Nga Arben Pustina
Pjesa e katërmbëdhjetë
-Rrok Gera, një burrë shteti ashtu si duhet –
MINISTËR I EKONOMISË KOMBËTARE NË QEVERINË E KOÇO KOTËS
Memorie.al /Pasi pohonte sfidën e madhe që kishte përballë ekonomia në atë kohë, Gera, në fjalën e tij para mikrofonit të Radio Tiranës së sapo përuruar, vërente se zhvillimi ekonomik kombëtar, do të arrihej me anën e një organizimi harmonik dhe të një mobilizimi të kujdesshëm të të gjithë faktorëve të prodhimit, si dhe nga vlerësimi që do t’u bëhej prodhimeve shqiptare, me anën e tregtisë së brendshme dhe eksportimit për tregjet e jashtme. Mbi të gjitha, theksonte Gera, duhet shumë punë, sepse asgjë nuk arrihet vetvetiu e aq më pak, mirëqenia e atdheut. Në kuadër të reformave që qeveria kishte në qendër të punës së saj, Ministria e Ekonomisë Kombëtare, vijonte punën për hartimin e projektligjeve për sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit.
Nga fundi i vitit 1938, ministri Gera paraqiti në Parlament projekt-ligjin mbi lëshimin e çertifikatave të origjinës, me anë të të cilit synohej të frenoheshin spekulimet që vinin nga tregtimi i mallrave të huaja, të cilat shiteshin si mallra shqiptare, duke sjellë një dëm të madh për ekonominë e Shqipërisë. Për shembull, në tregtinë me Italinë, importimi i mallrave tona në këtë shtet ishte i kufizuar në sasi të caktuara dhe çdo tregtim i mallrave të huaja, sikur të ishin shqiptare, shkaktonte mbetjen e mallrave tona pa u shitur, e për pasojë, kishte rënie të çmimit të tyre.
Në raportin justifikues për këtë çështje, Rrok Gera theksonte se lëshimi i çertifikatave të origjinës, do të ishte një masë e domosdoshme, pasi në të kundërt, pasojat do të ishin shumë të rënda, jo vetëm për tregtarët e ndershëm, por edhe për eksportet shqiptare në tërësi, për prodhuesit vendas dhe për të gjithë ekonominë e vendit. Projekt-ligji për lëshimin e çertifikatave të origjinës përcaktonte se nuk do të quheshin mallra të origjinës shqiptare të gjitha mallrat që ri eksportoheshin pa pasur ndonjë transformim, ose ndonjë “punë perfeksionimi”, qoftë dhe ata artikuj që ishin “natyralizuar”, ose jo, me pagesën e të drejtave doganore dhe, si të tilla, këto mallra nuk mund të pajiseshin me çertifikatë origjine. Projekt-ligji parashikonte që çertifikatat e origjinës të lëshoheshin vetëm nga Odat e Tregtisë së Mbretërisë, apo edhe nga ndonjë zyrë shtetërore e caktuar nga Ministria e Ekonomisë Kombëtare. Në rast abuzimi nga ana e nëpunësve në lëshimin e çertifikatave të tilla, ligji parashikonte penalizime që shkonin nga gjoba të rënda, deri në heqje lirie.
Po ashtu, projekt-ligji parashikonte që, mbas hyrjes në fuqi të ligjit, çdo javë, në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare të shkonte lista e çertifikatave të origjinës që ishin lëshuar për atë periudhë kohore, e cila duhej të përmbante shënimet për çdo çertifikatë, ku të përfshiheshin: lloji, markat dhe numri i kolive të mallit, pesha bruto dhe neto, vlera e mallit, numri i firmave dërguese, emri i anijes që transportonte mallin dhe data e nisjes nga porti i Mbretërisë, kostoja e transportit dhe emri i portit të huaj ku do arrinte malli, vendimi i doganës ku do të bëhej zhdoganimi, si dhe vendi i depozitimit të mallit.
