Nga Idriz Lamaj
Jeta dhe veprimtaria e Xhafer Devës në mërgim
– Kosova në kohën e Shqipnisë etnike –
Memorie.al/Gjatë kësaj kohe, një pjesë e ‘Grupit Kosovar’ që kishte emigruar në Australi arriti të themelojë për të parën herë një lëvizje politike, shoqërore e kulturore, që mori emrin “Bashkimi i Shqiptarëve në Australi”. Në këtë organizatë, në fillim u mblodhën shqiptarë të ideve të ndryshme politike. Merita kryesore për krijimin e kësaj organizate, i takon Xhelal Mitrovicës, prej dorës së të cilit doli edhe organi i shoqatës, gazeta “Vatra Shqiptare”. Çështja e Shqipërisë etnike në këtë gazetë zë vendin kryesor. Mjafton të lexohen në te editorialet polemizuese të ‘Brithyesit’ dhe artikujt e studiuar të Dr. Rexhep Krasniqit.
Më në fund, duke parë mundësinë dhe faktin se New Yorku po bëhej qendra kryesore e refugjatëve politikë shqiptarë, anëtarët e ‘Grupit Kosovar’ që rrinin vazhdimisht në lidhje me njëri-tjetrin, vendosën të emigronin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu, përfaqësuesit më në shenjë të ‘Grupit Kosovar’ rifillojnë veprimtaritë e tyre gjithnjë në të mirën e bashkimit kombëtar dhe të tokave etnike. Puna e tyre, qoftë e veçuar në grupe të vogla, qoftë në kompleksin e çështjeve shqiptare, është mëse e mirënjohur. Por një 15 organizim i përsosur politik, ku marrin pjesë masive kosovarët e mërguar, bëhet vetëm atëherë kur emigron dhe stabilizohet me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Xhafer Deva.
Në nëntor të vitit 1956, Xhafer Deva bashkë me familje erdhi në Amerikë. Me gjithë ndryshimet e vazhdueshme të ambientit dhe mënyrave të jetesës, ai nuk ndryshoi aspak; bile as përpjekjet e vështirësitë për gjetjen e punës nuk e mposhtën. Si gjithmonë e gjithkund, Xhafer Deva e ruajti dhe e mbajti lart nderin e shqiptarit, forcën e karakterit dhe të personalitetit të vet. Ai përballoi të gjitha problemet e jetës familjare, por kurrë nuk kërkoi të bëhej diçka e veçantë për te, qoftë edhe nga miqtë e tij më të ngushtë, të cilët kurrë nuk i munguan. Në New York e Boston jetoi me punë fizike. Xhafer Deva ishte gjithkund dhe jetën e këtij vendi e vështroi nga të gjitha anët. Ai ishte i kënaqur edhe me punën fizike, mjaft që të përballonte jetesën e familjes dhe të mos mbetej në kurriz të ndokujt.
Xhafer Deva e urrente për vdekje jetën parazite. Me 1960 shkoi në Kaliforni, në fillim në krahinën malore Calavera County, ku u vendos pranë një miku amerikan. Aty gjeti punë në një sharrë lëndësh si punëtor i thjeshtë. Kështu fati e solli që mbas mëse 20 vjetësh, të përsëriste punën e mëparshme në atë fabrikë, e cila i kujtonte sharrat e tij në Luginën e Ibrit. Punën e përballonte me durim e pa ankim dhe ishte i kënaqur që me djersën e ballit e mundin e krahëve po ndihmonte shkollimin e fëmijëve të adaptuar.
Faza tjetër e jetës së tij lidhet me Universitetin e Stanfordit në qytetin Palo Alto të Kalifornisë, ku Deva punoi në zyrën e llogarive deri në vitin 1972 kur doli në pension. Aty Xhafer Deva e përvetësoi në përsosje përdorimin e kompjuterit, fitoi nderim e pozitë dhe krijoi miq në qarqe të larta të atij universiteti të famshëm. Edhe zonja e tij, Oswalda Deva, u punësua në bibliotekën e universitetit në fjalë. Ajo u bë drejtore në seksionin e librave të rrallë, “Rare book department”. Në një ekspozitë të librave u përfshi edhe botimi më i vjetër gjermanisht i “Historisë së Skenderbeut”, nga Marin Barleti.
