Nga Visar Zhiti
Pjesa e dhjetë
Pllaka të kujtesës dhe thasë…!
Vijon nga numri i kaluar
ARTE TË TJERA NË BURG: “MUZIKË OPERISTIKE”
Etnomuzikologu Ramadan Sokoli (1920 – 2008)
Etnomuzikologu i parë shqiptar – kështu është quajtur. Ishte dhe muzikant dhe shkrimtar…!
Në Shkodrën e tij mori mësimet e para, shkronjat dhe notat muzikore dhe pastaj në gjimnazin shtetëror, nxënës dhe anëtar i bandës muzikore të qytetit. 16 vjeçar nisi të kompozojë dhe këngët e tij në vite fituan anonimatin, duke u kënduar gjithkund, në koncerte e në transmetimet radiofonike.
Familja e tij e kundërshtoi pushtimin fashist duke marrë pjesë në protesta, babain ia internuan në Bolonjë, në Itali, kurse ai vetë mori një burse për të studiuar në Firencë, në Konservatorin “Luigi Cherubini”, për flaut e kompozim. Ishte dhe i tillë pushtuesi.
Në Itali shoqërohej me studentë shqiptarë antifashistë, heronjtë e ardhshëm apo të pushkatuarit e ardhshëm. Teksa fashizmi kapitulloi e lufta vazhdonte, Ramadan Sokoli kthehet në vitin 1944 në atdhe, përsëri në vendlindje, në Shkodër.
Fitimtarët i arrestojnë vëllanë si kundërshtar legalist, ndërsa gjatë Kryengritjes së Postribës, e para Lëvizje Antikomuniste, në vitin 1946, arrestojnë dhe Ramadanin dhe të atin e i dënojnë me burg, njërin katër vjet dhe tjetrin dy vjet. I çojnë të lidhur me skllevër të tjerë, profesorë, mjekë, shkrimtarë, etj, në tharjen e kënetave. Aty nis magjepsja, fillon të merret me folklor… burgu, Dhe kur lirohet, nga armik e çojnë ushtar. Vazhdonte magjepsja, e tërhiqte muzika, antropologjia.
U duhej. E marrin në Tiranë për të punuar në Ansamblin e Ushtrisë, pastaj në Korin e Filarmonisë e më pas organizator i Festivalit të Këngës dhe Valles Popullore. Po ai ishte “armiku” dhe kur acarohej edhe më “lufta e klasave”, e pushonin nga puna. Mbas vitit 1952, herë e merrnin në punë dhe herë e pushonin përsëri.
Kur po duheshin mësues në Liceun Artistik, ndërhyjnë miqtë, Llazar Siliqi, etj., dhe i ngarkojnë të jepte lëndën e flautit, të folklorit muzikor, harmoninë, histori muzike, teori solfezhi, pa iu ndarë dhe ajo, “muzika e ankthit dhe e vuajtjeve”. E merrnin dhe në Instituti e Lartë të Arteve, krijon laboratorët e instrumenteve muzikorë, etj., etj.
Nuk u ndahej studimeve të nisura. Harton tekste profesionale, i botohen dhe në gjuhë të huaja, ato ishin, metoda, platforma e studime… dhe në vitin 1980, e nxjerrin në pension. Uvertura e vonë e heshtjes shostakoviçiane, por mbrapsht, pentagram ishin imazhi i telave me gjemba…!
Në vitin e ndryshimeve të mëdha, në 1991 do të jetë bashkë autor i librit “Veglat muzikore të popullit shqiptar”.
E takoj një pasdite në një rrugë të Tiranës pranë shtëpisë së tij. Tashmë unë isha gazetar i opozitës. Ai s’kishte si të mos ishte i dashur me mua, vija nga dhembja e tij, nga burgjet. Ishte dhe aq i përzemërt, plot muzikë mirësie.
Ç’po punoni, profesor, e pyeta. Kam mbaruar një libër studimor me personalitete të historisë sonë, tha, në fushën e kulturës, qysh nga kohërat e hershme. E sa kohë përmbledh, u bëra kurioz. 16 shekuj. Profesor, këtë titull vëri librit, “16 shekuj”, ta mësojmë se Shqipëria nuk filloi me komunistët.
