Nga Arben Pustina
Pjesa e trembëdhjetë
-Rrok Gera, një burrë shteti ashtu si duhet –
MINISTËR I EKONOMISË KOMBËTARE NË QEVERINË E KOÇO KOTËS
Memorie.al / Në kohën kur Rrok Gera ishte në krye të Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare, mori një hov të ri edhe procesi për reformën agrare, si një ndër shtyllat kryesore për zhvillimin e bujqësisë. Kjo reformë ishte projektuar në vitin 1930 dhe ishte planifikuar të zgjaste në një afat 10-vjeçar. Dr. Teodor Kareco, në artikullin e tij me titull “Reforma Agrare e vitit 1930 ishte nga më të mirat”, argumenton se kjo reformë e ndërmarrë në vitet e Mbretërisë ishte e plotë, komplekse dhe ndër më të mirat e kryera në Europë.
Kareco thekson në artikullin e tij se ligji për Reformën Agrare, bazohej në trinomin: tokë, marrëdhënie kapitaliste nëpërmjet kontratës tip dhe Bankës Bujqësore. Krijimin e kësaj të fundit më 1937, Kareco e vlerësonte si të domosdoshëm për realizimin e Reformës Agrare në Shqipëri si dhe për nxjerrjen e bujqësisë nga prapambetja dhe ecjen përpara të saj. Duke e lidhur artikullin e Dr. Karecos me shtjellimin tonë të aktivitetit të Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare, vërejmë se, ashtu siç pohonte ai, puna për reformën agrare nuk u ndërpre pothuaj asnjëherë, deri në pushtimin nga Italia fashiste.
Për sa thamë, kemi një shkrim të gazetës “Drita”, që komentonte në numrin e saj të 13 gushtit 1938, pikërisht punën konkrete të Ministrisë së Ekonomisë për shpejtimin e reformës agrare, kur në krye të institucionit ishte Rrok Gera: “…Në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare, është duke u studiuar prej personelit kompetent, adoptimi i nji sistemi punimi teknik për shpejtimin e Reformës Agrare e cila ka rëndësi të madhe për zhvillimin e vendit. Gjithashtu po bëhen studime për ta shtuar Reformën Agrare në rrethin e përpjekjeve t’organizimit ekonomik të shtetit dhe për të veprue tani e tutje, sipas nji plani racional e të sistematizuar më mirë.
Me krijimin e Drejtorisë së Pasunive të Shtetit, misioni i Reformës Agrare merr nji randësi ma të madhe, mbasi ligji përkatës i asaj drejtorie, përjashton instalimin e imigrantëve në çifligjet e shtetit dhe nënkuptohet se këtej e tutje, ata do të instalohen në tokat q’i do të rezultojnë nga aplikimi i Reformës Agrare. Për këte qëllim organet e posaçme të seksionit të Reformës Agrare pranë Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare po zhvillojnë veprimtaritë e tyne duke bërë matje tokash. Për të patur nji ide mbi randësinë që ka aplikimi i Reformës Agrare, duhet ditun se në Shqipëri ka 18.552 familje bujq[1]proletarë, me 102.893 frymë dhe 57.436 familje bujq-pronarë me toka me ma pak se 5 dynym për person, me nji sasi frymësh prej 307.707 që presin të përfitojnë nga Reforma Agrare…”.
Kur trajtuam miratimin e ligjit të Bankës Bujqësore (nëntor 1936), përmendëm edhe faktin që drejtori i kësaj banke, Francesco Frigione, kishte zhvilluar në 1938-ën disa takime me ministrin e Ekonomisë Kombëtare, Rrok Gera, si dhe kishte pasur disa letërkëmbime ku, ndër të tjera, ishte trajtuar edhe mundësia e përgatitjes prej tij të një projektligji për ngritjen e Kooperativave në Shqipëri. Nuk ka shumë të dhëna se si është ecur më tej në këtë drejtim, por revista “LES BALKANS”, në rubrikën e saj “La vie eqonomique et sociale”, shkruante në vjeshtën e 1938-ës se Ministria e Ekonomisë Kombëtare kishte marrë iniciativën për të inkurajuar krijimin e Kooperativave Bujqësore në rajone të ndryshme të Shqipërisë.
