Nga Mehmet Myftiu
Pjesa e dytë
Memorie.al / Mehmet Myftiu lindi në Tiranë në vitin 1930. Gjatë periudhës së Luftës, (1939-1944) si pjesëmarrës në Lëvizjen Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ai arrestohet, torturohet dhe internohet në kampin nazist të Prishtinës. Pas lirimit nga kampi kthehet në Tiranë dhe pranohet në radhët e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe gjatë viteve 1950-‘53, punon si gazetar në organet e shtypit qendror. Mbasi i drejton një letër Komitetit Qendror të PPSH-së, ku denoncon si të turpshëm arrestimin e kolegut dhe mikut të tij, shkrimtarit Kasëm Trebeshina, i’u anullua e drejta e studimit për në Institutin “Maksim Gorki” të Moskës, dhe përjashtohet nga radhët e PPSH-së e internohet në fshatin Shtyllas të Myzeqesë. Një rehabilitim i përkohshëm bëri të mundur, që Mehmeti të përfundojë Institutin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” në Tiranë dhe të punësohej si arsimtar, në fshatra të largët në rrethe të ndryshme. Nisur nga kjo, në vitin 1961 arrin të botojë romanin e tij të parë me titull “Leka”, por tre vjet më vonë, më 1964-ën, dorëshkrimi i romanit tjetër “Shkrimtari”, cilësohet me frymë reaksionare dhe Mehmetit përsëri i hiqet e drejta e botimit dhe punon si cigareshitës për 26 vjet. Me shembjen e regjimit komunist, pas vitit 1991, ai shfaqet përsëri me shkrimet e tij në shtypin e përditshëm si dhe arrin të botojë edhe disa libra. Mehmet Myftiu u nda nga jeta në vitin 2019, në moshën 89 vjeçare. Shkrimi që kemi përzgjedhur për botim, është marrë nga romani “ShkrimtarI”, i cili është marrë nga ngjarje të jetuara dhe i kushtohet kolegut dhe mikut të tij të ngushtë, shkrimtarit disident, Kasem Trebeshina.
FRAGMENTE NGA ROMANI “SHKRIMTARI”
I kishte buzëqeshur shokut me dashuri dhe pastaj i kishte hedhur sytë trupit gjykues. Kryetari i gjyqit, në mbështetje të procedurës penale, i kishte kërkuar të thoshte të vërtetën dhe ai ishte përgjigjur:
– Unë vetëm të vërtetën di të flas!
Kryetari kishte filluar nga pyetjet.
Besniku ishte përgjigjur me një farë arrogance dhe, mes të tjerash, kishte deklaruar se nuk e pranonte realizmin socialist si metodë artistike, se kishte vetëm realizëm në letërsi, se veprat e letërsisë sovjetike, me përjashtim të atyre të Gorkit, Shollohovit, Majakovskit dhe të ndonjë tjetri, ishin kartë pa vlera, se nuk kishte letërsi shqipe bashkëkohëse, se Hyseni ishte poet i vërtetë, se burgosja e tij ishte e padrejtë dhe do të dënohej nga pasardhësit.
Kryetari i gjyqit i kishte prerë fjalën duke i rënë ziles dhe i kishte tërhequr vërejtjen:
– Përgjigjuni vetëm për ato që ju pyesim! Këtu nuk jemi në konferencë, por në gjyq.
Ai ia kishte pritur me arrogancë:
– Unë vetëm kështu di të flas!
Atij i ishte dukur se trupit gjykues i kishte shkuar një drithmë, se ata ishin habitur dhe se kishin ndjerë forcën e drejtësinë e tij. Kryetari i kishte përfunduar pyetjet. Seanca kishte mbaruar dhe Besniku kishte dalë nga salla e gjyqit i ndezur flakë e plot zemërim. Duart i dridheshin.
Telhait dhe Mihailit nuk i ishte përgjigjur thjeshtë, ashtu si para fillimit të gjyqit, por me rreptësi e nervozitet. Në ato çaste i pat ardhur keq që Hyseni nuk kishte folur në gjyq, siç e kishte zakon, me nervozizëm, nuk kishte shfryrë fare, por fjalët i kishte pasur të paka dhe të përmbajtura.
