Nga Arben Pustina
Pjesa e dhjetë
-Rrok Gera, një burrë shteti ashtu si duhet –
MINISTËR I EKONOMISË KOMBËTARE NË QEVERINË E KOÇO KOTËS
Memorie.al /Ministria e Ekonomisë Kombëtare në atë kohë përfshinte sektorët kryesorë të ekonomisë e më gjerë. Ndryshimi në kabinetin qeveritar të Shqipërisë pasqyrohej edhe në shtypin e huaj. Kështu, për ngjarjen në fjalë shkruante edhe gazeta franceze “Journal des Debats”, e datës 2 qershor 1938. Siç pohonte vetë, kjo Ministri kishte nën drejtimin e saj: Bujqësinë, Reformën Agrare, Pyjet e Kullotat, rregullimin e Ujërave dhe Bonifikimet përgjithësisht, Veterinarinë e Zooteknikën, Minierat, Tregtinë, Industrinë e Zejtarinë, mbikëqyrjen e Bankës së Shtetit si dhe drejtimin e Portit të Durrësit. Ashtu siç kishte punuar më parë në krye të financave të shtetit, Rrok Gera i’u përvesh detyrës së re me zellin e zakonshëm, por në fokus të punës së tij, ashtu siç pritej, do të ishte sidomos aktiviteti i kompanive italiane, të cilat kishin marrë, ose prisnin të merrnin, koncesionet përkatëse.
Kompania italiane PESCALBA, që kishte koncesionin e peshkimit në Shqipëri, kryente shkelje të vazhdueshme që binin ndesh me marrëveshjen e koncesionit në fjalë. Kjo kompani, pa dijeninë e organeve shtetërore shqiptare të Kufirit dhe të Doganës, eksportonte në Itali sasi të mëdha peshku, të kapura në ujërat shqiptare dhe ndërkohë nuk hidhte në treg sasitë e peshkut të premtuar për konsum për popullsinë shqiptare. Sidomos nga peshkatarët e Shirokës dhe Dajlanit të Bunës, kishte shumë ankesa ndaj kompanisë për kushte të vështira pune, për pagesa të ulëta, për diferencime page me punëtorët italianë, e madje edhe për sabotime në punën e tyre.
Duke reaguar për një nga shkeljet që bënte kompania italiane, në qershorin e 1938-tës, Rrok Gera, që sapo kishte marrë detyrën e ministrit të Ekonomisë Kombëtare, i dërgoi një letër Drejtorisë së Ujërave në Tiranë, me të cilën kërkonte që kjo drejtori të dërgonte urgjentisht në Shkodër specialistët e vet, për të parë në vend punimet që po kryente PESCALBA dhe për të paralajmëruar përfaqësuesit e saj, se nuk mund të fillonin asnjë punim për ndërtimin e pendës së Bunës, pa dijeninë e autoriteteve shqiptare.
Por aktiviteti i PESCALBA-s do të vijonte të ishte edhe më tej në fokus të punës së ministrit të Ekonomisë Kombëtare. Kështu, më 11.09.1938, kjo Ministri kishte marrë, sipas porosisë së saj, një raport të detajuar nga një specialist peshkimi, lidhur me veprimtarinë e PESCALBA-s. Madje më vonë, qeveria shqiptare shikoi mundësinë e heqjes së këtij koncesioni, mjaft problematik. Që nga fundi i vitit 1937 dhe në vijim të 1938-ës, në magazina të porteve të Napolit dhe të Triestes qëndronte pa u shitur një sasi e madhe lëkurësh me origjinë nga Shqipëria, duke sjellë humbje të mëdha për tregtarët shqiptarë.
Kjo ndodhte sepse firmat italiane që kishin marrë lejet për kryerjen e shitjeve të tyre, nuk i kishin shfrytëzuar ato plotësisht. Çështja vijoi të ishte problematike edhe në verën e vitit 1938. Pak ditë pasi kishte marrë detyrën e ministrit të Ekonomisë Kombëtare, më 14 qershor, Rrok Gera i dërgoi një letër Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, duke u ankuar për vonesat e mëdha që ishin vërtetuar në dhënien e lejeve për blerjen e produkteve kryesore bujqësore e blegtorale nga firmat italiane.
Në letër theksohej se lejet për semestrin e parë të 1938-tës qenë shpërndarë në fund të tij, pra me shumë vonesë. Po në këtë letër, Gera pohonte ndërkohë se tregtarët shqiptarë kishin të drejtë në pretendimin e tyre se, për importimin e lëkurëve nga Shqipëria, qeveria italiane i kishte dhënë leje vetëm shoqërisë italiane E.I.A.A. (Ente Industria Agraria Albania). Në një tjetër letër, atë të datës 20 qershor 1938, ministri i Ekonomisë Kombëtare i kërkonte MPJ-së të Shqipërisë, që të ndërhynte tek autoritetet italiane, për të kërkuar dërgimin sa më shpejt të listës me firmat italiane që ishin ngarkuar për blerjen e produkteve bujqësore e blegtorale nga Shqipëria.
