Nga Arben Pustina
Pjesa e dymbëdhjetë
-Rrok Gera, një burrë shteti ashtu si duhet –
MINISTËR I EKONOMISË KOMBËTARE NË QEVERINË E KOÇO KOTËS
Memorie.al /Në vazhdim të masave të marra nga Ministria e Ekonomisë Kombëtare në dobi të bujqësisë, ishte dhe miratimi i ligjit për përjashtimin nga taksa doganore të farërave dhe lëndëve të ndryshme bujqësore të importuara nga kjo Ministri për vete, ose për llogari të bujqve. Përveç farërave të zakonshme për mbjellje, ligji përfshinte edhe përjashtimin nga taksa doganore të farërave të bimëve industriale për mbjellje, të pajisjeve për zhvillimin e sektorit bletërritës, si dhe të insekticideve të ndryshme.
Kusht për të përfituar nga kjo masë ishte që bujqit duhej të vepronin vetëm nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare. Po në drejtim të lehtësimit të aktivitetit të bujqve, Ministria e Ekonomisë nxori një ligj tjetër, në mënyrë që ata që merrnin farëra falas për mbjellje, të mos paguanin me lekë në dorë, por të mund të lëshonin një lloj dëftese garancie, ku do të nënshkruanin edhe kryepleqtë dhe kryetarët e komunave. Ndërkohë, gjithçka në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare merrej me shumë seriozitet, duke u dhënë rëndësi edhe detajeve, në dukje të vogla. Kështu, në organin e kësaj ministrie, titulluar “Ekonomia Kombëtare”, kishte një rubrikë me titull: “Bisedime me bujkun”, në të cilën u jepeshin bujqve njoftime dhe shembuj praktikë për aktivitetin e tyre të përditshëm, në bujqësi apo blegtori.
Në shumë nga numrat e saj, revista trajtonte çështjen e ullinjve, duke saktësuar se në gjithë vendin në fillim të vitit 1939 kishte 1.500.000 rrënjë ullinj, të cilët sillnin rreth 2.630.000 fr. ari të ardhura vjetore. Në rubrikën “Kronika bujqësore”, revista jepte shembuj se si mund të krasitej ulliri, duke ndihmuar kështu në aktivitetin e njerëzve që merreshin me këtë punë.180 Po ashtu, revista pohonte se, gjatë vitit të fundit, për krasitjen e ullinjve, Ministria e Ekonomisë Kombëtare kishte trajnuar rreth 40 skuadra punëtorësh. Nuk mungonin edhe qarkore të shumta të Ministrisë, ku porositeshin zyrat bujqësore në qarqe, për të përcaktuar nevojat për fidanë të llojeve të ndryshme të ullirit, për instruksionin e bujqve për punimin e tokës së ullishtave, për plehërimin e tyre, luftimin e sëmundjeve, etj.
Me ardhjen e Rrok Gerës në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare, pranë kësaj Ministrie u afruan specialistë të huaj me emër, si: Egisto Tesi, specialist i shquar fidanesh, prof. dr. Aurelio Carrante, këshilltar teknik për bujqësinë dhe inspektor i përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë së Italisë, Xhuzepe de Rogatis, specialist për ujërat etj. Ndërsa vendi kishte shumë pak specialistë të mirëfilltë, kontributi i këtyre personaliteteve, do të kishte shumë vlerë për ekonominë shqiptare.
Në korrik të vitit 1938, Ministria e Ekonomisë Kombëtare, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Brendshme, urdhëroi gjithë komunat që të kishin kujdes për t’u dhënë ndihmën e duhur teknikëve që merreshin me aplikimin e masave shëndetësore për kafshët, mbasi konstatohej se një numër fshatarësh, nga padituria, nuk interesoheshin siç duhej për kafshët e tyre. Ndërkohë, revista “Hylli i Dritës” shkruante në faqet e saj të tetorit 1938, për masat e marra për ruajtjen e bagëtive nga sëmundja e këlbazës,..!
