Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1979 dhe janë pjesë e një dosje ku ndodhet edhe një proces-verbal i takimit ditorë, të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, të kryesuar nga Enver Hoxha, ku merrnin pjesë: Hysni Kapo, Ramiz Alia dhe Hekuran Isai, ku u morr në analizë të thellë dhe u diskutua për stërvitjen e marshimit të Brigadës së Parë, e cila sipas Enverit, kishte dështuar plotësisht, duke mos përmbushur objektivat e vëna, që më parë nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore e drejtuar nga ministri, Mehmet Shehu. Në mbledhjen në fjalë ku diskutuan të tre sekretarët e Komitetit Qendror të PPSh-së, Enver Hoxha, pasi kritikoi punën e bërë nga ana e dy zëvendësministrave të Mbrojtjes Popullore, Maliq Sadushi dhe Veli Llakaj, të cilët kishin kërkuar që të përsëritej stërvitja, me marshimin e Brigadës së Parë, (gjë të cilën ai nuk u’a aprovoi në mënyrë kategorike), i sugjeroi Hysni Kapos, që duke mbajtur parasysh këshillat e mjekëve, lidhur me shëndetin e tij, si Komisar i Përgjithshëm i Ushtrisë, të gjente kohë dhe të shkonte në mbledhjet, me repartet e njësitë e mëdha ushtarake, pasi Ushtria kishte nevojë për mendimet dhe fjalën e tij. Po kështu në takimin ditor me sekretarët e Komitetit Qendror të Partisë, që u mbajt në datat 9 dhe 12, shkurt të vitit 1979, Enver Hoxha nga pozita e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë, hodhi akuza edhe ndaj Mehmet Shehut.
Dokumenti sekret me proces-verbalin e takimit ditor të Sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, ku Enver Hoxha mori në analizë dështimin e stërvitjes së marshimit të Brigadës së Parë
9 shkurt 1979
Pasi u informua për zhvillimin e stërvitjes së Brigadës së Parë e mori fjalën shoku Enver Hoxha.
SHOKU ENVER HOXHA: Unë e lexova raportin që flet për stërvitjen e këtij viti dhe, siç ia thashë Mehmetit, nuk jam aspak i kënaqur me sa është bërë, programi nuk është plotësuar sipas planifikimit. Ashtu është, m’u përgjigj ai, po këtë vit ushtria ka pasur përsipër edhe fortifikimet. Por këto, siç dihet, janë të gjitha të planëzuara, prandaj ajo që thotë ai nuk ka asnjë justifikim. Çdo gjë, si kudo edhe në ushtri, është e planifikuar veçse të bëjmë kujdes të madh që çdo gjë ta planifikojmë drejt dhe kryesorja e kryesoreve është që të realizohet plotësisht plani i stërvitjes, siç duhet të realizohen gjithashtu në rregull edhe fortifikimet, edhe çdo detyrë tjetër.
Kjo që ndodhi duhet të bëhet mësim dhe çdo gjë të zgjidhet me gjakftohtësi. Mehmeti na tha se i kishte hedhur në votë masat që mori dhe se të tërë ngritën duart dhe u shprehën se janë dakord me ato masa. Po rëndësi ka çështja që të analizohet mirë puna, të dalin shkaqet përse ngjanë. Në mbledhjet për këtë qëllim njerëzit të thellohen, ato të zhvillohen në qetësi se nuk është çështja për të hedhur masat në votë. Duhet punuar me mend e me shumë kujdes.
SHOKU ENVER HOXHA: Unë e lexova raportin që flet për stërvitjen e këtij viti dhe, siç ia thashë Mehmetit, nuk jam aspak i kënaqur me sa është bërë, programi nuk është plotësuar sipas planifikimit. Ashtu është, m’u përgjigj ai, po këtë vit ushtria ka pasur përsipër edhe fortifikimet. Por këto, siç dihet, janë të gjitha të planëzuara, prandaj ajo që thotë ai nuk ka asnjë justifikim. Çdo gjë, si kudo edhe në ushtri, është e planifikuar veçse të bëjmë kujdes të madh që çdo gjë ta planifikojmë drejt dhe kryesorja e kryesoreve është që të realizohet plotësisht plani i stërvitjes, siç duhet të realizohen gjithashtu në rregull edhe fortifikimet, edhe çdo detyrë tjetër.
Kjo që ndodhi duhet të bëhet mësim dhe çdo gjë të zgjidhet me gjakftohtësi. Mehmeti na tha se i kishte hedhur në votë masat që mori dhe se të tërë ngritën duart dhe u shprehën se janë dakord me ato masa. Po rëndësi ka çështja që të analizohet mirë puna, të dalin shkaqet përse ngjanë. Në mbledhjet për këtë qëllim njerëzit të thellohen, ato të zhvillohen në qetësi se nuk është çështja për të hedhur masat në votë. Duhet punuar me mend e me shumë kujdes.
