Nga Gëzim Peshkëpia
Pjesa e gjashtë
Memorie.al / Herë pas here kisha botuar ndonjë shkrim për ngjarje të shkëputura me hezitimin e përhershëm ndaj penave të njohura që e sillnin këtë kohë tragjike nëpërmjet librave të tyre. Edhe përshkrimi pasiv nuk shkon, prandaj m’u desh të bëhem komentator i kësaj periudhe me qëllim paraqitjen jo vetëm të tragjikes, por në përgjithësi të asaj jetësores. Me këto shkimëza rrëfenjash nuk pretendoj të sjell imazhe të gjalla, por një kontribut fare të vogël në memorialin për nder të kujtimit të tyre.
Galip Sojli, ky Sorge shqiptar…!
-Historia e legjendës së viteve ’50-të, ish-partizanit që u bë diversant-informator në Jugosllavi…! –
Mbas darkës solemne shtruar në “Pallatin e Brigadave”, Galipi kishte arsye të ishte çakërr-qejf, mbas disa gotave. Mehmeti e kishte thirrur kur ishte pranë Enverit dhe e kish prezantuar si ambasadorin e ardhshëm në Republikën Demokratike Gjermane. Por …Galip Sojli, legjenda e viteve ‘50-të, për të cilin flitej se ishte një zbulues i aftë, poliglot, një agjent 007, nuk ishte shumë i ekspozuar si i tillë.
Ai njihej si ish-partizan, atlet dhe kampion në vrapimet 800, 3000, 5000 dhe 10.000 metra. Ishte martuar me Myzaferen, një ndihmësmjeke, me të cilën ishte lidhur që gjatë kohës së Luftës, kur ishin të dy partizanë të së njëjtës brigadë.
Galipi njihej si punonjës i SH.N.U.M.-it, mjeshtëria e tij e vërtetë në atë kohë ishte: diversant-informator në Jugosllavi. Të paktë ishin ata që ishin në dijeni mbi veprimtarinë e vërtetë të tij. Bashkë me shokun e tij të Luftës, Marko Laçka, ata kishin kryer shumë aksione.
Tregonte se pas një aksioni të suksesshëm në grabitjen e Bankës së Strugës, në ikje e sipër, kish vrarë një italian që desh ta zinte të gjallë, ndërkohë që ai mbante në xhepin e xhakaventos revolverin, të gatshëm për zjarr.
Si përherë, në këtë aksion prej tre vetash, bënte pjesë dhe shoku i pandarë, “Marko Katili”, apo siç i kishin vënë nofkën që kur ishte partizan, Marko Laçkës. Ata operonin në një zonë të cilën e njihnin shumë mirë, veçanërisht si terren.
Galipi megjithëse kishte lindur në Tiranë, i ati i vet ishte shkolluar në Vjenë, në fushën e ekonomisë dhe kishte ushtruar funksionin e kryetarit të Bashkisë në Strugë, prandaj dhe territori ishte shumë familjar për të. Për Galipin dhe Markon, nuk përbënte problem hyrja dhe dalja në kufi. Ata orientoheshin symbyllazi në gjithë territorin.
Galipi, kur kujtonte momentin e kapjes nga policia jugosllave, grindej me Markon dhe gjithnjë fajin ia hidhnin njëri-tjetrit. Menjëherë pas arrestimit, në birucë e kishte vizituar Dushan Mugosha, të cilin ai e njihte personalisht. Aty filloi dhe “tradhtia” e tij. Më kujtohet fare mirë se, në atë kohë isha në klasën e shtatë, kur ai dha një intervistë të “tmerrshme” në radio.
Naimi, djali i dajës tim, i cili e kishte pasur shok klase në gjimnazin e Tiranës, pasi dëgjoi intervistën, zbriti shkallët nga dhoma ku ishte dhe duke zënë kokën me duar, thërriste: -“Pu-pu-pu çka punue Galip Gazepi…”! Kur ia tregova Galipit këtë, qeshte dhe njëherë më tha: -“Si, si tha Naimi për mua”? – dhe gajasej.
