NIKOLLË LOKA
Av. ALFDRED DUKA
NIKOLIN KURTI
Pjesa e tridhjetë e shtatë
-VRASJA E PARALAJMËRUAR E NJË KLERIKU RILINDËS –
Memorie.al / Përpara se të fillojmë të analizojmë përciptazi dosjen hetimore e gjyqësore në ngarkim të pandehurit Shtjefën Kurti e të tjerë, për lexuesin do të bëjmë një parantezë të të drejtës dhe historisë se saj në shoqërinë njerëzore, me qëllimin e përqendruar për të ardhur tek e drejta jonë penale e procedurale, që në fillimet e saj dhe përgjatë viteve të diktaturës.
Deklaratat e ish-prokurorëve dhe gjykatësve që dënuan me vdekje Dom Shtjefën Kurtin
Deklaratë e Jani Vasilit, anëtar i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që gjykoi Shtjefën Kurtin
Me kërkesë të z…., i deklaroj se vendimi i Gjykatës së rrethit të Krujës me Nr. 54 datë 31.7.1971, me të cilin, ndër të tjera është dënuar me vdekje Shtjefën Kurti, për të ashtuquajturin krim sabotim, si dhe vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në të cilën kam marrë pjesë edhe unë, janë tërësisht të padrejtë. Në të dy vendimet e sipërme është pranuar pa asnjë bazë ligjore ndër të tjera dënimi me vdekje i të gjykuarit Shtjefën Kurti për krimin e sabotimit.
Në të dy arsyetimet e vendimeve, është qartësisht e vërtetuar se veprimtaria e pranuar nga Gjykata në ngarkim të të sipërmve rezulton qartë se nuk ka asgjë të përbashkët me sabotimin, por është interpretimi i qëllimshëm, tejet i zgjeruar i diktaturës komuniste, për të zhdukur veprimtarinë shoqërore e fetare, sikurse i dënuari Shtjefën Kurti.
Është më se e qartë, se në këtë vendim çdo gjë ish e paragjykuar dhe e vendosur nga diktatura komuniste. I kam shprehur dhe i shpreh keqardhjen time të thellë familjes, për këtë rëndesë të madhe shpirtërore, edhe për pamundësinë time për të shprehur hapur bindjen time në atë kohë, bindjen time për të vërtetën në atë vendim.
Prill-maj 2012
Qëndrime te tilla si ky, i njërit prej gjykatësve të Gjykatës së Lartë të ish Republikës Popullore të Shqipërisë, të viteve gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë, janë të pazakonta. Diktaturat, në cilëndo formë që ato bëhen fati i një populli, apo popujve që sundojnë, janë makineri të përbindshme shtypëse të tyre, por diktaturat komuniste, në ndryshim nga të tjerat, me zhveshjen nga çdo formë të pronës private, së bashku me çdo formë lirie, të dy këto komponentë të sanksionuar me Kushtetutën e vitit 1976, sjellin për pasojë individë, instrumente të vegjël, që shndërrohen në pjesë të makinës së madhe vetë shtypëse pikësëpari, që vjen duke u rritur dita ditës dhe bëhet shtypëse e të tjerëve, deri te individi i fundit i shoqërisë. Diktatori, kësaj përbindësh makine, i’a zëvendësonte periodikisht pjesët e saj, deri te kryeministri në fundvitin 1981, e më radhë deri sa dha shpirt ai e me pas makineria e përbindshme e tij.
Si e gjithë superstruktura e diktaturës, edhe gjykatësit ishin vegla të saj, zaten më të verbra se të tjerët, si tek ferma e kafshëve. Ata gjykonin vetëm krime ordinere, për të tjerët kryenin vetëm porosinë e partisë, si ushtarë të bindur të saj, duke shkelur mbi çdo parim, që kërkonte ky profesion. Ky ishte pazari i bërë ndërmjet tyre dhe diktaturës. As që mendohej se mund të bëhej ndryshe, pasi zhvendosja nuk ishte më shumë se tre a katër metra, nga tribuna në bankë ose, thënë ndryshe, nga toga e zezë në kostumin me ngjyre kafe e kokë të rruar. Kaq ishte. Edhe të tërhiqeshe ishte gati e pamundur. E pat provuar në fillim të viteve pesëdhjetë, Ministri i Drejtësisë së asaj kohe dhe i shpëtoi ndëshkimit, vetëm falë origjinës etnike të tij, pasi në të kundërt e priste kasaphana.
