Dashnor Kaloçi
Pjesa e dyzetë e katër
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror, etj.”! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al
Dokumenti arkivor ‘Tepër sekret’ me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të datës 18 dhjetor të vitit 1981, e cila u zhvillua pa praninë e kryeministrit Mehmet Shehu, pasi disa orë më parë, ai ishte gjetur i vdekur në dhomën e tij të gjumit!
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR Sekret
-Sektori i Përgjithshëm-
PROCES – VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PPSH TË DATAVE
17 E 18 DHJETOR 1981
SEANCA E PESTË
SHOKU ENVER HOXHA: Hapim mbledhjen e Byrosë Politike. Fjalën e merr shoku Hekuran.
SHOKU HEKURAN ISAI: Ndodhinë unë e konsideroj si pasojë të disa shfaqjeve mbi të cilat do të mendohem të shfaq mendimin, duke u ndalur në shfaqjet e dualizmit dhe në ato që do të them, ekzistonin përpara ngjarjes dhe po të kuptohej ndryshe, kjo do të ishte një lidhje jo e drejtë midis shkakut dhe pasojës dhe jo realisht do ta konsideronte atë që ndodhi, si shkaktare të atyre që diskutojmë tani. Kjo do ta vështirësonte kuptimin dhe korrigjimin.
Parimisht dualizmi, si aspekt i luftës së klasës, shfaqet pikërisht sepse ekzistojnë mbeturina që shtyjnë organizmin tonë drejt decentralizimit liberal, drejt centralizmit burokratik, lëshimit dhe marrjes së kompetencave. Për gjithë sektorët këto probleme parimore janë, të cilave u japin rrugëzgjidhje forumet dhe organet e Partisë. Ka analiza, përgjithësime e vendime përkatëse për këto probleme nga levat e Partisë. Roli i një forumi nuk varet vetëm nga emri, po edhe nga niveli i problemeve dhe i kuadrove që bëjnë pjesë në të.
Në lidhje me problemet ka patur raste, kur nuk është treguar kujdesi i duhur. Them raste, prandaj them edhe shfaqje dualizmi. Nga këto shfaqje është bërë rregull vend e pa vend të thuhet “Partia dhe Qeveria”, se po nuk the edhe Qeveria, duket sikur e mohon punën e Qeverisë. Meqenëse themi “Partia dhe Qeveria”, është bërë si rregull, që të vendosen së bashku fotografia e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë, me atë të kryetarit të Këshillit të Ministrave, shoku Mehmet.
Krahas kësaj, bashkë me citatet kryesore po bëhesh rregull që të vendoseshin nëpër murre dhe leksione edhe citate të kryetarit të Qeverisë, shokut Mehmet, si fjala vjen për disiplinën, për Artin Ushtarak, për kodin agroteknik, për çështjen e pushtetit etj. Më duket se nuk është nevoja që krahas citateve kryesore, të fillohet tani të shkruhet nëpër mure dhe të përmenden nëpër leksione edhe citate të shokëve të tjerë. Kjo duhet kuptuar drejt nga ju, shoku Mehmet, se në qoftë se nuk kuptohen drejt, atëherë mund të marrë një kuptim tjetër. Puna është që gradualisht, dashje pa dashje, krijohen situate që nuk mund të eliminohen me aksione, se pastaj krijohen probleme të tjera.
Më duket se lidhet me ato që thashë edhe vendosja e anëtarëve të Byrosë Politike si anëtarë të Qeverisë dhe si drejtues partie, që janë anëtarë të Qeverisë, shto këtu edhe shokët Rita dhe Muho, që asistojnë disa herë në mbledhjen e Qeverisë, bëhemi 10 anëtarë të Byrosë në këto çështje. Çfarë vihet re atje? Vihet re që për raportet me probleme që i vijnë për shqyrtim Byrosë Politike nga Qeveria, bëjnë vërejtje, propozime e sugjerime vetëm tre-katër shokë që kanë qenë në mbledhjen e Qeverisë.
