Nga Ylli Tabaku
Pjesa e katërt
Memorie.al publikon kujtimet e ish-të burgosurit dhe internuarit politik, Ylli Tabaku, me origjinë nga Tirana, pinjoll i një prej familjeve të pasura të kryeqytetit, ku babai i tij, Ramazan Tabaku, pasi kishte dhënë ndihma dhe shuma të mëdha financiare për çetën e Pezës gjatë periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare, pas mbarimit të Luftës, për kontributin e dhënë, u emërua si Kryetar i Entit të Grumbullimeve dhe në 1947-ën, u dënua me burg të përjetshëm në gjyqin e “Grupit të Deputetëve”, gjë e cila kishte ardhur pas një debati që ai kishte bërë me Enver Hoxhën te Hotel “Dajti”, ku i kishte kërkuar atij të mos sekuestronte pasuritë e atyre që kishin ndihmuar Luftën. Kalvari i gjatë i Ramazan Tabakut në burgjet komuniste dhe persekutimi i egër i të gjithë familjes së tij, ku duke filluar nga bashkëshortja dhe pothuaj të gjithë djemtë e vajzat e asaj familje, që përfunduan burgjeve e kampeve të internimit, deri në shembjen e atij regjimi, apo dhe mundën të arratiseshin nga Shqipëria. Të gjitha këto përshkruhen në kujtimet e Ylli Tabakut, (të publikuara në librin e tij “Arratisja”, botim i Institutit për Studimin e Pasojat e Krimeve të Komunizmit, me parathënie të studiuesit dhe historianit Kastriot Dervishi), i cili vuajti plot 26 vjet, e 8 muaj e 24 ditë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe mundi që të largohej nga Shqipëria në vitin 1990, (me ngjarjet e 2 korrikut të ambasadave), duke jetuar në Gjermani, deri në vitin 2021, që u nda papritur nga jeta, pa e parë të botuar librin e tij!
Kujtimet e ish-të burgosurit dhe internuarit politik, Ylli Tabaku, që vuajti 26 vjet e 8 muaj e 24 ditë, në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës
8- Në Repartin nr. 321, Burrel, vitet 1967 – 1969
Të nesërmen e asaj dite, kampi ynë i gjend i rrethuar nga Korpusi i Elbasanit. Ne i shikonim nga lart, se si ata organizuan dy-tre rrethime me ushtarë, dhe vazhdonin të sillnin kamionë me trupa, deri sa kampi ynë u rrethua plotësisht. Mbas dy ditësh erdhi Kryetari i Degës së Brendshme të Elbasanit, gjeneral Nevzat Haznedari, i cili me një listë në dorë, lexoi emrat: Pjetër Arbnori, Ylli Tabaku, Kujtim Luzi, e të tjerë, gjithsej 15 vetë, na rrasën në auto-burg dhe na dërguan në Burrel.
Ky ishte një burg i tmerrshëm, ku me gabimin më të vogël, nuk të linin të ktheheshe në dhomë, por të hapnin derën, dhe të thonin – këtu jo në dhomë, pse u vonove në banjë, sepse u vonove duke larë tasin, – me një fjalë të gjenin sebepe. Biruca ishte e shtruar me çimento, me një dritare të vogël pa xham, dhe kur temperature ishte minus 15 gradë, të caktonte një pllakë si kufi dhe të thonin: – mos dil nga pllaka, ndryshe do të lidh me hekura. Sharjet dhe fyerjet ishin pa kursim.
Nuk po zgjatem më, se e shikoj se po shqetësohem edhe vetë tek sa shkruaj këto radhë. Kush ka qenë aty, e di mirë se çfarë ferri ishte dhe më kupton shumë mirë…!
9- Në repartin nr. 309 Skrofotinë, Vlorë, vitet 1969 – 1970
Më pas më dërguan në një kamp në Vlorë. Aty po ndërtohej një kripore, puna ishte shumë e rëndë, ngarkonim gurë me vagonë dhe i shtynim ato, përsëri 6 kilometër larg. Ndërtonim vaska të mëdha për koncentrimin e kripës. Hapnim kanale të zhytur në det deri në gjoks, ujin e pijshëm na e sillnin nga larg, me fuçia benzine, dhe kur e pinim atë në atë vapë të tmerrshme, të dukej sikur po pije benzinë…! Me pak fjalë stërmundim i tejskajshëm.
