Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur me dëshmitë e rralla të dy vëllezërve nga Laçi, Skënder dhe Shpëtim Marku, të cilët në fundin e prillit të vitit 1988, bashkë me shokun e tyre, Agron Gjoka, morën rrugën në drejtim të qytetit të Peshkopisë dhe pasi u ngjitën në majën e malit të Korabit të mbuluar nga bora dhe një furtunë të madhe me rrebeshe shiu dhe bore, kaluan kufirin shtetëror në brezin e butë pa u kuptuar nga rojet shqiptare të kufirit. Si u orientuan ata deri sa mbërritën në fshatin Restelicë të Dragashit, ku u dorzuan vetë në postën jugosllave të kufirit dhe si u trajtuan ata nga organet e UDB-së në burgun e qytetit të Prizrenit, për çfarë i pyesnin aty dhe përse pas dënimit me një muaj burg për kalim të paligjshëm të kufirit, ata nuk i lejuan të shkonin në Beograd ku do aplikonin për azil politik pranë ambasadës së SHBA-së, por iu vunë hekurat dhe i nisën për në drejtim të pikës kufitare të Morinit. Si i ndaluan dy vëllezërit Marku në disa qytete ku kalonte rruga nacionale ku u organizuan mitingje duke mbledhur popullin me detyrim nga qëndrat e punës e shkollat, si në Kukës, Milot, Laç, Fushë-Krujë etj, ku u mbajtën fjalime për t’i demaskuar ata, dhe më pas torturat në hetuesinë e Krujës, e gjyqi në qytetin e Laçit, ku ata mbajtën një qëndrim burrëror. Gjë e cila u bë shkak që atyre t’u jepeshin dënime maksimale, përkatësisht me 20 dhe 17 vjet, duke i dërguar në Qafë-Bari, Spaç dhe Burrel, prej nga ku u ata liruan në marsin e vitit 1991, me të fundmit të dënuar.
Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e kaluar, sipas dëshmisë së 60-vjeçarit, Skënder Marku, ish komandant i Burgut të Tiranës në vitin 1997 me gradën e majorit, dhe vëllait të tij më të vogël, Shpëtimit, u njohëm me historinë e arratisjes së tyre nga Shqipëria në prillin e vitit 1988. Familja Marku është me origjinë nga fshatrat e Peshkopisë, por babai i tyre, Hakik Marku, ish-ndimës mjek në spitalin e qytetit të Peshkopisë, ashtu si shumë familje të tjera në vitet ’60-të, u transferua për në qytetin e Laçit, që sapo kishte filluar të ndërtohej. Pas mbarimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në vitin 1981, Skënderi filloi punë në ofiçinën e Kombinatit Kimiko-Metalurgjik të Laçit, ku punonte dhe i vëllai i tij i madh, Iliri. Ndonëse familja Marku nuk kishte probleme me regjimin komunist të asaj kohe, vetë Skënderi, i cili ishte i dhënë shumë pas letërsisë e sporteve, kishte rezervat e tij dhe nuk pajtohej me shumë aspekte të jetës që afronte regjimi në fuqi i asaj kohe. Nisur nga kjo, ai vendosi të arratisej nga Shqipëria dhe planin e arratisjes e bëri vetëm me vëllanë më të vogël, Shpëtimin, i cili në atë kohë ishte kampion kombëtar në mundjen klasike për të rinj me ekipin “Kastrioti” të Laçit. Dhe planin e tyre ata vendosën ta realizonin në ditë e fundit të prillit të vitit 1988, kur Shpëtimi që kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në rrethin e Pogradecit, shkoi në qytetin e Laçit dhe u takua me Skënderin, por pasi kishte marrë me vete dhe shokun e tij, Agron Gjokën, i cili kishte një vëlla të arratisur në SHBA dhe një tjetër në burg. Ka qenë mbrëmja e 23 prillit 1988, kur me një makinë “Skoda” të kromit, ata u nisën nga Laçi menjëherë për në drejtim të qytetit të Peshkopisë dhe pasi zbritën në fshati Kastriot, u nisën për në drejtim të Kalasë së Dodës, në orët e para të mëngjesit të 24 prillit 1988, u gjendën në majën e malit të Korabit, duke bërë rreth katër pesë orë rrugë në vënde të thepisura dhe nën një stuhie bore me mjegull dhe ngrica.