“Ministria e Ekonomisë Kombëtare, për të shpëtuar bagëtitë nga rreziku i sëmundjes këlbazës, ka vendosur t’u ndihmojë katundarëve duke u dhënë hapa të posaçme, me kredi, për nji afat 8-6 muajsh. Çdo katundar mund t’i drejtohet Zyrës së Veterinarisë së qarkut të vet dhe të kërkojë sasinë e hapave që i duhen, duke dhënë vetëm një dëftesë kredie pa asnjë pagesë në dorë”. Në bazë të ligjit të shërbimit veteriner dhe zooteknisë, në korrik të 1938-ës, Ministria e Ekonomisë Kombëtare vendosi të përmirësojë funksionimin e Këshillit të Lartë Veteriner, duke bërë që ky Këshill të mblidhej deri në 6 herë në vit, për të diskutuar çështjet me rëndësi për blegtorinë.
Madje, sipas udhëzimit të Ministrit, ky Këshill, vetëm gjatë muajit gusht u mblodh dy herë, në datat 3 dhe 17, për të diskutuar tema me rëndësi, si: lufta kundër sëmundjes së këlbazës, zgjebes, strangulës, kryqëzimet e racave, mundësia e konservimit dhe depozitimit të produkteve blegtorale pranë porteve kryesore, e shumë çështje të tjera. Komisioni Teknik i Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare organizonte takime edhe në terren, siç ishte rasti në fermën e Bushatit (e vetmja fermë e këtij lloji në Prefekturën e Shkodrës), duke synuar zhvillimin e degës së zooteknisë edhe në këtë zonë. Po ashtu, nuk mungonin ekspozita apo konkurse të mirorganizuara të sektorit bujqësor e zooteknik, ku fermerët paraqisnin prodhimet e tyre më të mira, duke marrë edhe çmime sipas rastit.
Kështu, në muajin nëntor 1938, në Fier u hap një ekspozitë kuajsh, ku u paraqitën kafshë të vendit dhe pjella të kryqëzuara me hamshorë të importit. Në përshtatje me vendimet për përmirësimin e racës së bagëtive, në muajin shtator 1938, ministri Gera urdhëroi të gjitha zyrat veterinare dhe ato të bujqësisë që të studionin në qarqet e tyre racën e gjedhëve përgjithësisht dhe të përpilonin raporte teknike, të cilat do t’i dërgoheshin Ministrisë për të ndërmarrë më pas, një studim më të gjerë, në shkallë vendi.
Në një raport justifikues dërguar Parlamentit në dhjetorin e vitit 1938, lidhur me projektligjin “Importimi dhe eksportimi i produkteve zooteknike dhe bujqësore”, ministri i Ekonomisë Kombëtare, Rrok Gera, theksonte se ishte shumë e rëndësishme të zgjidhej problemi i mungesës së kafshëve tërheqëse për një plugim sa më të thellë të tokës bujqësore. Një mënyrë për ta bërë këtë, sipas raportit, ishte sjellja nga jashtë e qeve dhe kuajve të racave të përshtatshme, pa taksë doganore. Projekt-ligji në fjalë sugjeronte që, pasi këto lloje kafshësh të kishin hyrë në vend, të ndalohej therja ose eksportimi i tyre në vende të tjera, për sa kohë ato do të ishin në gjendje pune.
Gjithashtu kërkohej ndalimi i eksportit për të gjitha kafshët e vendit, të cilat gjykoheshin se ishin të përshtatshme për punimin e tokës. Projekt-ligji parashikonte që të mos eksportohej as ushqimi për këto kafshë tërheqëse të bujqësisë, ndërkohë që ky ushqim mund të hynte nga jashtë, pa doganë. Në raportin justifikues drejtuar Parlamentit kërkohej që ligji të mos lejonte eksportin e lëkurëve të bagëtive të trasha, të cilat tregtarët i merrnin nga jashtë dhe pastaj i eksportonin në Itali, duke e mbushur në total kuotën e eksportit të lëkurëve drejt Italisë, në dëm të lëkurëve të bagëtive të imta të vendit që, për pasojë, mbeteshin pa shitur, ose shiteshin shumë lirë.
