Nga Eugjen Merlika
Pjesa e dytë
DHUNA DHE DINJITETI
“Njëri do të përdorte dhunën për të shpërbërë njeriun, ndërsa tjetri do të përdorte durimin për të ruajtur personalitetin. Ishin përballë dy forca të kundërta: dhuna dhe dinjiteti”.
Memorie.al / Në këto fjali, që vijnë në përfundim të arsyetimit mbi një ngjarje që shënon një nga pikat kulmore të romanit “Këneta e vdekjes”, të autorit Makensen Bungo, mund të përmblidhet i gjithë kuptimi i tij. Shkurtimisht është shprehur një koncept tepër i gjerë, që kalon shumë caqet e veprës e bëhet sinonim i thelbit të një periudhe historike, të cilën autori i librit dhe brezi i tij e jetuan në gjithë intensitetin e saj. Romani pasqyron jetën e përditshme në një kamp pune të detyruar, në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist, në Shqipërinë e pas luftës së dytë botërore.
Shkëputja bëhet fillimisht në familje, në bisedat e ndezura me vëllanë. Megjithëse autori nuk na e thotë drejt për së drejti, ndofta aty nis dhe rrëzimi i tij. Besnikëria ndaj partisë, në kodet e saj, detyronte paditjen qoftë dhe të vëllait, kur ai nuk është i një mëndje me të. Drama është e fortë por dhe këtu fiton ideja e qëndresës dhe e ruajtjes me çdo kusht të dinjitetit, qoftë dhe me humbje të mëdha vetjake. Gjeometër Petraqi mbetet njeri, shpreh atë që mendon duke përfunduar i dënuar në rreshtat e atyre që do të gërmojnë kanalin e tharjes së kënetës.
Është një Andrej Taganov në ton të ulët që, së bashku me polic Tafilin, i cili nuk pranon të vrasë të burgosurin që gabimisht i është drejtuar rrethimit, bëjnë pjesë në atë masë jo të paktë shqiptarësh që u zhgënjyen nga socializmi enverian. Shenjat më të vogla të këtij zhgënjimi patën për pasoja nxjerrjen jashtë radhëve e jo rrallë përndjekjen politike.
Dukuria e daljes jashtë radhëve është e pranishme dhe në kahun tjetër. Figurat e Myqeremit, të Salës e ndonjë tjetri dëshmojnë një të vërtetë të provuar: pati dhe nga ata që për arsye të ndryshme, të dhunës, mungesës së karakterit, të dobësive, kushteve familjare, ndjenjave etj., u vunë në shërbim të shtypësve e punuan kundër shokëve të vuajtjeve. Nuk është vetëm dukuri shqiptare, por përpjesëtimet e saj tek ne lenë gojën e hidhur. Autori i romanit nuk e paraqet në përmasa shqetësuese dukurinë, por ai i referohet një periudhe kohore të shkurtër e të largët. Me kalimin e kohës ajo u bë më e plotë e më e dukshme, duke lënë pasoja të rënda në marrëdhëniet mes njerëzve deri në ditët tona.
Sado i veçuar nga vendi e bota, kampi i Vloçishtit, ashtu si gjithë Shqipëria, nuk mund të mos pësonte pasojat e ndryshimeve që ndodhnin në majën e piramidës e që lidheshin me zhvillimet e kampit socialist. Ishte viti 1948, kur Informbyroja bëri të njohur raportin e saj, që i vë “vulën e zezë” Titos dhe udhëheqjes jugosllave, të cilët kanë meritën të parët të kërkojnë pavarësinë e mendimit dhe të veprimit nga Moska.
Regjimi hoxhist, pagëzuar që në lindje nga të dërguarit e Marshallit Tito, që për shtatë vjet kishte qenë në rolin e shërbëtorit të tij besnik, pëson një tërmet të fuqishëm. Ministri i Brendshëm dhe sekretar organizativ i Partisë, së bashku me pasuesit e tij, përfundojnë në hekura. Paniku kapi efektivat e Ministrisë së Brendshme, ndërmjet të cilëve dhe xhelatët e Vloçishtit, që mundohen të japin përshtypjen se do të ndryshojnë qëndrimin ndaj viktimave të përditshme të tyre.