Sipas revistës, megjithëse lëvizja për realizimin e projektit ishte në fillimet e saj, në vend zhvillonin aktivitetin e tyre pesë Kooperativa: 1) Kooperativa Bujqësore e Korçës, që kishte si qëllim grumbullimin dhe shitjen e produkteve bujqësore në përgjithësi; 2) Kooperativa “Oleum” e Vlorës, për përmirësimin e kultivimit të ullirit dhe zhvillimin e industrisë së ullirit; 3) Kooperativa Bujqësore e Tiranës, e cila u siguronte anëtarëve të saj mjete dhe makineri bujqësore, fidanë pemësh dhe drithëra për farë; 4) Kooperativa në Elbasan, edhe kjo për industrinë e ullirit; 5) Kooperativa e Kavajës për përmirësimin e bujqësisë në rajon.
Megjithatë, puna në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit kërkonte ritme edhe më të larta aktiviteti dhe ndërhyrje të thella, sidomos në bujqësi e blegtori, prandaj, më datën 5 nëntor 1938, Rrok Gera paraqiti në Parlament një raport justifikues, ku kërkonte shtim fondesh prej franga ari 207.000 në buxhetin e jashtëzakonshëm të ushtrimit financiar 1937-1938 të Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare. Duke parashtruar arsyet që çonin në kërkimin e shtesës së buxhetit, Gera argumentonte se duheshin fonde për mbajtjen e fermave, fidanishteve provizore e stacioneve eksperimentale për zhvillimin e kulturave të veçanta bujqësore, për mbajtjen e fushave provizore të orizit, të pemëve frutore e ullishtave komunale, për shartime, krasitje dhe luftim sëmundjesh në ullinj e hardhia, për blerje veglash, si dhe për zhvillimin e ekonomisë së rritjes së bletës.
Gjithashtu, fondet shtesë kishin të bënin me shpronësime tokash ku do të ngriheshin silose në Korçë, Elbasan, Vlorë e Fier (të nevojshme për konservimin e drithërave dhe produkteve bujqësore); me shpronësimin e 110 hektarëve tokë për zgjerimin e sipërfaqes bujqësore në Xhafzotaj, me qëllim sigurimin e ushqimit për kafshët që ndodheshin në Institutin Kombëtar Zooteknik, si dhe me blerjen e 3.000 kuintalëve grurë për nevojën e bujqve për sigurimin e farërave të selektuara.
Përveç këtyre, kërkoheshin fonde (I) për zhvillimin e konkurseve dhe ekspozitave zooteknike, (II) për ndërtimin dhe përmirësimin e stacioneve të ndërzimit, (III) për seleksionim e gjedhëve të racës “Shkodra”, (IV) për çeljen e disa kurseve të avikulturës, si dhe (V) për zhvillimin e rritjes së shpendëve e të prodhimit të vezëve që, për balancën tregtare të asaj kohe, përfaqësonin një të hyrë me rëndësi. Shtesa e fondeve duhej edhe për akordime subvencionesh për ata që ndërtonin godina me karakter blegtoral si dhe për barinjtë e staneve të Jugut të vendit, me qëllim që të nxiteshin eksportimi i prodhimit blegtoral dhe përgatitja e produkteve në përputhje me ligjet dhe rregullat në fuqi.
Me shtesën e fondit të kërkuar mendohej të ngriheshin edhe dy qendra moderne për mbledhjen e konservimin e plehrave të nevojshme për përmirësimin e tokave të Institutit Zooteknik, si dhe të ndërtoheshin dy silose për mbajtjen dhe konservimin e ushqimit të nevojshëm për hamshorët, damazët, gjedhët dhe përgjithësisht për çdo kafshë ose shpend që mbahej ose rritej në këtë stacion, me qëllim seleksionimi, prove dhe rritjeje.
