Nga Arben Pustina
-Rrok Gera, një burrë shteti ashtu si duhet –
RROK GERA NË PERIUDHËN E PUSHTIMIT TË VENDIT, 1939-1944
Memorie.al/ Mjafton të lexosh këta rreshta për të kuptuar se çfarë shqetësimi kishin në ato momente drejtuesit italianë të BKSh-së, ndërsa më poshtë do të shihet qartë edhe vendosmëria e tyre për të përdorur çfarëdolloj mjeti për të ruajtur interesin e vet. Në muajt e parë të 1944-ës, paraqitet një projekt fillestar për kombëtarizimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Pak më vonë, në pranverë, për këtë çështje u hartua një tjetër projekt. Ashtu siç del nga shumë dokumente dhe botime të ndryshme, përfshi dhe ditarin e Drejtorisë Qendrore të BKSh-së, Rrok Gera pati një rol kryesor në përpjekjet për vënien në zbatim të këtij projekti.
Të dielën e 7 majit 1944, Dr. Pasko i bënte të ditur konfidencialisht Dr. Meliss, për një punë përgatitore intensive që po ndërmerrej në Këshillin e Ministrave, lidhur me një detyrë që do t’i besohej ish-ministrit të Financave dhe të Ekonomisë Kombëtare, Rrok Gera, për të shkuar në Romë, si i plotfuqishëm, me synim arritjen e një marrëveshjeje që kishte të bënte me pjesëmarrjen e dëshirueshme të shtetit shqiptar në aksionet e BKSh-së.
Sipas Ditarit të Drejtorisë Qendrore të Bankës, ditën e hënë, më 8 maj, Gera zhvilloi një takim me drejtorin Ettore Meliss, ku u diskutua pikërisht çështja në fjalë. Në vijim të vendimit të datës 28 prill 1944 të Këshillit të Ministrave, më 10 maj 1944, Rrok Gerës iu dha një mandat, nëpërmjet të cilit ai caktohej ministër fuqiplotë i klasit të parë, me të drejta për të vendosur në bisedimet me italianët, lidhur me kalimin e shumicës së aksioneve në favor të shtetit shqiptar. Sikurse shihet në dokumentin e mëposhtëm, edhe në prag të nisjes për në Itali, Gera nuk kishte asnjë funksion shtetëror, por shkonte në atë mision, ashtu si dhe shumë herë të tjera, me dëshirën e mirë për të kontribuar për vendin.
Mandat i posaçëm, “Unë i nënshkruemi Musa Gjylbegaj, Zëvendës Ministër i Financave, Ministri i Punëve Botore i Shqipnis, në Bazë të Vendimit Nr. 310, datë 28 Prill 1944, të Këshillit të Ministrave të Shqipnis, i nap me anën e këtij dokumenti në emnin dhe për llogarinë e Qeverisë Shqiptare, Z. Dr. Rrok Gera, ish-Ministër i Financave dhe i Ekonomisë Kombëtare, Ministër Fuqiplotë i Kl. I-rë, fuqina të plota për me më zëvendësues, me tratue, me konkludue e me nënshkrue me vleftësi të plotë për mue, në emnin e për llogarinë e Qeverisë Shqiptare, me çdo person fizik e juridik, çdo akt e kontratë që ka të baje me kalimin e shumicës s’aksioneve të Bankës Kombëtare të Shqipnis, në zotnimin e Shtetit Shqiptar.
