Intervistoi: Marçel Hila
Z. Lekë, fillimisht ju falënderoj që keni pranuar të na jepni këtë intervistë. Cila ka qenë arsyeja që babai dhe xhaxhai juaj u arrestuan?
Babai im, Koço Tasi, u dënua si nacionalist. Kishte studiuar në Itali për Jurisprudencë, aty nga viti 1914. Në të ri, kishte bashkëpunuar me Osman Haxhiun në Vlorë, ku kishte punuar disa vite, si nëpunës taksash në fshatin Armen. Mori pjesë në parlamentin e parë shqiptar, si deputet. Për rolin që luajti në politikën shqiptare në vitet 1920, e arrestuan m’u në qendër të Tiranës dhe e dënuan me burgim të përjetshëm. Babai ishte nacionalist, por nuk kishte lidhur marrëveshje me asnjë parti, përveçse me ‘Ballin’, por fare pak, sepse e pa që ‘Balli’ ishte in-aktiv, kurse ai kërkonte që t’i përgjigjeshin komunizmit. Këto i kam thënë edhe në librin tim…! Ky ishte shkaku që e dënuan: roli në politikën shqiptare të viteve 1920.
Xhaxhai im, Akile Tasi, kishte qenë gazetar në Amerikë, në shoqatën “Vatra”, me gazetën “Dielli”. U kthye aty nga vitet ’30 për të administruar Bibliotekën Kombëtare dhe pastaj u mor me aktivitet gazetaresk.
Si gazetar i vjetër në Amerikë, mori përsipër të botonte organin e qeverisë – “Kombi”, që pastaj u quajt “Bashkimi i Kombit”. Më vonë, për disa javë, mori përsipër Ministrinë e Kulturës. Ky ishte shkaku për të cilin u dënua prej komunistëve.
U angazhua në vitin 1943, koha e kapitullimit të Italisë, për t’i dhënë zgjidhje kaosit, meqë nëpër male në tërë vendin kishte çeta komuniste, balliste dhe legaliste, ndërsa vendit i duhej një qeveri.
Duhej një marrëveshje me komandën gjermane, e cila e shikonte Shqipërinë pak ndryshe nga vendet e tjera, sepse ishte vend pa ushtri, por edhe që kishte tërhequr vëmendjen e studiuesve gjermanë.
Në popull qarkullonin fjalë për një antropolog, i cili ishte shprehur shumë entuziast për shqiptarët dhe i quante eprorë në Ballkan dhe që kjo, konsideratë ishte deri në qarqet e larta në Gjermani, prandaj nacionalistët shqiptarë guxuan që t’i vënë disa kushte Gjermanisë, pra, nëse ata kishin nevojë strategjike se kishin trupat këtu, nacionalistët kërkuan neutralitetin, të drejtën për një vetëvendosje, për veten tonë dhe ne nuk ju trazojmë. Kjo ishte shpëtimtare për shumë veta, që e gjykojnë gjendjen në ato kushte që ishte Shqipëria.
Gazeta e qeverisë shqiptare botonte komunikatat e të tre pjesëmarrësve në luftë: sovjetikëve dhe të aleatëve. E kam parë në gazetat e viteve të fundit, dialogun e një majori gjerman që merrej me propagandë. Kishte vajtur i indinjuar e ishte ankuar dhe xhaxhai i ishte përgjigjur thjesht, që: ne kemi një marrëveshje, ne jemi sovranë dhe neutralë për shumë pika, tjetër punë që ju na keni shkelur…! Majori gjerman u largua pa asnjë fjalë.
Babain e dënuan më rëndë, me burgim të përjetshëm dhe ka qenë në burg, në të njëjtën kohë me xhaxhain. Babai bëri 20 vjet burg dhe u lirua, por u diagnostikua me kancer në stomak dhe vdiq 4 orë pas operacionit.
Mbani mend si i kanë arrestuar?
