Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzetë e një
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, (që për tre dekada me radhë kishte mbajtur postin e ministrit të Punëve të Brendshme), si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poliagjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët, në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti prej 24 faqesh, me autokritikën e ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, (ku në çdo faqe të saj, Enver Hoxha, ka vënë shënime me shkrimin e tij), e cila bëhet për herë të parë publike nga Memorie.al
Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut
PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË TEPËR SEKRET
KOMITETI QENDROR
PROCES-VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982
Rendi i ditës:
- Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu
- Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum
Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.
ZHVILLIMI I MBLEDHJES
Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.
Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.
SHOKU SIMON STEFANI: Gabimet e rënda të Kadriut që po analizojmë në këtë mbledhje të Byrosë Politike, janë të rastit dhe aksidentale, ato janë një vazhdë e gjatë e punës së tij. Në sipërfaqe, në pamjen e jashtme, Kadriu është treguar i mobilizuar në zbatimin e vijës së Partisë, ndërsa faktet tregojnë se ai ka qenë një element liberal në zbatimin e normave në punën e Sigurimit të Shtetit. Pra, lëshimet e theksuara, kontrolli i dobët në punën e vartësve, mungesa e theksuar e përgjegjësisë ndaj detyrës, euforia e pabazuar dhe familjariteti i sëmurë që ka kultivuar vetë Kadriu në kuadrit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e ka dëmtuar rëndë vijën e Partisë, në këtë sektor të rëndësishëm dhe mjaft delikat.
Mendjemadhësia, megalomania dhe miopia politike, e ka çuar Kadrinë në atë pozicion të armiqve që organizoheshin herë pas here, në grupe, duke filluar që nga Konferenca e Tiranës, e deri tek veprimet e grupit të fundit që drejtoheshin nga Mehmet Shehu dhe nga disa kuadro të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kështu Kadriu, nuk e ka justifikuar besimin e Partisë, ai ka punuar shumë keq, prandaj për të gjithë këto faje të rënda që janë bërë shkak për të dëmtuar shumë interesat e Partisë dhe të atdheut, ai nuk mund të qëndrojë më në funksionet që i janë besuar në Parti dhe në pushtet. Shumë organe dhe organizata nga i gjithë vendi, kur janë njohur me fjalën e shokut Enver të mbajtur në Plenumin e fundit të Komitetit Qendror të Partisë, kanë kërkuar me të drejtë, që Kadri Hazbiu të japë shpjegime dhe llogari para Partisë dhe të nxjerrë qartë se pse nuk janë zbuluar këta armiq në kohën e duhur, nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit.
Unë propozoj që Kadri Hazbiu të hiqet nga Byroja Politike dhe Komiteti Qendror, gjithashtu të shkarkohet nga funksionet e Ministrit të Mbrojtjes Popullore dhe të mos rekomandohet në listat e kandidaturave që janë përgatitur për deputet në Kuvendin Popullor. Këto masa do ta forcojnë më shumë unitetin e Partisë dhe do të rrisin besimin e popullit ndaj Partisë, komunistët dhe populli do të shikojnë edhe njëherë tek udhëheqja e Partisë, vendosmërinë e saj, për të zbatuar deri në një, vijën e drejtë të saj. Nga kjo analizë unë nxjerr mësime të rëndësishme për punën time, për të zbatuar me përpikëri normat e Partisë dhe për të rritur rolin e saj në të gjitha drejtimet. Do të luftoj që të rrisë më shumë vigjilencën revolucionare.
SHOKU ENVER HOXHA: Tani kush e do fjalën? Ti shoku Pali? Dakort.
