NIKOLLË LOKA
Av. ALFDRED DUKA
NIKOLIN KURTI
Pjesa e dyzetë
– VRASJA E PARALAJMËRUAR E NJË KLERIKU RILINDËS –
Memorie.al / Përpara se të fillojmë të analizojmë përciptazi dosjen hetimore e gjyqësore në ngarkim të pandehurit Shtjefën Kurti e të tjerë, për lexuesin do të bëjmë një parantezë të të drejtës dhe historisë se saj në shoqërinë njerëzore, me qëllimin e përqendruar për të ardhur tek e drejta jonë penale e procedurale, që në fillimet e saj dhe përgjatë viteve të diktaturës.
–DËSHMITARËT E MARTIRIZIMIT –
Dëshmi e Zef Nishit rreth jetës së Dom Shtjefën Kurtit
Gurëz, me 18 mars 2003
Unë kam lindur më 15 nëntor 1937 në Gurëz dhe kam punue bujk. Rrjedh nga një familje katolike që ka pas të pushkatue. Jam gjykue dhe dënue me 12 vjet burg në kishën e Gurëzit me 21 korrik 1971. Shkaku i arrestimit tim, ka qenë se unë kam pagëzuar djalin me Dom Shtjefnin, por ky veprim ishte për komunistët një krim i madh. Na kanë torturuar shumë.
Kryetari i Gjyqit kur e pyeti Dom Shtjefnin: Çka thue për Krishtin? Dom Shtjefni i’u përgjigj: “Unë Krishtit i kam dedikue jetën dhe s’ke pse më pyet”. Po për marksizmin? “Unë e njoh më mirë se ti, e di se si luftohet dhe nuk e pranoj”.
Kryetari kishte vazhdue me akuzat:
Jeni kthyer kundër atdheut dhe kombit. «Unë e kam mbrojt atdheun dhe kombin pranë Lidhjes së Kombeve». Ne u mërzitëm që u dënuam me burg të rëndë pa faj, por Dom Shtjefni na tha: «Na jemi bijët e Krishtit dhe ua falim fajin si Krishti që thoshte fali Zot se s’dijnë çfarë bëjnë”! Për ne Dom Shtjefën Kurti ka qenë si Shën Pali apostull. Dom Shtjefnin e kanë pushkatuar dhe nuk i’a dimë as varrin. E kam dëgjuar, kur e kanë marrë nga biruca rreth orës 1 mbas mesnate dhe kanë dal.
Dëshmi e Luigj Dedës, rreth jetës së Dom Shtjefën Kurtit
Kam lindur më 5 gusht 1946 në Fushë Kuqe nga një familje katolike. Kam punuar arsimtar. Unë personalisht Dom Shtjefën Kurtin e kam njohur prej vitit 1966-1968, mbasi ai ka jetuar në shtëpinë time dhe kam qëndrua shpesh me të. Familjet tona e ndihmojshin për të jetuar, me qumësht, vezë etj. Kishte nevojë për një radio që t’i dëgjonte lajmet. Unë s’kisha as për vete. I rregulluam një radio të vogël me artizanat. Kishte pak libra dhe e kërkonte rregullisht gazetën. Më ka dhuruar një libër mbi enciklopedinë e botës shtazore e bimore.
Dom Shtjefni punonte çdo ditë në mazinë, si punëtor magazine. E dënuan me vdekje pa të drejtë. Dom Shtjefni kujtohet si njeri i matun e komunikues e shumë i qetë. Ai asht martir e shenjtë. Këtë mendim e ka krejt populli.