SHOKU HYSNI KAPO: Edhe dje ne biseduam me njëri-tjetrin, shoku Enver, me aq sa ishim informuar për stërvitjen e Brigadës së Parë, por ju, duke na folur sot këtu për këto probleme, na e zgjeruat edhe më shumë horizontin.
SHOKU ENVER HOXHA: Ato që duhet të na interesojnë ne, udhëheqjen, të jenë problemet e mëdha. Unë nuk kërkoj që ju të merreni me gjëra të vogla. Veç kësaj, për ngjarje serioze që vërtetohen, qoftë në ushtri ose kudo gjetkë, duhet të fshihet nga defteri shprehja “të mos shqetësojmë Enverin”.
Jo, shokë, nuk është aspak e drejtë të mendohet kështu as nga Mehmeti dhe as nga Kadriu. Në qoftë se unë nuk duhet të shqetësohem për këto probleme të mëdha, atëherë përse duhet të shqetësohem?
SHOKU HYSNI KAPO: Jo ju, shoku Enver, që s’ka diskutim, por edhe unë u kërkova parë në dijeni, të na thonë, gjithashtu, edhe ç’mendime kanë për to.
SHOKU ENVER HOXHA: Të bëhen edhe këto që thua, vetëm të them seriozisht se ti duhet të bësh kujdes që të marrësh veten. Për këto që ndodhën në Brigadën e Parë ti duhet të mos shqetësohesh shumë, sepse, si në çdo situatë, udhëheqësi duhet të jetë i qetë. Kjo që ndodhi me siguri e doemos do të rregullohet dhe s’ka dyshim që puna në ushtri do të forcohet.
Unë kam bindjen e plotë se atje nuk do të ndodhë më kështu në të ardhmen. Natyrisht, ngjarje të vogla do të vërtetohen përsëri, po të tilla dhe në këtë masë siç ndodhën në stërvitjen e këtij viti të Brigadës së Parë, këtej e tutje duhet të marrim masa që të mos na ngjasin më dhe me siguri që nuk do të na ngjasin.
Çështja është që, siç të thashë, ti tani të marrësh veten mirë, të rritësh forcat fizike dhe ta organizosh punën në mënyrë që shokët që ke në vartësi të mësohen përse duhet të të informojnë, pra për çështjet kryesore dhe të të raportojnë shkurt e qartë.
Ata vetë të përpiqen që ta vrasin më shumë mendjen në këtë drejtim dhe për këto që ndodhën të reflektojnë për të gjetur shkaqet e vërteta dhe të propozojnë ç’duhet bërë për shërimin e gjendjes jo të mirë që ekziston.
Për këtë forcat dhe mundësitë i kemi të gjitha, si nga ana materiale, po sidomos nga ana morale, politike dhe ideologjike. Vetëm se duhet menduar thellë që me gjithë atë mori njerëzish, shtabesh e oficerësh, komisarësh politikë e sekretarësh partie që kemi, të punohet mirë që t’i bëjmë të ndërgjegjshëm për të zbatuar deri në fund të gjitha detyrat.
SHOKU HYSNI KAPO: Për zbatimin e rregullave shëndetësore, që më thatë, shoku Enver, unë po bëj përpjekje dhe po mundohem t’u përmbahem si atyre, ashtu edhe porosive të tjera të herëpashershme, duke gjykuar se, derisa Partia ka bërë gjithë këto për mua, unë e kam për detyrë që t’i zbatoj ato.
SHOKU ENVER HOXHA: Këtu nuk është vetëm interesi yt personal. Tok me këtë është edhe interesi i Partisë. Janë të lidhura ngushtë të dyja këto anë, personalja me të përgjithshmen.
SHOKU HYSNI KAPO: Ashtu e kuptoj edhe unë këtë çështje, shoku Enver, prandaj po bëj përpjekje që t’u përmbahem normave mjekësore, nuk abuzoj në këtë drejtim dhe jam i vendosur t’i zbatoj ato me përpikëri. Edhe mjekët më këshilluan se, po iu përmbajta rregullave që më rekomanduan, vetvetiu do të arrij në gjendje që ta shtoj kohën e punës.
SHOKU ENVER HOXHA: Me siguri që do ta shtosh. Tash ti vetë je i ndërgjegjshëm për këtë dhe, kur njeriu është i ndërgjegjshëm që duhet zbatuar kjo apo ajo normë, mendoj që s’është më nevoja të t’i përmendim ne.