…I vetmuar aty në qeli, i mbyllur, i shtrënguar dhe i shtypur nga muret e trashë prej betoni, nga frëngjia me hekura të kryqëzuar, dera e rëndë, e siguruar nga jashtë me shula dhe dryj të mëdhenj, i ruajtur rreth e qark nga policët, ai po thellohej në vete për të kuptuar shkaqet e këtij realiteti dramatik, për të kuptuar thelbin e karakterit të vet.
E ndjeu gjallë në brendësi patosin që kishte pasur gjatë luftës për çlirim dhe mendoi se ai nuk do t’i shuhej kurrë gjer në vdekje, se i kishte dhënë dhe do t’i jepte gjithnjë kuptim jetës së vet. Po nuk mund të mohonte se kishte pasur kontradikta me komunistët, me shokët bashkë me të cilët kishte luftuar, sidomos me disa prej tyre, që ishin bërë krejt të ndryshëm nga ç’kishin qenë gjatë Luftës.
Por në këto çaste mendoi se i kishte zmadhuar ca të metat e tyre dhe se, më tepër, kishte kishte keqkuptime. Ishte gati i bindur plotësisht se me Aliun e të tjerë i’a kishte kushtuar jetën komunizmit. Kujtoi me dëshirë të madhe ato ngjarje dhe ato persona që e lidhnin ngushtë me Atdheun e Socializmin dhe tha me zë gati të ekzaltuar: “Unë jam ushtar i komunizmit dhe i tillë do të mbetem gjer në vdekje!”
Atij nuk iu kujtua asgjë në jetë që të ishte në kundërshtim me këto fjalë dhe iu duk se as kishte pasur kurrë të tilla.
Përjashta u dëgjuan këmbë. Llozi lëvizi. Roja bërtiti:
– Dil! Para!
Shkundi mendimet, doli nga biruca dhe iu ngjit shkallëve.
Koloneli hetues, një burrë dyzet e ca vjeç, shtatshkurtër, ballëngushtë, me sy të futur, me vështrim të ftohtë dhe të mprehtë, me hundë të madhe, kishte pamje të rreptë dhe të egër. Atij ia dhanë lajmin e arrestimit të Besnikut, kur po bisedonte në birucë me një diversant, që e kishin hedhur me parashutë dhe që, së shpejti, do të dilte në gjyq të hapur.
Herë me kërcënim, herë me zgjuarsi e dhelpëri, herë me dëshmitarë e kishte detyruar diversantin t’i pohonte vetë krimet ndaj shtetit dhe tani ishte i sigurt që gjyqi do të dilte me sukses, se i pandehuri do të shkaktonte reaksion dhe shumica e popullit do ta mirëpriste pushkatimin e tij.
Si përfundoi bisedën me të, doli i kënaqur, por tek i afrohej zyrës, ndryshoi. Atij i’u kujtua sjellja e Besnikut në gjyqin e Hysenit. Kurrë nuk kishte pandehur që të ndodhej në Shqipëri një djalë që të kishte aq guxim dhe të tregohej aq i marrë, sa të shprehej aq lirisht dhe me aq arrogancë. Hetuesi ishte i bindur se Besniku u reklamonte me mburrje letrarëve dhe të rinjve pikëpamjet e veta.
…Hetuesi hyri në dhomën e hetimit, u ul në tavolinë dhe qëndroi me bërryla të mbështetur në të, pak i kërrusur, duke vështruar nën vetulla në mënyrë të frikshme dhe kërcënuese.
Te dera u shfaq Besniku. Hyri sikur aty të mos ishte në zyrën e Sigurimit, thuajse prapa nuk e ndiqte polici. Sytë e tij vështronin qetë, drejt. Ngjyra e fytyrës nuk i kishte ndryshuar, bile dukej i çlodhur. Asnjë shenjë frike nuk shprehej në tiparet e tij. Kjo e zemëroi hetuesin dhe sapo i arrestuari u ndal në mes të dhomës, e urdhëroi me ashpërsi:
– Ulu aty, maskara!
I arrestuari ndenji pranë tavolinës, aty ku e urdhëruan. Vështroi hetuesin dhe priti.
– Ç’na përrallise ashtu në gjyq?! – Pyeti hetuesi me egërsi dhe shtoi
– Këtu hape gojën, në je trim!
