Nga Aldo Renato Terrusi
Pjesa e dhjetë
RIKTHIMI
Memorie.al / Aeroporti i Fiumiçinos. Avioni ‘MD 80’ i Alitalias është gati për fluturim. Është e shtunë, 6 nëntor 1993. Ora 11.25. Komandanti mori miratimin. Stjuardesat na kujtojnë dhe një here të lidhim rripin e sigurimit. Dy motorët çohen në fuqinë maksimale, ndërsa zhurma bëhet e mbytur dhe shurdhuese. Butonat dhe komandat provohen për të fundit herë sipas procedurave të fluturimit, lëshohen frenat, fillon lëvizja gjithë e më e shpejtë, përshpejtimi i përplas pasagjerët pas shpinores, avioni ngrihet në fluturim. Ndjej të më ngrejë një forcë e padukshme që më lë si të pezullt në zbrazëti. Hedh sytë përreth për të parë nëse dhe pasagjerët e tjerë kanë të njëjtën ndjesi si unë. Ca lexojnë, ca shohin jashtë nga dritarja, ca janë shpërfillës, ca mezi rrinë të qetë dhe ca, të ngrirë në ndenjëse, lënë të ndër duken frikërat e veta. Me një ndërrim drejtimi të gjerë, avioni ngrihet në lartësi dhe drejtohet drejt radio farit të Barit, për të mësyrë pastaj drejt e në Tiranë, në vendmbërritjen tonë.
Banka e Vlorës u mbyll dhe patrullohej, ndërsa familjet e nëpunësve u degdisën në Llakatund, një fshat pak kilometra në veri të Vlorës. Më pas, Xhuzepe u lirua dhe banka filloi sërish punën, por nën mbikëqyrjen e rreptë të gjermanëve.
Petriti na thotë se banakët, tryezat dhe karriget janë po ato të kohës italiane. Ngjitemi në katin e sipërm ku, shumë vite më parë, banonte familja ime. Edhe pse ishin pikërisht të njëjtat dhe i kishin përdorur, me të njëjtat dysheme dhe madje të njëjtat mobilie, dhomat tashmë i kishin shndërruar në zyra.
Hyjmë në sallonin kryesor në qendër të apartamentit, nga dritarja e madhe shihet sheshi i shatërvanit, pastaj dalim në tarracë, dëshmitare e shumë ngjarjeve e peripecive.
Ishte një periudhë shumë e trishtueshme për Shqipërinë: nga njëra anë Lëvizja Nacionalçlirimtare e Enver Hoxhës, ishte vënë kundër Qeverisë në ngarkim të Zogut, nga ana tjetër pjesëtarët e “Ballit Kombëtar”, mbështesnin Zogun duke bashkëpunuar me italianët. Duke marrë pastaj parasysh që në atë territor përballeshin mes vedi edhe trupa italiane, angleze dhe gjermane dhe në kufirin shqiptar ishin grumbulluar trupa të çrregullta jugosllave dhe greke, gjendja e krijuar ishte pak me thënë kaotike. Në 20 shtator 1944, Xhuzepe kishte shkuar në Tiranë për një mbledhje me drejtorët e bankave italiane: duhej të vendosej qëndrimi që do të mbahej në situatën e re të konfliktit të ashpër mes forcave të partizanëve shqiptarë dhe kontingjentit gjerman, që ende kontrollonin Vlorën.
Ishte natë dhe Aurelia, gjithmonë në ankth, flinte në dhomën e saj të gjumit në katin e parë të bankës. Kamerierja dhe kuzhinierja, flinin në anën kundruall të banesës. Aurelia dëgjoi Kri Krinë, qenin e bardhë volpino të saj, që po lehte nga ana e shtëpisë përballë oborrit të brendshëm të bankës. Dëgjoi hapat e dikujt mbi tarracë dhe filloi të ulërinte, duke zgjuar edhe shërbyeset, të cilat vrapuan te ajo menjëherë. Arritën të shihnin vetëm hijen bishtnuese të dikujt që po zhdukej, ndërsa kapërcente murin rrethues. Euxhenia, e cila flinte ngjitur me dhomën e Aurelias, as që ndjeu gjë.