Në vitin 1953 u lirua nga burgu, e më vonë punoi në hotelin “Ballkan” në Beograd. Si njohës i italishtes, gjermanishtes, frëngjishtes e serbishtes, e caktojnë në recepsion. Ndërkohë takon Panajot Plakun, i cili i përmalluar i kërkoi të ri shiheshin sërish.
Në takimin e fundit me të, ai kishte vënë re një sjellje të çuditshme prej tij. Pati përshtypjen se ai donte t’i thoshte diçka, por më në fund nuk i foli gjë. Më vonë, Panajoti e kërkoi përsëri dhe një herë, por Galipi këtë herë nuk e kishte gjetur të gjallë.
Galipi tregonte se i kish mbetur pishman ky moment, nga i cili nuk kishte arritur të kuptonte çfarë kish dashur t’i thoshte Panajoti. Më vonë, megjithëse nuk tregonte hollësi, kuptohej se kishte tentuar të hynte në kontakt me Sigurimin e Shtetit Shqiptar, por i rrezikuar të arrestohej përsëri, arratiset nga një fshat afër Mariborit në Austri.
Atëherë, në atë kohë, kjo zonë ishte në duart e sovjetikëve. Kalon nga Graci në Salzburg, duke kryer punë të ndryshme. Kujtonte duke qeshur se kishte punuar si “Fensterputzer” (pastrues xhamash) në shtëpinë ku kish lindur Mozarti, si edhe në kishën ku i ati i Mozartit, Leopoldi, punonte si “Kapelmeister” (mjeshtër i muzikës dhe korit të kishës).
Nga frika se sovjetikët mund ta kthenin në Shqipëri, i çoroditur, ikën në zonën amerikane, ku i’u nënshtrua një hetuesie intensive i dyshuar tashmë jo si agjent shqiptar, por si agjent sovjetik i KGB-së.
“Nuk ishte gjë makina hetuese e famshme që përdornin amerikanët”, tregonte ai. “Aty më kaluan dhe mua pa asnjë rezultat në grafikët që shënoheshin si pasojë e gjendjes emocionale. Unë tani isha bërë mjeshtri i rrenës, kështu që gjendja ime psikike, nuk linte gjurmë fare kur përgjigjesha shkurt me “po” ose “jo”! – qeshte Galipi, i pre-supozuari “agjent sovjetik” i infiltruar në zonën amerikane në Austri.
I terrorizuar nga seancat e shpeshta të hetuesisë amerikane dhe nën sugjerimin miqësor të një përkthyesi, i cili e paralajmëroi për rrezikun që e priste, ai bëri gabimin fatal, u arratis dhe u kthye në Jugosllavi. Duke patur parasysh rrethanat ku ndodhej alternativa e vetme e tij, ishte Italia, por për fat të keq, intuita e çoi në vendin e gabuar, në Jugosllavi.
Galipi kujtonte momentin kur sapo kishte kaluar kufirin. Ndërsa mendonte se kishte ardhur në tokën që do ta shpëtonte, ishte gjendur i rrethuar nga fshatarë me kosa, drapër e cfurqe, të cilët me këtë trofe të rrallë, bënë gjestin patriotik: dorëzimin në postën kufitare.
– “Pse deshe të arratiseshe”? – e pyeti oficeri në postë i ulur para një makine shkrimi.
– “Unë nuk doja të arratisesha, – iu përgjigj Galipi, – por erdha nga Austria”.
– “Çfarë”? – thirri oficeri duke larguar karrigen nga tavolina, dhe pasi vuri gishtin tek syri i djathtë i tij, e tërhoqi poshtë e vazhdoi: “A ka plaçka këtu?. Kam dymbëdhjetë vjet në këtë punë. Mirë, mirë, fundja unë do të shkruaj çfarë të thuash, vetëm mos mendo se ma hodhe. Ka të tjerë që do të merren me ty”!
Në dymbëdhjetë vjet, oficerit nuk i kishte qëlluar që të arratisej ndonjëri nga Perëndimi në Lindje!
Këtu filloi periudha më e vështirë e jetës së tij aventureske.
