Nga Visar Zhiti
Pjesa e tretë
Pllaka të kujtesës dhe thasë…!
NË LUFTË DHE PASLUFTËS
Teksa bëja kartelat, mblidhja fakte dhe emra të dënuarish së bashku me veprat, sikur mblidhja plagë dhe harrime të rënda, klithma dhe copa errësire si copa dheu, kryqe dhe eshtra, statistika mortajash, etj., etj., puna më vështirësohej dëshpërueshëm, ndërkaq e ndjeja gjithnjë e më fort se nën këmbët e të gjithëve ishte ai, panteoni i tyre. Zbulimi i tij duhej të ishte punë e të gjithëve, mision, madje dhe e atyre që punuan me vullnet e dëshirë, të detyruar a me mashtrime për ta mbuluar.
Nuk duhej të harrohet sërish, e si mund të bëhet i pa qenë? Ai është. Është i atyre që kanë dhënë gjak dhe jetë, jo vetëm punë për kulturën, lirinë dhe të vërtetën. Edhe pa e ditur. Në fakt ai është panteoni ynë. Kërkimet vështirësoheshin duke u shtuar ndjellja si me magji. Sikur panteoni të ishte një labirinth a kishte një tjetër labirinth për të arritur te portat e tij, tek muret plot me emra të dënuarish. Dhe aq sa do të duhej të bëje përpara, po aq shkoje dhe pas. Afrohesha duke u larguar.
Lufta e Dytë Botërore (1939-1945) nisi me sulmin e Gjermanisë naziste ndaj Polonisë në 1 shtator 1939 në marrëveshje të fshehtë me Bashkimin Sovjetik. Me sulmet rrufe, pas Polonisë, do të pushtoheshin Norvegjia, Holanda, Belgjika dhe Franca.
Ndërkaq aleati i Gjermanisë, Italia fashiste kishte sulmuar më parë, në 7 prill të po atij viti, Shqipërinë e vogël.
Mbreti Zogu I-rë i Shqiptarëve, iku menjëherë me vendim të Parlamentit, që me shpurën e tij të mund ta organizonin nga jashtë luftën kundër pushtuesit, që të mos derdhej gjaku i pa fajshëm i popullit.
Por nuk ndodhi ashtu. Pushtimit shqiptarët iu përgjigjen me armë. Gjatë gjithë bregut Adriatik oficerë të Mbretërisë dhe forca vullnetarë luftuan dhe u vranë. Të rënë pati nga të dyja palët ndërluftuese.
Lufta me pushtuesin ishte e pabarabartë, e shkurtër, por ajo qëndresë shënjoi dhe rezistencën e parë me armë të Luftës së Dytë Botërore ndaj rrezikut nazi-fashist në botë. Shqipëria e pushtuar do të vazhdonte kundërshtimet deri sa do të arrihej në luftën mbarë popullore.
Në vitin e sulmit të pa besë, në vjeshtë, nacionalistët u bashkuan dhe themeluan organizatën e Ballit Kombëtar, që u hodh në beteja kundër pushtuesit.
Në 8 nëntor 1941 do të krijohej Partia Komuniste e Shqipërisë nën vëzhgimin e jugosllavëve dhe nga atentatet, aksionet guerile do të kalohej në ngritjen e ushtrisë së madhe. Në vitet e para këto dy fronte e luftuan pushtuesin së bashku, por më pas udhëheqja e komunistëve kërkoi ndarje nga nacionalistët dhe u formuan kështu dy kahe armiqësore, që do ta goditnin njëri-tjetrin me armë, pra u kalua dhe në luftë civile, sipas disa historianëve.
Gjithaq Italia fashiste, përveç të tjerave, zhvillimit që edhe solli në ndërtime e rrugë, etj, duke përhapur gjuhën dhe kulturën e saj, ishte një pushtues i pa ftuar dhe do të ushtronte dhunë ndaj vendit, do të ndërmerrte masa shtrënguese të forta ndaj kundërshtarëve të saj, intelektualëve dhe patriotëve, gjyqe, dënime, internime, burgje, reprezalje, vrasje, do të kishte dhe luftime të ashpra dhe të hapura e dëshmorë të shumtë…!
Fronti “Nacional-Çlirimtar” i kishte ndezur betejat gjithandej vendit, por, çudi, duke i luftuar nacionalistët, i bashkuar me aleatët e mëdhenj dhe e ardhmja do të tregonte me ankth se sa çlirimtarë do të ishin.
BREGU TJETËR – Disa kartela nga ishulli i huaj:
Itali. Bregu i bukur në qytetin e Napolit. Kam shëtitur andej dhe kam ndalur të shikoj ishujt e famshëm. Ischia, Capri. Procita, ku ka qenë burgu i fëmijëve dhe unë kam shkruar një poezi të trishtë. Po unë kërkoja më përtej, edhe në kohë.