Më 16 janar 1939, në debatin e zhvilluar në Parlament mbi projekt-ligjin “Importimi dhe eksportimi i produkteve zooteknike dhe bujqësore”, ministri Rrok Gera theksonte se, qëllimi kryesor i projektligjit ishte përkrahja e blegtorisë së vendit dhe ndërkohë siguronte se lidhur me importimet pa taksë doganore, qeveria kishte parashikuar gjithçka, përfshirë edhe mundësinë e abuzimeve: “…Thashë se ky projekt asht studjue nga qeveria nga ç’do pikëpamje, dhe për t’evitue abuzimet, kemi parapa një procedurë të veçantë, d.m.th., nji privat, për të pasë të drejtë me i importue këto sende pa tagër doganuer, asht i detyruem t’i drejtohet veterinarit ose organeve të tjera të qarkut të tij, tue tregue sasinë e llojin qi i nevojitet bashkë me mostrën.
Veterineri do t‘ia përcjellë kërkesën Ministrisë s‘Ekonomisë e cila sa t’a gjejë t’arsyeshme, i jep ose jo pëlqimin e vet. Në nenin 13 kemi parapa gjobat mjaft të konsiderueshme për ata privatë qi i përdorin këto sende për qëllime të tjera e jo për qëllimin për të cilin janë destinue. Un kujtoj z. kryetar, me këto masa qi ka marrë qeveria, asht mprojtë dhe ruejtë mjaftuesisht interesi i shtetit. Na duem qi t’i jepet liri privatëve t’i sjellin këto landë, dhe natyrisht masat janë marrë për ndalimin e ç‘do abuzimi…” Një tjetër masë e marrë në ato vite, këtë radhë në mbrojtje të pyjeve, ishte kufizimi i numrit të dhive dhe përcaktimi i zonave ku ato mund të mbaheshin.
Për këtë çështje, në një nga rubrikat e saj për lajme nga vendi, “Hylli i Dritës” shkruante: “…Tue marrë parasysh dëmet qi shkaktojnë dhitë në pyjet, Ministria e Ekonomis Kombëtare urdhëroi Zyrat Veterinare, Bujqësore dhe ato të pyjeve, të studjojnë bashkërisht zonat ku mund të bëhet rritja e dhivet pa dëmtue pyjet. Kjo masë merret me qëllim që të mos çduket dhija, ç’ësht lopa e të vobegtit në vendin t’onë, por të kufizohet, duke u mbajtur vetëm n’ato zona ku ka vende të posaçme, male të thata etj., për rritjen e këtyre kafshëvet, pa u dëmtuar pyjet. Në lidhje me këte parim të ndjekur prej Ministrisë, janë marrë dhe mendimet e teknikëve të huaj, të cilët kanë qenë pro kufizimit të dhivet…”.
Një angazhim të veçantë dhe menaxhim shumë të kujdesshëm kërkonte nga Ministria e Ekonomisë situata e epidemisë së aftës epizootike, që preku Shqipërinë në dimrin 1938-1939. Virusi në fjalë prekte kafshët, kryesisht gjedhët dhe bagëtitë e imëta, të cilat jetonin në tufa, ndaj përhapja e tij ishte e shpejtë dhe, për pasojë, shkaktonte dëme të rënda në ekonominë blegtorale të vendit. Ekzistonte ndërkohë mundësia që virusi të kalonte edhe te njerëzit.
Sipas dr. Vasfi Samimi, i cili shkruante në revistën “Ekonomia kombëtare” të vitit 1939, Shqipëria ishte një vend me ekonomi të bazuar fort në pasurinë blegtorale, ndaj dhe një sëmundje që godiste këtë sektor të ekonomisë, nënkuptonte një gjunjëzim të saj: …“Në këtë mënyrë kuptohet lehtazi se në rast se do të hynte Afta në Shqipëri, do të paralizohej pjesa më e madhe e tregtisë kombëtare. Një rrjedhim i rrezikshëm i këtij ndalimi do të shkaktonte rënien e çmimeve dhe dëmtimin e blegtorisë e të tregtarëve për mundimin e tyre. Në Shqipëri, lëvrimi i tokës dhe lëvizja e karrocave bëhej pothuajse 90 % me qerre dhe ardhja e kësaj sëmundjeje në Shqipëri, do të sillte te fshatarët, mungesën e fuqisë tërheqëse”, shkruante Samimi.
