Nga Lazër Radi
Pjesa e parë
Memorie.al / Lazër Radi u lind në Prizren më më 29 janar të vitit 1916, në një familje me origjinë të hershme nga Mirdita. Shkollën fillore dhe tre vite të shkollës së mesme, i ndoqi në qytetin e lindjes në vitet 1922-1929. Në fillimin e viteve ’30-të, familja Radi shpërngulet nga Kosova dhe vjen e vendoset fillimisht në Tiranë e më pas në Durrës. Në vitin 1930, Lazri nis mësimet në gjimnazin e Tiranës dhe në vitin 1931, iu akordua një bursë shtetërore nga ministri i Arsimit, Hilë Mosi, për në gjimnazin e Shkodrës, në konviktin “Malet Tona. Verën e vitit 1936, e kalon në shkollën verore të Pukës, ku jepte mësim e motra dhe aty Lazri u njoh me poetin e njohur, Migjenin. Në 1938-ën, nis studimet për Drejtësi në Universitetin “La Sapienza” në Romë dhe më 1942-in, diplomohet me rezultate të larta në Filozofinë e së Drejtës. Pas diplomimit, u ftua si asistent profesor në katedrën e prof. Vito Cesarini Sforza, por, vendos të kthehet në atdhe më 1942-in, dhe nis stazhin e avokatisë pranë studios së avokat Golgotës në Durrës. Gjatë periudhës 1942-‘44, punon si sekretar pranë zyrës së Strehimit për të huajt. Kontribuon për më shumë se një vit në gazetën “Bashkimi i Kombit” me pseudonimin “Ushtima e Sharrit”. Më 1944, merr liçencën e avokatit dhe nis ta ushtrojë profesionin, deri më 23 nëntor 1944, kur u arrestua nga forcat partizane të Enver Hoxhës. Pas disa muaj hetuesie në burgun e Tiranës, u gjykua në 13 prill të 1945, në ‘Gjyqin Special’, ku u dënua me 30 vjet burg, i akuzuar për përfshirjen e tij në politikë, përmes të publicistikës. Vuan dënimin në vitet 1944-1954, në kampe dhe burgjeve të ndryshme, (ku ndau qelinë edhe me Mirash Ivanajn, Petro Markon, Jusuf Vrionin, etj.), ku pjesën më të madhe të kohës e kaloi me përkthime. Më 1952-in, iu arrestua edhe e shoqja, (mbas ngjarjes së bombës tek ambasada sovjetike), e cila fillimisht u dënua me dhjetë vite burg dhe punë të detyruar, por më pas i ulet në pesë vjet mbasi rezulton me TBC. Më 1954, lirohet nga burgu, dhe pa mbushur dy javë, internohet fillimisht në Savër të Lushnjes e më pas në Shtyllas e Radostine të Fierit, pastaj në kampin e Kuçit të Kurveleshit, ku qëndroi deri më 1958-ën. Në vitet 1958-1960 vazhdon i internuar në kampet e Gradishtës dhe Çermës dhe në vitet 1960-1990, për më se 30 vjet me radhë, jeton familjarisht në kampin e Savrës, ku punoi si mekanik, murator, marangoz, hekurkthyes e disenjator, me piktorin e kampeve Lek Pervizin. Me 1974 e kalojnë në bujqësi si punëtor krahu, deri kur del në pension pleqërie më 8 tetor 1976. Më 1982-in, demaskohet publikisht si “Armik i popullit” dhe i pakënaqur nga regjimi komunist, rrezikohet të burgosej sërish. Në vitin 1990, kthehet në Tiranë dhe aktivizohet sa në politikë, aq dhe me shkrime të ndryshme në shtypin e kohës, e duke shkruar libra. Më 1998 pas mërgimit të fëmijëve, vdekjes së gruas më 21 mars 1997 dhe rëndimit të shëndetit, ndërroi jetë në Tiranë mëngjesin e 22 shtatorit. Më 23 shtator, Shoqata e ish-të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë, i organizoi një varrim madhështor. Me ngjarjet e 1997-ës, librat që kishte botuar gjatë kësaj periudhe, ia nis mikut të tij në Bruksel, Lek Pervizi, me porosinë që “t’ia ruajë sepse në Shqipëri po rivendosej serish komunizmi…”! Prej vitit 2018, nisi botimi i kolonës “Vepra e Plotë e Lazër Radit”, nën kujdesin e të birit, Jozef Radit, e cila përfshin 15 vepra të tija si autor dhe 9 vepra të përkthyera, e cila përfundoi në vitin 2021 dhe u promovua ne Panairin e Librit 2021. Shkrimi që kemi përzgjedhur për botim këtu, është marrë nga kujtimet e tij për periudhën e vuajtjes në kampe dhe burgje, si dhe ato që i kanë treguar bashkëvuajtësit e tij.
