Nga Uvil Zajmi
Memorie.al / Një djalë i vogël, nxënës liceist te “Jordan Misja” në Tiranë me një violonçel të madh në krah, papritur në moshën 14 – vjeçare shfaqet te skuadra e famshme e ‘17 Nëntorit’ e kryeqytetit. “Ishte vetë trajneri Lym Alla që më mori, e dua atë çunin e Metit”, kujton Luan Metani sot. Një jetë sportive e filluar me 100 km. në orë, shumë i ri, as në vitin e parë të shkollës së mesme, fati do të ndryshonte me shpejtësi për të dhe nuk do të ishte muzika, të cilën befasishëm e “braktisi”, por futbolli. Një bashkëjetesë që do të ndahej midis artit dhe sportit.
Nga violonçeli si nxënës liceist, kalon sulmues me të rinjtë e “17 Nëntorit” të Tiranës dhe politeknikumas. I talentuar, premtues, një karrierë që do të tregonte se zbuluesit e tij, nga i pari Skënder Jareci, nuk kishin gabuar. Pastaj “Shkëndija” më pas titullar me “17 Nëntorin” e Mond Gëzdarit, Agustin Kolës, Tit Dibrës e Ben Mingës, madje goleador.
Kur historinë nuk e bëjnë vetëm kampionët…!
Historinë në sport, nuk e kanë bërë vetëm kolosët, fenomenet, kampionët e mëdhenj, por edhe talente, individë të spikatur, që për një arsye apo tjetër, mund t’i ketë munguar fama, janë lënë në harresë dhe pak kujtohen. Ndonëse në një moment, në një episod, ndeshje apo eveniment, kanë qenë protagonistë absolutë për historinë e një klubit, të një skuadre apo një kombi, pa u konsideruar ndër të famshmit e tij.
Kujtoj gjithmonë Qoljen, beratasin e ardhur ushtar te “Partizani”, për golin ndaj “17 Nëntorit” në ditën që “u shemb stadiumi”; Sulmuesin Albert Sejdari me golin e realizuar në të vetmin derbi që luajti, “Partizani”-“17 Nëntori” 1-0. Po kështu, Kërçiçët e Skënderbeut, N. Duçkën, goleadorin e paharruar të “Labinotit”, Përparim Kovaçin e shquar të “Tomorrit”, Mir Himën e “Lokomotivës”, Koçin dhe Skuron të “Naftëtarit”, Furde Ramën e “Besëlidhjes” së Lezhës, peqinasin goleador Tan Kateshi, apo edhe Toskën e Korabit. Por ka edhe shumë të tjerë…!
Nga Metani futbollist, te Metani instrumentist…!
Ai është i datëlindjes 11.02.1955 i lindur në Tiranë, me një fizik të imët, babai Met Metani, futbollist, portier i njohur dhe protagonist i viteve 1950-’60-të, me “Puna” e kryeqytetit, “Tiranën”, “17 Nëntorin” dhe Kombëtaren. Jeta e Il Metanit do të shoqërohej në një mjedis të ndarë midis sportit dhe artit, teksa nga mamaja Lirika, një dinasti ku të gjithë janë muzikantë. Lindin katër fëmijë, Luan Metani do të ishte i pari i katër djemve, por jo sportist, sepse “ka vesh për muzikë”, thoshin…
“Që fëmijë ndjeja ritmin e muzikës dhe kur isha shtatë vjeç, bëra prova dhe u futa në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Në tetë vite, kam pasur pedagogë të njohur si Ymer Skënderaj, vëllezërit Gjovalin e Lek Lazri, dhe dirigjentin e njohur Eno Koço, i cili ka qenë profesori im i parë. Në fillim isha për violinë, por Eno, duke parë cilësitë e mia, teknikën e vendosjes së gishtave më orientoi të merrja violonçelin. Veglën ma dha shkolla e me të në krah shkoja e vija çdo ditë. Zgjohesha herët dhe në orën 8-të isha në klasë, pas mësimit qëndroja për studim e në shtëpi kthehesha vonë, i lodhur.
Në klasë, në Lice, ishim një grup, Agron Xoxa pianist, S. Binjaku instrumentist, ai që krijoi grupin “Na bashkoi kënga popullore”, Gjergj Antoniun violonçelist etj. Kam përfaqësuar Liceun në Dekadat e Majit, koncertet, evenimentet me karakter muzikor nga më të mirat që zhvilloheshin në ato vite”, kujton Metani periudhën kur ishte në Liceun Artistk në Tiranë. Më 1968-ën, mbaroi klasën e 8-të dhe papritmas, gjithçka do të ndryshonte totalisht…!
Karriera sportive, krejt rastësi, e zbuloi Skënder Jareci…!
Futbollin e ka filluar krejt rastësisht dhe zbulues i tij ka qenë trajneri i njohur Skënder Jareci. “Deri në klasën e 8, nuk e kisha pasion, ndonëse luaja bukur dhe isha regjistruar në Pallatin e Pionierëve në rrethin e futbollit me trajner Çoçin, siç njihej. Por, në pushimet midis orareve në shkollë, luanim te fushat e ‘Lojërave me Dorë’, mbrapa Kryeministrisë. Pikërisht aty na kishte parë ai, Jareci.
