Nga Kolec Gjergji
Memorie.al / Kolec Gjergji apo siç është njohur ndryshe me mbiemrin Vistari, ka lindur në vitin 1941, në fshatin Xhan të zonës së Dukagjinit të Shkodrës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Babanë, ia ekzekutuan komunistët qysh në vitet e para, pas mbarimit të Luftës dhe i mbetur jetim, mbasi mbaroi shkollën fillore në vendlindje, Koleci, ndërroi mbiemrin dhe shkoi në Tiranë për të kryer shkollën e mesme si dhe për t’i shpëtuar, në një farë mënyre, përndjekjes politike. Mbas mbarimit të gjimnazit, fillon edhe studimet e larta në degën e Kimisë në Universitetin e Tiranës, por, ndërsa përgatitej për provimet e vitit të dytë, në fakultet zbulohet “prejardhja” e tij familjare. Nisur nga kjo, ai përjashtohet menjëherë nga universiteti dhe që nga ajo kohë ai nuk do t’i shpëtonte dot më “luftës së klasave”. Në vitin 1969, ditën që po martohej, Koleci arrestohet nga Sigurimi i Shtetit dhe akuzohet se bashkë me vëllanë e tij, Ndocin, akuzoheshin se “do të hidhnin në erë bustin e Stalinit, në qendër të kryeqytetit”. Edhe pse në gjyq ai nuk e pranoi atë akuzë, u dënua me 13 vjet burg politik, të cilat i vuajti të gjitha në kampe dhe burgje të ndryshme. Pas shembjes së regjimit komunist dhe vendosjes së pluralizmit në Shqipëri, në fillimin e viteve ’90-të, Koleci i’u kthye pasionit të tij, letërsisë. Ai shkroi dhe disa libra, kryesisht me temë nga krimet e komunizmit, ku ai tregonte jetën e tij dhe të bashkëvuajtësve, gjatë viteve të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. Kolec Gjergji Vistari, është babai i Rozana Gjergjit, shahistes së njohur dhe kampiones kombëtare, për të cilën në mesin e viteve ’80-të, nga ish-Kinostudio “Shqipëria e Re” u realizua filmi “Dy herë mat”, por që për shkak të problemeve biografike të familjes, emri i saj nuk u përmend deri në shembjen e regjimit komunist dhe atë nuk e lejuan, që të garonte jashtë në takime ndërkombëtare. Gjergji ndërroi jetë në vitin 2008 dhe pjesa që po publikojmë, është shkëputur nga kujtimet e tij për jetën e burgut.
ËNDËRR E NJË NATE DIMRI
…Kapanonët ku flinin gati dyqind vetë, ishin disa sajime të llogaritura si për të torturuar të dënuarit. Ca karakatina dërrasash ku hynte si të donte era e të ftohtit. Ndonjëherë gjatë natës, sipër batanijeve tona binte edhe 4-5 cm borë, që hynte e shtyrë nga era nëpërmjet lloj-lloj të çarave si dhe tavanit nga ku natën numëronim yjet.
Ndërsa në verë merreshin masa të rrepta që të dendësohej sistemi rrethues dhe të mbulohej mirë çatia që të mos përfitonim fresk, përndryshe nuk do të shtohej si në inkubator me dhjetë e me njëzetë fish, numri i tartabiqeve që mbanin dërrasat dhe që bëheshin për ne më të rënda se sa dhe vetë hekurat e shkopinjtë që përdornin gjatë ditës policët.
Tartabiqet na dukeshin sikur ishin të dërguara të komandës dhe shpesh mendonim “se mos po atakojmë komandën, në qoftë se i vrasim”, prandaj, në bazë të një praktike që kishin përdorur të dënuarit para nesh, edhe ne mësuam t’u shpëtonim atyre, duke u futur nëpër ca thasë të gjatë.
Këta thasë i lidhnim te koka dhe pastaj shtriheshim duke bërë të mundur të mbuloheshim plotësisht. Deri sa të mësoheshim me atë mizëri që nxinte sipër çarçafëve, në kërkim për të pirë gjak nga ne, nuk qe lehtë të na zinte gjumi. Duhej disa kohë sa të ndjeheshim të sigurt se s’kanë ç’na bëjnë këto “të dërguara të komandës”.