Të tjerët, deri në 10 shokë ose u përgjigjen pyetjeve, ose kundërshtojnë vërejtjet ose diskutojnë në mbrojtje, ose heshtin. Kështu çështja që paraqitet për diskutim duket si një problem i paravendosur, edhe numri krijon një ndikim epërsie. “Jemi shumica e anëtarëve të Byrosë Politike ne këndej”, i tha shoku Mehmet, shokut Simon Stefani, prandaj mos e ndalo “X” problem.
Në Qeveri, sidomos në sektorët kryesor, anëtarët të Byrosë Politike do të ketë patjetër, sepse ndër levat e Partisë ai i pushtetit është sektori më i rëndësishëm, po mos do vlerësuar vallë më mirë edhe numri? Shfaqje të dualizmit kemi patur edhe midis vetë organeve shtetërore dhe konkretisht midis Qeverisë dhe Kryesisë.
Ashtu siç zhvillohen sot mbledhjet e Kryesisë, e kanë venitur deri diku rolin e Qeverisë, kjo disa herë jo vetëm në nivelin e problemeve, por edhe në atë që Kryesia, sa herë që dëshiron, i thërret anëtarët e Qeverisë, u kërkon llogari deri në atë shkallë, sa ndonjëri në mbledhjen e Qeverisë, jo vetëm probleme nuk ngre, por nuk ngre as kokë. Kështu Kryesia sot, ngjason me një mikro qeveri brenda makro-qeverisë.
Atë që thekson shoku Mehmet në faqen 6 të autokritikës së tij, se “faktorët negative të karakterit tim, po nuk u luftuan dhe po nuk u çrrënjosën, mund të më çojnë në gabime të tjera”, unë nuk e kuptoj sikur është fjala për një ngjarje analoge me atë që ndodhi, po e kuptoj në lidhje me punën dhe konkretisht, në qoftë se shoku Mehmet nuk lufton seriozisht kundër këtyre faktorëve, pasoja do të ishte e qartë, vazhdimi i venitjes të rolit të Qeverisë, përqendrimi i fuqisë gjithnjë e më shumë në dorën e Kryesisë dhe në vazhdim dëgjimi vetëm i zërit të shokut Mehmet.
Kështu që krahas ekzistencës së forumeve të zgjedhura, atje dominon një person, shoku Mehmet, që kujtdo i’a pret fjalën, kujtdo i bërtet, që ngul këmbë t’i shkojë e tij dhe, si konkluzion, do të kishim kështu kalimin nga puna me vendime, në punën me urdhra. Edhe sot, shokët e Kryesisë dhe të Qeverisë gati deri në 15 % të kohës, punojnë me urdhra, mos harrojmë çfarë na ka ndodhur.
Pas atyre që na kanë ndodhur, pas asaj që tha shoku Enver se asnjë njeri nuk është i imunizuar, prandaj t’i vemë rëndësi edukimit, të mendosh dhe të veprosh, siç shkruan shoku Mehmet në autokritikën e tij, se paska pasur ndjenjën e imunitetit ndaj influencës së armiku të klasës, ndaj rrezikut të djathtë, kjo do të thotë ta përjetosh veten nga ai rregull që ka caktuar Partia. Mbivlerësimi i vetvetes konkretizohet te shfaqjet e mendjemadhësisë, për të cilën ju, shoku Mehmet, mund dhe duhet të flitnit në pikën e parë të autokritikës.
Mendjemadhësia, qoftë edhe ashtu siç e trajtoni ju, siç shfaqet tek ju, ka lindur që në momentin që kur ju filloni të mendoni se rreth jush ka vetëm mendje të vogla. Partia, si kuadër me përvojë, herë pas here ju ka dërguar në sektorë të rëndësishëm për të stabilizuar gjendjen. Ju kudo keni punuar me ndërgjegje për t’i realizuar detyrat që ju ka ngarkuar Partia. Të gjitha këto raste Partia dhe shoku Enver kanë thënë për ju fjalët më të mira që i keni merituar. Nga lart nuk janë bërë asnjëherë lavdërime më shumë se sa e meritonit.