Kishte kaluar një dimër të tmerrshëm nën një shkallë të improvizuar si birucë. Ajo kishte shërbyer për një qen “Scheffer” gjerman, ndërsa atë dimër për agjentin Galip, i cili edhe kur ma tregonte ngjarjen, çuditej se si i kishte mbijetuar asaj periudhe!
– “Dy mundësira kisha, – më tregonte Galipi, – o të rrija me kokën të mbështetur në gjunjë, ose për t’u çmpirë, duhet të rrotullohesha e të qëndroja me kokën ulur si falen myslimanët. Gjatë dy muajve të dimrit, netët ishin të gjata e me ngrica.
Kur hapej dera e korridorit frynte thëllimi, nga jashtë më dukej sikur më nguleshin gjilpëra në të gjithë trupin. Ndërsa kur lahej korridori me zorrë uji, ngrija kartonët dhe batanijen mbi kokë, që të mos spërkateshin, sepse nuk thaheshin më kurrë.
Dilja nga ai kafaz me gëzimin se do të çmpija gjymtyrët e do të drejtoja kurrizin, por ky gëzim nuk zgjaste, sepse mbi mua fillonin torturat më perverse që ishin shpikur.
Nën ulërimat e mia dhe gajasjet e tyre me fjalë të ndyra, mbi trupin tim regjistroheshin pafund vulat e cigareve të ndezura. Njeri që më qëllonte me një kamxhik të spërdredhur, i thoshte tjetrit:
– E njeh atë gjermankën nënën e këtij në Tiranë? Eh, ç’kurvë që është! Oh si thërriste kur bënte atë punë. Mallin e saj më nxjerr ky qen bir qeni…!
Sa historira spiunazhi pata krijuar nëpër proces-verbale. – Çfarë z.Sorge, mor ti! Ai ishte një hiç para meje. Përpiqesha të nuhasja sesi e donin ata Sorgen, në shërbim të Sigurimit Shqiptar, të KGB-së sovjetike apo CIA-s amerikane, e pastaj filloja e i lëshoja fre fantazisë duke sajuar seri filmash e volume romanesh. Të rrihnin, të fyenin, të thyenin. Heronjtë që u rezistojnë këtyre torturave, janë vetëm në romane e nëpër filma”.
Mbas dënimit të dytë, atë e lanë të survejuar në një vend të vogël gjysmë të lirë. Aty nuhati se po prisnin ta shkëmbenin me ndonjërin e kështu të rikthehej në Shqipëri. I frikësuar, me ndihmën e një shoku të Luftës, i cili ishte invalid, duke ndjekur këshillat e këtij të fundit, arratiset për në Itali.
Aty, në kamp, shërben si përkthyes dhe me përkrahjen e disa suedezëve që ishin pjesë e Kryqit të Kuq, shkon në Suedi, ku qëndroi për një vit, e më pas kthehet në Shqipëri për të vazhduar vullnetarisht kalvarin.
E shikoja ashtu si cironkë e thatë që thithte cigare pas cigaresh të dredhura trashë e, që ndërpriste fjalën shpesh nga një kollë e keqe që i buçiste nga gjoksi. Të shumtët e përçmonin si “njeri të komandës”, që u kishte dalë dëshmitarë kaq vetëve për t’u ri dënuar.
Pak vetë e shihnin atë si një njeri të thyer. Pak vetë e njohën anën tjetër të medaljes tij, atë tragjiken. Njëherë e pashë shumë nervoz. Mbas një mungese prej afro 2-3 javësh, erdhi i zbehur në fytyrë. Sapo e pashë, i thashë duke qeshur në gjermanisht:
-Eo warst Du denn, ëieder ins Krankenhaus?
-“Të lutem, mos më fol në gjermanisht të thashë, dëgjove”? – më thirri, duke treguar distancë.
Të them të drejtën, u tremba dhe e mora si kërcënim. Nuk i fola fare nja dhjetë ditë, duke u shtirur si i fyer. Ne flisnim përherë kur ishim vetëm të dy në gjermanisht. Unë praktikoja gjuhën për të mos e harruar.
