NIKOLLË LOKA
AV. ALFDRED DUKA
NIKOLIN KURTI
Pjesa e pestë
PSE NUK QËNDRON AKUZA POLITIKE PËR KOLABORACIONIZËM?
-Vazhdues i traditës së klerikëve katolikë atdhetarë –
Afrimi me italianët është motivuar edhe nga nevojat e shumta ekonomike të Kishës Katolike Shqiptare!
Edhe me studime në shërbim të kombit të vet
Një përpjekje e parë për të organizuar veprimtarinë shkencore u bë më 1940-ën me krijimin e Institutit të Studimeve Shqiptare në të cilin, në kushtet e pushtimit italian, u përfshinë studiues të njohur shqiptarë dhe italianë, të gjuhës, letërsisë dhe të artit. Kryetar i parë i këtij Instituti ishte Ernest Koliqi dhe sekretar i përgjithshëm, Zef Valentini, ndërsa ndër anëtarët, kishte intelektualë të shquar si: Aleksandër Xhuvani, Ekrem Vlora, Eqrem Çabej, Karl Gurakuqi, Kolë Kamsi, Lasgush Poradeci, Lazër Shantoja, Sotir Kolea, Vangjel Koça etj.
Më 1942-in u quajt Instituti Mbretnuer Shqiptar, në varësi të Kryeministrisë. Në periudhën e pushtimit gjerman (1944) Instituti u riorganizua dhe u quajt Instituti për Studime e Arte, me zgjerimin e fushave të kërkimit e të numrit të studiuesve, tanimë vetëm shqiptarë, të ndarë në tri degë: gjuhësi, arte dhe shkenca natyrore e teknike.
Ndonëse nuk kaloi gjatë Luftës në rolin e intelektualit të angazhuar politikisht, Kurti nuk mund të qëndronte indiferent ndaj fatit të kombit të tij. Ai ishte i gatshëm të ndihmonte, sapo ajo ndihmë t’i kërkohej. Në vitin 1944, drejtor i Institutit për Studime e Arte, ishte Odise Paskali. Ai e ftoi Dom Shtjefën Kurtin për bashkëpunim, pasi i kishte aftësitë për t’u angazhuar në punë kërkimore shkencore.
Në letrën e Paskalit shkruhet:
Institutit Shqiptar për Arte krijoi në gji të vet një seksion të veçantë, Seksioni ‘Kosova’, dhe formoi një Komision të posaçëm i përbërë prej studionjësish t‘onë të çështjeve etnike shqiptare dhe prej intelektualësh të Kosovës. Qëllimi i këtij seksioni të ri dhe i këtij Komisioni është, mbledhja e lëndës dhe e dokumenteve mbi çështjen historike, ekonomike, shkencore dhe përgjithësisht kulturore që kanë të bëjnë me Kosovën dhe viset e tjera të Shqipërisë etnike. Por që t’arrihet sa ma mirë dhe sa ma shpejt kjo ndërmarrje patriotike, Komisioni ‘Kosova’ e gjen të nevojshme bashkëpunimin sa më të ngushtë me gjithë entet private që dëftojnë kompetencë në ndonjërën nga degët që janë shënuar në listën e bashkangjitur, dhe jo vetëm për sa i përket Kosovës, por dhe viseve të tjera të Shqipërisë etnike.
Duke e çmuar kontributin t’uej patriotik, ky Institut ka për të pritur me gëzim çdo punim ose studim t’uajin që përfshihet në degët e listës së bashkangjitur si dhe çdo dokument historik, antik etj…, që mund t’i ruani ju ose miqtë juaj, që kanë për të qenë të dobishëm në formimin e një dokumentari historik dhe të koleksioneve të ndryshme që do krijohen pranë Seksionit ‘Kosova’. Kontributi i juaj, i çfarë do natyre qoftë, ka për të patur si pas rasës dhe një shpërblim në të holla, në sasinë që do të caktohet nga Komisioni ‘Kosova’.
Nuk ka të dhëna se në çfarë fushe u aktivizua Shtjefën Kurti, por dihet se Instituti në fjalë kreu studime në fushën e toponimisë dhe zëvendësoi toponimet sllave me toponimet shqiptare të vendbanimeve të Kosovës, ku ndihma e Shtjefën Kurtit, si njohës i mirë i Kosovës, ishte me shumë vlerë.
