Nga Uvil Zajmi
Pjesa e dytë
Memorie.al / Ndërsa përgatitet fillimi i sezonit 1965-1966, me shpresën e sistemimit definitiv të tij te ekipi i “Partizani”-t në përfundim të shërbimit ushtarak, pasi kishte shënuar 15 gola në kampionatin e vitit 1965-‘66, shpërthen ‘Revolucioni Kultural Proletar Kinez’, pasojat e të cilit përfshinë edhe Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës. Filloi kështu një fushatë spastrimi, e cila godet sportistë e artistë, ndër ta edhe disa nga të “Partizani”-t me Mexhit Haxhiun në krye, që edhe pse përpjekjet e ushtarakëve madhore, gjeneralëve Beqir Balluku e Petrit Dume, dy krerëve kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, admirues të tij, ishin të mëdha, nuk mundën ta ndalonin largimin nga kryeqyteti…!
Sidoqoftë, në një banket lamtumire, në shtatorin e 1966-ës, gjeneral-leitnant Petrit Dume me vajzën Besa, e kanë falënderuar për kontributin e tij te ky Klub. Të nesërmen, Rustem Peçi, ushtarak i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes, e përcolli deri tek treni dhe i trishtuar i thotë: “Do shkosh në Vlorë, mundohu të sistemosh nënën e motrën tek të afërmit tuaj, ndërsa futboll nuk do të luash…”!
Sa i vështirë rikthimi në Vlorë?!
Mexhit Haxhiu rikthehet në Vlorë, ndërsa skuadra e vendlindjes së tij i shpëton rënies nga kategoria. Bëhet fjalë për sezonin 1965-1966. Kishte shumë interes për Haxhiun nga tifozeria, skuadra e trajnerët. Por rifillimi ishte i vështirë. Ndeshja me “Labinotin” e Elbasanit ishte ajo që startoi kampionatin 1966-1967, kur para takimit, papritur i thonë se nuk do të luajë, madje të nesërmen, nuk e lejojnë as në stërvitje dhe njoftimin e merr nga punonjësi i stadiumit, duke lënë topin për t’u futur me kokë ulur në dhomat e zhveshjes në sy të tifozëve…! Nuk e lejojnë të aktivizohet as në kampionatin lokal me ndërmarrjet apo siç njiheshin në atë kohë “Kampionatet e futbollit të klasës punëtore”, duke e dërguar në zbor në fshatin Shashicë, për të prashitur patate.
Sigurimi i Shtetit me njerëzit e tij kishte përhapur alibinë se: ai (Mexhiti), kishte takuar babanë në Gjermaninë Perëndimore, (ndërkohë që ai nuk kishte qenë asnjëherë atje) dhe se i ati i Mexhit Haxhiut (i larguar nga Shqipëria që në vitin 1944), është agjent, flet te “Zëri i Amerikës”, prandaj nuk e çojnë të birin jashtë shtetit. Dhe urdhri për të ishte: “Të mos luajë me asnjë klub të kryeqytetit dhe asnjë klub ushtarak; të mos luajë në ndeshje ndërkombëtare, ose të luajë vetëm në Shqipëri”! Pas një viti jashtë fushave të futbollit, me shumë mundime Mexhiti kishte takuar ministrin e Mbrojtjes, Beqir Ballukun, i cili, i informuar për situatën e tij, kërkoi rikthimin e Mexhit Haxhiut në futboll, por pa të drejtën për të luajtur me kombëtaren.
Kampionati fillon në mars të 1968-ës, skuadra e “Flamurtari”-t ka trajner Stavri Lubonjën që zëvendësohet nga Hasan Luçi, zhvillon disa miqësore, luan në Kupën e Republikës me Haxhiun protagonist, bashkë me Zilen, Thomain, Seferajn, Xhaferri, Saraçi etj. Realizon gola në lojë, me penallti, nga goditjet e lira, etj. “Flamurtari” luan dy takimet e para me “17 Nëntorin” e Tiranës në Vlorë e me “Dinamo”-n në Tiranë, por golat e Haxhiut nuk mjaftojnë të shmangin humbjet. Pastaj fitoret me “Labinoti”-n, e Elbasanit, humbje me “Partizani”-n, fitore me “Luftëtari”-n e Gjirokastrës, që kthejnë qetësinë në ekip dhe gjithë tifozerinë e zjarrtë të qytetit bregdetar!