Kisha mësuar prej tij dhe disa këngë. Në grupin artistik, kishim një fizarmonikë së cilës ai i binte lehtë dhe këndonte një këngë mallëngjyese, kur ishim larg të tjerëve. E kishte kënduar shpesh në mërgim, sepse i kujtonte Shqipërinë.
“Wo die Zipressen blühn
Am blauen Meer
Dort ist die Ëelt so schőn
So ëunderschőn
Drauβen in der Lauben
Trinken ëir dann Ëino
Und bei jedem kuβ
Sagst du mir leise: o bambino”.
“Ku lulëzojnë qeparisat,
Buzë detit blu.
Atje bota është kaq e bukur,
Kaq e mrekullueshme.
Jashtë nën pjergull,
Pimë një gotë verë
Dhe pas çdo puthjeje
Ti më thua lehtë: o bambino”!
Paralajmërimi për të mos folur më gjermanisht, nuk zgjati shumë. Një ditë, Galipi m’u afrua dhe më tha: – “Dëgjo: mos më mbaj inat që të thashë ashtu. A e di ti se herën e fundit isha dëshmitar për Beqir Xhepën? E pra unë e kisha shok që në kohën e Luftës. Më detyruan t’i dal dëshmitar, por megjithëse thashë të drejtën e nuk shpifa… më detyruan a e kupton? Mua më kanë thyer, nuk mund të qëndroj më. Unë jam i deklaruar si njeri i komandës.
E pra, çfarë kërkon një njeri si Spartaku fjala vjen, që vjen e flet për gjëra të dënueshme me mua? Të më provokojë nëse do ta raportoj apo jo? Jo or zotëri, unë lashë gjithë të mirat për t’u kthyer me çdo kusht pranë nënës, gruas e fëmijëve. Kam vënë kokën në rrezik se, nuk kisha asnjë siguri apo garanci për jetën kur hipa në avionin për Tiranë. Kjo që po të them, më beso se është në të mirën tënde”.
Galipi shfaqej shpesh sentimental. Për të ëmën fliste me delikatesë të veçantë. Tregonte sesi ajo atij dhe së motrës i kishte ushqyer dashurinë për lulet. Pa u mërzitur, ajo u fliste një orë të tërë për lulen, për petalet që e rrethonin, si çelte ajo nga gonxhja, e kështu me radhë.
Kur kishte shtatë dhjet e pesë vjetorin e ditëlindjes, ajo erdhi në takim të zgjatur dhe e festoi me të birin. Ndërsa Galipi, na tregonte duke qeshur, se si ai kishte vallëzuar vals me të, duke kënduar në dialektin vjenez:
“Mein Mutter ist e Vjenerin
Weil hob’ich Win so gern…”!
Një ditë diskutoi me tone të larta me një të ri dhe vunë bast për një garë vrapimi. Në atë moshë, ai na befasoi kur plot stil dhe elegance, vrapoi me shpejtësi duke fituar bindshëm, megjithëse kishte një diferencë mbi njëzet vjet me rivalin.
Eshtak, por me muskuj-fibër, ai vraponte si një i ri. Galipi kishte talent si aktor. Më 1954-ën, pasi u lirua nga burgu, mori pjesë në grupin teatral të Shkupit. Aty kishte njohur dhe Nexhmije Pagarushën, jo si këngëtare, por si aktore. Edhe në burg u ngrit një grup artistik.
Të gjithëve u mbeti në mend shfaqja që dhanë për 28-29 Nëntorin, veçanërisht për dy momente. Momenti i parë ishte kur çamët u mallëngjyen, ndërsa u kërcye vallja e Osman Takës. Ndërsa momenti tjetër, kur Galipi doli në skenë, në rolin e Jezu Krishtit, njësoj si në pikturat ku ai tregohet i kryqëzuar.
Ilaritet në sallë. Trupi i tij i dobësuar e lakuriq, them se do të ishte figura më e përkryer e Krishtit të kryqëzuar e parë nga njëmijë vetë, që mbushnin sallën e mensës. Ky interpretim pati dhe pasojën e tij nga e cila vinin buzën në gaz shumë vetë: Galipi u ftoh dhe ndenji shtrirë me temperaturë disa ditë. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016