NIKOLLË LOKA
AV.ALFDRED DUKA
NIKOLIN KURTI
PSE NUK QËNDRON AKUZA POLITIKE PËR KOLABORACIONIZËM?
Vazhdues i traditës së klerikëve katolikë atdhetarë
Memorie.al/Shtjefën Kurti lindi në Prizren me 24 dhetor 1898 prej prindërish Jak e Katrinë. Kreu shkollën fillore në Ferizaj. Në shtator të vitit 1909 hyni në Seminarin Papnore në Shkodër, ku mbasi e mësoi gjuhën italishte gjatë një viti prej Maestro Doçit, hyni në Seminar, e ma vonë në Filozofi.
Në vitin 1917, në vjeshtë, vajti në Insbruk (Austri); qe konviktor në “Canisianum” ku ndoq studimet e Theologjinë për vitin shkollor 1917-‘18 në Universitetin K.K. të Innsbruck-ut. Me që në vjeshtën 1918 Austro-Ungaria kapitulloi, u kthye me i vazhdue studimet të Propaganda Fise; dhe aty i kreu studimet pranë Universitetit t’asaj Kolegje, vitin 1921.
Sipas dokumentacionit të pasur arkivor, Shtjefën Kurti nuk ka patur marrëdhënie preferenciale me italianë, që ishin angazhuar në struktura ushtarake apo civile gjatë viteve të pushtimit. Gjatë procesit të parë gjyqësor, Prokurori e akuzoi Dom Shtjefnin dhe klerikët e tjerë: “Të pandehurit Don Shtjefën Kurti dhe At Pjetër Meshkalla kanë bashkëpunuar ngushtë me okupatorin dhe kanë kontribuar në stabilizimin e regjimit të tyre në Shqipëri. i pandehuri Don Shtjefën Kurti, në kohën e okupacionit italian, ka qenë si Kapelan i Vilës së Jakomonit, ku ka kryer shërbime informative në favor të fashizmit.”.
Për të mos penguar shërbimin shpirtëror ndaj besimtarëve, kisha kishte shpallur neutralitetin e saj ndaj politikës, siç kuptohej atëherë ky neutralitet, por gjithnjë e kishte theksuar misionin e saj shoqëror dhe angazhimin kombëtar. Dom Shtjefën Kurti, si atdhetar i shkolluar duhet ta ketë pritur pushtimin fashist me pezmatim, si edhe më parë, ai i’u kushtua shërbimit shpirtëror dhe misionit shoqëror të kishës. Në ato kushte, bashkëpunimi me zyrtarët e shtetit, kushdo qofshin ata, ishte i domosdoshëm. Dom Shtjefni u përqendrua në detyrën e tij, duke menduar se kleriku i mirë në çdo kohë mund ta ndihmojë atdheun dhe duke e gjykuar nga pozicioni i klerikut dhe si e ka kryer detyrën ndaj atdheut të tij nga ai pozicion.
Gjykimi ndaj klerikut Kurti duhet bërë duke patur parasysh veprimtarinë e kishës si institucion dhe veprimtarinë e tij si individ brenda atij institucioni. Ai nuk kishte bashkëpunuar me okupatorin dhe strukturat ushtarake të pushtimit, pasi nuk e lidhte asnjë punë me to. Nga ana tjetër, bashkëpunimi me strukturat shtetërore, kryesisht shqiptare të krijuara nën pushtim ishte bërë vetëm për probleme që lidhen me mbarëvajtjen e punës së Kishës. Dom Shtjefni e ka vijuar bashkëpunimin që kishte më parë me klerikët italianë edhe pse pas pushtimit, por ai kishte shprehur publikisht pakënaqësitë e tij për disa prej tyre, për shkak të anashkalimit apo nënvlerësimit të tij. Kleri katolik shqiptar kishte në përbërjen e tij klerikë shqiptarë dhe të huaj që karakterizoheshin nga një sens autonomie në mes tyre dhe një raport konfliktual midis klerit shekullar dhe atij rregulltar, ku kleri shekullar mbizotërohej nga vendësit dhe ai rregulltar nga të huajt. Këtë konflikt e shkaktonte ndjenja atdhetare e klerit shqiptar. Në Kishën Shqiptare mungonte struktura klasike e mbizotërimit të qartë të juridiksionit ipeshkëvnor mbi urdhrat kishtarë.
Shtjefën Kurti, si Dekan i Dekanatit të Tiranës, kishte një pozicion në hierarkinë e Klerit që i mundësonte të drejtonte punën e famullive të Dekanatit të tij, ku shërbenin famullitarë shqiptarë. Sigurisht ai bashkëpunonte dhe me misionarët jezuitë, kryesisht italianë, kur ai bashkëpunim urdhërohej nga eprorët e tij dhe ishte në interes të Kishës, por edhe distancohej nga veprimet që bënin misionarët e huaj në kundërshtim me rregullat.