10- Në repartin nr.303, në Spaç, vitet 1970 – 1972
Mbas dy vjetësh më dërguan në Spaç. Minera e Spaçit ishte si 400 vjet përpara, sidomos galeritë e piritit. Atje temperatura arrinte deri në 45 gradë, imagjinoje se si mundet njeriu të punojë në kushte mizerabël, me kazmë dhe lopatë, në këtë ferr.
11- Në Repartin nr. 321 Burrel dhe në Spitalin e Burgut, vitet 1972-1976
Si njeri “i rrezikshëm” që isha, më dërguan përsëri në Burrel. Aty, mbas dy vjetësh, u sëmura nga një diabet, në fillim shumë agresiv. Pija një pagure një litroshe me ujë dhe mbas pesë minutash, nxirrja dy litra, humba shumë në peshë. Më bënë analizat, sheqeri kishte shkuar 500 nga 120, që është norma.
Të nesërmen më dërguan në spital në Tiranë, atje i’u nënshtrova një mjekimi intensiv, merrja gjashtë shishe serum në ditë. Unë u paraqita në spital në një gjendje shumë të rëndë, por kujdesi i jashtëzakonshëm i doktor Qerim Sinellës, më shpëtoi jetën. Vitet 1974-1976, i kalova në Spitalin e Burgut në Tiranë.
12- Në Repartin nr.309, Ballsh, vitet 1976 – 1979, lirimi
Më dërguan në Ballsh. Aty u ndërtua Uzina e Përpunimit të Naftës. Ajo ishte, pothuaj në përfundim, dhe shumica e të dënuarvë, rrinin pothuaj në kamp pa punë.
Mbas disa kohësh, më 29 janar të vitit 1979, d.m.th., mbas 18 vjet e 3 muaj, unë u lirova me plotësim dënimi. Erdhi Xh.H. dhe më mori. Shkova në Tiranë dhe banoja me dy motrat e mija e me mbesën. Pleqtë banonin tek shtëpia e Engjëllit, me nusen dhe vajzën e tij, Rezartën. Ndërsa Engjëlli, tashmë ishte arratisur prej tre vitesh.
Nga burgu, në internim, 1979 – 1980
Qëndrimi im në Tiranë, nuk zgjati shumë, veçse dy muaj, pasi erdhi një oficer dhe më komunikoi si ishim dënuar me 5 vjet internim në Baldushk, – prandaj, – tha ai, bëni gati plaçkat se do vij makina t’ju marrë. Me vendimin nr. 2, datë 5.3.1979, të Komisionit të Veçantë të Internim Dëbimeve, midis të tjerëve u internuan nga Tirana në Baldushk, për 5 vjet:
- -Ramzan Hysen Tabaku, i vit-lindjes 1901, cilësohej “shtresë e pasur”.
- -Sabrije Shaban Tabaku, e vit-lindjes 1931.
- –Ylli Ramazan Tabaku, i vit-lindjes 1942.
- –Raunela Hilmi Ramadani, e vit-lindjes 1960, vajza e Dhuratës.
Nuk zgjati shumë dhe tek dera e shtëpisë tonë, erdhi një makinë me 4 policë; ndërmjet njerëzve të tjerë që ishin mbledhur si kureshtarë, dallova dhe motrën time të vogël, Dritën, me gjithë burrin e saj, Kiçon dhe dy fëmijët, djali pesë vjeç dhe vajza 10 vjeçe.
Mbasi mbaruam së ngarkuari dhe u bëmë gati për t’u nisur, Kiço i drejtohet policëve: – A ka mundësi të shkoj dhe unë me ta? Se siç e shikoni, janë njerëz të sëmurë dhe pleq. Të paktën t’i ndihmoj për të sistemuar plaçkat.
Hajde hip, a ka të tjerë që do t’i ndihmojnë? – provokoi turmën polici.
U nisëm dhe prej aty, shkuam te Pazari i Ri, në shtëpinë e Engjëllit, për të marrë pleqtë. Moma ishte shumë e sëmurë, dhe ata e morën me barel. Frynte erë marsi dhe filloj të bjerë shi i imët e i ftohtë, që neve me gjithë plaçka na bëri ujë.
Mbërritëm në qendër të Baldushkut. Aty shkarkuam plaçkat, sepse shtëpia që kishim caktuar për ne, ishte shumë larg, në majën e një kodre. I hipëm plaçkat, me gjithë momën, me barel në një rimorkio dhe u nisëm për tek kodra. Kur arritëm te kodra, i shkarkuam plaçkat poshtë, në rrëzë të saj.
