Dashnor Kaloçi
Pjesa e dyzetë e tre
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror, etj.”! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR Sekret
-Sektori i Përgjithshëm-
PROCES – VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PPSH TË DATAVE
17 E 18 DHJETOR 1981
Rendi i ditës: Analiza e gabimit të rëndë të kryer nga anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike.
Në këtë mbledhje marrin pjesë gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me përjashtim të shokut Hekuran Isai, që nuk erdhi për arsye se mbrëmë natën, i vdiq e ëma.
SHOKU HAJREDIN ÇELIKU: Propozimi i shokut Enver për t’u paraqitur nga ana e shokut Mehmet, një autokritikë me shkrim, pas kritikës që i kishte bërë, për sa kishte vepruar lidhur me fejesën e djalit, është një normë e detyruar partie, jo më vetëm për udhëheqësit, por për të gjithë komunistët. Kjo është gjithashtu edhe një ndihmë e madhe që ju dha shokut Mehmet, me qëllim që ai të çlirohej nga ai ankth i madh që e ka munduar gjatë gjithë kësaj periudhe.
Diskutimi që po bëjmë, synon, siç thotë shoku Enver, që veç ruajtjes së Partisë, që është kryesorja, të ngremë edhe moralin e të kritikuarit për të ndrequr gabimin e madh politik që ka bërë. Por siç doli nga autokritika, ai as aty dhe as këtu nuk mundi të bëj siç duhet. Megjithatë, mendoj se veprimi i tij s’ka qenë vetëm i shpejtuar, por edhe i pa thelluar, e i papeshuar nga të gjitha anët, sidomos, në drejtim të zbatimit të parimit të luftës së klasave dhe zbatimit të normave të Partisë, lidhur me kritikën dhe autokritikën, gjë që për eksperiencën që kish si komunist i vjetër, e aq më tepër si udhëheqës me përvojë, nuk duhet ta bënte kurrë, sepse, siç pamë, gabimi ishte politik dhe siç doli, nuk mundi ta kalonte lehtë në qoftë se kishte menduar kështu, se do t’ja hidhte një gjë të tillë Partisë.
Mendimi im, është se, edhe vajzë sikur ta kishte Skënderin, më mirë t’i mbetej pa martuar, se sa të lidhte krushqi me njerëz me një rreth të tillë, me qëndrim të keq politik, si nga e ëma, ashtu dhe nga i ati. Ky veprim, megjithëse nuk përfundoi në martesë, sepse edhe këtu ndihmuan Partia dhe shoku Enver, prapëseprapë, ashtu siç thanë shokët, pati pasoja. Dhe pasoja pati jo vetëm për shokun Mehmet dhe familjen e tij, por mbi të gjitha, duam apo nuk duam ne, dëmtoi jo pak edhe Partinë në drejtim të kuptimit e të zbatimit të parimit të luftës së klasave.
Pse ra atëhere shoku Mehmet në një gabim të tillë?! Kjo me të drejtë na habiti të gjithëve. Ai mundohet që këtë ta shpjegojë në autokritikën e vet, duke bërë analizën e shkaqeve e të rrethanave që e çuan deri në këtë veprim, por nuk ja ka arritur as me shkrim, as këtu, edhe pas ndihmës që i dhanë të gjithë shokët e tjerë.
Unë mendoj, se ende s’ka reflektuar ai si dhe sa duhet, për sa ka bërë dhe për dëmin e madh që i ka sjellë Partisë. Shoku Ramiz e tha drejt dhe të gjithë shokët e tjerë gjithashtu, dhe në këtë drejtim të bëjë kthesën e duhur. Ne e duam shokun Mehmet dhe na vjen keq që ra në një gabim jo të thjeshtë, por të rëndë, gabim politik. Por përpara interesave të larta të Partisë, ne nuk mund të heshtim, sepse kjo ndoshta u ka bërë të mendonin se ashtu si në të kaluarën, ju do ta kapërcenit edhe këtë situatë.
Kjo autokritikë dhe kritika e shokëve që i duheshin shokut Mehmet, jo vetëm për të mos lejuar më që të dëmtohej vija e Partisë, por për t’u çliruar nga një ankth dhe mbyllje në vetë vete, që është i dëmshëm për Partinë, sidomos kur tani që kemi gjithë këtë punë të madhe përpara, për zbatimin e detyrave historike që vuri Kongresi i 8-të i Partisë, për zbërthim të tyre dhe të detyrave që shtroi shoku Enver në mbledhjen e parë të Byrosë Politike për të përsosur më tej metodën dhe stilin në punë, si një hallkë bazë për të realizuar të gjitha detyrat në fushën ideo-politike, ekonomike dhe në atë të mbrojtjes.
Veç gabimit të rëndë politik që bëtë ju shoku Mehmet, lidhur me fejesën e djalit, për të cilën me të drejtë të kritikojnë të gjithë, mundohuni të nxirrini mësime të vlefshme edhe për kritikët që edhe në këtë rast t’i bënë edhe në drejtim të metodës e të stilit në punë, të karakterit të ashpër, aspak shoqëror ndaj shokëve, ndaj vartësve, ndaj të cilëve duhet të kalitesh edhe vullnetin tënd për t’i dëgjuar njerëzit më me prudencë.
