Nga Marçel Hila
Memorie.al/ I zhdukur: Mark Tushi, pushkatuar nga regjimi. Vuajtës: Lin Mhilli, i biri, fëmija i një njeriu të pushkatuar. Mark Tushi nga Puka punonte në kullën e Kolë Bibë Mirakës. Ishte 30 vjeç kur partizanët e Brigadës IV-të e pushkatuan. Trupin i’a hodhën në një gropë në mal.
Tre muaj më pas, kushërinjtë e tij shkuan e zhvarrosën dhe e futën fshehurazi në varret e familjes së tyre. Tashmë ata kanë vdekur të gjithë dhe lind nevoja të identifikohen eshtrat përmes ADN-së, për t’i nxjerrë dhe për t’i vendosur në një vendvarrim të veçantë, siç është e drejtë për çdo qenie njerëzore.
Dëshmon Lin Mhilli, i biri
Tridhjetë vjeç. Asnjë nga skuadra e zjarrit s’e shënjoi. Shkoi komandanti dhe i ra me pistoletë kresë…! E morën, e çuan në mal, e futën në një gropë, e lanë atje dhe ikën. Populli duhet ta dijë këtë të vërtetë!
Zoti Lin, ju falënderoj që keni pranuar të jepni këtë intervistë për Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Le të fillojmë duke sqaruar se: cila ka qenë arsyeja që babai juaj është arrestuar dhe pushkatuar?
Arsyeja e babës tim ka qenë si po ta them: Ky ishte martuar me nënën time në vitin 1942 dhe jetonte, jo në shtëpinë e vet, por te nëna ime, jetonte bashkë me nënën e nënës. Ka pasë punuar te kulla e Kol Bibës, kur ka qenë Kol Biba ministër…!
Kol Bibë Miraka?
Po, që ka qenë ministër i Brendshëm. Kur erdhi komunizmi, në ’45-ën, kanë ardhur dhe e kanë marrë te shtëpia, e kanë lidhur dhe e kanë marrë për konop Brigada IV-të partizane, me komandant Mit’hat Goskova nga Korça dhe me komandant operacioni, Koçi Topçe dhe Koçi Kolloquku. Të dy e kanë qëlluar në ballë, në oborr të kullës, që në atë kohë ishte bërë oborr i Qendrës së Policisë, e kanë marrë dhe e kanë pushkatuar.
Babai ishte në moshë 30 vjeç dhe asnjë nga skuadra e zjarrit s’e ka shënjuar, s’e ka kapur plumbi. Ka shkuar komandanti i operacionit, Koçi Topçe, dhe i ka rënë me pistoletë kresë. Ai u rrëzua mbrapa. E kanë marrë, e kanë çuar në mal, e kanë futur në një gropë atje, e kanë lënë dhe kanë ikur e kanë shkuar.
Gjyshja ime, nëna e nënës, ka qenë larg e ata i kanë thënë: “Ça lip ti këtu, moj…”?! U ka thënë kjo: “Kurrgja, veç kam dal me pa, për ashtu….”! “A e ke gjë këtë”? “Jo, jo, nuk e kam gjë, vetëm më erdhi keq kur e pashë që e keni pushkatu”. “Ik, largohu”! Është larguar kjo e shkreta, ka ardhur te shtëpia natën.
Ju vetë, kur e keni marrë vesh vrasjen e babait?
Unë e kam marrë vesh kur kam shkuar në shkollë, mbas 7 vjetësh; kur kam shkuar në shkollë, më thoshin njerëzit: “Ti ke biografi të keqe”. Mësoja bukur mirë, mirëpo nuk më preferonin njerëzit dhe as nuk më thërrisnin nëpër dasma, as nuk më thërrisnin në konakë… nuk më thërrisnin në festa, se e ke babën të pushkatuar dhe ti nuk duhet me ardhë në shtëpitë tona. Atëherë e kam kuptuar se pse është pushkatuar babai im dhe si ka qenë puna.
A është treguar ndokush i gatshëm për ta ndriçuar situatën për arrestimin dhe pushkatimin? A ju ka treguar kush prej atyre që kanë qenë të pranishëm? A i keni takuar ndonjëherë?
