Nga Dom Simon Jubani
Pjesa e parë
Memorie.al / Simon Jubani lindi në Shkodër në vitin 1927. Në moshën 16-vjeçare, ai hyri në shkollën Apostolike për t’u bërë klerik jezuit. Mbas mbylljes së shkollave fetare katolike në vitin 1945 – ‘46, ai vazhdoi mësimet në gjimnazin e shtetit në qytetin e Shkodrës, ku u shqua edhe si futbollist me ekipin “Vllaznia”. Më pas u transferua në Tiranë, ku kreu një kurs radio-rontgen dhe punoi për pak kohë, në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit, pasi u mobilizua për shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Në krye të tri viteve u kthye në Shkodër, ku iu paraqit Imzot Ernest Çobës dhe i’u lut ta shuguronte meshtar, por ai e këshilloi të priste dhe kështu u detyrua dhe rifilloi punë, si radiolog në Sanatoriumin e Shkodrës. Në vitin 1957 – ’58-të ai mori “Urdhnat e Meshtarisë” dhe shërbeu në rrethin e Mirditës si famullitar. Në atë kohë ai arrestohet nga Sigurimi i Shtetit dhe dënohet e ri dënohet disa herë gjatë vuajtjes së dënimit, si në Spaç, Qafë Bari, Ballsh, Burrel e Zejmen, ku vuajti gjithsej 26 vjet burg. Dom Simoni i cili është i njohur nga të gjithë bashkëvuajtësit e tij për qëndrimin dinjitoz dhe të pa kompromis me regjimin komunist, u lirua nga burgu më 13 prill të vitit 1989. Me 4 nëntor të vitit 1990, në kapelën e djegun të varrezave të Rrmajit, ai kremtoi të parën meshë katolike publike, përpara qindra besimtarëve, të cilat ishin ndaluar me ligj nga regjimi komunist i Enveri Hoxhës, që në vitin 1967. Për kontributin e tij, në vitin 1991, Universiteti i San Franciskos në Kaliforni i akordoi diplomën “Doktor Honoris Causa” në Shkencat Humane. Ndërsa në vitin 1996, shteti i Miçiganit e nderoi me diplomë me motivacionin: “Nismëtari i lirisë së fjalës dhe shtypit katolik”. Dom Simon Jubani është i pari shqiptar, mbas rënies së komunizmit, që u thirr në audiencë nga Papa Gjon Pali II-të. Dom Simon Jubani ndërroi jetë më 12 korrik të vitit 2011, në qytetin e Shkodrës dhe u varros me shumë nderime të veçanta në Kapelën e vorrezave të Rrmajit, nga të gjithë krerët e komuniteteve fetare, nga autoritetet më të larta civile dhe besimtarët e shumtë. Dom Simoni është autor i dy librave me kujtime, kryesisht për periudhën e vuajtjes së dënimeve në kampe dhe burgje, pjesë nga të cilat kemi përzgjedhur dhe po botojmë në këtë shkrim.
ORA E KOMEDISË
Mos mendoni se në burg gjithçka ishte tragjedi. Kudo e sido të ndodhet njeriu, në jetën e tij, pranë e pranë tragjedisë, ka gjithmonë diçka kronike. Kështu edhe në burg, shumë njerëz vuejshin prej kompleksit të inferioritetit.
Tue mos pasë lexue kurrë një rresht në jetë të tyne, kishin çaste kur, për t’u barabitë me njerëzit e kulturuem, me të cilët rrijshin gjithë ditën në të njëjtën kuti sardelesh, fillojshin me kujtue tituj librash e me citue autorë, që as në andërr s’i kishin pa.
E një kaq ua shtrembnojshin emna e fjalë, sa ishte e pamujtun mos me u shkri tue qeshë. Mandej fillojshin edhe me shkrue libra. E, si i kishin krye, m’i jepshin mue, tue shpresue se do t’i radhitshe ndërmjet autorëve ma në za të letërsisë botënore, natyrisht aty diku ndërmjet Shekspirit e Molierit!
