Nga Vasil Qesari
Pjesa e parë
Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e ç’gënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si:
Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit?
Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?!
Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi.
Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimëm e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes!
Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!
Vasil QESARI – ka kryer studimet e larta në fakultetin Histori – Filologji (dega Gjuhë – Letërsi). Për shumë vite ka punuar si korrespodent i Radio-Televizionit Shqiptar në Vlorë. Në janar të vitit 1997, krijoi kanalin e parë televiziv lokal, të quajtur Teleblu. Aktualisht jeton në Francë e punon si gazetar-reporter në kanalin televiziv publik francez FRANCE 3. Është anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve Profesionistë si dhe veprimtar i organizatave të njohura ‘Reporters sans frontieres’ e ‘Amnesty International’. Mbas botimit në mars 2000 nga Toena, të librit ‘44 ditët e Teleblusë’, autori paraqitet para lexuesit me librin e tij të dytë ‘Post – scriptum për diktaturën’. Në pesë vitet e fundit, Vasil Qesari, ka filluar të përkushtohet vendosmërisht dhe me pasion, duke zgjuar në ndërgjegjen dhe shpirtin e tij, pasionin e vjetër për fotografinë, duke pasur si idhull fotografin e madh francez Henri-Cartier. Bresson. Fotot e tij, të cilat në shumicën e tyre, përfaqësojnë skena rruge dhe jetën e përditshme, mbi të gjitha, tregojnë shikimin e një fotografi humanist dhe të ndjeshëm. Vasil Qesari, ka pasur ekspozita personale në Francë, Shqipëri, Tunizi, Lisbonë dhe SHBA (Nju Jork dhe Boston).
NE VEND TE PARATHËNIES
“Komunizmi ishte një sistem origjinal totalitar, i cili mbizotëronte në gjithë fushat e ekzistencës njerëzore duke deformuar çdo gjë që “prekte”, përfshirë edhe gjithë kodet e traditat që njerëzit kishin ndërtuar në shekuj. Ai infektonte në thellësi, gjithë sjelljet dhe zakonet e shoqërisë Për vite me radhë, komunizmi, instaloi në ndërgjegjen e shoqërisë “vlera”e sjellje të reja. Ai qe një sistem pervers, i cili shtypte gjithë tendencat e natyrshme të zhvillimit njerëzor, me anë të forcës, frikës e detyrimit pa kusht…”!
Vaclav HAVEL
“Le cauchemar du monde post – communiste”. 1993
Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’
Me të Keqen, pata rast të njihem indirekt qysh në adoleshencë. Ose më saktë, më herët, atëherë kur isha endé fëmijë e vazhdoja shkollën në fshatin tim, Qeparo. Lotët e gjyshes për të mos hyrë në kooperativë, arrestimi i papritur i një fqinji, shpallja kulakë e disa prej bashkëfshatarëve, cilësimi i arratisur i një djaloshi nga fisi ynë, futja në burg e babait të shoqes së ngushtë – të gjitha këto, qenë për mua fenomene e ngjarje të frikshme, të cilave nuk arrija t’u jepja dot shpjegim.
Natyrisht, në atë moshë, ishte endé herët për ta kuptuar të Keqen në thelb, në ligësinë, egërsinë, dinakërinë dhe mashtrimin e saj të madh. Më pas, me kalimin e viteve, gjithmonë e më tepër nisa të ndjej se bota që më rrethonte kish plot kontraste, pamje e sjellje të ndryshme, njëlloj sikur të qe e ndarë në dy pjesë. Nga njëra anë ishte ajo, me gjithë kompleksitetin, çuditë e të panjohurat e saj. Nga ana tjetër isha unë që me kureshtje e vëmendje, përjetoja e vëzhgoja gjithçka, duke dhenë shpjegime sipas mendjes sime.
Ishte pra, pikërisht në atë periudhë, që nisa të vras mendjen ca më tepër, për të gjykuar ngjarjet që përjetoja. Ish atëherë që, pak nga pak, po kuptoja se kisha lindur e jetoja në një vend krejt të veçantë, ku shumë gjëra bëheshin e ndodhnin ndryshe nga ç’thuhej e nga si do të dëshironin njerëzit. Ndërkohë, për fatin tim të mirë, familja jonë s’pat qenë kurrë viktimë direkte e regjimit. Falë, pjesëmarrjes në rezistencën antifashiste e qenies anëtar partie të atit tonë si edhe faktit që shtëpia e gjyshes nga ana e nenës kish qenë bazë e luftës, ne nuk patëm probleme.