Për xhaxhain e di që u arrestua në Shkodër. Shkoi atje me shokët, me shpresën për të emigruar për në Itali, por ngaqë atje u mblodhën shumë, kush mundi, mori mjetet dhe kaloi për në Itali. Xhaxhai ishte njeri meditativ, jo praktik dhe kështu mbeti e u arrestua në Shkodër.
Babain e arrestuan mu në qendër të Tiranës. Ne kishim ikur nga shtëpia, se ishte shkatërruar nga lufta dhe ishim te një mik përmetar, i cili na mbajti për dy net. Unë vetë kisha dalë dhe kur u ktheva, nuk e gjeta më. Mamaja me dajën mendonin se si t’i dërgonin ushqime në burg. Ishin vrarë rreth 100 veta brenda dhe në rrethe.
Xhaxhai juaj, z. Akile Tasi, ka vdekur në burg? Në cilin vit dhe në çfarë rrethanash?
Ai u sëmur nga cirroza e hepatit. Thonë se kjo lidhet me alkoolin, por ai nuk pinte alkool, por nga duhani ndoshta. Dimë që u sëmur keq dhe u shtrua në ambulancën e burgut, më tej asgjë.
Në cilin vit?
Më 1961. Sa mora vesh që ishte sëmurë, pyeta një doktor dhe të nesërmen shkova, por ai vdiq: nuk pati kurën e duhur.
Dini ndonjë gjë për varrimin e tij, apo jo?
Kur shkova atje, më ndalën te hekurat, te porta dhe më thanë: “Ik, se nuk tregohen këto gjëra”!
A keni marrë ndonjë informacion më vonë mbi varrin e xhaxhait?
Po. Agimi, një djalë nga Vlora, që banonte në Elbasan edhe Tomorr Dosti. Ata i kanë bërë hyzmet, e pastronin, se kjo cirrozë, ka pasur efekte higjienike të dëmshme dhe ai i bekonte, por agonia e tij, nuk mbajti shumë. Agimi më ka kërkuar dhe më ka falur një libër, me një dedikim shumë nderues për familjen time. E botoi për punën e xhaxhait. Më tha se do të donte të botonte edhe për babain.
Kanë qenë tok me babain, në të njëjtën kohë në burg të Burrelit?
Po, por, kur ndodhi kjo, babain e kishin prurë në Tiranë, për t’i operuar perden e syrit.
Është një pyetje e vështirë kjo…! Sikur t’i kishit takuar ata, që i’a bënë këtë padrejtësi babait dhe xhaxhait, si mendoni se do të kishit reaguar?
Në gjithë këtë polemikë që bëhet për dosjet, nxjerrjen e fajtorëve, spiunëve, unë që në fillim kam mbajtur qëndrimin, që duhet kërkuar dhe dënuar djalli me sfurk, sesa ata që vuanin nga mundimet, që i bënte ky djall, popullit.
Ata që kanë qenë spiunë, duhet të ndahen në kategori: ka disa që kanë qenë të nxitur nga presione mbi familjen, ka pasur shumë mënyra të ndyra, në këtë fushë dhe këta nuk mund t’i marrësh shumë si fajtorë. Kurse të tjerët, që kanë qenë kalërisht në këtë aktivitet, që janë ofruar ata vlejnë edhe të dënohen, por as që bëhet fjalë në këtë tranzicion, ku ish-komunizmi është i gjallë. Unë njoh raste të shumta nga kolegë, që shkruajnë libra, që kërkojnë mbetjet, eshtrat e të afërmve të tyre, por zyrtarët nuk tunden nga vendi, kur i pyesin se ku i kanë varrosur.
Nuk ju tregojnë? Çfarë do t’u kishe thënë këtyre njerëzve që kanë shkatërruar jetën e babait tuaj dhe të xhaxhait?
Do t’u thosha…! Kam folur njëherë në një kafene, erdhi rasti, jo se e kërkova unë. Ishte njëri i bindur me ato të vjetrat, edhe i thashë që ai regjim e ka shkatërruar Shqipërinë. Faji i parë është ekonomia, se ekonomia godet këdo, përveç një numri të kufizuar; Vuajtjet janë plus…! Ai nuk u prek shumë nga kjo, kështu që e lashë bisedën…!