Shkrimet u ngjanin si dy pika ujë autorëve. Kishin aty-këtu ndonjë perlë, vjedhë prej thesareve botënore e, qepë me spangon e burgut në rreshtat e shkrimit. Si i’a hiqsha këto stoli, vepra tingëllonte si hartim i keq gjimnazistësh.
Ua thojsha këtë e ata tërboheshin. Kujtojshin se ua baj prej zilisë e se veprat e tyne, kur të delshin prej burgut, do të shndritshin në vitrinat e librarive botënore, ku, medet, ajo pjesë e tragjedisë që ka mujtë me u shtypë, shitet me gjysmë çmimi, sepse njerëzve të ngopun të Perëndimit, nuk u pëlqejnë historinat e martirizimit.
As para e as mbas buke! Njënit, si ia pata lexue kryeveprën, i pata thanë se ishte nën nivelin intelektual të kalit të Skandërbeut! Një tjetri, se jetonte vetëm për me hangër! Pjetri më thonte se operative, nuk i lexonte letrat e katundarëve, sepse, katundar edhe ai vetë, nuk i kuptonte marrinat e tyne. Mirëpo katundarët me opangë të trasha, mendtë i kishin aman sa të holla.
Po kallëzoj vetëm këtë shembull: një mik i imi prej Bushati, kishte marrë një ditë letër nga e shoqja. Ndër të tjera, i shkruente: “Ti je njëqind herë ma mirë se unë, aty në burg, sepse ata 600 gram bukë plot me dhe, guraleca e mbeturina të tjera, që ty të bien në sqep pa pare, mue më duhet me i fitue t’ue punue si shaka, në shi e në diell, tue më shkue djersa për lug të shpinës.
Ti pushon gjithë ditën aty në birucë, ndërsa unë kam mall për një ditë pushimi, sepse edhe n’e diele, na e marrin shpirtin me punë angarie e me konferenca pa fund”.
Një pohim kësisoji pa masë. Don me thanë se, ata që quheshin të lirë, na kishin lakmi ne, që ishim ndër pranga. Bukuri. Një komedi e tillë na shkonte për shtat që ç’ke me të, edhe pse i bante krejt të pavlefshme kërcënimet e drejtorit të burgut, i cili ndër të tjera, na thoshte: “Sillu mirë, se përndryshe ta dërgoj familjen prej kooperative, në kamp të përqendrimit e, në se vijon me u sjellë keq, edhe në birucë të burgut”.
Letra e katundares prej Bushati, na tregonte se kjo shkallë të çonte shi në parriz, aty ku na kishin mbërritë prej kohësh. Burime të tjera krijimtarie për komeditë tona, ishin shtypi e radioja. Fillojshin me gazetën “Zëri i Rinisë” që kishte marrë mbi vete me zgjidhë hallet e të rinjve.
Vijojshim mandej me lexue, si mbas mënyrës sonë, organet e tjera të shtypit:
I burgosuni I: Na akuzojnë se nuk kemi vetura!
I burgosuni II: Po ç’na duhen veturat neve, që e duam njëri-tjetrin aq, sa na pëlqen të udhëtojmë të gjithë së bashku, kolektivisht, ndër autobusa, madje na pëlqen edhe më shumë të shtegtojmë në makina të hapura fare, në kamiona, sepse kështu ngopemi jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me ajër.
I burgosuni III: Ndërsa ata që jetojnë në perëndim nuk e duan njëri-tjetrin. Prandaj udhëtojnë secili për hesap të vet, në vetura personale. Pastaj, të gjorët, e kalojnë gjithë ditën në radhët e dyqaneve, për të blerë prasët apo purrijtë e importuar nga Shqipëria.
