Nga Arben Pustina
Pjesa e tetë
-Rrok Gera, një burrë shteti ashtu si duhet –
KTHIMI NË SHQIPËRI DHE AKTIVIZIMI NË ADMINISTRATËN SHTETËRORE
Memorie.al / Edhe në raportin justifikues të projekt-ligjit për krijimin e nëpunësisë “Kimist kontrollues alkooli e pijesh alkoolike”, Rrok Gera theksonte se:…“Krijimi i kësaj nëpunësie asht pă i domosdoshëm, për të pasë nën kontroll ma të rreptë fabrikat e alkoolit mbasi kemi vrenjtë se t’ardhunat e alkoolit janë paksue tepër”. Mbas miratimit të projekt-dekret-ligjës përkatëse, në një shkresë të datës 28.08.1936, ministri Gera i propozonte Kryesisë së Këshillit Ministror që, për pozicionin e kimistit kontrollues të emërohej z. Tush Kakarriqi dhe, nëse Këshilli e gjente me vend këtë propozim, atëherë t’ia përcillte atë Mbretit për t’a dekretuar. Sikurse shihet, për marrjen në punë të këtij kimisti specialist, u hartua një projekt-ligj, u përcoll në parlament një raport justifikues, u debatua në seancë parlamentare dhe Mbreti nënshkroi dekretin përkatës.
Më 14 tetor 1936, në Tiranë u nënshkrua marrëveshja ndërmjet qeverisë shqiptare dhe ‘Banco di Napoli’ për financimin e punimeve për modernizimin e Portit të Durrësit. Marrëveshja e nënshkruar nga ministri i Financave, Rrok Gera, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Banco di Napoli, Giuseppe Frignani, konsistonte në dhënien e dy huave: njëra prej 1.735.000 fr. ari e tjetra prej 2.000.000 fr. ari. Sipas komenteve të shtypit të kohës, marrëveshja ishte shumë e favorshme për Shqipërinë: vetëm me 1 % interes dhe huat ishin të amortizueshme: e para me 25 këste gjashtëmujore dhe e dyta me 8 këste vjetore. Shuma e huave do të mundësonte realizimin e plotë të projektit të inxhinier Luiggi-t, pjesë të të cilit ishin realizuar që më parë, me synimin për ta bërë Portin e Durrësit një port modern, në gjendje për të plotësuar nevojat e kohës.
Në një tjetër iniciativë të tij, Rrok Gera hartoi projekt[1]dekret-ligjin “Mbi formimin e Institutit për Administrimin e Çifligjeve Shtetnore”. Në letrën e datës 10 shtator 1936, drejtuar Kryeministrit Mehdi Frashëri, ministri Gera i kërkonte kryeministrit ta shqyrtonte projektin dhe të jepte mendimin e tij, para se ky dokument të shkonte për shqyrtim në Kryesinë e Këshillit Ministror. Fryma liberale e kabinetit Frashëri në përgjithësi, mosha e re e ministrave, kultura e tyre perëndimore, raporti miqësor i qeveritarëve me shtypin e gjallëruar të viteve ’30-të, duket sikur u dha një shtysë disa gazetave të kohës që, me artikujt e tyre sensacionalë, të shigjetonin herë-herë edhe vetë ministrat. Një ndër këto raste ishte edhe ai kur ministri, Rrok Gera, u padit në gjykatë, i akuzuar për mospagimin e qirasë nga ana e Ministrisë që ai drejtonte, për disa ndërtesa të Doganës së Durrësit.