Një pyetje tjetër z. Lekë. A keni ruajtur sende personale nga babai dhe xhaxhai?
Po, vëllai im i vogël është shumë i pasionuar pas objekteve, unë jo. Ruaj dorëshkrimet e tij në “Filozofinë e së Drejtës”, që i kam botuar në librin për babain. Aty përmblidhet edhe përkthimi i një juristi italian. Ky ishte kontributi im.
Kam një çakmak që e mbante mbi tavolinë, një çakmak i madh, si edhe kapelën e shpuar nga plumbi, kur Riza Cerova, i bëri atentat në Athinë. Në polici, emri i këtij është shkruar i falsifikuar, si gjoja Riza Kardhiqi. Atë natë babai ishte me Ali Këlcyrën dhe kjo ndodhi pak muaj, pasi kishte nxjerrë tri broshura ku bënte bilancin e regjimit të Zogut dhe të shtetit shqiptar, në raport midis shumicës myslimane dhe pakicës kristiane.
Merrte shkak konkretisht nga dëbimi i bujqve të krishterë nga një fshat i Kurveleshit, Shtëpëz, si dhe nga disa fshatra në Kolonjë dhe ngjarja nuk ishte e izoluar. Ndodhte një gjë e tillë, që klasa agallare myslimane, bënte grabitje të tilla, ndërsa shteti i mbronte, sepse mbështetej tek ata. Gjuha e tyre ishte pak e ashpër, por në momentin që u shkruan, shteti shqiptar ishte në fillimet e tij dhe kështu duhej folur, troç. Këtë nuk e duruan dot dhe Riza Cerova, i bëri atentat, katër plumba, nga të cilët, për fat të mirë, dy e zunë përciptas dhe një plumb i mbeti në kofshë.
Meqë për shkak të babait ishit me “biografi të keqe”, si ju kanë parë autoritetet dhe a keni pasur pasoja?
Ah, mua më ka ndihmuar një frymëzim momental i vitit 1943, kur u shpall hapja e shkollës së Muzikës, pranë Radio Tiranës. Më pëlqente muzika, por në mënyrë të përgjithshme. Shkova atje dhe më zgjodhën për violonçel. Ajo zgjedhje dhe ato dy vite që studiova me profesorin tim, Kaleti, qenë providenciale mund të them, sepse jetova me violonçelin, derisa një ditë dolën të tjerë të përgatitur dhe më nxorën jashtë e më lëshuan për të bërë punë krahu. Nja 20 vjet, kam qenë në orkestrën e radios dhe të operës.
Pastaj, çfarë ndodhi me ju?
Fillova serinë e punës së krahut në vresht…!
A ju kanë internuar edhe ju?
Pas disa vjetësh…!
Në cilin vit ju kanë internuar?
Internimi erdhi më 1975.
Për ç’arsye?
Ishte një valë, domethënë si familje e deklasuar. U hoqën mjaft, thonë nja 60 familje, por kishte pasur edhe një valë më të hershme aty nga viti 1968, kështu që ne gjetëm të tjera familje të internuara atje, në atë fshat ku shkuam, në Grabian. Në internim vuajtëm unë, mamaja ime Aleksandra, vëllai i vogël Ylli, motra Tefta, e cila ishte edhe e burgosur në burgun e grave.
Kur e mbaruat internimin?
Më 12 tetor 1990. Fiks 15 vjet internim! Në fakt, masa e internimit, mbajti dy 5-vjeçarë, domethënë nga 5-vjeçari i tretë i bie, që të vinim këtej, por sado që mundoheshim të gjenim ndonjë punë në Tiranë ose edhe kudo tjetër, nuk gjenim. Ishte edhe krizë atëherë. Në atë kohë kam shkruar edhe librin, që ia vlejti, librin e kujtimeve të Grabianit
Një libër me kujtime “Grabiani rrëzë kodrave”?