Në bazë të këtij delegimi e për këtë qëllim, ay mundet në mënyrë të posaçme: 1)- Me tratue, me përfundue e me nënshkrue me Selin’ e Romës të Bankës Kombëtare të Shqipnis o me Grupin Financjar Italjan, për të cilin bahet fjalë në Konventën datë 15 Mars 1925, o me Përfaqsuesin e Përfaqsuesat e këtij Grupi, çdo akt ose konvencjon për çdo çeshtje që ka të baje drejt për drejt o tërthorazi me Bankën në fjalë, me aksjonet o me gjendjen e saj; 2)- Gjithashtu me përfundue e me nënshkrue për qëllimin e këtij mandati, çdo Konvencjon o Kontratë me çdo person fizik o ent moral privat, ose publik (shtetnuer, parashtetnuer etj.), që ka marrëdhanje, të drejta e interesa, drejt për së drejti e tërthorazi, për llogari të vet o të tjerëve, me Bankën Kombëtare të Shqipnis, me aksjonet e saja o me gjendjen aktive e pasive të bilancit të saj; 3)- Me ble, me pague e me marrë në dorëzim, për llogari të Shtetit Shqiptar, aksjonet e Bankës Kombëtare të Shqipnis, qofshin këto ordinare, apo themeluesi, emnore a Rrok Gera pruesi.
Ma në fund, të gjitha aktet e konvencjonet që z. Rrok Gera ka me konkludue e me firmue në virtyt e mbrenda kufive të këtij mandati, quhen të bame e të firmueme në vendin t’em, në emnin e për llogari të Qeverisë Shqiptare dhe janë të vlefshme për të gjitha efektet dhe kundrejt kujdo qoftë. Ky akt u redaktue në katër origjinalë. Njani prej tyne, i bashkuem me përkthimin autentik në gjuhën italjane, do t’i transmetohet Bankës Kombëtare të Shqipnis, Selija e Romës, me anën e Drejtoris Qendrore të saj të Tiranës, një ekzemplar i dytë do t’i paraqitet Selisë së Romës së Bankës Kombëtare personalisht prej z. Rrok Gera, ekzemplari i tretë do të mbahet nga z. Rrok Gera, me qëllim që të provojë fuqinat e tija të plota pranë kujtdo qoftë, ekzemplari i fundit mbetet pranë Ministrise së Financave të Shqipnisë. Bamun në Tiranë më 10 Maj 1944 Firma autentike e ZAV. MINISTRI I FINANCAVE Z. Rrok Gera MUSA GJYLBEGAJ”.
Ndërkohë, të premten e 12 majit 1944, ministri Gjylbegaj i kërkoi Drejtorisë Qendrore të BKSh-së të hartonte një letër shoqërimi për Komitetin e Aksionerëve në Romë. Ndërsa kishte shkuar në zyrat e kësaj Drejtorie, për letrën, të cilën do ta paraqiste në takimet që do të zhvillonte në Itali, Gera kishte theksuar se, në këtë mision, ai ishte në rolin e një ambasadori, dhe e kishte ndërmarrë këtë iniciativë duke përfaqësuar vullnetin e qeverisë shqiptare. Të nesërmen, ditën e shtunë më 13 maj, Rrok Gera u nis shumë herët në mëngjes drejt Beogradit, nga ku do të mbërrinte në Venecia.
Pasi arriti në këtë qytet të Italisë, ai kontaktoi fillimisht me personalitete të afërta me Ministrinë e Jashtme, si ambasadorin Capasso Torre, Gjeneral Gabriellin, dhe Lorusso Attoman, të cilëve u foli rreth qëllimit të misionit të tij. Sipas shënimeve të ditarëve të Drejtorisë Qendrore të Bankës, Gera kishte pohuar se personalitetet në fjalë i kishin gjetur të pranueshme kërkesat e qeverisë shqiptare lidhur me marrjen e shumicës së aksioneve të BKSh-së, dhe madje Capasso Torre e kishte ftuar atë, që në këtë drejtim, t’i paraqiste Duçes një promemorie, në mënyrë që çështja të zgjidhej.