Në ditët e para të pasçlirimit
Frymën e bashkëpunimit Kurti e manifeston edhe me Komandën Ushtarake Partizane, vetëm pak ditë pas çlirimit të Tiranës, kur ende Shqipëria nuk ishte çliruar plotësisht:
Zyra Famullitare
E Kishës Katolike
Tiranë 22.XI.1944
Pro.Nr.366/44
P.T.Komandës së Qarkut Tiranë
Tue kenë se këtij Komuniteti po i mungon buka, e nga furrat nuk po mund të merret, i nënshkruami lutë Atë Komandë, me lejue sjelljen e nji sasije deri në dy kuintal grunë a miell misri.
Famullitari
Don Shtjefën Kurti
Largimi i pushtuesve, në kushte të tjera do të përbënte gëzim të madh edhe për klerikët, por marrja e pushtetit nga komunistët nuk i përshtatej idesë së tyre të lirisë dhe të drejtave të njeriut, që në Shqipëri nuk ishin zbatuar asnjëherë, por nën komunistët do të nëpërkëmbeshin më shumë. Megjithatë, Kisha ishte e pritur që t’i bashkohej gëzimit popullor për çlirimin e vendit dhe t’i shtrinte qeverisë së re dorën për bashkëpunim. Me këtë rast duhet theksuar se, pavarësisht propagandës së shfrenuar për “gëzimin e madh popullor me rastin e bashkimit të Shqipërisë me Italinë dhe të mirat e këtij bashkimi”, Kisha Katolike si institucion dhe as kleriku Kurti, si pjesë e saj, nuk i’u bashkua propagandës fashiste dhe nuk organizoi ceremoni fetare për t’a përligjur pushtimin. Pa propagandë dhe me vepra, Kisha Katolike Shqiptare, kishte qëndruar afër aspiratave të popullit të vet.
Me një shkresë të veçantë, Dom Shtjefni fton drejtues të Komandës Ushtarake Nacionalçlirimtare: “Të martën, më 28 Nëntuer, me rastin e përvjetorit të Pavarësisë Shqiptare, n’orën 9, do të këndohet nji “Të Deun” në Kishën Famullitare Katolike Tiranë, te Shëtitorja e Madhe. Kemi nderin me grishë auktoritetet ushtarake t’asaj Komande, me marrë pjesë në ceremoninë e rastit. Bashkangjitur po ju dërgoi edhe programin e festës“.
Në “Te Duem” kishte marr pjesë edhe gjeneral-Major Mehmet Shehu. Po atë ditë, Dom Shtjefën Kurti kishte qenë në tribunë me rastin e paradës së fitores së forcave të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, krahas drejtuesve të tjerë të komuniteteve fetare. Pengesat ndaj Kishës, nisën që në ditët e para të pasçlirimit. Dom Shtjefni i informon autoritetet shtetërore të pushtetit të ri, për neglizhencën e treguar në ndriçimin e Tiranës për Krishtlindjet e vitit 1944, një praktikë, që mesa duket zbatohej rregullisht:
Zyra Famullitare
E Kishës Katolike
Tiranë
Prot.Nr.403/44
Tiranë 24.XII.1944
Këshillit Nacjonal-Çlirimtar
Kryesia e Këshillit të Qytetit
Tiranë
Mbasi prej autoriteteve nuk na asht sigurue ndriçimi i dritës për sonte në mesnatë, në kundërshtim me çka ju kemi njoftue me shkresën tonë Prot.Nr.395/44, data 20 të k.m. Ju njoftojmë se sonte në mesnatë, nuk do të zhvillohet asnjë ceremoni nëpër Kishat e Kryeqytetit.
Famullitari
Don Shtjefën Kurti
Për akuzuesit e Dom Shtjefën Kurtit për “bashkëpunimin e tij me pushtuesit”, duhet shtruar pyetja: Çfarë nuk duhet të bënte famullitari i Tiranës në ato kushte dhe çfarë duhet të bënte më mirë? Vetë termi “kolaboracionist”, do të thotë një person që ndihmon ose i jep mbështetje armikut gjatë luftës”. Nga çfarë parashtruam më sipër, në bazë të dokumenteve të shumta arkivore, bashkëpunimi i klerikut Kurti me autoritetet, është kufizuar strikt në detyrën e tij si famullitar dhe në të gjitha rastet kur kisha kishte nevojë për atë bashkëpunim. Zbatimi rigoroz i statusit të tij si klerik për të mos u përzier në çështje politike, sidomos gjatë vitit 1944, kur Selia e Shenjtë kërkoi nga klerikët katolikë në Shqipëri, të angazhoheshin më shumë në politikë në emër të “pengimit të komunizmit për të ardhur në pushtet”, dëshmon të kundërtën dhe duhet intrepretuar si qëndrim antifashist i tij.
