Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon dëshmitë e rralla të Divin Xhevit Abazit me origjinë nga Tërbaçi i Vlorës, për historinë e panjohur të fillimit të shkollës së Aviacionit Luftarak Shqiptar në fundin e viteve ’50-të ku gjatë stërvitjeve me kursantët e kursit të vitit të dytë të asaj shkolle, u shkaktuan tre incidente me avionët “Mig-15”, të cilët u rrëzuan në: bregdetin e Semanit ku humbi jetën kursanti Jovan Kacorri nga Boboshtica e Korçës, në fushën e Laprakës afër Fabrikës së Shkrepseve ku shpëtuan gjallë dhe pa dëmtime dy kursanët, Niko Qëndro dhe Agim Spahiu me avionin “Jak-18”, si dhe avioni “Mig-15” që e drejtonte Petraq Qafëzezi me origjinë nga Kolonja, i cili u rrëzua në Kuçovë duke u bërë copa-copa, por ku fatmirësisht kurasanti pilot shpëtoi i gjallë duke u hedhur me katapultë…?!
Z.Divin, si e kujtoni fillimin e shkollës së parë të aviacionit shqiptar?
Fillimisht desha të shpjegoj se kursi ku kam bërë pjesë edhe unë, ka qenë kursi i dytë i Shkollës së Aviacionit, pasi kursi i parë që ishte hapur, i cili shënonte dhe fillimin e shkollës së Aviacionit Luftarak Shqiptar, kishte filluar që një vit më parë, pra në shtatorin e vitit 1957. Por ata, pasi kishin bërë praktikën për një vit me avionët me helikë, ishin nisur për në Bashkimin Sovjetik për të vazhduar më tej praktikën me avionët Jak-18, që gjithashtu ishin avionë mësimorë po me helikë. Si kursi i parë, ashtu dhe kursi i dytë që u hap në shtatorin e vitit 1958, ku siç thashë bëja pjesë dhe unë, u zhvilluan në aerodromin ushtarak të Laprakës. Ato kurse u zhvilluan aty, pasi në atë vend ndodhej edhe regjimenti e Aviacionit Luftarak me komandant major Peço Polenën, i cili ishte drejtues i zoti dhe një burrë shumë i mirë.
Prej sa kursantësh përbëhej grupi juaj dhe çfarë shkollash kishin mbaruar ata para se të vinin aty?
Grupi ynë përbëhej prej 23 kursantësh dhe një pjesë jona vinte nga jeta civile (shkollat e mesme të përgjithshme, ku bëja pjesë dhe unë), kurse pjesa tjetër nga shkolla e Mesme Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë.
Çfarë përgatitjesh bënit në atë kohë, në atë shkollë?
Nga shtatori e deri në fund të dhjetorit, për afro katër muaj ne iu nënshtruam përgatitjes teorike, e cila zhvillohej nga instruktorët përkatës të Regjimentit të Aviacionit që komandohej nga major Areteo Konomi dhe nën kujdesin e patronazhin direkt të Komandantit të Përgjithshëm të Aviacionit Luftarak, kolonel Edip Ohrit.
Kur filluat të fluturonit?
Menjëherë pas mbarimit të kursit teorik në dhjetorin e vitit 1958, disa ditë më pas, pra në fillimin e janarit të vitit 1959, ne filluam praktikën fluturuese, të cilën e zhvillonim aty te fusha e aviacionit në Laprakë.
A patët probleme gjatë zhvillimit të praktikës fluturuese?
Praktika fluturuese nisi mjaft mirë, por pas një jave ne patëm dhe incidentin e parë me një nga kolegët tanë, Niko Qëndron, të cilit iu përmbys avioni teksa ai ishte duke u ngritur në pistën e Laprakës, së bashku me Agim Spahiun, njërin nga instruktorët që ishte caktuar për përgatitjen e grupit tonë.
A mund të na e përshkruani më konkretisht atë incident?