Kështu që, ashtu si edhe mijëra e mijëra fëmijë të moshës sime, unë isha fillimisht, pionier i dalluar e më pas, anëtar i BRPSH– së. Me gjithë ngushticën, varfërinë e privacionet e kohës si tek të gjithë bashkëmoshatarët e mi edhe tek unë, ekzistonte entuziazmi e besimi për të ardhmen.
Aso kohe, ne ishim fare të rinj, në prag të rrugës së madhe të jetës e, natyrisht, as që e vinim në mëdyshje se e ardhmja do të ish patjetër e lumtur e që padyshim, do të na rezervonte surpriza tepër të bukura, ditë më të mira, gëzim e mirëqenie. Çdo të ndodhte vallë me ne, mbas 10 apo 20 vjetësh? Ku do të gjendeshim? Ç’punë do të bënim? Si do të qe jeta jonë? Shkolla, e dashura, e fejuara e pastaj, shoqja e përjetshme e jetës…?
Pyetje të tilla plot kureshtje, na përkundnin në ëndrra djaloshare, plot parashikime fantastike e ndjenja tepër ngazëlluese. Por, krisja e parë dhe e fortë me botën optimiste që na rrethonte, ndodhi mbas mbarimit të gjimnazit e nisjes së studimeve të mia në universitet. Ajo qe, fillimisht, një ndjenjë krejt e pakuptueshme. Një farë amalgame mërzitje e trishtimi së cilës, pastaj, shumë shpejt iu shtuan edhe nota të tjera zhgënjimi, qejf mbetje, inati e, pse jo, edhe proteste ndaj vetë ekzistencës sime.
Më pas, me kalimin e viteve, hendeku me realitetin u bë edhe më i thellë. Por, duhet thënë se, natyra e kundërshtimit ndaj tij, ashtu si edhe për shumë e shumë shokë e miq të mi, nuk qe as protestë e hapur e as hyrje në konflikt me regjimin, por thjesht një lloj rezistence e heshtur gjë e cila, dalëngadalë e detyrueshëm, na çoi drejt një dyzimi të sforcuar të personalitetit, pra, bërjes me dy – fytyra. Qe pikërisht, gjatë asaj kohe që, ne njohëm mirë, qartë e direkt, fytyrën e egër të së Keqes.
Ajo ishte aty, përherë midis nesh.
E prekshme, autoritare, imponuese e brutale.
Me terrorin e përditshëm psikologjik. Me luftën e klasave, tabutë e gjërat e ndaluara, me kërcënime për arrestime e internime. Me mospërputhjen hipokrite mes sloganeve që dëgjonim nga përfaqësuesit e Partisë, e vetë jetës sonë në përgjithësi. Mes kontrastit të privilegjeve të nomenklaturës dhe varfërisë së njerëzve. Mes hipokrizisë, gënjeshtrave, falsitetit të fjalimeve e parullave zyrtare të cilat himnizonin lirinë, drejtësinë e begatinë e realitetit të zymtë e pa shpresë që përjetonim për ditë.
Megjithatë, edhe pse mes një mjedisi të tillë dekurajues e asfiksues, një pjesë e mirë e njerëzve rezistonin e ruanin shumë cilësi të mrekullueshme. Mungesën e një jete publike normale e te lirshme, ata e zëvendësonin me jetën e tyre të pakët private, aty ku edhe kontrolli i diktaturës e kish të vështirë të hynte.
Miqësitë, dashuritë, festat e vizitat familjare, pushimet në plazh, leximet, radiot dhe kanalet e huaja televizive, ëndërrta e iluzionet e moshës së re, pasionet e kufizuara intelektuale, artistike e sportive – të gjitha këto, arritën të mbushnin sado pak boshllëkun brengosës e erozionin shpërfytyrues të realitetit totalitar. Qenë pikërisht ato, të vetmet privilegje, të cilat bënin të mundur deri diku, sigurimin e një farë mbijetese, për të mos humbur krejtësisht.
Që të bëje më tepër, ishte tragjikisht e pamundur !
Sepse, të kyçur në darën e jetës së kontrolluar krejtësisht nga Partia, të trembur e të mbyllur, njerëzit e kishin humbur përfundimisht shpresën për një jetë tjetër. Megjithatë, ata që ndofta, bënin pjesë në radhët e optimistëve, nuk u dorëzuan gjer në fund. E, jo për shkak se shpresonin në një përmbysje të shpejtë të sistemit, por sepse besonin që në mos një ditë, një herë, Liria do të vinte.