– VITET E FUNDIT TË MIRASH IVANAJT –
Ditët e fillimit në burg (tregon Ibrahim Hasnai)
Në ditët e fundit të dhjetorit të vitit 1947, pasi u izoluam për dhjetë muaj nën rrebeshin e torturave çnjerëzore të hetuesisë nga Sigurimi i Shtetit komunist, na nxorën në gjyqin e lartë ushtarak. Ishim një grup të burgosurish prej tetëmbëdhjetë të pandehurish. Flet-akuza që na u dha, ishte e njëjtë për të gjithë: “Kanë tentuar të krijojnë Komitete dhe nën-komitete për rikrijimin e ‘Ballit Kombëtar”.
Në këtë gjyq u dënuan me vdekje njëmbëdhjetë vetë nga të cilët u pushkatuan shtatë, kurse katër të tjerët pas pak ditësh në burgim të përjetshëm. Fatkeqët që patën rrezikun të pushkatohen ndër ditët e para të janarit 1948 (7-8 janar) ishin: Islam Radovicka, Ilmi Hysi, Uan Filipi, Riza Dani, Syrja Selfo, Hasan Reçi dhe Faik Shehu (Ky gjyq, në historikun e dhimbshëm të gjyqeve fallco që kurdisi Sigurimi komunist, është quajtur “Gjyqi i të dënuarve politikë, me në krye Islam Radovickën”).
Kur isha i izoluar m’u dha fati i dhimbshëm që të dergjem për afro tre muaj në një qeli të paharrueshme me shokun tim të rinisë, intelektualin tiranas, Xhemal Farkën, i cili më kishte folur shumë rreth figurës së madhe të Mirash Ivanajt, bile, më kishte treguar me hollësi për takimin e fundit që kishte pasë tek “Muri i Vajtimit” në Jeruzalem. Megjithëse unë kisha një farë dijenie mbi këtë figurë të madhe të shoqërisë shqiptare, por Xhemali, me tregimet e tia, më bëri të dëgjoj me një dashuri dhe vlerësim të pakufi për kollosin Mirash Ivanaj.
Kur më sollën në burgun e vjetër të Tiranës, gjeta si berber për të rruar e për të qethur të burgosurit, të riun Sul Dizdari. Ishte një gjë e pamundur të përballonte Sula për të rruar morinë e pafund të njerëzve që dergjeshin në burgun e Tiranës, dhe me që më njihte dhe e dinte mirë se unë kisha njohuri të mjafta për këtë profesion, i bëri një kërkesë drejtorisë së burgut që, të më merrte si ndihmësin e tij. Pas disa ditësh ia morën parasysh kërkesën dhe unë nisa të merrem si berber për t’u shërbyer të burgosurve.
Mezi prisja që të më paraqitej rasti për t’i shërbyer Mirash Ivanajt. Një ditë prej ditësh ky rast më erdhi. Posa nisa t’i shërbej i drejtohem me zë të ulët:
– Zotni Ivanaj, kam qëndruar për gati tre muaj në një qeli me të ndjerin Xhemal Farka, i cili më ka folur shumë për juve…!
Në moment më ndaloi dorën, duke më lëshuar një vështrim studiues dhe më pyeti:
– Po, hë, ç’të tha?
-Më tha se ishit takuar për herë të fundit në Jeruzalem tek “Muri i Vajtimit”, ku Xhemali kishte qenë i shoqëruar nga një djalë çifut prej Jeruzalemi me të cilin ishte bashkë student, në Universitetin Amerikan të Bejrutit…!
– Tamam, ashtu është! – përgjegji me zërin e tij të ulët.
Kaluan ditët dhe miqësia e jonë sa vinte e shtohej e për më tepër kur e vura në dijeni se më pëlqente letërsia e në mënyrë të veçantë poezia.
– Disa poezi të mija do të kini mirësinë për të m’i shikuar dhe kontrolluar.