Kursanti i grupit tonë, Niko Qëndro, së bashku me instruktorin, Agim Spahiun, po ngriheshin për fluturim me avionin Jak-18 A dhe aty në mbarimin e pistës, kur avioni i tyre u ngrit në një lartësi rreth 100 m, si rezultat i temperaturës së madhe u fik motori. Pas kësaj avioni e humbi kontrollin dhe, si rezultat, përplasi njërin nga krahët e tij me një plep që ndodhej fare pranë Fabrikës së Shkrepseve. Pas asaj përplasjeje, avioni ra përmbys në tokë duke u shkatërruar tërësisht. E gjithë ajo skenë rrëqethëse ndodhi jo më shumë se rreth 300 m larg nesh dhe, ashtu siç ishim, ne vrapuam të gjithë për tek avioni i rrëzuar ku gjendeshin dhe dy shokët tanë.
Po pilotët…?
Kur shkuam atje me një frymë, pamë avionin të shkatërruar krejtësisht, por fatmirësisht kursanti Niko Qëndro me instruktorin Agim Spahiu ishin të gjallë dhe pa asnjë dëmtim serioz. Na dukej e pabesueshme, pasi ne i mendonim ata të vdekur. Edhe sot, kur kanë kaluar kaq vite nga ajo ngjarje, në të gjithë historinë e Aviacionit Shqiptar ajo ka mbetur si rast i veçantë dhe nuk di të jetë përsëritur ndonjëherë që avioni të rrëzohet nga një lartësi e tillë dhe dy aviatorët të shpëtonin të gjallë pa asnjë dëmtim.
A patën faj dy pilotët në rrëzimin e avionit?
Ai difekt që u ndodhi atyre, mund t’i ndodhte kujtdo dhe nuk mund të fajësoheshin dy pilotët. Por desha të them se instruktori Agim Spahiu ishte një nga pilotët e talentuar të aviacionit shqiptar dhe më vjen keq që vite më vonë atë e larguan nga aviacioni për arsye biografie, pasi ai ishte nipi i gjeneral Hulusi Spahiut.
Çfarë ndodhi pas asaj ngjarjeje?
Pas asaj ngjarjeje, Shkolla e Aviacionit u transferua për në Kuçovë, pasi fusha e Laprakës, ku vazhdonim ne stërvitjet, ishte një qendër e banuar dhe paraqiste mjaft rrezikshmëri po të vazhdonim më tej fluturimet në atë zonë. Në Kuçovë ne ishim nën kujdesin e komandantit të regjimentit të aviacionit që ndodhej i instaluar aty, kolonel Niko Hoxhës, dhe dy kolonelëve të tjerë, Edip Ohrit e Babaçe Faikut, të cilët kishin themeluar Aviacionin Shqiptar. Aty në Kuçovë ne vazhduam për gati një vit kursin e fluturimeve me avionë Jak-18 A dhe cili merrte notën maksimale (pesë), fitonte të drejtën për t’u stërvitur me avionët Mig-15. Kështu, nga i gjithë grupi ynë të drejtën për t’u stërvitur me ata avionë e fituan 15 veta. Pas kësaj, ne u nisëm për në aerodromin fushor të Pish-Porosë në Vlorë, ku shumë shpejt vazhduam fluturimet me avionët Mig-15. Aty ne u ndamë në katër grupe kursantësh, në njërin prej të cilëve ishte përsëri instruktori i talentuar, Agim Spahiu.
Po në Vlorë, a patët incidente gjatë fluturimeve?
Edhe aty, në aerodromin e Pish-Porosë, nuk na u ndanë incidentet. Por, ndryshe nga incidenti i parë në fushën e Laprakës, ku fatmirësisht instruktori dhe kursanti shpëtuan të gjallë, në Vlorë na humbi jetën njëri nga shokët tanë më të mirë dhe më të talentuar. Ai ishte Jovan Kacorri nga Boboshtica e Korçës. Ndonëse nuk kishte bërë shkollë ushtarake dhe vinte nga jeta civile, Jovani ishte një nga kursantët më të talentuar, pasi kishte filluar ushtrimet e pilotazhit nga më të vështirat.