Kur…?
Atë, askush, s’e dinte!
Pa dyshim, Lirinë, do ta gëzonin vetëm brezat e ardhshëm. Por, në fund të fundit, edhe ky, qe një ngushëllim i madh. Në një kthinë të vogël e të ftohtë të shtëpisë së tij, miku e shoku im i fëmijërisë, Sotir Koçi. në bisedë e sipër, me zë të ulët e të dridhët, shpesh më pyeste: Gjer kur do ekzistojë ky regjim ? Kështu, do shkojë jeta jonë, gjer në vdekje?!
Pyetjeve të tilla, qe e pamundur t’i u jepje përgjigje! Për fatin tonë të keq e tepër tragjik, ne mendonim e bile ishim të bindur se, një gjë ishte absolutisht e sigurt. Që, edhe po qe se një herë sistemi do të binte, ne s’do bënim absolutisht pjesë në atë gjeneratë fatlumësh që do ta përjetonte atë ngjarje. Por, në jetën e tij, njeriu, asnjëherë nuk duhet të thotë: Kjo s’bëhet apo, s’do të ndodhë kurrë !…
Koha tregoi se, parashikimi ynë qe i gabuar!
Dhjetë vjet pas asaj bisede, lumturisht e fatmirësisht, ne qemë endé gjallë dhe arritëm të bëheshim dëshmitarë të asaj të cilën e konsideronim krejtësisht të pa imagjinueshme. Të përmbysjes së Ngrehinës së Stërmadhe Totalitare, e cila do të linte pas, jo vetëm klithma ekstaze e lumturie, ëndrra, shpresa e mirazhe të pafund, por njëkohësisht edhe tragjedi, dhembje, plagë, viktima, pluhur, kurthe, llumra, mllefe, urrejtje e përçarje, pasoja që do t’i paguanim shumë më shtrenjtë nga sa e pandehnim.
Ndërkohë, çuditërisht, në planin personal, mbas përjetimit haluçinant të asaj Dite të Madhe, fati i vlerësimit të botëkuptimit e mendimeve të mia kontestuese ndaj regjimit, u shoqëruan me plot paradokse.
Ndërkohë që gjatë periudhës totalitare, nga autoritetet dhe levat e tij, isha cilësuar vazhdimisht si element i djathtë, (në kuptimin e pasjes së lakrave në kokë, anti-konformizmit, ndikimeve të kulturës perëndimore, shoqërive me persona të deklasuar, shprehjes së ideve të lira e dëshirës për të shikuar përtej horizontit), gjatë instalimit të rendit të ri demokratik, grupe partiakësh të rinj më akuzuan se i kisha shërbyer regjimit të vjetër, se ruaja e mbroja ide kripto-komuniste e bile, me keq akoma, se kisha qenë agjent i shërbimeve të huaja sekrete.
Kur, fill mbas kaosit tragjik të vitit 1997 nisa egzilin tim në Francë duke filluar kështu me zemër të plasur një jetë tjetër të dytë, ngjarjet e kujtimet rreth përjetimit të dikurshëm të së Keqes, morën një tjetër shtesë emocionale. Por, ndryshe nga më parë, refleksionet, brengat, mendimet e kthimet mbrapa në të kaluarën, u bënë më racionale e shumë më të qeta; pra, larg mllefeve, ngacmimeve e pasioneve të rrugës shqiptare.
Dhe, ish pikërisht në ato rrethana që, çuditërisht, më hypi dëshira të analizoja qetësisht e më me ngé epokën, kohën, fenomenet dhe ngjarjet e periudhës totalitare, shoqëruar me ndjenjën e shikimit prej historiani si edhe me zellin e një analisti të shkencave sociale e politike.
Ishte pra, për herë të parë që po i vija vetes qëllimin modest, por edhe tepër serioz e këmbëngulës, jo vetëm për të treguar apo dëshmuar, por edhe për të analizuar atë që kish ndodhur në vendin tonë. Pra, me dëshirën për të shtuar një post-scriptum, në emrin tim e të miqve të mi, rreth jetës e shoqërisë totalitare si edhe mbi fatin tragjik të gjithë atyre që e përjetuan atë.
Por, ndërkohë, shkrimi i një libri mbi diktaturën, sipas meje, nuk do të ishte hartimi i një vepre të mirëfilltë historike apo filozofike e cila, do të pretendonte të analizonte në thellësi e në të gjithë aspektet, fenomenin kompleks të totalitarizmit shqiptar.