Nuk është modesti komuniste të flisni vend e pa vend “veni-vidi-vinçi”, sepse ashtu siç është ndërtuar puna tek ne në përgjithësi, ‘viçi’ është kolektiv. Nga ju nuk është zbatuar deri tani përvoja e Plasës. Tani pas kaq vjetësh, duke shkuar ju shoku Mehmet, vetëm disa ditë në Korçë, është parë që tërë sistemi i Qeverisë dhe ekonomisë punon për këtë problem, kur për problemet e Plasës, nuk ka punuar kurrë seriozisht deri tani, megjithëse përvoja e saj po zbatohet sot në disa sektorë të ekonomisë si në Lapardha, në Cakran, në Dajç, në Përparim, në Vrinë etj.
SHOKU ENVER HOXHA: Tani edhe unë do të lexoj, ashtu siç e kisha përgatitur, kritikën që pata menduar t’i bëja punës së Mehmet Shehut, pavarësisht se kjo po zhvillohet në mungesë të tij, se ai u tregua armik i Partisë deri në çastin e fundit, deri sa vrau veten. Por Partia, si kurdoherë, është e fortë dhe në gjendje t’i kapërcejë të gjitha vështirësitë, ashtu sikurse ka kapërcyer edhe të tjera të tilla dhe të mëdha, prandaj puna jonë vazhdon.
Shokë,
Byroja Politike po diskuton për një çështje me shumë rëndësi, për gabimin e madh politik që bëri shoku Mehmet, duke aprovuar fejesën e djalit me një vajzë që, në rrethin e babait e të nënës së saj, ka 6-7 armiq të egër të pushtetit tonë popullor, të arratisur, kriminelë lufte, të burgosur e të internuar.
Para Kongresit të Partisë, Mehmeti më dërgoi një variant të parë të autokritikës së tij prej 26 faqesh dhe kërkonte ta ndihmoj. I’a ktheva këtë variant me vërejtjen që neve nuk na interesonte të na flitej gjerë e gjatë mbi historikun se si ngjau gabimi, e këshilloja të thellohej në shkaqet e këtij gabimi, të cilat, i theksova, janë të lidhura me disa koncepte e qëndrime jo të drejta, me disa elemente negative në karakterin e tij dhe se duhej të kuptonte rrezikshmërinë e fajit dhe të gabimeve që bëri.
Pas Kongresit, shoku Mehmet dorëzoi për Byronë Politike autokritikën prej 39 faqesh, që ju e lexuat. Autokritika e tij nuk më bind që ta ketë kuptuar thellë gabimin që ka bërë. Në autokritikë ai zgjatet në disa rrethana, në faktorë e justifikime, më shumë për të shfajësuar veten dhe për të minimizuar gabimin.
Shoku Mehmet, e vë theksin sidomos në momentet psikologjike, momente të një emotiviteti e sentimentalizmi të madh lidhur me disa anë patologjike të djalit, që e shtynë të gabonte. Por nuk janë këto arsyet kryesore dhe vendimtare, që e çuan në këtë gabim, por janë të tjera, janë disa anë të karakterit te Mehmetit, që ai i kalon përciptazi, që i quan sporadike dhe të rastit dhe që, duke “filozofuar”, del në konkluzionin që, po të mos korrigjohen, bëhen të rrezikshme. Pikërisht këto shfaqje në karakterin e Mehmetit, janë bërë të dëmshme dhe të rrezikshme për vijën dhe për punën e Partisë. Në këto çështje ai duhej të ishte thelluar dhe në këtë drejtim, duhet ta ndihmojmë edhe ne që t’i kuptojë dhe t’i zhdukë këto shfaqje negative.
Në planin politik, Byrosë Politike nuk i interesojnë rrethanat psikologjike të fejesës së djalit të Mehmetit. Ajo është e preokupuar për gabimin politik që bëri një nga anëtarët e saj më të vjetër e kryesorë, për të gjetur ç’e shtyri në këtë gabim dhe i ç’natyre është ai? Me këtë fejesë Mehmeti ka bërë një gabim të rëndë politiko-ideologjik. Ai, duke e konkretizuar këtë lidhje familjare-shoqërore, bëri aleancë politiko-ideologjike me armiq të klasës. Ai e vuri veten mbi Partinë, s’pyeti fare udhëheqjen e Partisë, shkeli vijën e saj në lidhje me luftën e klasave.