Po. Mendoj që është edhe një pasqyrë e gjendjes, njerëz, tipa, marrëdhëniet me pushtetin, punëtorin, me burgun, historia familjesh.
Z. Lekë, a është ushtruar dhunë ndaj jush? Ndaj motrës suaj?
Dhunë është ushtruar ndaj vëllait të madh, që u arrestua më 1946 në Poloni. E kanë dhunuar një grup: Mitro Jorgji, Skënder Kosova, Skënder Konica e kompani.
Kur hyra tek ajo, “Shtëpia e Gjetheve”, pashë vendin ku rrinte vëllai im 20-vjeçar, Napoleoni. E imagjinova në çast se çfarë dëshpërimi, se çfarë ankthi kishte kaluar ai atje…!
10 vjet u dënua, por 7 vjet bëri, se e zuri amnistia. Të mos përmend pastaj, kampet e punës pa mbarim: në Beden të Kavajës, në Peqin, në Maliq…! Në Maliq kanë qenë dy sektorë me të dënuar, numri i të cilëve ishte rreth 1500. Shumë prej tyre i linin në llucën e kënetës, të gjallë, gjersa mbyteshin. Aty ishin të dënuar edhe xhaxhai im, një vit edhe daja. I kanë lidhur në tela. Tmerr…!
Po ndaj të afërmve të tjerë, a është ushtruar dhunë?
Teftën pastaj… motra. Kur e arrestuan e kanë lënë vetëm me ushqim të ëmbël, pa kripë dhe asaj i ra tensioni dhe shëndeti i mori teposhtë. Nuk i dhanë mundësi të ushqehej normalisht, por i dhanë leje të rrinte shtrirë.
Dega e Lushnjës, ku e çuan në internim, kishte porosi nga shefi i Degës, Kamber Shehu, që na urrente, i cili i thoshte se duhet të rrinte në këmbë, nga mëngjesi deri në darkë. Kjo e dobësoi, i ra tensioni dhe pastaj, muajin e fundit e lejuan të rrinte shtrirë. I bënë një gjyq qesharak dhe pastaj, 3 vjet kamp pune në Kosovë të Dumresë, gjersa erdhi amnistia e ’82-shit, se ishte dënuar 8 vjet dhe u lirua.
A keni përjetuar presione, kërcënime, gjatë kohës që keni qenë në internim?
Tërë kohën e komunizmit kemi qenë nën presion, për shembull: kanë ardhur papritur brenda në shtëpi në Grabian, të shihnin se çfarë bënim; kishte raste që përgjonin edhe nga dritaret. Atje na ka ardhur një i lagjes, në kohën kur ne dëgjonim radion, por e mbyllëm shpejt. Ishin momente që njeriu terrorizohet, se e pret më e keqja. Me 7 veta në burg nga rrethi i gjerë familjar, që nga babai, motra, xhaxhai e deri te daja, i cili ka vuajtur shumë nën tortura. E kanë goditur aq shumë prapa veshit, saqë filloi të mos dëgjonte mirë; e dënuan vetëm se kur ishte gjykatës në Burrel dhe aty afër, në Peshkopi, po bëhej një gjyq terrori në familjet më të mira të Dibrës; shtuan edhe dajën tim, si intelektual, duke e konsideruar organizues. Në fakt, atje u vranë me pushkatim shumë veta, por dajën e dënuan 30 vjet burg, që më pas i ulën në 10 vjet. Bëri 10 vjet burg e gjithë ato kampe.
Po tjetërkush, ka vuajtur ndër ju?
Edhe dy kushërinj, djem dajash. Njëri 26 vjeç, katër herë burg bëri, Bardhyl Linti dhe tjetri, s’e di mirë, 5 vjet, i arrestuar për terror që 16 vjeç, direkt nga shkolla.
Pra, familja juaj ka pësuar shumë?