Këtë libër të rrallë e gjeti zonja Deva, e cila sugjeroi edhe blerjen e tij nga Gjermania. Mbasi u vendosën në Palo Alto, zonja dhe zotni Deva e ndien veten më të qetë për t’iu përkushtuar jetës familjare, por përsëri ai nuk kishte qetësi e ndalim. Kur mendonte se po i çlodhej trupi mbas orëve të punës, ai e ndjente nevojën e domosdoshme për bashkimin e kosovarëve të mërguar nëpër botën e lirë, ata që mbanin të pashlyera kujtimet e vuajtjeve dhe të sakrificave për mbarë popullin shqiptar nën Jugosllavinë komuniste. Ndjenjat që ndrynte Xhafer Deva në shpirtin e tij, ndrynin edhe bashkë vendasit e tij të mërguar, të cilët me këmbëngulje kërkonin të riorganizoheshin rreth një lëvizje politike, ku do të mblidheshin e të qanin hallet e përbashkëta etnike, të kishin një organizatë e një organ për të ngritur lart zërin e heshtur të Kosovës.
Nismën për një riorganizim masiv të mërgatës kosovare në botën e lirë e morën kosovar të provuar në fushën e sakrificës dhe të vetëmohimit, siç ishin luftëtarët veteranë: Bajrush Kosova, Destan Berisha, Musa Vuçitërni, Hysen Terpeza, Mehmet Agë Rashkoci, Kalosh Hamdia, Isuf Adili, Iliaz Peka dhe i riu energjik Ismet Berisha. Këta luftëtarë, duke qenë të bindur se Xhafer Deva nuk do t’i linte në rrugë pa krye, por do t’u përgjigjej thirrjes së tyre, vendosën, kundër dëshirës së tij, t’ia lënë atij barrën e udhëheqjes politike. Për këtë qëllim shkuan në Palo Alto, i parashtruan nevojën e riorganizimit dhe me këmbëngulje kosovare ia mbyllën të gjitha shtigjet e refuzimit.
Xhafer Deva, tanimë në moshë të thyer, zënë me punë që nuk lejonte orë mungesash, i gjetur ndër rrethana kombëtare e ndërkombëtare krejt ndryshe nga ato të kohës kur kishte luajtur role të dorës së parë, larg me banim nga bashkatdhetarët me te cilët do të punonte, me fare pak intelektualë për organizim të gjithanshëm e për përfaqësim në forume të ndryshme, nuk e pati aspak lehtë me pranue thirrjen, por ndërgjegjja e përgjegjësisë e shtyri të pranojë. Mërgata etnike e ndjeu veten të entuziazmuar përsëri si në kohën e qëndresës, kur luftuan me jetën e vdekjen për të mbetur bashkë me Shqipërinë. Me sakrifica personale, Xhafer Deva shkon në New York herë mbas here dhe riorganizon Lidhjen e Prizrenit në Mërgim, e cila mbështetej në të kaluarën e vet historike dhe në parimet e larta kombëtare të Lidhjes së Dytë të Prizrenit në atdhe.
Organizatës së ringjallur në New York, Deva i dha formën moderne të kohës, duke krijuar përfaqësimet, zyrën e shtypit dhe atë të kontabilitetit. Megjithëse kjo organizatë nuk kishte thirrur ende Kongresin e saj të parë, shtypi i Tiranës dhe i Beogradit filluan fushatën e propagandës së tyre kundër personit të Xhafer Devës. Nga seria e artikujve të botuar në “Veçernje Novosti” të Beogradit dhe “Zëri i Popullit” në Tiranë, me titull “Xhafer Deva në lëvizje”, shihet qartë se ata nuk e kishin harruar se cili ishte Xhafer Deva, kur vihej në lëvizje. Në dhjetor të vitit 1962, më tepër për të njoftuar me një kundër-përgjigje regjimet e Beogradit dhe të Tiranës, se sa për t’ju drejtuar ndokujt tjetër, zyra e shtypit e Lidhjes nxjerr në qarkullim projekt programin “Grupi Kosovar – Lidhja e Prizrenit”.