Tashmë ishte errësuar dhe nuk shihje as ku vije as këmbën, kush ka qenë në fshat, e di mirë që është errësirë e plotë. Filluam t’i ngjisnim plaçkat rrugë pa rrugë dhe më në fund, arritëm në shtëpinë kudo jetonim. Ajo ishte me dy dhoma, pa dysheme, direkt në tokë e ndërtuar me gurë dhe pa suvatim e pa tavan: çfarë frynte jashtë, hynte brenda dhe në vend të penxhereve, kishte dy frëngji; për banjë, as bëhej fjalë, pra nuk kishte.
Ashtu siç ishim të lagur dhe të rraskapitur, u përpoqëm të merrnim një sy gjumë, dhe sa mezi prisnim që të zbardhte dita, që të shikonim se ku na kishin sjellë.
Më së fundi u gdhi, dola jashtë dhe shikoja që shtëpia jonë ishte e rrethuar me një goxha pyll të pjerrët, por me shumë bar; mbrapa shtëpisë, ishte një pemë shumë e madhe, që në verë u mbush me rrush. Të nesërmen, gjëja e parë që bëra, ishte ndërrimi i të gjithë çatisë,- një usta e di se çfarë do të thotë kjo, t’i rreshtosh tjegullat nga e para, që të mos ketë asnjë rrjedhje shiu.
Meqenëse pleqtë po mërdhinin shumë, shkova në një pyll aty afër dhe preva disa dru, që i ndezëm në oxhakun e shtëpisë. Mjedisi u ngroh pak, por nuk e linte era që hynte nga çatia, pasi siç e thashë, shtëpia ishte pa tavan.
Të nesërmen shkova tek marangozi i kooperativës dhe i qava hallin, si dhe duke biseduar shtrova mendimin tim e i thashë se, kam ndërmend të sajoj një tip tavani. Për ketë, më kishte shkuar mëndja të merrja dhe të përdorja plastmasa të vjetër nga serat, pasi e ndërronin për çdo vit me të ri. Ai ishte një djalë shumë i sjellshëm dhe shumë i gatshëm për të më ndihmuar.
-Posi,, – tha ai, – për dhjetë minuta e ke gati. Morri një dërrasë dhe e bëri me ristela, më dha edhe gozhdë. Menjëherë u nisa për në shtëpi, me një farë gëzimi, sepse isha i sigurt, që moma dhe babai, do të ndiheshin më mirë, më ngrohtë dhe do ishin më të qetë. Moma ime, siç tregova më sipër, ishte sëmurë, ndërsa babanë, që kisha vetëm dy muaj që qëndroja pranë tij, ja ndjeja frymëmarrjen kur i rrija pranë. Nuk kisha provuar kurrë përkëdheljen e babait, sepse kur u dënova, ai ishte akoma në burg.
Mbasi kaluan edhe disa ditë, vendosa të ndërtoj në faqen e kodrës një palë shkallë, se ashtu siç ishte ajo faqe kodre, ishte shumë e vështirë që të ngjiteshe, pasi rrëshqitje. Mora një kazmë dhe gërmova, duke formuar 120 shkallë, dhe në çdo dhjetë shkallë, krijova një shesh pushimi.
Krahas kësaj, preva disa pllaka bari, dhe ja shtrova përsipër. Doli një gjë shumë e bukur dhe funksionale njëkohësisht, sikur të ishte e shtruar me një qilim të gjelbër, dhe sigurisht, që ngjitja për në shtëpi u bë shumë më e lehtë. Përpara shtëpisë, punova një rrip toke dhe e mbolla me një farë fshese, duke menduar që do të prodhoja fshesa që ishte e dobishme dhe e domosdoshme për çdo shtëpi. Mund të fitoj disa para, – mendova.
Fshesa ishte një bimë që rritet shpejt, dhe vërtet mbaj një jave aty u krijua një brez i gjelbër dhe shumë i bukur që ra menjëherë shumë në sy të gjithë fshatarëve, – pasi shtëpia ime në majë të kodrës, ishte lehtësisht e dallueshme nga i gjithë fshati. Ata filluan duke më pyetur: – Ore Yll, ç’është ajo bukuri që ke krijuar atje lart? –Gjeje, – u thosha unë, ju jeni katundarë dhe duhet ta dini se çfarë është.