Qershori i paharruar i ’68-ës
Ka qenë qershori i 1968-ës e në prag të takimit me “Traktorin” e Lushnjes në Vlorë, Mexhit Haxhiu goditet nga tri fatkeqësi: në harkun e pak ditëve, humbet gjyshen që e kishte rritur, kunatën dhe Zeqirin, shokun e ngushtë në skuadër. Një orë e ndante varrimin e shokut të tyre me ndeshjen, që me urdhër partie, gjithsesi duhej të zhvillohej…! I trishtuar dhe duke parë gjendjen e rënduar të tij, trajneri nuk e aktivizon në lojë. Por në pjesën e dytë, i ka kërkuar të luajë dhe në harkun e pak minutave, pas një harkimi nga këndi me kokë, ka shënuar golin e pare, duke i’a dedikuar Gëzim Zeqirit.
Ndërkohë që ai muaj do t’i rezervonte Haxhiut edhe një moment të gëzuar: më 16 qershor është martuar me Bardhën, ish-volejbolliste dhe notare e ekipit “Flamurtari”, por pikërisht atë të diel, do të luhet ndeshja kundër “Tomorrit” të Beratit në Vlorë. Sërish gol, fitore 2-0 dhe me krushqit tifozët në stadium, me shpejtësi pastaj drejt e në darkën e dasmës.
Mexhiti kujton se si dhëndër, ka veshur një kostum të dhuruar nga Petrit Dumja, (Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes), që e ka dashur pa masë. Pastaj muaji i mjaltit në qytetin e bukur liqenor të Pogradecit, ndeshja kundër “Yllit të Kuq”, fitore 1-0 me gol të V. Gjokës dhe fundi i kampionatit, që i jep vendin e 6-të “Flamurtari”-t, ku spikat rendimenti i Haxhiut, si gjithmonë protagonist e sistematik, autor i 16 golave në total.
Jo gol ndaj “Dinamo”-s…!
Gjithmonë një zë i brendshëm e ka këshilluar Merxhit Haxhiun që të “mos i bëj gol “Dinamo”-s e “Partizani”-t, se ndryshe do të revoltohen gjeneralët dhe oficerët”. Presioni ndaj skuadrave të Ministrive, sidomos ndaj “Dinamo”-s kur luante në Vlorë, ka qenë tejet kërcënues. Para një sfide të tillë, një hetues, oficer i Degës së Brendshme të qytetit, futet në dhomën e zhveshjes, me zë të ashpër e urdhërues, i thotë që të mos impenjohet kundër “Dinamo”-s. “Tronditjen time e vuri re trajneri Petrit Arapi, i cili u ankua te Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, i cili e detyroi personin në fjalë, të më kërkonte falje. Por ata kishin qenë më parë në shtëpinë time, duke kërcënuar gruan që unë të mos luaja”, kujton Haxhiu.
Grumbullimi me “17 Nëntorin” e Tiranës
Ndonëse nuk e lejonin të shkonte as në Kosovë, në prag të takimit “17 Nëntori”- Standaar-Liezh i Belgjikës në vjeshtën 1969-ës, Rexhep Doda, drejtues i lartë i sporteve, kërkoi shërbimin e tij te skuadra tiranase. Pas kësaj ai grumbullohet në hotel “Donika”, por disa orë më vonë, trajneri Lym Alla, e njofton se një anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, e ka refuzuar aktivizimin e tij me “17 Nëntorin”.
E njëjta situatë edhe në takimin “Besa” – “Hibernians” e Skocisë, luajtur në Durrës në vitin 1972, për Kupën e Kupave të Europës, kur klubi kavajas e merr për përforcim. U aktivizua vetëm në pjesën e dytë, duke dhënë edhe pasimin asist për Bujar Pagrinë, që barazoi rezultatin. “Ishte urdhri i Rita Markos, i pranishëm në stadium, që të aktivizohesha”, rrëfen Mexhiti për atë ndeshje.
Largimi nga futbolli, pa ceremoni…!
Ndonëse me një karrierë të pasur, shënues i 166 golave me fanellat e “Flamurtari”-t, “Partizani”-t kampion në sezonin 1963-1964, vendi i dytë në 1964-’65 dhe ’65-’66-të, lojtar i kombëtares, në vitin 1976, është ndarë me futbollin e luajtur për 16 vite (1960-1976), pas një dëmtimi dhe 33 vjeç, por asnjë ceremoni lamtumire dhe e ka peng edhe sot që nuk ia dorëzoi fanellën një të riu, apo asnjëherë të shkelmonte topin nga qendra në një fillim kampionati.
