Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, (që për tre dekada me radhë kishte mbajtur postin e ministrit të Punëve të Brendshme), si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poliagjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët, në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti prej 24 faqesh, me autokritikën e ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, (ku në çdo faqe të saj, Enver Hoxha, ka vënë shënime me shkrimin e tij), e cila bëhet për herë të parë publike nga Memorie.al,
Dokumenti me autokritikën e ish-Ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, më 27 shtator 1982
Veprimtaria armiqësore e M. Shehut, është e vjetër, e vazhdueshme, agjenturiale e konspirative e shumë e gjithanshme. Si nga qëllimi, puna e bërë dhe shtrirja e sajë, ajo është me rrezikshmëri të jashtëzakonshme. Zbulimi dhe goditja e saj, si gjithnjë edhe këtu u bë nga partia dhe shoku Enver, thellimi mbi të dhe likuidimi i pasojave të saj, për mua është barrë e detyrë e veçantë.
E them që në fillim, që unë mbaj përgjegjësi të madhe si anëtar i Byrosë Politike dhe ish-ministër i Punëve të Brendshme. Kjo përgjegjësi konsiston në radhë të parë, në mos zbulimin e kësaj veprimtarie të egër, megjithëse ajo ish në aktivitet të vazhdueshëm, si dhe për faktin se në këtë rrjet, përfshiheshin kuadro me rëndësi, të organeve të Sigurimit të Shtetit, ku unë kam drejtuar.
Pse e si ndodhi, kjo e keqe, e bashkë me të edhe gjykimi mbi punën time, partia do të kthjellojë, por është detyra ime të them se si e analizoj unë vetë në bazë të thellimit që kam arritur deri tani.
Materialet që na ka vënë në dorë Partia, më kanë ndihmuar dhe unë jam përpjekur që të reflektojë sa më thellë, si në mendimet dhe qëndrimet në punë. Është e qartë që ajo çka kam arritur gradualisht, nuk është e mjaftueshme.
Prandaj duke përfituar edhe nga ndihma që më dhanë sekretarët e Komitetit Qendror të Partisë me shokun Enver në krye, duke më kritikuar dhe porositur që të thellohem në të gjithë anët e kësaj çështjeje, si dhe analizat që bën shoku Enver në tablonë sinoptike mbi veprimtarinë agjenturore të armikut M. Shehu, më ndihmojnë shumë në këtë reflektim që po bëjmë.
Siguroj, se kam vënë gjithë forcën e kujtesës, ndjenjat, vendosmërinë dhe ndershmërinë time ndaj Partisë.
E konsideroj krejt të ulët, vigjilencën dhe krejt të pamjaftueshëm, kontributin personal në zbulimin e M. Shehut, si armik i egër dhe punën e tij të poshtër.
Në qoftë se mund atë vlerësoj si jo normale disa qëndrime dhe veprime të tij (për aq sa munda të kap), dhe t’i dënoj ato, e ndjej të plotë përgjegjësinë që nuk u thellova në shkakun e tyre. Me analizën që i bëri çështjes shoku Enver edhe unë thellova vazhdimisht gjykimin. Pse nuk e bëre këta që kur i konstatova disa gjëra, por i trajtova cekët ato.
Siç gjykoj tani, këtu ka ndikuar: Besimi që dhe unë kisha në personin e M. Shehut, mungesa e vigjilencës politiko-ideologjike, për t’i lidhur me njëra tjetrën këto konstatime, si dhe mungesa e vendosmërisë për t’i ballafaquar me kurajo qëndrimet e tij me normat e ligjet e vendosura nga Partia. Në këtë vështrim, ka pak rëndësi fakti që nuk i kam miratuar kurrë qëndrime të tilla, apo që në raste të veçanta u jam kundërvënë.
Rëndësi ka që nuk arrita dot në konkluzion se këto çështje ishin shprehje e një pozicioni politik-ideologjik të faktuar, t’i luftoja ato nga ky kënd-shikim dhe t’i ngrija me forcën e duhur në Parti dhe para shokut Enver. Prandaj e them me bindje të plotë, se qysh në gjykimin e parë që iu bë çështjes së M. Shehut, unë nuk e kam bërë detyrën si anëtar i Byrosë Politike.
Në këtë konkluzion kam arritur që në fillim, pavarësisht nga ndonjë opinion që u krijua sikur unë isha një nga ata që thanë më shumë fakte dhe që kritikuan më rëndë M. Shehun në mbledhjen e Byrosë Politike, ku u analizua (autokritika e tij). U jam kundër venë lavdeve që më binin në sy dhe e reflektova këtë në qëndrimin tim autokritik kudo si dhe në punë.