‘Grupi Kosovar’ në riformim e sipër, mbështetë në nji të kalueme historike të ndritshme, ndjek parimet kombëtare dhe politike të Lidhjes së Prizrenit, që mund të përmbledhen në këtë formulë të vetme: në qenien e Shqipnisë si shtet i pavarur, t’ue përmbledhë të gjitha vendet e banume me shumicë dërmuese prej shqiptarëve, në nji Shqipni etnike. Ky grup mbështetet në të drejtën legale të qenies së vet dhe të përpjekjeve të veta për të drejtat kombëtare dhe njerëzore të popullatës shqiptare nën shtetin jugosllav, në luftërat e ndritshme të Lidhjes së Parë të Prizrenit dhe në zgjedhjet e lira të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në tetor të vitit 1943, zgjedhje të realizueme në formën tradicionale demokratike kosovare brenda atyre kushteve dhe rrethanave politike dhe ushtarake në Shqipninë e asaj kohe, gjatë së cilës kanë dalë edhe organizata tjera të qëndresës nacionaliste.
Ky grup ka karakter thjesht kosovar dhe nuk dëshiron në asnjë mënyrë të përzihet në çështje politike partiake të Shqipnisë së 1913-ës, por do të jetë kurdoherë i gatshëm me ndihmue fuqimisht për çlirimin e Shqipnisë nga tirania komuniste. Po ashtu, kërkojmë mirëkuptimin dhe përkrahjen e të gjitha grupeve politike kombëtare shqiptare në mërgim, në përpjekjet tona për bashkim të vendeve shqiptare nën Jugosllavi me Shqipninë e 1913-tës. Gjithashtu, dëshirojmë të kemi marrëdhënieje të njëllojshme me të gjitha këto grupe. ‘Grupi Kosovar’ parimisht nuk mund të pranojë që vendet e robnueme shqiptare nën Jugosllavi të përfaqësohen drejt ose zhdrejtë nga persona, grupe ose parti politike që nuk janë kosovare. Si rrjedhim, ne kërkojmë me pasë përfaqësimin tonë të pavarur nga grupet dhe partitë politike shqiptare dhe as që dëshirojmë të përzihemi në lojërat dhe grindjet dëmsjellëse politike të tyre.
‘Grupi Kosovar’ përbëhet nga luftëtarë të provuem të luftës kosovare për mbajtjen e bashkimit me Shqipninë e 1913-ës, nga njerëz të thjeshtë, gati për çdo sakrificë në shërbim të atdheut etnik, nga intelektualë dhe profesionistë të lirë, që kanë kontribue në këtë drejtim, etj. Ata janë vetëdijes të misionit historik të Lidhjes së Prizrenit për nji Shqipni etnike, të lirë dhe të vendosun të ndjekin këtë rrugë ideali deri në realizimin e tij. ‘Grupi Kosovar’ nuk ka te bëjë me grupe të tjera të vetquajtuna “kosovare”, të cilat, tue mos pasë baza legale përfaqësie të popullatës kosovare dhe luftës për çlirimin e atdheut kosovar, shpërdorin shprehjet e vërteta të vullnetit të popullit të Kosovës.
Ma në fund, ‘Grupi Kosovar’ – “Lidhja e Prizrenit”, njeh si udhëheqës shpirtnorë dhe aktiv birin e shquem të Kosovës së robnueme, Xhafer Devën. Simbas këtij projekt-programi që sqaroi shkurtimisht pozitën dhe synimet e Lidhjes së Prizrenit në Mërgim, masa të gjana të mërgatës kosovare në botën e lirë, u bashkuan me te dhe krijuan degë në Australi, Siri, Turqi, Belgjikë, Francë, Gjermani Perëndimore, Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe kudo që ndodhej ndonjë koloni e vogël kosovare. Me interesim të veçantë dhe me praninë e tyre, përfaqësuesit kryesorë të partive politike shqiptare në mërgim, të instituteve fetare, të Federatës “Vatra”, të Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe të intelektualëve të paangazhuar në rryma politike të mërgatës, përcollën Kongresin e Parë të kësaj organizate që u zhvillua në nëntor të vitit 1966 dhe u drejtua me zotësi të rrallë nga Xhafer Deva.