Në një letër të datës 05.01.39, drejtuar Kryesisë së Këshillit të Ministrave, Rrok Gera kërkonte shfuqizimin e njërës prej pikave të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.1098, datë 24.09.1938, ku theksohej se, lejet për nënshtetasit e huaj që donin të ushtronin aktivitetin e tyre në zejtari, tregti, apo industri, në Shqipëri, do të jepeshin vetëm nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Në letrën e tij ministri Gera nënvizonte se më parë, për dhënien e këtyre lejeve, duhej pyetur Ministria e Ekonomisë Kombëtare. Ai vërente ndërkohë, se kishte një ligj të 14 marsit 1934, që disiplinonte dhënien e lejeve për zejtari, tregti dhe industri, bazuar kryesisht mbi parimin e reciprocitetit. Sipas Rrok Gerës, për Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare, ishte shumë e rëndësishme të kishte fjalën e saj në dhënien e lejeve për të huajt: …”
Veçanërisht duhet të theksojmë se dhanja e lejeve për ushtrim tregtie të huajve, ashtë nji nga kompetencat ma me rëndësi të kësaj Ministrie, e cila ka formuar nji kriter të posaçëm për rregullimin e kësaj çështjeje. Pastaj dhanja e lejes me nji tregti, duhet të komformohet edhe me dispozitat përkatëse të Kodit Tregtar, të Ligjës dhe Rregullores mbi themelimin e Odave të Tregtis, për sa i përket njoftimeve që duhet të japi nji tregtar, gjë kjo me shumë rëndësi, sidomos për sa ju përket nënshtetasve të huaj, që vijnë këtu me qëllim të spekulojnë për nji kohë të shkurtë, duke çnderuar me këtë mënyrë, emrin e ndershëm të tregtarit shqiptar.
Më tej Gera sqaronte se kërkesa e tij vlente posaçërisht për lejet që kishin të bënin me tregtinë dhe aktivitetin industrial, e nuk kishte të bënte aspak me lejet për të huajt që kërkonin të ushtronin profesione të tjera si: mjek, avokat etj., etj., dhe kjo ishte, (sikurse shkruhej në letër) dhe thelbi i qëndrimit të tij si ministër, në kohën kur diskutohej kjo çështje. Ndërsa vitet kalonin, me rritjen e aktivitetit ekonomik industrial në Shqipëri, sidomos në sektorin e minierave, lindte nevoja për të rregulluar me ligj të gjithë gamën e gjerë të të drejtave të punëtorëve dhe gjithë problematikën që kishte dalë nga vakumi i deriatëhershëm lidhur me to.
Për këtë çështje nuk mungonin dhe artikujt në shtypin e kohës, e një ndër ta ishte dhe një shkrim i Fletores “Shtypi”, datë 22 dhjetor 1938, me titull “Për krahun e punës”, pasqyruar në revistën “Hylli i Dritës”: “…Ndër ne nuk ka nji ligjë të posaçme si në shtetet e tjera që t’ia njohi punëtorisë një gjendje juridike shoqërore në masën që ajo prodhon dhe merr pjesë të gjallë në ndërtimin e shoqërisë s’onë. Këto të drejta janë të thjeshta ashtu siç është e thjeshtë jeta e kësaj punëtorie. Një përmirësim në orarin e punës, një sigurim për punëtorin në raste fatkeqësish dhe një farë arbitrazhi në çështjet e vendosjes ose konflikteve të vogla e të zakonshme në mes të patronit e punëtorit. Këto janë disa nga të drejtat, por janë ato më kryesoret dhe që janë vendosur e njohur në botë një gjysëm shekulli më parë…”.