Ja, sikur tretej midis qiellit dhe detit, vegim i zbehtë i kaltëryer, por dhe tronditës: Ventotene. Ishull që është dhe në kujtesën e shqiptarëve, madje dhe në këngë.
“Ventotene” …ku fryn shumë erë… veee-ntoo… eeee si iso… Sa shumë shqiptarë u mbyllën në atë ishull. Rastësi? Jo. Ishte thirrja.
Pushtuesi fashist aty degdiste kundërshtarët më të rrezikshëm. Kamp internimesh që s’kishte nevojë për tela me gjemba, ishte i rrethuar me ujanën.
Patriotë, luftëtarë, personalitete të spikatura kanë në fatin e tyre, më saktë në fatalitetin, bashkarisht dhe këtë “ishull”, ku, si të thuash u takohen rrugët dhe bëmat prej heronjsh, përpjekjet që atdheu të mos mbetej në pushtim, por as që të kalonte në perandorinë komuniste si në një tjetër katastrofë, kur të mbaronte lufta, se ajo do të mbaronte një ditë, ndërkohë të tjerë e donin këtë kalim, e kishin ideal, duke e parë si shpëtimin.
Në këtë ishull janë kryqëzuar fate, që sikur iknin me erërat, humbnin nëpër ca shkulme e vorbulla të mëdha, jo në ato të detit.
Ç’ka ndodhur me të mbyllurit tanë atje, cilët ishin, nga i merrnin dhe pse e ç’bëhej më pas, kur shkuleshin prej andej? Pse sa më shumë të luftoje për idealin, për lirinë, për atdheun, aq më pak fitoje ideal, liri, atdhe, ndonjëherë dhe duke i humbur ato përgjithmonë. Madje edhe jetën.
Orakulli i erës së atij ishulli sikur bëri disa paralajmërime alarmante, që e paraprinë historinë e së ardhmes.
Dëgjojeni erën si ulërin:
Një vetëvrasje si profeci:
Pedagogu Safet Butka
(1901 – 1943)
Ishte në Ventotene.
…Bir i luftëtarit patriot, mitikut Sali Butka. Pasi shkollohet në Austri, do të jetë arsimtari i disa gjimnazeve të vendit, reformator në edukim, studiues në pedagogji, autor shkrimesh problemore si: “Për të nesërmen shqiptare”, “Për zhvillimin e gjuhës”, “Mbi edukatën kombëtare”, “Po shqiptarizmit dhe Perëndimit” etj., dhe mbiquhet “Pestaloci i Shqipërisë”.
Nismëtar në sjelljen e eshtrave në atdhe të poetit kombëtar, Naimit, u prin intelektualëve dhe studentëve në demonstratat e para kundër fashizmit dhe pushtimit më 1939. E arrestojnë dhe e burgosin në Tiranë dhe më pas internohet në ishullin Ventotene, e mbajnë për tre vjet së bashku me intelektualë të tjerë bashkatdhetarë antifashistë.
Kthehet në atdhe për të vazhduar detyrën, të luftojë kundër pushtuesit. Bashkohet me Mit’hat Frashërin e nacionalistët e tjerë. Është në krye të Ballit Kombëtar.
Por kur kjo luftë ndërron kah e bëhet vëllavrasëse, luftë civile, ai tronditet së tepërmi ashtu si toka nga tërmetet. Kjo çmenduri kolektive, që ia çoroditte konceptet, donte një çmenduri tjetër, të mençur, që të frenohej sa do pak, një protestë dhe apel ndërgjegjes kombëtare. Një theror. Dhe zgjodhi veten. E vret… Dhe ishte 42 vjeç, me grua dhe fëmijë.
Kështu kishte bërë dhe shkrimtari Stefan Cvajg. E kishte njohur në Austri? Lufta për liri do të kthehej në fitore tjetër.
Gjithsesi ajo krismë e vetmuar arme do të jehonte në kujtesën kolektive, që secili do ta ndiente brenda vetes si një akuzë mes gjëmimeve të tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore.
Vrasja si rivalitet:
Europianisti Zai Fundo
(1899 -1944)
…e vrasin partizanët me të ardhur nga Ventotene, ku e kishin internuar fashistët si luftëtar kundër pushtimit. E morën zvarrë dhe e vunë pas një muri andej nga Kukësi. E pushkatuan dhe urdhri, siç u zbulua më pas, kishte ardhur nga lart, nga diktatori i ardhshëm, Enver Hoxha. Apo më shumë nga lart, nga Beogradi a Moska. Nga Stalini drejt për së drejti…!