Të gjitha fjalimet e rastit, telegramet, urimet dhe mesazhet që mori nga bashkatdhetarët, ashtu edhe nga personalitetet e huaja, shprehin bindjen e plotë se mërgata kosovare në botën e lirë, e bashkuar rreth personit të Xhafer Devës, do të jetë armë e fuqishme që do të çojë drejt realizimit të idealeve të Shqipërisë etnike. Shtypi serioz i gazetës “Lidhja e Prizrenit”, drejtuar prej gazetarëve të talentuar dhe i ndihmuar me shkrime nga bashkëpunëtorë të njohur intelektual, vërtetojnë më së miri jehonën e kësaj organizate në mërgim dhe vënë në pah seriozitetin dhe përpjekjen e Xhafer Devës në fushatën politike dhe në veprimtarinë kombëtare e ndërkombëtare për të mirën e shqiptarëve të Kosovës. Në saje te emrit dhe të veprimtarisë së tij në të kaluarën, Xhafer Deva e futi Lidhjen e Prizrenit në Mërgim në radhët e organizatave të njohura ndërkombëtare që luftonin me vendosmëri kundër shtypjeve dhe diktaturës komuniste.
Lidhur me këtë, përpjekja e Xhafer Devës për radhitjen e Lidhjes brenda organizatës së njohur ndërkombëtare, “Pakicat e Shtypura Evropiane” (FUEN), është një kapitull i veçantë. Disa njerëz që nuk ishin në gjendje të kuptonin rëndësinë e Xhafer Devës dhe të Lidhjes së Prizrenit në këtë organizatë, e sabotuan çështjen në mënyrë naive. Megjithatë Xhafer Deva me urtësinë e tij karakteristike, për të mos e bërë qesharake çështjen e Kosovës e tërhoqi kërkesën e Lidhjes për anëtarësim, por vazhdoi përpjekjen e tij për të theksuar çështjen e problemit të Kosovës në atë organizatë, si mik personal i Sekretarit të Përgjithshëm, z. Povel Skategard, i cili e priti në shtëpinë e tij disa herë. Nga korrespondenca e tyre e dendur, që ka vazhduar derisa Xhafer Devën e gjunjëzoi sëmundja, shihet qartë se ky personalitet i mirënjohur e çmoi Xhafer Devën.
Skategard e cilëson Devën si një mjeshtër të problemeve të pakicave kombëtare evropiane dhe shpesh herë kërkon prej tij këshilla të rangut diplomatik. Xhafer Deva me intuitën e tij të mprehtë, mbrojti me këmbëngulje pikat themelore të Statutit të organizatës që kryesonte, edhe pse shpeshherë u ndesh në kundërshtime të dukshme edhe me disa anëtarë të organizatës, por ai nuk bëri as më të voglin lëshim ndaj parimeve të Statutit të Lidhjes së Prizrenit në Mërgim. Arsyetimet e veta bindëse përsa i përket qëndrimit ndaj idesë së Republikës së Kosovës nën Jugosllavi, i shpjegoi haptazi dhe me shtyp gjatë Kongresit të Dytë të Lidhjes, në nëntor të vitit 1971.
Qëndrimi i tij bazohej në parimin e një periudhe historike 100 vjeçare, qysh nga 1878, qëndrim që e mbajti edhe ajka intelektuale e ‘Grupit Kosovar’ në themelimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe u aprovua me votat e lira të përfaqësuesve të popullit të Kosovës në atdhe, më 1943. Nga kjo del e qartë se Statutit ose projekt-programit të Grupit Kosovar mund t’i bëheshin ndryshime vetëm me votat e lira të popullit të robëruar nën Jugosllavi.
Si personalitet i mirënjohur, largpamës, i sinqertë dhe i paanshëm, Devën e kërkuan grupet e mërgimit politik shqiptar për këshilla, për ndihma e përkrahje organizuese, për ndërmjetësim, afrim dhe bashkëpunim midis tyre. Më 1972, Xhafer Devën e gjejmë në Madrid si koordinues të bisedimeve të shtruara nga përfaqësuesit e partive politike shqiptare në mërgim. Për sinqeritetin, thjeshtësinë, urtësinë dhe bindjen e patundshme në të drejtën, atë e zgjodhën kryetar të mbledhjes në Madrid, e po ashtu edhe në vazhdimin e bisedimeve të njëjta më vonë në New York. Udhëtimet e shpeshta prej Kalifornisë në New York, Spanjë, Itali, Francë e gjetkë, në moshë të shtyrë, e lodhën së tepërmi fizikisht dhe shpirtërisht. Hallet e asaj kohe lanë gjurmë të thella në ballin e tij. Po në atë kohë ndodhi edhe vrasja e Kalosh Hamdisë, i cili ishte një nga shtyllat më të forta të Lidhjes.