Padia në vetvete dhe deklaratat e avokatit të palës paditëse, u përcollën me shumë bujë për publikun, nga një gazetar shumë i njohur i kohës, i cili, në fakt, shkrimet e tij për këtë rast i kishte krejt të njëanshme, pasi nuk shkroi asnjëherë për argumentet e palës së paditur dhe e bënte pothuaj të kryer, që ministri i Financave ishte fajtor…! Përballë artikujve bombastikë e me përmbajtje të njëanshme, përballë deklaratave për shtyp të avokatit që nuk po mund ta fshihte kënaqësinë e tij se kishte hedhur në gjyq një ministër, përballë gjithë zhurmës së krijuar për këtë rast në opinionin e ekzaltuar nga ethet e një liberalizmi të panjohur më parë, Rrok Gera gjeti mënyrën për të dhënë versionin e tij, duke botuar një broshurë, ku sqaronte gjithçka lidhur me çështjen. Ndërsa shprehte pakënaqësinë për njëanshmërinë e artikujve të shtypit, Rrok Gera, sqaronte në broshurën e tij, se kontratat e qirave për ndërtesat e Doganës në Durrës ishin ndërprerë nga ministri i mëparshëm i Financave dhe se vetë ai nuk kishte bërë gjë tjetër, veçse kishte depozituar shumat e destinuara për qiratë në fjalë, derisa të zgjidhej mosmarrëveshja ndërmjet pronarit të tokës, ku ishin ndërtuar depot e Doganës dhe Bashkisë së Durrësit, e cila pretendonte për përfitimin e qirave, sepse kishte ndërtuar depot.
Kundrejt presionit për lëshimin e shumave të qirave pronarit të tokës, Gera theksonte se nuk kishte asnjë vendim gjyqësor të formës së prerë për këtë çështje dhe se ai nuk po kryente asnjë veprim arbitrar, siç akuzohej. Përkundrazi, ai do të shpërdoronte detyrën, nëse do të jepte urdhër që të paguheshin shumat e qirave. Debati rreth çështjes vijoi edhe më tej, por nga një letër me nr. protokolli 369/I, datë 02.06.1937 (kohë kur Gera nuk ishte më ministër), shkruar nga përfaqësuesi ligjor i Ministrisë së Financave, për drejtuesit e kësaj Ministrie dhe që kishte në qendër të saj pikërisht problemin e qerasë së Doganës në Durrës, mësojmë, ndër të tjera, se Gjyqi i Paqit në Tiranë kishte marrë ndërkohë vendimin për të refuzuar padinë e ngritur kundër ish-ministrit të Financave, Rrok Gera. Për të folur për aspekte të tjera të jetës së asaj periudhe, vërejmë se në kuadrin e përpjekjeve për emancipim e zhvillim kulturor të vendit, në vitet ’30-të, në Tiranë, por dhe në qytete të tjera, organizoheshin aktivitete të një niveli të lartë artistik.
Kështu, sa për të cituar ndonjë nga këto raste, për mbrëmjen e dhjetorit 1935, shtypi i kohës shkruante se në Kinoteatrin “Imperiale”, Tefta Tashko Koço dha një koncert e shoqëruar në piano nga e mirënjohura Lola Aleksi, që vinte nga Konservatori Kombëtar i Parisit. Para sallës së mbushur plot, ku ishin të pranishëm kryeministri dhe gjithë ministrat bashkë me bashkëshortet e tyre, përfaqësuesit e trupit diplomatik dhe tërë elita e kryeqytetit, Tefta Tashko Koço interpretoi ariet nga operat “Traviata”, “Semiramis”, “Berberi Seviljes”, “Madam Baterflaj” dhe “Jonis”, ndërsa jashtë programit ajo këndoi “Bohemën”, “Serenadën” e Shubertit, operetat “La Chlocken”, “De Cornevilles” dhe “Le Coeurella main”, të cilat u përsëritën shumë herë me kërkesën e publikut. “Në fund të koncertit, për Teftën u dhanë dy buqeta me lule; njëra nga publiku dhe tjetra nga ministri Rrok Gera”, shkruante një gazetë e asaj kohe.