SHOKU PALI MISKA: Autokritika që ka bërë shoku Kadri Hazbiu, nuk është gjë tjetër veçse një justifikim, ajo është një përzierje ngjarjesh dhe faktesh të njohura, që mund të bëhesh nga çdo njeri. Aty nuk ka asgjë që të të bind se ku qëndrojnë gabimet e tij, në punën shumë të rëndësishme që i kish ngarkuar Partia, për një kohë shumë të gjatë, nuk ka asgjë të qartë se ku qëndron përgjegjësia e tij për punën si ministër i Punëve të Brendshme, në mos zbulimin e tërë kësaj pune dhe veprimtarie armiqësore, në dëm të Partisë dhe të pushtetit popullor. Pra, në autokritikën e tij, nuk thuhet kryesorja, përse nuk janë zbuluar nga ana e Sigurimit të Shtetit, tërë ato kurthe dhe prapaskena që përgatiteshin nga armiqtë për një kohë shumë të gjatë ndaj Partisë, pushtetit popullor dhe kundër shokut Enver? Jo vetëm pse nuk është zbuluar asgjë, por për ç’arsye nuk dha të paktën sinjal Kadri Hazbiu, si në Komitetin Qendror të Partisë, ashtu dhe te shoku Enver?! Pikërisht, këtë që është kryesorja, nuk e thotë Kadri Hazbiu, në autokritikën e tij.
Kadri Hazbiu, nuk ka zbatuar orientimet e Partisë dhe mësimin e madh të shokut Enver, që në organet e Sigurimit të Shtetit duhej të luftohej familjariteti, si një fenomen me rrezikshmëri shumë të madhe që ka pasoja të rënda për Partinë dhe shtetin tonë. Familjariteti, na mëson shoku Enver, është i dëmshëm kudo, por ai bëhet shumë i dëmshëm dhe me pasoja të rrezikshme në organet e Punëve të Brendshme, veçanërisht në organet e Sigurimit të Shtetit. Kadri Hazbiu, jo vetëm që nuk ka luftuar familjaritetin në Ministrinë e Punëve të Brendshme, sidomos në organet e Sigurimit, por, ai vetë ka dhënë shkas që të zhvillohej familjariteti e të mos luftohej.
Familjariteti që ka pasur vetë Kadri Hazbiu, me Mehmet Shehun, me Mihallaq Ziçishtin dhe me Feçor Shehun, me Llambi Peçinin e me Gani Kodrën e me shumë armiq të tjerë, e çoi Kadri Hazbiun në atë gjendje, që për vite të tëra me radhë këta armiq, të zhvillonin një punë të ethshme armiqësore e me pasoja shumë të rënda, të mos zbulohesh kjo veprimtari, sidomos nga organet e Punëve të Brendshme, sepse, si ata dhe Kadri Hazbiu, kishin besim të madh e të tepruar, ndaj njëri-tjetrit. Prandaj, sa ua ka kërkuar dhe si ua ka kërkuar llogarinë atyre Kadri Hazbiu, këtë e di vetë ai, por mendoj se nuk u ka kërkuar dot llogari, pse nuk e ka lejuar pikërisht familjariteti i sëmurë dhe komprometimin reciprok, që ka ekzistuar midis tyre.
Prandaj, ata punuan për një kohë të gjatë kundër Partisë dhe pushtetit popullor. Familjaritet, Kadri Hazbiu ka pasur edhe me disa njerëz që Partia i ka dënuar për veprimtari armiqësore, si me Ali Kubatin që u dënua vjet, po kështu edhe me disa elementë të tjerë të këqij. Përse e ka pasur këtë miqësi kaq të ngushtë me këta elementë që villnin vrer kundër Partisë dhe pushtetit popullor, ministri i Punëve të Brendshme? Këtë ai nuk na e shpjegoi. Në sy të bie, se në organet e Punëve të Brendshme që ka drejtuar Kadri Hazbiu, ka mjaft njerëz nga rrethi i tij familjar dhe miqësor. Për mendimin tim, duhet parë. Shoqëri të tillë ka pasur Kadri Hazbiu, edhe me armikun Mehmet Shehun, dhe këtë se përmend fare as vetë kur foli, as kur iu kërkua autokritika me shkrim nga Komitetit Qendror kohët e fundit. Ato që thoni ju, Kadri, se në Byronë Politike e kritikove më shumë se shokët e tjerë Mehmet Shehun, jo vetëm që nuk qëndron fare, pse nuk kanë asnjë bazë, por këtë e bëre me qëllime të paracaktuara, për të krijuar përshtypjen, sikur ti gjoja, nuk je pajtuar asnjëherë me Mehmet Shehun!