Dëshmi e Pal Lufit, rreth jetës së Dom Shtjefën Kurtit
Gurëz, 18 mars 2003
Unë kam lind më 25 dhjetor 1927, nga një familje katolike në Gurëz dhe jam me profesion bujk. Kemi qenë dhe jemi besnikë të fesë. Unë kam qenë në burg 7 vjet. Kam punuar bujk. Dom Shtjefën Kurtin e kam njohur shumë mirë. Ka qenë një burrë i gjatë dhe i pashëm, shumë fetar dhe i vendosur për të ruajt fenë e Krishtit dhe për të dhanë jetën për fe. Këtu te na ka qenë famullitar. Atëherë, na të rinjtë mblidheshim në kishë. Mësojshim katekizëm dhe uratë. Ai e ndërtoi kishën tonë me popullin e Gurëzit. Në vitin 1937, ajo kishë u bekua dhe i’u dha emri “Zoja e Këshillit të Mirë”, festën e të cilës e festojmë me 26 prill.
Hiku prej nesh dhe shkoi në Tiranë. Atje u burgos në Tiranë dhe shumë vite i bani burg, 17 vjet në Burrel, burgu ma famëkeq. U lirue nga burgu dhe e prunë këtu në fshatin tonë. U burgos vetëm për fe, pse ka qenë prift. Këtu në Gurzë ka punuar shumë si punëtor fushe. Unë kam pas shoqëri me të. Më ka pas ardh për vizitë edhe në shpi. Këtu në Gurëz e arrestuan prap dhe u gjyku aty te kisha. Kryetarit të Gjyqit i ka thanë: “Për Krishtin due të vdes”. Unë mendoj sa ai vdiq për Krishtin e për fe.
Dëshmi e Gjergj Gjonit, rreth jetës së Dom Shtjefën Kurtit
Unë kam lindur në Gurëz me 1 janar 1934, në një familje katolike në Gurëz-Fushë Kuqe. Jam bujk dhe poet popullor. Kam qenë i persekutuem si familje. Axha Ndue, ka bë 25 vjet burg dhe unë 3 vjet “për agjitacion e propagandë”. Kam punuar bujk dhe jam poet popullor.
Dom Shtjefën Kurti, pas lirimit nga burgu erdh në fshatin tonë. Ai punonte tokën, por ilegalisht çonte meshë, pagëzonte, vajtonte, pra jepte sakramentet. Ai ka qenë shumë trim dhe i urtë, me besim në Zotin. Dom Shtjefën Kurti u torturua shumë dhe kur po e gjykonin, e kanë sjellë deri në kishë të lidhur. Na kërkojmë dhe lutemi për vlerësimin e tij si një martir i shenjtë.
Dëshmi e Kolë Marashit rreth jetës së Dom Shtjefën Kurtit
Kam lindur më 7 shkurt 1925 në Gurëz, nga një familje katolike e lidhur me fenë, me profesion bujk. Jam akuzuar për Dom Shtjefën Kurtin. Më kanë thirr në hetuesi e më kanë pyet: Çfarë lidhje ke me Dom Shtjefnin? Pse beson në Zotin. Pesë orë më kanë mbajt në pyetje. Më kanë torturue dhe më kanë mundue shumë. Më kërkojshin radion që ka pasë Dom Shtjefën Kurti. Dom Shtjefni ka thanë para trupit gjykues: “Mue nuk më dhimbet jeta, se ja kam kushtue Krishtit”. Unë mendoj se ai ka qenë meshtari i zoti dhe trim i madh.
Dëshmi e Nikollë Metës, rreth jetës së Dom Shtjefën Kurtit
Gurëz, 17 mars 2003
Unë kam lind me 9 shtator 1922 në Gurëz, në një familje katolike, besnik ndaj fesë katolike dhe ndaj Krishtit. Kam punuar bujk. Dom Shtjefën Kurtin e kam njohur mirë se ishte famullitar këtu. Ishte prift me shëndet të dobët i dhanun pas fesë. Unë i kam ndihmuar në meshë dhe shumë mirë më kujtohet pamja e tij. Ai predikonte shumë mirë dhe ishte prift shumë i mirë, i dhanun pas profesionit të tij. Ishte një predikues i mirë i fesë së krishterë. U vra se ishte prift, vetëm për shkak të fesë.