Mëngjesin tjetër u zbulua që deriçka e pasme e bankës ishte hapur me dhunë, por nuk ishte vjedhur asgjë. Ai që e pësoi më keq qe Tu Tuja, maçoku angora që ishte goditur me thikë, shtrirë në dysheme, që mjaullinte mekshëm; vetëm kujdesi dashuror i Aurelias, arriti ta shpëtonte. Partizanët shqiptarë po fillonin të bënin presion mbi italianët. Pak ditë më vonë, ndërsa jashtë bëhej mugëtirë, Aurelia po rregullonte rrobat e të sapolindurit. Ishte vetëm, i shoqi kishte shkuar në Konsullatën italiane që s’ndodhej larg, shërbyeset kishin dalë për të bërë pazar; edhe Euxhenia kishte ikur, në shtëpinë e Vitalianos, sepse Ema ishte pak pa qejf. Aurelia ndjeu zhurmë hapash dhe zëra të inatosur në shqip dhe italisht që vinin nga shkallët e brendshme; arriti të
dallonte zërin e Albertos, i cili, si e kishte vënë re praninë e të paftuarve, po përpiqej të mbronte ambientet e bankës.
Nuk kishte asnjeri që ta ndihmonte: vetëm mund t’ia mbathte ose të fshihej. Filloi të ndjehej e rrezikuar. Vendosi të ikte. Me rrobdëshambër dhe me barkun shtatëmuajsh, hapi dritaren e katit të parë, u ngjit në korniza dhe pastaj, duke u kapur pas hekurave të dritares së katit përdhes, arriti të hidhej në rrugë. Me frymën që i mbahej arriti në vilën e prindërve dhe dha alarmin. Shkuan aty të afërmit, u lajmërua konsullata dhe Xhuzepe. Asnjë gjurmë e keqbërësve. Gjithsesi, kishin marrë vetëm ato pak para që kishin lënë në sirtarët e bufesë. Hajdutët, që ishin njohur se i përkisnin Lëvizjes Nacionalçlirimtare, nuk patën dot mundësi ‘të punonin’. Ditën tjetër u bë një hetim i brendshëm mes nëpunësve dhe drejtorit. U mbërrit në përfundimin se: një nga dy nëpunësit shqiptarë kishte ‘harruar’, si me thënë, të mbyllte portën e pasme të bankës.
Një marrëveshje e nënshkruar midis Bankës së Italisë dhe Qeverisë Shqiptare, finalizuar në drejtimin e rrjetit bankar vendor, parashikonte që një pjesë e të punësuarve duhej të ishin shtetas shqiptarë. Nëpunësi ‘harraq’, i cili fillimisht ishte përpjekur t’ua hidhte fajin të tjerëve, nuk duhej pushuar: ky ishte urdhër i Enverit. Kryengritja e partizanëve shqiptarë mori përmasa të mëdha dhe gjermanët filluan të tërhiqeshin”.
Nga një prej letrave të shumta të Xhuzepes, për të motrën, Kiarën:
“Vlorë, 22/10/1944. Jemi liruar prej thuajse dhjetë ditësh dhe banditët gjermanë, i’a mbathën me bisht ndër shalë”.
“Në 29 nëntor u shpall Republika Popullore e Shqipërisë me në krye Enver Hoxhën. Partizanët e tij çliruan edhe Tiranën, duke forcuar kështu qeverinë e ngritur një muaj më parë me mbështetjen e grupeve komuniste të Lëvizjes Nacionalçlirimtare.
Largimi i trupave të huaja nga Shqipëria, pa pjesëmarrjen e komunistëve sovjetikë, forcoi edhe më tej prestigjin e Hoxhës.
Me marrjen përsipër të detyrave si president dhe Ministër i Mbrojtjes Kombëtare në Qeverinë provizore demokratike të Shqipërisë, Hoxha u bë heroi thuajse legjendar i një vendi të varfër dhe të prapambetur”.