Po, po, me ata që kanë qenë partizanë.
Kë keni takuar prej tyre?
Kam takuar një Zef Marashi, ka vdekur tani. Zef Marashi ka qenë komshiu ynë aty, e ka qenë partizan aty. Ai ma ka kallëzuar krejt historinë qysh ka qenë.
Ç’ju ka treguar ai?
Ai më tha: Unë s’kisha çfarë të bëja, se isha partizan. Kemi ardhur, tha, dhe e kemi marrë te shtëpia. Unë nuk mund të flisja me ta, por, tha, kisha dhimbje për të, se komshi, dashamir…! E kemi marrë dhe kemi shkuar, por ju kanë thënë se do t’i rrihnin dhe do t’i torturonin. Babai u ka thënë: “Shiko, për të pushkatuar, më pushkatoni, bëni çfarë të doni, por kush mos më prekë”! S’e kanë prekur me dorë, nuk e kanë tranu, kështu, vetëm se i lidhnin ashtu dhe e kanë qitë atje, dhe skuadrës së zjarrit i dha urdhër komandanti me hapë zjarr, po nuk e mori asnjë plumb! Atëherë shkoi ky, komandanti, dhe i tha: “Ere, qerrata, nuk u rrëzove…”?! dhe nxori pistoletën e i ra pam, pam, kresë…! U rrëzua, tha, nxori shaminë prej xhepi, e fshiu gjakun dhe vdiq. Atëherë, edhe ne jemi larguar.
Kush e nxori shaminë prej xhepi?
E nxori baba vetë.
Ashtu me dy plumba?
Me dy e me tre në krye, në atë moment e nxori shaminë dhe fshiu gjakun… me dor’ të vet, i rrëzuem. Ma ka thënë ai, te shtëpia ime, jo një herë, por disa herë kur vinte, se e ka pasë shumë dashamirës babën tim. Ka vdekur, i shkreti! Edhe fëmijëve u ka marrë flokët ai, aq dashamirës e ka pasur babën tim.
E keni pasur kumbarë?
Po, po, kumbarë.
Më lejoni t’ju bëj një pyetje pak më ndryshe. Sikur të kishit takuar rastësisht ata që e kanë vrarë babain tuaj, si do të kishit vepruar?
Po çfarë me të thënë, mor’ burrë?! Unë nuk e di sesa rroj, veç me merak jam, me të thanë të drejtën.
A dini gjë, jetojnë apo kanë vdekur?
Ky, Mit’hat Goskova, ka vdekur vonë; ka qenë me shtëpi në Tiranë, më kanë thënë, por unë shtëpinë s’ia kam ditur. Mit’hat Goskova, komandant i Brigadës IV, e ka pasur shtëpinë në Tiranë e ata dy të tjerët kanë vdekur në Korçë, domethënë në vend të vet, Koçi Topçe e Koçi Kolloquku, që kanë qenë komandantë operacioni. Më kanë thënë të tjerët, se unë një vjeç e gjysmë kam qenë në atë kohë, por ky, Mit’hat Goskova, që ka qenë komandant brigade, ka vdekur në Tiranë, pasi ka punu shumë vite si prokuror, apo kryetar gjykate m’ë kanë thanë.
Sikur t’i kishit takuar këta që ju kanë vrarë babain, si mendoni se do të kishit vepruar?
Qysh kisha vepruar…?! Unë, për Zotin, me të thënë të drejtën shpirtërore, me merak kam qenë, po edhe me u taku me ta kam pasë pak zor, se nuk është gjë e vogël që një njeri që të ka bërë një të keqe….! Po unë s’e kam takuar, e me merak e kam, për Zot, se nuk e kam takuar, se mua nuk ma ka diftue kush: njerëzit ma kanë thënë mbrapa. Më pati thënë një se këtu ka qenë me shtëpi, e harroj tash, po më pati kallëzue se ku e ka shtëpinë, por ka vdekur, në Tiranë ka vdekur, mbas demokracisë ka vdekur…!
