Nga Sven Aurén
Përkthyer nga Adil N. Biçaku
Pjesa e njëzet e nëntë
ORIENTI EUROPES
Land af Albania! Let me bend mine eyes
On thee, thou rugged nurse of savage men.
Lord Byron.
Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.
Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.
Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.
Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.
Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumanshme.
Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.
Me shumë respekt
Adil Biçaku
Një pjesë e tabelave, tashmë janë përkthyer, të tjerat presin të bëhen objekte, për studime shkencore. Nga zbulimet e kësaj pjese të qytetit, gjendet edhe një vend varrezash, prej kohës para Krishtit, me emrat e të vdekurve në kamaret e vogla të murit dhe në një raft të madh me shishe loti, të cilat të afërmit e tyre, i kanë vendosur përkrah trupit të të vdekurit, si një shenjë zije. Por varrezat s´janë kontrolluar mirë akoma!
Nëpërmjet portës së ngushtë të qytetit, e cila hapet si një plasë në murin gjigant, dalim jashtë në atë shtegun e rrëpirës, që të çon lartë, për në kalanë e Ugolinit. Në dyshemenë e gurit të sallës së shtyllave, duken ende gropat e këmbëve të postë-rojës dhe ajo brima, ku ai mbështeste shtizën. Rruga lart për në kala, është mjaft e lodhshme, ku përdridhet midis mureve venedikase, por i’a vlen mundin. Prej pllajës së kështjellës, ka një pamje verbuese, mbi zonën e gërmimeve në ngjyrë të gjelbër të paqartë, mbi Gjiun e Butrintit dhe malin më në veri të Greqisë. Vetë gërmimet nuk shihen aq mirë. Ato sikur janë gëlltitur nga xhungla. Janë vetëm bankat e mermerit të amfiteatrit, që mezi duken poshtë në shpat.
Hyrja kryesore për në banesën e Ugolinit, ndodhet në katin e dytë, atje shkon nëpër një shkallë të gjerë guri, që kapet në mënyrë dekorative, gjatë murit të shtëpisë, por Delvino Beu, do që ne në fillim të shohim brenda, në një bodrum në katin përdhes, i cili funksionon si muze. Këtu arkeologu, ka mbledhur gjithë ato objekte të lëvizshme kulturore, që gërmimet deri tashti kanë nxjerr në shesh. Në rafte ndodhen orendi kuzhine, objekte dekorative, armë në radhë të gjata dhe tregojnë për atë jetë që bëhej në atë kohë nga banorët e pasur të Butrintit.
Tavlla mermeri, të cilat zbukuronin muret e teatrit, me emra të artistëve të veçantë, të njohur ose që kanë lënë biografi të kryetarëve të fuqishëm të qytetit. Mund të shohësh gjithashtu edhe gazetat lokale, helene të Butrintit: mbishkrime në tavlla, të cilat bëjnë komente të ashpra, të rrymës së ngjarjeve të politikës ditore dhe në epigrame thumbuese, bëjnë shaka me skulptorë dhe filozofë. Festa dhe ditë të zakonshme në Butrintin antik, pasqyrohen në një mënyrë mahnitëse në këtë kube bodrumi imprensionues.
-Kur ky material të përpunohet përfundimisht, atëherë do të shpërndajë dritë të re, mbi historinë e hershme të Shqipërisë, mendon Delvino Beu.
Por unë mezi dëgjojë se çfarë thotë ai. Interesi im absorbohet nga katër skulptura mermeri, të ndonjë dimension të mbinatyrshëm, të cilat qëndrojnë në një radhë, gjatë murit të shkurtër e kryer me një teknikë virtuoze dhe ndjenja për bukurinë e linjave, që ishte shenja e mrekullisë, së artit të gdhendëseve. Është një luftëtarë me një shpatë të shkurtër, në një anë, nënshkruar ‘Sosicles’ dhe disa figura, me copa stofi me rrudha të thella. Kokat mungojnë. Tiparet e gjallërisë së jetës së luftëtarit, mund të shihen në Muzeumin Kombëtarë të Tiranës, po ashtu edhe një kokë, jashtëzakonisht të bukur, që nënkupton të një vajze.
Por më i bukuri nga këto koka, “Venusi prej Butrinti”, që Enti i Artit, si pak të shpejtuar e kanë pagëzuar, e ka marrë Musolini, peshqesh nga Mbreti Zog, si një mirënjohje të punës së suksesshme, të arkeologut italian. “Venusi prej Butrinti”, ka dhënë shkak për shumë diskutime brenda shkencës arkeologjike në Itali. Që nga fillimi donin të thonin, se koka e mermerit, qe një vepër e vetë dorës së Praksitelit, ose sido qoftë, prej shkollës së Praksitelit.