Për të mos ma prishur qejfin ma pranoi këtë dëshirë, po e kuptove se në fillim më mori si për ndonjë diletant, bejtexhi, që vuajnë nga mania për t’u bërë poet…!
Një ditë ia dhashë për t’i lexuar poezitë e mia, ishin tre që i kisha shkruar në burgun e Tiranës, në muajin mars të vitit 1948, të titulluara “Akuzohem”, “In dubio prorero habetur” dhe “Det ofshamësh”. Kur m’i ktheu më buzëqeshi ëmbëlsisht dhe duke më inkurajuar më tha me javësh:
– Të lumtë!
Pas pak javësh u ndamë prej njeri tjetrit sepse mua, së bashku me shumë bashkëvuajtës të tjerë, na degdisën në kampin e kënetës së Maliqit (Orman-Pojan).
Në dimrin e vitit 1949, nga kthyen përsëri në burgun e Tiranës. Me këtë rast pata fatin e mirë që të shihem e të takoj rishtas Mirash Ivanajn, ku, pa humbur kohë i dhashë për t’mi shikuar një tufëz poezish në shkruara në kampin e punës që titulloheshin: “Botë poeti”, “Loti im”, “Kafazi”, “Një rrezes së diellit”, “Predestinatë”, “Unë dhe ndjesitë e mija”- duke e lutur me këmbëngulje që të më shkruante ndonjë rresht me dorën e tij…!
-Mirë! Nuk po ta prish qejfin!
Pasi i lexoi më shkroi disa rreshta.
Mora letrën me vërejtjet dhe këshillat plot vlerë që më jepte; pastaj nuk u pamë më me njeri-tjetrin sepse mua, nga ky moment, më dërguan në kampin e Lizhavecit (këneta e Maliqit).
Në vitin 1961, mbasi u lirova nga burgu, më dërguan në fshatin Radostinë të Fierit. Gjatë kohës së internimit mësova lajmin e hidhur të vdekjes së Mirash Ivanajt. Bile, në kamp mësova se të vdekur e kishin lënë në morg për pak ditë. Pastaj, në vend që t’i bëhej qoftë edhe një ceremoni e thjeshtë varrimi- siç e meritonte me plotë të drejtë – përfundoi në tavolinën e eksperimentimit anatomik për studentët e Mjekësisë. U mjerova për së tepërmi për këtë figurë të lartë të shoqërisë shqiptare, për këtë përfundim kaq tragjik.
Vdekja e Profesor Mirash Ivanajt në spitalin e burgut
…E nisa Mirashin për në spital! Pas disa ditësh na erdhi lajmi se Profesori vdiq! Nuk dijshmi asgjë. Si Vajti? Si u mjekua? A vuajti shumë? A pati njeri afër në çastin e vdekjes? Kush të na përgjigjej? Cilin të pyesnim?
Doemos këtë ngjarje kaq të dhimbshme e kaq tragjike, me kaq, do ta konsideronim kapitull të mbyllur. Kjo për ne ishte një vdekje e zakonshme në burg, e mbuluar nga të gjitha heshtjet që garantonte Sigurimi.
Më vonë, në vitet e internimit, vendosa t’i shkruaj kujtimet që pata me Profesor Mirashin gjatë viteve të burgut, ku fati e deshi të ishim bashkë e afër si në punë ashtu edhe në fjetje. Natyrisht, përshkrimi do të mbyllej me çastin kur e hipa në ambulancë dhe e nisa për në spital… ndërsa unë u ktheva në repart për të vazhduar punën.
Një ditë të vitit 1991, në gazetën ‘Rilindja Demokratike’ të datës 28 gusht 1991, në faqen 3, lexova një poezi me titull: “Lamtumirë jetë, lamtumirë botë”- dhënë që në burg Agron Çarçanit edhe ky i burgosur politik, në atë kohë shtruar në spitalin-burg për një operacion apandisiti.
Me çdo kusht duhej ta gjeja këtë njeri dhe ta pyesja për çastet e fundit të jetës së Profesorit. Me shumë vështirësi, më në fund e gjeta. Që në bisedën e parë pata përshtypjen se ishte njeri i mirë, i sinqertë e sidomos i thjeshtë. Nga pikëpamja kulturore nuk kishte ndonjë përgatitje…! Kjo anë sikur më bënte të besoja në realitetin e tregimit të tij, në sinqeritetin dhe në vërtetësinë e rrëfimit.
