Nga Eugjen Merlika
Stalini – Legjenda dhe realiteti –
Memorie.al / Gjashtë marsi i vitit 1953, ishte një ditë e vrenjtur në qytetin e Korçës. Bora kishte mbuluar, me bardhësinë e saj, jo vetëm Moravën, por edhe qytetin, që atë ditë ishte i heshtur e në zi. Para bustit të Stalinit, në sheshin para kinemasë “Morava”, nxënësit e shkollave dhe qytetarët e tjerë, qëndronin më gjunjë, në heshtje, duke dëgjuar dikë që, nëpërmjet altoparlantit, shprehte dhimbjen e thellë të partisë e të gjithë shqiptarëve, për “humbjen më të madhe që kishte pësuar Shqipëria”. Në Moskë, në qendrën e komunizmit, një ditë më parë kish pushuar së rrahuri, zemra e Josif Visarionoviç Stalinit.
Sa shumë ujë ka rrjedhur nën ura që nga ajo ditë, sa shumë ka ndryshuar bota dhe Shqipëria, sa shumë kanë ndryshuar dhe konceptet tona për kohët dhe ngjarjet. Ç’ishte për një nxënës të asaj kohe Stalini? Ishte një legjendë, mishërimi i së mirës që luftonte e mundte të keqen kudo në botë, “shpëtimtari i njerëzimit nga bisha naziste”, “mësuesi dhe udhëheqësi i proletariatit botëror”, “mbrojtësi i madh i popujve të vegjël”, “miku më i madh i popullit shqiptar”. Kjo ishte korniza në të cilën jo vetëm ne, por një e treta e botës, fuste ‘mustaqelliun’ gjeorgjan. Ishte aureola me të cilën mbulohej fytyra e vërtetë e njërit prej gjaksorve më mizorë, që kish njohur historia e njerëzimit.
Sot, mbas një gjysëm qindvjete, me arkivat e hapura, me komunizmin të shndërruar në një relike që shërben për të shmangur kaosin e mundshëm të Kinës, për të mbajtur gjallë dinastitë e Kimëve e të Kastrove e, për të ngacmuar kujtimet e mallin e ndonjë aparatçiku veteran, gjykimi mbi figurën komplekse të Stalinit, zhvishet nga mjegullnaja e propagandës, instrumentalizimit e gënjeshtrës, karakteristike për historiografinë komuniste dhe na paraqitet në dritën e së vërtetës.
Personaliteti, që do të vuloste me veprën e tij, për mirë apo për keq shekullin e njëzetë, kishte patur një fëmini të vështirë, çuditërisht të ngjashme me atë të një tjetër figure, mjaft të rëndësishme, të Adolf Hitlerit. Një baba alkoolist e i dhunshëm në familje, një nënë e lidhur marrëzisht me të birin e vetëm, mbasi ka humbur dy të tjerë, një ambient seminari me rregullat dhe ashpërsinë e tij, formuan që në të ri një njeri inatçi, të mbyllur në vetvete, mosbesues, të ashpër, agresiv e të vetmuar. Ai njeri nuk arriti kurrë të rrezatonte dashuri në familje; e ëma i vdes e nuk shkon t’i hedhë as një grusht dhe, e shoqja vret veten nga dëshpërimi, e bija jeton e mbyllur e mezi ç’pret rastin të largohet nga vendi i saj.
Arrestohet e burgoset nga policia cariste e, thuhet se bashkëpunon me të. Ikën nga burgu, hyn në klandestinitet e futet në partinë bolshevike, ku shpejt ngjit shkallët e karrierës për të arritur në sekretar organizativ të saj. Shtabi i partisë me Leninin në krye, ndodhet në Zvicër, ndërsa Josif Xhugashvili merret me organizimin e saj në provincat e Rusisë, që është në luftë përkrah demokracive të Perëndimit, kundra Aleancës trepalëshi qendër-evropiane.
