Nga Idriz Lamaj
Pjesa e njëzet e pesë
Jeta dhe veprimtaria e Xhafer Devës në mërgim
– Kosova në kohën e Shqipnisë etnike –
Porosia e fundit e Xhafer Devës: – Mbani gjallë ‘Lidhjen e Prizrenit’
Memorie.al/Qëllimet kryesore për mbajtjen dhe subvencionimin e kësaj organizate të përkryer janë:
a) Të ndërrohet (si u tha më lartë) klika e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, por të ruhet regjimi komunist si pararojë e pansllavizmit;
b) Për të ulur vlerën dhe moralin e ‘Lidhjes së Parë të Prizrenit’, kryesuar nga patriotët e Rilindjes tonë kombëtare si dhe për të bërë që të zhduket emri i ‘Lidhjes së Dytë të Prizrenit’, përtëritur me 1943, që akoma mbahet gjallë në zemrat e shqiptarëve të devotshëm për bashkimin tonë kombëtar. Pikërisht për të mbajtur atë emër, të ‘Lidhjes së Prizrenit’, organizata e refugjatëve së parit mori emrin ‘Lidhja e Prizrenit’, por shpejt serbët kuptuan se ai emër nxiste ndjenja të rrezikshme për ta dhe dhanë urdhër të ndryshohej emri dhe të quhej Organizata Politiko-Luftarake e Refugjatëve Shqiptarë në Jugosllavi;
c) Për të krijuar një psikozë të vazhdueshme turbulluese dhe shqetësimi në mendjen e shqiptarëve me qëllim që ata të preokupohen vetëm me çështje politike të klikave dhe ideve të huaja dhe të harrojnë kauzën e tyre kombëtare dhe etnike; d) Për të ngjallur ndjenja anti-perëndimore, në veçanti anti-italiane dhe amerikane;
e) Për të shkëputur shqiptarët nga mënyra dhe nga problemet e tyre politike dhe për të krijuar besimin te ta se vetëm jugosllavët janë mbrojtësit më të besuar dhe më të mirë të shqiptarëve fatkeq të Shqipërisë së përgjysmuar nga vet sllavët. Veprimet jugosllave në Shqipëri filluan menjëherë mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe ato veprime renditen kronologjikisht këtu më poshtë:
- Tregtia dhe ndërmarrjet tekstile, ato ushqimore dhe çdo pasuri e tundshme shqiptare u transportuan në Jugosllavi me pretekstin, se ishin fryt i të pasuruarit të reaksionarëve fashistë gjatë Luftës e për rrjedhojë, ato pasuri së parit të shpërndaheshin frymëzuesve dhe kontribuuesve të luftës për çlirim, d.m.th., t’u jepeshin vëllezërve jugosllavë;
- Të gjitha shtëpitë botuese, librat e konfiskuar dhe simbolet kombëtare të shtypur gjatë dhe para Luftës, të ndaloheshin dhe të digjeshin, publikisht. Çdo program mësimor të vinte në përputhje me programet mësimore të Serbisë.;
- U ndalua të mësuarit e gjuhëve të huaja, me përjashtim të serbishtes e rusishtes, prej të cilave e para qe e detyrueshme në shkolla për të gjithë nëpunësit;
- U përzunë e u vranë shumica e intelektualëve patriot të cilët, shfaqën më të voglën përbuzje ndaj jugosllavëve;
- U përzunë të huajt, teknikët italianë, nuk mbeti asnjë teknik në Shqipëri, por edhe ata pak teknikë shqiptarë u shndërruan në skllevër të teknikëve sllavë;