“Do bisedoj me prindërit tuaj, të vini në futboll”: Agron Xoxen si portier, ndërsa mua si lojtar. “Me ty nuk e kam problem se, do flas me Metin, mikun tim”, më tha, ndërsa për ty Agron, si djali i shkrimtarit Jakov Xoxa, do e kem të vështirë…”!
“Ai erdhi në shtëpi. ‘Do e bëjmë sportist”, i tha babait, i cili donte, ndërsa mamaja ishte kundër. Ata kishin investuar me sakrifica të mëdha për mua, për t’u bërë artist. Si përfundim, Agron Xoxe nuk u shkëput vazhdoi si pianist, ndërsa për mua u hapën dyert e futbollit”, thotë Luani.
Nga Moxart e Bethoven, në fushën e futbollit…!
Filloi kështu për Luan Metanin, “Ilin”, (siç e thërrasin edhe sot) një tjetër faqe e jetës. Shkëputet nga muzika, tingujt e Bethovenit e Moxartit dhe nis menjëherë stërvitjen tek ish-fusha “Vasil Shanto”. Ndërkohë, i duhet të fillojë vitin e parë të Shkollës së Mesme. Preferencë ishte Mjeshtëria Sportive, e sapohapur.
“Por Klubi i 17 Nëntorit nuk më la të shkoja, sepse donin të luaja me to dhe jo me ekipin “Shkëndija” të Institutit të Lartë të Kulturës Fizike ‘Vojo Kushi’ në Tiranë. Kështu më regjistruan në vitin e parë në Politeknikumin “7 Nëntori”, shkollë profesionale, ku ndërhyri edhe Ali Mema, që ishte mësues fizkulture. Një botë krejtësisht ndryshe dhe pa lidhje me atë të muzikës. Nuk ishte e lehtë që në pak kohë të shkëputesha prej saj”, kujton Metani.
Vetëm 14-vjeç aktivizohet në formacion, ndonëse të tjerët ishin disa vite më të mëdhenj se ai. “Kujtoj se trajneri Arbana, më ka futur me ‘dhunë’ te të rinjtë e ‘17 Nëntorit’, ku qëndrova 2 vjet, e midis të tjerëve kam luajtur me Tit Dibrën, Riza Ickën, etj.,”, kujton Ili.
Golat e paharruar, ai ndaj “17 Nëntorit” i jashtëzakonshëm!
Ka qenë golashënues në kohën e artë të goleadorëve shqiptarë, nga Ilir Përnaska, Dash Bajaziti, Gim Murati, Pap Kovaçi etj. Mban ende rekordin me 31 gola në sezonin 1973-‘74 me “Shkëndijën”, në kampionatin e të rinjve.
“Pastaj në nivelin e lartë, 5 vite me “Shkëndijën”, 3 me “17 Nëntorin” në Kategorinë e I-rë, ekipet kombëtare, nëse do bënim një llogaritje me 10 gola në sezon, mund të kem shënuar mbi 100 gola në karrierë. Bashkë me Tit Dibrën, Mond Gëzdarin, Ben Mingën, Çim Muçën, Gust Kolën, kemi qenë vija sulmuese e këtyre skuadrave”, shprehet ai.
Ruan disa gazeta “Sporti Popullor”, ku ndër të tjera lexojmë: “Sezoni 1979-’80-të, i sapoardhur te skuadra tiranase, 9 tetor fillim kampionati ‘Partizani’- ‘17 Nëntori’, 2-3. Rezultati ishte 2-2 (dopieta të Muratit e Gëzdarit), minuta e 87-të, ka realizuar me penallti golin e fitores. 28 tetor, ‘17 Nëntori’-‘Flamurtari’ (Spartakiada) 1-0, gol i Metani në të ’97-ën.
Një tjetër, ‘17 Nëntori’-‘Naftëtari’ 2- 1, gol i Metanit, 17 ‘Nëntori’—Besëlidhja- 3-1, gol Metani. Sezoni 1981, Kupë, bashkë me sulmuesin Gruda, Metani është shënuesi më i mirë i trofeut me 6 gola. Një edicion më pas, 1981-’82, ndaj –Besës- ka realizuar golin e 200-të të sezonit.
Por, nga të gjitha kujton atë në Stadiumin “Dinamo”, ‘Shkëndia’-‘17 Nëntori’ 1-1, kur befasishëm shmangu mbrojtësin e pakalueshëm, kapitenin Perikli Dhales, në vijë anësore nga tribuna dhe i vetëm vrapoi në portën jugore, duke realizuar një gol spektakolar. “Jam ndihmuar nga gjigantët e lojës së ajrit, nga Gëzdari, Kola, Minga. Ata luftonin dhe topat më vinin mua”, shprehet me humor Metani, për ish-shokët e tij të ekipit, duke kujtuar me nostalgji ata emra dhe mjeshtra të mëdhenj të futbollit shqiptar. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016