I burgosuni I: Njerëzit atje s’bëjnë tjetër, veçse të kërkojnë ndër plehra…! Nganjëherë unë s’e mbajshe ma veten e, delsha jashtë tekstit. Një ditë i thashë drejtorit: “Pse nuk na dërgoni edhe ne, për dënim, në botën kapitaliste? Me ç’a shkruajnë gazetat tueja, atje kemi me vuejtë ma keq se në Burrel”!
Në raste të tilla, për mue hapej perdja e tragjedisë. Sepse, more zotni, nuk duhen harrue kurrë fjalët e urta të popullit, që thotë se, gazi i tepruem shpesh del vaj e për ma tepër, shton edhe: “goja llap e shpina dap”! Mbas këtij soj gazi, për mue fillojshin torturat, deri në atë gradë, sa përfundojshe si Feniksi: hi e pluhun.
Por kur hapej përsëri dera e hatashme e birucës, për me spastrue hinin tem, si Zogu Mitologjik, unë çohesha rishtas në kambë prej pluhnit, gati për një komedi të re! Sekreti? Lutja, zotni. Ishte ajo që më jepte jetë, kur më kishin braktisë edhe forcat e fundit fizike!
Besoni me gjithë zemër e lutuni e keni me e pa si shndërrohet njeriu në Feniks! Madje në diçka ma hyjnore: në një të vdekun, që ngjallet në të tretën ditë, për me u ngjitë mandej ndër rrathë të epra, ku s’ka ma burgje as pranga!
Një burim tjetër për komedi ishte dhe radioja, që shërbente për të na edukue, sepse edhe vetë burgu quhej “Reparti i riedukimit”.
Kështu fjala e lemerishme burg, zhdukej nga fjalori e bota nuk mund të ankohej, se Shqipëria kishte burgje, e aq ma tepër se nuk kishte kurrnjë pëllëmbë të këtyne trojeve, ku të mos ishin hapë vorre, për të kallë brenda trupa kockë e lëkurë të burgosurish e të internuemësh, që janë dëshmorët e vërtetë të luftës për liri.
Për të na riedukue pra, e çojshin në kupë të qiellit altoparlantin e Radio-Tiranës, prej të cilit patëm fatin të ndigjojmë lajmet ma gazmore të jetës sonë. Skena e parë e asaj që pritshim me padurim, ishte lajmi se Mehmet Shehu, mbas një krize të randë nervore, kishte vra veten. Kulmi i komedisë mbërriti me vdekjen e Enver Hoxhës.
Gazi që prodhoi ky kulm duhet shenue në analet botënore të historisë së gazit, sepse nuk ka komedi tjetër që të ketë shkaktue kund një gaz ma të tërbuem, ma të tmerrshëm, ma ulurues se ai që shpërtheu në birucat e burgut.
Më ushton ende në veshë zani i shokut tim të mjerimit, të ndjerit Ded Begeja, që naltohej mbi gjithë të tjerët, në një dalldi çmendunie, prej gëzimit.
Madje edhe në fytyrën e policit, që hapi sportelin me pa se çka po ndodhte, lexohej gatishmëria me ia plasë gazit, sepse edhe ai i mjeri ishte në një farë mënyre, skllav, si na.
Na ruente ne, sepse ishte ma kollaj se me ruejtë arat e kooperativës. Shpesh hante në sy tonë bukë me arra, që i kishte vjedhë e shoqja, ndër pemishte të kooperativës.
Dëfrehesha prandej tue u tallë miqësisht me policët, të cilëve, kur isha në qejf, u thojsha: “Mirë unë, që rri këtu sepse flas e jam kundër komunizmit e komunistëve, po ju çfarë krimi keni ba, që ju kanë dënue me më ruejtë mue 12 orë rresht?
E kur ju merr uja, hani ma keqas se unë, një copë bukë gur e dru me arra ose me mollatarta të vjedhuna prej grave tueja në kooperativë. Ç’ka më dhimbeni, bre qyqarë: unë jam i dënuem me burgim të përkohshëm, kurse ju me burgim të përjetshëm”!