“Të burgosurve i’u shtuan shpresat se liria nuk ishte më e largët. Ajo kishte filluar të trokiste lehtë dhe ata sikur e shihnin tani në të gjithë bukurinë e saj. Në këtë kamp ata të burgosur vetëm shpresa e lirisë i mbante gjallë, vetëm ajo ua mbante lart moralin. Ata ishin të sigurt se një ditë liria do t’u vinte, do t’i buzëqeshte, do t’i përqafonte; shpresa e lirisë herë zgjohej, herë dremiste në ndërgjegjen e tyre, po kurrë nuk shuhej. Tani ajo u zgjua…”!
U duk sikur ajri ndryshoi e të dënuarit filluan të mendojnë për kthimin në shtëpitë e tyre. Por kjo frymë nuk zgjati shumë e dhuna rifilloi kursin e saj. Sa herë në atë gjysëm qindvjete u ndërsjellën shpresat me zhgënjimet. Pothuajse gjithmonë këto ndryshime humori përkonin me çaste të ashtuquajtura “solemne”, të historisë së Partisë-Shtet, si prishje marrëdhëniesh me vëllezërit e mëdhenj, kongrese apo vdekje të çuditshme drejtuesish të lartë.
Në të gjitha këto çaste secili bënte llogarinë në vetvete mbi atë që kishte për të dhënë apo për të marrë, nëse ndryshimi do të sillte një kohë tjetër, mbasi komunizmi i kishte kthyer shqiptarët në huazuese krimesh e huajtës dhimbjesh. Në bisedat e të burgosurve shpalosej mëdyshja e veprimit të mundshëm në çastin kur xhelatët do të humbnin pushtetin. Mjegulla e hakmarrjes turbullonte shpirtrat e Zenelit me shokë që, ishin të vetëdijshëm se sa thellë kishin hyrë në llumin e krimeve.
“Kapterr Zeneli e humbi trimërinë e mëparshme…! Nuk u bërtiste të burgosurve si më parë….Kishte filluar të mos qëllonte më…! Nuk dënonte më kot. Nuk linte më njeri pa drekë. Kishte hequr dorë nga torturat në bibliotekë. Po e vriste ndërgjegjja, apo i lindi frika e hakmarrjes…”?
Zenelët do të kuptonin se sa shpirtmëdhenj ishin viktimat e dhunës së tyre, vetëm atëherë kur dielli i tyre perëndoi e kur asnjërit prej tyre nuk i hyri as ferra në këmbë prej tyre. Por dhe atëherë, në poshtërsinë e tyre, nuk patën kurajën t’a njohin këtë fakt e të kërkonin faljen, për të vdekur të pajtuar me ndërgjegjen e tyre të krimbur ose më mirë të paqenë…! Ndërsa Sopoti me shokë lirinë e donin për të shpëtuar nga ferri, në të cilin vegjetonin, për t’u kthyer në familjet, për të bërë një jetë normale, për të shkruar e për të luftuar: ”…që kjo ideologji shkatërruese të shfaroset nga vendi ynë dhe në Shqipëri, të vendoset një demokraci e vërtetë”.
Mjerisht, për ta ato ditë ishin tepër të largëta, ndërsa ju desh të përballonin tragjeditë e vdekjes së shokëve. Vullneti, i dërmuar nga ndëshkimet pa arsye, viktimë e poshtërsisë së karakterit të një të burgosuri spiun që, për inate vetjake, shkarkonte mbi të gjithë mërinë e dhunën e komandës, nuk mundi më të përballojë fizikisht e psiqikisht të keqen. Bota i’u errësua në lulen e rinisë, sythet e shpresës u venitën, nëna dhe motra e vogël që prisnin në shtëpi, nuk patën fuqi t’i forconin durimin e qëndresës. Kështu një natë të vonë, ndërsa shokët flinin, në vetmi, i ngushëlluar vetëm nga tymi i duhanit, ai mori vendimin fatal. Ju drejtua telave të rrethimit, nga ku breshëria e plumbave të “rojës së revolucionit”, do t’a niste për në botën e përtejme.
