Nga Ndue Dedaj
Pjesa e dytë
– “Na jemi shtëpi tash pesëqind vjet, qysh nga koha e Skanderbegut, na thoshin të parët”.
Memorie.al / Shpesh në jetën e popullit has fakte që të bëjnë të mendohesh thellë, si në rastin kur një derë malësie, një shtëpi e dëgjuar, si ajo e Qafajve të Fushë-Arrësit, me origjinë prej Spaçit të Mirditës, ka patur flamurin e vet, njëlloj si dinastitë shqiptare të mesjetës, Kastriotët e Dukagjinët, që kishin stemat, emblemat, vulat, siç besohej se kishin dhe “hyllin” e vet rojtës. Në ato mote kishte flamurin e vet dhe krahina, dhe bajraku, por dhe shtëpia e madhe, shtëpia e parë, që ishte si një shtet më vete. E vërteta është se nëse diku në zonat fushore e qytete disa vlera autentike ranë, prej furisë së pushtimeve të huaja, në male ato u ruajtën si mbijetoja, si praktika jetësore a ceremoniale, si rituale. Mundet që flamuri i Pirustëve të ketë qenë me pamjen e ndonjë përkrenareje ilire, apo emblemë bakri a bronzi. Flamuri i Principatës së Arbërit dhe ai i Dukagjinëve më vonë ishin me të njëjtën heraldikë, shqiponjën njëkrenore. Flamuri i Mirditës, ishte ai kombëtar, shqiponja dykrenore, por me element shënjues diellin me rreze, aty ku më pas u vendos ylli pesëcepësh. Flamuri i Dheut (bajrakut) të Kuzhnenit, përbëhej nga një dorë e bardhë e hapur në një fushë të kuqe, me një kryq të kuq në fushë të bardhë, siç e përshkruan Franc Nopça. Është e njohur se në Mirditë duvaku i nuses ishte me shqiponjë. Aristokracia shqiptare e maleve, që kishte si tipar themelor prijën mundi të mbetej e pa shprishur në thelbin e saj autokton, pa u lakuar e tjetërsuar prej kulturave të pushtimeve, me të gjitha shenjat e saj prijetare, kuvendore.
Flamuri origjinal i Qafajve: një degë lisi e blertë, në një fushë të bardhë
Jehona e të parëve, prijësve të maleve
Një malësi autoktone, në Mirditë apo në Labëri, nuk mund të kuptohet pa luftërat, qëndresën, trimërinë, figurat me në zë të saj, folklorin që e ka shoqëruar. Rapsodi i shquar Prendush Gega, shkruante për figurat e kësaj malësie veriore, njëlloj si Fishta për krerët e Malësisë së Madhe. Në një këngë popullore të mbledhur në Lumë dhe të botuar në “Visaret e Kombit” me 1939, i bëhet jehonë veçanërisht luftëtarit mirditas, Ndrecë Ndue Qafa nga Fushë-Arrësi.
Malësorit gjithë here i ka pëlqyer të krenohet me gjyshërit, madje dhe të mburret me ta, ndonjëherë dhe duke i veshur me legjenda e gojëdhëna. Ai ka dashur të vdesë me këngë, t’i këndohet kënga, ani se ndonjëherë në këngë kanë hyrë jo vetëm heronjtë por dhe cubat.
Dedë Qafa ka të drejtë që kërkon në jehonën e të parëve. Por nuk ishin vetëm burrat. Ata që e njohin malësinë me themel e dinë pozitën e gruas, shpesh tepër të veçantë. Ka patur gra po aq të njohura sa burrat dhe nuk ka qenë vetëm Shotë Galica, apo Nora e Hotit. Një grua e moshuar e fisit Qafaj, Dava e Tom Prenit, çonte postën në Kosovë, një herë në muaj. Ajo i fuste zarfet në çorapet e trasha e të gjata dhe ashtu me to në “kambë” kalonte kufirin, pa u diktuar nga milicia serbe, jugosllave.
Letrat ishin të atdhetarëve, si Bajram Curri e të tjerë, që Dava i shpiente në Prizren, Gjakovë etj. Po të diktohej se kryente atë veprimtari patriotike, Dava e Qafajve do të ndëshkohej rëndë vetë dhe familja e saj. Ishte një postë popullore, pa vula dhe pulla shteti. Për shumë vite ka funksionuar kështu posta në malet tona.