Dhe ashtu doli libri, me atë titull.
Kur e shihja rrugëve të Tiranës, të plakur edhe, të ngadaltë, plot me dinjitet të mistershëm, ka 16 shekuj mbi shpinë, thosha me vete.
PIKTURA NË BURG:
Edison Gjergo (1939 – 1989)
Ishte vetëm piktor dhe u dënua si piktor. Në gjyqin e tij u tha: “…duke vepruar në kundërshtim me politikën e Partisë, ka bërë piktura të ndryshme me përmbajtje reaksionare.
I pandehuri pranoi para gjykatës se nuk i ka pëlqyer arti i realizmit socialist dhe prandaj ka propaganduar, duke lavdëruar piktorët reaksionarë, modernistë, Shagalin, Pikason etj., i pandehuri, armiqësinë e tij… e ka treguar… edhe në punimet që ka bërë…”!
Absurd dhe krim. I atyre që e dënuan me 8 vjet burg, në 1975. Në prill…! Dënuan dhe prillin e piktorit dhe ngjyrat e asaj pranvere dhe të pranverave që do të vinin, por ata kishin dënuar dhe pranverat të gjitha, që nga Lufta e Dytë Botërore.
Piktori Edison Gjergo, dërgohet në burgun e Spaçit, mes grisë së errët dhe të zezës së ferrit dhe të një neverie që shfaqte hapur, po me heshtje, për mjedisin e pistë aty, për të tjerët dhe veten. Kemi shtyrë vagonë bashkë si skllevër. Ai bënte disenjatorin e burgut, por kur i zemëronte ndonjëherë ata të komandës, e fusnin ca ditë në minierë. Dënim brenda dënimit…!
Pikturën më…,- e pyeta. Jo, kam bërë vetëm një autoportret.
“Epika e yjeve të mëngjesit”, është më, – pyeta prapë për veprën e tij më të famshme, për të cilën dhe e dënuan, një si vegim me parime dramatike, ku në qendër është një lahutar, i rrethuar nga partizanët me armët mbi supe. Kujtesa e artit si e kërcënuar. E kishte ndjerë se do ta arrestonin dhe kishte fshehur mjaft tablo. Do kenë humbur. Kam humbur të pikturuarit, gruan, jetën, veten…!
Del në vitin 1982. Në Tiranë. Punon si bojaxhi. Bota ishte bërë akoma më pis. Pas 7 vjetësh, aq sa bëri dhe burg, vdes në mjerim. Në mjerimin pa art të socializmit…!
Një shkrimtar i ri, Rudi Erebara, shumë vite më vonë, në tjetër epokë, do të botonte një roman për të, “Epika e yjeve të mëngjesit”.
Abstrakti, Ali Oseku
Në vitin kur do të çlirohej Shqipëria, 1944, ai lindi. Por ajo që do të kishte më pak do të ishte liria, madje do të dënohej për ata…!
Është piktor i shkollës shqiptare dhe ky, nga ata që shikonin nga arti Perëndimor, kur Shqipëria ishte shkëput nga Kampi Socialist. Si skenograf i Operës dhe i Teatrit gjente rast dhe fuste modernitete europiane, ky ngjyra dhe drita theksonin të kuptueshmen, për të nënkuptuar të pakuptueshmen.
Si një dramë mbi dramat doli në skenë Plenumi IV i Partisë, 1973, aktet e dënimeve për autorë dhe vepra, për lexues dhe spektatorë.
Ali Oseku dogji vetë të gjitha punët e tij, rastësia shpëtoi dy portrete, ku ta dish për ç’simbolikë e porosi të fshehtë, atë të burrit dhe të nënës.
Ali Oseku arrestohet dhe dërgohet në burgun e Spaçit. Portret e Enver Hoxhës, nuk e ndihmuan dot, përkundrazi.
Kur më çojnë dhe mua atje, ai do të lirohej pas tre vjetësh burg, 1979, por do më flisnin bashkëvuajtësit për piktorin në burg, “Piktori dhe inkuizicioni”, ishte dhe një film për El Grekon. E ke parë? Po e shoh.
