Intervistoi: Marçel Hila
Pjesa e dytë
Memorie.al / I zhdukur: Riza Dani. Vuajtës: Familja e tij, nga të cilët vëllai, Dan Hasani dhe dy djemtë e tij, Xhevati dhe Xhelali, vuajtën dënime të gjata me burg e internime. Së bashku me vëllain, Dan Hasani, janë nismëtarë të ngritjes së flamurit në Shkodër, më 1913, tok me bashkëpatriotët dhe miqtë e shtëpisë, Luigj Gurakuqin, atë Gjergj Fishtën, Dom Ndre Mjedën, Maliq Bushatin etj. Më 1921, Rizai u zgjodh deputet në parlamentin e parë shqiptar; u rizgjodh më 1924 dhe qeveria e Nolit e emëroi prefekt në Durrës. Me ardhjen e Zogut në pushtet, si kundërshtar i platformës së tij, Rizai u largua drejt Italisë e më pas në Austri. Me patriotë e nacionalistë luftuan për çlirimin e vendit dhe pas Luftës II-të Botërore, më 2 dhjetor 1945, u zgjodh përsëri deputet. Më 31 dhjetor 1947, Riza Dani u dënua me pushkatim për komplot ndaj shtetit. Trupi nuk është gjendur ende, por sipas të afërmve të tij ai, mund të jetë groposur te vendi që njihet si Varri i Bamit. Por ka mundësi edhe në Linzë. E gjithë familja u persekutua, iu morën pasuritë dhe kaloi kalvarin e internimit.
Dëshmon Kujtim Dani, nip i Riza Danit
Biri i Shkodrës, deputet i tri legjislaturave, i groposur e pa varr.
Harresa. është vrasja e dytë e këtij populli!
Zoti Kujtim, keni marrë vesh se ku e kanë varrosur Riza Danin pas pushkatimit?
Një dëshmi e fundit për Riza Danin, është nga halla Feti, e shoqja e Xhevat Selfos, e ëma e Adnan Selfos, që u nda nga jeta para pak kohe. Ajo i çonte ushqim, se jetonte në Tiranë dhe atë ditë që e kanë pushkatuar, i kanë thënë për një vend afër Varrit të Bamit, mirëpo kur shkuam ne në ’92-in, ajo zonë ishte bërë komplet zonë e banuar, me shtëpi dhe s’dinim si e ku ta gjenim.
Rizai me të tjerë bëheshin tetë veta që u pushkatuan, i hodhën në gropë e i mbuluan. I kanë pushkatuar në mëngjes herët. Dikujt i kish mbetur edhe këmba e dora jashtë. Të nesërmen natën ka shkuar halla Feti atje, ka gërmuar dhe ka gjetur veshjet e tij, që i’a kishte çuar ajo vetë. Në manshetën e pizhameve ka ndier diçka të fortë dhe ka nxjerrë tetë letra cigaresh të lidhura, të shkruara.
Aty shkruhej: “Çështja është tepër serioze; gjyqi me dyer të mbyllura, pa avokat e pa publik. Prokurori më akuzon si organizator i organizatës së deputetëve. Kam marrë pjesë në mbledhjet e saj, kam bërë mbledhje me të arratisur. Shpifje! Janë gënjeshtra të turpshme…! Moralisht jam i fortë e i kam mohuar të gjitha në gjyq, ç’vendim më jep ky, nuk e di…”!
Letra tjetër: “Tashti që po të shkruaj, po vuaj shumë, tri ditë pa bukë e pa ujë, njëzet ditë çimento shtrojë e mbulojë. Feti, thuaj doktor Omerit”.
Kishte shpresë se ky ishte presidenti i Frontit Demokratik…!
Letër tjetër: “Me shpresë në Zotin do të vdes si burrë. I faleminderit Fetit, për kujdesjen e për gjellët që më ka prurë. Vulën, amanet nipave”.
Dua të them dy gjëra: Një njeri që merr vesh që do të pushkatohet sot, nesër a pasnesër, ka kaq kurajë morale e qetësi shpirtërore, sa të deklarojë me shkrim “i faleminderit mbesës për gjellët që më ka prurë” dhe e dyta: “amanet vulën nipave”. Baba im është i nderuar…! Më falni…!