Ç’nënkupton me shprehjen “me merak e kam”?
Po me merak e kam se….çfarë të të them….! Me të lënë… ose me të pushkatue robin e shtëpisë, me ta mbytë kush babën, siç ma bënë mua që më ka lënë 1 vjeç e gjysmë në një shtëpi dushku në atë kohë, edhe me halle në atë kohë dhe tërë jetën, pasha Zotin, derisa ka hy demokracia, unë, domethënë, e kam kaluar jetën veç me “ulë kokën e këqyrë”…!
Në qendrën e punës ku punoja, jam çuar e kam folur një herë. U çova të diskutoja dhe ai, kryetari, se ka pasur komitete profesionale atëherë, dhe ky ishte kryetar i Komitetit Profesional të rrethit, më njihte mua. Pyeti instruktori i Komitetit të Partisë: “Ç’është ky që foli”? Ai tha: “Ky e ka biografinë e keqe! Ulu, ulu, – tha – nuk kemi nevojë të ta dëgjojmë zërin të flasësh më! Ti të punosh e të rrish me kryet ulur”! U kthyen punëtorët duke më këqyrë; ishim 200 punëtorë në mensë. Ndenjën duke më këqyrë punëtorët dhe, pasha Zotin, derisa të vdes nuk e harroj, kur më ka ulur ai aty dhe atëherë, ec e fol…!
Çfarë me folë?! Për Zot, nuk fola ndonjë gjë, pale kështu! Unë fola për punë të punës, punë të kushteve e kështu sendesh. “Ulu, ulu, – tha, se i tha ai tjetri: “ka babën e pushkatuar”. Ti, – tha, -s’ke as të drejtë fjale! Ti ulu e të rrish ulur”!
Atëherë bënin njerëzit dasma, martoheshin, bënin festa e unë nuk mund të shkoja askund, as djali, fëmija im mos të shkonte kund. Bile ka pasë shkuar djali në një vdekje, se ka pas vdekur një komshi e i kishin thënë anëtarët e Partisë: “Ti të shkosh në punën tënde”? “Po pse”? “Se nuk lejohesh!” Kur u ktheva në mbrëmje në shtëpi, e kam gjetur djalin duke qarë. I thashë: “Çfarë ke”? Tha: “Për Zot, mor’ bab’, unë shkova se pat vdekur Kola, Kolë Pjetri, e u bashkuan e më thanë: Shko në shtëpi!”.
E gjeta duke qarë e i thashë: “Hajt, mor’ babë, se nuk u bë nami, ani”!
Pra, kemi vuajtur shumë, unë me gjithë motrën time. Motra ka 8 vjet që më ka vdekur. Për Zot, kemi vuajtur kaq sa…, në një shtëpi dushku, edhe ajo duke pikuar brenda. Aty edhe nëna ime, edhe nëna e nënës….kurrë zjarri nuk na ngrohte. Unë e motra ime pranë lopës mbuloheshim me velenxë…!
Kur e kanë pushkatuar babën, shtëpinë e të atit të tij i’a kanë djegur. I’a kanë marrë gjënë e gjallë krejt e i’a kanë djegur shtëpinë. Atëherë, ne jetonim në shtëpi të nënës së nënës, se i kishte vdekur i shoqi e i biri dhe kishte mbetur vetëm me çikën, nënën time. Nëna ime ka vdekur në moshën 59 vjeçe, prej vuajtjeve. U ftoh, e çova dhe në spital ku ndenji 10 ditë e mbas 10 ditësh mbaroi. Bile, e dëgjoi Zoti, se atë natë e lashë punën herët dhe shkova tek ajo e përnjëherë vdiq. Për Zot, 41 vjet janë bërë që ka vdekur dhe s’ka ditë që nuk më bie ndër mend për të, për nënën time….kështu.
A keni mundur të shpëtoni e të ruani ndonjë send personal prej babait tuaj?
Ka pasur vetëm një sahat që e mbante këtu në xhep, asnjë send tjetër.
A keni vuajtur nga dhuna psikologjike? A ju kanë fyer ju dhe fëmijët tuaj?