Ndërsa “Gazeta e Korçës” përshkruante në numrin e saj të datës 3 dhjetor 1935 organizimin e një suareje, për nder të 28 Nëntorit, nga ana e shoqatës së intelektualëve të qytetit të Elbasanit. Sipas gazetës, vallëzimin, në të cilin merrnin pjesë edhe personalitete të huaja, …“e hapi ministri i Financave, Gera, me bashkëshorten Xhuli”. Më 21 tetor 1936, kur kishte kaluar një vit nga krijimi i kabinetit Frashëri, nuk kishte shenja të dukshme për rënien e qeverisë. Në këtë përvjetor, Nebil Çika shkruante me shumë simpati për kabinetin qeveritar në gazetën “Arbënia” të datës 21 tetor 1936: …“Datën 21 tetor 1935 e kemi pranuar si një pikënisje të një jete shtetërore e politike të re dhe të lumtur. Dhe sot që mbushet një vit pas asaj, nuk kemi përse të pendohemi për karakterizimin që i kemi dhënë. Edhe sot me gjithë zemër mund të përsërisim, se data 21 tetor 1935, është dhe do të mbetet historike”.
Me gjithë devocionin dhe përkushtimin e treguar nga kabineti Frashëri gjatë aktivitetit të tij, kontradiktat e ministrave të rinj me elementët konservatorë, pjesëtarë të qeverive të mëparshme, nuk kishin pushuar asnjëherë dhe kjo gjë ishte më e dukshme në Parlament, në radhët e të cilit bënin pjesë shumë ish-ministra. Këta të fundit kishin përcaktuar një lloj strategjie për rrëzimin e qeverisë, sepse e kishin të pamundur të pranonin “injorimin” e tyre të përgjithshëm, ose si të thuash, daljen e tyre në “pension”. Duke shfrytëzuar njohjet e tyre në lidhje me mekanizmat e shtetit shqiptar, grupi i kundërshtarëve të qeverisë u bë shumë kritik ndaj saj dhe organi i tyre “Besa”, u bë një instrument kryesor në këtë lloj “lufte”. Kështu, nga mesi i muajit korrik u shënua një rritje e ndjeshme e nivelit të kritikave ndaj kabinetit qeveritar, sidomos ndaj Kryeministrit, ministrit të Arsimit, atij të Punëve Botore, etj.
Shenjat e kësaj “lufte” ishin dhënë që në shkurt të 1936-ës, kur Parlamenti rrëzoi një projekt të qeverisë në lidhje me lehtësimin e borxheve të popullit. Projekti mori vetëm 13 vota “pro”, duke treguar ekzistencën e një krize vërtet të madhe mes qeverisë dhe Parlamentit. Kontradiktat qeveri-parlament kulmuan në nëntor 1936, kur qeveria u vu në votëbesim dhe u rrëzua nga Parlamenti. Përveç kontradiktave me Parlamentin, në atë kohë përflitej se një ndër shkaqet e rënies së qeverisë ishte dhe se Mbreti Zog, donte të zëvendësonte kryeministrin Mehdi Frashëri, që konsiderohej si anglofil, me një person disi më të pëlqyer nga italianët. Por si ndodhi rrëzimi i qeverisë aq të mirëpritur nga opinioni shqiptar i asaj kohe? Më 6 nëntor, qeveria paraqiti në Parlament disa project-ligje të rëndësishme. Pas disa debateve, Parlamenti miratoi, ndër të tjera, projekt-ligjin përfundimtar mbi Bankën Bujqësore të Shtetit dhe marrëveshjet e lidhura ndërmjet Qeverisë Mbretërore dhe Bankës së Napolit.