Ju lutem, mos më kërkoni të falur! Keni plotësisht të drejtë të ndiheni i prekur.
Amanetin e axhë Rizait e kemi mbajt. Zonja Makbule ka jetuar me nënën edhe kur ka dalë babai, mbas dhjetë vjetëve burg, e nga shtatë kampe internimi, e së fundi, edhe nga kampi i Fushës së Aviacionit të Rinasit. Zonja Makbule ka jetuar me ne, deri ditën që ka vdekur. Babai na ka mbajtur me atë treqind lekësh rrogë, si punëtor krahu, sepse nëna nuk ka punuar kurrë, ka mbajtur edhe zonjën Makbule. Kemi fjetur në një dhomë: nëna, dy fëmijët dhe zonja Makbule. Erdhi edhe babai më pas.
Rizai në letër kërkonte të varrosej pranë Agimes, vajzës. Letrat e tij deri vonë kanë qenë në Muzeun e Tiranës. Pas viteve 2000, nuk e dimë se ku mund të jenë. Fjala e tij e fundit ka qenë: “Me shpresë të Zotit, po vdes si burrë, paç hijen tënde!” Kjo është shprehje shkodrane e përdorur më shumë nga myslimanët. Fjalët “paç hijen tënde!” i drejtohen tjetrit që nuk konsiderohet si qenie njerëzore, e lindur prej nënës, me bekim të të madhit Zot, por konsiderohet si një hije, një hiç. Ai nuk ka përdorur sharje kundrejt atyre që e kishin torturuar, por u është përgjigjur me kulturën e popullit “paçi hijen tuaj…”!
Po ju ndërpres pak, sepse lidhur me vend-varrimin kemi një rast të ngjashëm. E bija e Syrja Selfos pohon, se në vitin 1993, kanë shkuar në Linzë të Tiranës dhe janë interesuar për varrin. Një banor i zonës aty i kishte thënë se; e kishin nxjerrë trupin e Syrja Selfos prej aty dhe e kishin çuar diku tjetër, me porosi të familjarëve. Ka shumë mundësi që edhe gropa ku i kanë hedhur këta të tetë, të mos jetë te Varri i Bamit, por në Linzë.
Përfundimi i Riza Danit ishte çelësi i hakmarrjes karshi familjes Dani, sa patriotike, aq atdhetare e bamirëse të Shkodrës. Pasi arrestuan Rizain, të nesërmen arrestuan të gjithë meshkujt e shtëpisë: Dan Hasanin, Xhevat Danin, Xhelal Danin, 16 vjeç, kurse dy djemtë e rritur të Danit, Hasan Dani dhe Qemal Dani, që ishin me studime jashtë kur shpërtheu Lufta II-të Botërore, në ’43-in ikën në Kanada e Amerikë.
Dan Hasani u dënua 5 vjet. Babai im, Xhevat Dani, meqë kishte përkthyer gjermanisht, u konsiderua që u kishte shërbyer gjermanëve dhe e dënuan 10 vjet. Kaloi në 7 kampe internimi: Maliq, Beden i Kavajës e të tjerë dhe përfundoi në Rinas, me Sami Repishtin e Et’hem Bakallin me shokë, që paçin rahmet, përveç Samiut, që është gjallë e doli. Si doli nga burgu, babai pranoi të punonte punëtor krahu. Edhe Xhelalin, megjithëse i vogël, e arrestuan dhe e dënuan 3 vjet.
E gjithë pasuria u sekuestrua: Katër shtëpi, fabrika e akullit, fabrika e mullirit, një shtëpi në fshatin Barbullush me gjithë mullinj, me 10 hektarë tokë. Nëna ka qenë e vetmja grua që na ka shërbyer për çdo gjë: laj teshat, ço bukën, servir tasat, bëj bukën për nesër, merr teshat…!