Pas asaj ngjarjeje, a vazhduat përsëri fluturimet?
Pas asaj që ndodhi, ne shkuam në qytetin e Kuçovës, ku u zhvillua ceremonia e varrimit të Jovan Kacorrit, dhe u kthyem përsëri në Vlorë për të vazhduar stërvitjen. Kur nuk kishin kaluar më shumë se tetë ditë nga ngjarja me Jovanin, neve na ndodhi përsëri një incident tjetër me kolegun tonë Petraq Qafëzezi (nga Korça), i cili u hodh me katapultë, pas rënies në një pozicion të vështirë të avionit të tij. Edhe Petraqi, ashtu si Jovan Kacorri, po fluturonte me avion Mig-15 në zonën e Semanit dhe ai u hodh me katapultë diku afër Levanit. Ndërsa avioni që fluturonte Petraqi, u bë copë-copë, vetë ai shpëtoi pa ndonjë dëmtim serioz. Në atë kohë që ndodhi incidenti me Petraqin, unë ndodhesha në ajër në fluturim dhe nga kulla e komandimit më urdhëruan që të ulesha pa e mbaruar stërvitjen e plotë. Unë dyshova se diçka kishte ngjarë, por nuk më treguan se ishte rrëzuar Petraqi, për të mos hapur panik. Të vërtetën e asaj që kishte ngjarë me Petraqin, unë e mësova kur u ula në tokë.
Pas atij incidenti, që ishte dhe i treti për kursin tuaj, pra me rrëzimin e tre avionëve, a ndiheshit të frikësuar dhe a e vazhduat më tej stërvitjen?
Pas asaj ngjarjeje, u bënë dhe analizat përkatëse nga ana e drejtuesve të shkollës, duke u nxjerrë dhe përgjegjësitë për gjithsecilin. Por, në mënyrë absolute asnjë nga ne, kursantët, nuk ndihej i frikësuar dhe të gjithë ishim gati të fluturonim. Por ajo që na pezmatoi më shumë, ishte urdhri i dhënë nga ministri i Mbrojtjes, gjeneral-leitnant Beqir Balluku, i cili kishte urdhëruar për mbylljen e shkollës sonë.
Çfarë bëtë pas atij urdhri të dhënë nga ministri i Mbrojtjes?
U mërzitëm shumë, por pas shumë bisedimesh ramë dakord që të zgjidhnim një përfaqësi për të shkuar në Tiranë e për të biseduar me ministrin Beqir Balluku në lidhje me urdhrin që ai kishte dhënë. Ne donim të bisedonim me të, në mënyrë që të na jepej mundësia të vazhdonim shkollën këtu në Shqipëri.
Çfarë biseduat me ministrin Beqir Balluku?
Përfaqësia jonë shkoi në Tiranë, por ministri Beqir Balluku as që na priti fare në takim. Ai e kishte firmosur urdhrin për mbylljen e Shkollës së Aviacionit dhe nuk na e mori fare në konsideratë kërkesën tonë për takim. Kuptohet se gjithçka ai e kishte bërë në mbrojtje të jetës sonë, duke pasur parasysh të tre incidentet që na kishin ndodhur në një periudhë kohe fare të shkurtër. Ne ishim grupi i parë i kursantëve që duhej të mbaronim shkollën këtu në Shqipëri, por ajo nuk u arrit dot.
Po ç’u bë më pas me kursin tuaj?
Pas mbylljes së shkollës së parë të Aviacionit Shqiptar në verën e vitit 1960, ne na nisën për në Bashkimin Sovjetik, për ta vijuar atje kursin që lamë në mes. Por edhe atje ne nuk mundëm ta mbaronim dot shkollën, pasi me prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, ne u kthyem në Shqipëri, për t’u rinisur më pas përsëri jashtë vendit, për në Kinë.