Deri sa ra perandoria komuniste, Ali Oseku punoi si punëtor krahu. Më pas do të nisnin ekspozita e tij, art abstrakt, një ngjyrësh me ndonjë ndërhyrje të beftë, me cikle si vazhdime.
Kërkon qetësinë sublime që e gjen te gjurmët, te pemët, te shiu, te kërpudhat, te rruga…!
Ekspozitat e tij do të shkojnë në kryeqytet të Europës, në Austri, Gjermani, Belgjikë, Kroaci, Itali, Francë, edhe përtej oqeanit, në Boston e Nju Jork… dhe do të vlerësohet me çmime.
Abstraktja e artit të tij është dhe ajo që fshihet pas fatit.
Karikaturisti, Enriko Veizi, (1939 – 1993)
Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Fierit, degë e asaj të Shqipërisë, por Enriko Veizi ishte inxhinier i talentuar dhe piktor, karikaturist me njohje dhe jashtë vendit.
Himarjot, nga një familje arsimtarësh, që jetonin në Vlorë. Enriku përfundon shkëlqyer gjimnazin dhe pasioni i tij ishin artet, por në universitet, ata që mund të shkonin, i cakton partia se ku mund të studionin. Edhe në Inxhinieri Gjeologji diplomohet shkëlqyer dhe e emërojnë në Fier.
Studionte literaturë shkencore të huaj, bashkëpunonte me inxhinierë kinezë, algjerianë, etj., e bëjnë nëndrejtor të Institutit Gjeologjik, por vazhdonte dhe pasionin e tij për artin.
Karikaturat e tij mirëpritën, botohen në revistën humoristike “Hosteni” dhe dërgohen dhe në ekspozitat nëpër Europë, por jo autori, në Rumani, Turqi, dhe në Greqi e Gjermani, etj. Po ilustronte dhe libra për fëmijë. Ndërkaq në punë si inxhinier, duke kërkuar të vinte në përdorim të rejat e shkencës botërore, e bëjnë atë shkencëtar të vërtetë.
Dhe atëhere kur nuk besohej, e arrestojnë me akuzën “sabotator në sektorin e naftës”. Shqipëria socialiste kishte kriza të rënda në ekonomi, por jo në armiq.
Dhe pikërisht në Patosin e naftës, në pallatin e ri të kulturës, në sallën me 600 vende, të mbushur plot me të ftuar, isha dhe unë aty, tregon vlonjati Qemal Agaj, shikoja me ankth, isha me biografi të keqe, babanë të arratisur, më hoqën dhe si disenjator, ku të fshihesha, kur ja, sjellin të lidhur me pranga “grupin armiqësor të naftës”.
Të zbehtë, si fantazma…! Gjyq-teatër. Anti-komedi absurde, tragjike. Akuzat-dialogë, më të tmerrshëm se te Jonesku. Sigurisht do të jepeshin dhe dënime me pushkatim. Ja, dikush thirri: në litar! E pasuan dhe të tjerë. Dukej sikur do të binin muret e do të na zinin nën vete.
Inxhinier Enriko Veizin e dënojnë me 23 vjet burg, aq i duhej Partisë nga ai tani. Sytë i kishte të lodhur. Mbase e gjithë i dukej si karikaturë e rëndë. E çojnë në Spaç, Burrel, Sarandë… si i burgosur shikonte detin e fëmijërisë. “Po deti burgoset dot”, kisha shkruar në një poezi timen në burg?
Erdhën vitet ’90-të, ndryshimet e mëdha në botë, bie komunizmi, Shqipëria detyrohet të ndryshojë. Lirohen të burgosurit politikë të gjithë. Enriko Veizi del në vitin 1991. I rikthehet me ëndje naftës dhe karikaturës. E zgjedhin dhe kryetar të Këshillit Bashkiak të Fierit. Ai qeshte.
Ashtu ishte, i qeshur, edhe kur e kam takuar në Fier, shkoja si gazetar i opozitës së lejuar. Dy bashkëvuajtës, e meritonim një kafe të lirë. Dukej sikur duart nuk i rrinin të qeta, mos donte të bënte prapë një karikaturë? Ku, mbi libër, mbi gazetë, mbi tryezën e kafesë në klub?