- U shkul me rrënjë i gjithë institucioni i Kishës Katolike në Shqipëri, duke pretenduar se Kisha qe në shërbim të imperializmit italian. Por, të gjithë shqiptarët e dinë mirë se Kisha Katolike në Shqipëri, e sidomos Fretërit Françeskan përherë, kanë qenë vetëm vatër e patriotizmit shqiptar dhe kanë qenë vlerësuar lart dhe janë dashur e respektuar prej të gjithë shqiptarëve pa përjashtim feje e krahine. Ndërkaq, një pjesë e mirë e klerit të dy besimeve të tjera, mysliman e ortodoks, që nuk i’u bindën urdhrave të Beogradit u arrestuan, burgosën e shumë prej tyre u zhdukën fare;
- U dënuan me vdekje të gjithë ata që e zinin në gojë ose kujtonin Kosovën dhe kosovarët. Nga kjo përfytyrohet se ç’fat i priste vëllazrit e mbetur jashtë kufirit nën regjimin Titist;
- Bëheshin përditë mbledhje të detyrueshme në qendrat më të vogla e në fshatrat më të largëta për të ngjallur dashuri ndaj jugosllavëve dhe urrejtje për botën perëndimore, sidomos për Amerikën dhe Italinë, e cila si mbas tyre e mbante të pushtuar Triesten; Shfrytëzuan dhe grabitën të gjitha mineralet duke i transportuan në Jugosllavi; Këmbyen dhe zhvlerësuan monedhën shqiptare nga 1 lek me 3 dinarë, e bënë 1 dinar tre lek;
- Sabotuan dhe nxorën themelit gjithë ekonominë e vendit për të gjetur pretekst që të akuzonin drejtuesit shqiptar e për ti zëvendësuar ata me jugosllavë gjë që u bë e qartë gjatë proceseve gjyqësore zhvilluar mbas shkëputjes me Jugosllavinë në vitin 1948. Mbas rezolucionit të Informbyros, drejtuesit e shtetit shqiptar mbetën komunistë besnik të Moskës e prandaj Jugosllavia organizoi, grupe të ndryshme diversantësh për në Shqipëri, numër që erdhi duke u shtuar për çdo muaj. Nga Jugosllavia depërtuan në Shqipëri qindra diversantë me materiale dhe broshura propagandistike, si dhe duke marrë e duke dorëzuar postë klandestine, shumë herë pa e ditur fare e pa kuptuar përmbajtjen e tyre, nga persona të pa përgatitur për misione të tilla, njerëz të thjeshtë të cilët janë detyruar t’u nënshtrohen urdhrave te UDB-ës ndoshta edhe vetëm nga kërcënimi dhe frika se çdo të bëhej me ta, po nuk vepruan sipas direktivave të vendit ku ndodheshin.
Aktiviteti i kësaj organizate shkon gjithnjë duke u shtuar dhe trondit thellë mbarë nacionalizmin shqiptar kudo që është, mbasi fatkeqësisht nuk ekziston tjetër organizatë për ta kundërshtuar atë dhe për ta nxjerrë jashtë lojës politike Jugosllavinë. Kushtet politike dhe ekonomike të shqiptarëve nën Jugosllavi, numri i të cilëve si mbas burimeve të regjistrimit, Prill 1953 – arrin në më shumë se një milion banorë, janë jashtëzakonisht të vështira. Vërshimi i vazhdueshëm në Itali i refugjatëve mes të cilëve ka edhe shqiptarë, e vërteton këtë. Beogradi u ka premtuar shqiptarëve liri në statutin e formuluar bukur, por ky statut mbetet vetëm dokument për arkivin e Beogradit. Kosovës, të cilës i është shtrembëruar edhe emri i vet në Kos – Met, cilësohet vetëm me emër si Obllast i cili, nuk e ka as kapacitetin e një autonomie të vërtetë. Gjuha shqipe nuk përdoret në asnjë punë zyrtare shtetërore. Shkollat shqipe janë vetëm një kopertur e jashtme e të drejtave të shqiptarëve, se në ato shkolla nuk mësohet asgjë me përmbajtje të vërtetë shqiptare.