Në letrën e Gerës, nënvizohej se kjo do të shërbente për të evituar veprimin e papëlqyer, që këto lista të shpërndaheshin me vonesa të shumta. Por, me gjithë këmbënguljen e kreut të Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare, problemi nuk po zgjidhej. Me anë të letrës rezervate të datës 18 korrik 1938, Gera informonte në mënyrë të detajuar Kryesinë e Këshillit të Ministrave, për ecurinë e problemit në fjalë si dhe problemet për tregtinë me Italinë në përgjithësi.
Në letrën e tij, ai pohonte fillimisht se ndërmjet akteve rezervate të Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare kishte gjetur shkresën konfidenciale Nr. 544, të datës 21 shkurt 1938, të cilën ministri i Italisë në Tiranë i’a kishte drejtuar titullarit të Ministrisë së Ekonomisë në të kohë dhe, sipas përmbajtjes së letrës, dilte se ministri i Italisë kishte njoftuar se nga data 1 janar 1938, vetëkuptohej i revokuar koncesioni i primeve që ishin stabilizuar brenda kufijve të kontingjenteve gjashtëmujore për disa produkte me origjinë shqiptare që eksportoheshin drejt Italisë.
Në letrën dërguar Këshillit të Ministrave, Rrok Gera vërente se duhej parë nëse paraardhësi i tij në Ministri kishte pasur mandat për të pranuar në emër të qeverisë shqiptare revokimin e dokumentit të 28 janarit 1936, që lidhej me këto koncesione, si dhe duhej studiuar se çfarë motivesh me rëndësi e kishin shtyrë ministrin italian në Tiranë, të deklaronte revokimin e koncesioneve në fjalë.
Pasi theksonte se për çështjen e E.I.A.A-s ai do të përcillte një shkresë të veçantë, Gera vërente se kjo letër e parë e tij nuk ishte thjesht sa për informim, por një kërkesë për studimin me urgjencë të problemit: …“marrim lejen me shtue se këte çështje nuk e rilevojmë vetëm për kronikë, por me qëllim që i Nderti Këshilli Ministruer të caktojë mënyrën e veprimit, mbasi nuk asht e mundshme dhe e logjikshme, që në nji kohë që marrëdhëniet shqiptare me Italinë janë aq të përzemërta, të ketë qenë qëllim i asaj shkrese me damtue interesat shqiptare…”. Në të njëjtën ditë, më 18 korrik 1938, Gera dërgonte për Këshillin e Ministrave një letër të dytë, ku, sikurse kishte bërë të ditur në letrën paraardhëse, sqaronte problemin e krijuar me shoqërinë E.I.A.A.
Ai theksonte se arsyeja kryesore që qeveria shqiptare kishte hyrë në marrëveshje me E.I.A.A. ishte se qeveria italiane (në bazë të marrëveshjeve dypalëshe) do të vinte në dispozicion të prodhuesve e eksportuesve shqiptarë një pjesë të lejeve që u ishin rezervuar shtetasve italianë për importimin e mallrave në Itali, por duke mos mundur t’ua jepte këto leje drejtpërsëdrejti në dorë prodhuesve dhe eksportuesve shqiptarë, lejet i ishin vënë në dispozicion të qeverisë shqiptare me anën e shoqërisë E.I.A.A.
Sipas marrëveshjes me E.I.A.A., qeveria italiane i vinte qeverisë shqiptare në dispozicion 30 % të lejeve nëpërmjet kësaj shoqërie, e cila këto leje do t’i përdorte për të blerë prodhimet shqiptare me çmime të caktuara në marrëveshje me Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare, për të favorizuar importimin në Itali të prodhimeve shqiptare nëpërmjet akordimit të primeve të veçanta si dhe për të mundësuar që edhe vetë prodhuesit shqiptarë, të shisnin në Itali pa formalitete lejesh.
Gjithashtu u jepej mundësia eksportuesve shqiptarë të gjenin vetë importuesin italian, duke realizuar vetë marrëveshjen me të, duke përdorur E.I.A.A. vetëm si komisioner, si dhe u jepej shqiptarëve mundësia e eksportimit dhe e shitjes së mallit në Itali, duke e përdorur E.I.A.A. vetëm për realizimin e formaliteteve doganore. Por për shkak të sistemit italian të importeve, gjërat nuk funksionuan sikurse ishin parashikuar dhe marrëveshja nuk po sillte avantazhet e premtuara për palën shqiptare, ndaj ish-ministri i Ekonomisë Kombëtare (paraardhës i Rrok Gerës), pati një reagim më 28 tetor 1937, ku me anë të një letre denonconte konventën me E.I.A.A.