Parullat e paqes e të tërheqjes së Rusisë nga lufta, janë flamuri i propagandës bolshevike në radhët e ushtrisë e të popullit. Ishte strategjia e Shtatmadhorisë gjermane, që synonte mbylljen e frontit të Lindjes, për t’u përqendruar në atë të Perëndimit e, për të fituar luftën. Kësaj strategjie i shërbeu “treni i blinduar”, që nga Zvicra, solli në Rusi Leninin, Trockin, Zinovjevin e të tjerë drejtues të partisë bolshevike, tren i dhënë enkas nga ministria e jashtme gjermane, së bashku me një shumë të mirë të hollash, që njihen me emrin “ari i Berlinit”.
Xhejms Xhojsi, e quajti atëherë kthimin e Leninit në Rusi “një lloj kali Troje”. Grushti i shtetit i 7 nëntorit 1917, i njohur në histori si “Revolucioni i madh Socialist i Tetorit”, qe realizimi në praktikë i synimeve bolshevike për të marrë pushtetin e, për t’i shpërblyer nderin Gjermanisë së Kajzerit, me Traktatin e Brest-Litovskit, që tërhiqte Rusinë nga lufta.
Filloi menjëherë regjimi i terrorit, nën etiketën e “diktaturës së proletariatit”, që nuk kurseu askënd, që nga familja e Carit e masakruar pabesisht, tek milionat e fshatarëve të lirë e të kozakëve, që kishin qenë shtylla vertebrore e Rusisë së lashtë, tek intelektualët të ashtuquajtur borgjezë e, deri tek kuadrot më të larta të Partisë e të Shtetit. Pushteti i sovjetëve lindi si një impiant i stërmadh terrori, para të cilit gijotinat e revolucionit jakobin të Francës, ishin si lodra fëmijësh e në të cilin, ndihmesa e Josif Visarionoviç Stalinit, ishte e një rëndësie të dorës së parë.
Në sa milionë viktima llogaritet kasaphana njerëzore në “atdheun e socializmit”? Si mbas historianit, Roi Medvedev, “asnjë tiran në histori nuk kishte masakruar një numër kaq të madh bashkatdhetarësh”. “Së paku pesëmbëdhjetë milionë”, thotë laureati ‘Nobel’ për paqen, shkencëtari disident Andrej Zaharovi. Por Sollzhenicini, i vlerësonte të gjitha viktimat e “luftës së brendshme” sovjetike, në gjashtëdhjetë milionë. Shifrat e sakta janë ende të panjohura. Ndofta ruhen të fshehta e ndofta nuk ekzistojnë fare. Historia e tyre është e llahtarshme, nuk njeh kufij, nuk njeh kritere. “Diktatura e proletariatit”, thoshte Lenini “është një pushtet pa kufizime, pa ligje, pa rregulla, që mbështetet drejt për së drejti mbi detyrimin”,
Detyrimi me dhunë ishte ligji kryesor i “Botës së re”, që do të ndërtohej në një të gjashtën e globit. Sistemi i Gulagëve që nga Vorkuta deri në Kolima, ishte pasqyra më e saktë e asaj bote. Në to jetëgjatësia, nuk i kalonte të pesë javët dhe norma ditore e detyruar ishte tetëqind pud mineral, ndërsa në Rusinë e carëve, kishte qenë gjithsej tre pud!!! Çdo ditë në mëngjes lexoheshin listat e të vdekurve, në të cilat kishte dhe fëmijë nga mosha 12 vjeçe. Një dekret i 7 prillit 1935, autorizonte ekzekutimin kapital nga mosha 12 vjeçe. Në bregun e djathtë të Dnjeprit, gjatë verës së vitit 1933, rreth tre mijë fëmijë nga shtatë deri dymbëdhjetë vjeç, bij kulakësh, u mbajtën të mbledhur në një vend e, u lanë të vdisnin urie, ndërsa hambarët ishin plot me drithë.
Gjithë këto dukuri të lemerishme zhvilloheshin, nën udhëheqjen e “ndritur” të klasikut të marksizmit, Stalinit, e në historinë e mëvonshme, u njëjtësuan me emrin e tij. Po a i përgjigjet plotësisht së vërtetës një njëjtësim i tillë? A ishte me të vërtetë Stalini i vetmi që kishte hartuar këtë strategji shfarosjeje në emër të “Botës së re” e të “Njeriut të ri”, e që e zbatonte me përpikërinë e një ligjvënësi të racës?