(vijon nga numri i kaluar)
Kalimi kufirit më 24 prill ’88 në majën e Korabit
Pas shumë peripecive të kaluara në lartësitë e malit të Korabit, duke ecur në rrugë pa rrugë dhe në shtigje të thepisura, në të ftohtin e acartë të atij mëngjesi të 24 prillit të vitit 1988, Skënder Marku me të vëllanë e tij, Shpëtimin, dhe shokun e tyre po nga Laçi, Agron Gjoka, mundën të kalonin kufirin shtetëror diku pranë një poste në afërsi të Kalasë së Dodës, pa u kuptuar nga njeri, pasi rojet e postës më të afërt të kufirit nuk e mbulonin me shërbim atë zonë për arsye të terrenit tepër të thyer. Lidhur me këtë dhe peripecitë e tyre në tokën jugosllave, 60-vjeçari Skënder Marku, ish-komandant i Burgut të Tiranës në vitin 1977, me gradën e majorit, në rrëfimin e tij ekskluzivisht për Memorie.al dëshmon: “Nga qendra e zjarrit aty në majë të Korabit ku qëndruam për disa orë për të mbledhur veten pas atij udhëtimi të gjatë tejet raskapitëse prej katër pesë orësh dhe në një terren ku nuk mund të kaloje as ditën, vendosëm që të dilnim dhe të kalonim kufirin ende pa zbardhur dita. Si tani më kujtohen ato minuta ankthi që na dukeshin të pafundme, kur bashkë me vëllanë tim Shpëtimin dhe shokun e tij, Agron, lamë pas territorin shqiptar dhe dolëm në tokën jugosllave. Nuk mund t’ua përshkruaj dot me fjalë se çfarë ndjenim në ato momente. Më në fund menduam se dëshira dhe ëndrra jonë e madhe për të ikur nga ai realitet ku jetonim prej vitesh dhe që na ishte bërë i padurueshëm, po bëhej realitet. Por po kështu na dukej e pabesueshme dhe shikonim njëri tjetrin nëse vërtet kishte ndodhur ajo gjë për të cilën unë me Shpëtimin kishim menduar prej kohësh dhe kishim bërë biseda të pafundme”?! Kështu e kujton Skënderi atë moment të shumëpritur prej tyre, kur ende pa zbardhur mëngjesi i 24 prillit të vitit 1988, ai më të vëllanë Shpëtimin që mbante ende uniformën e ushtarit dhe me shokun e tij, Agron Gjokën, u gjendën në territorin e Republikës Federative të Jugosllavisë.
Udhëtimi drejt fshatit Restelicë të Dragashit
Pas kalimit të kufirit dhe udhëtimin që ata bënë më pas, Shpëtimi kujton:”Pas daljes sonë në tokën jugosllave, nuk kishim asnjë rrugë tjetër përveçse të dorëzoheshim pranë autoriteteve ushtarake të asaj zonë kufitare. Ndërsa vazhdonim udhëtimin duke iu larguar gjithnjë e më shumë zonës kufitare, nga larg dalluam një bari me disa dele. Në mënyrë instiktive menjëherë ndaluam të tre dhe ndonëse që shumë kohë përpara se të mbërrinim aty, bashkë me Skënderin e Agronin, kishim parashikuar të gjitha versionet e mundshme, pra se si do të përgjigjeshim kur të na pyesnin se përse ishim larguar nga Shqipëria, etj., i kujtuam dhe njëherë ato si për të qenë më të sigurtë në veten, pasi mendonim se mund të na kapnin nga çasti në çast. Përgjigja jonë do të ishte kjo: “Jemi larguar nga Shqipëria për motive politike dhe dëshira jonë është për të shkuar drejt SHBA, pasi aty nuk mund të përshtatemi me sistemin dhe politikën që po ndjek regjimi komunist i Nexhmije Hoxhës dhe Ramiz Alisë”. Ndërsa bisedonim këto me njëri tjetrin, iu afruam atij bariut dhe e pyetëm se ku ndodheshim e si quhej fshati më i afërt. Ai na tregoi se aty ishim afër fshatit Restelicë të Komunës së Dragashit dhe qyteti më i afërt nga aty ishte Prizreni nga ana veriore, kurse nga ana jugore, qyteti më i afërt ishte Tetova. Pasi u orientuam disi se ku ndodheshim, vazhduam ta pyesnim se ku shkohej më shpejt, në Prizren apo në Tetovë, ai na tha se pothuaj ishte e njëjta rrugë në këmbë, që mbante rreth tre orë, si për në Tetovë ashtu dhe për në Prizren. Pasi u ndamë prej tij, vendosëm që të shkonim në drejtim të fshatit Restelicë dhe më pas