Shqiptarët nën Jugosllavi janë te detyruar të mendojnë e të veprojnë si të ishin thjesht serbë ose malazez. Në të gjithë trevën shqiptare nuk gjendet një familje që të mos ketë pasur persekutim e mos të ketë humbur bijtë apo dike tjetër. Shifra më e reduktuar qysh nga viti 1944 e gjer më sot, i kalon 40.000 vet. Në burgjet e ndryshme të tri republikave, ndodhen çdo vit rreth 20.000 shqiptarë. Përmendim këtu me ironi se Jugosllavia është pjesëtare e Kombeve të Bashkuara, si anëtare e përhershme e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ajo me bujë ngre zërin e mbron vietnamezët, koreanët, zezakët, etj., por me paturpësinë më të madhe, nuk do të dijë për shtypjen e popujve që cilësohen si pakica kombëtare në Jugosllavi, mes të cilëve janë edhe shqiptarët, të cilët nuk kanë askënd t’i mbështetë ose mbrojë apo të presin ndonjë ndihmesë. Zakonisht situata ekonomike në Jugosllavi, është e keqe si në çdo vend komunist, por me një ndryshim këtu për shkak të ndihmës anglo-amerikane.
Mjerisht gjendja e shqiptarëve është e vajtueshme, mbasi jo vetëm që u është sekuestruar gjithçka patën në fund të Luftës së Dytë Botërore, por, tokat, shtëpitë dhe pasuritë e tyre u janë shpërndarë serbo-malazezve dhe maqedonasve. Taksat për shqiptarët rriten vazhdimisht. Bujqësia mbas ndarjes së tokave është kthyer në kooperativë të sistemit të ri marksist. Është për t’u vënë në dukje se ndërsa sistemi kooperativist është braktisur në pjesën më të madhe të vendit, për shkak të rendimentit të paktë, mos të themi të dështuar plotësisht, përkundrazi kanë qenë të detyruar të mos e lëshojnë në asnjë mënyrë atë sistem të dështuar, sepse shqiptarët vetëm duhet të paguajnë, ndërsa sllavët jo. Përmendim, gjithashtu se politikisht, ekonomikisht dhe administrativisht, shqiptarët në republikën e Malit të Zi, nuk mund të ndihmohen nga shqiptarët e Kosovës, nga i ashtuquajturi ‘Obllast’ i Kosovës ose, nga ata të Maqedonisë për arsye se gjoja janë të ndarë në republika të ndryshme. Shqiptarët nuk munden pra të kenë kontakte midis tyre, kontakte administrative e kulturore e për pasojë asnjë kontakt politik përveç atyre kontakteve që ndodhen në Beograd.
Ç’kombtarizimi i shqiptarëve me mjete ligjore dhe antiligjore është synimi kryesor i malazezëve të cilët dominojnë politikën jugosllave. Këtë objektiv ata e arrijnë:
1). Me programe shkollore dhe sllavizmin e gjithë rinisë shqiptare;
2). Me terror dhe persekutim, dhe me anën e pretekstit si gjoja turq, për ti shpërngulur mysliman kosovarë në Turqi. Kjo masë që ishte më e rrezikshmja midis dy Luftërave Botërore tani po fillon rishtazi mbas përmirësimit të marrëdhënieve diplomatike midis Beogradit dhe Ankarasë. Tokat pjellore të zbrazura prej shqiptarëve, pushtohen nga serbët, malazezët dhe maqedonasit (bëhet fjalë për maqedonasit e ardhur nga Gevgelie -Gjevgjelia – ardhur nga Greqia). Kësaj duhet shtuar edhe detyrimi nga prindët e tyre që flasin turqisht por janë shqiptarë, prindër të tyre të cilët nga presionet drastike të regjimit, detyrohen t’i detyrojnë fëmijët e tyre te shkojnë në shkolla turke të hapura zyrtarisht me 8 Mars 1951 në rajonin e Kosovës. Gjer tani kanë qenë transportuar në Turqi 860 familje, me rreth më shumë se 5000 veta. Këtë vit janë në plan të nisen edhe 600 familje të tjera, bujq, blegtorë e zejtarë.