Megjithatë, në listat e semestrit të parë të vitit 1938, midis firmave italiane që kishin leje për importimin e mallrave shqiptare, vijonte të qëndronte në krye shoqëria E.I.A.A., e cila blinte dhe lejet e tregtarëve të tjerë, kur ata nuk kartelizoheshin me të. Shoqëria italiane vijonte të ruante kështu monopolin e eksporteve të produkteve bujqësore e blegtorale shqiptare, duke diktuar uljen e çmimeve për këto mallra dhe duke realizuar fitime të mëdha në dobi të shtetit italian, që ishte dhe zotëruesi i pjesës më të madhe të aksioneve të E.I.A.A.
Ndaj ministri Gera arrinte në përfundimin se denoncimi i konventës me E.I.A.A. kishte shkaktuar praktikisht vetëm anulimin e interesave shqiptare dhe jo anulimin e ndërmjetësimit të E.I.A.A. Pa dashur të fajësonte askënd për qëllime dashakeqëse, Rrok Gera vërente në letrën e tij drejtuar Këshillit të Ministrave, se veprimi që denonconte konventën me E.I.A.A., ishte krejt i parregullt dhe i papajtueshëm me ruajtjen e interesave të shtetit.
Pasi theksonte se nuk duhej hequr dorë nga avantazhet e kontraktuara nëpërmjet marrëveshjeve tregtare me Italinë, Gera i kërkonte Këshillit të Ministrave që …“çështja të shqyrtohet nga pikëpamja e ruajtjes së interesave shqiptare dhe të mënyrës me të cilën mund të ruhen më mirë këto interesa, deri sa të mundemi, me anë të një marrëveshjeje të re me Qeverinë italiane, me i sistemue marrëdhëniet tregtare sa ma mirë. Mbasi në këtë situatë asht shkaktue nji zbritje e çmimeve të disa prodhimeve kombëtare, e mbasi ankesa të shumta po na drejtohen nga ky shkak dita me ditë, lutemi që kjo parashtresë të studiohet me urgjencë dhe t’i jepet punëve drejtimi i duhun…”.
Me gjithë këmbënguljen e Rrok Gerës për një zgjidhje sa më urgjente të çështjes, problemi nuk ishte zgjidhur as në fund të vitit 1938. Në këtë situatë, më 22 dhjetor 1938, ai e ngriti edhe një herë çështjen në mbledhjen e Kryesisë së Këshillit Ministror, duke e parashtruar nevojën e zgjidhjes urgjente të saj. Një ditë më vonë, më 23 dhjetor 1938, Gera iu drejtua Këshillit të Ministrave me letrën nr. 1184/4, duke sugjeruar marrjen e një vendimi që autorizonte përfaqësuesin e Shqipërisë në Romë, të arrinte një shtesë të marrëveshjes tregtare me Italinë, sipas disa kushteve: P. T. Kryesisë së Këshillit Ministruer Tiranë.
Në bazë të bisedimeve të zhvillueme dje në Këshillin Ministruer lutemi të mirret nji vendim për t’autorizue Përfaqsuesin t’onë në Romë, për të lidhun nji shtesë të marrëveshjes s’onë tregtare qi kemi me Italinë, me këto kondita: 1). Q’i importimet t’ona në Itali si dhe dalja e divizave për në Shqypni, të lihen krejt të lira, domethanë të mos u shtrohen lejeve t’importimit dhe të daljes së divizave. Për sa i përket divizave, në mos qoftë e mundun që të lihet krejt e lirë dalja e tyne, të paktën të sigurohet leja të dali brenda 15 ditëve prej versimit të kundravleftës së mallit në nji nga bankat e atjeshme prej firmës importuese. 2).
Në rast se kjo do të mos jetë e pranueshme, atëherë të kërkohet prej tyne, që ndarja e lejeve firmave italiane të kontigjentave të mallnave shqyptare, të bahet në bazë të nji liste, të paraqitun prej Qeverisë Shqyptare nji muej para fillimit të çdo semestri, domethanë q’i lejet Qeveria Italiane do t’ua japi atyne firmave importuese të vendit të sajë, që do të caktojë Qeveria Shqiptare.