Hyjmë sërish dhe në të djathtë është dhoma ku pashë dritën për herë të parë. Ambienti është i ndriçuar mjaft mirë, jo shumë i madh, i pamobiluar, me një dritare pa perde. Ndërkohë që zmadhoj buzëqeshjet rrethanore, fsheh emocionin që bën të më rrahë zemra fort dhe të më vërshojë gjakun në vena. Arrij të fshij në kohë edhe një lot vjedhacak. Agimin e 4 janarit 1945, pas pak më pak se tre orë nga dhimbjet e lindjes, të afërmit dhe miqtë e mbledhur në sallonin ngjitur, dëgjuan të qarat e mia të para. Anitës dhe Brunës i’u hap shumë punë, sepse ato duhej të siguronin dhe të qetësonin gjyshërit, xhaxhallarët dhe miqtë. Euxhenia doli nga dhoma dhe me zë të lartë deklaroi: “Është një goxha djalë, gjithçka shkoi mirë”!
Përgëzime dhe urime nga të afërmit: Xhuzepe u bë me trashëgimtar! I menjëhershëm telegrami në komunën e Kastelanetës për të vërtetuar lindjen e Aldo Renatos. Dy muaj më pas u pagëzova dhe kumbar u bë Piero Rovigati, administratori i deleguar i AIPA-s dhe mik i ngushtë i familjes. Ishte një ceremoni gati e fshehtë, për shkak se qeveria kërcënonte me luftë kundër italianëve dhe atmosfera rrethuese ishte me njëmend shtypëse.
Disa ditë pas pagëzimit, dy inspektorë të qeverisë së Enverit, erdhën në bankë dhe kërkuan drejtorin dhe arkëtarin. Donin të verifikonin librat e llogarisë. Babai u çoi çfarë donin. Të dy u hodhën nga një vështrim të pavëmendshëm, shfletuan shpejt e shpejt faqet, konfiskuan gjithçka që u sollën dhe ikën as pa u përshëndetur.
Ishte e qartë që italianët, edhe pse në dukje të lirë, në të vërtetë ishin të burgosur të qeverisë së Enverit. Dhe s’kaloi shumë kohë kur, aty nga fundi i marsit 1945, policia shqiptare e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, u paraqit në bankë me një mandat arresti për drejtorin dhe arkëtarin, me kundër firmë të Hoxhës. Akuza ishte zhvatje e pasurisë së popullit shqiptar. Që të dy u çuan në burgun më të afërt. Pas kësaj, regjimi organizoi një proces të montuar në të cilin të vetmit dëshmitarë ishin pikërisht nëpunësit e diktuar nga Enver Hoxha. Procesi, i mbajtur me dyer të mbyllura, zgjati gati një muaj, praktikisht pa avokatë të njëmendët mbrojtës: ata të zyrës kishin vetëm rolin e figurantëve të rëndomtë. Po ata dëshmitarë, Alkani dhe Balishi, nuk arritën të jenë efikase dhe arritën ta lëkundnin trupin e akuzës. Megjithatë, Balishi, kundër çfarëdo prove, akuzoi haptas bankën se kishte përvetësuar paratë.
Nga një deklaratë e Enverit, vite më vonë:
“Pas kapitullimit të Italisë fashiste në shtator 1943, ushtria naziste mori arin shqiptar të depozituar pranë Bankës së Italisë në Romë. Përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë dhe ata të qeverisë shqiptare arritën, me anë të një protokolli të firmosur në pranverë të vitit 1944, në njohjen shtetit shqiptar të kësaj sasie ari. Si të mos mjaftonte kjo, në tetor 1944 komandanti i trupave hitleriane në Tiranë, mori arin që kishte mbetur në Bankën Kombëtare të Shqipërisë, duke deklaruar se do ta depozitonte atë në filialin e kësaj banke në Shkodër…”!
Edhe pse e kërkoi akuza, me premtimin për shpërblim, asnjë tjetër nuk u paraqit kundër Xhuzepes dhe bankës së tij. Nuk u pranua asnjë dëshmi e italianëve. U treguan të gatshëm disa miq shqiptarë, por u akuzuan menjëherë për kolaboracionizëm dhe i’u mbyll kështu goja. Xhuzepen e dënuan me dhjetë vjet burg. Para se ta riatdhesonin, Melisi shkoi ta takonte në burgun e Vlorës dhe i tha se i kishte duart e lidhura. Biseda ishte njëmend dramatike: Melisi, miku i shtrenjtë i Xhuzepes, ishte i vetëdijshëm se nuk mund të bënte dot asgjë në ndihmë të tij. Xhuzepeja, duke e marrë me mend se pak gjasa kishte për t’u liruar, iu lut shokut të vet t’i mbronte si një at të birin Aldon e tij dhe të ndihmonte të shoqen Aurelian, në vështirësitë me të cilat do të përballej në Itali. Melisi i premtoi se do të bënte gjithçka që i kërkoi shoku i vet, madje e quante tamam si detyrë të vetën.