Diktaturat bolshevike, janë si ato tranxhat metalike, te cilat kanë si vështirësi teknike, vetëm mbërthimin e një cepi llamarine, pastaj e dinë vete ato se çfarë bëjnë me të. Çdo njeri që e ka jetuar atë kohë, nuk e ka të lehtë të akuzojë individë qofshin edhe të sistemit të drejtësisë së diktaturës, përveç të dënuarit e ndërgjegjes, pasi të tjerët, të çdo shtrese qofshin, aty kanë qenë. E nëse në atë kohë vetëm nëse kanë belbëzuar sado pak kundër saj publikisht, kanë gjithë të drejtën e zotit të ulërijnë sot ndaj tyre, të tjerët janë me me pak fat estetik në këtë aksion. Të gjithë kemi shpresuar se, meqenëse në vendin tone nuk u ngrit një mekanizëm efecient ligjor kundër krimeve të komunizmit dhe, si të thuash i’u dha një fuqi e madhe parullës propagandistike
“Te gjithë bashkëvuajtës e të gjithë bashkëfajtor”. Natyrshme pritej një Mea Culpa nga shumë individë që i kishin shërbyer diktaturës, por kjo gjë, jo vetëm që nuk ndodhi, por pas një tulatje të parë, pasoi kundërofensiva me moton: “Ju kemi dënuar kot, por ju kemi dënuar me ligj ama”! Vetëshfajësimit! Mirëpo dihet se diktaturat nuk operojnë me ligje, por me një sistem rregullash të brendshme, të cilave u japin apriori forme ligjore, pasi për të gëzuar atributet e ligjit, norma ligjore, kërkohet të njihet ndërkombëtarisht si e tillë, në të kundërt, mbetet vetëm një rregull i brendshëm që shitet si ligj. Kështu mori jetë apologjia e krimeve të komunizmit, duke pasuar me një rreshtim disiplinor të të gjithë aktorëve të diktaturës, nga Ramiz Alia, e deri te më i fundmi komunist i fshatit të fundit. Kemi menduar se do të ketë personalitete dhe individë shërbëtorë të diktaturës, që do të reflektojnë në një formë a një tjetër, por këtë do ta bënte vetëm Agolli, edhe ai jo ndershmërisht, pasi e konsumoi në një aktivitet partiak.
Në këtë pikë, komunistët, nazistët e fashistët ngjajnë si dy pika uji. Kësisoj, deklarata e ish gjykatësit të Gjykatës së Lartë të kohës së diktaturës, Jani Vasili, tërheq vëmendjen si një qëndrim atipik, i zyrtarëve të asaj kohe. Përse? Sepse, ndjesa është virtyt i njeriut, një prej të dallueshëmve prej kafshës. Askush, askujt nuk i ka kërkuar se përse ai nuk ishte hero atëherë, por gjithkush pret një ndjesë përshpirtëse, të ndershme, e cila sikur e rivendos drejtësinë, duke e korrigjuar padrejtësinë, pavarësisht se asnjë prej pasojave nuk riparohen më. Ndjesa është divine, pranimi i saj detyrim. Askush nuk mund t’ia ringjallë Ing. Nikolin Kurtit ungjin e tij të pushkatuar në moshën shtatëdhjetë e tre vjeçare, me një vendim absurd te gjykatës së asaj kohe, por Mea Culpa e Jani Vasilit, ani pse firmosësi i dënimit me vdekje pa faj, e detyron pasardhësin e të dëmtuarit, ta pranojë me sinqeritet atë ndjesë
Ndjesë, apo apologjia e krimit!
“Unë e kam ndjerë dhe e ndjej si detyrim të vazhdueshëm që të shpreh ndjesë, ndaj gjithë atyre personave që, në tërë këtë që ndodhi në Shqipëri, humbën njerëzit e tyre më të dashur”.