Dëshmi e Luigj Nokajt, rreth jetës së Dom Shtjefën Kurtit
Kam lind me 25 korrik 1939, në Gurëz, në një një familje të madhe katolike, ku 12 anëtarë të familjes janë pushkatuar dhe 15 janë burgosur. Kam punuar bujk. Dom Shtjefën Kurtin e kam njohur mirë. Në vitin 1970 jam liruar nga burgu pas 22 vjetëve. Dom Shtjefni jetonte në shtëpinë e Shkurt Marka Bibës, më i varfëri i fshatit. Më çoj fjalë që të takoheshim. E kam takue natën. Ai më porositi që të mos takohemi publikisht gjatë kohës, se ishte rrezik për burg. Kam marrë pjesë në gjyqin e tij.
Përshtypje e mia për Dom Shtjefën Kurtin: Ishte një klerik i përkushtuar, i vendosur të mos përkulet në gjunjë para komunistave. U dënue dy herë, ku herën e dytë, në vitin 1971, u dënue me vdekje. Ai ishte i bindur se vdekja ishte nder i madh, dhanë prej Zotit. Mendoj se e meriton titullin më të lartë të Kishës-Martir i shenjtë.
Dëshmi e Aleksandër Giraldit, rreth jetës së Dom Shtjefën Kurtit
Tiranë, 31 mars 2003
Kam lind me 23 mars 1932 në Durrës dhe banoj në rrugën “Islam Alla”, Pall. 4. Tiranë. Dom Shtjefën Kurtin e kam njohur këtu në Tiranë, se kur unë isha fëmijë, jemi shpërngul prej Durrësit e jemi vendos në Tiranë. Si katolikë, ai ka qenë i njohun me familjen time.
Dom Shtjefni ishte prift dhe predikues shumë i mirë dhe inteligjent, si dhe patriot. Ishte shumë i zellshëm. Krijoi Këshillin e Kishës dhe grupe të ndryshme për art, kulturë dhe sport. Ka pas kinema me filma edukativë. Nëpërmes veprimtarive ai, na e shtoi dhe dëshirën për fenë. Gjithnjë fliste për fenë dhe edukimin.
Pse u burgos? Kërkuan komunistët bashkëpunim që Kisha Katolike Shqiptare të largohet prej Vatikanit e Papës. Nuk pranoi dhe u burgos. Kam qenë në gjyqin e tij. “Katolik e prift kam qenë e kështu dua të vdes”, – kishte deklarue në gjyq. U burgos herën e parë pse ishte prift, si agjent i të huajve. U burgos për së dyti se, kishte pagëzuar një fëmijë dhe e pushkatuan në vitin 1971. Unë mendoj se është martirë i fesë.
Dëshmi e Regjina Radojës, rreth jetës së Dom Shtjefën Kurtit
Tiranë, me 31 mars 2003
Unë vij nga një familje katolike dhe me Dom Shtjefnin jemi të afërm. Kam lind në Pejë dhe jetoj në rrugën “Besa Imami” Nr. 111 në Tiranë, ku punoj arsimtare. Për mua, Dom Shtjefni ishte një prift i përkryer dhe organizator i madh e me shumë merita.
Ai ka qenë famullitar në Pejë dhe ka pagëzuar motrën time Marien. Unë Dom Shtjefnin e njoh si njeri të dashur dhe bamirës për të varfrit. Festat i organizonte shumë mirë; mbante lidhje me të gjithë, pra ishte një prift me shpirt të Zotit.
Ai u burgos pse ishte prift, pse i besonte Zotit. Pas arrestimit të dytë, ai u vra pse ishte prift, pse kishte krye një pagëzim.
Pagëzimi që i dha Dom Shtjefni motrës sime, duke i dhurue emrin e Zojes Mari, qe një mrekulli e madhe, sepse pagëzimi dhe emri Mari e kthyen në jetë, sepse një fëmijë 7 muajsh, siç ishte ajo në atë kohë, nuk mund të jetonte. Don Shtjefni ishte njeri i të gjitha cilësive njerëzore, i besës, i fjalës, i nderit etj. Ai kur ta jepte fjalën ishte punë e kryeme.