Për shumë arsye një ndërmarrje e tillë, do të ish një ngarkesë e papërballueshme për mua. Por, puna, angazhimi, kërkimet e gjykimet e mia, do të kishin për objektiv diçka tjetër. Realizimin e një libri të natyrës esse-dokument, i cili do përpiqej të pasqyronte, sa më realisht e me objektivitet, ngjarje, fenomene, situata e konstatime të ndodhura veçanërisht gjatë harkut kohor 1970-1990.
Pra, libri në fjalë do të ish, në qoftë se do të shpreheshim në mënyrë figurative, një lloj dëshire e pse jo edhe një sprovë e re e “ri përjetimit” të përvojës totalitare:
…e cila, po qe se do të analizohej e paraqitej mirë, mund të ish e dobishme e të merrej prej secilit si diçka serioze. E, kjo, para së gjithash, jo vetëm për faktin se sistemet totalitare tentojnë gjithmonë të rishfaqen, por edhe thjesht në emër të afirmimit të një rendi më të cilivizuar.
Përveç kësaj, pikësynimi im ish që ky libër, në tërësinë e vet të mos përbente thjesht një mozaik rrëfimesh e kujtimesh, por të qe një tentativë, sprovë e përpjekje për t’i u përgjigjur pyetjeve të tilla themelore, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të diktaturës? Pse kish ndodhur ? Si kish qenë e mundur? Ku mbështetej logjika totalitare e procesit diabolik të tjetërsimit të individit dhe shoqërisë ? Si u zbatua ajo ? etj.
(Përgjigjet që kanë mbizotëruar gjer tani rreth këtyre pyetjeve, në më të shumtën e rasteve, mendoj se kanë qenë më tepër të natyrës mediatike, të mbështetura shpesh mbi pozicionime partiake si edhe mbi qëndrime e gjykime të çastit, të shoqëruara shpesh herë me shumë ngarkesa emfatike, patetike e voluntariste).
Gjatë punës për shkrimin e librit, rastësisht, më lindi ndërkohë edhe ideja që, krahas kërkimeve e refleksioneve rreth pyetjeve që parashtrova më lart, të pasqyroja në të edhe të dhëna, fakte, kujtime e interpretime që, autorë të ndryshëm francezë kanë publikuar rreth Shqipërisë së asaj epoke. Kështu, duke gërmuar nëpër librari, biblioteka, dyqane, panaire e tezga bukinistësh, vura ré se fenomeni origjinal i komunizmit enverist shqiptar, qe trajtuar nga autorë të tillë si: G.Castellan, E.Guinard, T. Schreiber, E&J. P. Champseix, J. Bertolino, N. Martin, G. Jandot etj.
Ndërkohë, duke lexuar e shfletuar një varg librash nga autorë të tjerë, të korrenteve e opinioneve të ndryshme politike e filozofike, munda të mësoj shumë më tepër nga ç’dija, veçanërisht rreth historisë, konceptimit dhe funksionimit të strukturave e mekanizmave totalitare, organizimit të tyre, rolit të masave e individit, propagandës, policisë sekrete si edhe zbatimit të ideologjisë e praktikës së terrorit.
Elementë, të cilët më ndihmuan shumë për të pasur një vështrim sa më objektiv, racional, të thellë e bashkëkohor rreth të kaluarës sonë totalitare, si edhe rreth gjithë asaj çka ndodhi në Shqipëri, gjatë pesë dekadave të fundit të mijëvjeçarit që sapo kaloi.
Trembëdhjetë vjet pas rënies së komunizmit në vendet e Lindjes, si edhe përmbysjes së regjimit ekstrem stalinist në Shqipëri shpresoj se, një libër i tillë do të ketë vlera aktuale e do konsiderohet i dobishëm prej lexuesit.
Sepse, siç ka thënë një studiues shqiptar: … e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik, është i detyruar të jetë neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhimbshme…!
I – ARDHJA E ANTI – KRISHTIT
“Terror, spastrime, ekzekutime në masë…! Pothuajse për një gjysmë shekulli, në zemrën e kontinentit europian e në sekretin më të madh, e izoluar dhe e shkëputur nga bota, Shqipëria i’u nënshtrua marrëzisë megalomane të prijësit dhe zotit të saj të plotfuqishëm Enver Hoxhës, nun dhe patriark i komunizmit integral …”! Thomas SCHREIBER “Enver Hoxha – Le sultan rouge”. 1994 /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016