Nëse lodhesh, mbani më mirë parasysh të paktën që të rregulloni kompetencat e vartësve dhe të shtoni edhe më tej besimin ndaj tyre. Gjithë arritjet tona, i dedikohen popullit, nën udhëheqjen e Partisë dhe të shokut Enver. Ne, sado që të bëjmë, jemi pjesa e tërë punës së madhe që bën Partia, pa dashur të nënvleftësojmë këtu rolin e individit, por jo ama siç del këtu, që “uni”, juaj të dalë mbi punën e madhe që ka bërë dhe po bën Partia poshtë tok edhe me tërë udhëheqjen e Partisë, me shokun Enver në krye.
Ju thoni, që nuk do ta bënit një fejesë të tillë për njërin nga dy djemtë e tjerë! Përse? Sepse e dinit që po gabonit. Këtë ta tha dhe djali, ta tha dhe Fiqreti, erdhi ta tha dhe vetë Turdiu. Atëhere, pse nuk e ndalët këtë akt? Mos menduat vallë se ashtu si për shumë fakte të tjera që dolën këtu, edhe me pjesëtarët e tjerë të familjes, nuk do t’i jepje llogari kujt? Po ta dinit atë që do të vinit sot këtu dhe do të behej kjo që po bëhet, atëhere sigurisht që nuk do ta kishit bërë.
Po përse menduat kështu atëhere? Mirë thanë shokët, se për ju kish tjetër disiplinë Partie, nga ajo që Partia ka për tërë anëtarët e vet, kjo ndoshta e ushqyer edhe nga posti dhe nga meritat që keni, duke arritur në konkluzione që jeni i pagabueshëm, i imunizuar, dhe i dini të gjitha. Pra nuk ka dy disiplina në Parti, nga të cilat njëra për të gjithë komunistë dhe tjetra për udhëheqësit. Ne kritikuam mjaft veprime të këqija të puçistëve dhe nga analiza që ju bëmë punës së tyre armiqësore, nxorëm mësime të gjithë.
Ç’është ajo që keni bërë ju, që djali i shkonte pas nuses edhe në ndeshjet sportive që kjo do të bënte jashtë? Me ç’para bëhen gjëra të tilla? Keq bëre që e ridërgove djalin në Suedi, për të mbaruar shkollën apo për të dhënë provimet. Mirë do të bëje ta kishte ndaluar dhe ta dërgoje pranë gjirit të klasës punëtore, për ta larë edhe ai me punë gabimin që ka bërë. Fejesa e Skënderit me vajzën e Turdiut, takimet e nuses së djalit tjetër me francezin, tregojnë se ju dhe shoqja Fiqeret jeni jo vetëm sentimental, por edhe liberal. Kthejuni vendimeve të plenumit të IV-të dhe analizave që u bënë atëhere, shikojeni edhe njëherë veten nën dritën e këtyre vendimeve.
Mirë tha shoku Kadri, mos bëni sikur nuk i dimë gjërat, kur ato i dimë dhe në fakt mos prisni që këto t’ua thonë të tjerët. Bëni gabim të madh duke vepruar kështu. Dëmtoni dhe shoqen Fiqret edhe djalin të gjithë të tjerët, kur mendoni se ato nuk paskan faj dhe përgjegjësi për këto ngjarje, i mere të gjithë nën sqetull dhe tërë zjarrin për vete. Jo, kështu nuk bën, shoku Mehmet, sepse edhe me këtë veprim, ju mendoni se do mund ta kaloni çështjen e tyre më lehtë, duke marrë të gjithë fajin për vete.
Megjithatë, veç gabimit politik dhe përgjegjësisë që ka shoku Mehmet për këtë çështje lidhur me fejesën, kanë përgjegjësi edhe shokët e Klubit të “Dinamo”-s dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, sepse ata jo vetëm që duhet të sinjalizonin, por të ndërhynin më energjikisht që të ndalonin me çdo kusht futjen e vajzës së Turdiut në Bllok, e në familjen e shokëve udhëheqës të Partisë. Ku është këtu vigjilenca nga ana e tyre? Edhe shokët e tjerë të aparatit të kryeministrisë, me të vërtetë nuk dinin gjë në fillim për këtë fejesë, sepse shoku Mehmet nuk i kishte sinjalizuar dhe as e kishte biseduar për këto gjëra, por, kur e morën vesh, ç’garë bënë?!
Ata nuk biseduan, nuk thanë një llaf. Po përse presin ata që të gjitha gjërat t’i thotë shoku Enver? Mos e dhe ata druheshin nga ai që t’i bënin kritikë? Dhe siç del, këtu ka një të vërtetë të hidhur. Sa herë ka folur shoku Enver për problemet e kritikës dhe të autokritikës si norma me rëndësi të jetës së partisë. Ai veçanërisht ka folur për kritikën paralele, sidomos për ta nxitur atë nga poshtë lart, pra edhe ndaj funksionarëve dhe shokëve të tjerë. Në këtë drejtim, kurajoja e këtyre shokëve duhet të ishte më e madhe.