Pastaj karriera si trajner, duke i’u kushtuar përgatitjes së talenteve të reja te “Flamurtari”, trajner i Ekipit Kombëtar U-16, Kryeseleksioner i Ekipeve Kombëtare të moshave, trajner me “Flamurtari”-n e “Bylis”-in, Drejtor Teknik në Federatës Shqiptare të Futbollit, lektor i kurseve të UEFA-s, i diplomuar në ILKF, (Instituti i Lartë i Kulturës Fizike “Vojo Kushi”), pedagog në Universitetin Ushtarak “Skënderbeg”, mësues i Edukimit Fizik në shkollën “Dijetari”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Mjeshtër i Madh”, e mjaft titujt të tjerë honorifikë. Nga puna e tij sistematike, kanë dalë shumë futbollistë, talente, protagonistë e titullarë të “Flamurtari”-t e Kombëtares.
Çfarë bën sot Mexhit Haxhiu?
Është në pension dhe pas një dhjetëvjeçari me lëvizje, jeton në Vlorë, Itakën e tij, pasi ashtu e ka konsideruar qytetin ku lindi dhe kaloi pjesën më të madhe të jetës. Ka bërë dhe bën një jetë të rregullt, shumë familjar, kurrë abuzime me duhan e pije. Jo aktivitet politik, shëtit buzë detit, pastaj në shtëpi me nipër dhe mbesa, në stadium kur ka ndeshje dhe në dhomën-studio, ku vazhdon të lexojë e studiojë. Vitin e kaluar botoi librin autobiografik “Kartoni i Kuq…”.
Vetëm disa muaj më parë, pikërisht më 3 janar, ka festuar datëlindjen, atë të vitit 1943, pasi në zyrat e Gjendjes Civile figuron se ka lindur në dhjetorin e 1945-ës. Është nga të paktit që fëmijët, dy djemtë (Sajmir dhe Gerdi) vijuan traditën, madje me klubet që vetë ai ka qenë protagonist si lojtar e trajner, nga “Flamurtari”, “Partizani”, “Bylis” e “Apolonia”, ku Mexhiti si Drejtor Teknik, me Gerdin trajner. Kujton të gjithë ata që e kanë mbështetur e që nuk e kanë braktisur, ndër të cilët oficerë, gjeneralë, futbollistë, trajnerë, etj., duke mos harruar kurrë Rustem Peçin, që e konsideron si një vëlla të madh.
Futbollistë e drejtues të “Partizani”-t, Robert Jasharin me të cilin flinte në dhomë, Miço Ndinin, Lin Shllakun, Rrem Karriqin, Rragamin, Mikel Jankun, Saba Bizin, Panajot Panon, të gjithë pa përjashtim. Pastaj trajnerët, Loro Boriçi, Xhep Spahiu, Isuf Pelingu, Zyber Konçi, Bejkush Birçen dhe Refik Resmen, sidomos kur i pati thënë në një moment delikat të jetës: “Unë për ty varem në mes të Tiranës”, kujton Mexhiti. Por edhe Agim Fagun, Dodan Përmetin, Besnik Pëllumbin, kur luante basketboll me ta.
Dhe vlonjatët, “Flamurtari”-n e tij, nga trajnerët Miço Ndini, Isuf Pelinku, Petrit Arapi, Hasan Luçi, M. Ferkon, S. Gjoka, te futbollistët me të cilët luajti, përkrahjen e tifozëve ato të lagjes Skelë, miqtë Saqe dhe Musa, kur i kërkuan me forcë partisë-shtet, aktivizimin e tij te “Flamurtari” apo studentët vlonjatë që në Stadiumin “Qemal Stafa”, dilnin me banderolën “Mexhit, Pele i bardhë”, pa harruar Zybin, berberin, këpucarin Dhori e oficerin Sabri, që i dhuronte këpucët e futbollit në mbarim të kampionatit. Bashkë me klube e dashamirës të qyteteve, ku veçon Shkodrën, miqtë Ramazan Rragami e Sabah Bizi, ndonëse rivalë, e kanë mirëpritur gjithmonë.