Ndërsa vërente se përpjekjet për rregull e ligj për të drejtat e punëtorëve, mund të mos priteshin mirë nga ata që dëshironin amulli në këtë drejtim, Fletorja “Shtypi”, theksonte ndërkohë, se shteti duhet të vepronte duke i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje. Nisur pikërisht nga ky qëllim, në marsin e vitit 1939, ministri Gera përcolli për miratim në Parlament projektligjin mbi krijimin e Drejtorisë së Punës pranë kësaj Ministrie. Në raportin justifikues që shoqëronte projekt-ligjin, theksohej se me zhvillimin që kishin marrë në ato kohë sipërmarrjet dhe industritë e ndryshme dhe sidomos ajo e minierave, ishte e domosdoshme marrja e masave për ngritjen e një zyre kompetente për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
Në bazë të projekt-ligjit të paraqitur në Parlament, struktura e re kishte si detyrë të përgatiste projektligje dhe rregullore për përmirësimin e gjendjes së punëtorëve, të mbikëqyrte zbatimin e dispozitave të ligjit të punës e të rregulloreve përkatëse që kishin të bënin me kushtet e punës dhe me gjendjen e punëtorëve të çdo kategorie, të planifikonte çeljen e zyrave shtetërore për punësimin e të papunëve, të ndërhynte sa herë që të shfaqej nevoja për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të lindura mes punëdhënësve e punëtorëve, të shikonte gjendjen e punëtorëve në përgjithësi etj. Më 12 mars 1939, Rrok Gera shkoi në Vatikan si përfaqësues i Shqipërisë, i shoqëruar nga dr. Sotir Avrami, zëvendësshef i Protokollit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku, ndërmjet delegacioneve nga 35 shtete të ndryshme të botës, mori pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Papa Pio XII. organizuar në Vatikan.
PËRPJEKJA E FUNDIT PËR EVITIMIN E PUSHTIMIT FASHIST
Në mbështetje të idesë se nuk ishin politikat e ndjekura nga autoritetet shqiptare kundrejt Italisë, që sollën pushtimin e vendit, por planet dhe skenarët për fillimin e Luftës Botërore, citojmë këtu Antonio Moscaton, i cili në artikullin e tij me titull “La memoria Storica che manca agli italiani”, me nëntitull “7 Aprile 1939: Italia invade l’Albania”, pohonte se “politikat e depërtimit ekonomik dhe ajo e korruptimit të udhëheqësve lokalë (në Shqipëri – shën. im, A.P.), që kishin filluar të paktën 10 vjet para ardhjes në fuqi të fashizmit dhe vazhduan deri në vitin 1938 në të njëjtat linja, nuk kishin pasur ndonjë sukses domethënës”.
Moscato, pohonte edhe se Roberto Morozzo Della Rocca, një nga studiuesit më të vëmendshëm të historisë së marrëdhënieve italo-shqiptare, kishte shkruar se …“koncesionet ekonomike dhe rrjeti i interesit i krijuar nga italianët në Shqipëri, nuk përktheheshin në një rritje paralele e proporcionale të influencës politike dhe as në një kontroll strategjik”. Po ashtu, Prof. Dr. Françesko Guida, në artikullin e tij me titull “Mbretëria e Zogut, parë nën dritën e dokumenteve diplomatike italiane”, theksonte: “…dihet se vendimi për të pushtuar Shqipërinë në prill të vitit 1939, u mor kryesisht për shkak të rrethanave ndërkombëtare, konkretisht për shkak të përgjigjes që duhej t‘i jepte Mussolini, fait accompli-së së Hitlerit, lidhur me pushtimin e Bohemi[1]Moravës”.
