Dashnor Kaloçi
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore me siglën “Sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, të cilat i përkasin vitit 1970 dhe janë pjesë e një dosje ku ndodhet një korrespodencë, ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë, pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, në një nga dokumentet e dosjes në fjalë, zv/ministri i Punëve të Jashtme Reiz Malile, nëpërmjet një raport-informacioni, i bën me dije udhëheqjes së lartë të PPSh-së, lidhur me dëbimin nga Shqipëria, të gazetarit francez Zhan Zhak Bovantr, të gazetës “Valeurs Actuelles” (i cili kishte ardhur me grupet turistike të firmës “Contrel”), për arsye se: “në një bllok, ju gjetën shënime që përbënin sekrete ushtarake për vendin tonë, si dhe shënime shpifëse për gjendjen në Shqipëri”. Në dosjen në fjalë, ndodhet gjithashtu edhe dy dokumente të tjera, ku në të parin ndodhet letra e shtetasit francez, Jean Maria Leon, i cili vizitoi Shqipërinë në vitin 1970, (si pjesëtar i ‘Grupit 4188’), dërguar sektorit të Jashtëm, pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, ai ankohet, pasi pala shqiptare nuk i’u dha mundësinë, që të realizonin programin e plotë të vizitës së tyre, etj. Ndërsa në dokumentin e dytë, ndodhet letra e shtetasit nga Britania e Madhe, D. Lesli, (që kishte ardhur si vizitor në Shqipëri në vitin 1970, së bashku me një grup bashkatdhetarësh të tij me ide komuniste), dërguar organeve drejtuese të ALBTURIZMIT, ku i ankohet se, gjatë vizitës së tij nëpër qytete të ndryshme, si: Tiranë, Durrës, Shkodër, etj., ai dhe pjesëtarët e tjerë të grupit, nuk ishin lejuar që të përdornin aparatin fotografik dhe njerëzit që ata donin të fotografonin, u përgjigjeshin me sjellje jo të mira!
Dokumenti me raport-informacionin e hartuar nga zv/ministri i Punëve të Jashtme, Reiz Malile, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me gazetarin francez Zhan Zhak Bovantr, të gazetës “Valeurs Actuelles”, i cili u dëbua nga Shqipëria, si person i padëshirueshëm
I N F O R M A C I O N
Në datën 28 Gusht 1970, u dëbua nga Shqipëria si person i padëshirueshëm gazetari francez i gazetës “Valeurs Actuelles” Zhan Zhak Bovantr, i datëlindjes 1946, ardhur në vendin tonë njëherë, në datën 4.8.1970, dhe herën e dytë në 18.8.1970, me grupet turistike të firmës “Contrel”.
Dëbimi i tij u bë për arsye se në një bllok, ju gjetën shënime që përbëjnë sekrete ushtarake për vendin tonë, si dhe shënime shpifëse për gjendjen në Shqipëri.
Sot u thirr në ministri, këshilltari i ambasadës franceze dhe u vu në dijeni për sa më sipër, duke i thënë se organet tona kompetente, kishin dokumente të mjaftueshme për të arrestuar gazetarin, por ne u kufizuam vetëm me dëbimin e tij.
Këshilltari francez, falënderoi për mënyrën e trajtimit të çështjes e të mbylljes së këtij incidenti, dhe tha se do të njoftonte menjëherë qendrën e tij.
Reiz Malile
Tiranë më 29.8.1970
Letra e shtetasit francez, Jean Maria Leon, që vizitoi Shqipërinë në vitin 1970, si pjesëtar i ‘Grupit 4188’, dërguar sektorit të Jashtëm të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me vizitën e tyre në Shqipëri,
Organizmave të Partisë së Punës së Shqipërisë, përgjegjëse për politikën turistike dhe të udhëtimeve studimore të militantëve
Albturizmit që na priti dhe me të cilin kemi pasur diskutime të shumta.
Ambasadës së Shqipërisë në Francë, që na siguroi informatat dhe kontaktet paraprake për këtë udhëtim.
Sivjet kanë vizituar Shqipërinë 6 grupe francezësh, 3 grupe ishin militantë, gjë që dëshmon entuziazmin dhe interesimin që ngjall marksizëm-leninizmi i praktikuar në Shqipëri. Së paku në nivelin e këtyre tre grupeve, gjatë udhëtimit në Shqipëri, u shtruan disa probleme. Menduam se do të ishte e drejtë që të sqaronim këto probleme për ne.
Grupi ynë i përbërë nga militantë kryesisht që punojnë në fronte të ndryshme si kulturore (punë teatrale), universitare (luftë kundër arsimit borgjez), banesë (aksion kundër kushteve borgjeze në banesa), dëshironte të njihte Shqipërinë të vetmin vend socialist në Evropë, me qëllim që të zhvillonte një propagandë të efektshme mbi socializmin.
Ne themi “Propagandë të efektshme”, sepse na duket që ekzistojnë mundësi të tjera propagande që tekstet e broshurave të vendeve si Kina dhe Shqipëria, mundësi të tjera në lidhje më të ngushtë me zhvillimin e lëvizjes së masave revolucionare në Francë, dhe me qëllim që ky tip propaganda, të jetë konkrete dhe e gjallë.