Duke u ndalur te projekt-ligji për ngritjen e Bankës Bujqësore të Shtetit Shqiptar, mund të themi se bëhej fjalë për një projekt për të cilin Gera kishte punuar shumë. Kujtojmë këtu jo vetëm shkrimet e tij në gazeta (ku theksonte rëndësinë e madhe të ngritjes së një instituti të kreditit agrar), por veçanërisht kujtojmë faktin që Rrok Gera kishte punuar për këtë projekt, sidomos në kohën kur ishte ministër financash. Në një letër të Drejtorisë Qendrore të Bankës Kombëtare, datë 19.10.1936, drejtuar Komitetit Administrativ në Romë, ku flitej mbi punën për krijimin e Bankës Bujqësore në Shqipëri, theksohej se në takimet e zhvilluara me ministrin Gera, ishte diskutuar në detaje për organizimin dhe funksionimin e “debitorialeve” dhe këto diskutime jepnin shpresën se gjërat do të ecnin më shpejt lidhur me projektin.132 Projekt-ligji përfundimtar për Bankën Bujqësore, me 84 nenet e tij, që u paraqit në Parlament nga qeveria Frashëri, u miratua në mbledhjen e 6 nëntorit 1936 dhe u dekretua më 26 nëntor.
Banka Bujqësore e Shtetit Shqiptar kishte si qëllim dhënien e kredive për sektorin e bujqësisë me kushte veçanërisht të favorshme, si me afate të shkurtra (që kishin të bënin me kultivimin, përdorimin dhe trajtimin e prodhimeve bujqësore, apo pagimin e detyrimeve, qirave, sigurimeve etj.), ashtu dhe dhënien e kredive afatmesme, apo afatgjata (që kishin të bënin me blerjen e bagëtive, makinerive dhe mjeteve bujqësore, krijimin e plantacioneve, sistemimin e terreneve, ndërtimin e puseve, aplikimin e elektricitetit në bujqësi etj.) duke çuar në çeljen e kësaj Banke (pas disa muajve si fazë organizimi), më 1 gusht 1937. Kaq i madh ishte angazhimi i Gerës në këtë projekt, sa Owen Pearson, në librin e tij me titull: “Albania in the Twentieth Century, A History”, e përmend atë si drejtorin e parë të këtij institucioni bankar. Në fakt, drejtor ishte italiani Francesco Frigione.
Ky gabim i Pearson duket se ka ardhur pasi ai ka ndeshur shpesh në dokumente ku flitet për binomin Gera-Bankë Bujqësore, si dhe nga ndonjë ide e hedhur në vitin 1937, që drejtor i Bankës Bujqësore të Shtetit, të ishte pikërisht Rrok Gera. Gjithsesi, Frigione, një ekspert bankar shumë i njohur, do të bashkëpunonte më vonë me Gerën, në kohën kur ky i fundit kishte marrë postin e titullarit në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare, në qershor 1938. Sipas Frigiones, në një letër të datës 18 korrik 1938, Gera i kishte kërkuar atij të vinte në Shqipëri, pasi ishte e nevojshme të mblidhej Këshilli Administrativ i Bankës Bujqësore, për shkak të problemeve që kishin të bënin me organizimin dhe funksionimin e Bankës dhe sidomos me gjetjen e mekanizmave në mënyrë që Banka ta shtrinte aktivitetin e saj deri në zonat rurale më periferike të vendit. Pak ditë pas kthimit nga Shqipëria në Itali, Frigione i shkruante Rrok Gerës se, vlerësonte shumë mbështetjen dhe besimin që kishte marrë në Tiranë prej tij lidhur me rrugët e zgjidhjes së problemeve të verifikuara.
Po ashtu, drejtori i Bankës Bujqësore të Shtetit Shqiptar shprehej se e gjente të vlefshëm programin që ministri shqiptar kishte hartuar lidhur me Bankën. “…Në funksion të punës time të deritanishme dhe asaj që do bëj në të ardhmen, kam konstatuar me kënaqësi se idetë e mija për vijimin e aktivitetit të Bankës janë plotësisht në përputhje me programin që Shkëlqesia Juaj keni hartuar për këtë qëllim…”, nënvizonte Frigione në letrën e tij. Po në këtë letër, drejtori i Bankës Bujqësore premtonte se shumë shpejt ai do t’u paraqiste “Ligjë mbi Bankën Bujqësore të Shqipnis”, autoriteteve shqiptare, draftin e një projekt-ligji për ngritjen e kooperativave bujqësore në Shqipëri.136 Por në nëntorin e vitit 1938, në një letër tjetër, këtë radhë shkruar nga ministri Gera për Frigionen, konstatohej se Banka vijonte të kishte probleme me shtrirjen e aktivitetit të saj në zonat rurale më periferike, ndaj i sugjerohej Frigiones një tjetër vizitë në Tiranë.