Korçari Zai Fundo, pasi mbaron liceun francez në Selanik, studion në Paris, në Sorbonë për drejtësi dhe kthehet në atdhe të bëjë juristin. Pas vrasjes së Avni Rustemit, zgjidhet ai kryetar i Shoqërisë “Bashkimi” dhe drejton gazetën po me këtë emër.
Me të rënë Qeveria e Fan Nolit në 1924 ikën në mërgim, në Itali, pastaj në Austri, në Gjermani, prapë në Francë dhe kalon në Bashkim Sovjetik. Diplomohet për filozofi në Moskë, jep leksione në Leningrad dhe anëtarësohet në Komintern. Do të jetë dhe punonjës i ambasadës ruse në Berlin…!
E braktis ideologjinë komuniste që “ia kalon dhe Satanait për nga ligësitë”, i shkruan Imzot Fan Nolit dhe del hapur kundër regjimit pervers të Stalinit (fjalët e tij) dhe Kominterni e dënon me vdekje.
Kur Shqipëria pushtohet nga Italia, në 1939, kthehet në atdhe, që ta luftojë fashizmin, ndërkaq punon si mësues gjimnazi. E pushojnë nga puna dhe e internojnë si veprimtar i Ballit Kombëtar në Ventotene.
Atje, krahas me bashkatdhetarët e internuar, do të bashkëpunojë me personalitetet italiane si Sandro Pertini, gazetar dhe Presidenti i ardhshëm i Italisë apo me politikanin Altriero Spineli, federalist Europian, një nga etërit e themelimit të Bashkimit Europiani, i cili në autobiografinë e tij “Si jam përpjekur të bëhem i ditur”, do të shkruante dhe për Zai Fundon, ja disa pjesë:
“…ishte autoritar… me një përvojë politike të gjatë dhe komplekse… besimit të tij i shtohej inteligjenca dhe njohja jo pak e gjuhëve, përkushtimi politik i Zai Fundos ishte përtej Shqipërisë dhe, kur Dimitrovi u arrestua pas djegies së Reichstag-ut, Fundoja ishte në Berlin si bashkëpunëtor i tij. Iku, se mos e arrestonin… dhe shkoi… në Moskë… Më vonë i shkëputi marrëdhëniet edhe me Internacionalen, teksa përndiqej prej saj… ai, i edukuar në një atmosferë kulturore liberale… në Ventotene… shëtiste i qetë, i drejtë, i bukur me flokët bjond që ia merrte era, duke mërmëritur me zë të ulët fjalët e Platonit që ishte duke lexuar në greqisht…
…kur u lirua… kaloi në Shqipëri, u njoh me partizanët komunistë duke u thënë se kush ishte duke u thënë që po vinte të luftonte me ta, u vu pas murit dhe u pushkatua. Ishte a s’ishte dyzetë vjeç. Dua të shpresoj se përveç meje ka ndonjë shqiptar në botë që e kujton”.
(“Come ho tentato di diventare saggio”,
Ventotene 1939 – 1943, fq. 265-267).
“Dua të shpresoj se përveç meje ka ndonjë shqiptar në botë që e kujton”. Të them që jam dhe unë dhe nuk jam vetëm, shpresoj? Faleminderit për këtë thirrje për kujtesë, kaq prekëse, njerëzore po aq, që vjen nga internimet e largëta bashkë me erën. Rrugës së kujtesës po eci, në kujtesën e së ardhmes.
Dhe e di, përfytyrimi i një Ballkani bashkë, i një Evrope të Bashkuar, është tjetër gjë nga projektet uzurpuese të një perandorie komuniste. Një njeri që ëndërroi ashtu, duket sikur e vrasin çdo ditë…!
IKJET
Teksa mbaronte Lufta e Dytë Botërore, bisha nazi-fashiste e Boshtit Gjermani, Japoni dhe Itali po sprapsej gjithnjë e më shumë duke iu afruar strofullës nga doli dhe fitorja e aleatëve, e shteteve të Europës dhe e Bashkimit Sovjetik dhe mbështeja jetike e SHBA, dukej e sigurt. Po kështu u krijua dhe Aleanca e Madhe e Bashkimit Sovjetik, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA.
Shqipëria për fat kishte marrë anën e duhur të historisë, me aleatët…! Fitimtarët shqiptarë i besonin mizorisht kauzës së tyre (a mizorisë si kauzë) dhe ende pa ardhur në pushtet, kur po afronte dita e tyre, shtuan sulmet ndaj pushtuesit të huaj dhe reprezaljet ndaj vendasve, gjithçka ta mposhtnin me hekur dhe gjak që ishte kundër tyre e që mund të ishte më pas, front, parti, ide, vepra, njerëz të veçantë, grupe.
Shpërthyen ikjet. Dhe do të vazhdonin. Panik dhe pasiguri për të sotmen dhe ende më shumë për të nesërmen.