Duke mos patur përgatitje kulturore, në tregim, kufizohej vetëm me paraqitjen e thjeshtë të asaj që kishte parë me sytë e tija, pa asnjë objeksion apo reflektim. Pra, me një tregim krejt naiv do të mund të asistojmë në vuajtjet e Profesorit në çastet e vdekjes.
Tregon Agron Çarçani…
Ishte vjeshtë e parë e vitit 1953. Ndodhesha i shtruar në spitalin e burgut të Tiranës. Kisha plotë 10 ditë që isha shtruar dhe 8 ditë që isha operuar nga apandesiti. Atë ditë, në mëngjes, m’i hoqën penjtë. Ndjehesha mjaft mirë dhe kisha mundësi të lëvizja nëpër dhomë. Jo vetëm lëvizja bukur si lirisht por, isha në gjendje t’u jepja pak ndihmë edhe dy shokëve të tjerë, që ishin shtruar me mua e që ishin më të moshuar e më të sëmurë se unë.
U afrua dreka!
Orë nuk kishim asnjeri prej nesh por, mëngjesin, drekën e darkën e merrnim vesh nga një karrocë dore që sillte sanitarja në korridor ku, në një tavolinë shpërndante gjellën ndër pjata dhe mbasi i plotësonte të gjitha racionet, i hapte dyert dhe fillonte të na servirte.
Dhoma jonë kishte 4 shtretër. Njëri prej tyre rrinte përherë bosh i gatshëm për të pritur ndonjë urgjencë që mund të na vinte nga burgu. Në atë dhomë ishin të shtruar edhe dy të burgosur të tjerë. Njëri quhej Ndue Gëziqi dhe ishte nga Mirdita, e tjetri shumë i vjetër dhe vuante nga prostati. Me që nuk pranoi të bënte operacionin, të nesërmen do ta nxirrnin nga spitali.
Pas dreke isha ngritur dhe isha ulë anës së shtratit të Ndoit dhe po merreshim me “thashetheme”, siç merren zakonisht të burgosurit…!
Papritmas hapet dera dhe jepet Komandanti i burgut dhe infermier Njaziu. Njaziu mbante në dorë dy çarçafë të larë dhe një këllëf jastëku. Komandanti, që më pa duke u vërtitur nëpër dhomë, më urdhëroi të rregulloja krevatin bosh, mbasi kishin njoftuar se do të shtrohej një i burgosur. Pa e përfunduar mirë rregullimin e krevatit kur veç ia behi pacienti. Ishte kollos nga trupi por tepër i dobët!
E mbanin dy infermierë për krahu. E njoha! O Zot sa ishte dobësuar! Ishte Profesor Mirash Ivanaj. Sa i sëmurë që ishte! Nuk qëndronte dot në këmbët e veta. I mbështetur tek infermierët, po ecte me këmbë të përkulura sikur i ishin thyer. Iu afrova dhe e thirra me emër. S’reagoi fare. Asnjë përgjigje. Sikur zëri i im nuk kishte arritur deri tek veshët e tij. Kokën e mbante varur. Profesori ishte i sëmurë, ishte tepër rëndë…!
Me ndihmën e infermierëve e shtrimë në krevat. Me gjithë atë strapacë që pësoi aty me ne, asnjë rënkim nuk doli nga goja e tij. Edhe ai udhëtim i shkurtër nga ‘Burgu i Ri’ e deri në spital, e kishin rënduar dhe ia kishin shtuar dhimbjet. E pashë se kishte nevojë për qetësi e për vetmi. Nuk donte që t’i fliste askurrkush. Kishte nevojë ta merrte pak veten!
U shtriva edhe unë në krevatin tim po mendohesha e po më vinte keq për Profesorin. Nga fytyra dhe nga qëndrimi i tij dukej qartë se fare pak shpresa kishte për të mbetur gjallë. Sa po vërtitesha nëpër këto mendime të zymta e të turbullta kur, përsëri u hap dera e dhomës dhe u futën brenda tre vetë: ishte komandanti dhe dy oficerë të tjerë, njëri nga të cilët ishte veshur civil, mbrapa tyre, duke nxituar, erdhën edhe dy mjekë, që po i shihja për të parën herë.