A e përfunduat kursin në Kinë?
Jo, edhe atje, në vendin e largët aziatik, ne nuk e përfunduam dot kursin, pasi pas pak kohësh na kthyen përsëri në Shqipëri. Kjo ndodhi pas një greve që bëmë të gjithë ne, kursantët e grupit tonë, në shenjë proteste për kushtet mjaft të këqija që na ofroheshin atje ku na dërguan për të ndjekur kursin. Pas refuzimit tonë për të ndjekur më tej kursin, na mbajtën disa muaj në pritje të ardhjes së vaporrit “Vlora” në portet kineze dhe më pas me atë na kthyen në Shqipëri. Pjesën më të madhe të grupit tonë e përjashtuan fare nga aviacioni dhe vetëm ndonjëri pati fatin të kthehej përsëri në repartet e aerodromeve për të cilat ne kishim ëndërruar.
Dëshmia e ish-kursantit pilot: “Gabimi fatal me avionin që i mori jetën Jovan Kacorit”
Lidhur me një nga incidentet e rënda të Shkollës së Aviacionit Shqiptar, të ndodhur në verën e vitit 1960, ish-kursanti Divin Xhevit Abazi i cili është ndarë nga jeta para disa vitesh, në mes të tjerash kujtonte: “Gjatë stërvitjeve me Mig-15, të cilat drejtoheshin nga komandanti ynë, kolonel Niko Hoxha, kursanti Jovan Kacorri u ngrit për një fluturim mbi zonën e lumit Seman, e cila ishte zonë fluturimesh. Ndërsa stërvitjen e drejtonte Niko Hoxha, instruktor i Jovan Kacorrit ishte Hamdi Arapi. Në atë kohë ishte si mani që cilido kursant që fluturonte për herë të parë, do të bënte diçka më shumë nga sa kërkohej prej instruksioneve. Pasi kishte fluturuar përreth 25 minuta, Kacorri donte të bënte një përdredhje (turjelë) në ajër me avion (e cila në gjuhën ruse quhet “boçka”), por duke qenë se lartësia ishte shumë e vogël dhe shpejtësia shumë e madhe, diku në të djathtë të qytetit të Fierit avioni ra në tokë duke u bërë copa-copa. Ai gabim fatal i kushtoi jetën Kacorrit. Ne ishim të rreshtuar në aerodrom dhe pamë komandantin tonë që ishte tepër i shqetësuar, pasi Kacorri nuk po përgjigjej në radio për komandat dhe udhëzimet që i jepeshin nga kulla e fluturimit. Ka një kufi kohor që avioni duhet të rrijë në ajër, gjë që lidhet me karburantin që ai ka depozituar. Ne pamë se avionit të Kacorrit i kaloi koha e mbarimit të karburantit dhe ai nuk po kthehej. Kjo gjë donte të thoshte se ai nuk do të kthehej më me avion. Por shpresa jonë ishte se ai mund të ishte hedhur me parashutë. Pas kësaj, një avion i shkollës sonë u ngrit për të parë, por që në ajër ai u njoftua që të ulej përsëri. Kjo erdhi pasi mjetet e sinjalizimit të forcave tokësore sinjalizuan se një avion kishte rënë në periferi të qytetit të Fierit. Pas 50 minutash ne morëm vesh se kolegu ynë Jovan Kacorri kishte humbur jetën. Pasi morëm vesh lajmin e hidhur për kolegun tonë, një grup yni, bashkë me komandant Niko Hoxhën, shkoi në vendngjarje. Aty pamë se parashuta e tij u gjet rreth 800 m larg vendit ku ishte rrëzuar avioni. Ai nuk kishte pasur mundësi që të ulej me parashutë, pasi, siç thashë, lartësia ku po fluturonte ishte shumë e vogël dhe shpejtësia e avionit shumë e madhe”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016