Njerëzit e dëgjuar në këto anë shkonin gojë më gojë, duke u përmendur për trimëritë e mençuritë e tyre e kjo deri në kohë të vona. Teksa je në Fushë-Arrës e Pukë, dëgjon plot emra të tillë, si: Ndrecë Ndue Qafa, Bajram Aga, Myftar Mustafa, Nikollë Curri, Pashk Curri, Mark Dod Alia, Plaku i Qafës së Malit, Zenel Islami, Ali Hasan Furriku, Qamil Morina, Zef Dedë Cara, Zef Prendi, Halil Kopani, Elez Selimi, Kol Mëhilli, Arif Halili, Ndoc Ukshini, Rexhep Uka etj.
Ndërkohë, pos Migjenit, shkrimtarit legjendë, kanë lanë gjurmët e tyre në kohë, por dhe kanë marrë me vete përftimin kulturor pukjan, krijues si: Filip Ndocaj, Mat Doda, Ndue Shyti, Frrok Haxhia, Vito Koçi, Mariana Leka, Françesk Radi, Roland Gjoza, Prend Ukaj, Davë Gjergji, Vitore Rusha, Zojë Pali, Fran Vukaj, Gjon Curri, Sabah Sinani, Ndrecë Mustafa, Ndrekë Gjini; studiues si Jaho Brahaj, Sabrie Nushi, Xhemal Meçi, Josif Papagjoni, Mark Mesuli, Ismet Balaj, Ndue Çuni, Gjovalin Alia etj., shkrimtarët e rinj Mirela Sula, Petrit Nika, Tone Prendi, gazetari Armir Mehaj etj.
Ikona televizive, Tefta Radi, në një intervistë kujton vajtjen për herë të parë në Pukë, me 1976, “një vend që më la shumë përshtypje, bukuria, natyra, ujërat e kaltër në të gjelbër, malet me pyje, një gjelbërim i paparë, por dhe një rrugë e frikshme me lartësira, me gremina”. Askujt nuk i ka shpëtuar blertësia e pazakontë natyrore e drurëve, nga e cila kishte marrë dhe guri dhe uji dhe vetë njeriu.
I arratisuri në Amerikë Pjetër Çup Qafa, i veshur si grua, për t’i shpëtuar ndjekjes!
“…Ne këtu në Shqipni jemi ndjekur për Pjetrin këmba këmbës, për dhjetëra vite, pasi ai ishte bërë shumë i njohur jashtë si antikomunist. Nuk na linin me marrë frymë. Nuk bëhej fjalë për shkollë për ne. Pjetri në vitin 1949, veproi kështu për t’u arratisur, mori vajzën, Lizën, që ishte në shkollë dhe i thotë kryetarit të lokalitetit të Fushë-Arrësit, Ali Hasan Furrikut, se donte ta vizitonte te doktorët, se vajza ishte e sëmurë.
Me atë “sebep”, ka marrë gruan dhe vajzën dhe është drejtuar nga bjeshkët e Pukës, ku në Va Dardhë, kanë kaluar Drinin rreth dyzet vetë që po arratiseshin, me rrëshekë (lëkurë dhie e fryrë si kamerdare), janë hedhur në Jugosllavi, ku i kanë futur në burg.
Pjetri, ka qëndruar fillimisht në një fshat në afërsi të Gjakovës, Kosmet, Podujevë etj. Atje ka lindur Kujtimi dhe dy vëllezërit e tij, Nikolla e Simoni. Ka hyrë dhe ka dalë disa herë këtu, siç është thënë, i veshur dhe si grua, ka kaluar mes përmes Fushë-Arrësit dhe nuk është njohur (!), Pjetri erdhi nga Jugosllavia dhe mori Mark Gjok Carën, kryetarin e lokalitetit të Fushë-Arrësit, në fillim të viteve ’50-të, ndërkohë që mbeti këndej gruaja e këtij, pasi ishte shtatzënë dhe nuk mund të arratisej në atë gjendje.