Shtjefën Kurti luftoi që në famullinë e tij në Tiranë të pyetej për gjithçka siç ishte rregulli, duke mbrojtur institucionin e Dekanit dhe të famullitarit dhe përgjithësisht ia arriti ta ruante pozicionin e tij, pasi vetë Kisha kishte strukturë hierarkike të qartë, me kompetenca të përcaktuara dhe me pamundësi që ato kompetenca të hiqen apo të shtohen sipas koniukturave.
A mund të quhet bashkëpunim shërbimi shpirtëror ndaj besimtarëve pushtues?
Kisha si institucion i trajtonte besimtarët njëlloj dhe në çdo rast mund të mbante qëndrime rreth pozicioneve të tyre në shtet dhe shoqëri, pa i diskriminuar në besim. Në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera, ka ndodhur që një klerik ta heqë veladonin e të rrëmbejë armën për të udhëhequr një luftë, por nuk ka ndodhur që një prift me veladonin e klerikut, të luftojë në kishë. Sigurisht një pozicion i tillë nuk pritej as për Shtjefën Kurtin.
A ishte bashkëpunim me pushtuesin ushtrimi i detyrë së Kapelanit të Kapelës Mbretërore?
Historia e Kapelanit për Dom Shtjefën Kurtin, lindi nga nevojat që pati Mbretëresha Geraldinë për shërbim shpirtëror, në kushtet e mosnjohjes së gjuhës shqipe dhe pastaj të shtatzënisë, që ia vështirësonte kryerjen e riteve fetare në kishë. Princesha 22 vjeçare arriti në Shqipëri në fund të vitit 1937 dhe i takoi rreth një vit e gjysëm t’i kryente ritet fetare në Pallatin Mbretëror, ish Sarajet e Toptanëve, ku për nevojat e saj, u krijua një kapelë e vogël. Pas pushtimit, Mëkëmbësia u vendos te Pallati i sapondërtuar i Brigadave, ku deri në vitin 1942, nuk u krye asnjë ceremoni fetare. Vetë autoritetet shtetërore e kishin bërë Kapelën dhe pastaj kishin hyrë në komunikim për caktimin e Kapelanit.
Siç shihet nga letra e Dom Shtjefën Kurtit për Argjipeshkvin e tij, Imzot Vinçens Prenushin, del se, Dom Shtjefnin e kishte takuar Nunci Apostolik dhe i kishte marrë paraprakisht pëlqimin që ai të ishte Kapelan. Dom Shtjefni nuk mund të mbajë përgjegjësi përse u përzgjodh pikërisht ai. Mëkëmbësi kishte mjaft klerikë italianë që ishin të gatshëm t’i shërbenin, por kjo zgjedhje do të krijonte rast për keqkuptime. Jakomonit i duhej që të përfshinte sa më shumë shqiptarë në rrethin e tij. Se si erdhi puna deri te caktimi i Kurtit si Kapelan na e jep vetë shkresa zyrtare që i’a dërgon Arqipeshkëvit Prenushi:
Zyrës Famullitare E Kishës Katolike
Tiranë Nr.Nr.33.
Zyrës Ordinarjate Kryeipeshkvnore Durrës.
I nënshkruemi ka nderën me i sjellë Asaj P.T. Zyre Ordinarjate Kryeipeshkvnore të Durrësit, korrespondencën (Kopjet) qi deri tash ka vazhdue për çështje te Meshës në Pallat, ndërmjet Emz. Delegatit Apostolik e mue të nënshkruemit.
Këtë i nënshkruemi, Ja sjellë Zyrës Ordinarjate për dijeni e veprim, mbasi nuk do t’ishte rruga kjo me korrispondue drejt për drejt Delegati me mue, por vetëm nëpër rrugën jo retorike.
I asaj P.T. Zyrë Ordinarjate shërbyse.
Famullitari Tiranë 1.IV.1939.
Don Shtjefën Kurti
Kalimi i praktikës shkresore në Arqipeshkëvi, dëshmon se kleriku Kurti nuk kishte treguar asnjë entuziazëm të veçantë prej “bashkëpunëtori”, për ta kapur atë vend që sigurisht i jepte autoritet më të madh, sidomos në sytë e zyrtarëve të shtetit, por donte të zbatohen me rigorozitet praktikat kishtare. Famullitari Kurt i shkruan Arqipeshkvit Prenushi “… Shtoj se tash së vonit, m’asht krye një kishë e vogël në Pallatin Mbretënuer edhe atje nuk asht e tepërt një meshë në ditë të diel, kur të mundemi. I nënshkruemi ka nderin me ju lutë Asaj Z. Ord. Arqipeshknore qi të na nxjerri fakultetin e sipërpërmendur sa më shpejt”.