SHOKU HYSNI KAPO: Çështja tjetër që doja të vija në dukje, shoku Enver, është se vitin e kaluar kam qenë i informuar për punën që bëhet në ushtri, po në reparte personalisht nuk kam shkuar dot, veçse në raste të rralla, kur janë bërë analiza të mëdha. Tani porosinë që më dhatë ju, do ta kem mirë parasysh, në mënyrë që në disa raste të rëndësishme të shkoj në mbledhjet e Partisë në ushtri, pasi të përcaktoj më parë se për ç’qëllim duhet vajtur.
Tashti mua më preokupon një gjë, që ju e theksuat edhe në Plenumin e fundit të Komitetit Qendror dhe që duhet pasur parasysh jo vetëm nga organizatat e Partisë të terrenit, por edhe nga ato të ushtrisë: as të mos fluturojmë në eufori, por as të mos biem në pesimizëm.
Në fakt, në ushtri vihet re njëanshmëri nga kjo pikëpamje. Kam bindjen që te kuadrot ushtarakë, si në komandat, ashtu edhe në komitetet e Partisë, ekziston njëanshmëri në raportimin e çështjeve. E vërteta është se Ministrisë së Mbrojtjes Popullore çështjet, si të metat ashtu edhe arritjet, i vijnë shumë të rrumbullakosura. Për sa i përket punës këtu, në aparatin e Komitetit Qendror, me sektorin për ushtrinë, siç e kemi biseduar, instruktorët për anën ushtarake futen në shumë detaje kur dalin të meta e dobësi.
Kjo është një gjë e mirë për ata, se kështu janë në gjendje t’i njohin të metat, po tek ata me të cilët punojnë, kjo nganjëherë krijon një situatë jo të mirë. Prandaj u kam thënë që të kapen edhe pas eksperiencës pozitive. Bile mendoj që kjo duhet kapur më fort dhe më mirë. Pra ka nevojë që si instruktorët e aparatit të Komitetit Qendror, ashtu edhe punonjësit e Partisë në ushtri të përmirësojnë stilin e metodën e punës së tyre.
Nga të dhënat që na kanë sjellë instruktorët, si edhe nga ato që na vijnë nëpërmjet rrugës së komandës, del se ekziston eufori dhe prirje për zbukurimin e çështjeve. Mua kjo më ka tërhequr shumë vëmendjen dhe më merakos, se këtu kemi të bëjmë me çështje koncepti.
SHOKU ENVER HOXHA: Është sigurisht çështje koncepti, se, megjithëse thuhet që edhe në ushtri si kudo drejton Partia, punëtorët e Partisë e ndiejnë veten inferiorë përpara disa kuadrove ushtarakë dhe sidomos përpara komandantëve. Prandaj kjo gjendje medoemos duhet ndryshuar dhe të vihet në rrugën e drejtë.
SHOKU HYSNI KAPO: Nganjëherë dalin disa çështje që kanë të bëjnë me koncepte të gabuara që më kanë tërhequr vëmendjen. Unë kam thirrur për këtë qëllim zëvendësministrat e Ministrisë së Mbrojtjes, për arsye se kuadrot drejtues ushtarakë, siç janë ata atje, duke bashkëpunuar me shokët tanë të aparatit, kanë shfaqur disa mendime që ia kanë paraqitur Mehmetit, pa u konsultuar më parë me ne. Ato janë çështje që kanë të bëjnë me vendimet e Komitetit Qendror, të Byrosë Politike dhe të Këshillit të Mbrojtjes.
Për shembull, në çështjet e organizimit të ushtrisë sonë thuhet që s’ka komandant pa komisar. Kështu, krahas komandantit të batalionit, fjala vjen, duhet të ketë medoemos edhe komisar politik batalioni, krahas komandantit të shkollës së lirë duhet të ketë gjithashtu edhe komisar politik të shkollës së lirë etj.
Mirëpo, kur bëhen organikat e shkollave të lira, ose të batalioneve, kuadrot drejtues në ministri i paraqesin Mehmetit organikën në kundërshtim me këto orientime duke nxjerrë pretekstin se nuk ka kuadro komisarë.
Si është e mundur që batalionet të mos kenë në organikë komisarë, në një kohë që ka jo vetëm komandantë, shefa shtabi, shefa zbulimi, por edhe nja dy a tre të tjerë të profilit ushtarak?
Kjo shpjegon një koncept të tërë dhe këtu flasim sidomos për batalione, pa bërë fjalë për kompanitë dhe për shkollat e lira, për të cilat nuk kujtohen fare. Kur kemi komandantë në shkollat e lira, si të mos kemi komisarë? Në shkollat e lira komisarë duhet të ketë me domosdo, për arsye se në këto grumbullohet gjithë populli ynë ushtar.
SHOKU ENVER HOXHA: Mehmeti nuk duhet t’i pranojë propozime të tilla nga ana e kuadrove të ministrisë.