Jo, dhunë fizike jo, se që kur filluam me mbajt mend e me ditë se çfarë është pushkatimi, e çfarë është regjimi, nga ajo kohë e mbrapa kemi ndenjur urtë, kemi parë punën tonë dhe punë, se për Zot, me poshtërsi, as unë e as motra ime, kurrë s’jemi marrë; nëna ime jo e jo, asnjëherë. Për Zot, atë frikë që kam pasur atëherë që më thoshin njerëzit për punë të biografisë… edhe sot dua të mos e shkel ligjin e shtetit dhe të mos bëj asnjë gabim. Pasha Zotin, në jetën time s’kemi pasur bukë të hamë, por një gjë s’ia kam prekur kujt, asnjë gjë më të voglën! Edhe sikur ta gjeja një gjë në rrugë, pasha Zotin, s’e kam marrë. Pse? Se kam pasur frikë, kam pasur frikë se më fusnin në burg, se ishim ndryshe… ishim veç të tjerëve në lagje. Jo, nuk na kanë torturuar, se kemi parë punën tonë, veç me punë…
A keni vuajtur ekonomikisht?
Në atë kohë kemi vuajtur për gjithçka, por për nënën time dhe nënën e nënës sime, që ishin vetëm nën një shtëpi dushku, për Zotin…! Vetëm dy lopë kishim e nga ato lopë kishim tambël, kos, djathë, por bukë e kështu s’kishim. Veç shkonin të merrnin te komshinjtë 5 kile drithë në një vend, 5 në një tjetër dhe i sillnin. Kur i thosha: “Nanë, na jep bukë, se do të shkojmë në shkollë”, ma kthente “hani djathë pa bukë dhe kos, se nuk e kemi gati, kur të vini, e gjeni gati”. Ato s’kishin fare, por shkonin e merrnin te ndonjë komshi a ndonjë dashamir i tyre, merrnin 5 kile drithë, shkonin në mulli, e bluanin e më pas e gjenim gati në mbrëmje, por ditën tjetër s’kishte më e s’kishin ku të merrnin se, në fakt, atëherë ka qenë fukarallëk për gjithkënd e shumica nuk kishin. Por ne s’kishin gjë hiç, vetëm po ato lopë, që i ka mbajtur nëna e nënës sime. Dy lopë, viça, kishim tambël e kos, tjetër gjë jo, pemë pak, rrush hiç, kurrgjë domethënë.
Rrogat ishin të vogla?
Rrogë? Çfarë rroge, more? Derisa u futa unë në punë, në moshën 14-vjeçare…! 14 vjeç kam dalë e kam filluar punë. Më futi drejtori i stabilimentit të Fushë-Arrëzit, Dali Hasani, të hiqja tallashin. Punova nja 6 a 8 muaj, nuk e di, për Zot, dhe më raportuan e donin të më hiqnin nga puna. Po pse më hiqnin? “Se është me biografi të keqe dhe mund të djegë stabilimentin”. E më hoqën prej aty. Më thotë Dali Hasani: “O Lin, jam i detyruar të të heq, por po të çoj gjetiu”. “Po pse, more”? “S’po të them se pse”!
Por unë e mora vesh mbrapa se për çfarë dhe vunë një tjetër aty. Më hoqën prej stabilimentit e më çuan në pyll, pastaj ndoqa një kurs për moto-sharrën. Mora moto-sharrën e nisa të pres dru në pyll. 30 vjet e 8 muaj kam punuar në stabiliment të Krrabit, në borë e shi, 30 vjet pa ndërprerje. Atëherë sigurova bukë, bukë kisha. Bëra dhe një shtëpi me dërrasë e me kështu, e mbrapa bëra dhe një tjetër shtëpi, se u rritën fëmijët e mi. I futa në punë dy, edhe vetë në punë dhe me punë e bëmë edhe shtëpinë tjetër, mirë boll, në ’93-in. Në janar në ’93-it erdhëm në Tiranë e jemi në Laprakë.
Si e keni përjetuar mungesën e babait gjatë jetës suaj?