Sikurse thamë edhe më herët, një çështje me rëndësi të shumëfishtë ishte dhe bonifikimi i kënetave. Më 15 nëntor 1938, ministri i Ekonomisë Kombëtare, Gera, nxori një urdhëresë drejtuar grupeve bonifikuese të Shkodrës, Durrësit, Lushnjës dhe Korçës, nëpërmjet së cilës kërkonte paraqitjen në një kohë sa më të shkurtër të raporteve të detajuara mbi punimet e kryera, ose që ishin në përfundim e sipër, prej grupeve përkatëse të bonifikimit sa i përkiste vitit 1938.
Sipas urdhëresës në fjalë, raporti duhej të përmbante veçmas çdo punim dhe të gjitha hollësitë e mundshme, si: llojin e punimeve, kanal vaditës ose kullues, gjatësinë, ku fillonte e ku mbaronte, vepra arti etj., mënyrën e kryerjes së punimeve (me punë të detyruar, ose sipërmarrje), dobinë bujqësore që pritej nga vepra dhe se me çfarë mund të mbilleshin tokat e përmirësuara, sa toka vaditeshin ose thaheshin, kubatura e gërmimeve, sa ishte numri i punëtoreve të angazhuar në punime, qëllimi i veprave të artit, pendave (digave) etj. Raportet e grupeve të bonifikimit duhej të përpiloheshin në bashkëpunim me agronomët e qarqeve, të cilët duhej edhe t’i nënshkruanin këto raporte.
Për të njëjtën çështje, në qarkoren e datës 10 dhjetor 1938, me nr. protokolli 4.393, dërguar grupeve të Shkodrës, Durrësit, Lushnjës, Korçës, Kurveleshit, si dhe zyrave të bujqësisë në të gjithë vendin, Rrok Gera vërente se kishte konstatuar shumë herë që grupet e ngarkuara me studimet për veprat me karakter bonifikues, në përfundim të punës së tyre, kishin dërguar në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare vetëm preventivin si dhe një profil gjatësor, pa një raport teknik dhe skicën përkatëse, duke ia vështirësuar kështu Ministrisë, studimin e çështjes nga pikëpamja e rëndësisë që kishte, si dhe vlerësimin e hollësishëm për punën që duhej kryer. Ndaj ministri Gera urdhëronte që, studimet me karakter bonifikues të kishin, përveç sa më sipër, edhe elemente të tjera, si më poshtë:
“1. Skicë orjentacioni e hartueme kryesisht me dorë të lirë ku të tregohet në té, vendi që do të kryhet punimi: a) në qoftë kanal; vendi i tharjes së ujit, kuota e ujit në kohë thatësire, kuota në pjesën maksimale, planimetria e kanalit dhe vendi i derdhjes. b) në qoftë ngritje pende mprojtëse, të tregohet vendi ku do të ngrihet penda, planimetrikisht me disa detaje mbështetëse. c) në qoftë korrektim; drejtim lumi ose prroji, të tregohet vendi ku do të bahet korrektimi me detajet e nevojshme. 2. Në raportin shkoqitës të tregohet puna që duhet kryer, për ç’qëllim, gjendja e sotshme dhe dobitë që mund të rrjedhin nga punimet. Në bashkëpunim me agronomin e qarkut të shënohet rentabiliteti bujqësor si dhe të hetohet e të raportohet kontribucioni që mund të japin bujqit me pronarët e tokave tue u mbajtun nji procesverbal i rregullt mbi deklaratat e tyne. Në qoftë se punimi do të bahet me qëllim tharje, duhet të tregohet në raport, se moçali ose këneta ashtë pasuni Shtetnore, private, ose Komunale dhe sa tokë lirohet nga kjo tharje. Toka që do të lirohet, a ka për të vlejtë ma vonë për tokë bujqësore, ose me anën e tharjes përfitohet vetëm nga pikëpamja shëndetësore.”