Besniku u përgjigj thjeshtë:
– Ato që kisha shkruar në dëshmi këtu në hetuesi. Ju e dinit çfarë do të flisja.
Koloneli i bërtiti i zemëruar dhe me zë të lartë:
– Jo, nuk ishin ato, maskara! I zgjerove dhe i zbukurove. Ti të thuash në gjyq se nuk je dakord me arrestimin e të pandehurit, se arrestimi i tij ishte i padrejtë?! Kush je ti? Kush të pyet ty? Ku jemi këtu?
– Ju e dinit se ai ishte mendimi im – tha thjeshtë i arrestuari.
– Shiko, shiko, bukuroshi! – u revoltua edhe më keq hetuesi. – Kujton se është në bulevard dhe po u mburret si gjeli në pleh shokëve të vet. Këtu je në hetuesi. E ke të qartë?! Unë të ngre nga ajo karrige, ku je ulur dhe lëviz e të mbërthej në atë karrige aty!
Ai shënoi me gisht në mes të dhomës një karrige hekuri të ngulur në çimento dhe shtoi:
– Këtu t’i masësh fjalët se ta masin kokën me penj. Do të marrim leje ty ne se ç’të bëjmë. Të duket se ç’është Hyseni. Ai është aventurier, vagabond, që tradhton gruan dhe fëmijët dhe prish qetësinë familjare. Është mendjemadh sa kujton se arriti qiellin me dorë. Do ta lëmë ne atë të shkruaj vjersha se paska shkuar kot gjaku i dëshmorëve, sipas teje, ta dërgojmë edhe në Perëndim me aeroplan special. T’i japim edhe valutë me vete. Tani është penduar edhe ai vetë për marrëzitë e tij, por s’i bën fajde. E hedh lotin kaq.
Besniku u vrenjt. Kur e kërcënoi hetuesi, uli kokën dhe heshti pa kundërshtim. Mendoi se duhej të ishte i bindur dhe se nuk ishte rasti të ngatërrohej më keq, por vendosi t’i tregonte më vonë se nuk trembej nga karrigia e hekurt. Kur hetuesi i tha se Hyseni kishte qarë, u çudit, u zbut dhe i foli:
– E shihni se nuk është armik?!
Hetuesi e akuzoi:
– Ai gënjehet, ka inat me shkrimtarët, revoltohet dhe nuk sheh qartë, po ti pse e mbron dhe e nxit?! Ti je fajtori! Hetuesi i nguli vështrimin e rreptë, sikur t’ia kishte kuptuar qëllimet e fshehta dhe vijoi:
– E kishe bërë planin dje, ishe përgatitur mirë. Na e hodhe. Na fliste maskarai, sikur të ishte Gjergj Dimitrovi! Po mos ki gajle, do t’i biesh kokës me grushta për ato që bëre.
Ai hapi sirtarin e po nxirrte letër, që të zhvillonte hetimin e të arrestuarit, kur hyri një polic dhe i tha:
– Të kërkon ministri në telefon.
…Doli. Shkoi në zyrën e tij lart, mori telefonin dhe foli me zë të butë, të ëmbël:
– Urdhëro, shoku ministër…!
– E muarët Besnikun?
– Si urdhëro. Tani po e pyesja.
– Ç’thotë?
– S’i bën përshtypje fare që e arrestuam dhe mendtë i ka në hava. Mua më duket më i rrezikshëm se Hyseni, se është i ndërgjegjshëm për rrugën e tij dhe diçka bluan në vete. Kam të dhëna të sigurta që nuk i rri goja rehat.
– U konsultuam edhe me Komitetin Qendror dhe vendosëm ta internojmë në Shtyllas. Ai është gabuar se nuk ka ndonjë bazë të ngrihet kundër Partisë. Atje, besojmë, do t’i vijnë mendtë.
– Si urdhëron, shoku ministër – pranoi koloneli.
Uli telefonin dhe zbriti në zyrën poshtë. Nga ato pak fjalë, ai e kuptoi se ministri nuk e kishte shumë inat Besnikun, prandaj i iku zemërimi i madh. U zbut duke qenë i bindur se ata atje lart, e shikonin shumë më thellë problemin. Hyri në dhomën e hetimit sikur të ishte njeri tjetër. Lëvizjet nuk i kishte aq të rrëmbyera, nuk vështronte aq egër. U ul në tavolinë, u mbështet në karrige dhe tha me zë më pak të vrazhdë:
– Do të internojmë…! Nuk të rri goja rehat ty…! Llap.