AVOKAT I KISHËS MARTIRE
Dom Shtjefën Kurti, përfaqësues i Kishës Katolike në kohën e martirëve
Edhe pas çlirimit, Dom Shtjefni fillimisht vazhdoi normalisht veprimtarinë fetare dhe kisha mbushej plot me besimtarë, kryesisht të rinj. Si dilte rinia, me të cilën ishte mbushur Kisha, një gjë e çuditshme, binin kumbonat për të grishur popullin me sakramnetin e shenjtë. Kushtetuta e vitit 1946, e lejoi lirinë e fesë, por dhe vendosi kufizime për zhvillimin e veprimtarive fetare. Në nenin 13 të Kushtetutës, nënvizohej barazia e shtetasve pa dallim feje, race apo kombësie dhe deklarohej ndëshkimi i çdo lloj diskriminimi me bazë fetare, racore, kombëtare, ndërsa në nenin 16 të saj, shpallej ndarja e shtetit nga kisha.
Liria e besimit dhe ushtrimi i detyrave nga bashkësitë fetare mbrohej me ligj. Nga ana tjetër, ndalohej angazhimi i klerikëve në politikë si dhe përdorimi i fesë për qëllime politike. Por, dalja e Kushtetutës nuk u shoqërua me nxjerrjen e dispozitave ligjore. Marrëdhëniet midis pushtetit politik dhe enteve fetare vazhduan të rregulloheshin, edhe për disa vjet, në përputhje me ligjin fetar të vitit 1929. Katolicizmi në Shqipëri kishte një orientim thellësisht perëndimor, çfarë e diferenconte nga komunitetet e tjera.
Në një memorandum të shkurtit të vitit 1945, të dërguar nga misionet diplomatike të Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Francës në Tiranë, për Argjipeshkvin e Shkodrës Imzot Gaspër Thaqin, përshkruheshin kushtet e vështira ekonomike të Shqipërisë, ekzekutimet e pamotivuara, morali dhe motivimi i lartë i të arratisurve në male dhe propozohej që kontaktet me misionin britanik në Tiranë, të realizoheshin përmes Dom Shtjefën Kurtit. Po të shohim korrespondencën e Kishës Katolike Shqiptare, del se kleriku që është marr zyrtarisht me komunikimin e Kishës Katolike Shqiptare me shtetin dhe me misionet e huaja, ka qenë Dom Shtjefën Kurti.
Shtjefën Kurti, sipas pohimeve të disa klerikëve si; Pjetër Meshkalla dhe Alfons Tracki, ishte ai që kishte raportet më të afërta se çdo tjetër me të huajt. Ai i informonte misionet e huaja mbi gjendjen e të arratisurve, duke kërkuar për ta municione, rroba, ushqime etj. Nga ana tjetër, klerikët nga qelat e tyre u mblodhën për të shkruar raporte për Vatikanin, që do t’i dërgonin përmes misioneve italiane, franceze, britanike dhe amerikane. Në këto raporte informohen superiorët në Romë për, terrorin dhe persekutimin që po pësonte Kleri Katolik dhe për gjendjen në Shqipëri. Ndërsa Vatikani, përmes Dom Shtjefën Kurtit, dërgonte udhëzime për veprimtarinë ndaj regjimit, si dhe ndihma.