Pamja e tij tregonte pastërti shpirtërore, sinqeritet. Ishte një intelektual i denjë me një kulturë enciklopedike, gjithnjë i qetë, i komunikueshëm me të gjitha moshat dhe shtresat shoqërore, nuk dinte të bënte dallime shtresash; si i pasur ashtu dhe i varfër, për të ishin të gjithë njëlloj si krijesa të Zotit. Dom Shtjefni i ndihmonte shumë të varfrit, veçanërisht emigrantët që s’kishin asnjë përkrahje. Ishte një orator i përkryer, predikimet e tij ishin bindëse.
Kur, vinte muaj maj, muaj i Zojes Mari, çdo natë mbushej oborri i kishës vetëm për të ndigjue predikimet e tij, pasi ai tregonin çdo natë nga një mrekulli të vërtetë. Ishte një martirë i vërtetë, pasi u masakrue nga bishat komuniste. Vendosmëria e tij për të mbet besnik i misionit të shenjtë, që ai e kishte marrë përsipër, i tërboi të pafetë, të cilët përdorën të gjitha provokimet për t’a mposht dhe duke mos i’a dal, e masakruan në mënyrë shtazore. Trupi i tij u zhduk dhe familja nuk mori asnjëherë dijeni për fatin e tij.
Dom Shtjefni ishte njeri i kohës, që e respektonin të gjithë, njeri me personalitet të shquar. Ai është martir i vërtetë i fesë dhe meriton të shenjtërohet, pasi nuk vdiq në shtrat rrethue nga familjarët, por i moshuem në mënyrë shtazore nga kriminelet e pa fe.
Dom Shtjefni ishte organizator i shquar i veprimtarive me grupmosha të ndryshme. Me aktivitetet që bënte, ai synonte në afrimin e familjeve katolike që nuk njihnin kishën, për të rritur radhët e bashkësisë katolike. Të rinjtë merreshin me aktivitetet kulturore, lojëra sportive, veprimtari teatrale me raste festash, që ndiqeshin nga mbarë besimtarët. Po kështu shfaqte filma edukativë, ndërsa me vajzat zhvillonte veprimtari të veçanta dhe të larmishme përmes murgeshave stigmatine, që bënin punë shumë të mirë edukative. Pra me anë të këtyre organizimeve përgatitej atë periudhë brezi i ri, shumë i edukuem, një brez i vlefshëm për familjen, fenë, shoqërinë dhe për gjithë njerëzimin.
Dëshmi e Silva Qestini-Kurti, rreth jetës së Dom Shtjefën Kurtit
Tiranë, me 31 mars 2003
Kam lindur me 9 maj 1949 në Tiranë në familjen e Dom Shtjefën Kurtit dhe kam punuar fizikante. Kur kam lindur unë, Dom Shtjefni ka qenë në burg, por emrin ai ma ka vënë, të shkruar në letër, Silva. Ai ka qenë shumë i dashur me familjet tona. Në verën 1962, pasi doli nga burgu, jam takuar me të. Pasi i mbaroi leja e qëndrimit në Tiranë, më mori me vete në Gurëz, ku ishte caktuar vendqëndrimi i tij. Kaluam një verë të mrekullueshme. Rrinte te vëllau, axha Kel.
Axha ishte shumë i dashur dhe kujdesshëm; luante rolin e mësuesit. Filloi të më mësonte latinisht. Ai m’i dha themelet e fesë. Atëherë isha 13 vjeçe dhe në bisedat më të më ka thënë: “Feja na u largua nga komunistët, por do të vijë dita e lirisë së fesë, do të lejohet përsëri besimi». Mua m’u duk utopi. Kur erdhi Ati i Shejtë, Papa në Shqipëri, në vitin 1993, sheshi ishte mbushur aq shumë si kurrë ndonjëherë më parë.
Axha më ka lënë një porosi se ishte një djalë mysliman në burg me të, që ishte konvertuar në katolik dhe ishte pagëzuar në burg. Më porositi: Kur ai të dalë nga burgu, do të trokasë në derën tonë dhe do ta trajtosh si vëllaun tënd, se ai ishte kujdesur për mua, si për prindin e vet. Unë atij i kam dhënë kuletën, i kam mësuar italishten dhe gjermanishten. Ai është vëllau yt i madh. Ju do ta njihni. Ai person nuk është dukur dhe unë mendoj se mund të ketë vdekur në burg.