Ktheva kryet, hodha sytë nga dritarja jashtë. Ç’bëhej? Entuziazëm, të persekutuar dhe persekutorë bashkë, brohorisnin ndryshimet. Të ishin dhe këto karikatura të demokracisë dhe të lirisë? Kush i bënte? Dhe Enriko Veizi vendosi të vdiste shpejt. Dhe jo vetëm ai…!
Piktori dhe poeti Sadri Ahmeti (1939 – 2010)
U arratis nga Mali i Zi. Ëndërrimtar i atdheut dhe i aventurës së lirisë si një poet e piktor, si një i ri, i cili, kur ishte 18 vjeç, në vitin e dytë të gjimnazit, kalon kufirin, përmes plumbave. Ai dhe tre vëllezërit e tij, së bashku lanë vendlindjen e tyre, pllajën e Vuthajve, dhe ne vjeshtën e vitit 1957, dolën në Shqipërinë që adhuronin.
“Jugosllavia e Titos” ishte bërë e rëndë, shtypeshin tradicionalisht ata, familja e tyre, shqiptarët në përgjithësi, kështu thane, pasi i kapën rojet kufitare në Valbonën magjepsëse dhe, kur nga posta e kufirit, i nisën për në Tiranë, drejt e në burg, ku do t’i nënshtroheshin një hetuesi të vështirë.
U thanë se duhej të ishin “agjentë të poshtër të UDB-së”, të Sigurimit Jugosllav. 4 vëllezërit, të befasuar keq, nuk pranuan, ata atyre u kishin ikur, pa e ditur se kishte shumë e më shumë më keq.
I çojnë në internim në Llakatund të Vlorës. Atje mbaheshin mbyllur dhe qindra shqiptarë të tjerë të Kosovës, të arratisur dhe trajtoheshin si të huaj, ruheshin me policë të armatosur, u bënin apel tre herë në ditë
Sadriun befas e heqin pas një viti dhe e çojnë në Kamës, të studiojë në Shkollën Bujqësore dy vjeçare, që as nuk e kishte kërkuar. Jeta po i dukej si një shaka e çmendur. E mbaron shkollën, por duhej të shkonte atje ku e caktonte Partia. Në Barat. Po dhe atje gati si i internuar, pasi nuk duhej të lëvizte nga qyteti pa lejen e Degës së Punëve të Brendshme.
Po poezi a mund të shkruante pa leje? Banonte në rrethinë, keq, dhe shkruajti poemën “Kanë ftohtë kasollet”. Ia botuan në gazetën “Drita”, se e menduan se bënte fjalë për të kaluarën e hidhur apo për në vendet e pazhvilluara kapitaliste dhe revizioniste, por kur e sqaruan se kush ishte autori dhe ku, madje pa nënshtetësinë shqiptare, iu ndalua e drejta e botimit.
Dhe Sadriu shkruan poemën tjetër, “Midis meje dhe diellit”. Vazhdonte të shkruante, arrin të botojë, por me emër tjetër. Buzagaz po tallej me jetën.
E dërgojnë në rrethin e Krujës si agronom. Por ai vizatonte mjaft bukur, atje u duhej një piktor dhe si i tillë punon deri në vitin 1970.
Po frynte pak era e liberalizmit, erdhi ai viti i famshëm, kur u zbut ca lufta e klasave, Enveri ishte në shtrat i sëmurë, infarkt, dhe në radio po dëgjoheshin këngë të huaja, italiane, angleze, etj.
Sadri Ahmeti shkon në Institutin e Lartë të Arteve, do studiojë për pikturë. Në vend që të takohej me pedagogë, që në fillim i’u qepën ata të Sigurimit të Shtetit, I kërkonin dëshmi me shkrim për ata që njihte, çfarë thonë “kundër”. I dhanë fiks 70 faqe letër format, që duhej t’i mbushte, ndryshe i ndërpriteshin studimet. Dhe ua dha, ashtu siç i mori, të bardha… si qefini.
