Nga Vasil Qesari
Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit? Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?! Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi. Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!
Kujtimet e Emile Guinard, ish-zv /Konsull i Francës në Shqipëri gjatë viteve 1966-1970
– DIPLOMAT NE TIRANE –
Në fillim të viteve ’70-të, në Tiranë midis 15 ambasadave të huaja, vetëm tre prej tyre përfaqësonin vendet perëndimore, ose siç quheshin ndryshe vendet borgjezo – kapitaliste. Ato ishin ambasadat e Francës, Italisë e Turqisë. Ambasada më e madhe në kryeqytet qe ajo e Republikës Popullore të Kinës, e cila kish një personel me mbi 50 vetë. Në të, bënin pjesë, së pari, ambasadori, i cili qe një prej veteranëve të ‘Marshimit të Madh’, 20 diplomatë e, pjesa tjetër, specialistë që mbulonin fusha të ndryshme si, ato të ndihmave, livrimit të tyre, ndërtimit të objekteve industriale, ushtarake, bujqësore etj.
Ndryshe nga ambasadat e tjera vetëm ambasada kineze, (që i ngjante një kështjelle të vërtetë mes Tiranës), gëzonte besimin dhe simpatinë e autoriteteve. Por, krahas saj, edhe ajo e vietnamezëve qe disi e respektuar për shkak të luftës që populli i saj bënte kundër imperialistëve amerikanë. Të tjerat, kapitaliste a socialiste, ishin gjithmonë të dyshimta e, funksionarët e tyre survejoheshin e ndiqeshin hap pas hapi nga policia sekrete.
Disi më të qetë, mes luleve e gjelbërimit, ishin ndofta italianët. Ata qenë instaluar në territorin e ish përfaqësisë së dikurshme amerikane. Ndërsa, rekordin e dëbimeve për veprimtari të dyshimtë, e mbante sidomos përfaqësia tregtare bullgare. Pothuajse çdo tre muaj, një nga punonjësit e saj, sipas autoriteteve shqiptare, kapej me presh në duar dhe konsiderohej persona ‘non grata’, nenë akuzën se zhvillonte veprimtari agjenturore në dobi të shërbimeve sekrete sovjetike.
Edhe marrëdhëniet me polakët qenë tepër të acaruara, jo vetëm për shkak se ishin revizionistë, por dhe pse ambasadori shqiptar në Varshavë qe dëbuar nga autoritetet polake për ndërhyrje në punët e brendshme të atij vendi. Ndërsa ambasada kubane, shihej me sy të keq, për shkak të flirtit të Fidel Kastros me sovjetikët. Pak më të privilegjuar ishin, në një farë mase, ambasadat e vendeve arabe e, deri diku, edhe ajo e Rumanisë.
Herë pas here me diplomatët ndodhnin incidente të ndryshme. Me sa dukej ato u sillnin autoriteteve një kënaqësi të veçantë. Por, një herë, plasi një skandal i madh për vetë shqiptarët. Kjo ndodhi, pas dëbimit të diplomatëve të ambasadës së Ganës e mbylljes së përfaqësisë së tyre për shtatë-tetë muaj. Misteri i atij incidenti, doli në dritë më pas. Një vajzë e re tiranase që shërbente në atë ambasadë si pastruese, kish renë papritur shtatzënë e, kur kish ardhur momenti i lindjes, mamitë e maternitetit qenë shtangur, kur mbi duar u kish renë një goxha vogëlush i ngjyrës së…zezë…!
Ndërsa, ambasada çekosllovake, pat përjetuar një dramë të rendë. Atasheu i saj tregtar, ia kish hequr vetes me plumb në kokë, gjë e cila sipas disa zërave, kish ndodhur për shkak të një depresioni nervor. Por, sikur të mos mjaftonte kjo, në ambasadën e Turqisë, sekretari i tretë qe hedhur nga dritarja, edhe ai për shkaqe neuro-psikike. Në vorbullën e një realiteti të tillë, kuptohet se, të ishe aso kohe diplomat në Tiranë, nuk qe aspak diçka e këndshme, interesante apo euforike.
Me përjashtim të kinezëve, pothuajse gjithë diplomatët e tjerë të huaj, konsideroheshin si armiq të Shqipërisë. Por, ajo çka ishte revoltuese dhe më e bezdisshme, qe prania e përhershme e agjenteve të policisë sekrete, të cilët i ndiqnin pas, kudo që shkonin.
Punëtorët tanë shqiptarë të shërbimit – tregon Emile Guinard, ish-zv/Konsull i Francës gjatë viteve 1966-1970 – ishin të gjithë të caktuar nga Sigurimi i Shtetit. Ne e dinim fare mirë që, bie fjala, kopshtari ynë shqiptar, qe agjent i tyre. Ai, për çdo vit, merrte nga një palë këpucë të reja në komisariatin e policisë aty pranë. Çdo muaj, në shtëpitë tona, vinte një teknik i PTT-së i cili, ndërronte kufjet e telefonave e, po për çdo muaj, ne shkonim për t’u qethur te berberi i Hotel “Dajti”-t, një agjent i njohur i policisë sekrete shqiptare.