Komanda, nga ana e saj, herë pas here lëshonte urdhra që ndalonin futjen në thasë, sepse, sipas tyre, nuk identifikohej kollaj se çfarë mund të kishte thesi brenda. Mund të ndodhte që thesi të qe i mbushur me diçka tjetër dhe i dënuari mund të dilte, duke mos u kuptuar se po përgatiste të arratisej nga burgu. Kështu, të dënuarve u interesonte shpesh të vinte sa më parë dimri, për të fjetur pa këto telashe…
…Komanda jonë dhe tërë administrata e saj, e dinin nga një qind burime të shkruara e të thëna se, në qoftë se të dënuarve u krijohej sadopak mundësia për të qenë të lidhur me lirinë, kjo realizohej vetëm nëpërmjet ëndrrave. Të dënuarit, tërë ditën me mendjen te liria, duke e përfytyruar çdo çast veten jashtë telave, dhe në atë përpjekje për të mos e besuar të keqen që i kishte gjetur, tërë natën truri ua riprodhonte, si në ato repleit që hasen në programet televizive…!
Prandaj të dënuarit, sapo vinte ora e gjumit, vraponin të mbulonin kokën, duke uruar bile njëri-tjetrin të shihnin sa më shumë ëndrra të mira. Netët e dimrit ishin me bisht, siç i thonë fjalës, sepse qysh në orën pesë mbas dite, ndalohej qëndrimi jashtë i veshur, dhe derisa dilte mirë dita, ishe i detyruar të qëndroje mbyllur, për të evituar “rrezikun e ikjes” se, siç thotë një fjalë popullore, “më mirë ja ku është, sesa ku humbi…”!
…Dymbëdhjetë deri katërmbëdhjetë orë, qindra prozhektorë rrinin ndezur…harxhohej aq energji për ndriçimin, sa, ndoshta, do t’i mjaftonte një qyteti të tërë për ta konsumuar…! Shumë fshatarë nga majat e maleve, shtëpitë e të cilëve ndriçoheshin ende me qirinj ose pisha, mund t’a kishin zili atë mjedis tonin, gati me ditë të përjetshme, por kullat e tyre të thjeshta ne na dukeshin si të fildishta dhe do të ishim gati, secili, të ndërronim atë mjedis me kasollen më të mjeruar…!
…Ndryshe nga sa ngjet me disa që në shkëmbim të një shume ose të një gjëje të bërë me paramendim që i çonte në humbjen e lirisë, të burgosurve politikë, u’a merrnin lirinë arbitrarisht. Ashtu siç ndodh shpesh që një dashuri për prindin, për fëmijën a gjë tjetër, siç thonë plakat, e rrëmben syri i keq, ashtu edhe me këta të dënuar kishte ndodhur që të humbitnin lirinë, pikërisht pse e deshën shumë.
Të dënuarit, si dhe gishtat e dorës, ndryshonin nga njëri tjetri. Kishte mes tyre që sapo zbardhte e derisa ngrysej dita veçse lëviznin, ecnin, vraponin… duke bërë aq rrugë sa thuajse do t’u duhej të shkonin në fund të botës, duke kujtuar, ndoshta, se po shkonin të kapnin lirinë…!
…Në kërkim të lirisë, që shihej se e gëzonin miu e miza, qeni e gomari, zogu e pula, deri edhe vetë vrasësit e rrëmbyesit e lirive, të dënuarve u punonte aq shumë mendja për të, sa preferonin t’u vinte dhe në formë gënjeshtre. Ai që thoshte se: “do të na falin, se ka amnisti”, “se do të hapen burgjet politikë”, gënjente më shumë se të tjerët, por ja që ishte i shenjtë për të dënuarit dhe shumë i kërkuar prej tyre.
Po liria ishte vetëm ëndërr, e cila fillonte sapo mbuloje kokën e derisa binte bilbili për zgjim. Netët e gjata të dimrit, i kishte falë zoti për këtë punë. E habitshme sa shpejt vihej qetësia pas hyrjes në fjetore: dikush bënte kryq, disa thoshin uratë ose këndonin syre, veç kur këputeshin në gjumë, në atë gjysmë vdekje të bekuar.
Vetëm një pakicë aty-këtu, ndenjur me kokën mes dy duarve, s’dihej se çfarë i bënte të mos shtriheshin menjëherë, deri në mesnatë, sikur ruanin të tjerët në vend të engjëjve. Këta kishin kusur të dëgjonin gërhitjet e shokëve rënë në kimet pas lodhjes së ditës e, deri te bisedat nëpër gjumë e gajasjet e dikujt, që dukej se hante darkë në tryezën e shtruar me tërë të mirat për miq e shokë.
“Kujdes, do ma thyesh gotën”, u dëgjua dikush që i thoshte në ëndërr shokut të tavolinës, me të cilin i dukej se po pinte. “Gëzuar lirinë, dhe të shkuara e të paharruara” – qe fjala e fundit që dëgjuan nga ai. Pastaj u çua, ashtu ndenjur, duke qeshur me sy hapur, duke kruar kokën, si për të thënë: “tani të ecim”! Seç kërkonte poshtë jastëkut e nëpër dyshek dhe ashtu, somnambul, vuri vetëm kapelën në kokë, futi rrobat në një këllëf jastëku dhe filloi, duke folur me vete, të zbriste dy a tre shkallë, që përdoreshin për t’u ngjitur lart, në krevatin e drunjtë.