Asnjëherë polemizues, shumë i sjellshëm dhe i edukuar në lojë, sidomos në marrëdhëniet me arbritrat. Ka pasur pasion muzikën dhe ka pëlqyer këngëtarin Sherif Merdani, futbollistin tiranas Skënder Halili, vlerëson miqësitë me Fatmir Frashërin, sportistë Fatmir Telegrafin, V. Xhindollin, Adem Samblin, Muharrem Karriqin, Teodor Vason, volejbollistin Zhan Bonati etj. Ruan me kujdes gjithçka, në veçanti fotot, si të vetme dëshmi dhe kujtime të jetës sportive që ka në arkivin e tij, fanellën me numër 10 të “Flamurtari”-t dhe atë me numër 9, të “Partizani”-t.
Kujton termusin me çaj të nxehtë, çantën me bazën materiale ku nuk i mungonin dy palë këpucë, kutia e bojës, furça, nga dy palë çorape, getat, të mbathurat, fanella, peshqiri deri te pincat për takat, vrapimet në mëngjes ende pa zbardhur në fushën e aviacionit dhe nga Uji i Ftohtë te Kampi i Punëtorëve. Kujton orët e zgjatura në stërvitje dhe krevatin me kashtë të shtëpisë së tij, ku shtrihej pas stërvitjes…!
Historia me babanë, si e takoi pas 47 viteve
Mexhit Haxhiu e konsideron jetën e tij si aventurat e Odisesë, gjatë kthimit për në Itakë. Nga fëmijëria, vështirësitë e mëdha ekonomike, te brenga dhe jeta e babait (Dalipit) të mërguar, të cilin nuk e takoi për shumë dekada. “Rritesha e zgjatesha, por hija e biografisë paralele të babait tim, zgjatej akoma e më mbulonte të tërin. Pata rastin dhe e njoha pas dyzet e shtatë vitesh, kur ai jetonte i vetëm, i harruar, i sëmurë, i plakur. Jetë azili diku në Francë, kaq dija për të para se ta shihja për herë të parë pas viteve ’90-të, me shembjen e regjimit komunist…”.
Biografia…!
Ndonëse me traditë dhe kontribut të madh për historinë kombëtare jo vetëm të Vlorës, por edhe të Shqipërisë, emri i patriotit Osman Haxhiu, kryetar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare të Luftës së Vlorës më 1920-ën, nuk do t’i shërbente në jetë familjes Haxhiu. Nga dita që i ati, Dalip, i arratisur në ditët e fundit të vitit 1944 nga Shkodra për në Mal të Zi, me xhaxhanë, vëllanë e të afërm si antikomunistë dhe përfaqësues së Legalitetit, me shpresën se sistemi që po instalohej në Shqipëri nuk do të zgjaste shumë, jeta e Dalip Haxhiut do të përshkohej nga sakrifica, vuajtje, mall i një refugjati në vetmi, pasi nuk u martua më dhe për më shumë se gjysmë shekulli, as familjen nuk e pa. Kur iku, la në Vlorë gruan dhe tre fëmijët, Pëllumbeshën 2 vjeç, Mexhitin 1 vjeç dhe Napolonin disa muajsh, që do të goditeshin sistematikisht nga lufta e ashpër e klasave gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës e pasardhësit të tij, Ramiz Alisë.
Nga Rexhio-Emilia, në Stamboll…!
Pasi qëndroi katër vitet e para në Rexhio Emilia-Itali, një pjesë të rëndësishme të emigrimit, i ati i Mexhit Haxhiut, Dalipi, e ka kaluar në Turqi, duke u transferuar atje edhe për shkak të formimin fetar që kishin të afërmit me të cilët u largua, duke jetuar për shumë vite në Ankara. Ish-nxënës i Liceut Artistik të Korçës, frëngjisht-folës dhe me preferenca e bindje perëndimore (pro-franceze), ka një fillim të vështirë: Ai punon në ambasadën franceze, ku shërbente si përkthyes, por edhe si shofer i ambasadorit, që në përfundim të mandatit të tij e merr me vete në Francë dhe pas dhjetë vitesh në Ankara, Dalipi transferohet në Paris, ku fillon një tjetër jetë, ndërkohë që asnjë komunikim me familjen, fëmijët, me askënd në Shqipëri…!