Më vonë, ato u rritën, dhe unë i preva. Në fillim prodhova dhjetë fshesa. Kur erdhi Drita për të na vizituar, dhe për të na sjellë diçka për të ngrënë, ja dhashë me vete dhe ajo i shiti në Tiranë. Kur Drita erdhi përsëri, (ajo vinte pothuaj çdo javë, edhe për të na parë edhe për të na sjellë ushqime të gatuara nga ajo vetë), më solli edhe 500 lekë nga paratë e fshesave që kishte shitur. Kjo sasi paraje, për ne ishte shumë, pasi mund të blinim, të paktën bukën. Ndërkohë kisha përgatitur të tjera dhe kështu vazhdoi kjo punë, deri sa i mbarova.
Ndërkohë unë dilja në punë, por për mua bujqësia ishte një punë shumë e rendë. Isha i sëmurë, bëja katër gjilpëra në ditë. Një ditë u bëra keq, më shtruan në spital ku ndenja një muaj. Nuk kaloi shumë kohë dhe përsëri u sëmura shumë rëndë. Më shtruan në spital ku qëndrova përsëri një muaj. Kur dola nga spitali, më thirri kryetari i Kooperativës.
– Ore, si do bëjmë ne me ty, – më tha, ti të rrish në spital dhe ne të të paguajmë. – Nuk jam për në bujqësi, – i thashë, unë jam i sëmurë, më dërgoni në brigadën e ndërtimit, atë punë e kam bërë gjithë jetën. Kështu u bë, më dërguan në ndërtim. Vërtet lodhesha shumë se punën e kisha 8-9 km. larg nga shtëpia dhe duhej të shkoja në këmbë çdo ditë, por të paktën fitoja diçka më tepër.
Një shok, që kishim qenë bashkë nëpër disa burgje dhe kampe, si në Burrel, Spaç e të tjera, erdhi një ditë dhe më solli një strajcë me groshë të përziera me misër: – Merri këto dhe mbilli, – më tha, duke më shpjeguar se si të veproja. Ai quhej Asllan Shima, ishte vendali dhe një djalë i mrekullueshëm e me karakter.
Populli i Baldushkut, janë njerëz shumë fisnikë dhe mua më respektonin shumë. Kudo që më shikonin, më përshëndesnin, megjithëse e dinin se ky veprim, binte ndesh me parimet komuniste se isha “armiku” i tyre, domethënë “armiku i popullit”!
E mbolla misrin, me gjithë groshët, dhe çdo gjë po shkonte mirë e bukur. Ato bimët që mbolla u rritën të larta si pemë, por kur erdhi radha që ato do të lidhnin kallinj, për dy muaj rresht, nuk ra asnjë pikë shi, kështu që ato ngelën vetëm degë.
Fshatarët e shikonin gjithë atë misër në kodër, ata e dinin se unë nuk kisha lopë dhe një ditë më ndalon njëri dhe më pyet:
-O Yll, ti lopë nuk ke, çfarë do të bësh me kashtën e misrit?
-Nuk e di, – thashë unë.
-A ma shet mua? – tha fshatari.
-Po more, – i thashë unë.
-Me sa do ma shesësh? – më tha katundari.
-Ku di unë, ti llogarit sa ditë pune më janë dashur mua, për të punuar tokën dhe për ta mbjellë, njëkohësisht dhe farën.
-Mos kij merak, – tha bujku, – për ta korrur vijë vetë dhe i bëj të gjitha.
Nuk më kujtohet se sa para më dha, por di të them, kështu e kujtoj, që pata mbetur i kënaqur. Një pjesë të tokës e mbolla duhan, pak, sa për mua dhe për babën. Baba kishte një brisk që e grinte, dhe cigaret dridheshin po me gjethe duhani.
Gjatë kohës së jetesës në Baldushk, në veçanti, Drita, na ka ndihmuar shumë. Ajo punonte në një klub tek “Brraka”, si pastruese. Ajo mblidhte mbeturina buke, të panineve që linin klientët, dhe shoqeve që e shikonin, ju thoshte: – I dua për pulat. Në fakt, me ato mbeturina buke, ajo ushqente fëmijët e saj, me qëllim që ajo të kursente për të na sjellë neve diçka për të ngrënë, në internim.
Aspak e vogël, por shumë e madhe pati qenë ndihma e Xhimit, që vinte shpesh së bashku me gruan e tij, Ermirën, vajzën e gjeneralit komunist, për të na ndihmuar, si “armiq të popullit dhe të Partisë”.
Kjo lloj jete e stërmundimshme, herë me bukë dhe herë pa bukë, se kishte raste që rrinim edhe tre ditë pa ngrënë. Por për mua nuk zgjati shumë, kurse për të tjerët, vazhduan gjatë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016