Ndër regjimet diktatoriale, ma mirë se kushdo, jeton ai që rebelohet, që nuk i dhimbet jeta. Të tjerët, që nga më i randësishmi, deri te ma i mbrami shërbëtor i diktatorit, jetojnë të gjithë në ankth, pa e dijtë se kë kanë mik e kë armik, tue pritë kur po ngrihet trekambëshi e po bahet gati stoli.
E sigurisht s’i bjen kurrë ndërmend me marrë pjesë ndër komedinat që kemi luejtë gjithë zell e qejf, në birucat e burgut. Sepse, qyqarët, lejnë e vdesin në skenën e tragjedisë.
Një skenë tjetër e komedisë së birucës hapej kur vijshin inspektorët e burgjeve nga Tirana. Të gjithë shokët e dhomës i mbajshin sytë te unë, për me marrë zemër, sepse nuk dihej se çka do të shestojshin miqtë e padëshirueshëm. Atëherë unë bahesha gati me shfrye, për mos me plasë. Ata që vijshin prej Tirane, kishin veshë me këtë rast kostumin e së dielës.
Ecshin me krenari të parët, e mbas tyne bisht, vinte karvani i autoriteteve të Burrelit me uniformat ushtarake. Gërsitshin çilcat e dryjtë, hapeshin me kërcëllimë dyert dhe mysafirët dukeshin në kornizën e tyne me fytyra të ngërdheshuna, sepse në hundët zyrtare përplasej menjëherë e pa pikë respekti, era që delte nga zhelet tona të ndyta e sidomos nga qypat në qoshe të dhomës, përplot me prodhimet e emocioneve të rastit.
Në një skenë të mbushun kësisoj me aroma, i madhi nga Tirana merrte fjalën para 30 zhelanëve, mbështjellë me jorganin e Stalinit, domethanë me do si mallota të randa, sepse të mbushuna me pambuk të keq, që për eufoni i quejshin peliçe. “Kemi ardhë edhe për ligjëshmëni. Prandaj, në se ka kush ndonjë ankesë, në se i bëhet ndonjë padrejtësi, ne jemi gati ta dëgjojmë”!
30 zhelanat shikojshin me sy gati të shuem atë që kishte ardhë për me u dalë zot. Ndër zhelet e peliçeve mshehshin varrët e tmerrshme, të pathame të hetuesisë, që thershin si paralajmim. Jo, ata nuk kishin asnjë ankim, nuk u ishte shkelë asnjë e drejtë! Mund të bajshin be të dlirtë.
E si mund t’u shkeleshin të drejtat, në një kohë kur nuk gëzojshin kurrfarë të drejte? Atëherë ata ia ngulshin sytë e tyne Dom Simonit, si të dojshin me thanë: “Fol, pra, ti për ne”! E natyrisht domi nuk kishte si mos me iu përgjigjë atyne syve, që lirinë e kërkojshin pikërisht në fjalën e priftit, i cili për ta përfaqësonte Krishtin.
U çojsha, atëherë, e t’ua fillojesha litanive të mëdha: “Ju këtu po na flisni për ligje. Për cilat ligje? Të shkruemet a po të pashkruemet? Se na këtu trajtohemi si mbas ligjeve të pashkrueme, se ky s’asht burg, po institucion çfarosjeje, se nuk asht aspak gja e vështirë me kuptue, që na jetojmë nën nivelin e shtazëve…”!
Natyrisht, nuk mërrijta kurrë me i përfundue litanitë, sepse ai shoku, që kishte ardhë me mbrojtë drejtësinë e lidhun në hekura, jepte urdhën që të më bajshin me vallëzue. Kështu komedia e burgut, për mue e për shumëkënd, kishte gjithmonë fund tragjik! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016