drejt Prizrenit ku do të dorëzoheshim. Prizrenin ne e kishim menduar dhe më parë dhe kjo jo vetëm për arsyen se shqiptarët e Kosovës sikur na dukeshin më të afërt se ata të Maqedonisë, por edhe për arsye se në Prizren, ishte dorëzuar disa vite më parë, vëllai i Agronit, Gazmir Gjoka, i cili ishte arratisur ashtu si dhe ne, ai kishte fituar azilin politik e ndodhej në SHBA. Sa mbërritëm në fshatin Restelicë, morëm kontakt me disa banorë që na treguan postën kufitare dhe ne shkuam e u dorëzuam aty ku pasi na morën në pyetje, na shoqëruan për në qytetin e Prizrenit, duke na dorëzuar në Stacionin e Policisë”, kujton Shpëtimi lidhur me rrugëtimin e tyre deri sa mbërritën në atë vënd siç dhe e kishin parashikuar.
Presionet e Sigurimit të Shtetit në familjen Marku në Laç
Po pas arratisjes së Skënderit dhe Shpëtimit, çfarë ndodhi me familjen Marku në qytetin e Laçit dhe si e mësuan ata të vërtetën e arratisjes së dy djemve të tyre? Lidhur me këtë, Skënderi me Shpëtimin kujtojnë se të vërtetën për atë se çfarë kishte ngjarë me ta, familja e tyre në qytetin e Laçit, e kanë mësuar disa ditë më vonë nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit. Që në paraditen e 24 prillit, prindërit e tyre ishin bërë shumë merak duke u shqetësuar për faktin se dy djemtë e tyre, Skënderi me Shpëtimin, nuk po ktheheshin në shtëpi dhe akoma më keq, ata nuk kishin fjetur tek e motra e tyre, Zana, ashtu siç kishin thënë një natë më parë. Sa më shumë kalonte koha, aq më shumë shtohej ankthi në familjen e tyre, pasi edhe në ditët që pasuan, nuk u mësua asgjë e re për fatin e dy djemve. Familja Marku nuk la të afërm të tyre pa i kërkuar, telefonuar dhe pa u bërë telegram, por të gjitha përgjigjet prej tyre vinin negative, duke thënë se nuk dinin gjë për Skënderin dhe Shpëtimin. Ankthin e tmerrshëm e të pafund që kishte pllakosur në familjen Marku, e shtoi akoma dhe më shumë ardhja e njerëzve të Sigurimit të Shtetit në shtëpinë e tyre pas disa ditësh. Ata bënë kontrolle të imta të banesës, duke sekuestruar pothuaj të gjithë fotografitë e familjes dhe pas atij kontrolli, njerëzit e Sigurimit u thanë familjes Marku, se: “Dy djemtë e tyre, Skënderi me Shpëtimin, kishin braktisur atdheun duke u arratisur nga Shqipëria si tradhëtarë të poshtër”. Më pas, motrat e Skënderit dhe Shpëtimit, si dhe vëllai i madh, Iliri, u hoqën nga punët e tyre dhe iu ndalua ushtrimi i profesionit. Përveç kësaj njerëzit e Sigurimit dhe Frontit Demokratik të lagjes ku ata banonin, u bënin presion bashkëshortëve të tyre që t’i ndanin gratë, (motrat e Skënderit), si dhe nuses së Ilirit, që ta ndante atë, pasi dy vëllezërit e tij “kishin tradhëtuar atdheun”. U thonin se: do t’ua merrnin shtëpitë dhe do t’i internonin në fshatra të largët, prandaj më mirë t’i ndanin gratë e tyre, që ishin motrat e Skënderit e Shpëtimit. Këto gjëra ua thanë hapur edhe në disa mbledhje që bëri Fronti Demokratik në lagje për demaskimin e tyre. Pas gjithë këtyre presioneve, disa ditë më vonë, njerëzit e Sigurimit dhe të Frontit, shkuan përsëri në familjen Marku dhe u thanë atyre se: “dy djemtë e tyre tradhëtarë, Skënderin dhe Shpëtimin, do t’i kthenin së shpejti në Shqipëri”. Po ato ditë, u organizuan edhe disa mbledhje në qëndrën e punës ku kishte punuar Skënderi, në Ofiçinën e Kombinatit Kimiko-Metalurgjik të Laçit, ku iu kërkua shokëve të tij të punës, që të dënonin aktin e tyre. Por jo vetëm që në ato mbledhje nuk foli njeri kundër Skënderit, por disa shokë të tij si Naim Kasmi, Gëzim Hoxha, si dhe vëllezërit Shefqet e Flamur Domi, e mbrojtën Skënderin, gjë e cila u kushtoi disave prej tyre, dënimin me gjashtë muaj punë korrektonjëse.