Në vijim të takimeve të shumta që kemi pasur me pjesëtarët e ambasadës shqiptare, gjatë muajve të mëparshëm të udhëtimit tonë në Shqipëri, ata na kishin këshilluar që ne të përgatisnim një program ku, të tregoheshin vizitat dhe konferencat që ne dëshironim të kishim gjatë qëndrimit tonë.
Dhe ky program, do të diskutohej me përgjegjësit shqiptarë. Gjatë muajit korrik, ne u mblodhëm me grupe punë për të studiuar duke pasur si ndihmë tekstet shqiptare, aspektet kryesore të socializmit në Shqipëri, historinë e luftërave për çlirimin kombëtar, historinë e PPSH-së, vendosjen dhe konsolidimin e marrëdhënies në prodhim, lindja dhe zhvillimi i kulturës së edukimit socialist.
Ne erdhëm në Shqipëri me bindjen, se kjo propagandë është e efektshme për të çuar përpara çështjen e revolucionit të Francë. Por ne e dimë gjithashtu se kjo propagandë, është e paplotë dhe e zvogëluar e socializmit, sepse udhëtimi që ne bëmë, nuk na lejoi që të merreshim me të gjitha aspektet e jetës që socializmi ka krijuar.
Kështu ndodhi në të tre frontet e luftës për prodhimin, çështje jetike për pavarësinë kombëtare dhe ekzistencën e socializmit në Shqipëri. Në frontin e uzinave, një vizitë si ajo që bëmë në Uzinën e Traktorëve të Tiranës, ishte entuziaste. Vizita jonë vazhdoi 4 orë.
Diskutimet e drejtpërdrejta me punonjësit, përkthimi i të gjitha fletë-rrufeve, të të gjitha parullave, vizita në mensë, etj. Të gjitha këto, përbëjnë njoftime shumë të gjalla mbi pushtetin proletar në ndërmarrje. Përkundrazi dy vizitat e tjera, ajo në Kombinatin e Tekstileve në Berat, dhe në Fabrikën e Telave të bakrit në Shkodër, nga ku kalojnë vazhdimisht grupe turistësh, bënë të mundur kontakte jo të ngushta dhe një bashkëpunim politik të përciptë.
Në frontin e ndërmarrjeve bujqësore shtetërore, mundësia e vetme është ajo e NBSH-së Sukthit, ku vizita u kufizua nga një paraqitje interesante nga ana e përgjegjësit që na priti. Ky tip koncentrimi i prodhimit bujqësor (i panjohur në Francën kapitaliste), është një nga “hapat përpara”, që lejon zgjidhjen e çështjes agrare, dhe ishte interesante që t’ju shpjegoheshin të gjitha transformimet që sjell.
Në frontin e kooperativave ne, u habitëm pasi asgjë nuk ishte parashikuar për ta bërë të njohur këtë sektor të rëndësishëm të prodhimit. Ne u jemi shumë mirënjohës përgjegjësve shqiptarë që, pranuan kërkesën e tre grupeve për vizitën në Shijak, vizitë që ishte jashtë intenerareve turistike, por që na mësoi mënyrën e jetesës në kooperativa.
Por socializmi në Shqipëri, nuk është vetëm lufta për prodhimin pasi janë, të gjitha aspektet e jetës që revolucioni ka transformuar në këtë vend. Nga kjo anë, vizita në kantierin e punës në Elbasan na ka entuziazmuar. Ajo bëri që ne të prekim me dorë nga afër, lumturinë e popullit shqiptar dhe ndërtimin e vendit.
Por, sa aspekte të tjera të jetës së vendit, na shkuan kalimthi dhe që nuk mundëm t’i shihnim nga afër. Kështu në Tiranë, duke vizituar një lagje të re banimi ne, pamë transformimin socialist në jetën e lagjes. Propaganda që ne do të kishim mundur të bënim duke vizituar çerdhet, duke biseduar me Këshillin e Lagjes, do të kishte qenë me shumë rëndësi dhe kryesore.
Ne do të kishim dashur të njihnim revolucionarizimin jo me konferenca, por duke biseduar me mjekët e fshatit, si dhe duke parë shfaqjet e grupeve teatrale në kooperativa. Por në fakt ne pamë vetëm një shfaqje teatri në Durrës?!
Të gjitha këto kritika mbi mungesën e këtij tipi udhëtimi, duam t’i formulojmë në mënyrë vëllazërore, duke marrë parasysh nevojat tona militante, pa kuptuar atë që është e mundur ose jo për Shqipërinë.
Megjithatë, le t’ju lejojë militantëve të huaj Shqipëria, sesi forca krijuese e popullit sundon mbi të gjitha aspektet e jetës shoqërore, që në vendet kapitaliste përkthehen në shtypje dhe shfrytëzim. Ky është një kontribut i rëndësishëm që Shqipëria mund t’ju japë popujve që luftojnë.
Grupi 4188
(Udhëtimi Coretel, Gusht 1970)
Shënim: Për çdo korrespondencë eventuale t’u shkruhet.