Gjatë stinës së nxehtë të verës, për familjet e diplomatëve të vetmet zbavitje qenë ditët e kaluara në plazhin dhe hotelin “Adriatik” të Durrësit. Por, edhe aty, nuk gjenim qetësi. Në shëtitjet buzë detit, nenë rrezet e diellit, në banjat në det apo në restorant, ne ishim vazhdimisht të survejuar nga civilë që mbanin syze të errëta. Gjatë ditës, ata zakonisht bënin plazh pranë nesh, kurse drekave e darkave, hanin në heshtje, ulur përballë tavolinës sonë në restorant.
“Mbrojtja” jonë, ai gjurmim i vazhdueshëm e këmbë pas këmbe, ishte me të vërtetë i “shkëlqyer”! (Por, njëkohësisht edhe aq i bezdisshëm, stresues e revoltues sa që, pjesa më e madhe e diplomatëve, kishin hequr dorë përfundimisht të dilnin nga shtëpitë e tyre, qoftë edhe për të bërë ndonjë shëtitje të vogël, sepse, gjithmonë ata do të kishin nga pas ndonjë prej tyre. Kjo gjë, qe bërë aq rutinë, sa që ish kthyer në një mënyrë jetese, të cilën e kishim pranuar pa asnjë kundërshtim).
Një ditë – vazhdon tregimin e tij, Emile Guinard – provova të dal në këmbë duke tentuar të humbisja mes turmës. Kështu, shpresoja se do mund t’u shpëtoja gjurmuesve të mi të zakonshëm. Por, pa bërë as dhjetë hapa, ndjeva se dikush më ndiqte pas. Pra, qe e kotë të vazhdoja. Bëra një kthesë 180 gradëshe e mbërrita përsëri në shtëpi. Ndërsa, një herë tjetër, ndërsa po vizitonim një muze, i dhurova drejtorit të tij një libër historik me ilustrime, thjesht në shenjë mirënjohje për mirësjelljen dhe shpjegimet e tij interesante e të hollësishme.
Drejtori e pranoi dhuratën me ndrojtje e duke parë rrotull me frikë. Mbas vizitës, sa bëmë pak hapa drejt daljes se muzeut, me bisht të syrit vura ré se njeriu i Sigurimit të Shtetit që na ndiqte, ia rrëmbeu librin nga dora, duke e shfletuar me kujdes. (Me shpresën se mos gjente mes fletëve të tij, ndonjë mesazh sekret, të cilin unë mund t’i a kisha futur brenda). Kur e pashë atë skenë, më erdhi vërtet për të vjellë.
…Kur kujtoj e krahasoj jetën prej diplomati në Tiranë, me atë të homologut tonë në Paris, ambasadorit shqiptar Javer Malo, nuk gjej asnjë pikë të përbashkët mes kushteve të jetesës në dy vendet respektive. Zoti Javer Malo, frekuentonte pa pengesën më të vogël, gjithë familjet e politikanëve, sindikalistëve apo njerëzve të artit e kulturës që e ftonin.
Ai, mori pjesë në krijimin e shoqatës së miqësisë franko-shqiptare, në kremtimin e 50-vjetorit të Maurice Thorez-it, në Kongresin e XII-të Partisë Komuniste Franceze si dhe, në shumë raste, ndiqte nga afër vizitat e presidentit Charles de Gaulle në provinca të ndryshme të Francës. Ai, vizitonte gjithashtu disa herë në vit e pa më të voglën pengesë, bashkëpatriotët e tij emigrantë në Saint-Etienne, Marseille, Strasbourg etj. Ndërsa ne, nuk na u dha leje kurrë, të takonim të paktën një herë në vit, pesë a gjashtë gra vejushe me orgjinë franceze, të cilat banonin në Shqipëri…!
Pra, të ishe diplomat në Tiranë, do të thoshte të bëje një punë aspak të këndshme, të vështirë e, bile edhe me risk të madh. Incidentet me Sigurimin e Shtetit ishin të shpeshta e brutale. Atasheu ynë ushtarak, një kolonel francez, i cili vinte zakonisht në ambasadën tonë në Tiranë dy-tri herë në vit, u arrestua nga policia e pastaj, iu dorëzua ambasadorit tonë, me kusht që të largohej nga territori shqiptar brenda 24 orëve si: “persona non grata”.
Ai kish dalë shëtitje nëpër rrugët e kryeqytetit, duke mbajtur në krahë një aparat fotografik me një goxha objektiv e kish marrë foto pa çarë kokën, andej e këndej, që nga ministritë në qendër të Tiranës e gjer tek “Blloku” i udhëheqjes pranë Komitetit Qendror të PPSH. Kaq, kish mjaftuar, që ai të kapej nga agjentët civilë të Sigurimit, të arrestohej në vend, të cilësohej spiun e të shpallej person i padëshiruar…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016