A mund ti drejtohet një letër nipit të atij që ke kërkuar dënim me vdekje, dyzet vjet më përpara për një krim të pabazuar në ligj, madje as në atë praktiken e plenumeve të Gjykatës së Lartë që rreket të bindë letër mbërritësin? Me ligj, Dom Shtjefën Kurti nuk mund të dënohej as për veprën penale të agjitacionit dhe propagandës, pasi ajo dispozitë kërkonte detyrimisht që agjitacioni dhe propaganda konsiderohej e konsumuar vetëm atëherë kur ajo kryhej në formën e thirrjes, çka e kemi analizuar qartësisht më lart. Në cilin rast kishte bërë thirrje Dom Shtjefën Kurti? Në asnjë rast. Nuk gjendet në dosjen disa volumesh një thirrje e tillë. Si nuk merret guximi për t’i kërkuar ndjesë nipit të viktimës, për gjithë ato tam tame të vjella mbi atë pretencë!?
“Duke lexuar, brenda dy ditëve, njërin nga librat që më dhuruat, unë munda të njihem realisht me figurën e shquar të Dom Shtjefnit, si një patriot, atdhetar, personalitet dhe luftëtar i paepur për çështjen kombëtare, për arsimin dhe gjuhën e vendit tonë. U përgëzoj për atë punë të lavdërueshme që keni bërë për njohjen dhe përjetësimin e figurës së këtij martiri».
Dom Shtjefen Kurti, e ka shpjeguar përpara hetuesisë hollësisht jetën e tij, së bashku me veprimtarinë e tij patriotike, shpjegim i cili ndodhet në dosje i plotë. Pre supozohet se dosja është lexuar e kënduar mirë nga një prokuror që mban pretencën dhe çfarë pretence se! Me vdekje, me pushkatim!
“Në përfundim të hetimeve, me aktakuzë të Drejtorisë së Hetuesisë së Ministrisë së Brendshme, çështja i dërgohet për kompetencë gjykimi, Gjykatës së rrethit Krujë. Gjykimi me porosi u zhvillua për disa ditë në fshatin Gurëz, në ish kishën e zonës, që ishte shndërruar si vatër kulture».
Ish – prokurorit duhej që dikush t’i kishte thënë se ajo Kishë e shndërruar në vatër kulture, ishte ndërtuar pikërisht prej atij që kishte kërkuar dyzet vjet më parë pushkatimin e tij?!
“Të pandehurit u janë përgjigjur pyetjeve të drejtuara nga trupi gjykues, kanë dhënë shpjegime dhe qartësime rreth akuzave, janë mbrojtur vetë (sepse avokatia nuk funksiononte atë kohë) dhe, me sa më kujtohet, kanë pranuar fajësinë e tyre dhe të pjesëtarëve të grupit”.
Ish – Prokurori zë e tallet. Bën sikur nuk e di se si pranohej akuza në ato vite. Po si mund të pranohet fajësia e tyre dhe e pjesëtarëve të grupit!!! Këtë nuk na e ka shpjeguar zoti Prokuror. Fajësia është akt individual, ajo pranohet ose jo për vetveten, nuk pranohet edhe për të tjerë, edhe kur janë të pandehur në bashkëpunim. Për ta mësuar këtë nuk është e domosdoshme për të qenë prokuror, e as gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
“Më kujtohet se gjatë gjykimit në fshatin Gurëz, që zgjati 5-6 ditë, ishte i pranishëm i dërguari i Prokurorisë së Përgjithshme zoti Zaim Myftari, që kryente detyrën e Prokurorit pranë Gjykatës së Lartë. Po kështu, më kujtohet se gjyqin e ndoqën edhe zoti Vahid Lama me një shokun e tij, emrin nuk ia di, të cilët ato ditë ndodheshin duke kryer punën fizikë në atë zonë, që të dy punonjës të Aparatit të Komitetit Qendror”.
Mund të ishte thënë se ishim nën presion dhe më urdhëruan. Askush nuk do të kërkonte atëherë që të bëje heroin! Do të ishte shumë më e ndershme se sa, të numërojë praktikën e plenumeve të Gjykatës së Lartë, si në përfundim të kësaj letre.
“Dënimi i dhënë në rastin e grupit të Gurëzit, nuk mund të ishte i pandikuar nga interesat dhe propaganda e Partisë. Më kujtohet se, edhe për këtë çështje, u përdorën forma dhe metoda të ndryshme, nga të cilat po përmend:
Përpunimi politik dhe ideologjik mbi trupin gjykues e të tjerë. Pasi Ministria e Brendshme përfundoi hetimet, për rezultatet e tyre ka informuar Komitetin Qendror të Partisë».
Dakord mbi trupin gjykues. Po mbi ty a u përdor përpunimi politik dhe ideologjik. Thuaje!