Ej, pasha Zotin, si nuk e kam ndier…që kur jam bërë me mbajt mend e mbrapa, s’më ka dalë nga mendja. Si s’e kam ndier, more?! Kur s’e ke babën…!
Me të thënë të drejtën, babai im ka lënë dashamirës shumë: njerëzit dhe Zoti më kanë ndihmuar edhe me vënë kulturë, edhe respekt, edhe dashuri, edhe me vënë gjë. Më kanë ndihmuar shumë njerëzit e vjetër në atë kohë. I kujt je ti? Jam i Mark Tushit. Uuuu…! Mark Tushit që kanë pasë pushkatue?! Po! Ma merrnin dorën e më thoshin: “Hajde të rrimë 5 minuta bashkë. Eh, çfarë babe ke pas’, more Lin! Ti shiko, ti bëj kujdes ta mbash autoritetin e babës, respektin! Ke pasë një bab’ të shoqërueshëm, ke pasë një bab’ të mirë e besnik.” Edhe unë, pasha Zotin, jam munduar, kam përfituar shumë prej atyre njerëzve në atë kohë. Edhe me punë, edhe me e mbajt respektin, po edhe me pasë kujdes për çdo gjë, se ata ishin tamam me kulturë e tamam me burrëri, e jo me poshtërsi, si p.sh. të më thoshin mua: “babën e ke pasë e ka shku, po ti bëj çfarë të duash”.
Mos e dhëntë Zoti, edhe unë, pasha Zotin, i kam dëgjuar e ua kam parë hairin atyre të vjetërve që më kanë edukuar në atë kohë. Po, për Zot, më kanë dhënë edukatë sikur baba e edukon fëmijën, se vërtet nëna e rrit dhe e mban, por për ta edukuar fëmijën, e edukon babai. Unë s’kam pas babë, veç ato dy plaka, nënën dhe nënën e nënës, s’kam pas…! Edhe motrën time.
A e ke kërkuar praninë e tij ta kishe krah teje, duke ecur në jetë? Në cilat momente e ke kërkuar më shumë? Kur je martuar? Kur je bërë baba vetë?
Pasha Zotin, unë jam martuar 18 vjeç. Atëherë, nëna ime dhe gjyshja mendonin të më martonin sa më shpejt e, pa mbushur 18, pata shkuar për bashkim familjar në gjykatë, sikur ishim bashkuar pa vënë kurorë. Në fund të vitit të dytë që u martova, më lindi djali i parë; ky i dyti më ka vdekur para një muaji. Për Zot, gëzim më të madh se kur më lindi djali nuk di; edhe nëna e gjyshja po ashtu, kur lindi djali i parë.
Edhe kur u martova, s’ishte babai, edhe kur lindi djali, s’ishte babai, pra, unë babën s’e kam hequr kurrë nga goja, qysh kur jam bërë për të kuptuar ç’është babai, pra qysh 7 vjeç e mbrapa, prej mendjes nuk më ka dalë dhe deri kur të vdes nuk më del. Po kështu edhe për nënën.
41 vjet mbushi tash nëna që më ka vdekur, më 29 prill, pasha Zotin, s’ka ditë të të madhit Zot që nuk më bie ndër mend për ta. Unë e kam thënë edhe ndër njerëz, pasha Zotin, me ardhë puna me thënë se kush do të jetojë edhe 5 vjet a 6 vjet, kaq vjet unë do t’ia falja nënës sime, kurse gjyshes vetëm 1 vit, veçse të më shohin se ku jam sot e si jam sot, se aq shumë merak më kanë pasur. Nëna ime çohej e shkreta, për gjithë natën, për ta pastruar atë shtëpi. E çfarë të pastroje në një shtëpi dushku: pikonte natën, ishte me dhé e ashtu, oborri ashtu etj. Sot, prej Zotit e me mundim të krahëve tanë, një lek qyl deri më sot në atë shtëpi time nuk ka, e di edhe kush më njeh, vetëm me mundim e me punë.
Pra, ta shikonin si jetoj e si kam ardhur në këtë gjendje, ta shikonin, se çfarë s’kanë vuajtur ato për mua në atë kohë. Kemi vuajtur shumë, për Zot! Kush nuk e di, veç ai që…!