Në Paris deri në vitet ’70-të si shofer, asnjë aktivitet politik pasi i kishin humbur të gjitha shpresat. Me interesimin e vëllait të tij, që i përgatiti dokumentet i ndihmuar nga disa vlonjatë, largohet për Amerikë, ku jeton në Filadelfia, por pa asnjë korrespondencë me Shqipërinë. E njëjta situatë, asnjë tentativë e familjarëve për t’u lidhur me të, duke mos ditur as edhe ku ndodhej, pasi kishte humbur gjurmët për shumë dekada.
Komunikimi i ndaluar…!
“Lidhur me situatën tonë, babai mësoi kur ishte në kampin e azilantëve politikë në Rexhio-Emilia, nga disa italianë që u riatdhesuan. Ata i qepën letrat në astarët e kostumeve që të mos ia zbulonin, pastaj një kontakt i shkurtër, për t’u ndarë përfundimisht, pasi një lidhje e tillë u censurua”, rrëfen Mexhiti. Vetëm në vitin 1959, familja Haxhiu merr letrën e parë dhe një pako ndihmë që i vjen nga “të afërm” kurbetlinj. Rreth viteve ’70-të, vjen njoftimi se për familjen Haxhiu, kanë ardhur disa të holla, por që nuk mund të merren, pasi ata që i kanë dërguar, janë të arratisur politikë, por me kërkesë të nënës lidhur me situatën ekonomike, i jepen disa, ishin rreth 50 dollarë.
Deri në fund të viteve ’80-të, asnjë komunikim. “Informacioni i parë se ku ndodhej ai, u bë shkas nga një e afërme e jona që kishte krijuar korrespondencë me të afërm të saj që jetonin në Kanada, të cilët i treguan për babanë, që ishte njëkohësisht edhe daja e saj. Babai kishte 2-3 vite që qëndronte në Kanada, i sëmurë te miqtë e tij. Më pas, një bisedë telefonike nga kabina e postës, mundëm të komunikonim”, tregon Mexhiti. Jemi në fund të viteve ’80-të, kur nuk është më ajo censurë e egër e tre dekadave të shkuara.
Takimi i munguar…!
Në ditët e fundit të marsit të vitit 1991, i përfshirë në stafin drejtues me skuadrën kombëtare, Mexhit Haxhiu udhëton në Paris për takimin Francë-Shqipëri (EURO 1992). Është ndeshja që kujtohet edhe për eksodin e madh të futbollistëve, fillimisht nga Ibro, Kaçaçi e Leskaj, për të vijuar me Sukajn, Kepajn, Vatën dhe Gjergjin, menjëherë pas sfidës. Në aeroportin “Charl de Gol” të Parisit, Mexhitit i kishte dalë i ati për ta pritur.
“Por avioni i nisur një ditë e vonesë nga Gjeneva nuk mbërriti në kohë dhe pasi ka pritur deri në mesnatë, i sëmurë u detyrua të largohej”, i ka shpjeguar Mexhitit, Viktor Synet, kryeredaktori i “L’ Equipe” që shoqëronte skuadrën shqiptare. “Ndërsa të gjithë e kishin mendjen dhe ishin të përqendruar te ndeshja që donte edhe pak orë të fillonte në ‘Park de Prince’, unë isha fiksuar në një takim, atë me babanë. Emocione të mëdha, pasi do ta takoja për herë të parë në jetën time, pas 47 vitesh. Ai erdhi, u takuam dhe u nisa me të për në Versajë, pasi ishte larguar nga Kanadaja dhe banonte në një azil. Qëndruam një javë bashkë. Fliste shqip shumë mirë, kishte mall të jashtëzakonshëm. Pastaj u ndamë”, kujton Mexhiti.
Bashkimi familjar, por jeton pak kohë
Në Shqipëri, i ati nuk erdhi menjëherë, pasi ishte në mëdyshje dhe nuk kishte besim për ndryshime të sistemit. Por, pasi u sigurua pas takimit me Mexhitin, komunikimeve në vazhdim, pas një viti vendosi të vinte. Si qytetar francez, në Rinas vjen në shtatorin e vitit 1992, ku u prit nga familja Haxhiu, duke u sistemuar në shtëpinë e Mexhitit. Por nuk jetoi shumë, vetëm 14 muaj pas rikthimit, u nda nga jeta në dhjetorin e vitit 1993, në moshën 73-vjeçare. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016