“Pak kohë para gjykimit, nga Komiteti Qendror është botuar një buletin, i cili u shpërnda në tërë vendin dhe me të u njohëm edhe ne. Në këtë buletin që përmbante konkluzionet e Partisë, bëhej analiza e veprimtarisë së grupit që nxitej dhe frymëzohej nga armiku për të sabotuar ekonominë dhe sistemin kooperativist në Shqipëri. Grupi, veçanërisht i ndjeri Dom Shtjefën Kurti, cilësohej mjaft i rrezikshëm, etj. Kjo metodë nuk dallonte aspak nga ato të përdorura më parë apo më pas, për të ashtuquajturat veprimtari armiqësore në ekonomi, në ushtri, në art e kulturë, në naftë, etj, ku analizat, konkluzionet, përgjegjësitë dhe deri tek epitetet juridike i bënte Partia, përpara hetuesisë dhe gjykimeve”.
Cili më mirë se ti e njihte se sa i rrezikshëm ishte Dom Shtjefen Kurti? Partia?
“Në dënimin e Dom Shtjefën Kurtit, natyrisht ka ndikuar edhe fakti se edhe më parë kishte qenë i dënuar me 20-25 vjet burgim, duke u konsideruar si një kundërshtar i pakorrigjueshëm dhe frymëzues shpirtëror i gjithë grupit”.
Sikundër pranonin dhe vetë të akuzuarit, pas kontaktit me të, vjedhjet në këtë kooperativë u intensifikuan më shumë në raste, në sasi dhe në implikime të njerëzve, të shoqëruar edhe me propagandë antiparti. E kemi analizuar qartësisht këtë moment që kërkon t’i bishtnoje Prokurori.
Për kujtesë, në pretencë është fiksuar se vitit 1970 ishte vit i prodhimeve të bollshme dhe rezultateve të larta për kooperativën e Gurëzit. Ndërkohë që Prifti është arrestuar me 6.06.1970 dhe Agustin Preçi në shtator të po këtij viti.
“Të gjithë personat, pjesëtarë të këtij grupi, akuzoheshin për të njëjtat vepra penale, sipas Kodit Penal në fuqi, po kështu edhe Gjykata e Rrethit dhe Gjykata e Lartë i pranuan të drejta juridikisht këto akuza, pavarësisht se jo të gjithë pjesëtarët kishin të njëjtin rol në këtë vepër. Pothuajse të gjithë ishin në rolin e ekzekutorit, sepse i kryenin vjedhjet në magazinë, në lëmenj, në koçekë, duke nxjerrë edhe përfitime materiale, kurse Dom Shtjefën Kurti, akuzohej si personi ndihmës, në rolin e nxitësit”.
Dhe për ndihmësin është kërkuar prej tij dënim kapital, ndërsa për ekzekutorët dënime me burg!!!
“Sipas nenit 26 të Kodit Penal, bashkëpunëtorë për kryerjen e veprës penale quhen: Organizatorët, ekzekutorët, shtypësit dhe ndihmësit, të cilët kanë përgjegjësi, si dhe ekzekutorët për veprën penale të kryer. Në caktimin e dënimit për bashkëpunëtorët merret parasysh shkalla e pjesëmarrjes dhe roli i secilit për kryerjen e veprës penale. Edhe sikur vepra të cilësohej si vjedhje në përpjesëtime të mëdha, dënimi sipas Kodit Penal të kohës (neni 80 K. Penal) ishte jo më pak se 7 vjet heqje lirie deri në vdekje”.
Se përse është bërë kapërcimi nga vjedhje në sabotim, e kemi sqaruar imtësisht dhe bazuar pikërisht në ligjet e kohës, së bashku me praktikën e Gjykatës së Lartë. Sipas Nenit 80 të Kodit Penal, pra me akuzën e vjedhjes nuk kishte formë e as mënyrë që Dom Shtjefën Kurti të dënohej me pushkatim! Edhe sikur të pranohej roli i tij nxitës, pra ndihmës, kurrsesi nuk mund të dënohej me pushkatim, vetëm nëse do të pushkatoheshin të gjithë.