Zotin e kam parë nëpërmjet axhës. Unë e lus axhën Shtjefën për çdo problem të jetës dhe, deri më tash, të gjitha problemet e jetës më janë zgjidhur si me magji. Axha im, Dom Shtjefni, ka qenë në burg me Kryepeshkopin e Kishës Ortodokse, At Irini Banushin në Lushnje. Unë isha transferuar me punë në Lushnje, bashkë me bashkëshortin në vitin 1971. Martesën time, edhe pse feja ishte e ndaluar, e bekoi At Irini, bashkëvuajtësi me axhën tim. Ai e ndjente këtë si detyrim se kishte konsideratat më të larta për axhën.
Unë mendoj se axha im është martir i shenjtë.
Dëshmi e Luigj Kurtit, rreth jetës së Dom Shtjefën Kurtit
Tiranë 31 mars 2003
Unë kam lind me 6 nëntor 1923 në Ferizaj dhe banoi në Tiranë, në rrugën “Nikolla Lena” Nr. 94. Unë Dom Shtjefnin e kam axhë, i ati im dhe i Dom Shtjefnit, janë vëllezër. Ne jemi shpërngul nga Ferizaj në Tiranë 1931. Dom Shtjefni ka ardhë në vitin 1930 në Shqipëri. Ne jemi një familje katolike prej Ferizajve në Kosovë, e cila ka dhënë tre meshtarë: Dom Shtjefën Kurti, Dom Luigj Kurti dhe Dom Damjan Kurti, që është famullitar në Durrës, në Kishën e Shën Luçisë.
Dom Shtjëfën Kurti është shuguruar meshtar në Romë me 13 maj 1921, ku ka dhënë edhe meshën e parë. Kthehet në Kosovë dhe punon në Shkup si Sekretar në Arqipeshkvi. Ka qenë edhe rrëfyes i Gonxhe Bojaxhiut, që u njoh në botë si Nënë Tereza. Pastaj kalon në Prizren dhe famullitar në Novosellë, ku ndërtoi kishën dhe qelën.
Me lejen e Nuncit Apostolik në Beograd, kaloi në Shqipëri, bashkë me Dom Gjon Bisakun dhe Dom Luigj Gashin. Këtu në Shqipëri, shërbeu në Arqipeshkëvinë e Durrësit, famullinë e Shna Prendes në Gurzë, ku ndërtoi një kishë të re, qelë dhe varreza. Në vitin 1937, caktohet famullitar në Tiranë dhe Dekan deri më 27 tetor 1946, kur burgoset për herë të parë.
Dom Shtjefni e riparoji kishën e vjetër në Tiranë dhe ndërtoi qelën e re, në vitin 1940. Si klerik ka qenë shumë aktiv. Formoi shoqatën katolike të “Shën Shtjefnit martir” për rininë dhe për të rriturit, të cilët i edukonte me mësimin e ungjillit. Çdo të diel e jepte meshën në ora 9. Ka pasë aktivitete me rininë në kishë e jashtë kishës: si teatër dhe kinema. Ka punuar me korin e kishës.
Dom Shtjefni ka predikuar shumë mirë dhe ka qenë shumë me autoritet. Ai ka pasë shumë devocion ndaj Zojës së Bekueme, se dhe kisha e ka pasë emrin “Zoja e Papërlyeme”. Ai ka bashkëpunuar shumë mirë me motrat stigmatine dhe servite, që merreshin me edukimin e vajzave.
