Nga Vasil Qesari
Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit? Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?! Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi. Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!
EGZILI I FAMILJES PAPAVRAMI
Jo rrallë kish ndodhur që, shqiptarë të ndryshëm të cilëve u jepej mundësia të dilnin jashtë për arsye shërbimi, të refuzonin të ktheheshin në atdhe. Kjo gjë, kish ndodhur më shpesh, me ekipe sportive që merrnin pjesë në takime ndërkombëtare. Kështu, më 1985-ën, dy peshëngritës kampionë të cilët qenë kthyer në simbol të rinisë së kalitur shqiptare, kërkuan strehim politik në një vend të huaj.
Ndërkohë, refuzimi i kthimit në Shqipëri i kampionit të peshëngritës, Aleksandër Kondo, qe një ngjarje e cila tronditi mbarë vendin. Pak më vonë, një përkthyes i ekipit kombëtar të futbollit, mbeti në ishullin e Maltës, duke marrë me vete edhe gjithë sasinë e devizës për shpenzimet e udhëtimit.
Ndërsa, në vjeshtën e vitit 1987, dy futbollist të Vllaznisë së Shkodrës që luajtën në Finlandë, mbas ndeshjes në kthim, kur erdhën në Greqi, u zhdukën pa lenë gjurmë e më pas, u mësua se ishin paraqitur në polici ku kish kërkuar strehim politik. Këto ngjarje të bujshme, benë që autoritetet në vend të merrnin një varg masash speciale.
Kështu, përveç rrallimit e disa herë edhe pezullimit të pjesëmarrjes në veprimtari ndërkombëtare, ekipet e pakta që dilnin jashtë u përforcuan jo më me një, por me dy operativë Sigurimi, pa folur pastaj, për sportistë të veçantë të cilët bënin edhe punën e informatorëve të tij.
Por, aty nga viti 1985, ndodhi një dramë, e cila mori përmasa pothuajse kombëtare. Ajo qe arratisja e familjes Papavrami.
Por si qenë zhvilluar ngjarjet…?!
Në Tiranë kish vite që flitej për një ‘enfant prodige’ me emrin Ted Papavrami. Vogëlushi fenomenal dhe i pasionuar pas violinës ishte djali i Robert Papavramit, mësues muzike në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Tedi, doli për herë të parë jashtë vendit në moshën 8 vjeç, gjatë një turneu të Ansamblit Popullor të Këngëve e Valleve në Kosovë. Djaloshi i talentuar shkëlqeu për teknikën e lartë të interpretimit, sidomos në sonatat e Paganinit.
Ndërkohë, aty nga fillimi i viteve ’80-të, i ati, Roberti, nisi t’i japë mësime violine nipit të Enver Hoxhës. Ai shkonte rregullisht në “Bllok”, mes vilave, kopshteve me lule, pishave e “Benz-Mercedes”-ave, ku me kalimin e kohës, u lidh miqësisht me djalin e diktatorit, Ilirin.
Më 1982, Alain Marion, një flautist francez i cili shkoi në Tiranë për të dhenë disa koncerte dëgjoi një interpretim të Tedit, ndërkohë që ky i fundit sapo kish mbushur të 11 vjetët. Mbas disa muajsh, djaloshi i talentuar fitoi një bursë nga qeveria franceze, me pikësynim ndjekjen e studimeve në Konservatorin e Parisit. Por, ajo bursë për jashtë, qe njëkohësisht edhe një halë në sy për funksionarët e ministrisë së Punëve të Jashtme.
Megjithatë, me ndërhyrjen e familjes Hoxha, ai ia arriti qëllimit e tre vjet më pas, nënë kujdesin e profesorit të shquar Pierre Amoyal, Tedi arriti të fitojë çmimin e parë në Konservator, duke interpretuar Kapriçiot e Paganinit…!
Por, jeta e re në Paris, me sa dukej, për djaloshin s’qe edhe aq e lehtë. Në apartamentin ku banonte, ngjitur me atë të atasheut kulturor të ambasadës shqiptare, ai vuante shumë nga vetmia. Gjatë pushimeve të verës, Tedi u kthye në Shqipëri pranë prindërve dhe, pikërisht në një prej atyre ditëve ndodhi edhe e “papritura”. Atë e njoftuan se, Enver Hoxha, e kish ftuar në shtëpi për të “lozur” me nipin e tij”. “Sidoqoftë, merr me vete edhe violinën” – e këshilluan atë prindërit.