Këto vlera artistike konsideroheshin të krahasueshme, me artin e skulpturës klasike e punimit nga gjithë më të parët. Tani ka dalë në dritë një teori tjetër, sipas së cilës, “Venusi prej Butrintit”, besohet prej tipareve delikate të fytyrës dhe krehja e lartë e flokëve, aspak duhet të paraqiste një femër, por një djalë. Shefi i Muzeumit të Tiranës, ka shkuar edhe një hap më tutje dhe pohon sipas kuptimit të tij, se: “Venusi prej Butrinti”, paraqet Aleksandrin e Madh, në moshën e rinisë. Mënyra e dukshme e pozicioni të kokës, të kujton skulpturat e tjera të Aleksandrit.
Por ne e lëmë për të diturit të grinden, për gjininë e skulpturës dhe emrin. Këto katër statuja gjithashtu një figurë e Dionisit, një kokë e Akropolisit dhe një kokë e Augustit, i kanë gjetur në kamaret e mureve të teatrit. Në tempujt dhe në dhomat e varreve, kanë gjetur objekte tjera artistike. Çfarë pasurish të reja, do të zbulojë vazhdimi i gërmimeve të tjera? Ugolini ndodhet veç në hyrje të detyrës jetësore dhe shteti italian, ka koncesion për një periudhë kohore për 30 vjet.
Në katin përmbi këtë muzeumin e improvizuar, ka Ugolini dhomën e vet të punës, prej ku ai nëpërmjet një dritareje të lartë, mund të shohë mbi dhomën e tij jeshile, të thesarit dhe të ëndërrojë mbi aventura të reja arkeologjike. Ajo është një dhomë e thjeshtë dhe praktike, e mobiluar me një tavolinë shkrimi, një raft librash dhe një krevat, me rrjetë kundër mushkonjash. Dollapi i librave, është zënë me literaturë të profesionit shkencor. Unë munda të gjej vetëm një vepër letrare, por një që unë pothuaj s´e prisja ta gjeja në një kala jugore shqiptare: Axel Munthers, “Libri për San Michele”.
Në rrugën për në barkën e peshkimit, përsëri na duhet të luftojmë për të ec përpara nëpër xhunglën tropike të Butrintit. Papritmas më kujtohet se kënaqësia e kësaj vizite në Atlantisin e Shqipërisë, nuk përbëhet vetëm nga skulptura, tempuj dhe teatro mermeri. Është gjetja e rrethinave të tyre së bashku, që e bën përjetimin kaq të madh. Gërmimet tjera, që unë kam vizituar, kanë pasur shtëpi moderne në afërsitë e tyre, kanë gumëzhit nga autobusë turistësh, gjahtar foto kamerash dhe nëpunës me uniforma. Kontrasti midis të vjetrës dhe të resë, është brutale. Një takim me antikën në xhunglën e Butrintit është një takim në shenjën e modestisë, diçka që i dhuron syut më tepër prani dhe e bën atmosferën, të paharrueshme.
***
Pastaj në mbrëmje Delvino Beu, shtroi darkë në shtëpinë e tij në Sarandë dhe u tregua se kishte një kuzhinë, e cila në mënyrë të favorshme, ndryshonte prej asaj të Baba Selimit, në Gjirokastër. Qe një darkë e mrekullueshme, në një ambient të kulturuar. Pas darkës zoti i shtëpisë demonstroi suvenire të ndryshme. Ishte një vitrinë xhami dhe brenda kish dekoratat vezulluese, të Baba-Guvernatorit, një palë portrete me dedikim nga Princi dhe Princesha av Wied, një kuran xhepi të shkruar me dorë, të cilin persona të ndryshëm, kërkonin ta blinin për shuma deri në 6.000 korona dhe shumë sende tjera interesante.
Pasi i pamë gjithë ato, u ulëm pranë një dritareje të madhe, pamë ditën të mbarojë dhe llambat të ndizen në Korfuzin e paqartë. Delvino Beu, argëtoi grupin me episode tërheqëse, nga historia e Shqipërisë, por kur biseda rrëshqiti mbi të ardhmen e Ballkanit, u përmbajt në muhabet. Toni qe i një far qetësie dëshpërimi, kur ai tha:
-Unë nuk dua të shkojë aq larg në pesimizmin tim, si përfaqësuesi anglez në Kostandinopojë, Lord Stratford de Redcliffe, por unë besojë, se Ballkani do ta ketë të vështirë edhe në të ardhshmen. Ne kurrë s´do të bëhemi fatlum, para se superfuqitë të ndërpresin trajtimin e vendeve të Ballkanit sikur, tryeza të bindura në lojën e tyre, të rrezikshme dhe amorale.
-Sa larg shkoi përfaqësuesi anglez? Qe dikush, që pyeti.