Alarmi për virusin ishte dhënë që në fillim të vitit 1938, por problemi u bë shumë shqetësues me shfaqjen e virusit në Jugosllavi, më 14 nëntor 1938, pasi në fshatrat kufitare të veriut kishte shumë lëvizje të gjësë së gjallë, bazuar në disa marrëveshje të dyanshme. Në këtë mënyrë, shërbimi veterinar, ashtu edhe administrata shqiptare, ndoqën hap pas hapi zhvillimin e sëmundjes në shtetin fqinj dhe morën ndërkohë masa mbrojtëse, duke karantinuar zona të tëra malore, për të cilat jetesa u vështirësua shumë, për shkak edhe të dimrit të ashpër. Masat përfshinë kalimin e strukturave veterinere të zonave bregdetare dhe atyre të jugut, në përforcim të zonave veriore që ishin më të rrezikuara për shkak të kufirit me Jugosllavinë, si dhe ushtrimin e kontrolleve të shumta, shoqëruar me dezinfektime në kalimet kufitare.
Masat erdhën duke u shtrënguar, derisa kufiri u mbyll plotësisht më 21 dhjetor 1938. Në fillim u mbyll kufiri i prefekturës së Kukësit, pastaj ai i Shkodrës, më pas i Peshkopisë dhe, në fund, i Prefekturës së Korçës. Me urdhër të Ministrit të Ekonomisë, Rrok Gera, i gjithë personeli veterinar administrativ dhe xhandarmëria ishin të ngarkuar që të lajmëronin ministrin me telegram, apo me telefon, në rast se kishin dyshimin më të vogël për shfaqjen e virusit. Po sipas këtij urdhri, prefektët hynin në marrëdhënie me kreun e grupit veterinar të secilës nga katër zonat e caktuara (katër specialistë të diplomuar njëri në Vjenë, tjetri në Torino, një tjetër në Bolonja dhe tjetri në Tuluzë) dhe përcaktonin edhe një herë hollësitë e masave që duheshin marrë në atë zonë.
…“Këto masa të rënda krijuan mjaft vështirësi. Udhëtarët ankoheshin, tregtarët protestonin dhe fshatarët e zonave kufitare dëmtoheshin. Qeveria shqiptare duke marrë parasysh rrezikun e përbashkët, dëmtimin e eksportimit blegtoral dhe sidomos të përhapjes së kësaj epidemie të tmerrshme në Shqipëri, nuk u tërhoq dhe nuk i zbuti masat dhe nuk u shmang as nga ndihmat që ishin të domosdoshme në disa raste”, shkruante më tej Samimi, duke theksuar se nga radhët e personelit veteriner, pati edhe viktima për shkak të të ftohtit.
Për studimin e gjendjes së epidemisë në Europë e në Shqipëri, për përcaktimin e planit të masave të ndryshme dhe për të marrë dijeni për metodat e reja të luftimit të sëmundjes, në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare, u formua një Këshill Teknik i Posaçëm i përbërë nga drejtori i Veterinarisë, drejtori i Laboratorit Bakteriologjik, drejtori i Institutit Zooteknik, veterineri i Thertores së Tiranës e disa anëtarë të tjerë. Në këtë këshill u vendos, më 30 dhjetor 1938, aplikimi i metodës “stamping out” në rastin e parë të shfaqjes së sëmundjes.