Në fakt, me të mbërritur në “Bllok”, Tedin nuk e priti nipi, por personalisht Enver Hoxha, ngjarje e cila u filmua edhe nga një grup xhirimi i Radio-Televizionit Shqiptar. Gjatë takimit, Tedi improvizoi një koncert të shkurtër e në fund të tij, krahas përgëzimeve, Enver Hoxha premtoi të bëjë diçka më tepër për atë djalosh endé të njomë.
Gazetat, radioja e televizioni nuk munguan t’i bëjnë jehonë të madhe pritjes së talentit, duke e cilësuar atë jo vetëm ambasador të kulturës socialiste shqiptare në Paris, por edhe shembull të kujdesit të veçantë që Partia tregonte për talentet e reja. (Për interesa të caktuara, regjimet totalitare i kanë adhuruar vazhdimisht fëmijët virtuozë).
Por, me gjithë euforinë e krijuar, organizmat speciale vazhduan të tregoheshin mjaft të kujdesshëm, për të mos lejuar absolutisht një vajtje të mundshme të prindërve të Tedit në Francë. (Të cilët, kishin kërkuar disa herë ta shoqëronin apo të takoheshin me të, jashtë vendit).
Megjithatë, më në fund, me ndërhyrjen e Nexhmije Hoxhës, e ëma e Tedit mundi të shkojë e të bashkohet me të në Paris, më 1983. Ndërsa, përsa i përket shkuarjes të të atit, Robertit, as që mund të bëhej fjalë. Por, s’kaluan shumë kohë e, më 1985, në rrethana të panjohura, papritmas, dhe atij iu dha viza për një vizitë në kryeqytetin francez.
(Sipas rrëfimeve të Tedit, dalja e të atit jashtë, u mundësua me ndërhyrjen e vetë Ilirit, djalit të Enver Hoxhës).
Kështu, si për mrekulli, në Paris, u gjenden të bashkuar gjithë familja: nëna, babai dhe biri i shquar violinist. Rasti i menduar e, pse jo edhe i shumëpritur, kish ardhur. Familja kërkoi strehim politik në Francë, ndërkohë që në Shqipëri, lajmi tronditi vendin…!
Megjithëse shtypi mbajti heshtje të plotë, ngjarja u diskutua në çdo organizatë Partie. Pas kësaj hakmarrja e regjimit do të ishte shembullore. Lirinë e treshes Papavrami, e pagoi shumë shtrenjtë rrethi familjar. Gjyshi i Tedit, nga ana e të atit, një mjek dermatolog mjaft i njohur në Tiranë (i cili kish kryer studimet në Paris gjatë viteve ’30-të), u internua në fshatin Kotë të Vlorës, ndërkohë që çdo pasuri e familjes u sekuestrua.
Ndërsa shtëpia e tij, një vilë e bollshme në një nga lagjet e kryeqytetit, u rrafshua më me pretekstin se, aty do të ndërtohej një pallat banimi me kontribut vullnetar. Me keq, ndofta, e pësoi familja e gjyshit nga ana e nenës, një militant i vjetër i PPSH-së nga Qeparoi i Himarës. Ajo u internua në qytetin e Rubikut, duke provuar përveç vuajtjeve e urisë, edhe përçmimin, fyerjet, survejimet e provokacionet e Sigurimit e militantëve të organizatave të masave.
“Për Shqipërinë, të cilën e ka vizituar më 1993 për të dhenë disa koncerte, Tedi Papavrami ruan kujtime të mjegullta. Pa dyshim, në radhë të parë, ato të një fëmijërie plot studime por edhe të lumtur, sidomos gjatë pushimeve të verës kur shkonte në një fshat të Himarës. Për daljet në gjah ditëve të dielave, si edhe për shëtitjet me motoçikletë me të atin.
Por, gjithashtu, ai ruan edhe kujtimet e një shoqërie ku, njerëzit bëheshin ziliqarë për një arritje të fqinjit, të një sistemi politik ku, askush nuk e ndjente veten të sigurt po qe se binte tepër në sy. Sot, Tedi e ndjen veten francez edhe pse vazhdimisht qëndron i ndjeshëm ndaj ngjarjeve në vendin e tij të lindjes. Por, megjithatë, me kalimin e kohës, distanca dhe hendeku midis tyre, nuk pushojnë së rrituri…”!
Ndërkohë, aktualisht, prindërit e Tedit jetojnë në Gradinjan. Një qytezë e gjelbër dhe e qetë në perëndim të Bordosë. Aty, i ati, Roberti, drejton një shkollë violine për fëmijë. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016