Vetëvrasja e bëri të qartë se M. Shehu, ishte armik i vendosur që e kreu këtë akt se nuk kish rrugë tjetër. Shoku Enver mua më njohu edhe me të dhëna që vërtetonin se kush ish ky nga e kaluara si agjent e konspirator. Kjo më ndihmoi për të krijuar një vizion të plotë se këtu nuk ish-fjala për çfarëdolloj veprimtarie, por për një punë agjenturiale të mirëfilltë, e M. Shehut, një krye agjent dhe jo vetëm në këtë rrjet, por i vjetër në aktivitet.
Megjithëkëtë, efektet e punës së këtij armiku, duhet t’i kisha parë dhe gjykuar që në fillim nga një kënd sa më i gjerë shikimi dhe ta parashikoja më drejt rrezikun e shtrirjes së kësaj pune, edhe në organet e Punëve të Brendshme.
Ky mendim i cekët dhe euforik, bazohesh edhe në besimin që unë kisha në fillim se M. Shehu, nuk mund të kish një rrjet e mbështetje aq të gjerë dhe të organizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me përjashtim të F. Shehut e ndonjë tjetër si ky. Ky ish një gjykim krejtësisht i gabuar, që në nuk duhet ta lejoja.
Me gjithë luftën që ka bërë Partia jonë vazhdimisht me armiq të egër të jashtëm dhe të brendshëm, të gjitha komplotet më të rrezikshme, në të gjitha kohët, janë zbuluar e goditur nga shoku Enver. Organet e Sigurimit, nën udhëheqjen e Partisë, kanë zbuluar e goditur në vazhdimësi, armiq e keqbërës të llojeve të ndryshme, por ato kanë qenë të një rëndësie të dorës së dytë.
Kjo mungesë e këtyre organeve, të pafalshme në punën e tyre dhe unë jam i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë që bie mbi mua edhe në këtë çështje. Duke u përpjekur që të analizoj më thellë se pse ka ndodhur kështu, mund të jap këto shpjegime:
Është fare e qartë se unë si drejtues direkt i këtyre organeve, nuk kam siguruar gjithnjë dhe në nivelin e duhur, kuptimin e orientimeve të Partisë dhe mbi këtë bazë të bëhej edukimi i njerëzve nga të cilët, kërkohej zbatimi i vijës dhe normave të vendosura nga Partia për zbulimin e armikut kudo që të ishte futur ai.
Siç gjykoj tani, veç të tjerave, mbi mua këtu ka ndikuar edhe presioni i armiqve që më rrethonin, si ata që kam pasur në vartësi (Mihallaq Ziçishti, Feçor Shehu, Zoi Themeli, Llambi Peçini, etj.), ashtu edhe ata që më drejtonin operativisht në rrugë shtetërore, si M. Shehu e B. Balluku, e së bashku me ta, edhe këshilltarët sovjetik, që ishin futur në çdo sektor të Sigurimit.
Këta, nga një anë sabotuan në shpinën time dhe nga ana tjetër, bënin presion të vazhdueshëm për gjoja kujdesin që duhej të kishim që të mos binin në trockizëm e në metoda jugosllave, në ndjekjen e vlerësimin e të dhënave që çonin drejt dyshimeve për armiq të kamufluar mirë e, në vende me përgjegjësi. Ky presion, nuk bëhesh vetëm direkt mbi mua, por mbi të gjithë njerëzit e Sigurimit.
Tani është e qartë se kjo ish metodë për ta shterpëzuar Sigurimin, dhe për ta larguar vëmendjen e tij nga objekte të tilla që rrezikonin zbulimin e këtyre armiqve. Unë pa ndërgjegje rashë në këtë gabim që ka dëmtuar rëndë.
Një tjetër gabim në punën time të dobët, e shoh tek mungesa e vendosmërisë për të ngritur kudo dhe kurdoherë çështjet e gjërat ashtu siç i kam menduar.
Nuk është fjala të shfajësohem, por është fakt se kam patur mendime të ndryshme për shumë çështje e probleme, siç janë ato mbi organizimin e shtrirjen e rrjetit të Sigurimit dhe orientimin e tij, për zbulimin e sabotimeve për penetrimin e njerëzve pa garanci në vende të rëndësishme, për organizimin e kufirit, ose unifikimit të Sigurimit me Ushtrinë (që në një rast më 1967-ën, e shfaqi si në këmbë Beqir Balluku), për marrëdhënien me këshilltarët sovjetikë, lidhur me informimin e tyre, për unifikimin e zbulimeve të Ushtrisë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për arrogancë e prepotencën të M. Shehut, në shumë raste, e sidomos kur ishte fjala për masat e Sigurimit të tij personal, etj.