-Atë do ta them unë. Më e thjeshta dhe ndoshta edhe e vetmja mënyrë e krijimit të paqes në Ballkan, tha ky specialisti i problemeve të Evropës Lindore, duhet të ishte që me anë të digave, të ngresh nivelin e ujit në Detin Mesdhe dhe Detin e Zi, kështu që masat e ujit, të bashkohen në një det mbi malet e Rodonit…!
LAMTUMIRË ORIENT
Unë jam ulur në një divan në bahçen e Pallatit të Princ av Wied në Durrës. Përballë meje Adriatiku ka hapur jorganin e tij kadifeje, në digë qëndron avullorja e madhe gati për nisje. Një hamall i moshuar, me fytyrë zeshkane nga dielli dhe era, bie bagazhin tonë. Çdo gjë është njësoj: timonieri i shkretë, që qëndron atje anash në vapor, vëzhgon i dëshpëruar për pasagjer inekzistent, eleganca e kapitenit të portit, thirrjet e shoferëve.
Por këtu në divanin tim, është heshtje dhe qetësi. Asnjë shërbyes pallati me uniformë dhe dama me elegancën parisiane të bisedojnë midis palmave dhe grupeve të luleve, mbi rrezikshmërinë e popullit shqiptar. Kopshti i lashtë i Wilhelmit I-rë, është degraduar në park shtetëror, ato karriget elegante me llak të bardhë të bahçes, janë zëvendësuar nga ky divani i thjeshtë prej druri. As edhe “Pallati” ka mbetur! Gjatë Luftës Botërore, u dogj fare gjer në themel. Mbeturinat e principatës shqiptare, janë zhdukur gjatë këtyre dy dekadave, që kanë kaluar. Ka mbetur vetëm kjo skele guri, në të cilën Monarku zakonisht vraponte teposhtë, për t’u siguruar se mos destrojeri italian, ka lënë vendin prej molos. Dhe Princi vetë natyrisht: ky zotëria i vjetër, që shëtit në Nizë, me një lule zambaku në brimën e kopsës.
Atje lartë në mal në pjesën veriore të qytetit, ka rezidencën zotëria i tanishëm i vendit. Pikërisht këto ditë e ka lënë zagushinë e Tiranës, për freskinë e Durrësit dhe është vendosur në vilën e tij magjike në Durrësit, e cila është mobiluar me gjithë komoditetet e mundshme. Shkallë, parmakë dhe vaskë, janë prej mermeri të bardh carrare, muret të veshura më tapite të shtrenjta kadifeje, parketi i dyshemesë i mbuluar me qilima antike. Thuhet, se ai është më i kënaqur në vilën e tij ne Tiranë, që të ofron më pak luks, por më shumë kënaqësi shtëpiake. Por çfarë mungon në kënaqësi, kompletohet nga freskia. Vapa e sezonit të lartë verorë në Tiranë, herë herë është e tmerrshme.
Kjo bahçe në të cilën tani jam ulur dhe ajo rezidenca tjegull e kuqe atje lart, në majë të malit të Durrësit, shënojnë të dyja kthesa në historinë e re të Shqipërisë. Bahçja tregon mbi një ëndërr lirie shumë mijë-vjeçare, rrëzime të përkohshme, rezidenca për një burrë të ri dhe një kohë të re. Midis atyre dyjave, ka qenë kaos. Çfarë shtrihet përpara Mbretit Zog? S´është gjë e mirë për të thënë. Situata është tepër e komplikuar, koha tepër e shqetësuar, që të shprehesh për këtë pikë do të duhej të tejkaloje nivelin e hamendjes.
Mbreti Zog, është një burrë i cili shtypet midis dy kundra polesh të tilla, si ajo e liridashjes shqiptare dhe imperializmit italian, ka detyrën e mundimshme, të gjejë një ‘modus vivendi’, për popullin e tij dhe për vete. Ndoshta do të mundet me e gjet një të tillë. Do të ishte mirë po të ndodhte kështu. Kombi shqiptarë ka shumë veti të shkëlqyera, aq shumë rezerva etike dhe do të ishte një katastrofë, nëse do të ndodhte që të mbytej nga një popull, që është një qenie e huaj për te.
Tani më duhet te shkojë në bord. Sirena tashmë ka fryrë për herë të dytë dhe timonieri ma bën me dorë, që të rris takatin, ku unë vrapoj gjatë skelës së gurëve. Së shpejti do t’i jap lamtumirë Shqipërisë. I ngjeshur pranë anës së anijes, do të shoh se si malet aventuriere bojë hiri dhe minaret e bardha, shkrihen së bashku dhe zhduken fare, se si vendi i harruar i Evropës, zbehet në një mjegull të largët. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016