Përpjekja e historiografisë “progresiste”, perëndimore, për t’a thjeshtuar në termin “stalinizëm” dhunën e pashembullt të regjimit komunist, synon të “vërtetojë” se teprimet, gabimet, (pak kush përmend fjalën krime), të sistemit komunist, nuk janë në ADN në e tij, por janë shfaqje të personave të veçantë, që kanë qenë në udhëheqjet.
E vërteta është një tjetër. Paraqitja e Stalinit dhe veprës së tij si, një shtrembërim dogmatik i leninizmit, e modës në vitet pesëdhjetë e gjashtëdhjetë në Bashkimin Sovjetik të Hrushovit dhe në partitë komuniste të Perëndimit, është një alibi për të mbuluar natyrën e vërtetë të sistemit si ideologji e si realizim.
Dualizmi Lenin-Stalin, është një krijesë e sajuar nga ithtarët e ideologjisë komuniste, për t’i vënë patericat teorisë. Stalini vazhdoi veprën e Leninit në të gjitha format e përfytyruara e të projektuara prej tij. Sistemi i ‘Gulagëve’ ishte sponsorizuar prej Leninit që kishte urdhëruar “të spastrohej toka ruse nga të gjitha insektet e dëmshëm”. Vënia e gjithë aparatit partiak e shtetëror nën kontrollin e rreptë e të plotfuqish të ‘ÇEKA’-s së Xherxhinskit, ishte një parim i zbatuar prej Leninit. Kolektivizimi i sforcuar i bujqësisë dhe shpërnguljet masive të pakicave kombëtare, nuk ishin vetëm ide të Stalinit. “Dhuna revolucionare”, ishte ligjësuar nga Lenini, Trocki, Zinovjevi, Kamenievi, Buharini etj., fill mbas gjëmimit të topave të ‘Aurorës’.
Ndërsa në shoqëritë klasore parimi udhëheqës është: “Kush nuk punon, nuk ha“, në shoqërinë komuniste është: “Kush nuk bindet nuk ha”, do të shkruante më vonë Trocki në veprën e tij “Revolucioni i tradhtuar”. Ai do t’i vishte “mediokritetit” të Stalinit, motivin e titullit të veprës së tij, por harronte se ishte ai vetë një nga frymëzuesit e dhunës “revolucionare”, kur, si Komisar i Popullit për luftën, shprehej në mënyrë cinike: “Për sa na përket neve, nuk kemi patur të bëjmë kurrë me lloqet kantiano-priftërore ose, kuakero-vegjetariane, mbi shenjtërinë e jetës njerëzore”.
Krimet e përbindshme të pushtetit sovjetik e të regjimeve komuniste, në përgjithësi, nuk mund t’i vishen vetëm Josif Stalinit, sado kampion i krimit të ishte. Ata e kishin zanafillën që nga idetë e Marksit që, njerëzit i ndante në të shfrytëzuar e shfrytëzues, në luftë të përhershme e të papajtueshme me njëri tjetrin, që besimet fetare me parimet e tyre morale i quante “opium për popullin”, duke zhveshur qenien njerëzore nga ato vlera të përjetshme që përbëjnë bazën e shoqërisë njerëzore. Stalini e thelloi hendekun që kishin hapur më parë Marksi dhe Lenini, një hendek gjaku që, për shumë kohë mbeti i panjohur nga bota, mbasi u mbulua nga demagogjia e gënjeshtrat për “parajsën e punëtorëve” dhe nga zhvillimi ekonomik i një vendi me një potencial të jashtëzakonshëm.