Mehmeti e bëri gabimin me plot ndërgjegje, duke qenë plotësisht në dijeni me kë e lidh këtë aleancë. Formalisht, ai e pyeti ministrin e Punëve të Brendshme, Feçor Shehun, i cili e vuri në dijeni për veprimtarinë e të atit të vajzës, që ka qenë në përpunim në organet e Sigurimit të Shtetit, e vuri, gjithashtu, në dijeni edhe për dy vëllezërit e tij të arratisur. Feçori më shumë nuk dinte aty për aty, por nga Mehmeti u këshillua që të mos e fuste Sigurimin në këtë çështje. Pse? Sepse, në fakt, i kishte të gjitha të dhënat.
Fiqreti e pyeti edhe për familjen e Pipajve. Kjo do të thotë që Mehmeti dhe Fiqreti ishin në dijeni edhe për rrethin familjar të nënës së vajzës, që kishte pjesëtarë të burgosur e të arratisur, ndër të cilët, kriminelin e luftës, Myzafer Pipën, dhe reaksionarin e egër dhe shumë aktiv, Arshi Pipën, që edhe sot e kësaj dite vazhdon të vjellë vrer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër pushtetit tonë popullor. Megjithëse Feçori, si anëtar Plenumi dhe ministër i Punëve të Brendshme, nuk mbajti qëndrim të prerë kur e pyeti Mehmeti: “Çdo të bëje ti, po të të ngjiste një rast i tillë në familjen tënde?”, ai iu përgjigj: “Do të vija t’ju pyesja ju”, domethënë do të pyesja Partinë.
Atëherë, Mehmeti përse nuk reflektoi pak mbi këtë përgjigje? Pse nuk erdhi të bisedonte me mua për këtë çështje, që dilte nga kuadri i zakonshëm familjar? Në një vend të autokritikës së tij, Mehmeti thotë: “Në fillim mendova të veja te shoku Enver”. Pse mendoi të vinte? Kur krushqitë midis familjeve bëhen në vijën e partisë, nuk ka arsye që të kërkojmë aprovim. Por ai mendoi të vinte tek unë, se e kuptonte që kjo lidhje familjare nuk ishte në përshtatje me vijën e Partisë.
Pastaj përpiqet ta shpjegojë mosardhjen që: “të mos e shqetësoja shokun Enver për çështje të tilla”. Kjo nuk qëndron. Ai nuk erdhi tek unë, jo që të mos më shqetësonte, por se e dinte që nuk do t’ia aprovoja vendimin që kishte marrë. Përse nuk bisedoi ai as me ndonjë shok tjetër të Byrosë Politike, si fjala vjen, me shokun Kadri, që ka qenë edhe ministër i Punëve të Brendshme?
Mehmeti veproi kështu për dy arsye: E para, se e merrte me mend që asnjë nga shokët nuk do të aprovonte këtë krushqi, dhe, e dyta, që është akoma edhe më e rëndë dhe burimi kryesor i gabimit të tij, se e konsideron veten mbi shokët. Ai e përjashton ose e vë veten mbi disiplinën e Partisë, gjë që e bëri të shkelë vijën e saj, që është një dhe e detyrueshme për të gjithë komunistët, pa dallim, aq më tepër për një komunist, që Partia e ka zgjedhur në udhëheqje pikërisht për ta ruajtur të pastër këtë vijë e për ta mbrojtur nga shkeljet e shtrembërimet.
Mehmeti, jo vetëm nuk u këshillua me asnjërin nga ne për këtë krushqi, por, mendoi ta bënte “fait accompli” me një nxitim të pashpjegueshëm. Këtë çështje unë e mora vesh indirekt, nga djali im, Iliri, që e kishin ftuar në fejesën e Skënderit. Po të gjykosh, edhe kjo ftesë nuk është pa hile. Pse duhej të asistonte djali im në vizitën e parë të njohjes që bënte e fejuara e Skënderit me prindërit e këtij? Që unë ta merrja vesh indirekt? Që të tatonte pulsin tim ose të më komprometonte edhe mua e familjen time në këtë çështje? Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016