Dënimi me 33 ditë burg me akuzën: Kalim i paligjshëm i kufirit
Çfarë nodhi me dy vëllezërit Marku dhe shokun e tyre, Agron, pasi ata u dorëzuan në stacionin e Policisë së Prizrenit? Lidhur me këtë, Skënderi kujton: “Aty në Policinë e Prizrenit menjëherë na morën në pyetje, fillimisht duke na pyetur për gjeneralitetet dhe më pas për arsyet se përse ne ishim arratisur nga Shqipëria,etj. Gjatë pyetjeve që na bënë, të treve bashkë dhe më pas veç e veç, ne përsëritëm të njëjtat gjëra, duke thënë të vërtetën e arratisjes sonë dhe qëllimin e vetëm që kishim për të shkuar në SHBA. Ne përsëritëm disa herë, se nuk donim të rrinim në asnjë vënd tjetër, përveçse të iknim në SHBA, pasi ky ishte qëllimi ynë i vetëm dhe për këtë gjë ne kishim vënë kokën në rrezik. Pas disa seancave me pyetje të shumta që na bënë autoritetet jugosllave të atij stacioni policor, gjithnjë duke pasur një përkthyes shqiptar të Kosovës, ata na thanë se do ta shqyrtonin problemin tonë dhe pas disa ditëve do të na jepnin përgjigje se çfarë vendimi do të merrej për ne. Deri sa të shqyrtohej problemi ynë, ne do të na mbanin të izoluar aty në atë stacion policie. Dhe vërtetë, pas disa ditësh, na dërguan në Gjykatën e Prizrenit, ku na u bë një gjyq i shpejtë, i cili na dënoi të tre, me nga 30 ditë burgim, me akuzën: “Për kalim të paligjshëm të kufirit”, duke na dhënë dënimin minimal, pasi ligji i tyre për atë akuzë, parashikonte një deri në tre muaj”, kujton Skënderi, lidhur me dënimin që iu bë atyre në Gjykatën e Prizrenit.
Provokimet e UDB-së dhe informacioni i saktë që ata kishin.