“Gjykata e Lartë, në praktikën e saj gjyqësor, kishte pranuar se shpërdorimi dhe përvetësimi i pronës në përpjesëtime të mëdha i shoqëruar me agjitacion dhe propagandë, konsiderohej si sabotim ekonomik. Që nga viti 1955, ka shembuj të vendimeve të Gjykatës së Lartë, të botuara në revistën “Drejtësia” dhe në buletinin e Gjykatës së Lartë, derisa aty nga viti 1973-1974 doli edhe Udhëzimi i Plenumit të Gjykatës së Lartë ‘Mbi krimet kundër shtetit’, i cili konfirmonte edhe njëherë këtë praktikë disa vjeçare të Gjykatës së Lartë. Edhe në literaturën juridike apo në leksionet dhe praktikat mësimore, mbahej i njëjti qëndrim”.
Dënimi i Dom Shtjefen Kurtit është bazuar në Kodin Penal të vitit 1959, i cili ishte në fuqi në vitin 1971. Praktika e Gjykatës së Lartë, ishte praktikë orientuese dhe aspak detyruese për gjykatat e zakonshme, sigurisht edhe për prokuroritë. Kështu që ky moment është bishtnues dhe dredharak! Nga viti 1973-1974, kur doli udhëzimi i Plenumit të Gjykatës së Lartë “Mbi krimet kundër shtetit”, po, nga ky moment e me pas praktika e krimeve kundër shtetit, u bë e detyrueshme, pasi erdhi koha për të dënuar anëtarët e Byrosë Politike me vdekje, pa ligj, por jo me praktikën unifikuese të Gjykatës së Lartë që ka merak Prokurori!
Tjetër moment që duhet të marrë rëndësinë e duhur dhe që anashkalohet krejt lehtësisht nga Prokurori, është fakti se përse u bë aq presion i madh në atë kohë, me të gjitha format dhe mënyrat e shpjeguara, të cilat janë të vërteta të pasqyruara në dosje, ndërkohë që dënimi me vdekje, me pushkatim, na paska qenë i bazuar në ligj dhe në provat e administruara në dosje! Përse? Pra kështu vijmë te përfundimi logjik, ose Dom Shtjefën Kurti është dënuar bazueshmërisht në ligj e në prova, ose është dënuar nën presionin e Partisë! O njëra o tjetra. Nëse Partia ishte e sigurt se pushkatimi i Priftit ishte i bazuar, nuk kishte se përse shoku Enver te çonte sekretarin e tij me “punë fizike” në Gurëz, në atë zheg rraskapitës!
“Këtë sqarim juridik nuk e bëj për justifikim, por dëshiroj ta them me sinqeritet, se kjo ka qenë bindja ime dhe se asnjëherë me vetëdije dhe me paramendim nuk kam pranuar, apo nuk do të pajtohesha me shtrembërime të qëllimshme të ligjit. Kam punuar afro 50 vjet, gabime edhe mund të kem bërë, këtë kurrë nuk e përjashtoj, por në shpirt jam përpjekur të jemi i pastër.
Kam bërë gabime, madje gabime edhe mund të kem bërë”!
Fakti se letërshkruesi nuk jeton më, nuk më detyron të në lidhje me tekstin dhe frymën e kësaj letre që, gjithsesi nuk mund të mos e përmendim se asaj i mungon një fjalë e vetme, më e nevojshmja prej të gjithë fjalëve që ka krijuar shoqëria njerëzore që prej krijimit të saj-Falja-Ndjesa!
Nëse do të isha në vend të Nikolin Kurtit, Pretencën e mbajtur në procesin gjyqësor, aq sa mund të quhej i tillë, do ia kisha falur, por letrën me atë përmbajtje, kurrë. Ajo është një spërdredhje e pahijshme për një burrë të asaj moshe, për një njohës shumë të mirë të të drejtës së asaj kohe. Nga ana etike, nuk i kërkohet ndjesë (keqardhje) popullit për një krim, apo krime që vete ke kryer, por atij që ia ke drejtuar atë letër! Burrëria dhe fisnikëria është një gjendje që ose e ke ose nuk e ke. Sjellja si i “akuzuar” nuk ka qenë në atë rast, pasi Nikolin Kurti, e ka ftuar miqësisht për të shprehur një mendim të tij për atë çfarë kishte ndodhur 40 vjet më parë. Ish – prokurori, i është përgjigjur tinëzisht, pa burrërisht, duke e ri akuzuar edhe një herë të pushkatuarin Dom Shtjefën Kurtin! Edhe mospranimi për t’iu qasur asaj kohe do të ishte më i dinjitetshëm, se sa përpjekja për ta ligjëruar atë pretencë kriminale. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016