Funksionarët e UDB-ës janë vendosur kryesisht në zonën shqiptare të Jugosllavisë. Ata mbikëqyrin dhe terrorizojnë vendasit që thjeshtë janë kthyer në skllevër në shtëpitë e veta. Në Kosovë janë përqendruar edhe aksione të ndryshme të UDB-ës, për mobilizim në drejtim të territorit të shtetit politik shqiptar. Nga viti 1948 gjer me sot, në veprime të tilla të ndërmarra nga UDB-a janë dërguar në Shqipëri si diversantë më shumë se 300 veta, midis tyre edhe kosovarë. Kjo është bërë shkak të shtohet edhe terrori nga ana e qeverisë komuniste të Tiranës, kundrejt zonave kufitare të Shqipërisë. Këtu përmendim disa nga të rënët: Zek Smajli nga Lohe e Shkodrës; Nikoll Zef Alija nga Hoti; Frano Gjetja nga Kastrati; Mark Nikoll Sokoli nga Dukagjini; Marash Mirashi nga Lezha; Preng Lulashi nga Lezha; Pjeter Bajraktari me tre të tjerë nga Fandi i Mirditës, Dan Kola nga Luma me katër veta të tjerë; Kol Gjergji nga Lohe e Shkodrës; Nue Gjon Deda nga Kelmendi; Ndoc Vata nga Plani; Maksut Selimi nga Pogradeci, etj., etj.
Organet qendrore të Partisë Komuniste dhe shtetit jugosllav, kanë arritur të krijojnë kanale sekrete me funksionarë të lartë të Partisë Komuniste të Shqipërisë, për të futur në kurth nacionalistët shqiptar në të dy anët e kufirit. Kjo vërtetohet me faktin se Komiteti që u krijua në Prizren, tani me seli në Prishtinë, i përbërë kryesisht nga nacionalistë drejtohet nga pakica, nja 20 përqind e komunistëve, të cilët në Shqipëri pasi kanë terrorizuar popullin dhe njeri-tjetrin, tani veprojnë lirisht në Jugosllavi, përdorin farefisin e të persektuarëve për qëllimet e tyre, duke u fshehur në Jugosllavi. Emigrantët nacionalist nuk pyetën për asgjë dhe ata miratojnë urdhrat e UDB-ës, vetëm nga frika dhe e keqja që mund t’u vij në çdo moment; ata janë të detyruar të marrin pjesë në këtë organizatë politike tipike jugosllave. Është e natyrshme që trajtimi antishqiptar i ka mërzitur të gjithë, por s’kanë se çfarë bëjnë.
Ata nuk gjejnë asnjë lloj mbështetjeje askund, e as nuk kanë një mjet shpëtimi, sikur t’i lejonte Jugosllavia, të gjithë do të emigronin me të shpejtë në Perëndim. Për të ilustruar, këtu po japim një shembull për një emigrant nacionalist i cili, refuzoj autoritetet jugosllave të shkoj me mision në Shqipëri. Në qershor të vitit 1953, Nikoll Zefi nga Dukagjini, u dërgua me forcë në territorin shqiptar dhe nga ana tjetër, ai u lajmërua nga pala jugosllave tek Sigurimi i Shtetit në Shqipëri. Personi i dërguar u rrethua menjëherë nga forca të mëdha të Sigurimit e mbas nje luftimi të dëshpëruar, ai u vra tok me pesë veta të tjerë, në vendin e quajtur Vau i Valbonës. Emigrantëve shqiptarë në Mal të Zi, në një konferencë të mbajtur nga UDB-a, u është deklaruar hapur: “E shikoni se si dimë t’i dënojmë ata që nuk na binden, ata që janë tradhtarë të vijës tonë politike”. Një tjetër person, Mark Mhilli, mbasi dëgjoi ato fjalë e duke mos dashur të shkojë me shërbim në Shqipëri deklaroi, se preferonte të hynte në burg dhe në fakt ai sot gjendet në burg me tetë veta të tjerë.