Prandaj Pjetri u detyrua të vinte sërish, pas pak kohe, tani për të marrë gruan e Markut, me disa të tjerë. Natyrisht që shteti e dinte se ai do të vinte, ndaj e rrethuan me 200 efektivë të Forcave të Ndjekjes shtëpinë e Qafajve, por ai tashmë ishte tepër i stërvitur në këso punësh, që dukeshin si aventura të rrezikshme, si ato që shiheshin nëpër filma. Ia doli që ta merrte gruan e Mark Carës, së bashku me dy burra të kësaj ane që, do të arratiseshin dhe ata, ku të gjithë bashkë kalojnë kufirin. Pjetër Qafa ka jetuar në Detroit deri vonë, kur ka ndërruar jetë”.
Por historia e vonë ka ndryshuar krejtësisht rrjedhë. Fran Qafa është pedagog i fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës. Djali i tij i madh, Mikeli, studion në Universitetin e Nju Jorkut në SHBA-ës. Në vitin 2008, kishte fituar në një konkurs ndërkombëtar në Tiranë bursën për të studiuar në Mostar, në njërin nga kolegjet e Botës së Bashkuar. Shpallur në 6 nxënësit më të mirë të vendit mes 92 konkurrentëve. Ishte ky një standard i ri i njerëzve të kësaj shtëpie. Tani në Amerikë, ata nuk venim më si të arratisur politikë, por si njerëz të një shoqërie të lirë demokratike, që të krijon shanset më të mëdha të arsimimit.
Goditja politike ndaj Qafajve, nisi me “grupin sabotator” të Sharrave!
Në gjysmën e dytë të shekullit XX-të, Fushë-Arrësi u kthye në sinonim i sharrave (përpunim-drurit) dhe minierave të bakrit, qendër e një punëtorie, që është gjallëruar dhe sot. Ky zhvillim solli një tjetër mënyrë jetese për banorët e malësive, qyteteve që u krijuan, duke u integruar në punë e profesione të ndryshme burrat e më pas dhe gratë. Miniera e Munellës, e Lakut të Roshit, e Tuçit dhe e Qafës së Barit, dy të rivënë në punë e dy që presin investitorë për t’u rihapur, janë një pasuri e njerëzve që dikur flinin mbi mademe.
Por ishte dhe ana tjetër e medaljes, lufta e klasave, që kishte ngërthyer dhe këto kreshta që përjetësisht kishin qenë të lira, duke ngjitur një burg politik deri në bjeshkët e Qafës së Barit, siç i degdisnin dikur rusët disidentë në Siberi, mes dimrit të pamëshirshëm të stepave. Persekutimi komunist i Qafajve, me 10 burra të dënuar politikë, si dhe tjerë të arratisur e të përndjekur nga kjo familje, dëshmon se regjimi komunist asnjëherë nuk e uli Shpatën e Demokleut nga dora.
Ata ishin: Preng Pjetër Qafa, Pal Preng Qafa, Dodë Ndrec Qafa, Nikoll Ndue Qafa, Ndue Zef Qafa, Mark Preng Qafa, Viktor Ndue Qafa, Gjokë Dodë Qafa, Pashk Dodë Qafa, Frrok Ndrec Qafa. Njëri nga të dhjetë, Pal Qafa, i martirizuar, tretet nën dhé diku në bjeshkët e Tërbunit, deri në agun e demokracisë.
Me marrë dhjetë dekorata nga një regjim janë tepër, jo më dhjetë palë pranga të diktaturës së proletariatit mbi një derë fisnike. Goditja ndaj Qafajve kishte filluar qysh me procesin e “sabotimit në sharra” në vitin 1949 kur u arrestua një grup “armiqësor” me krye mjeshtrin Rrok Mazreku nga Shkodra, vëllai i priftit të Kryeziut, Dom Nikollë Mazreku, shkrimtar dhe studiues i mirënjohur.
Ai procesi politik pati disa të pushkatuar si sabotatorë dhe agjentë të paqenë të UDB-së së Titos, si Rrok Mazreku, Sotir Rusta, Tomi Llasi dhe të dënuar me burgim politik: Zeqir Selimi e Gjok Qafa. Me atë rast kanë futur në burg dhe Ndue Zef Qafën, me akuzën absurde se “kishte dashur të hidhte në erë stabilimentin e sharrave të Fushë-Arrësit”, çka nuk ishte e vërtetë.