Që të gjithë u grumbulluan rreth krevatit të Profesorit dhe, për çdo komplikacion duhej të lajmëroja rojën e brendshme. Nga bisedat që zhvilluan me zë të ulët oficerët dhe mjekët, vura re se ishin porositur të tregonin kujdes të veçantë për shërimin e tij sa më parë…! Njeri nga oficerët quhej Manol. Ky shumë i preokupuar, thoshte se “duhej bërë çmos për ta shëruar: kemi shumë nevojë për të”.
Përsëri u hap dera dhe hyri infermieri, Njaziu, me një gjilpërë injeksioni në dorë me dozë të madhe dhe i afrohet krevatit të profesorit. E pyeta infermierin në se kishte nevojë për mua. Më tha: “Afrohu dhe sill jastëkun me vete, se do t’ia mbështesim krahun”.
Injektimi vajti mirë. Profesori nuk u përmend fare. Edhe nji gjilpërë tjetër do t’i bëhej më vonë. Profesori kishte nevojë për ushqim. Përsa i përket ushqimit, infermieri më tha se do t’i sillnin vetëm kos dhe lëng kompostoje. Unë duhej t’ia mëkoja me kujdes me një lugë. Diçka kishte të ngatërruar në stomak ose ndër zorrë. Mendohej t’i bëheshin të gjitha analizat komplet.
Në fakt Profesori asgjë nuk fuste në gojë: as të thata e as të lëngëta. Kishte një neveri sikur nuk mund të shikonte me sy asnjë lloj ushqimi.
– Lerë të pushojë, – më tha Ndou!
– Ndue, Profesor Ivanaj, është tepër rëndë! Kam frikë se kjo komë kështu e zgjatur do ta rrezikojë.
– Kam frikë se po: edhe çehren e ka prej të vdekuri…!
Kjo më mërziti edhe më shumë! Gjithë natën nuk më zuri gjumi. Vazhdimisht e përgjova. Kisha shpresë se mos do të vinte në vete dhe do ta thoshte nji fjalë. Aty, në të zbardhur të dritës, me disa gjeste nervoze, më bëri disa shenja. Nga sa kuptova kishte nevojë për të dalë në banjo.
Unë dhe Ndou u gëzuam sepse lëvizi dhe lëshoi diçka si zë nga goja. Ai nuk ishte në gjendje të lëvizte dhe të shkonte në këmbë deri në banjo. Ne ia sollëm oturakun dhe u përpoqëm ta kthenim pak anash.
Ishte e pamundur t’i mbushej mendja! Medoemos kërkonte të shkonte në banjo. Na menduem se mund të kishte nevojën e madhe dhe i vinte zor ta bënte aty ndër sytë tonë! E ngritëm nga krevati dhe e vumë në këmbë: këmbët nuk e mbajshin. Ishte më mirë ta kapja hopa dhe ta çoja në krah në WC. Ai nuk peshonte as 30 kilogram.
As ashtu nuk pranoi! Kokë malësori! Atëhere e kapëm për krahësh dhe javash javash e çuem deri në banjo. Rrugës, me zë të mekur na tha:
– Eh! Për mua s’ka më jetë! Gjithçka ka marrë fund!
U përpoqëm ta trinojmë, t’i japim zemër, ta bindim se nuk duhej ta humbiste shpresën. Nisa t’i tregoj se i dëgjova me veshët e mi oficerët dhe doktorët që po flisnin ndërmjet vedit dhe po thoshin:
– Duhet të shërohet patjetër. Është shumë i nevojshëm…
Atëhere profesorit sikur i erdhi goja dhe duke u çuditur jashtëzakonisht na pëshpëriti:
Megjithëse në kllapi e dëgjova bisedën e tyre. Kanë fol kot. Jetën e njeriut askush s’e ka në dorë, veçse i madhi Zot…!
…Infermieri na porositi ta bënim gati se do ta merrnin me barelë për t’i kontrolluar stomakun dhe zemrën.
Sa e nisëm unë e Ndou mbetëm vetëm. Ky më tha:
– E shikove se si flet? I është trashur gjuha, Tek ne thonë se shenja e parë që jep vdekja është trashja e gjuhës. Pastaj, po çuditem pse po e torturojnë kështu. Ai ka arrijtë n’atë gjendje sa nuk duron as mjekime të thjeshta e jo më operacione. Ai duhet të ketë diçka në zorrë, sepse gabimisht e preka pak nga stomaku dhe reagoi me gjëmim të fortë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016