Kjo listë do t’i paraqitet Qeverisë Italiane me anën e Legatës s’onë në Romë dhe Qeveria Italiane lejet do t’i ndajë si mbas listës së paraqitun brenda 15 ditëve të para, të muejit të parë, të semestrit qi i përket kontingjenti. Këto leje duhet të jenë të pa cedueshme dhe për lejet e pa përdorura krejtësisht ose pjesërisht në nji semester, mundet me u caktue nji tjetër firmë importuese italiane nga Qeveria Shqyptare. Edhe në ket rast, lejet e daljes së divizave për importimet nga Shqipnia, duhet të jepen nga Instituti përkatës brenda 15 ditëve nga data e depozitimit të kundra vleftës së mallit importuar nga firma italiane në nji nga bankat italiane, të cilat duhet të bajnë formalitetet e rastit brenda nji jave prej datës së depozitimit. Ministri i Ekonomis Kombëtare: Rrok Gera.
Rreth një javë më vonë, në mbledhjen e saj të 31 dhjetorit 1938, Kryesia e Këshillit të Ministrave mori vendimin nëpërmjet të cilit autorizohej Legata Shqiptare në Romë, të nënshkruante ndryshimet në marrëveshjen tregtare të Shqipërisë me Italinë. Për arritjen e marrëveshjes, vendimi i Këshillit të Ministrave përcaktonte fjalë për fjalë kushtet që ministri i Ekonomisë Kombëtare, Gera, kishte parashtruar në letrën e tij të 23 dhjetorit 1938. Por edhe pas marrjes së këtij vendimi, rruga drejt zgjidhjes së ngërçit në tregtinë me Italinë, ishte e gjatë dhe me pengesa.
Bilancet pasive me tregtinë me Shqipërinë gjatë viteve të fundit, i kishin tërbuar italianët, ndaj duket se gjatë vitit 1938 e në vijim, ata po bënin gjithë përpjekjet e mundshme të pengonin eksportet tona dhe të dobësonin ekonominë tonë. Për këtë arsye, edhe në muajt e parë të 1939-tës, Rrok Gera pati një komunikim të shpeshtë me ministrinë e Punëve të Jashtme dhe me përfaqësuesit tonë në Legatën e Romës. Me fillimin e vitit 1939, Ministria e Ekonomisë Kombëtare e shikonte si të domosdoshme nxjerrjen sa më parë të lejeve të importit për mallrat shqiptare në Itali, në mënyrë që të mos krijohej vakum deri në arritjen e marrëveshjes së re tregtare me Italinë, bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, të 31 dhjetorit 1938.
Për këtë qëllim, ministri Gera i kishte dërguar shkresën 490/125 Legatës sonë në Romë, 8 ditë para se të merrej vendimi i 31 dhjetorit, (pra me 23 dhjetor) duke i kërkuar që mos të humbej kohë dhe Legata të siguronte lejet për semestrin e parë të 1939, sipas marrëveshjes që ishte në fuqi. Ndërsa për lejet e semestrit të dytë për vitin 1939, besohej se do të jepeshin mbi bazën e marrëveshjes së re, që do të arrihej deri në atë kohë.
Në shkresën e tij të 11 shkurtit 1939, me nr. 533/4, drejtuar Legatës sonë në Romë, Rrok Gera përsëri theksonte domosdoshmërinë e nxjerrjes sa më të shpejtë të lejeve të eksportit shqiptar drejt Italisë, sidomos për disa mallra, të cilët nuk mund të qëndronin gjatë në magazinë (si psh ulliri), ose rrezikonin që çmimi i tyre te ulej së tepërmi (si psh leshi, që në prill dilte në treg me sasi të reja). Sipas Gerës, pezullimi i marrëveshjes në fuqi, pa u lidhur marrëveshja e re, do t’i shkaktonte një dëm të madh, jo vetëm tregtarëve, por edhe prodhuesve, ndaj ai nënvizonte se Legatës i dilte për detyrë, që të përpiqej t’i nxirrte sa më parë lejet e eksportit për semestrin e parë të vitit në vazhdim (1939).
Gera kërkonte gjithashtu nga Legata, një informacion të kujdesshëm për çfarëdo që ndodhte në Itali, sa i përkiste tregtisë me Shqipërinë:..”do t’i lutesha asaj Legate të ketë mirësinë të më njoftojë çdo zhvillim të bamun për sa i përket marrëveshjes së re si dhe çdo tjetër veprim të bamun prej autoriteteve t’atjeshme rreth importimeve t’ona atje. Në këto ditët e fundit kemi marrë vesh se Qeveria e atjeshme është duke organizuar konsorcije t’importatorve të mallnave t’ona me qëllim të disiplinojë çmimet e mallnave t’importueme nga Shqipëria, domethanë të ndalojë konkurrencën e lirë edhe në rast se pranohet nji marrëveshjet si ajo e kërkume me vendimin e naltpërmendun të P.T. Këshillit Ministruer. Mbasi kjo çështje ashtë me shumë rëndësi, lutemi shumë të kujdeseni për mbi saktësin e këtyre informatave dhe të keni mirësinë të na lajmëroni për njiherë.” Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016