Por megjithëse, i kam kundërshtuar dhe pavarësisht se në shumicën e rasteve këta armiq, janë tërhequr formalisht, unë nuk duhej t’i kisha lënë, si të konsumuara këto gjëra.
Në ndonjë rast, edhe e kam ngritur më lart mendimin tim, por nuk kam mundur të bëj lidhjen e duhur, midis gjithë këtyre fenomeneve, nuk i pashë ato si recidivë e për rrjedhim, nuk bëra deri në fund, luftën kundër tyre.
E kuptoj se ky qëndrim i imi, i ka favorizuar të gjithë këta armiq, në metodën e tyre të fshehjes së gjurmëve. Kurse më ka mashtruar pabesia e tyre, në paraqitjen e çështjeve (sidomos nga M. Shehu e B. Balluku), “si të para dhe gjykuara me shokët”, etj.
E theksoj se mundësitë për t’i shtruar gjërat deri tek shoku Enver, nuk më kanë munguar. Mungesa e shokut Hysni në këtë kohë kur analizohen çështje kaq delikate që lidhen edhe me korrektësinë time ndaj Komitetit Qendror të Partisë, e vështirëson sqarimin e mjaft prej tyre.
Me sinqeritet e them, se gjithnjë e kam parë me shqetësim mbarëvajtjen e punëve të Sigurimit, por mesa duket, nuk shpëtova dot nga një farë euforie që u kultivua qëllimisht nga këta armiq, me arsyetime e forma të ndryshme, (se s’ka ç’bën më tepër Sigurimi), ose manipulimet që ata bënin me shifra se sa raporte e informacione janë dhënë, sa goditje e proçese janë bërë etj.
Ndoshta nuk ja vlen, por për zbërthimin e kritikës që bëri plenumi i gjashtë i K.Q. të Partisë, për vigjilencën e dobët të Sigurimit në zbulimin e puçit dhe të komplotit, jo vetëm që m’u desh të bëj vetë raportet e konkluzionet, por edhe nga M. Shehu, F. Shehu, e disa të tjerë, u quajt ky zbërthim sikur e nxinte punën e Sigurimit, kurse shoku Hysni, gjykoj të kundërtën.
Është e kuptueshme tani, pse veprohesh kështu tani nga M. Shehu, i cili nga një anë minimizonte mungesat e Sigurimit, në zbulimin e gjërave të rëndësishme, kurse nga ana tjetër, në kohën kur u bë ministër F. Shehu, tha se Sigurimi nuk ka zbuluar asgjë të rëndësishme, qysh nga koha që ai (M. Shehu), kish qenë vetë ministër i Punëve të Brendshme.
Tani e dënoj më fort se kurdoherë tjetër, këtë eufori, e cila ka dëmtuar rëndë në tendosjen e Sigurimit dhe në rritjen e ekzigjencave në gjithë punën e tij.
Unë e kuptoj se kam gabime, dhe përgjegjësi për vlerësimet që u janë bërë këtyre armiqve e tradhtarëve që më rrethonin, si: M. Ziçishti, F. Shehu, Zoi Themeli, Llambi Peçini, e ndonjë tjetër. Nuk ka rëndësi sa herë jam përplasur me ta, për pikëpamjen e mendime të ndryshme rreth punës dhe për dobësitë që kisha konstatuar në karakterin e tyre.
Rëndësi ka fakti që unë nuk i zbulova dhe as t’i vija në shenjë të dyshimit si armiq që ishin. Ata punuan nën hundët e mija, kur partia priste të zbuloheshin armiqtë kudo gjetkë. Përgjegjësia bëhet akoma më e rëndë për mua, sidomos, kur qeshë dakord që F. Shehu, të bëhej ministër i Punëve të Brendshme.
Në këtë vlerësim, përveç miopisë politike, e dobësive të tjera, tek unë ka ndikuar edhe familjariteti i sëmurë që ka ekzistuar në organet e Punëve të Brendshme, duke përfshirë dhe mua. Ky familjaritet, ka çuar në dobësimin e kërkesës së llogarisë e të kontrollit në tërësi edhe tek unë, në marrëdhëniet e vartësisë direkte, mbi sektorët që mbulonin.
Nga kjo përfituan këta tradhtarë, sepse po të ish vepruar si duhet, ata do të zbuloheshin, pavarësisht, se punonin me plane e taktika të menduara e përpunuara me kujdes. Me gjithfarë mënyrash, ata mundën të krijojnë në favor të tyre, edhe një opinion jashtë Ministrisë, i cili ndikoi mbi mua në vlerësimin e tyre. Memorie.al
Vazhdon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016