Po ç’ndodhi me vëllezërit Marku dhe shokun e tyre, Agron Gjokën, pasi Gjykata e Prizrenit i dënoi me nga 30 ditë burgim, me akuzën për kalim të paligjshëm të kufirit? Lidhur me këtë, Shpëtimi, dëshmon: “Pas dënimit na rikthyen përsëri në stacionin e Policisë së Prizrenit, ku na izoluan si më parë në dhoma të ndryshme, veç e veç dhe çdo ditë na merrnin në pyetje me anë të përkthyesit shqiptar, duke na bërë pyetje dhe provokime nga më të ndryshmet. Na bënin pyetje të karakterit politik, për udhëheqjen e lartë, për Ramiz Alinë, për Nexhmije Hoxhën, për anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, për Haxhi Lleshin, etj., duke na thënë se kush kishte më shumë fuqi dhe pushtet prej tyre, etj. Gjëra për të cilat ne i përgjigjeshim shumë shkurt, duke iu shpjeguar se nuk kishim shumë dijeni dhe as informacion se ça ndodhte në udhëheqjen e lartë, pasi ne nuk kishim nga t’i dinim ato gjëra, pasi kishim jetuar në një qytet të vogël larg Tiranës, ku ishim marrë vetëm me punët tona. Po kështu ata na pyesnin edhe për organet e pushtetit dhe të partisë të Laçit dhe Krujës ku kishim jetuar dhe punuar në të tre, ku ne mbetëm të çuditur nga informacioni i saktë që ata kishin, pasi përmendnin emra konkret dhe pyesnin nëse ishin përsëri në ato funksione dhe detyra. Por ajo që më bëri më shumë përshtypje mua, ishte problemi i datës së saktë të ditëlindjes sime. Kur më pyetën për gjeneralitetet ditën e parë që na futën aty, unë i thashë 12 shkurt 1966, siç e kam në të vërtetë. Por pas disa ditësh, ata më pyetën përsëri dhe kur unë i thashë po të njëjtën gjë, ata më thanë: ‘Mendohu mirë se mos je gabim, se ndoshta e ke më 22 shkurt 1966’?! Unë në fillim ngula këmbë se ishte data 12 dhe se ajo nuk mund të ngatërrohej, por më pas u kujtova, se data 22 ishte shënuar gabim në Librezën time Ushtarake, që unë e kisha djegur dhe e kisha bërë hi në qendrën e zjarrit diku në majë të malit të Korabit, pak para se të kalonim kufirin në mëngjesin e 24 prillit. Kur ua shpjegova atë, pra datën 22 që ishte vënë gabim në Librezën Ushtarake, oficeri i UDB-së, nënqeshi me ironi si për të më thënë se ata dinin gjithçka rreth nesh. Kështu gjatë gjithë asaj kohe, pra gjatë një muaji që ne na mbajtën të izoluar në Stacionin e Policisë së Prizrenit, trajtimi që na bëhej ishte më se normal, si nga ushqimi, fjetja, dalja në ajrosje etj., por seancat me pyetje provokuese vazhdonin çdo ditë. Një ditë më pyetën se: përse ne nuk kishim zgjedhur për t’u arratisur një vënd tjetër, p.sh., atje ku unë isha ushtar në afërsi të Pogradecit, në Malin e Thatë, ku nuk e kisha larg kufirin, etj? Na thonin se përse ne nuk kishim dëshirë që të qëndronim në Jugosllavi, ku ata do të na krijonin të gjitha kushtet dhe një jetë normale, si ajo që bëhej në Perëndim, etj. Seancat me pyetje vazhduan pothuaj çdo ditë dhe kur plotësuam 30 ditë, ne u bëmë merak se përse nuk po na lironin, gjë e cila na i shtoi shumë dyshimet dhe për një fakt tjetër, pasi nga dritaret ku ne kacavireshim për të parë vëndin ku bëhej ajrosja, nuk e pamë më shokun tonë Agronin?! Pasi kishin kaluar katër a pesë ditë më shumë se dënimi që na ishte dhënë, ne iu kërkuam atyre se përse nuk po na lironin siç dhe kishte vendosur Gjykata e Prizrenit?! Ata nuk na përgjigjeshin, por dukej se na shikonin me një keqardhje dhe kjo gjë na i shtoi dyshimet duke parandjerë se diçka e rëndë po luhej me ne…”, kujton Shpëtimi lidhur me ditët e fundit të tyre në paraburgimin e Stacionit Policor të Prizrenit.