Po për çështjen e bonifikimeve, në një raport justifikues drejtuar Parlamentit, në shkurt 1939, ministri Gera citonte avantazhet që sillte projektligji përkatës, i hartuar në atë kohë, që ndër të tjera, nxiste edhe pronarët apo shoqëritë private që të merrnin iniciativën për tharjen e kënetave me një sipërfaqe deri në 500 ha. 195 Në nenet e projektligjit paraqitur Parlamentit, përcaktohej qartë se si do të procedohej për vërtetimin e pronësisë mbi kënetat, në rastet kur mbi kishte pretendime nga ana e privatëve. Këta të fundit kishin një afat tremujor për paraqitjen e dokumenteve para një komisioni të posaçëm.
Gjithashtu, projektligji parashikonte që në bonifikimin e kënetave të favorizoheshin edhe grupe fshatarësh të organizuar, të cilët, pas bonifikimit, mund të përfitonin sipërfaqe toke në proporcion me punimet e realizuara prej tyre. Projekt-ligji parashikonte edhe që tokat e bonifikuara që u jepeshin fshatarëve që kontribuonin në bonifikim, të mos kalonin sipërfaqen prej 25 dynymë për ç’do punëtor dhe të mos ishin më shumë se 100 dynymë për shtëpi, sado e madhe të ishte toka e bonifikuar. Ndërkohë, përcaktohej që tepricat e tokave të bonifikuara të hynin në rendin e pasurive shtetërore.
Po ashtu, parashikohej që Ministria e Ekonomisë Kombëtare, për punime të rëndësishme dhe me karakter urgjent, mundej të vinte dorë edhe mbi këneta private, para se të fillonte procedimi për njohjen e privatësisë. Në vjeshtën e 1938-tës, revista “LES BALKANS” shkruante, në një nga rubrikat e saj, se Ministria e Ekonomisë Kombëtare në Shqipëri, kishte hartuar në atë kohë një plan dhjetëvjeçar që parashikonte përmirësimin gradual të 170.000 hektarëve tokë në nëntë zona të ndryshme të vendit: Durrës, Elbasan, Berat, Fier, Korçë, Bushat dhe Sarandë.
Pa dyshim, projektligji për bonifikimet që përmendëm më sipër, i paraprinte këtij procesi, që mendohej se do të kishte një ndikim të madh në bujqësinë shqiptare, e cila deri në ato vite kishte një përqindje të ulët, sa i takonte tokës së punuar. Gjatë gjysmës së dytë të vitit 1938, në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare, u bënë përgatitje serioze për pjesëmarrjen e Shqipërisë, me prodhimet e saj, në panairet ndërkombëtare të Barit e të Selanikut. Po në atë periudhë filluan edhe përgatitjet për panairin e Nju Jorkut, i parashikuar për t’u hapur në pranverën e vitit 1939.
Për një përfaqësim sa më të denjë, u ngrit një komision përgatitor, i kryesuar nga vetë ministri Gera. Njëkohësisht, Rrok Gera nuk harronte “zakonin e tij të vjetër”, që të ngacmonte italianët, në përpjekje për të marrë prej tyre ndonjë financim për projekte ekonomike të rëndësishme. Kështu, në një relacion të Drejtorisë së Bankës Kombëtare të Shqipërisë, drejtuar Amedeo Gambinos në Romë, flitej për një takim që E. Meliss, kishte pasur me Gerën më 25 gusht 1938.
Sipas Meliss, në këtë takim ministri i Ekonomisë Kombëtare kishte folur për planet e qeverisë shqiptare për ndërtimin e një silosi të madh në Portin e Durrësit me një kapacitet prej 50.000 kv., me qëllim shtimin e volumit të importit dhe eksportit të drithërave. Për këtë projekt me rëndësi për ekonominë, Gera kishte kërkuar financimin nga pala italiane. Po kështu, në faqet e revistës “Ekonomia kombëtare”, në gusht të 1938-ës, mësojmë se qeveria shqiptare kishte marrë ndërkohë vendimin për ngritjen e 5 siloseve të tjera në qytetet Shkodër, Korçë, Elbasan, Fier dhe Vlorë, secili me kapacitet prej 10.000 kv., gjithmonë me synimin për një ruajtje sa më të mirë të drithërave, por dhe për të shmangur veprimet abuzuese të tregtarëve.