Gjithsesi, në fillim të 1939-ës, Roma kishte vendosur tashmë të pushtonte Shqipërinë. Përfaqësuesi i Italisë në Shqipëri, Jakomoni, shkruante në kujtimet e veta, se një ditë para zbarkimit italian, më 6 prill, Libohova, ministër i Jashtëm, dhe ish-Kryeministri Frashëri, i sollën atij një propozim, ku “pranohej hartimi i një Konvente Ushtarake, ku përcaktoheshin kushtet, me të cilat qeveria shqiptare do të lejonte zbarkimin e trupave italiane”. Propozimi kërkonte që konventa të përfundohej me gjeneral Parianin. Në telegramet e tij 5553/83 p.r. dhe 5557/84 p.r., të datës 6 prill, ora 20:20, drejtuar ministrit të Jashtëm Çiano, Jakomoni theksonte gjithashtu se: …“Mehdi Beu, ish-Kryeministër, me sjelljen e tij armiqësore, sigurisht që nuk kishte kontribuar për mirë ndërsa më jepte propozimin pa asnjë shenjë mirësie. Ai (është e qartë se ka dhe mbështetjen e plotë të Mbretit), do të kontribuojë me siguri që situata të përkeqësohet dhe jam i bindur se pas bisedimeve të kësaj mbrëmjeje, atij do t’i atribuohet në pjesën më të madhe, nëse rezistenca e armatosur shqiptare do të jetë edhe më e ashpër”.
Përgjigjja e përcjellë për Jakomonin nga Ministria italiane e Punëve të Jashtme, ishte si më poshtë: “…Në qoftë se qeveria shqiptare ka diçka për të thënë, t’ia komunikojë komandantit të trupave, para se të bëhet zbarkimi dhe komandanti i trupave do të njoftojë Romën”. Po në kuadër të kësaj përgjigjeje, përfaqësuesi italian në Shqipëri, në orët e para të mëngjesit të 7 prillit, mori një tjetër telegram të Mussolinit për, t’ia përcjellë mbretit Zog, në të cilin thuhej se ai, mund të dërgonte në Durrës një përfaqësues të plotfuqishëm për negociata: “…Në frymën e miqësisë italo-shqiptare që ju përmendni, së cilës unë do t’i ngelem besnik, njoftoj madhërinë tuaj se, mund të dërgoni në Durrës përfaqësuesin tuaj fuqiplotë, për të diskutuar marrëveshjen ushtarake me gjeneral Guzzonin, komandant i trupave italiane, i autorizuar prej meje për të dëgjuar përfaqësuesin tuaj dhe më pas të më njoftojë”.
Ndërkohë, personalitetet më të larta të shtetit shqiptar qëndronin vazhdimisht të mbledhur në shtëpinë e Kryeministrit Koço Kota, për të diskutuar lidhur me situatën dhe masat që duheshin marrë. Vetë Rrok Gera ishte për qëndresë. “T’u vëmë pushkën”, kishte bërë ai thirrje, ndërsa diskutohej se si do të reagohej në përgjigje të ultimatumeve italiane. Muaj më vonë, në verën e vitit 1939, një nga mikeshat e Mbretëreshës Gjeraldinë, baronesha hungareze, Suzanne de Strasser, ka shkruar për shtypin amerikan kujtimet e saj për Mbretëreshën Shqiptare, të cilat u botuan nën titullin “The Romance of Geraldine-the Cindarella Queen”, ku përveç shumë të tjerave, ajo përshkruante gjerësisht edhe ngjarjet e prillit 1939.
Megjithëse u ka dhënë kujtimeve të saj një ngjyrim disi letrar, Strasser përcjell me mjaft vërtetësi rrjedhën e ngjarjeve, detajet dhe personazhet e dramës së atyre ditëve, përfshi këtu edhe Rrok Gerën. Në fragmentin e mëposhtëm, marrë nga kujtimet e baroneshës, del qartë pikërisht qëndrimi i prerë i Gerës, për t’u rezistuar me armë italianëve: “…Gjatë pasdites, Mbreti priti një nga ministrat e qeverisë, i cili kishte kërkuar të bisedonte me të. “Ku janë të tjerët?” – Zogu pyeti Rrok Gerën, ministër i Ekonomisë.