Agroni fitoi azilin politik, dy vëllezërit, Marku, i kthejnë në Shqipëri
Po ç’po ndodhte me Skënderin dhe Shpëtimin gjatë kohës që ata u mbajtën në Stacionin e Policisë së Prizrenit dhe cila ishte përgjigja që u dhanë atyre në lidhje me përfitimin e statusit të emigrantëve politikë që ata donin të aplikonin pranë ambasadës së SHBA-së në Beograd? Ku ndodhej shoku i tyre Agroni që ata nuk po e shikonin më gjatë ajrosjes?! Lidhur me këtë, Skënderi dëshmon: “Ndërsa ishim në pritje të lirimit pas 30 ditë paraburgimi ashtu siç dhe kishte vendosur Gjykata e Prizrenit për ne, me shpresën se do të na dërgonin në Beograd ku do bënim aplikimin për azil politik për në SHBA, ndodhi diçka që ne nuk e kishim parashikuar kurrë gjatë planeve që kishim bërë. Më datën 1 qershor të atij viti, pra rreth 36 ditë pasi ne ishim dorëzuar aty, që në mëngjes na nxorrën nga dhomat ku ishim të izoluar dhe na bashkuan në korridor duke na lidhur me pranga. Policët që na lidhën dhe ata të tjerët që qëndronin në të dy anët korridorit, nuk flisnin fare por kishin ulur kokat dhe na shikonin me keqardhje. Aty e kuptuam se ajo që nuk e kishim menduar kurrë, po ndodhte me të vërtetë. Ndërkaq para se të na nxirrnin nga ajo godinë për të na hypur në një automjet të policisë që priste në oborr, më kryesori i tyre na tha: “Na vjen keq për këtë që po ndodh me ju, por nuk është në dorën tonë. Ne vetëm po zbatojmë urdhërat që na kanë dhënë eprorët tanë”. Dhe ato fjalë ai na i tha jo pa keqardhje, madje duke u ndierë si fajtor, pasi mua dhe Shpëtimit nuk na u dha e drejta e strehimit politik, ashtu siç kishte ndodhur me Agronin, që e kishin nisur për në Beograd. Pas kësaj, ne na hypën në një makinë të mbyllur dhe vetëm pas pak minutave e pamë veten në pikën Kufitare të Morinës së Kukësit, në tokën shqiptare, ku na u vërsulën si bisha duke na sharë me një fjalor banal. Nuk do t’i harroj kurrë ato minuta tmerri, kur njerëzit e Sigurimit që kishin ardhur nga Kruja e Tirana, na morën në dorëzim dhe hypën në makinën e tyre, e cila u nis me shpejtësi në drejtim të qytetit të Kukësit”, kujton Skënderi, momentet e dorëzimit të tij dhe vëllait, Shpëtimit, pranë autoriteteve të palës shqiptare të pikës Kufitare të Morinit, duke shtuar se ato kanë qenë minutat më të tmerrshme që ai ka kaluar deri më sot dhe gjithnjë kur i kujton, përpiqet t’i fshijë nga kujtesa!
Demaskimi para popullit në Kukës, Milot, Laç, Kombinatin Kimiko-Metalurgjik dhe Fushë-Krujë
Po përse dy vëllezërve Marku nuk iu plotësua kërkesa për strehim politik nga ana e autoriteteve jugosllave ashtu siç u bë me shokun e tyre, Agron Gjokën dhe përse ata ua dorëzuan autoriteteve shqiptare, kur dihej se ç’fat do i priste?! Lidhur me këtë, Skënderi tregon: “Dorëzimi ynë pranë autoriteteve shtetërore shqiptare në pikën kufitare të Morinës, kishte ndodhur pas kërkesave të shumta që kishte bërë pala shqiptare, gjë të cilat i kam mësuar disa vite më vonë kur fillova punë në Tiranë. Nisur nga një marrëveshje që kishte nënshkruar Sigurimi i Shtetit me UDB-në Jugosllave që para shumë vitesh, e cila konsistonte në shkëmbimin e emigrantëve politikë në mes dy vëndeve, ne e pamë veten në duart e Sigurimit të Shtetit Shqiptar. Ne i kishim të gjitha mundësitë që të largoheshim nga Stacioni i Policisë së Prizrenit, por nuk e kishim menduar kurrë se do të na dorëzonin duke na kthyer në Shqipëri. Në qytetin e Kukësit ku na ndaluan fillimisht, na çuan te një