Por takimi i Gerës me përfaqësuesin e grupit financiar italian të BKSh-së, Amedeo Gambino, nuk u realizua, pasi operacionet luftarake i ishin afruar shumë Romës, ndaj mes dy personaliteteve u zhvillua një bisedë telefonike në mbrëmjen e 31 majit. Gjithnjë sipas ditarëve të Drejtorisë Qendrore të Bankës, të cilët citojnë Rrok Gerën, Gambino kishte pranuar se personalisht nuk ishte kundër kërkesës së qeverisë shqiptare për të pasur shumicën e aksioneve të BKSh-së, por këmbëngulte që Gera të shkonte në Romë për të negociuar drejtpërdrejt me shumicën e aksionerëve të Bankës, banues në kryeqytet.
I pyetur nga Rrok Gera se sa mund të zgjaste ky diskutim me shumicën e aksionerëve, Gambino kishte theksuar se çështja nuk mund të zgjidhej në pak ditë, ndërsa i pyetur nëse ishte e nevojshme një ndërhyrje e qeverisë italiane lidhur me arritjen e një marrëveshjeje të tillë, Gambino ishte shprehur se kjo ndërhyrje do të ishte e domosdoshme. Gjithsesi, pas disa mëdyshjeve, Gera mendoi se duhej të shkonte në Romë, por pikërisht në ato ditë, situata luftarake në zonë u ashpërsua edhe më shumë, duke ia bërë të pamundur udhëtimin.252 Pas bisedës me Gambinon, Rrok Gera i kishte bërë një telegram qeverisë në Tiranë, duke kërkuar udhëzime të mëtejshme për situatën e krijuar, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje.
Në këto kushte, pas disa ditësh, ai udhëtoi drejt Vjenës. Sikurse mund të kuptohet qartë, nisur dhe nga zgjatja në kohë e misionit, pala italiane nuk ishte e interesuar të arrihej marrëveshja për BKSh-në, ndaj dhe kërkonte t’i zvarriste pa fund bisedimet. Edhe më tej, gjatë verës së vitit 1944, drejtuesit italianë të BKSh-së vazhduan të ishin shumë të shqetësuar për interesat e tyre që mund të prekeshin nga shpronësimi i një pjese të aksioneve që ata kishin në këtë Bankë. Duke punuar në shumë drejtime, ata vunë në lëvizje (siç shkruan Iljaz Fishta në librin e tij “Sistemi monetar e i kreditit në Shqipëri 1925-1944”), njerëzit e tyre, të cilët ushtruan presion për të mos lejuar miratimin e projektit të kombëtarizimit të Bankës.
Nga mesi i qershorit 1944, Dr. Pasko informonte konfidencialisht Drejtorinë Qendrore të BKSh-së, se Këshilli i Ministrave po mendonte për përgatitjen e projektligjit për ngritjen e një Këshilli të ri Administrativ të Bankës, në krye të të cilit do të ishte Rrok Gera, që në atë kohë ndodhej ende jashtë vendit. Po sipas Paskos, Regjenti Mehdi Frashëri dëshironte që në Këshillin Administrativ të ishte i biri, Ragipi, dhe, përveç Presidentit të Këshillit, që do të ishte Gera, pjesë e tij do të ishin edhe Vangjel Meksi, Thoma Orollogaj, Zija Bejleri, Xhelal Mitrovica si dhe një person tjetër.
Në një takim të zhvilluar më 23 qershor 1944, ndërmjet ministrit të Financave Dodbiba, Ettore Meliss, Bressan dhe Paskos, project-ligji ishte temë kryesore diskutimesh, por në vijim, ministri Dodbiba preferoi që shqyrtimi i dekretit të bëhej nga vetë Gera, pasi ai pritej që të ishte në cilësinë e Presidentit të këtij Këshilli. Ndërkohë, në verën e vitit 1944, dobësimi gradual i qeverisë së Rexhep Mitrovicës dhe kriza institucionale mes Qeverisë, Këshillit të Naltë dhe Parlamentit kishin bërë që diskutimet për një qeveri të re, të nisura që në pranverën e atij viti, të përfundonin me formimin e një kabineti të ri, të kryesuar nga Fiqiri Dine, i cili pranoi detyrën e kryeministrit në një mision që vlerësohej më shumë për teorinë bashkuese të forcave nacionaliste në Shqipëri.