Tepër i trishtueshëm është dhe rasti i Salës. Ndërgjegjja e vrarë për pozitën e vet prej spiuni të komandës, fiton mbi përfitimet që i vijnë nga ai shërbim. Ai e quan të padenjë jetën e tij e, në vetvete, vendos t’a ndërpresë atë. Kapitulli i veprës, që përshkruan tragjedinë e tij, ndër më të bukurit e më prekësit e romanit, titullohet “Martesa”. Ajo na sjell ndër mënd një këngë popullore të kurbetit: “Në të pyetët nëna për mua / Thoni djali t’u martua /Në të pyetët se ç’nuse muar/ Dy plumba në kraharuar…”! Para martesës, siç e quan me qesëndi ai vdekjen, ndjeu nevojën të takojë shokët, me të cilët marrëdhëniet ishin ftohur mbas ndryshimit të tij. Vetëdija e fajit, e poshtërimit, e shkeljes së parimeve, të idealit, të besës shkaktojnë dhimbje të papërballueshme. Para se të paraqitet në gjyqin më të lartë, Sala ndjen nevojën e brendshme të rrëfehet me shokët. Kështu ai thyen akullin e shkon e ulet në mes të Sopotit e Hasanit, shokëve të shkollës, të hetuesisë, të gjyqit.
Ju flet atyre me zemër në dorë: ”….Por dijeni, ama, se këtë punë të ndyrë unë kurrë nuk e kam bërë me dëshirë, por vetëm nga e keqja, nga vuajtjet, nga tmerri. Unë nuk rezistova dot. U përkula, u mposhta, u zhyta në llumin e turpit…! Por dijeni mirë se, për ju nuk kam thënë asnjë fjalë të keqe, asnjë, asnjëherë. Edhe më kanë frikësuar për ju, edhe më kanë rrahur, edhe më kanë torturuar, por nga goja ime nuk ka dalë ndonjë fjalë për ju. Asnjë. Për të tjerët kam thënë, por jo ndonjë fjalë që t’i rëndonte, kurrë, në asnjë rast. Këtë e di Zoti që është lart në qiell…”!
Sala i penduar, gjykatës i paanshëm e i rreptë i vetvetes, kërkon faljen e shokëve. Burrëria shqiptare e njerëzore ndoshta sugjeron këtë zgjidhje si, më të mirën e gjykimeve mbi këto plagë të hapura, që na ka lënë ende një e shkuar e dhimbshme e shpesh e turpshme. Shokët e falin, e quajnë përsëri shok, e fusin në gjirin e tyre. Për të ky gjest është shëlbues dhe e bën që të shkojë i qetë drejt “nuses shumë të bukur, yll e hënë, të veshur me të bardha”. Është një skenë tragjike, e denjë për penelin e një kryemjeshtri të pikturës: Sala hedh hapat drejt telave, shokët të shtangur i luten të kthehen, ndërsa ai vazhdon duke kënduar “këngën e mjellmës”.
“Unë kurrë s’kam qenë i poshtër. Kurrë! Të lig e të poshtër më bëri komunizmi. Vëllezër! Kurrë mos e harroni komunizmin ! Kurrë!” Është porosia e fundit e një njeriu, të cilin regjimi në të cilin jetoi, i shkatërroi gjithçka, i vrau respektin për veten, i mori jetën në lulen e moshës. Mesazhi i kësaj skene është tepër i fortë. Ai i ngjan një simfonie bet’hoveniane që nuk njeh kufij kohe e hapësire, që hyn thellë në shpirt e bën të mendosh gjatë mbi thelbin e saj.