Nëna ime, pastë rahmet, të gjitha nënat janë të mira, por unë e kam dashur shumë e me ta thënë sinqerisht, nuk mbaj mend një herë t’i kem thënë “nuk e bëj këtë”. Ajo ka qenë e vetme, grua dhe burrë në shtëpi që i ka përballuar të gjitha gjërat.
Dua të përmend një akt njerëzor të Qemal Llazanit, ish-prokuror, që sipas shumë të tjerëve, ka qenë shumë i egër, por nëna ime ishte bijë Llazanësh. Qemali kaloi para derës së madhe të shtëpisë dhe i thotë nënës sime: “Mbas dy ditëve vijnë t’ju sekuestrojnë shtëpinë. Ditën e mire”! Unë i’a kam ditur për nder dhe një herë, në kohë të demokracisë, e kam ndalë në rrugë dhe i kam thënë faleminderit! Nëna, fatmirësisht kësaj fjale, mori një pjesë të madhe të xhevahireve të veta, unaza, veshje që babai i’a kishte blerë në Itali, se nëna u martua në ’39-ën, 17 vjeçe, dhe nga shtëpia doli mbrapa rrugicës, në rrugicën ku ishte gjyshi, i ati, dhe i ka çuar gjërat atje me një karrocë fëmijësh.
Plaçkat që nxori i ka shitur te dyqani i Rakiqit – shfrytëzuesi i familjeve të persekutuara. Një unazë që kushtonte 200 mijë, ai e blinte për 20 mijë, e pastaj e shiste te jugosllavët. Nëna ime s’ka punuar e me ato lekë na mbajti për 9 vjet e gjysmë, gjersa doli babai… Në familjet e ndershme shkodrane, të persekutuara nga regjimi komunist, asnjë grua nuk e ndau burrin që u fut në burg.
Kur sekuestruan pasurinë, i thanë nënës të zgjidhte një shtëpi. Nëna u këshillua me një avokat, kushëriri ynë dhe ai e këshilloi: “Ti ke mbetur e vetme dhe duhet të mendosh si të fitosh bukën e të mbash fëmijët. Të sugjeroj të mbash shtëpinë në Barbullush, ke 10 hektarë tokë, ke mullirin, mund të punoni e të hani.” Dhe nëna e zbatoi fjalën e tij.
Mbas 6 vjetësh na nxorën nga Barbullushi, se shtëpia u nevojitej për zyrë.
Unë deri 9 vjeç e gjysmë, që ka ardhur babai prej burgut, s’e kam ditur si është përqafimi i babës. Pata fatin që 9 vjeç e 8 muaj, përfitova rrokjen e babës, por kishte moshatarë të mi, më të mëdhenj ose të vegjël, që nuk e gëzuan këtë fat, se u vdiqën baballarët në burgje e në hetuesi.
Persekutimi i familjes Dani u bë në dy etapa: në etapën e baballarëve e të nënave dhe brezi i dytë, ishim ne. Babai im, me diplomë Ekonomi Bankare në Universitetin e Vjenës, me të gjitha notat 5, ka punuar punëtor llaçi për 14 vjet.
Njëherë, kur shkoi të merrte rrogën, llogaritari e pyeti nëse donte fletë kampi për fëmijët në Shirokë dhe babai menjëherë tha “po”, pagoi lekët dhe unë shkova në kamp. Isha dhjetë vjeç e gjysmë. Kampi ishte 20 ditë: 10-30 korrik. Me datë 27, kisha ditëlindjen. Kur vjen dita, i them udhëheqësit, ka qenë një mësues fizkulture: “Unë kam ditëlindjen nesër, a më jepni leje dhe të kthehem në darkë”? Udhëheqësi tha se duhej leje nga drejtori. Shkoj te drejtori. “Si e ke emrin?” “Kujtim Dani”. “I biri i kujt je, i Xhevat Danit, atij reaksionarit, të burgosurit? E ti ke ardhur në kamp”?! Unë mbeta. Ishte një moment që…!