Duke u kthyer në momentin kur pritej rënia e kabinetit Frashri, në seancën parlamentare të 6 nëntorit 1936, qeveria paraqiti projekt-ligjin për rrugët, i cili parashikonte ulje të ndjeshme taksash, por që Parlamenti e hodhi poshtë. Në këtë situatë, pas një debati të zjarrtë mes deputetëve dhe ministrave, qeveria zhvilloi një mbledhje në njërën nga sallat e Parlamentit, pas përfundimit të së cilës Kryeministri Frashri deklaroi se “…një refuzim të projektligjit, qeveria e konsideron çështje besimi e konstitucioni dhe ju lutem z. kryetar, ta veni në votë nominale“. Për këtë zhvillim dhe qëndrimin burrëror të ministrave, gazeta “Vatra” shkruante me simpati në faqet e saj:“…Dy herë “Bravo”. Dy “Bravo” i takojnë Kabinetit Frashri: E para i përket se preferoj të largohet nga fuqia, se sa të linte me u rrëzue një dekret-ligjë i cili, mbron interesat e popullit, dhe bravoja e dytë ka lidhje me qëndrimin burrnor që mbajti kundrejt deputetëve, të cilët për arsye më shumë personale, përpiqeshin që të diskreditonin me rrëzimin e ligjeve”.
Po kjo gazetë shkruante më tej:“…Kabineti Frashëri edhe në u rrëzoftë, rrëzohet t’ue mbajtun nalt flamurin e dinjitetit. Edhe në u rrëzoftë, moralisht del triumfonjës. Nga 15 franga ari që paguan sot populli për taksë rruge, qeveria e z. Mehdi Frashëri e zbriti vetëm në 6. Deputetët në vend që ta pranonin dekret ligjin me komplimenta për kujdesimin atnor që dëftoj kundrejt popullit që ata përfaqsojnë, dalin dhe harxhojnë të gjithë volumin për të bindur kolegët e tjerë, se ay dekret ligjë duhet refuzuar dhe populli të vazhdoj me pague 15 franga. Është thënë dhe është kujtuar se Ministrat janë axhamij në manovra parlamentare, por seanca e djeshme e Dhomës, provoj të kundërtën…”.
Lidhur me rrëzimin e kabinetit të drejtuar prej tij, vetë Mehdi Frashëri shkruante me mjaft mllef në kujtimet e veta:“…Për fat të keq, klika e hajdutëve edhe e të pashkollëve, që duke përfituar nga vobekësia e popullit, kishte marrë frenat e qeverisë në dorë, bëri ç’qe e mundur për të më rrëzuar nga fuqia, që të kishte fushë të lirë në vazhdimin e kusarisë së tyre…”.137 Në përputhje me përfundimet e Mehdi Frashërit, është dhe fryma e një dokumenti të Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe (Foreign Office) për politikanët shqiptarë të viteve ’30-’40, nga ku kemi shkëputur pjesën ku flitet për Rrok Gerën: “…Rrok Gera lindi në Shkodër në vitin 1901 dhe kreu shkollën në Kolegjin e Jezuitëve aty. Studimet e larta i kreu në Vjenë, kur u diplomua në Drejtësi dhe Ekonomi. Fliste gjermanisht, italisht dhe frëngjisht.138 Në vitin 1930 ai u caktua Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Financave. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016