Pjesë e qeverisë së Dines, të shpallur më 17 korrik 1944, ishte edhe Rrok Gera. Kundër dëshirës së tij (kishte kundërshtuar disa herë propozimet në këtë drejtim), ai pranoi më në fund detyrën, sepse ndër të tjera, donte të vinte në jetë projektin për kombëtarizimin e aksioneve të BKSh-së. Në favor të këtij argumentimi shkon dhe fakti që, më 15 korrik Dhimitër Pasko i shkroi Gerës një letër, nëpërmjet së cilës i sugjeronte mendimet e tij lidhur me atë që ai e quante “shqiptarizimi” i Bankës Kombëtare.
Gjatë dëshmisë së bërë në Gjyqin Special të vitit 1945, Gera deklaronte se “…Në lidhje me emërimin ministër, ka qenë në Shkodër, kur më 13.7.1944, ka marrë një telegram të paraqitej në Tiranë. Mehdi Frashëri, i ka thënë se e ka emëruar ministër dhe nuk ishte mirë të mos e pranonte detyrën për çështje komprometimi”. Por gjërat dalin edhe më të qarta në një letër të Gerës, shkruar me 9 gusht 1944, për Regjentin Mehdi Frashëri, ku ai i kujtonte këtij të fundit se ia kishte bërë fakt të kryer emërimin në postin e ministrit të Financave, pasi fillimisht kishte qenë kundër dhe më pas nuk kishte pasur as kohë të jepte përgjigje, nëse pranonte apo jo:
“…Më datën 15 korrik 1944, Shkëlqesija e Juej, patët mirësinë me më lajmue se Aji i Nalti Këshill kishte vendosë me më besue Dikasterin e Financavet në Qeverinë e Shk. T. Fiqri Dine. N’atë rasë paraqita disa shkaqe personale që më vejshin në pamundësi me pranue nji barrë të tillë, por Shkëlqesija e Juej nguli kambë tue mbajtë parasysh interesin e naltë të Kombit e, kështu nuk pata guximin t’insistoj ma gjatë në shkaqet personale. Tue kenë se ishëm largue nga detyrat shtetnore që nga data 7 Prillë 1939, e tue mos pasë, prandaj, njoftimet e thella mbi gjendjen e krijueme në Shtetin t’onë gjatë kohës s’okupacjonit italian e ma vonë nën Qeverinë dorëheqëse, gjendje që nji Ministër’i Financavet duhet të dijn për me mujtë me parapa a mundet a jo, me i dalë në krye nji detyrës së tillë.
Ju luta Shk. s’Uej që të m’u jepte një afat për nji studim të cifrave e të rrethanave ma t’imta, që kështu të mujshe me u përgjegjë me nji “po” a me nji “jo”. Shk. e Juej patët mirësinë me i nxjerrë Dekretet e Qeverisë Dine, me datën 17 korrik 1944 (pra kur un nuk kishe formue asnji mendim mbi situatën e mundësitë financjare të Vendit) dhe këte fakt e mësova kur me datën 19 korrik, u ftova me u paraqitë për betim para Asajë së Naltës Regjencë. Nuk mujta me parashtrue protesta në nji rasë aq solemne dhe mendova se ndoshta me vullnet të mirë e me punë të randë, mund t’i dilet në krye me ba dishka”.
Përveç kryeministrit Dine, që mbante edhe postin e ministrit të Punëve të Brendshme, dhe të Gerës, që mbante postin e ministrit të Financave, në këtë qeveri bënin pjesë edhe: Eqerem Vlora, ministër i Punëve të Jashtme dhe i Drejtësisë, Rifat Begolli, ministër i Ekonomisë Kombëtare, Musa Gjylbegu, ministër i Punëve Botore, Koço Muka, ministër i Arsimit dhe Mark Gjon Markaj, ministër i Kulturës. Sipas shtypit të kohës, në orën 18:00 të datës 24 korrik 1944, u mbajt mbledhja e Parlamentit Shqiptar, për të dhënë votëbesimin e qeverisë së re.
