cep të rrugës ku s’kishte konkurrentë dhe i ktheu shpinën futbollit. Pronari i mëparshëm i kafenesë, një i njohur hebre i Sindelarit, i quajtur Leopold Drill, po falimentonte, duke qenë se një nga shumë “vjedhjet e legalizuara” që po ndodhnin në të gjithë qytetin, ishin duke u bërë ndërhyrja e nazistëve. Lojtari, siç thuhet, hyri me një ofertë parash për të blerë biznesin, që ishte shumë më e vogël, sesa shuma e ofruar nga burokratët e partisë naziste lokale.
Marrëveshja përfundoi, Sindi i mblodhi flokët dhe u shërbeu në heshtje birrë dhe kafe, shokëve të tij të vjetër. Gestapo e mbajti kafenenë nën mbikëqyrje, duke vënë në dukje se pronari i saj i ri, ishte miqësor me të gjithë klientët, duke përfshirë hebrenjtë. Rreth gjysma e klientelës ishin hebrenj, vlerësoi Gestapo dhe për këtë arsye pas kësaj ai, u denoncua te organet përkatëse naziste, nisur nga fakti se Sindi ishte ‘jo i pëlqyeshëm’, ndaj partisë naziste.
Kështu, më 23 janar 1939, një mik i shqetësuar se nuk e kishte parë Sindelarin për disa kohë, hyri me forcë në banesën e tij në Annagasse, në qendër të qytetit. Ai e gjeti Sindelarin të vdekur në shtrat. Pranë tij ishte e dashura e tij i fundit, e cila jetoi pa ndjenja edhe për disa orë. Sindelar ishte vetëm 36 vjeç.
Hetimi i policisë arriti në përfundimin se: çifti kishte vdekur nga helmimi me monoksid karboni. U zbulua se kanali i oxhakut ishte i bllokuar dhe fajësohej mirëmbajtja e dobët. Pakkush e besoi versionin zyrtar.
Më shumë se 20.000 njerëz morën pjesë në funeralin e Sindit, i cili në një farë mënyre, ishte tubimi i parë dhe i fundit i Vjenës, kundër nazistëve. Por në aspekte të tjera, nuk ishte më shumë se një lamtumirë, për një hero vendas. Kjo paqartësi është në qendër të historisë së Sindelar, një tipar vjenez atëherë dhe tani.
Klasiku i filmit britanik “The Third Man”, i filmuar pjesërisht mes vendeve të bombave të kryeqytetit austriak, gati një dekadë pas vdekjes së lojtarit, kapi shkëlqyeshëm gjendjen shpirtërore dhe sjelljet e qytetit: hijet, sekretet dhe pëshpëritjet. Pëshpëritja dhe misteri vazhdon.
Disa fakte rreth Sindelarit, janë të ndërthurura me thashethemet që ende qarkullojnë në Vjenë. Merrni raportin e policisë për vdekjen e tij, “të humbur në luftë”, thotë arkivi kombëtar austriak. Jo, vështirë për t’u gjetur për lexim atje, thonë disa historian.
Ose kafeneja e Sindelarit e blerë nga ylli i futbollit austriak, me një çmim të drejtë për të ndihmuar pronarin e saj hebre, që po ikte, thonë disa të tjerë. Jo, “vjedhur” nga një oportunist, si Sindelar, për një pjesë të vlerës së vërtetë, thonë të tjerët!
Ose vdekja e lojtarit është qartazi vrasje, besojnë shumë të tjerë. Jo, ishte vetëvrasje argumentojnë disa, një akt dëshpërimi për fatin e Austrisë, një teori e popullarizuar në mesin e literaturës me prirje të majtë, të kafeneve që e idhulluan atë. Ose një goditje bandash e lidhur me borxhet e supozuara të mëdha, të kumarit të yllit të futbollit vjenez. Ose vrasje në duart e të dashurës së tij, e cila më pas u helmua. Ose një vrasje e Gestapos, për të parandaluar që Sindelar të turpërojë Rajhun, duke ikur jashtë vendit. Ose, ishte thjesht një aksident.
Dhe për vetë Sindelarin, “mullinjtë” e thashethemeve të Vjenës, vazhdojnë që të punojnë ende.
“Ai ishte vërtet hebre dhe jo katolik, por e mbajti të fshehtë”, është shkruar së fundme. Vetëm një për qind e tij mund të shihte se si po shkonin gjërat”, thoshte një tjetër. Ndërtesa që dikur ishte kafeneja e Sindelarit, u shkatërrua në heshtje disa vite më vonë.
Në pak sekonda të filmimit të futbollistit, shprehet një paraqitje e shkurtër e Sindit, si një lojtari delikat, intuitiv me një fytyrë të sjellshme, që nuk ka dyshim, është gjithçka. Dhe një fytyrë, që për çfarëdolloj arsyeje, është gjithçka që mbijeton nga “Njeriu prej Letre”. Memorie.al
Përkthyer nga Sarah Molla
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016