shkollë, ku kishin mbledhur me qindra njerëz duke i sjellë aty me detyrim nga qendrat e punës. Pas kësaj autoritetet kryesore të rrethit nga Partia, Fronti, Sigurimi etj., mbajtën fjalimet e rastit, duke na sharë ne si “tradhëtar, armiq të popullit”, etj. Pas kësaj, automjeti “ZUK” nga Laçi që kishte marrë Sigurimi i Shtetit për të na marrë ne, mori rrugën e kthimit dhe fillimisht na ndaluan në qytezën e Milotit, ku u përsërit e njëjta gjë si në Kukës, pra: duke na demaskuar para popullit, si “armiq e tradhëtar”. Nga Miloti na dërguan në Kombinatin Kimiko-Metalurgjik të Laçit (ku kisha punuar unë me vëllanë, Ilirin, motra jonë me bashkëshortin e saj, etj.) dhe nga aty në qendër të qytetit të Laçit, para Pallatit të Kulturës, ku kishin mbledhur me detyrim nga qendrat e punës, me qindra njerëz. Dhe aty u mbajt një miting me fjalime ku nuk na lanë gjë pa na sharë dhe demaskuar siç thuhej atëhere. Pasi mbaroi mitingu i Laçit, ne na nisën për në Fushë-Krujë, ku dhe aty u bë “rituali” i zakonshëm, e më pas përfunduam në Degën e Punëve të Brendëshme të Krujës, pasi Laçi ku banonim ne asokohe, varej nga Kruja. Por, të jemi të sinqertë deri në fund, në të gjitha ato mitingje që u bënë për të na demaskuar ne, banorët e atyre qyteteve, jo vetëm që nuk i mbështetën fare organizatorët e atyre mbledhjeve, por na shihnin me keqardhje dhe asnjë nga populli nuk doli të fliste në tribuna, edhe pse iu bë thirrje disa herë”, kujton Skënderi, lidhur me atë që ndodhi me të dhe vëllanë e tij, Shpëtimin, atë ditë që pala jugosllave i dorëzoi në pikën Kufitare të Morinës .
Torturat nga dy hetuesit e Krujës dhe gjyqi në Laç
Po çfarë ndodhi me dy vëllezërit Marku në Degën e Brendëshme të Krujës ku i dërguan ata në pasditen e vonë të datës 1 qershor të vitit 1988, pasi i kishin “demaskuar” në disa prej qyteteve ku kalonte rruga nacionale nga Kukësi deri në Fushë-Krujë? Lidhur me këtë, Shpëtimi dëshmon: “Në Hetuesinë e Krujës na mbajtën nga data 1 qershor deri më 15 korrik, një muaj e gjysëm dhe gjatë gjithë atyre ditëve që ata i quanin seanca hetimore, ne na kanë mbajtur nën tortura fizike dhe psikollogjike të pandërprera. Hetuesinë na e bënte vetë personalisht, Kryetari i Hetuesisë së Krujës, Seit Duraj, një kriminel i lindur që ka ushtruar dhunë fizike ndaj nesh duke na masakruar barbarisht, por e kemi përballuar falë dhe moshës së re dhe fizikut tonë. Kur lodhej ai, pra Seti, vazhdonte hetuesi tjetër, Nexhat Selimi, një kriminel tjetër ky, që na torturonte më shumë, si duket edhe për servilizëm ndaj shefit të tij. E gjitha ajo bëhej në shenjë hakmarrje ndaj veprimit që kishim bërë ne, pasi pyetjet që na bënin, se kush ishte pjestar tjetër i grupit tonë, kush na nxiste, cilët ishin shokët që ne kishim biseduar për arratisjen etj., ne i hodhëm poshtë që ditën e parë, dhe u thamë se për atë gjë, nuk kishte njeri dijeni fare, ashtu siç ishte dhe e vërteta. Por ata nuk donin t’ia dinin dhe bënë “ritualin” e tyre ndaj nesh deri më datën 14 korrik dhe të nesërmen, më datë 15 korrik 1988, na dërguan në qytetin e Laçit, ku u zhvillua gjyqi ndaj nesh në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës, e mbushur plot e përplot nga njerëzit që i kishin marrë me detyrim nga qëndrat e punës. Gjyqi ishte me dyer të hapura dhe bëhej me qëllim që të na demaskonin ne për të friksuar popullin. Kujtoj se ishte një Kolegj Ushtarak, (pasi unë isha ushtar) dhe trupin gjykues e kryesonte