Ja si e shpjegon Sollzhenicini, një nga njohësit më të mirë të realitetit sovjetik, oqeanin e krimit komunist: “Makbethi është një kriminel dhe vret shtatë viktima. Për të vrarë shumë më tepër, më parë gjashtë milionë, e më pas gjashtëdhjetë, është i nevojshëm një shumëzues. Ky shumëzues është ideologjia”. Ideologjia është ajo që justifikon gjithçka, shtypjen, dhunën, terrorin e një pjese të popullit mbi pjesën tjetër ose të një kaste njerëzish mbi një popull, në emër të interesave të klasës, të ndërtimit të një shoqërie eprore, ku utopia rreket të zëvendësojë realitetin. Ideologjia krijon njerëzit përbindësha, që ushtrojnë verbërisht dhunën, në të gjitha format e saj, pa asnjë farë brejtje ndërgjegjeje.
Është folur e shkruar shumë për meritat e Stalinit në fitoren ndaj nazi-fashizmit. Mendoj se duhen mbajtur parasysh dy gjëra: e para se ai, fillimisht, bëri një pakt me Hitlerin, pasojat e mbrapshta të të cilit i pësuan polakët, lituanët, letonët e estonët, që humbën pavarësinë; e dyta se nuk është shumë e qartë se ku mbarojnë meritat e “Gjeneral dimrit”, të hapësirës së pamat ruse e të aviacionit amerikan, e ku fillojnë ato të gjeneralisimit e të Ushtrisë së Kuqe që, në muajt e parë të luftës, dorëzohej si kope në duart e gjermanëve. Por në kthimin e Rusisë nga një vend i pazhvilluar, në mbi fuqinë e dytë të botës, pavarësisht nga mjetet e metodat, mendoj se Stalinit i takon një vlerësim të cilin, jam i bindur, historia nuk do t’ja mohojë.
Historia e Stalinit është dhe historia e Partisë Komuniste mbasi, me gjithë tezën e Marksit, mbi rolin e masave në përcaktimin e ngjarjeve historike, mbas vdekjes së Leninit, ai mbeti ‘Zeusi’ i pakundërshtueshëm i ‘Olimpit’ moskovit dhe i komunizmit botëror. Është një histori kurthesh, pabesish, asgjësimesh të kundërshtarëve e të bashkëluftëtarëve, një xhungël njerëzore, para së cilës xhungla shtazore duket si parajsë engjëjsh. Bashkimi Sovjetik i shiste armë Republikës Komuniste spanjolle, me çmime stratosferike, duke transferuar në Moskë gjithë arin e Madridit. Kjo ishte një nga pamjet e të ashtuquajturit “Internacionalizëm proletar”.
“Revolucioni i ha bijtë e tij”. Duket se kjo është e vërteta eprore e të gjitha revolucioneve, por shembulli më i ndritur, në këtë drejtim, mbeten gjyqet e Moskës të viteve 1935-1938, të orkestruara e të drejtuara nga vetë Stalini. Duket se ky ligj nuk kurseu as atë vetë, mbasi vdekja e tij, mendohet të ketë qenë e shkaktuar nga një helmim, thuhet nga miku i tij i ngushtë, ministri i Brendshëm, Beria. Për këtë nuk ka prova të sigurta, por është fakt se ai mbeti dy dit pa ndihmë mjekësore e kjo nuk qe një rastësi. I biri i revoltuar, akuzoi hapur “bastardët që i kishin vrarë babanë”. Mbas një muaji përfundoi në hekura, i dënuar me dhjetë vjet burg. Supozohet se komploti kundër Stalinit, u organizua sepse ai kishte në plan një fushatë arrestimesh në radhët e udhëheqjes, si mbas modelit të gjyqeve të Moskës, e së fundi, studiues amerikanë mbrojnë tezën e një projekti për një konflikt të armatosur me ShBA-ës, që do të çonte në një katastrofë bërthamore të botës.
Kjo ishte e vërteta të cilën nuk mund t’a dinin milionat e gjithësisë komuniste që, në ato ditë marsi të gjysëm qind vjet më parë, derdhnin lot për “udhëheqësin legjendar”. Legjenda dhe e vërteta rrallë herë përkojnë, janë larg njëra tjetrës, madje në shumë raste e përjashtojnë njëra tjetrën. Të gjitha ato që ne mësonim nëpër shkolla përbënin legjendën, ato që shkruheshin në arkivat e në kujtesën e pjesëmarrësve të ngjarjeve, formonin të vërtetën.