As Banka e Italisë, as Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, as qeveria italiane, nuk mundën dhe as deshën të bënin gjë. Përgjegjësitë ranë mbi shumë autoritete të ndryshme, por asnjëri nuk i mori përsipër. Më e përshtatshme ishte të varroseshin fakte dhe njerëz që mund t’u sillnin telashe posteve të rëndësishëm të shtetit italian. Nga ana e vet, Enver Hoxha nuk kërkonte me mirë se kaq: e kishte përmbushur hakmarrjen e vet personale karshi Xhuzepes dhe familjes së tij. Shumë italianë e shqiptarë përfunduan në burg gjatë asaj kohe, duke i lejuar diktatorit një demonstrim të qartë të pushtetit, karshi popullit të vet, që sapo kishte dalë, i ndrydhur e i ndarë, nga luftërat e brendshme dhe nga luftërat e tjera.
Kërkesat vijuese për falje u shpërfillën çdo herë, shteti shqiptar me ardhjen e diktaturës komuniste u mbyll në vetvete si një iriq. Me kalimin e viteve, shumë italianë u falën dhe u kthyen në Itali, por jo Xhuzepeja. Kam vetëm një kujtim të vagullt të tim eti, pas hekurave të burgut të Vlorës, dhe të vetes sime si fëmijë, në krah të nënës me duart e shtrira drejt tij. Prej aty pas pak ditësh na hipën në anije për në Itali. Nuk e pashë kurrë më.
Familja e kujdestarit të ndërtesës, të cilit i treguam shkurtimisht arsyen e vizitës sonë të papritur, para se të na përshëndeste, na sajdisi me një festë të vogël, duke na qerasur me gatime e pije freskuese. U urojmë me mirësjellje qëndrim të mbarë, duke u dhënë një bakshish shumë bujar si kujdestarit, ashtu edhe rojës së turnit. Vila në krah, që gjendej në të majtë të bankës, është ajo ku kanë banuar gjyshërit e mi, Vitalianoja dhe Ema, së bashku me të motrën Ida dhe të birin e saj Domenikon.
Trokasim në portë dhe vijnë të na e hapin gjithë kureshtje. Toli u shpjegon arsyen e vizitës sonë. Mikpritja është shumë kordiale e miqësore dhe krijohet mes nesh menjëherë një simpati e ndërsjellët, sidomos kur u themi, nëpërmjet Tolit, se kemi banuar në po këtë shtëpi 50 vjet më parë. Vila është shumë modeste, thuajse e rrënuar. Vizitojmë nga fillimi në fund të gjitha hapësirat: kuzhinën e errët dhe të mirë në dhomën e ndenjes, me oxhakun, shkallët kërkëllitëse të drurit si spirale, që të çojnë në dy dhomat e epërme, në një nga të cilat unë dhe nëna ime kishim jetuar për disa muaj kur u larguam nga banka para se të na transferonin me gjithë familjen në Tiranë.
Një foto gramë lulëzon në kujtesën time: oxhaku i dhomës së ndenjjes, ishte objekt i projekteve të mia në maket.
Një gjë më tërhiqte në mënyrë të veçantë. Ishte një objekt misterioz, metalik, shumë i rëndë, me formë harku gotik, ngjyrë të kuqe e blu që binte shumë bukur në sy në anën e epërme të oxhakut. Një ditë, me oxhak të fikur, u kacavirra mbi një karrige për të kapur atë objekt të shumëdëshiruar, me sforcim të madh u rreka për ta marrë, por ky u përmbys dhe ra në dysheme duke shkaktuar rrapëllimë të madhe. Erdhi menjëherë gjyshja që më gjeti ende në këmbë mbi karrige, ndërkohë që mbi pllakat e thyera të dyshemesë, prehej ai objekt që kishte qenë një predhë mortaje. Gjithkund përreth ishte përhapur çfarë kishte brenda saj: gozhdë, vida, rondele, fije spangoje, etj. Bëhej fjalë për një mbeturinë lufte të çaktivizuar që Domenikoja, kushëriri im katërmbëdhjetëvjeçar, e kishte gjetur dhe më pas lyer tërë kujdes dhe në fund e kishte mbushur me gjithë thesaret e tij…, i ziu ai që e prekte!