Jean Marie Leon
24 Bd Colbert
Sceaux 92. Francë
Letra e shtetasit nga Britania e Madhe, D. Lesli, që erdhi si vizitor në Shqipëri në vitin 1970 së bashku me një grup bashkatdhetarësh të tij, dërguar organeve drejtuese të ALBTURIZMIT, ku i ankohet se gjatë vizitës së tij nëpër qytete të ndryshme, ai dhe grupi që kryesonte, nuk ishin lejuar që të përdornin aparatin fotografik!
GRUPI TURISTIK ANGLEZ
HOTEL “MAXHESTIK”
DURRËS 7 SHTATOR 1970
Të dashur shokë:
Po vizitoj për të dytën herë vendin tuaj interesant dhe nxitës, por kam ndeshur me të njëjtat vështirësira për të cilat ju ankova në vizitën time të parë. Pas kthimit në atdhe, ju dërgova një letër mbi këto vështirësi, por nuk mund të je mi sigurt nëse muarrtë ose jo letrën, pasi nuk kam marrë ndonjë përgjigje.
Vizita time e parë, u errësua nga qëndrimi i njerëzve tuaj, që refuzohen të fotografohen nga vizitorët dhe nga zemërimi dhe mosmarrëveshje, të cilat i manifestuan haptazi dhe në mënyrë të qartë, sa herë që herë që aparati fotografik drejtohej në një objektiv, veçanërisht kur në këtë objektiv përfshiheshin edhe njerëz.
Aparati fotografik nuk mund të fotografoj në ndonjë drejtim, bile, në fotografimin e fëmijëve të kopshteve dhe të shkollave, të veshur hijshëm, pa shkaktuar shqetësim, kundërshtime, e ndërhyrje të hapët, prej ndonjë personi.
Në këtë vizitë të dytë, këto vështirësira u bënë më të qarta se sa ndonjëherë, edhe se kundërshtimi për përdorimin e aparatit fotografik, në vend që të përmirësohej, është keqësuar më shumë.
Ne kemi udhëtuar prej Durrësit në Tiranë dhe kemi kaluar në një numër qendrash të vogla dhe pamë shfaqje kundër përdorimit të aparatit fotografik në Shkodër, kështu që kjo praktikë është e përhapur dhe nuk është e kufizuar vetëm në një vend, ose tjetrin.
Shokë, del e qartë nga hotelet e shkëlqyeshme që keni ndërtuar dhe nga shërbimi i përsosur, se ju po bëni përpjekje për të zhvilluar tregtinë e turizmit dhe, për të siguruar ardhjen në vendin tuaj të sa më shumë njerëzve, për t’u tërhequr nga rrezet e shkëlqyeshme të diellit dhe nga bregdeti, që ua ka falur natyra.
Ne jemi takuar këtu me gjermanë, danezë dhe me anglezë të tjerë, dhe në këtë vizitë, takuam gjithashtu një grup të përbërë nga 40 kinezë, shumë nga të cilët kishin me vete aparate fotografike. Dhe sa më shumë vizitorë që do të pritnin nga vendet e tjera, aq më tepër aparatet fotografik do të ketë në vendin tuaj.
Shumë njerëz e konsiderojnë tani aparatin fotografik, si një mjet të domosdoshëm në çdo udhëtim ose vizitë që bëjnë. Çfarë mendimi mund të kenë ata kur një nga argëtimet ose kënaqësitë e tyre më të natyrshme, pritet jo vetëm me zemërim, por gjithashtu me urrejtje dhe ndërhyrje të hapur.
Vizitori vjen për të parë vendin tuaj, qytetet, popullin, zakonet, jetën në përgjithësi. Çdo gjë që ndryshon prej asaj të vizitorëve, ngjall interesim për ta fotografuar, veshjet, sistemet e transportit, çdo gjë që është e re ose e vjetër, në fakt, pamjen e të gjithë njerëzve dhe të vendeve tuaja.
Shokë: Unë jam komunist dhe kam qenë anëtar i Partisë Komuniste të Britanisë së Madhe, për më tepër se 40 vjet. Unë dëshiroj t’i kaloj pushimet dhe t’i shpenzoj paratë e mija në vendet e socializmit dhe vijmë me ndjenjat më miqësore për të gjithë popullin tuaj dhe për ndjenjën e afrimitetit (afërsisë), ndaj juve dhe ndaj të gjitha aspiratave socialiste.
Prandaj, ju lutem, bëni çmos brenda mundësive tuaja, për të ndryshuar qëndrimin e njerëzve tuaj të thjeshtë, për mënyrat dhe kuriozitetin tonë, që vijmë midis jush dhe mos na shtyni t’i kalojmë vizitat, kundër dëshirës sonë, midis njerëzve të tjerë dhe të na injoroni, të gjitha ato që kemi, të na ofroni dhe të ngjallim interesim dhe kënaqësi për ne.
Ju përshëndes me ndjenjat më të përzemërta të miqësisë dhe me përgëzime shoqërore. Memorie.al
Juaji me besnikëri
D. Lesli
4 TS Leonard’ s bank
Edinboorg – SCOTLAND
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016