Kjo që ke thënë, nuk qëndron aspak kështu. Ju me Mehmet shehun, gjithë kohën keni shkuar shumë mirë, i keni pasur muhabetet siç thotë populli, qumësht dhe mjaltë me njëri-tjetrin dhe kjo u binte fare qartë në sy të gjithëve, atëhere kur nuk ishte zbuluar puna e fëlliqur ne atij armiku të rrezikshëm. Ne e dimë, se të gjithë ju, me Mehmet Shehun, me Mihallaq Ziçishtin, e të tjerë si këta, keni pasur familjaritet të sëmurë dhe të madh. Se ku e ka burimin ky, shpjegoje vetë. Kadri Hazbiu, nuk ka zbatuar as orientimin tjetër të Partisë, për të dalë nga puna e mbyllur e organeve të Sigurimit të Shtetit dhe për t’u mbështetur jo vetëm te disa, por te të gjithë komunistët dhe kuadrot, të cilëve Partia ju ka besuar poste me përgjegjësi në organet e Sigurimit të Shtetit, qofshin këto të mëdha, qofshin më të vogla. Ky është një orientim me rendësi shumë të madhe, që është dhenë nga ana e Partisë. Kadri Hazbiu, siç mund ta quajm, ka pasur një besim të tepruar, te disa kuadro të Sigurimit, që tani siç vërtetohet plotësisht, ishin armiq të betuar dhe e kishin bërë këtë organ, një “fole grerëzash”.
Po të kishte dalë Sigurimi nga kjo punë e mbyllur dhe të mbështetej jo vetëm te disa, por edhe te disa të tjerë, nuk kish si të mos binin në vesh sinjalizime, qofshin këto edhe të vogla, për të rënë në gjurmë të kësaj veprimtarie kaq armiqësore dhe shumë të fëlliqur. Ose, po të ketë pasur ndonjë sinjal dhe ai nuk e ka vlerësuar, se e ka ngritur ky apo ai njeri, atëhere ky gabim tjetër nga ana e tij, është akoma edhe më i madh. Në sipërfaqe, sikur e tha shoku Simon, Kadri Hazbiu të lë përshtypjen sikur është një kuadër masovik, por në brendësi, ky ka qenë e kundërta, nuk ka qenë i tillë. Unë mendoj se Kadri Hazbiu, ka bërë një punë të mbyllur në organet e Punëve të Brendshme, ai është mbështetur vetëm te disa, nuk është mbështetur si duhet te kuadrot dhe te komunistët e shëndoshë me partishmëri dhe të devotshëm, prandaj edhe nuk ka rënë në gjurmët e kësaj pune të ethshme armiqësore. Dhe këtë Kadriu nuk na e thotë pse, prandaj le të përpiqet të na e shpjegojë vetë qartë, ashtu siç duhet shpjeguar.
Kadri Hazbiu ka humbur vigjilencën, në mos më shumë, që për organet e Sigurimit të Shtetit, është e domosdoshme, normë të cilën Partia e ka ngritur vazhdimisht me forcë shumë të madhe. Nuk mund t’i lihej vetëm Llambi Peçinit, dërgimi në Bashkimin Sovjetik i tërë atyre sekreteve të dikasterit me karakter delikat e të mprehtë, gati tërë përmbledhja e arshivës së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ashtu siç thotë Kadri Hazbiu, Llambi Peçini dhe kushdo tjetër në ministri, nuk mund të bënte me kokën e tijë një veprim të tillë, por e ka bërë ashtu siç shënohet në relacion e në shkresë “me porosi dhe me urdhër” të Kadri Hazbiut. Ky veprim, për mendimin tim, i kalon të gjitha caqet e uljes së vigjilencës. Ose djegia e gjithë asaj agjenture jashtë, si në Zbulim, ashtu dhe në Kundërzbulim, tregon për një humbje të madhe të vigjilencës, në mos më shumë.