Shërbimet e një kleriku shqiptar për Mëkëmbësin e Përgjithshëm ishin me interes për kishën aq nevojtare shqiptare prandaj qe pritur mirë nga Imzot Prenushi, i cili me këtë rast e përgëzon famullitarin “për punën e lavdërueshme në shërbim të fesë dhe atdheut” dhe i kujton që“… në komitetin e civilëve, domethënë komitetin veprues, mos harroni edhe pjesën e popullit italian me banim në Kryeqytet, e të shtrihen edhe disa prej këtyre pjesëtarëve, pse kjo e kremte, së cilës do t’i gëzohemi, do të mbledh përreth Papës shpejt mbarë katolikët e botës, kudo qi kjofshin dhe ka me kenë edhe kjo rasë bashkëpunimi, një shfaqje e re e një vëllazërimi, qi na e kemi për detyrë me e sjellë. E ka me kenë kjo punë, qi sigurisht ne na len nderë…”.[4] Siç duket, edhe në atë situatë kisha ishte e angazhuar për “harmoninë shoqërore” ndërmjet komuniteteve të ndryshme, madje edhe kur kjo harmoni kishte probleme, siç kishte ndodhur edhe më parë. Konflikti midis të huajve dhe vendësve nuk kishte lindur me pushtimin fashist të vendit. Që në kohën e pushtimit osman, në gjirin e Kishës Katolike Shqiptare, kishte patur konflikt midis klerikëve shqiptarë dhe atyre me kombësi të huaj, kryesisht sllavë që ishin të prirur të vepronin kundër aspiratave kombëtare të shqiptarëve.
Duke parë Fondin ‘Shtjefën Kurti’, del se ka pak dokumente që dëshmojnë bashkëpunimin e tij me misionarët italianë dhe në ato dokumente të pakta, ku del në dritë ai bashkëpunim, shohim se midis famullitarit dhe misionarëve kishte patur probleme, pasi klerikët italianë nuk kishin vullnet për t’i respektuar kompetencat e famullitarit, megjithëse shërbenin në famullinë e tij. Në fakt, në përgjithësi ka një ndarje brenda klerit, ku shqiptarët janë më të lidhur me njëri-tjetrin se me të huajt, Kjo praktikë vinte nga tradita, megjithatë eprorët e kishës bënin kujdes që ndarja mos të është e natyrshme.
Por edhe të huajt nuk ndiheshin si në vendin e tyre dhe i ruanin ato marrëdhëniet e veta që binin lehtë në sy. Këto lidhje, nganjëherë reflektoheshin dhe në punën e klerikëve. Italianët preferonin që shërbimin shpirtëror ta merrnin prej priftërinjve italianë, shpesh edhe duke thyer rregullat dhe duke injoruar kompetencat e famullitarit. Dom Shtjefni që u shërbente të gjithëve brenda territorit të famullisë së tij, nuk kishte lejuar që të anashkalohet për shkak të preferencave të besimtarëve, qofshin edhe ata italianë. Në letrën që ia dërgon Arqipeshkëvit Prenushi, shpreh pakënaqësinë e tij dhe kërkon që ajo praktikë të mos përsëritet.
Zyra Famullitare
E Kishë Katolike
Tiranë, 17-1-1942
Prot. Nr.29/42
P.T.Zyrës Ordinarjate Arqipeshkvnore Durrës
Tue shkue me bekue shpijat, ksi shteku, kemi konstatue se Fort i Nd. At Santi, paska shkue me bekue në raste të ndryshme, shpijen dikujt z. italian, sikur te z. Martone Renata, rruga «Cerdoma de Rada» Nr. 2, te z. Castriata e tjetër kund. Këtu ash me u përzi në të drejtat e Famullitarit. I nënshkruemi i lutet asaj P.T. Zyrë Ordinarjate Arqipeshkvnore, qi t’i tërhjekin vrejtjen F. të Nd. At Santit, mbas mendimit tonë për dy arsye: Pse ai duhet të respektojë target e Famullitarit; pse P. Santi (a kushdo qoftë tjetër) me ato sjellje na ban me u kuqë përpara atyre personave qi na shkojmë me bekue se, tue kujtue se jemi kah kryejmë detyrën t’onë, gjindemi përpara nji pune të kryeme prej nji tjetri e gjesti jonë giet sikur të kishim shkue me lypë një lëmoshë.
Tu prit një përfundim të kësaj çështje, mbetem në pritje. Memorie.al
Asaj Z. Ord. Aqip.
Shërbyes Famullitari
Don Shtjefën Kurti
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016