Dom Shtjefni u burgos më 27 tetor 1946. E kanë torturuar shumë. U dënua në prill 1947 me 20 vjet burg. M’i ka treguar të gjitha torturat: E kanë marrë natën me togën e pushkatimit, e kanë detyruar t’a hap gropën e vet dhe e kanë ulë pranë varrit. I thonë me pranue aktakuzën: Spiun i Vatikanit dhe anglo-amerikanëve, ose do të pushkatojmë, por ai bën kryq dhe nuk pranon. Oficeri u thotë ushtarakëve që kishte me vete: Lereni dhe futeni në makinë. E kanë rrahur dhe lidhur duar e këmbë, e kanë fut në elektroshok dhe i kanë bërë tortura të tmerrshme, deri dhe duke i fut kripë në plagë, por ai u thoshte: “Kam bë detyrën time fetare”. Në burg ka thënë meshë fshehtas. Më 2 maj 1963, është liruar nga burgu dhe u vendos me punë në Gurzë.
Dëshmi e Ali Toptanit rreth jetës së Dom Shtjefën Kurtit
Unë kam lindur me 6 maj 1921 në Kavajë. Kam jetuar në Tiranë, ku kam punuar oficer. Dom Shtjefnin e kam njohur kur ka qenë famullitar në Tiranë. Unë kam qenë me Shtjefnin në burg në një dhomë, dyshekët i kemi të ngjitur. Kam kaluar ditët e burgut afër tij. Si njeri me karakter të mrekullueshëm, në personin e tij bashkoheshin cilësitë më të mira njerëzore.
Si famullitar në Tiranë, ai kishte qenë një prift i respektuem si nga besimtarët katolikë dhe nga ata jo katolikë. Autoriteti i tij ishte i madh dhe mbështetej në personalitetin e madh që kishte, si dhe në inteligjencën e tij. Nga besimi i madh te Zoti, ai ishte i pajisur me një guxim e trimëri dhe dinte t’i shpjegonte bindjet e veta shpirtërore.
Një herë më thotë pas një debati që pati me një oficer komunist: Këta kanë marrë pushkën dhe dhunën, kurse ne kemi Zotin që na mbron. Jam i bindur se në atë periudhë, Shqipëria ka humbë shumë burra të mirë, ndër ta e veçoj Dom Shtjefën Kurtin. Ai ka vuajt prej idesë fetare, pse ka qenë prift. Unë mendoj se ai është martir i fesë dhe kombit. Ashtu mendojnë edhe tjerët. Ai është martir.
Dëshmi e Rrok Lulaj, rreth jetës së Dom Shtjefën Kurtit
Gurëz, 24 mars 2003
Kam lind me 16 gusht 1928 në Kelmend, një familje katolike. Jam këtu në Gurëz që 70 vjet dhe kam punuar bujk. Dom Shtjefën Kurtin e kam njohur shumë mirë. E kam pas mik shpie, pasi kishte miqësi me ne dhe me dajat e mi.
Ai ne na ka dashur shumë dhe ne e kemi dashur edhe respektuar shumë. Ai ishte shumë serioz, me karakter të fortë dhe me autoritet. Mbante disiplinë të lartë në kishë, si dhe predikonte shumë mirë. Populli i Gurëzit e ka dashtë shumë. Ai pati ndërue kishën e Gurëzit.
Dom Shtjefni zhvillonte shumë aktivitete kulturore, bënte teatër me rininë dhe për festën e Korpit të Krishtit bënte procesione me muzikë. Për festa na e zbukuronte kishën. Ai përpiqej ta edukonte rininë me dashurinë për dijen. Nëpërmes tij rruga e arsimit për të rinjtë tanë ishte e hapur. Ai ma dërgoi vëllaun në shkollë në Shkodër.
Dom Shtjefën Kurti u burgos pse bënte veprime fetare fshehtas. E patën burgos për një pagëzim. Gjatë gjyqit që zgjati 7 ditë në kishë, Dom Shtjefni ka qëndruar shumë mirë, duke treguar karakter të fortë. E burgosën vetëm pse ishte prift.
E pyetën a dëgjon stacione të huaja, pasi kishte radio dhe dëgjimi i atyre stacioneve konsiderohej krim për Partinë Komuniste. Populli e ka çmuar dhe e çmon si martir dhe si shenjt. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016