Atë pasdite, në sallën e mbushur plot të Parlamentit, ishin të pranishëm personalitetet më të larta të vendit, të gjithë deputetët, anëtarët e Këshillit të Lartë, të Qeverisë, Komandanti i Mbrojtjes Kombëtare, gjeneralë të ushtrisë gjermane në Shqipëri, ministri i Gjermanisë dhe gjithë trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, përfaqësuesit e tri besimeve fetare, përfaqësues të shtypit si dhe një numër i madh dëgjuesish. Në orën 18:00 hyri në sallë kryetari i Parlamentit, Mihal Zallari, i pasuar nga kryetari i qeverisë Fiqiri Dine. Kryetari i Parlamentit i dha fjalën kryeministrit të ri, i cili paraqiti programin e qeverisë së porsaformuar, boshti i të cilit ishte ideali kombëtar:
“…Ideali kombëtar mbi gjithçka. Mbi gjithçka zotnij deputetë qëndron ideali kombëtar, kombi shqiptar, tanësia etnike shqiptare, vllaznimi shqiptar n’emnin e Atdheut, të rendit publik dhe të përparimit. Është detyrë e gjithsecilit prej nesh dhe të gjithve së bashku t’ja përshtasim metodikisht veprimet tona këtij ideali të përbashkët po deshëm t’i shmangemi çdo mosmarrëveshjeje që ven në rrezik gjendjen tonë të sotme dhe atë të një të nesërme më të bukur, më të shkëlqyeshme që e kemi për detyrë e të drejtë ta parashikojmë”.
Më tej, Dine theksonte se shteti i atëhershëm shqiptar, sipas vullnetit të të gjithë popullit, ishte një shtet asnjanës dhe ndodhja e trupave gjermane në Shqipëri që nga kapitullimi i Italisë më 8 shtator 1943, kishte karakter të përkohshëm, të përcaktuar nga kushtet e luftës. Për këtë neutralitet të Shqipërisë së asaj kohe, kryeministri e shikonte si detyrë të qeverisë, që të sqaronte opinionin ndërkombëtar se: “…do të jetë kujdesi i qeverisë me ba çmos me mënjanue çdo keqkuptim e çdo ndërlikim në këte drejtim. Qeveria ka me ba çmos për me ndriçue e me apelue opinionin e jashtëm mbi sa më sipër, për me muejt me i kursye kështu vendit tonë nji shkretni e nji shembje ma të madhe nga ajo që kemi pa deri sot.
Qeveria e re, e cila u votua unanimisht nga Parlamenti, u prit mirë nga opinioni vendas. Po në gazetën “Bashkimi i Kombit”, datë 30 korrik 1944, lidhur me programin e qeverisë, të shpallur para Parlamentit, Nebil Çika komentonte:…“është më tepër se një program, është një frymë politike të cilën duhet ta kemi të gjithë, …është një thirrje që u bëhet të gjithë atyre që kanë një ndërgjegje patriotike, të ndritur e të kulluar, është zëri i atyre që buron nga opinioni i përgjithshëm, i cili ai vetë rrënjën e ka në dëshirën e kombit, në prirjet e thella të shpirtit kombëtar…”.
Por gjermanët nuk ishin aspak të kënaqur lidhur me përbërjen e qeverisë së re shqiptare, madje ata u zemëruan 259 Gazeta “Bashkimi i Kombit”, 25 korrik 1944. Qeveria e F. Dines, korrik 1944. Rr. Gera, i dyti nga e majta në të djathtë. 190 Rrok Gera fort. Kryekomandanti gjerman në Shqipëri, Fictum, nuk i besonte një qeverie me elementët që u zgjodhën në përbërje të saj, pasi kishte parasysh se Kryeministri Dine ishte i afërt me Abaz Kupin, i cili kishte kontakte të shpeshta me britanikët. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016