– Mirë… – pranoi Besniku gjakftohtë.
Fytyra e tij nuk shprehte as hidhërim, as tronditje.
Hetuesi e qortoi:
– E ta dish se na ke dëmtuar shumë. Të të vijë turp. Je nga një familje lufte. Vetë ke qenë partizan. Radiot perëndimore do të çajnë veshët.
– Nga kjo pikëpamje pranoj se kam bërë gabim – tha sinqerisht Besniku.
– Kështu pra, të mendosh një çikë. Nuk je i vogël. E kemi ngritur republikën me gjak dhe e mbrojmë me gjak, kurse ty të merr koka erë. Shko! Nesër do të të nisim.
Besniku u ngrit të ikte. Tek dilte, u ndal në mes të dhomës dhe e pyeti me zë të butë:
– Mund të them një fjalë?!
– Po – pranoi koloneli.
– Si ju quajnë, ju lutem?
– Abaz – Mezi iu përgjigj nëpër dhëmbë ai.
Besniku iu afrua te tavolina dhe i foli:
– Shoku Abaz, duhet të dini se unë kam qenë komunist dhe kam parë që i vogël vdekjen me sy. Si në këtë karrige të lëvizshme druri të zgjidhur, si në atë karrige hekuri të palëvizur, të lidhur, unë jam njësoj.
Hetuesi dhe i arrestuari u panë në sy pa lëvizur qepallat. Pastaj kolonel Abazi, që e kuptoi se këto fjalë ishin përgjigje për kërcënimin që i kishte bërë, u skërmit dhe tha:
– Ke kokë të fortë. Po ajo të mori në qafë. Dije prej meje.
Dera e birucës u tërhoq, u mbyll, shuli u shty dhe Besniku u ndodh prapë vetëm, mes mureve të trashë, ku nga frëngjia e vogël, mes hekurash të kryqëzuar, vinte pak dritë. Njolla e bardhë e reflektimit të rrezeve po zhdukej. Sigurisht, dielli po perëndonte.
Ai e ndjeu veten të shqetësuar. Më parë nuk e merrte me mend se çdo të ndodhte me të. Tani e dinte se do ta internonin. U suall në birucë duke u përpjekur të përfytyronte jetën e atjeshme, por nuk arriti dot. Nuk kishte parë ndonjëherë se si jetonin të internuarit në Shqipëri. Po e kishte të qartë se jeta e tij po merrte një drejtim krejt tjetër nga ajo e gjertanishmja.
…Mendoi se kohët e fundit i dukej disa çaste e kotë bota, gëzimi i fëmijëve. I vlerësonte si boshe shumë probleme të shoqërisë dhe e quante veten të huaj mes njerëzve. Kishte raste, kur nuk e kënaqte as nëna, as dielli, as gjithë natyra. Nxitoi hapat i tronditur nga këto mendime, kur roja hapi dritarëzën dhe pyeti:
– Pse lëviz kështu?
– Mos është e ndaluar?! – pyeti i burgosuri.
– Jo…! Jo…! – u përgjigj roja dhe mbylli dritarëzën.
Besniku qëndroi. Mendimet i lëvrinin në kokë.
Tani gjendej mes katër mureve, larg atyre gjërave që i dukeshin bajate. Larg njerëzve, zhurmën e të cilëve në një moment e përbuzte. Ata ndodheshin atje lart, sipër tij, në jetën e tij dhe nuk kishin asnjë lidhje me të. Ndjeu shtypje në gjoks. Përfytyroi prapë veten duke ecur si hije nëpër rrugët e qytetit dhe duke përsëritur me vete shprehjen e famshme: “Të rrosh apo të mos rrosh – Kjo është çështja.” Iu afrua frëngjisë dhe foli me vete: “Dua diell! Dua jetë! Dua të dëgjoj zëra njerëzish të lirë”!
U tremb. Ktheu kokën se mos e dëgjonin. Heshti. Asnjë njeri nuk ndodhej pranë tij. Ishte vetëm mes mureve të trashë, i ndarë nga bota dhe po fillonte një jetë të vështirë. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016