Ne e kishim frikën, por deri atëherë, 10 vjeç, nuk më kishte qëlluar ta kisha kështu, ballë për ballë! “Dëgjo, ti je bir krimineli, bir tregtari. Qysh tash merr plaçkat dhe je i përjashtuar prej kampit!” Mbeta nja 5 minuta pa dalë, se isha hutuar. Ka hyrë udhëheqësi, më ka vënë dorën në shpatull, e më ka thënë: “Hajde të dalim, se drejtori ka punë”. Vetëm atëherë sikur jam përmendë e kam dalë. Si tash i kam në vesh fjalët: “Mos u mërzit, edhe tri ditë kanë mbetur! Për tri ditë, punë e madhe”! Mora valixhen time e që aty, deri në shtëpinë në Kiras, ku na kishin çuar, kam qarë.
Kur studioja për Inxhinier Pyjesh në vit të katërt, kthehemi nga Tirana dhe e gjejmë derën e konviktit në Kamëz mbyllur. Ishim pesë veta. Bjer e bjer derës, nuk po e hapte njeri. Zbret një shoku ynë dhe na e hap. Drejtor i konviktit ishte vënë një oficer i Ministrisë së Brendshme, i dalë në lirim, që për 6 muaj mbushte moshën për pension, ndaj e kishin lënë drejtor aty. Ky mori vesh se kush isha unë e i bëri një letër organizatës së partisë të fakultetit, që: studenti Kujtim Dani ka thyer derën e konviktit, pasi unë, si drejtor, e kisha mbyllur. Ky është familje e persekutuar, nip i Dan Hasanit, biri i Xhevat Danit. Ky e ka babain e pushkatuar, xhaxhain e pushkatuar…! Në ato që shkruante, ishin 50 % të vërteta e 50 % rrena. Unë kam pasur fat se, si student, u aktivizova në ekipin e volejbollit “Dajti” dhe kemi pasur një trajner zotni, njeri i mrekullueshëm, Thoma Kukja.
Më beso, po ta them me ndershmëri, ai ishte komunist, por po të ishin të tërë komunistët si Thoma Kukja, si Skënder Temali, si Bardhyl Zeka, si Andro Jovani, si Pashko Marku, i Bratoshit, si i nderuari Nazmi Dibra, kryetar kooperative e drejtor i ujërave, Shqipëria do të ishte Zvicër. U bë mbledhja dhe përfundimisht, Dhimitër Jançe, inxhinier pyjesh, që kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik, sekretar i partisë i Fakultetit të Pyjeve, Panajot Koçi, inxhinier i shfrytëzimit të pyjeve, zv/sekretar partie, kanë luftuar për Kujtim Danin, sikur të ishte djali i tyre. Thoma Kukja ka luftuar me të tëra. Kam pasur fat, më ka dashtë Zoti fort në shumë gjëra në jetë. Sekretari i parë i rrethit Tiranë, Ndue Marashi prej Dukagjinit, a e di çfarë më ka thënë?
A është ky sekretari që thane se vrau veten…?!
Po. Sepse nuk ishte dakord me shumë direktiva të kongresit dhe e pa se po i’a këndonin mbas shpinës…! Ky më ka thënë: “Mos e çaj kryet, se ti nuk do të përjashtohesh! A e di se gjyshi yt, Dan Hasani, ka blerë tërë armët e popullit të Dukagjinit? Me to kemi dalë në luftë, baballarët dhe gjyshërit e mi, me Dan Hasanin në luftë të Koplikut!”
E kishte fjalën për luftën kundër serbëve më 1920-ën?
Po, ishte njeri që ta dinte. Andro Jovanin e kisha drejtues kur punoja përgjegjës në sektorin e pyjeve dhe inxhinier në Koplik. Si sportist, duhet të punoja 5 orë. Mirëpo më duhej 1 orë e gjysmë me autobus vajtje e 1 orë e gjysmë kthim, kështu që 3-4 orë mbeteshin punë, por zonën Razëm, Bogë e në Fushë-zezë e kudo, i kam kaluar vetë me këmbë, çfarë përfshin syri prej Shkodrës.
I shkojmë në zyrë për një projekt, vjen edhe përgjegjësi i investimeve. Na ngarkoi detyrat që do të kryenim dhe kur po dilnim, i thotë përgjegjësit të ikë, kurse mua më ndali. “Inxhinier, kthehu një minutë! Inxhinier Dani, – thotë, – je familje e mirë. Ai është komunist dhe spiun Dege. Ki kujdes kur të flasësh me të!”