Ndërkohë, shtypi i kohës, radioja, por kryesisht doktorët veterinarë dhe teknikët vartës në fshatra të ndryshme, u angazhuan për të vënë në dijeni dhe për ta përgatitur të gjithë popullatën për mbrojtjen e për luftimin e epidemisë. Më 2 dhjetor të vitit 1938, Ministria e Ekonomisë u lajmërua telegrafikisht nga zyra lokale mbi një rast të dyshuar të “aftës epizootike’ në fshatin Pobreg në Kukës. Ky rast solli mobilizimin e menjëhershëm të autoriteteve më të larta shtetërore, si dhe të drejtuesve të veterinarisë dhe zooteknikës. Pas verifikimit, u morën masat dhe u aplikua metoda e asgjësimit të menjëhershëm, duke u therur e groposur 85 krerë gjedhë të sëmurë e të dyshimtë.
Në mbështetje të vendimit të datës 26 nëntor 1938 të Këshillit Ministror, fshatarët pronarë të kafshëve të asgjësuara, u shpërblyen sipas ligjit në fuqi. Fshati Pobreg u rrethua me tre kordonë force teknike dhe xhandarmërie, që askush të mos dilte apo të hynte në zonën e infektuar. Me shkresën e tij me nr. 971, datë 23 janar 1939, ministri i Ekonomisë Kombëtare, Rrok Gera, imformonte Kryesinë e Këshillit të Ministrave, se në disa fshatra të Qarkut të Peshkopisë, që ndodheshin në kufi përballë fshatrave të Jugosllavisë të prekura nga infeksioni, kafshët ishin mbyllur në karantinë prej rreth një muaji dhe për pasojë po vuanin nga mungesa e ushqimit. Ekipet teknike veterinere në terren kishin njoftuar Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare, se ishte i domosdoshëm sigurimi i ushqimit për kafshët, se përndryshe bëhej i pamundur aplikimi i masave sanitare.
Edhe kryepleqtë e këtyre fshatrave i ishin drejtuar për ndihmë kësaj Ministrie, por dikasteri i ekonomisë, për shkak të mungesës së fondeve si dhe të mungesës ligjore, nuk kishte mundësi të plotësonte kërkesat në fjalë. Ndërsa pohonte se përpjekjet e bëra për mospërhapjen e infektimit, si në aspektin administrativ ashtu dhe në atë teknik, kishin qenë aq të mira, saqë shumë kompetentë të huaj nuk i kishin besuar, ministri Gera, i bënte të ditur Kryesisë së Këshillit të Ministrave, se kërkesën për sigurimin e ushqimit për kafshët e karantinuara, e shihte të arësyeshme, ndaj në këtë kuadër, i parashtronte kësaj Kryesie, kërkesën për një fond prej 5000 franga ari nga Kap. 16 i buxhetit të jashtzakonshëm, për blerjen e 600-700 kuintal bar.
Justifikimi i këtij shpenzimi do të bëhej si pjesë e nevojave për aplikimin e masave sanitare kundër Aftës Epizotike. Në mbledhjen e tij të datës 27.01.1939, me vendimin numër 113, Këshilli i Ministrave miratoi propozimin e Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare, për përdorimin e një fondi prej 5000 fr ari, për blerje ushqimi për kafshët e karantinuara, në disa fshatra të Qarkut të Peshkopisë. Raste të aftës epizotike u verifikuan më pas edhe në disa zona të tjera, por me pasoja më të lehta dhe gradualisht masat e rrepta sanitare të karantinës e të dezinfektimit dhanë rezultatin e duhur, derisa sëmundja u konsiderua e zhdukur, më 14 shkurt 1939. Nën kujdesin e Rrok Gerës, Ministria e Ekonomisë Kombëtare nxori një botim prej 138 faqesh, me titull “Dhjetëvjetori i Shërbimit Veteriner e Zooteknik 1928-1938”, ku flitej për ecurinë e zhvillimeve të këtij sektori me shumë rëndësi për ekonominë tonë, që nga fillimet e tij me punët e dr. Golemit, e deri në momentin e daljes së këtij botimi. Komentet e shtypit ishin mjaft pozitive lidhur me atë që ofronte botimi për lexuesit dhe të interesuarit.