Ndërsa Deva mbante të pathyeshme shpresën e organizimit të mërgatës shqiptare në përgjithësi, humbja e Kalosh Hamdisë qe për te goditje e rëndë. Me gjithë atë krizë, ai përpiqej për të shmangur mosmarrëveshjet e mërgatës, duke u mbajtur në lidhje të vazhdueshme me eksponentët më të rëndësishëm të saj, me telefona e korrespondencë dhe duke i këshilluar për marrëveshje, punë dhe veprim ndërtues, sado që nuk kishte më të voglin interes personal ose pozitë të ardhshme. Në të vërtetë, siç e kishte sqaruar me kohë qëndrimin e tij, të Lidhjes së Prizrenit, të Federatës “Vatra” dhe të Komitetit “Shqipëria e Lirë», programet tyre të paparti nuk do të lejonin përfaqësuesit e këtyre organizatave të ndërhynin në çështjen e marrëveshjeve ndërpartiake pas bisedimeve. Rrjedhimisht, misioni i tyre dhe i vet Devës, mori fund pasi palët nënshkruese mbyllën mbledhjen e tyre në Hotelin Mc. Alpin në New York, më 1975.
Nuk duhet lënë pa shënuar këtu se koordinimit të forcave të mërgatës politike në fushën e shtypit dhe të propagandës, Xhafer Deva i jepte rëndësi të veçantë kohët e fundit. Ai theksoi e ritheksoi se mërgata shqiptare duhej të kishte një shtyp të përbashkët, i cili duhej të drejtohej prej njerëzve të aftë, çka u përpoq ta zbatonte edhe në organizatën e vet. Ky ishte edhe një nga synimet kryesore, në pajtim me të cilat pranoi thirrjen në mbledhjet e Madridit dhe të New Yorkut. Mbas gjithë atyre udhëtimeve, përpjekjeve, këshillimeve e zhgënjimeve, veprimtaria e Xhafer Devës përfundoi me një stërmundim dhe shkatërrim të plotë të energjive të tija të pafund, në mërgimin e gjatë dhe të ithtë. Ai la trashëgim vetëm idealin e Shqipërisë etnike. Xhafer Deva vdiq me 25 maj të vitit 1978, në pragun e 100 Vjetorit të Lidhjes Historike të Prizrenit.
Vdekjes së tij në mërgim, në krye të detyrës si Kryetar i Lidhjes së Prizrenit, i përgjigjet kjo thënie e Hasan Prishtinës, të cilit, Dr. Rexhep Krasniqi dhe Ing. Xhafer Deva megjithëse ndodhej në mërgim, i’u komunikua dënimi me vdekje: “Për ne kosovarët, si vdekja n’atdhe t’robnuem, si vdekja në mërgim asht e barabartë, asht vdekje heroike që na nderon. Për ne, këto dy vdekje janë vula dëshmuese e mospajtimit tonë me copëtimin e atdheut dhe me skllavërimin e tij. Na nuk i jemi frigue dje as nuk i frigohemi sot vdekjes. Derisa jam larg atdheut tim, për mue, si vdekja nga plumbi si vdekja në dyshek janë nji. Luftën dhe kundërshtimin do ta ndaloj vetëm atëherë kur të vdes ose kur të çlirohet dhe të bashkohet kombi im.”
Solla këtë përmbledhje të jetës dhe veprimtarisë së Xhafer Devës në mërgim, botuar 22 vjet më parë, për të përkujtuar bashkëpunimin tim me dr. Rexhep Krasniqin, gjatë përgatitjes së librit: “Xhafer Deva – Jeta dhe Veprimtaria”, New York 1980. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016