Shembuj si këta janë të shumtë nëpër kampet e përqendrimit apo në burgje, ku janë të detyruar të punojnë pa pagesë. Ndër ta po përmendim këtu, kampin e Nikshiqit në Mal të Zi, atë të Rashkes në Serbi, Gerovo në Kroaci. Kampi i Plevles në Mal të Zi dhe ai i Goleshit në Kosovë, janë gjithashtu tê tmerrshëm për emigrantët shqiptarë. Në burgun famëkeq të Idrizovës, në afërsi të Shkupit, ka shumë emigrantë politik shqiptarë. Me 12 korrik 1953, një grup emigrantësh nacionalist me Nue Bajraktarin, Vesel Tahirin dhe Kol Bajraktarin e disa të tjerë, u përgatitën për t’u arratisur në Greqi. Një spiun zbuloi tentativën e tyre dhe për pasojë u arrestuan dhe u dënuan 14 veta, të cilët u dënuan prej 16, deri në 4 vjet burgim. Vetëm Kol Bajraktari, mbas përpjekjes të rrezikshme mundi të kapërcej kufirin dhe sot ndodhet në Greqi. Letrat e tyre që nisen nga Jugosllavia për tek vëllazrit e tyre në Perëndim, censurohen si dhe ato që nisen nga Perëndimi për në Jugosllavi.
Të gjitha letrat e rëndësishme apo për ato që kanë dyshim, fotografohen. Kështu vet gjeneral Dushan Mugosha, përzuri Shehat Tonuzin nga Dibra, që ishte anëtar i një Klubi emigrantësh, duke i nxjerr atij letrën që i kishte dërguar një personaliteti emigrant nga Perëndimi, megjithëse z. Tonuzi, atë person e kishte farefis. Si shqiptarët vendas ashtu edhe emigrantët të cilët gjinden në Jugosllavi, janë shumë të dëshpëruar për grindjet midis partive politike shqiptare në Perëndim, për arsye se mbarë populli shqiptar në të dy anët e kufirit etnik, pret bashkërenditen e forcave nacionaliste shqiptare në Perëndim, për çlirimin e Shqipërisë etnike nga sundimi komunist dhe pushtimi jugosllav. Pasiviteti politik i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” dhe kufizimi i veprimtarisë së tij si dhe propaganda e zbehtë për çështjen e çlirimit të Shqipërisë etnike, si përfaqësues i vetëm i kauzës së nacionalizmit shqiptar dhe mosmarrja pjesë në çfarëdo lloj forme e ‘Lidhjes së Dytë të Prizrenit’ në këtë Komitet ka shkaktuar demoralizim dhe dyshim të thellë në misionin e tij sa i përket çështjes së Shqipërisë etnike.
Është detyra ime të mbylli këtë relacion duke, vënë në dukje se si përherë gjatë epokave historike, nuk mendoj se është gabim sikurse burrat e mëdhenj të shtetit italian dhe atij amerikan, të shqyrtojnë në thelb përmbajtjen e shkurtër që u paraqitë këtu për të mundur, të përcaktojnë qëllimin e vërtetë të Moskës tek politika e saj me Jugosllavinë, si pararojë e saj për shtrirjen e pansllavizmit në Ballkan. Prandaj ç’do lloj agjitacioni nga pala e aleatëve për çlirimin e Shqipërisë me anë të jugosllavëve e vë përsëri vendin tonë nën diktaturën e Beogradit si nga viti 1944 – 1948, e ky do të kishte qenë gabimi më trashanik dhe tragjedia më e madhe kombëtare për popullin dhe shtetin shqiptar. Këto dy vende aleate të shqiptarëve, Italia dhe Shtetet e Bashkuara, duhet të përkrahin pa rezervë realizimin e një Shqipërie të lirë etnike. Daljen e Kremlinit në Mesdhe nëpërmes Adriatikut, këto dy vende aleate të shqiptarëve, mund ta bllokojnë vetëm me realizimin dhe fuqizimin e një shteti të vërtetë etnik shqiptar. Xhafer Deva, i’u dërgoi këtë relacion ministrive të Jashtme italiane dhe amerikane, nga fundi i vitit 1953. Teksti origjinal italisht u përkthye nga z. Uran Kostreci.
Fjalimi i Xhafer Devës me rastin e 25 vjetorit të themelimit të Bllokut Kombëtar Indipendent.