Edhe vendosja në poste shumë të rëndësishme të disa kuadrove, të cilët ishin ekspozuar jashtë me agjenturën dhe që diheshin nga Kadriu, siç ishin Kristaq Qarri, Mendu Tetova, Malo Harshova etj., deri në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Operative në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, tregon për ulje të madhe të vigjilencës, ose mos mbajtjen drejtpërdrejt në kontroll e hetimeve që u bëheshin grupit të Beqir Ballukut, Abdyl Këllezit dhe bashkëpunëtorëve të tyre nga ana e Kadri Hazbiut, lënia tërësisht e kësaj çështje jashtëzakonisht shumë të rëndësishme, siç thotë ky, në dorën e armikut Feçor Shehu dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët krijuan një rreth vicioz pyetjesh, mbuluan tërë atë punë të keqe dhe atë lidhje që kishin të gjithë këta me armikun Mehmet Shehu, tregon se Kadri Habziu e kishte humbur vigjilencën, duke krijuar besim të tepruar, sidomos te armiku Feçor Shehu dhe te bashkëpunëtorët e tij.
Në rast se ju keni marrë drejtpërdrejt sinjalizime dhe nuk i keni vlerësuar ato, kjo është akoma dhe më e rëndë nga ato hetime që thoni se i keni bërë vetë. Kjo për Kadrinë është e pafalshme, për mendimin tim. Është e çuditshme dhe krejt e pakuptueshme se si Kadri Hazbiu, si zëvendësministër fillimisht, pastaj për një kohë shumë të gjatë edhe si ministër i Punëve të Brendshme, nuk ka pas rënë në gjurmët e kësaj veprimtarie armiqësore të tërbuar që u zhvillua për një kohë shumë të gjatë, se si nuk ka hedhur ai asnjëherë dyshime në punën ne këtyre armiqve. Kjo është e pashpjegueshme. Armiqtë që kemi futur sot në burg, nuk ka qenë e mundur që të punonin gjithnjë mirë, sipas orientimeve të Partisë. Atëhere si janë mbyllur sytë sidomos nga ty, si përgjegjës kryesor para kësaj gjendje në Ministrinë e Punëve të Brendshme?!
Kadri Hazbiu në punën e tij në organet e Sigurimit të Shtetit, nuk ka siguruar kurdoherë edhe në të tëra rastet, udhëheqjen e dhe kontrollin e domosdoshëm të Partisë. Shumë probleme siç del tashti, ai i ka zgjidhur vetë, të tjerat i ka zgjidhur duke vënë në dijeni armikun Mehmet Shehu, me të cilin mbante lidhje të drejtpërdrejta, disa të tjera me sekretarin e Komitetit Qendror, por për këtë të fundit, siç del tani nga faktet konkrete, e ka bërë shumë pak. Dua të nënvizoj me këtë rast, se për shumë probleme të rëndësishme dhe kardinale, ai nuk ka vënë në dijeni Komitetin Qendror të Partisë dhe sekretarin përkatës të Komitetit Qendror, kurse për disa probleme shumë të rëndësishme, e theksoj, shumë të rëndësishme, e kishte për detyrë të vinte në dijeni vetë shokun Enver dhe të merrte mendimin dhe miratimin e tij.
Por Kadri Hazbiu, nuk e ka bërë një veprim të tillë. Ky veprim e ka spostuar, si drejtimin, ashtu dhe kontrollin e Partisë, të komitetit të saj Qendror. Përse nuk e ka bërë këtë, le ta shpjegoj vetë Kadriu, por mendoj, se ai nuk e ka quajtur domosdoshmëri absolute drejtimin dhe kontrollin e Partisë për tërë problemet e Sigurimit të Shtetit. Me fjalë, ai e ka pranuar këtë drejtim dhe kontroll, por me vepra nuk e ka zbatuar. Ka probleme të organeve të Sigurimit të Shtetit, për të cilat në bazë të platformës, duhet të merret medoemos mendimi i Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë, kurse Kadri Hazbiu, Platformën, dokument me karakter shumë sekret, që e ka firmosur shoku Enver, e ka dërguar si pa gjë të keq në Bashkimin Sovjetik, pa pyetur fare shokun Enver. Kështu mund dhe duhet të ketë bërë Kadriu, edhe me veprime të tjera. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016