Kurti kishte kontakt të rregullt me një pjesëtar të Misionit Britanik në Tiranë, të cilit i pat dorëzuar një memorandum të shkruar në frëngjisht nga ipeshkëvijtë shqiptarë në katër kopje: nga një kopje për misionet angleze, amerikane dhe franceze në Tiranë dhe një kopje që mbeti në zyrën e Famullisë së Tiranës. Kjo kopje u gjet më vonë nga organet e Sigurimit të Shetit dhe u përdor penalisht kundër tij pas arrestimit. Pak ditë pas marrjes së memorandumit dhe relacionit mbi gjendjen në vend, diplomati britanik, Antony Stevenson, pasi merr pjesë në Meshën e Shenjtë, i bën një vizitë famullitarit Kurti, i konfirmon marrjen e shkresës dhe i ofron ndihmën e tij në të ardhmen. Dom Shtjefën Kurti, së bashku me Imzot Vinçenc Prenushin, ishte takuar me diplomatin anglez, Hudgson në Misionin Anglez. Ai e kishte përkthyer bisedën, pasi e fliste shumë mirë frëngjishten. Hudgson ishte treguar shumë pesimist, mbasi si duket ishte koha kur marrëdhëniet e qeverisë së Tiranës me anglezët ishin në ftohje, të paktën në dukje.
Kurti mbante lidhje edhe me eksponentë të veçantë që ishin arratisur në male. Prifti gjerman Alfons Tracki, nga malet e dioqezës së Pultit, i shkruan Dom Shtjefnit në Tiranë: “Vuajtjet e tmerrësisht që po kalojmë prej muajsh, më shtynë t’u informoj për shokët e mi që gjenden në malet e Dukagjinit(………………..). Ju lutemi të kujdeseni që ky komitet dhe anglezët që gjenden në Tiranë dhe kanë marrë përsipër t’a pajisin ushtrinë e lirisë, të na japin gjithfarë është e nevojshme(…………………) Ne presim me padurim t’i japim lirinë popullit shqiptar.
Dom Shtjefni, si personi që do të mbante lidhjet e Kishës Katolike me autoritetet shtetërore, ishte në përbërje të çdo grupi që takohej me autoritetet shtetërore. Imzot Frano Gjini, porsa u emërua në detyrën re si Delegat i Vatikanit, kërkoi të paraqitej tek Enver Hoxha, aso kohe kryetar i qeverisë së Tiranës. Ai kishte qëllim me këtë kërkesë që të bisedonte për çështjen e shkollave katolike, për lirinë e fjalës dhe të shtypit, si dhe për disa nga masat ekonomike që qeveria kishte ndërmarrë kundrejt Kishës Katolike. Gjithmonë, masat ekonomike në sistemin komunist paralajmëronin masat politike. Kryesisht takimi u kërkue nga Imzot Gjini, se ai nuk mund të qëndronte indiferent, ndaj veprimeve zyrtare që po kryente qeveria komuniste kundër Klerit, inteligjencës dhe katolikëve në veçanti. Kërkesën për takim e kishte bërë Dom Shtjefën Kurti dhe e kishte nënshkruar në emër të tij.
Tiranë, më 27.III.1946
Nr. Extra
Shefit të Kabinetit të Kryeministrit
Tiranë
Gjinden në Tiranë, ardhë për me i paraqitë Kryetarit të Qeveris urimet e veta për formimin e Qeveris së re, Shkëlqesat e tyre: Imzot Prenushi, Arqipeshk i Durrësit dhe Administratuer Apostollik i Shqipnisë së Jugut, Imz. Gjergj Volaj, Ipeshkv i Zadrimes e përfaqësues i Arqipeshkvit – Metropolit të Shkodrës, në mungesë të Tij, At Mati Prenushi, Provincjal i Franceskajve; të cilët, së bashku me të nënshkruemin, Don Shtejfën Kurti, Famullitar e Dekan i Tiranës, lusin me pasë nji audiencë për ç’ka super.
Lutemi për njoftim me ju sjellë Zyrës Famullitare, telefon numri 172, “Kisha Katholike”.
Në pritje të nji lajmi të shpejtë, me nderime.
Famullitari – Dekan
Dom Shtjefën Kurti
Kërkesa zyrtare për takim, u bë në dhjetor të vitit 1945, por takimi nuk u realizua me pretekstin se gjoja, sa kishin përfundue zgjedhjet e dhjetorit. Synimi i vërtetë ishte që të përjashtohej Kisha Katolike nga zhvillimet shoqërore. Prej kur erdhën në pushtet, komunistët u treguan të kujdesshëm në trajtimin e Kishës Katolike, duke ruajtur një bashkëpunim minimal me të, për gjëra të karakterit praktik dhe duke e përjashtuar nga çdo ndikim në jetën shoqërore.