Që nga ajo ditë, me gjithë ankesat e Domenikos, bomba u bë lodra ime më e dashur. Mobilja e rrënuar që shohim ndoshta është e njëjta e asaj kohe. Gjithçka duket se ka mbetur si shumë vite më parë, përveç skutës së fshehtë poshtë shkallëve, ku ishte murosur një pistoletë për të mos lejuar gjermanët ta merrnin gjatë bastisjeve të tyre, apo të akuzonin familjen për terrorizëm dhe spiunazh, me pasoja që mund të merren me mend. Tani në vend të kësaj skute është një kamare me një shënmëri. Ndërsa dalim nga banesa, i hedhim një sy edhe oborrit të papunuar dhe pusit të tharë. Daja kujton që po në atë vend, për t’u ikur telasheve, hodhën dy pushkë dhe dy shpata menjëherë pas datës 18 shtator 1943. Largohemi me përshëndetjet kordiale të njëjta dhe ceremoniale të rastit.
“Hajde na vizitoni prapë”.
“Ndoshta ndonjë ditë, ku i dihet…”!
Drejtohemi nga ajo që ka qenë Konsullata Italiane e Vlorës, një ndërtesë masive që binte në sy me ngjyrë të errët; dera kryesore e të cilës ishte e pajisur me një portik hijerëndë në stil klasik dhe ku aktualisht nuk banonte njeri. Burgu i vjetër, pa funksion prej vitesh, ndodhet pikërisht përballë. Bëhet fjalë për një ndërtesë modeste dykatëshe në ngjyrë të hapur, me plasa të mëdha në muret e jashtme. Porta e drunjtë ngjyrë jeshile është e kyçur me zinxhirë, në anët e saj ndodhen dhe dritaret e vend-rojeve. Petriti na tregon dritaret me hekura në katin e epërm: aty ndodheshin të gjitha qelitë.
“Në këtë burg në vitin 1945, përfunduan të gjithë funksionarët e bankës, përfshi edhe drejtorin babain juaj, arkëtarin dhe shumë të tjerë. Akoma para se të dënoheshin, i kishin burgosur dhe rrasur në një qeli të vetme, ajo e cepit. Pas disa vitesh, i ndanë dhe kështu unë rashë në qeli më tët atë dhe me dy italianë të tjerë që nuk ua kujtoj dot emrat. Po atë vit na dërguan të gjithëve në Burrel”.
Daja i kërkon Petritit të na çojë në anën më lindore të vendit, ku dikur ishte shtëpia e stërgjyshes. Gjatë rrugës për atje shohim një shesh shumë të madh me në qendër një xhami të madhe e të bukur. Rreth saj ka shtëpi modeste me mure të ngrënë e të ronitur. Shkojmë drejt njërës prej tyre dhe trokasim. Pas disa sekondash, dëgjohet një zë në shqip i pakuptueshëm edhe për vetë Petritin. Presim. Deriçka hapet me ngadalë dhe na shfaqet një plakë, veshur fshatarçe, e shëndoshë, e pakrehur, e përgjumur, që fillon të flasë me Petritin.
Pas disa çastesh na fut brenda dhe na lejon të vizitojmë shtëpinë. Një kolibe prej dy dhomash të vogla, njëra qe shërben si dhomë ndenjjeje e dhomë gjumi dhe tjetra e përshtatur për kuzhinë me banjën ngjitur. Qe të dyja kapluar nga një aromë shpuese që vjen nga kanali i ujërave të zeza aty pranë. E përshëndesim plakën dhe ikim me nxitim nga ai vend aq dëshpërues. Përballë asaj shtëpie është një kodër e vogël, që Xhakomoja thotë se është vendi ku ndodheshin varrezat e vjetra katolike të prishura nga partizanët në vitin 1943, në të cilën u varros trupi i Lilinos. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016