Më 12 tetor 1938, Gera mori pjesë në përurimin e rrugës Bogë – Theth, 27 kilometra e gjatë, ku preu shiritin dhe mbajti fjalën e rastit. Para të pranishmeve, ndërmjet të cilëve ishte dhe i madhi At Gjergj Fishta, Rrok Gera theksonte se ndërtimi i kësaj rruge hapte perspektiva për zhvillimin e turizmit në këtë zonë me bukuri të rrallë natyrore, por hapte njëkohësisht edhe perspektivën e lidhjes me zonën e Valbonës, deri atëherë e izoluar. Më 31 tetor 1938, Gera mori pjesë në një përurim tjetër, atë të Selisë së re të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, një ndërtesë e veçantë, që me arkitekturën e saj është edhe sot një ndër objektet më të bukura të kryeqytetit.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast para autoriteteve qeveritare, trupit diplomatik dhe përfaqësuesve të lartë të bankave italiane, ai theksonte se, kur kishin kaluar 13 vjet nga themelimi i saj (1925-1938), Banka Kombëtare e Shqipërisë, me aktivitetin e vet, kishte ditur të kapërcente çdo vështirësi të natyrës së përgjithshme, duke dhënë prova qëndrueshmërie për të thyer çdo dyshim dhe për të shtuar besimin e saj në vendet e huaja. Gjithashtu, Rrok Gera nënvizonte se balancimi ekonomik kishte pasur vazhdimisht mbështetjen e nevojshme për të mundësuar ruajtjen e gjendjes se tij gjithnjë aktive, që nga ana e saj i mundësonte Bankës Kombëtare të rezervonte një sasi aq të madhe ari e devizash ari, sa kjo bankë të bëhej shembullore në botë për mbulimin e lartë të monedhave në qarkullim e të depozitave me skadencë të menjëhershme.
Për këtë arsye, vërente Gera, monedha shqiptare ishte ndër më të qëndrueshmet e kontinentit, duke mbetur e paprekur nga çdo manipulim apo zhvleftësim i monedhave të huaja. Ndërsa në kuadrin e perspektivës, Rrok Gera shprehte besimin e tij se qeveria do t’u hapte rrugë dispozitave për zhvillimin e iniciativave, në mënyrë që bujqësia e industria të përfitonin sidomos nga kreditë me afat të mesëm e të gjatë. Sipas tij, vetëm kështu do të realizohej misioni më i lartë i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, në tutelim dhe njëkohësisht në ndihmë të simotrave të saj, duke u bërë “Banka e Bankave”.
Në një tjetër eveniment të rëndësishëm, në ditën e dytë të krijimit të Radio Tiranës, më 29 nëntor 1938, në orën 19:02, Rrok Gera, ministër i Ekonomisë Kombëtare, ishte i ftuar për rreth 15 minuta në intervistën (konferenca radiofonike) e parë, të realizuar në studion e kësaj Radioje. Duke theksuar rëndësinë e këtyre konferencave radiofonike, për të cilat drejtuesit e Radio Tiranës kishin planifikuar që të ishin të vazhdueshme, ai premtonte para mikrofonit se, Ministria që drejtonte, do të shfrytëzonte më së miri këtë mundësi, në mënyrë që të përcillej gjithë informacioni i nevojshëm për dëgjuesit, të cilët deri atëherë nuk kishin pasur informacion për ligjet në fuqi dhe për rezultatet praktike të arritura në fushën eksperimentale, që kishte zhvilluar ose zhvillonte Ministria e Ekonomisë Kombëtare. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016