Në fund të Luftës së Dytë Botërore, llogariteshin 131 famulli me 93 klerikë dioqezanë dhe 94 rregulltarë. Kishte dhe një Administratë Apostolike në pjesën jugore të vendit, dy arkidioqeza (në Shkodër dhe Durrës), një abaci nullius, atë të Shën Lleshit në Orosh dhe tre dioqeza (Pulti, Sapa dhe Lezha). Urdhrat dhe kongregacionet mashkullore dhe femërore ishin: Françeskanët dhe jezuitët, me një shumicë të huaj, të kombësisë italiane; bijtë e Don Orionit, Motrat Stigmatine, Motrat Ancelle della Carità të Breshias, Motrat Shërbyese, Bijat e Marisë Ndihmëtare. Kongregacionet e murgeshash ishin të angazhuara jo vetëm në jetën shpirtërore, por edhe në veprat shoqërore, përmes veprave të bamirësisë, veprimtarive edukative, arsimore, vullnetareve në institucioneve shëndetësore, punës në jetimore etj.
Si françeskanët dhe jezuitët zhvillonin veprimtari të ndryshme në fushën e shkollave dhe instituteve, por edhe të misioneve baritore në mes të njerëzve. Sa për formalitet, shteti ishte i interesuar që të vendoste një rregull në komunikim, prandaj kërkoi zyrtarisht listën e hierarkisë së Kishës Katolike.
Qeveria Demokratike e Shqipërisë
Ministria e punëve të Jashtme
Tiranë, më 10.IX.1945
Nr. prot:405.XVI
V.F. – L.P.
Kryesisë së Komunitetit Katolik të Shqipërisë
Krye-famullitarit
Tiranë
Për nevojat e shërbimit të Zyrës së Protokollit dhe Ceremonialit të këtij Dikasteri, Ju lutem të keni mirësinë të na përcillni sa më parë një listë emnore të personave drejtonjës të Kishës Katolike të Shqipërisë, të përpiluar si mbas rangut hierarkik dhe të ndarë si mbas prefekturave, duke përmendur në të funksionin e secilit.
Sekretari i Përgjithshëm.
Pesë ditë më vonë, Dom Shtjefën Kurti, me cilësinë e Kryetarit të Komunitetit Katolik të Tiranës e dërgon përgjigjen e asaj shkrese në Ministrinë e Punëve të Jashtme:
Tiranë 15 shtator 45
Zyra Famullitare Katolike
Tiranë
Prot.Nr.292/45
P.T. Ministrisë së Punëve të Jashtme Tiranë
Në përgjigje të shkresës së Juej nr. 405. A.XVI dt 10.IX.1945. Ju komunikojmë sa vijon:
Hijearkija e Kishës Katholike në Shqipëri përfshinë dy Seli Ipeshkvnore (Kryepeshkopata), katër Seli Ipeshkvnore (Peshkopata) dhe Provincaliatin Françeskan.
- Shkëlqesia Imzot Gaspër Thaçi, Arqipeshkv Metropolite i Arkidioçezit të Shkodrës me seli në Shkodër.
- Shkëlqesia Imzot Vinçenc O.F.M. Arqipeshkv i Afrikidioçezit të Durrësit dhe Administarator i Shqipënis së Jugut, me seli në Durrës (tash përkohësisht në Delbnisht).
- Shkëlqesia Imzot Bernardin Shllaku O.F.M. Ipeshkvi i Dioçezit të Pultit (Dukagjinit), me seli në Kodër Shëngjergj.
- Shkëlqesia Imzot Gjergj Volaj, Ipeshkv i Dioçezit të Sapës (Zadrimë Pukë) me seli në Nenshat (Zadrimë).
- Shkëlqesia Imzot Frano Gjini, Ipeshkv Abat i Mirditës e Administrues i Dioçezit të Lezhës me Seli në Orosh.
- Shum i Nderti At Mati Prennushi O.F.M. Provencial i Françeskajve të Shqipnis me seli në Shkodër.
- Shum i Nderti Don Shtjefën Kurti, Famullitar i Tiranës, Kryetar i Komunitetit Katolik të Tiranës. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëmn
Me nderime
Kryetari i Komunitetit Katolik Tiranë
Don Shtjefën Kurti
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016