“Ku? Kush mund ta thotë? Ku e kërkon koha dhe vala…”? “Mirë”, – tha Mbreti. – “Por situata kërkon disa përgjigje”. “Tek armët dhe te kuajt, Madhëria Juaj. Le të ndeshemi me italianët, ashtu siç ju thatë natën e kaluar”. “Unë isha i marrë natën e kaluar, – ngriti zërin Mbreti. -Çfarë përfitimi do kishte nga kjo? Unë isha i marrë mbrëmë, ose e thënë ndryshe, ishte një person njëzet vjet më i ri, ai që fliste. Si mund t’ua dalim ne këtyre avionëve të rinj? Ishte ndryshe kur luftohej në mënyrë galante, dorë për dorë”. – Dhe Mbreti ngriti kokën e tij lart, për të treguar avionët luftarakë që gumëzhinin mbi qiell.
Sikurse shkruante gazeta “New York Times” e datës 24 qershor 1939, f.12, ishte baronesha ajo që kishte njoftuar shtypin amerikan, se mbreti Zog bashkë me Geraldinën dhe djalin e tyre të vogël (që në atë kohë ishin rezidentë në Stamboll), do të zhvillonin një vizitë të gjatë në ShBA, pas pak javësh. Ishte një bisedë e gjatë, më thanë njerëzit e mi. Deri në fund, ministri Rrok Gera, këmbënguli për një qëndrim të prerë dhe për luftë, si dhe për një tjetër apel ndaj Anglisë…”.
Mbas diskutimesh të gjata, autoritetet më të larta shqiptare, që siç thamë ishin mbledhur në shtëpinë e kryeministrit, vendosën që në Durrës, për të negociuar me Guzzonin, të shkonte ministri i Ekonomisë Kombëtare, Rrok Gera, i shoqëruar nga koloneli i shtabit të Përgjithshëm, Sami Koka, dhe atasheu ushtarak italian në Tiranë, kolonel Gabrieli. Duket e çuditshme që për këtë mision u caktua një person që nuk ishte as komandant ushtarak, apo ministër i Jashtëm, por një ministër Ekonomie, por kjo nuk ishte një rastësi. Rrok Gera, edhe pse ishte më i riu në moshë, kishte besimin e të gjithëve, kishte aftësinë për të negociuar qoftë dhe me kryekomandantin e një ushtrie që po zbarkonte mijëra ushtarë të armatosur, kishte kulturën, karakterin dhe, mbi të gjitha, kishte besnikërinë për të kryer një mision kaq delikat.
Është për të ardhur keq, ndërkohë, që për këtë mision, që ishte një përpjekje reale për evitimin e pushtimit të vendit, është shkruar në mënyrë të mangët, të pasaktë e me paragjykime. Kështu ka shkruar një ambasador i akredituar në Tiranë në raportimet e tij për 7 prillin 1939, e po kështu kanë shkruar më vonë historianë të njohur, vendas e të huaj, shkrimtarë, gazetarë etj. Është e vërtetë që lidhur me këtë moment nuk ka shumë dokumentacion në Shqipëri, por pala italiane ka të regjistruar gjithçka me detaje dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë sektor propagande të Partisë Fashiste apo të Ministrisë italiane të Punëve të Jashtme, por për dokumentet e Ditarit të Komandës Supreme të Italisë, bazuar në raportimet e vetë Guzzonit për 7 prillin.
Le të kthehemi pas në kohë, për të parë se si filloi Operacioni OMT, urdhri përfundimtar për nisjen e të cilit ishte dhënë në orën 17:30 të datës 6 prill. Pjesa më e madhe e anijeve luftarake të caktuara për zbarkim u nisën nga Brindisi në orën 18:30, ndërsa kryqëzorët lanë brigjet e Italisë pak pas mesnatës. Në njërin prej tyre, në kryqëzorin “Fiume”, ndodhej dhe kryekomandanti italian Guzzoni. Ndërsa udhëtonte, në orën 02:00 të 7 prillit, ai mori telegramin nr. 87780 me urdhrin e Mussolinit për të pritur negociatorët shqiptarë, nëse ata do të ishin paraqitur në port, por me kalimin e orëve, pasi anijet kishin hyrë në ujërat e Durrësit, gjenerali u informua se negociatorët e mbretit Zog, nuk ndodheshin aty!/Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016