SHOKU HYSNI KAPO: Kuadrot drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes nuk i mbajnë mirë parasysh vendimet e Komitetit Qendror e të Byrosë Politike dhe nuk e sinjalizojnë atë rregullisht për zbatimin e tyre, a zbatohen drejt ato apo jo.
Ata e kanë për detyrë ta sinjalizojnë atë. Defektet e tyre në këtë drejtim flasin se ata kanë akoma koncepte jo të drejta. Për këto ne kemi biseduar me shokët e aparatit të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, me zëvendësministrat.
SHOKU ENVER HOXHA: Të kemi parasysh se konceptet e vjetra, shokë, nuk zhduken me tre-katër vjet. Puna që po bën Partia në ushtri këto vitet e natyrisht, ka bërë efektin e vet pozitiv, por përpara një praktike prej 30 e ca vjetësh pune në një rrugë, gjatë së cilës janë bërë vërtet ndryshime e përmirësime, na janë futur edhe koncepte jo të drejta nga sovjetikët etj., që s’ka dyshim nuk fshihen aq lehtë. Mund të bësh sa të duash referate kundër koncepteve të tilla, rëndësi ka që vetë Partia të luftojë kundër koncepteve të huaja.
Partia t’i mësojë njerëzit, t’u vërë atyre fort në dukje ato që i kanë gabim. Nuk duhet të lejohet që komandanti ta ofendojë vartësin. Atij mund t’i bëhet një vërejtje. Edhe vartësi nuk mund t’i drejtohet komandantit me fjalë jo të përshtatshme. Po kush do t’ua mësojë mënyrën e të sjellurit masës së ushtarakëve tanë? Patjetër Partia dhe këtë do ta bëjë, me qëllim që të forcohet dashuria dhe respekti reciprok midis eprorëve dhe vartësve, si tani edhe në kohë lufte. Prandaj kanë rëndësi dhe duhet të vihen në rrugë të drejtë këto çështje.
SHOKU HYSNI KAPO: Edhe një çështje tjetër që doja të vija në dukje, shoku Enver, është prapë çështje koncepti. Për drejtimin dhe funksionimin e shkollës së lirë ushtarake duhet të përgjigjen, siç thatë ju, komandat e ushtrisë, por me to duhet të merren edhe organet e Partisë në terren.
Unë mendoj se duhet të ketë një bashkëpunim të ngushtë midis ushtrisë dhe komitetit të Partisë të rrethit për çështjet e shkollave të lira ushtarake pasi ky bashkëpunim nuk është në lartësinë e duhur. Ka pasur një dallim midis disa shkollave të lira që komandën ushtarake e kishin më vete në krahasim me ato që drejtoheshin nga komandantët e batalionit të ushtrisë aktive që mbulojnë territorin ku veprojnë shkollat e lira.
Ato që e kishin komandën më vete shkonin më mirë, kurse të tjerat që i kishte në juridiksion reparti ushtarak aktiv, po nuk drejtoheshin drejtpërdrejt nga komanda e tij, nuk na shkonin mirë.
ENVER HOXHA: Këta njerëz duhet të kenë një gjë të qartë: kryesorja dhe më e rëndësishmja për ne është tërë masa e ushtrisë popullore, gjithë efektivi që inkuadrohet në shkollat e lira dhe jo vetëm ushtria aktive.
Prandaj komandanti, zëvendëskomandanti, komisari apo sekretari i komitetit të Partisë të repartit, që e kanë në lidhje Shkollën e Lirë, duhet ta kryejnë me radhë detyrën e udhëheqjes ushtarake në këtë shkollë, ata duhet të mendojnë vazhdimisht për këtë shkollë dhe të jenë të lidhur me të, duke vajtur atje herë komandanti, herë komisari, herë shefi i shtabit, të cilët me radhë do të qëndrojnë e do të drejtojnë punët në shkollën e lirë.
Kjo mënyre pune që bëhet tash, nuk është një punë e zhdërvjellët, revolucionare, nuk ka efikasitet që gjithë këtë efektiv rezervistësh ta ngrejë në një nivel të lartë politiko-ideologjik, njëkohësisht edhe ushtarak. Shumë herë kuadrot bëhen skllevër të rutinës së vjetër të punës.
E kam thënë edhe herë të tjera se puna e Partisë është një çështje me shumë rëndësi, e shumanshme dhe që nuk duron rutinë. Në qoftë se vazhdojmë me një veprimtari rutinë, nuk do të nxjerrim gjë në rrugë. Puna e Partisë duhet të jetë e zhdërvjellët, e zgjuar, e gjallë, revolucionare, ajo kërkon që mendimet të zhvillohen nëpërmjet debateve. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016