Ne, shqiptarët kemi “meritën” se kemi ruajtur një raport të privilegjuar vetëm me legjendën. Kemi qenë më të zellshëm se të tjerët në zbatimin e mësimeve e të përvojës së Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg të madh, ku spikasin qindra kilometrat e telave me gjemba të kampeve të punës së detyruar, burgjeve e qendrave të internimit, në të cilin shifrat e krimit shtetëror, për frymë popullsie, mund të barazohen me të tijat. U munduam të zbatojmë ‘ad literam’ parimet bazë të tij në fushën ekonomike, duke kolektivizuar me forcë tri të katërtat e popullsisë që banonte në fshat, për t’i shpënë në një varfëri skajore.
Ushqyem iluzionet e kota të krijimit të industrisë së rëndë që, nuk i nevojitej një vendi të vogël siç ishte Shqipëria, duke shteruar fonde që mund të shërbenin shumë mirë po të përdoreshin gjetiu. E deshëm dhe respektuam “Babanë e popujve” më shumë se të tjerët, ja ruajtëm kujtimin dhe emrin më gjatë edhe se vendi i tij, i mbajtëm shtatoret e bustet e tij, deri sa u shemb Muri i Berlinit, madje nxorëm dhe një ligj për mbrojtjen e tyre. E quajtëm atë mikun më të madh tonin, paçka se ai ja kishte ofruar me kohë vendin tonë, Federatës Jugosllave të Titos. E gjithë kjo politikë absurde dhe e marrë, na ngjiti etiketën e “Vendit të fundit stalinist të Evropës”, e drejtuesit tanë këtë etiketë, e kishin për nder dhe e mbanin si medalje.
“O turp ku e ke skuqjen…”! shfrynte dikur Princi i Danimarkës. Sa herë këtë zëmratë hamletiane duhet t’ua kishim zbrazur udhëheqësve tanë “të ndritur” stalinistë, për plagët e pashërueshme që i hapën këtij vendi, për mizorinë e pazotësinë me të cilat e qeverisën, për anakronizmin në të cilin e kthyen jetën tonë. Por ata nuk u skuqën as atëhere kur, si Don Kishoti me shpatë, mbronin istikamin e Stalinit as sot kur, nëpërmjet librash, artikujsh e intervistash evokojnë kohën e tyre të përbindshme. Ata vazhdojnë të tallen me viktimat e krimeve të tyre sepse, Evropa socialiste e kristjane, në emër të një morali të diskutueshëm, i tha ndal Nurembergut të komunizmit.
Është kjo arsyeja pse ata zotërinj mbetën të pandëshkuar e jo ajo që thuhen nga disa analistë se: “akuzat që nuk u vërtetuan kurrë për “gjenocid e krime kundër njerëzimit”, ndaj ish-funksionarëve më të lartë të regjimit komunist…”! Vërtetim i atyre akuzave janë shifrat e pakundërshtueshme të përndjekjes politike në Shqipërinë komuniste, është përgjigja për ta.
Paturpësisë së tyre e kemi për detyrë t’u vëmë përballë heroizmin e atyre djelmoshave të Shkodrës e Tiranës që, në një çast të caktuar, vendosën t’a shlyejnë turpin e Kombit me rrëzimin e shtatoreve të diktatorit komunist gjeorgjian e, të dishepullit të tij shqiptar, duke paguar me gjymtimin fizik që “Bijtë e Stalinit”, ju shkaktuan trupave të tyre rinore. Do të kishte qenë një gjë e bukur sikur dikush në Kryesinë e Shtetit, të ishte kujtuar t’u jepte një medalje atyre djelmoshave, veprimi i të cilëve i jep shumë më tepër nder historisë së këtij vendi, se sa gjithë veprimtaria e ministrave, funksionarëve apo dishepujve të stalinistëve shqiptarë. Memorie.al
Mars 2003
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016