një person me emrin Agim (nga Tirana), ndërsa prokuror, ishte Elmaz Lala. Si unë ashtu dhe Skënderi, mbajtëm të njëjtin qëndrim ashtu si në Hetuesi, dukë thënë se qëllimi i vetëm i joni, ishte të emigronim jashtë Shqipërisë për në SHBA, dhe nuk pranonim se ishim “tradhëtar dhe armiq të popullit”, siç na akuzonin. Ndryshe nga Kryetar i Gjyqit që dukej më i qetë dhe jo prepotent, prokurori na bërtiste dhe na ofendonte, aq sa e detyroi Skënderin që të ngrihej në këmbë pa ja dhënë fjalën kryetari i gjyqit dhe t’i drejtohej prokurorit, duke i thënë: “Mos uluri ashtu dhe mos na bërtit, se nuk ta ka njeri frikën. Ne nuk jemi as tradhëtar dhe as armiq të popullit siç po na akuzoni ju, por thjesht deshëm të emigronim për në SHBA, për një jetë më të mirë. A mund të më thuash shoku prokuror, ça të keqe i ka ardhur Shqipërisë nga emigracioni që ka pasur në kohën e Zogut, asnjë e keqe. Shumë prej tyre kanë punuar jashtë dhe janë kthyer përsëri në Shqipëri”. Ndërkohë që Skënderi iu hakërrye prokurorit, sidomos kur i tha “mos leh si qen”, ai filloj të flas dhe të bërtas edhe më shumë, por kryetari i gjyqit, i tha me një ton sikur po i fliste një të pandehuri, “ulu ti mor aty dhe mos fol pa të dhënë unë fjalën”. Kjo shkaktoi si të thuash një admirim tek të pranishmit në sallë, ku pjesa më e madhe e bashkëqytetarëve tanë, me ndonjë përjashtim të vogël, na shikonin me keqardhje. Kështu u mbyll ai gjyq po atë ditë të 15 korrikut, përfundimi Skënderin e dënuan me 20 vite heqje lirie, ndërsa mua me 17 vite, me akuzën e “tradhëtisë së lartë ndaj atdheut”, dënim i cili u ndikua edhe nga qëndrimi që mbajtëm ne në gjyq, sidomos Skënderi”, kujton Shpëtimi lidhur me dënimin e tij dhe të vëllait, Skënderit. Dhe vërtetë, të gjithë bashkëqytetarët laçjanë që asistuan në atë sallë atë ditë, e mbajnë mënd fare mirë qëndrim burrëror gjatë gjyqit të vëllezërve Marku, ku ndonëse ata i kishin sjellë aty për t’i “demaskuar”, ata fituan admirimin e pjesës më të madhe të bashkëqytetarëve të tyre. Nisur dhe nga ai qëndrim që ata mbajtën në gjyq, dënimi i tyre ishte maksimal dhe pas atij vendimi të formës së prerë, ata u dërguan për të vuajtur dënimet në burgjet e Qafë-Barit, Spaçit e Burrelit dhe u liruan prej tyre vetëm në fillimin e marsit të vitit 1991, me të fundit të dënuarit që u liruan nga burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Me shëmbien e regjimit komunist dhe fillimin e proçesve demokratike, Skënder Marku, vazhdoi studimet dhe shërbeu si ushtarak në Drejtorinë e Kampve dhe Burgjeve, fillimisht në Shën-Koll të Lezhës dhe më pas si Komandant i Repartit 313 në Tiranë, ku ai qëndroi deri në trazirat e vitit të mbrapshtë 1997 dhe shërbimi i fundit që bëri si drejtues i atij institucioni, ishte përcjellja për në shtëpi e ish kryeministrit Fatos Nano. I cili shumë vite më vonë, në emisionin OPINION në Tv Klan, në mes të tjerash do të shprehej: “Ndërsa u larguan të gjithë nga burgu ashtu në mes krismave të armëve, mbeta vetëm unë….! Por atë gjë, e mori përsipër vetë komandanti i burgut, një djalë i ri i shkëlqyer nga Laçi, një djalë shumë trim dhe tepër inteligjent, Skënder Marku quhej, i cili me makinën e tij, në mes breshërive të plumbave që na vërshëllenin mbi kokë, më çoi deri te hyrja e pallatit. E ftova në shtëpi, por nuk pranoi, duke më thënë se aty përfundonte detyra e tij. Nuk do t’ja harroj kurrë”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016