Duke u kalamendur nëpër kapanonin gati 60 metra të gjatë, midis dy radhëve të krevateve, te të cilët mbështetej hera herë, me jastëkun në krah, i dukej se po u binte rrugëve të qytetit të tij, që po i përshëndesnin lirimin. disa të dënuar u zgjuan, u ngritën përgjysmë, hodhën xhaketat krahëve, vunë kapelet në kokat e qethura dhe ruheshin mos lëshonin zë, se kjo, ndoshta, do ta dëmtonte rëndë shokun që i hidhte këmbët çrregullt, si në ndonjë valle të pamësuar, hapte e mbyllte sytë në mënyrë të çuditshme, lëvizte thuajse nuk i punonte kolona vertebrale. Roja e kapanonit mbylli paraprakisht derën dhe, i trembur për vete, u ngjit në krevatin e një të zgjuari.
– Gëzuar liria – tha shoku ynë somnambul – ra diktatura.
Kjo fjalë e fundit i bëri njerëzit të mbyllnin veshët.
-…Vëllezër, në e humbshi prapë lirinë, haram ju qoftë…! Mblidhuni te sheshi, betohuni se do ta doni njëri-tjetrin dhe bashkërisht të ngremë mure të lartë që të mos hyjë diktatura mes nesh më… – dhe ecte duke u kthyer nganjëherë edhe mbrapa, si për të mos humbur krevatin ku ishte më ngrohtë sesa përgjatë korridorit, gjysmë lakuriq, po prapë e joshte liria dhe kthehej…!
Punoni për vete, se boll punuam për shejtanin…! E mjera Shqipëri është bërë si ndonjë baule, që duket se s’ka brenda asgjë nga paja e nusërisë…!
Ndërkohë disa i thanë rojës me zë të ulët: luaje pak, se po i ftohet edhe krevati e s’do ta ngrohë dot më…! Roja tërë frikë, iu afrua pak nga sipër dhe u orvat me një prekje të lehtë ta kthente mbrapsht, por ai e shtyti, duke i thënë: mos më prek, jam i lirë, shko e lutju zotit të të falë për ato që ke bërë…!
Roja i tha përsëri me frikë e me të mirë se, këto raste mbarojnë keq, por ai u bë edhe më i fortë, dhe u duk se po hynte aq shumë në rrjedhë, sa dukej se ishte i vetëdijshëm për ato që thoshte.
– Bën mirë që frikohesh – i tha rojës – po unë s’marr hak, veç për të vjedhur mos më vidh!- Dhe u ul të merrte jastëkun që i ra nga dora. – Po më more gjë, do t’i numëroj të gjitha… – dhe kruante kokën e shihte nga krevati.
Të dënuarit sapo vinte e zgjoheshin dhe çoheshin përgjysmë. Një mik i tij e largoi rojën dhe iu afrua të bënte të vetën, por nuk e kishte të lehtë.
– Shkoni nëpër shtëpi, shokë e vëllezër, s’ka fole që të ngrohë për ju…! Poshtë diktatori! – ngriti zërin ai – Tani jemi të lirë, kemi kur takohemi, shkojmë pra… dhe nisi gati të nxitojë. As kapja me dorë s’bënte më punë, i kishte hipur një fuqi që të flakte si leckë.
“Unë kam ndenjë urtë se ashtu duhej, po kam fuqi sa për shtatë” thërriste, po s’po hapte dot derën, dhe u kthye përsëri si për të marrë çelësin. Kërkoi e kërkoi në këllëf të jastëkut derisa i doli gjumi dhe e pa veten të rrethuar nga shumë të dënuar, të cilët e ndihmuan të kthehej në krevat, e mbuluan edhe me mbulesat e tyre që t’i pushonin të dridhurat që e kishin kapur.
Ndërkohë roja e brendshme, shoqëruar me ushtar dhe policë, hynë vrullshëm në fjetore dhe kërkonin të dinin se ç’kishte ndodhur, derisa u përcollën me shpjegimin se një i sëmurë i trembur në gjumë zgjoi dhe të tjerët.
Të nesërmen në kamp hynë shumë nga ata të komandës, të cilët e hetuan ngjarjen deri në fund dhe, pasi thirrën shumë dëshmitarë, nga të cilët ç’thoshte njëri, s’thoshte tjetri, vendosën kalimin e tij në organet e hetuesisë, për t’iu dhënë gjyqit e për t’u ri dënuar përsëri, për “agjitacion e propaganda kundër pushtetit popullor”. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016