Ka pësuar shumë: kontrolle, transferime nga shtëpia, banonim në kat të tretë në ’44-n dhe përfunduam në bodrum, përpara se të shkonim në internim.
A keni vuajtur ekonomikisht nga gjithë kjo situatë?
Ekonomikisht ishte kjo, që rrogat ishin të studiuara për të pasur një minimum jetese. Ne ishim edhe të dobët, se nuk hanim shumë. Babai mbajti 20 vjet burg dhe u lirua, por pastaj i’u shpif kancer në pjesën e poshtme të stomakut dhe vdiq nga operacioni.
Babai vdiq në operacion?
4 orë më vonë, por nuk e vizitoi askush nga të dy kirurgët që e operuan.
Ka qenë e dhimbshme për ju?
Ashtu, mamaja ndenji atje për t’i bërë hyzmet. Siç duket, i kishin vënë penicilinë në plagë, megjithëse ky u kishte thënë, që ishte alergjik ndaj penicilinës dhe kishte zjarr, prandaj mbaroi në mesnatë: 4 orë mbas operacionit.
Z. Lekë, a keni shpresuar se do të binte komunizmi?
Ne kemi qenë optimistë dhe i shihnim shenjat: gjendja ekonomike po binte poshtë; kishte përçapje të diplomatëve komunistë në Paris, Romë, deri në Vatikan. Na kishte thënë një baxhanak imi, që kudo që shkonin nëpër kancelaritë europiane, u thoshin të hapnin kishat e kështu, ky qe hapi i parë që filluan liberalizimin…!
Si e pritët rënien e komunizmit në Shqipëri?
Me gëzim, me ngazëllim, sepse ishim me moshë të kaluar. Unë isha 60 vjeç dhe kishim shpresa të mëdha, në fakt, por shpejt e kuptuam, që ishte një kontratë Lindje-Perëndim për ta lënë në fuqi po atë regjim, me kusht që të bënte dy koncesione: ekonomi tregu dhe pluralizëm.
E pamë se si edhe ato u falsifikuan, u bastarduan në një ekonomi të kontrolluar, duke ua lënë këlyshëve të tyre pronat, në mënyrë që të kishin fuqinë ekonomike dhe vazhdoi komunizmi. Vetëm disa paguan me ca vite burg, por ndikimi i tyre në politikë, mbeti aktiv dhe e pamë panoramën parlamentare, kurse në treg dolën ngado oligarkët.
Z. Lekë, a keni shpresa që autoritetet do të mundësojnë gjetjen e eshtrave të xhaxhait tuaj?
Kjo fjalë e amerikanëve më dha shpresë dhe këtë mendim inkurajues. Amerikanët bëjnë gjëra themelore, bëjnë edhe kërkimin e eshtrave, sepse ata kanë edhe mjete automatike dhe shpresoj, sepse e kanë bërë në disa vende.
Në Burrel, në atë masë njerëzish që kanë vdekur e vdekur për 50 vjet, mund të bëjnë dallimin e eshtrave. Ne kemi bërë një vendvarrim për babain, vëllain dhe tok me emrat e tyre, në epitaf figuron edhe emri i xhaxhait, Akile Tasi, por ne duam të kemi edhe eshtrat e tij.
Po shpresojmë që gjendja e sotme do të evoluojë drejt një shteti përherë e më të rregullt, më ligjor, që respekton normat, së pari, normat e lirisë dhe të pavarësisë ekonomike të njerëzve, edhe të kërkesave më intime, më shpirtërore të tyre. Unë e kam një shpresë të tillë!
Ku mendoni se gjenden këto eshtra?
Nuk kam dëgjuar që nga rrethina e burgut të Burrelit të jenë zhvarrosur, siç i bëjnë në vende të tjera, se në vende të tjera duhen kërkuar personat të cilët kanë kryer zhvarrosjet, kurse në Burrel, nuk di të kenë bërë ndonjë aksion për t’i hequr. Këtë nuk e di! Memorie.al
Z. Lekë, ju falënderojmë shumë për intervistën
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016