Si e keni pritur rënien e komunizmit? Ku keni qenë, sa vjeç ishit në atë kohë?
Si e kam pritur? Për Zotin, e kam pritur aq sa s’kam pasur gëzim më të madh, as kur më ka lindur fëmija, as kur jam martuar, as kur… e çfarë të të them kur ra komunizmi…!
Sepse unë të thashë, kur s’ke mundësi të shkosh në një dasmë, kur s’ke mundësi të shkosh në një darkë tek ai tjetri, se….ose p.sh., ai kishte qejf të të thërriste, por s’mundej të të thërriste prej të tjerëve, kishte qejf të rrinte me mua, por s’mund të rrinte…!
Unë punoja në Krrabë. Ne kemi mbajtur derra, u kemi thënë “thi”, por tash u themi “derra”. E theri shoku me të cilin punoja dhe më thotë “sonte të vish”. Ishim 4-5 punëtorë që punonim me të. Shkuam ne. Sekretari i Partisë, një mësues, kishte dalë për mbledhje dhe atje dëgjoi se ky shoku kishte prerë një thi. Erdhi në oborr, na pa nga dritarja dhe më njohu, se ishte ndezur drita elektrike, edhe i tha, por unë e dëgjova: “Unë po vija se ke prerë thiun, por nuk mund të vij, se ke Linin, Lin Markun atje”. Nuk e di çfarë tha tjetër, por unë e ndjeva dhe kur hyri brenda, i thashë: “O Dedë, – se i thoshim Dedë atij, – po iki, se një gjysmë ore duhet të shkoj në shtëpi, por thuaji atij të vijë”. “Çfarë po thua, more?” – më tha. – “Kurrë mos ardhtë më në shtëpinë time! Ne punojmë bashkë, jetojmë bashkë, pasha Zotin, s’të le të shkosh askund”!
Si e pritët rënien e komunizmit?
Isha rreth 47 vjeç në fshat. Erdhi djali, se e kisha në shkollë në Tiranë, një vit më parë pati shkuar, bile Deda ka qenë në demonstratë me studentët atëherë. Djali erdhi në fshat për të bërë mbledhje. Pasha Zotin, nuk e besoja. Thoshte djali: “Ka falimentuar kjo punë, është kryer kjo punë!”, prapë s’e besoja, more vëlla i dashur. S’e besoja, se s’ka mundësi, more, se ishte e fortë kjo punë. Nuk e besoja që s’e besoja. “S’ka mundësi, more bab’”. “Po ti, a e ke parë protestën që kemi bërë ne studentët”?! Djali i madh, Mëhilli, me nja 3 shokë, krijoi seksionin e Partisë Demokratike në fshat. Në Laprakë erdhëm më 20 janar ’93.
A dini gjë për vendvarrimin e të ndjerit babait tuaj?
Mbas tre muajsh, kur ikën partizanët dhe nuk kishte më njerëz të Brigadës IV-të, kanë shkuar tre kushërinjtë e mi, kanë marrë dhe nja dy kumbarë të vetët e kanë hetuar vendin. U kanë pas kallëzuar se ku ishte hedhur, edhe ata e kanë nxjerrë dhe e kanë futur fshehurazi natën në varrezat e veta, në varret e veta. Tashti aty në varre janë edhe të katër vëllezërit, se kanë vdekur të gjithë. Ato kanë pasë si zakon që femrat i vinin veç, meshkujt veç. Edhe babai im është me ata në varr.
Ju prisni vetëm që të kryhen analizat?
Po, analizat që të gjej eshtrat e babait. Kam dëshirë t’i nxjerr dhe t’i vendos te varri i nënës….të mund ta bëj, se s’më del shpirti. Kam merak të gjej edhe ndonjë fotografi të babait.
Keni të drejtë, do të bëjmë çmos! Zoti të mbroftë! Faleminderit shumë për intervistën. Shumë respekt për vuajtjet e padrejta që keni kaluar.
Faleminderit ju more zotni që po interesoheni për vuajtjet tona./ Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016