E arrestojnë në qytetin “Studenti”. Hetuesi e rëndë në burgun e Tiranës. 300 ditë pyetje e shtrëngime dhe akuza: “agjent i UDB-së. Grup armiqësor…”! Ishin arrestuar ndërkohë dhe shkrimtari Kapllan Resuli, i arratisur dhe ai nga Mali i Zi, si dhe një tjetër nga Kosova, Myrteza Bajraktari. Sadriu duhej të shkruante për të dy. Dhe shkruajti, i njihte, lavdëro njërin dhe patriot për tjetrin…! Mbase kjo dhe i shpëtoi nga pushkatimi ata, por për Sadriun filluan torturat…!
Gjyq ushtarak, se Sadriu kështu do të shpallej si agjent i huaj, i rrezikshëm. Iu bashkëngjit dhe një akuzë tjetër që pse kishte thënë se “Masakrën e Tivarit” vrasjen e mijërave shqiptarëve nacionalistë, e kishte bërë Titoja në marrëveshje me Enverin, kur atë, bërtiti kryetari i gjyqit, e kishte bërë ministri i brendshëm, i pushkatuar, Koxi Xoxe. Mirë, tha, Sadriu, nuk dija gjë fare, tani e mora vesh se cili e paska bërë. U tall seriozisht.
E dënuan me 4 vjet burg. Në Spaç. Në minierat e ferrit. Lirohet dhe prapë në internim, në Balëz të Elbasanit. Prapë minator, nga nëntoka në gurore. Dhe e hiqnin, e çonin në vend tjetër, në punëra të rënda, që të mos krijonte njohje e miqësira. Por kjo s’mund të ndodhte me shkrimtaren Musine Kokalari. Zonjë grua, e internuar në Rrëshen, pas burgut. Dhe Sadriu vazhdon të shkruajë. Kur mendonte se emri i tij ishte harruar, boton ca poezi në revistën “Nëntori”, në 1982.
Unë isha në burg, në Spaçin që kishte lënë Sadriu, më vinte “Nëntori” dhe mua, e kisha paguar me djersën dhe gjakun e punës në minierë dhe emri i Sadri Ahmetit në revistë duhej të ishte i ndonjë tjetri. Por jo. I Atij. Dhe po përgatitej arrestimi tjetër i Sadri Ahmetit. Dhe ai i bën një letër të gjatë zëvendës diktatorit, Ramiza Alisë, ku i kërkon të respektoheshin të drejtat e emigrantëve shqiptarë nga Kosova në Shqipëri, një pjesë e të cilëve, dergjeshin burgjeve dhe internimeve e i rendiste emrat.
Fat që Enveri kishte dënuar me pushkatim ministrin tjetër të Brendshëm, Kadri Hazbiun dhe atë ministri e kishte quajtur “fole gjarpërinjsh” dhe Sadri Ahmeti, nuk përmbahet por e mbyll letrën e tij duke shkruajtur: “Të shkulet me themel godina e Ministrisë të Brendshme dhe tullat e saj të hidhen në detin Adriatik…”!
Tallej dhe nuk tallej. Siç duket arrestimi u shty për herë tjetër. Por dhe diktatura komuniste u shty për në greminë.
Në vitin 1991 Sadri Ahmeti, nga punëtor në fabrikën e çimentos në Elbasan, ikën në Tiranë, madje dhe student në Institutin e Lartë të Arteve, diplomohet për pikturë dhe ishte 55 vjeç.
Dhe nisi të botojë libra njëri pas tjetrit, poezi, prozë, poemë, për ‘Masakrën e Tivarit’, për burgun e Golio Otokut, etj., dhe hap ekspozita pikture jo vetëm në dheun amë, aq të hidhur dhe aq të ëmbël, por dhe në Itali, Zvicër, Gjermani, etj. Vlerësohet me çmime dhe njëri nga djemtë e tij diplomohet po në atë shkollë të babait, edhe ai për pikturë.
Takoheshim herë pas here. Bënte shaka. Majakovski thoshte se poezia është bombë dhe flamur. Tek ne flamuri u zëvendësua me peshqir. Po bomba? “Re me pantallona”, por jo e e Majakovskit…!
Njëri nga tituj e librave të tij është: “Një e qeshur harbon nëpër errësirë”. Dhe Sadri Ahmeti kështu mbetet përgjithmonë…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016