Kush ma bëri atë nder? Andro Jovani, pra, një komunist. Por ishte njeri! Unë kam qenë dëshmitar kur erdhi një grua me të shoqin e me fëmijën e sëmurë në krahë, i kërkuan ndihmë për makinë për në Shkodër. Ky zbriti nga makina e vet, ua dha atyre, pastaj mori një “Zis” të ndërmarrjes dhe u nis për mbledhje në Shkodër.
Po kush e bën këtë? Ka qenë dhe Xhemal Selimi, edhe të tjerë e të tjerë kryetarë kooperative. Ka qenë Pashko Marku. Komunistë, por me parime njerëzore. Sot kam pirë kafe me Bedri Çokun, që ka bërë 23 vjet burg – hero i revoltës së Spaçit, kur hoqën flamurin komunist me yll.
Burgu i Burrelit….! Më kanë treguar se kur vdiste dikush, shkonin njëfarë Sami Dangëllia, bashkë me Osman Kazazin, kur ishin të rinj, i merrnin të vdekurit, i fusnin në thes dhe të shoqëruar me dy policë, njëri para e një mbrapa, shkonin e i hidhnin në gropë. Më mbrapa ndryshoi procedura dhe shkonte i merrte karroca e plehut. Mbasi mblidhte plehun e Burrelit, vinte në gjashtë të mbrëmjes dhe merrte të vdekurit, shoqëruar nga një i burgosur ordiner dhe i çonin te gropa. Këto janë tmerret e komunizmit…!
Mbaj mend që më ka treguar babai, pastë rahmet, për kanalin e Bedenit, Peqin-Kavajë, ka qenë 8 m. lart dhe 5 m. e gjysmë poshtë dhe faqet me skarpat. Puna shumë e rëndë, por tmerri më i madh ishte kur lajmëronin: “Për 5 minuta vjen uji” dhe të tërë të burgosurit duhej t’i hipnin skarpatit për të dalë sipër. Disa ishin të lodhur e rrëshqitnin, dikush i zgjaste shkopin e lopatës ta tërhiqte lart, por vinte uji e i merrte. Ndoshta dhjetë, a njëzet, a tridhjetë i ka marrë uji e kanë vdekur e janë zhdukur. Edhe s’dihet gjë për ta. Nuk jepte llogari kush!
Këtë nuk e kam dëgjuar kurrkund!
E më e tmerrshmja, thoshte Xhevati, kur kishte ndonjë që gërryente pak dheun si skarpat për të vënë këmbën, ushtari që i rrinte mbi kokë, kriminel në gjak, në gjak e në karakter, i vinte shqelmin dhe e hidhte poshtë. “Provoje me u ngjitë edhe një here”! Në atë kohë vinte uji dhe… ikte. Këto krime ende nuk dihen. Ta shtysh atë tjetrin, meqë ti je lart, ta shtysh me dashje që ai të vdesë, kjo është e paimagjinueshme.
Këto që po tregoni janë vërtet të tmerrshme. A keni për të thënë ndonjë gjë tjetër për z. Riza Dani?
Riza Dani ka pasur dy pasione personale: pikturën dhe zdrukthëtarinë. Në Grac, ku ndenji 15 vjet, ka bërë 4 piktura: Dy të vogla, një mesatare dhe një më të madhe. Këtë më të madhen e ka trashëguar babai. Kurse dy të tjerat i ka pasë hallë Asia, e shoqja e Hasim Ulqinakut e më tej i ka trashëguar tek e bija, Mira Ulqinaku Dervishi, e shoqja e Elnar Dervishit.
Kurse, kur ka ardhur në ’39-ën, të gjitha veglat e zdrukthëtarisë që ka pasë, i’a ka falë si nip, Esheref Danit, ish-futbollistit. Ka shumë për të treguar për ato vite, shumë.
Ju falënderoj për të gjitha kujtimet që ndatë me ne dhe ju uroj shëndet e ditë të mbara! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016