Po iknin patriotë, burra të shquar, mendimtarë, shkrimtarë, ikte një pjesë e tronditëse e historisë. Që të shpëtonin kokën dhe që të vazhdonin qëndresën dhe përpjekjet ndryshe, nga jashtë, në të mirë të atdheut.
Për ta vazhduar luftën nga jashtë:
Mit’hat Frashëri
(1880 – 1949)
Do të ikte…!
I biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Poetit Kombëtar Naimit dhe i ideologut të Rilindjes, Samiut. Lider dhe vetë, politikan, historian dhe shkrimtar. E urrente luftën e armatosur, donte qëndresën e mënçur. Luftëtar i pavarësisë në krah të Ismail Qemalit, ministër i punëve botore i qeverisë së parë.
Gjatë Luftës së Parë Botërore e internojnë, ikën në Zvicër, kthehet, bashkohet me kryengritjet shqiptare, boton revista shqiptare, pikërisht kjo ishte lufta që donte…!
Kur Shqipëria pushtohet nga fashistët, nis veprimtarinë politike, bashkon nacionalistët, në Dekalogun e Ballit Kombëtar, kundërshtar i komunistëve, merr pjesë në Marrëveshjen e Mukjes për ta luftuar pushtuesin së bashku, ikën në Itali, kur tradhtohet çështja e po e marrnin pushtetin ata që do të vendosnin diktaturën në atdhe.
Organizon shqiptarët jashtë, “Shqipëria e lirë” ishte programi i tyre, shkon në Nju Jork për këtë punë dhe vdes papritur atje. Apo e helmuan? Djajtë e kuq arrijnë ç’duan e ç’urrejnë…!
Fundi i rrugëtimit të Mit’hat Frashërit ishte SHBA. Si për t’u thënë shqiptarëve: shikoni këtej, larg, por ja, aleati ynë i sigurt. Nga këtej shpëtuam pa u copëtuar…
Mustafa Merlika-Kruja,
(1887 – 1958)
…do të ikte.
Kryeministër i Shqipërisë, i diplomuar për shkencat politike jashtë vendit, bashkëpunëtor i Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit në Shpalljen e Pavarësisë, që përveç punëve si patriot dhe historian, shquhet dhe si gjuhëtar i klasit të parë dhe la në dorëshkrim një Fjalor prej 2.400 faqesh, me 30.000 fjalë shqip.
Kjo lëndë madhore mbeti në kthetrat e fitimtarëve dhe ata e dinë ç’bënë me të, si e shqyen, e përvetësuan, e dogjën.
Libra të tjerë të Mustafa Merlika-Krujës janë: “Anthologji Historike”, “Letërkëmbim 1947-1958”, “Kujtime vogjlije e rinie”, “Aleksandr’ i Madh” dhe “Vëzhgime Iliro-shqiptare”, punime shkencore origjinale, si dhe përkthime prej tij të veprave themelore që lidhen me ilirët dhe pasardhësit e tyre, shqiptarët, një ndihmesë e vyer dhe me rëndësi.
Gazetari i famshëm italian Indro Montaneli, autori i një libri trallisës për Shqipërinë, ja ç’do të shkruante për qeverinë e Mustafa Krujës në “Corriere della sera”: “Ministrat shqiptarë… të gjithë vishen thjesht, janë pak të ashpër, por të përgatitur mirë teorikisht. E kaluara e tyre është njëlloj: kanë vuajtur për vendin e tyre. Idetë e tyre janë të lidhura me disa dogma themelore: njësía territoriale e Shqipërisë, autonomia e brendshme, mbrojtja e racës dhe e pasurisë kulturore, bashkëpunimi me Italinë mbi bazën e të drejtave dhe të detyrimeve të përbashkëta. Janë të ndershëm e të varfër. Janë njerëz të veprimit e jo të burokracisë”.
Dhe për vetë kryeministrin: “Suksesi e nderimet nuk kanë mundur ta shndërrojnë natyrën dhe sjelljen e jashtme të këtij burri… (që) nuk i jep rëndësi vetes me poza e me fjalë të mëdha. Vazhdon të flasë me maturi e… thotë të vërtetën… Jeta e tij ngjan me atë të Mazzini-t e programi i tij është ky: dua një Shqipëri të bashkuar në kufijtë e saj natyrorë.”
Kryeministri Kruja dhe qeveria e tij do të ishin dhe mbrojtës të pashoq të hebrenjve, që përndiqeshin kudo. Jo vetëm që nuk do t’i dorëzonin te pushtuesi nazi-fashist, por do të vinin të tjerë nga të mundnin dhe Shqipëria do të ishte vendi që do të kishte hebrenj më shumë pasi mbaroi lufta, sesa kur nisi.
Dhe pikërisht do të iknin si çifuti në shkretëtirë, personalitete të tjera të vendit, intelektualë…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016