E kanë mbajtur në hetuesi 8 muaj në burgun e Shkodrës, në kushte të rënda dhe janë detyruar ta lirojnë pa gjyq për mungesë provash. Nuk ishin këta që donin të hidhnin në erë sharrat e Pukës, por regjimi që e kishte hedhur ne erë demokracinë me anë të diktaturës së proletariatit!
Thirret dhe Dedë Qafa në zyrat e Sigurimit të Shtetit, si “spiun i amerikanëve”. Me e përmend emrin e Amerikës, shkoje në burg, jo më me qenë agjent i saj. Për regjimin Bolshevik, armik mund të ishte si një punëtor miniere apo bari malesh, si një komunist i 41-it.
Në Fushë-Arrës, pati qenë i internuar dhe Fadil Paçrami, dramaturg dhe drejtues i PPSh-së, që kishte qenë dhe Ministër i Arsimit. Gruaja e tij, ish-drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare, kishte prekur ferrin, duke fshirë rrugët e qytetit me netull. Ata të dy dhe të tjerë tani luanin mbi kurriz dramën e tyre të ‘Diktaturës së Proletariatit’, teksa “ideali partizan” kishte mbetur larg në siluetën e përhime të Qemal Stafës.
Qafajt, mbështetës të Luftës Nacionalçlirimtare dhe strehues të kosovarëve me 1999-ën
Në këtë areal kontradiktash shqiptare, në Fushë-Arrës e Pukë, u mbrujt Dedë Qafa, si mishërim i humanizmit, si profesionist në sektorin elektrik, më pas si misionar i demokracisë dhe i zgjedhur në forumet lokale, drejtues ndërmarrjesh në kohën e ndryshimeve, biznesmen i zoti.
I dekoruar me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, i nderuar dhe me “Mirënjohja” e Komunës së Gjakovës etj., për trajtimin me fjetje e ushqim në hotelin e tij familjar të 700 kosovarëve, gjatë gjenocidit serb të 1999-ës.
Në një fletore të thjeshtë janë shënuar emrat e qindra kosovarëve që kanë ngrënë bukën e tij ato muaj, që mbajnë mbiemrat: Gashi, Zeka, Beqiraj, Shala, Gjonaj, Vila, Mula, Syla, Babi, Kosumi, Telaku, Gjokaj, Kabashi, Ndreca, Kastrati, Sudi, Salihi, Miraka, Pepa, Kacoli, Emini etj. Shtëpia e Qafajve ishte patriote e bujare, herët e vonë.
I ati i Dedës, Nikollë Ndrecë Qafa, me 1944-ën, kishte pritur Brigadën e 22 Sulmuese (partizane) me ushqim e veshmbathje, ku ish-komandanti i saj, Sali Verdha, do të thoshte se: ‘te Nikolla, ai dhe partizanët kishin parë kulmin e patriotizmit shqiptar’.
Të mbetet në mendje një shprehje krejt origjinale e Dedës: “ideali im ka qenë me shkue te origjina”, që rrok filozofinë e çdo familje shqiptare autentike, që i’u devijua dhe deformua rrjedha historike nëpër tra-vlimet politike të shekullit XX-të Qafajt, kishin qenë ushtrues të sipërmarrjes private dhe me këtë kishin rrojtur e ishin fuqizuar deri në mbarimet e Luftës II-të Botërore, për t’u rikthyer aty vetëm pas gjysmë shekulli.
Dhe kur shpronësimi e shtetëzimi prekte një familje sipërmarrëse në male, mendo se ç’kishte ndodhur në këtë rrafsh me familjet e mëdha tregtare shqiptare, të Shkodrës, Elbasanit, Vlorës etj., që do të shformoheshin si pronësi, do të shuheshin si pasuri e do të tjetërsoheshin si traditë.
Ndaj Dedë Qafa e sivllaznit e tij, kishin vërtetë një ëndërr të madhe, që me 90-n, me u kthye sërish te origjina. Me i ndigjue prapë ato kumbonët e Kalivares e Shmisë, nga vinte si jehonë shekujsh zani i të parëve.
Por kronika e shkruar e një dere historike është gjithnjë e paplotë, pasi një shtëpi e madhe ka fytyrën e një shteti në miniaturë, që i ka të gjitha nga pak, apo nga shumë! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016