Në faqet e saj, revista “Hylli i Dritës” vërente se, ndryshe nga rastet kur botime të këtij lloji ishin thjesht shifra statistikash që përdoreshin si reklamë arritjesh, këtë radhë Ministria e Ekonomisë Kombëtare vinte në këtë përvjetor me rezultate konkrete: “…Ministria e Ekonomis Kombtare me botim të librit “Dhjetëvjetori i Shërbimit Veteriner e Zooteknik” i ka pasë të gjitha përpara sysh; ka krye detyrën e vet e sot flet me ballin haptë. Dega e Veterinaris e Zooteknis, leu dhe u organizue, mbrenda këtyne dhetë vjetve e prandej të gjith munden me e ditë zhvillimin e sajë. Ajo nuk ka nji histori; por asht tuj u trajtue ndër ditët t’ona, pse asht e përbame prej njerzsh t’aftë qi e kujtojn detyrën e randë qi u ka vu Shteti. Na ka rá me pá edhe ne ndër katunde të ndryshme, se çdo hap i bamë prej kësajë dege, asht vërtet në dobi të vendit e të bulkut t’onë. Sot janë fort pak ata katundarë, qi s’kanë mbrrijtë me e kuptue ende, se sa ndihma u vjen prej veterinerve në të ruejtun e në përmirsim të kafshëvet. Hetimi, kufizimi e ndonji herë edhe të zhdukunit e shum sëmundjeve, të bajn me mendue se veprohet me seriozitet. Nuk asht dyshim, se po u vijue me zellin e entuzjazëm të këtyne kohnave të mbrame, si populli, si shteti, kanë me nxierrë dobi të madhe”.
Rregulla strikte dhe asnjë lëshim jashtë ligjeve të vendit. Kështu funksiononte administrata shtetërore në atë kohë dhe një shembull që demonstron këtë, ishte problemi i shtyllave të Postelegrafës. Me kalimin e viteve, vinte natyrshëm kërkesa për shtylla druri më të qëndrueshme e më të drejta për një paraqitje sa më estetike. Por ndryshe nga lejet e dhëna për prerjen e shtyllave të deriatëhershme, administrata e pyjeve nuk jepte leje për prerjen e drurëve për shtylla më cilësore. Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare nuk i mbetej tjetër veçse të ndryshonte nenin 7 të ligjit për shfrytëzimin e pyjeve për nevoja publike: “…ndër rrugë kombëtare e sidomos n’ato ma kryesore e të rrahuna, për arsye teknike e njiherit estetike, Administrata e Postelegrafës ka nevojë me instalue shtylla të drejta prej drue të qëndrueshëm për me sigurue sa ma mirë e në mënyrë të hijshme vijat e telave të telegrafës e të telefonit.
Asht gja e dijtun se drujtë e drejtë me nji gjatësi 6-7 m, e me ndryshim të vogël ndërmjet diametri të poshtëm e të sipërm, siç i nevojitet Administratës në fjalë, nuk mundet m’u pasë veq ndër pyje të dendun, o me fjalë të tjera, ndër pyje të rregullt qi në kohë, mund të bahen të vlefshëm për shfrytzim. Mirpo, Art. 7 i ligjës mbi mënyrat e të dhanunit nga pyjet e Shtetit, të landës që i nevojitet për ndërtim e meremetime shtetnore e komunale, ndalon Administratën e pyjeve me i caktue asaj të Postelegrafës të tillë druj, mbasi nuk lejon prerjen ndër pyje të rregullt e qi me kohë mund të bahen të vlefshëm për shfrytzim,…Këto jan arsyet, që me kërkesën e Administratës së Postelegrafës, e kanë shty këte Ministri, me i ba nji ratifikim Artikullit 7 të Ligjës së përmendun sipër, në mënyrë që pa cenue jetën e mirëmbajtjen e pyjeve, të plotësohet kjo nevojë kryesore e shërbimit të Telegrafit e të Telefonit.”
Ishte ky sqarimi dhe argumentimi që jepte ministri i Ekonomisë Kombëtare, Gera, në raportin justifikues drejtuar Parlamentit për ndryshimin e ligjit për shfrytëzimin e pyjeve. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016