“Mallkimi i nënës”, titullohet kapitulli i fundit i romanit. Është meritë e autorit që, nga ana emocionale dhe artistike, romani shkon në rritje. “Një tis dëbore po shtetëzohej edhe mbi kënetë. Ata punonin në mes të kënetës së ngrirë si fantazma dhe në kamp ecnin ngadalë, të heshtur, të rraskapitur, si hije në muzg. Të moshuarit filluan të lenë amanetet e fundit…”!
Në këtë pjesë jepet bukur ideja e një diçkaje që shkon drejt fundit. Afrimi i dimrit bën të pamundur vazhdimin e punimeve. Të burgosurit gëzohen kur marrin vesh se do të kthehen në burg, në dhomat e pa ajrosura e të qelbura. Atje nuk do të kenë për detyrë normën e përditshme, as për dënim të përditshëm shkopinjtë e policëve. Por fytyrat e tyre nuk e shprehin gëzimin. Shikimet e tyre treten lart në qiell, madhështinë e të cilit do t’a dëshirojnë, e poshtë nën tokë ku duan të përshëndeten me shokët e mbetur përjetë aty, në baltën e kënetës.
Ata, të rënët e baltërave të Maliqit, ishin kubanët që duhej t’i thereshin tharjes së kënetës, siç ishin të tjerë që u flijuan në të tjera kampe, në të tjera “vepra të socializmit”. Numri i tyre është i panjohur, siç janë të panjohura dhe varret e tyre, siç është e panjohur për pjesën më të madhe të shqiptarëve dhe historia e tyre.
- I lamë në këtë kënetë, por jo për t’i harruar.
- Me siguri do të vijë një ditë që ata do të kujtohen.
- Dhe populli do të ngrejë një memorial.
Se sa profetike ishin këto parashikime të shokëve që mbijetuan mund të vërtetohet nga fakti se asnjë përmendore nuk u ngrit për ta, asnjë rrugë apo shkollë në Shqipëri nuk mban emrin e tyre. Ata mbetën “armiq” siç mbetën “heronj” varrmihësit e tyre. Shqipëria zyrtare “demokratike” e njehsoi historinë e tyre me disa letra… pa vlerë. Madje dhe Europa tërthorazi na thotë se kujtimi i tyre nuk i shërbeka ecjes përpara, mbasi kujtesa historike duhet të funksionojë, por për viktimat e nazifashizmit…!
Ata mbetën në kujtesën e shokëve, të bashkëvuajtësve, të familjarëve, por dhe në kujtesën e Kombit, mbasi Kombi është i përjetshëm. Kësaj kujtese i shërben dhe romani i zotit Makensen Bungo, që përfundon me një mallkim, me mallkimin e një nëne, e nënës së Vullnetit, që nuk u kthye me shokët në burg, që mbeti larg, përtej “Urës së Qabesë” të Shqipërisë komuniste.
Romani ja ka arritur qëllimit në tërësinë e tij. Ai e ka realizuar porosinë e Hamletit. Lexuesi ngulit në mëndje një të vërtetë të hidhur, të trishtuar, por gjithmonë një të vërtetë, larg paçavureve të një tjetër “Kënete”, që mund të quhet një manual i përsosur dezinformimi. Jam i mendimit se përkthimi e botimi në gjuhë të huaja do të ishte mjaft i dobishëm. “Këneta e vdekjes” , me stilin e saj realist e dinjitoz, do të shërbente për të shpërndarë mjegullnajën e mashtrimit që mbulon të vërtetën e një epoke. Më duket e udhës të falënderojmë shkrimtarin për punën e tij të lëvdueshme e të urojmë që sa më shumë vepra të këtij lloji të shohin dritën në letrat shqipe. Memorie.al
Maj 2002
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016