Zotni Kryetar, Zotni të ndershëm, Si z. Ndreu, z. Gjomarkaj, z. Verlaci, e ma vonë zotërinjtë e tjerë që folën, nuk më lanë shumë vend për arsye se i prekën të gjitha çështjet. Kështu dhe z. Vasil Germenji e z. Rexhep Krasniqi, prandaj po qëndroj vetëm në pikën mbase kam punue edhe un me ta, e due me urue gjithë blokistat për festimin e inaugurimin e 25 vjetorit të qenies së ‘Bllokut Kombëtar Indipendent’, të qëndrojë në bashkim përmbi të cilin folësi i fundit foli. Përpjekjet e emigracionit shqiptar, kanë qenë gjithmonë në këtë drejtim. Këtë e tham mbasi dhe unë kam pas rastin me shty pak, si kosovar që jam, që shqiptarët të bashkohen, që talentet shqiptarë në mërgim të bashkohen për me kontribue në çështjen shqiptare. Na kosovarët si në të kaluemen e si tani nuk kemi ndryshue. Shpresat tona janë në Shqipnin’ e lirueme. Na, pa nji Shqipni të lirueme, nuk kemi çka me bë! Nuk mundemi me bë asgjë! Për këtë arsye nëse dikush me të vërtetë edhe me sinqeritet dëshiron me pa nji bashkim të shqiptarëve, besoj se na jemi të parët.
Due me shkue tash në vjetin 1949. Atëherë asht bë nji tentativë nga ana e përfaqësuesve të partive të ndryshme në Aleksandri, të partive politike shqiptare, ku dhe unë kam pas nderin me marrë pjesë. Atëherë u krijue njëfarë “Besëlidhje”, siç e dinë shumica e juaj. Në kartë u shkrue e u nënshkrue por nuk u bë asgjë. Na prej këtij akordi duhet të marrim mësim: duhet t’i thomi gabimet qi kemi bë deri më tash. Të mësojmë prej gabimeve të kalueme, mos të shajmë shoqi shoqin, mos të përdorim fjalë si kriminel, se unë i pari jam krimineli numër 1 për komunistët dhe nuk turpërohem aspak, qi ata mue më quajnë kriminel nga pikëpamja e tyre. Problemi i Kosovës siç e dini asht ma i koklavitun se ai i Shqipnisë. Ma i koklavitun për arsye se vërtet kemi të bëjmë me nji armik të fortë. Sot paraqitet rasti që shqiptarët me mend e me urti të përpiqen të bisedojnë, të rrahin mendimet e tyre, të kontribuojnë sa të munden për çlirimin e Shqipnisë. Të kontribuojmë secili me punë konkrete por jo me parime ideologjike. Ideologjinë ta lamë për në Shqipninë e lirueme, për në Shqipninë e lirë me nji sistem demokratik. Atje ndoshta kemi me pas 25 a 30 partina, me dy e milion e gjysëm njerëz.
Mërgimi nuk asht vendi me propogandue sendet që nuk i ndihmojnë çështjes. Të gjykojmë siç duhet, mos të merremi me të kaluemen: kush ka bë e kush jo, kush asht spiun e kush nuk asht, kush asht atdhetar e kush jo. Atdhetarë jemi të gjithë por secili në mënyrën e vet. Përsa na përket ne kosovarëve, na nuk mund të bashkohemi me ju këtu në mërgim, sepse ne ju dëmtojmë ju, e ju na dëmtoni ne. Duhet të jemi realistë. Politika që ne shprehim asht shprehë në Kongresin që kemi mbajt para pesë viteve e që asht: vet-vendosje. Kjo vijë politike tregon gjithçka. Na s’kemi ideologjinë, kemi një qëllim të vetëm: me lirue Atdheun dhe ato vendet tona të robnueme. Pa nji Shqipni të lirë nuk mund të ketë nji Kosovë të bashkueme me Shqipninë. Këtë e kemi tregu edhe në të kaluemen, 26 vjet ma parë. Kosova i ka dhanë kontributin Shqipnisë dhe asht mundue me fuqizue nacionalizmin shqiptar. Kjo ka qenë e mbetet gjithmonë rruga jon. Tashti dëshiroj me ditë, çfarë ndihme kërkoni prej nesh e ne çka mund të bëjmë për me ju ndihmua. Shpresat tona janë të gjalla e nji ditë unë e di, se ne do të lirohemi. Ju faleminderit që mëdhatë rastin me ju përshëndet përzemërsisht dhe i’u uroj punë të mbarë e suksese. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016