Nga sa u diskutua këtu, mësime nxjerrin të gjithë, pra edhe unë si komunist dhe kuadër, qoftë për kuptimin dhe zbatimin me konsekuencë të parimit të luftës së klasave, ashtu edhe për kuptimin e zbatimit më të mirë të normave të tilla si autokritika, kritika, dëgjimi i zërit të masave, forcimi i vigjilencës dhe i demokracisë në familje, etj.
Meqenëse punonjësit poshtë në bazë e dinë këtë çështje, shoku Mehmet duhet të bëjë autokritikë jo vetëm në organizatën bazë, por sipas rastit edhe në ndonjë mbledhje kolektivi, ku të trajtojë këto çështje aq dhe në atë masë sa do t’u vlente atyre. Kjo mendoj, do ta lehtësonte shokun Mehmet, kurse masat do ta kuptonin drejt autokritikën e tij, por autokritikë të vërtetë dhe jo si ajo që na paraqiti këtu.
SHOKU BESNIK BEKTESHI: Në mbledhjen tjetër të Byrosë Politike, ju, shoku Enver, na thatë që të gjithë po presim autokritikën e shokut Mehmet, që të çlirohemi edhe nga shqetësimi, po të çlirohet gjithashtu edhe ai vetë. Këtu, në Byronë Politike, unë jam më i riu, po e them me sinqeritet prej komunisti, që çdo ditë jam shqetësuar dhe kam menduar për këtë çështje. Ju shoku Enver, në mbledhjen e kaluar na mësuat që në Partinë tonë revolucionare, duhet ta ndjejmë veten të lirë, t’i themi mendimet hapur, na mësuat që të punojmë si një trup i vetëm, por jo me prirje familjare.
Unë patjetër, diskutimin tim e kisha përgatitur në një sens, sepse marrëdhënieje dhe raporte pune me shokun Mehmet, nuk kam pasur, por gjatë gjithë kohës bëja bilancin, prandaj, edhe e shtrova pyetjen: çfarë rrjedhimesh do t’i sillni Partisë, po të bëhej kjo martesë? Nuk kam këtu ndërmend t’i zgjas gjërat, sepse shokët i thanë shumë drejt dhe shumë qartë, por dua të them se, për mendimin tim, së pari, do të cenohej uniteti i Partisë nga baza në qendër, unitet që ne e kemi të shenjtë.
Mendoj që do të cënohej uniteti parti-popull. Në të vërtetë ne kemi një popull të shkëlqyer, por gjykimit të tij, nuk i shpëton asnjë gabim nga kushdo që të bëhet ky, prandaj themi se: ç’ thotë Partia, bën populli, çdo populli, bën Partia. Mendoj se do të qe dobësuar lufta e klasave, pra do t’i bëhesh një punë shumë e dëmshme Partisë në këtë drejtim. Armiku do të kish arritur edhe një fitore edhe më të madhe, qoftë dhe të përkohshme, se s’do ta lejonte më tej Partinë, ashtu siç e ka arritur faktikisht me këtë rast.
Unë mendoj, se do të qe cënuar akoma dhe më shumë figura e shokut Mehmet, në të njëjtën kohë të gjithë ato të meta siç janë: pikëpamja që keni ju për pagabueshmërinë, karakteri i rrëmbyer në marrjen e vendimeve, sentimentalizmi mikroborgjez, etj., për të cilat ai vetë bën autokritikë, do të merrnin ushqim artificial, sepse Partia nga ana e vete nuk do t’u jepte.
Por Partia ka një disiplinë të hekurt, të mbështetur mbi norma të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë. Askujt nuk ja lejon ajo, t’i cënojë ato. Po të bëhesh martesa në çast, do të bëhej mbledhja e Byrosë Politike, por do të qe më e rëndë për ne të gjithë, plaga do të qe më e madhe, dhe me më shumë rrjedhime. Mendoj që këtu qëndron merita e Partisë dhe e shokut Enver, që në moment, shpëtuan jo vetëm shokun Mehmet dhe familjen e tij, por shpëtuan dhe unitetin e disiplinën e Partisë. Prandaj ju shoku Mehmet, jo vetëm duhet të refuzonit propozimin e Skënderit, por edhe t’i bënit çështjes një analizë në çast, të nxirrnit arsyet pse u bë ky propozim dhe të nxirrnit konkluzionet e nevojshme nga kjo.
Mendoj se shoku Mehmet, duhet të nxjerrë konkluzione shumë të thella nga kjo mbledhje dhe nga kjo ndihmë që po i jep Partia. Edhe për mua, personalisht, kjo mbledhje është një shkollë e madhe, një mësim i madh, që do ta kem kurdoherë parasysh në jetë, në punën dhe në familjen time. Jam plotësisht dakord me masën që propozohet nga shoku Simon dhe me të cilat janë dakord edhe të gjithë shokët e tjerë.
SHOKU ENVER HOXHA: Unë propozoj, që mbledhjen ta vazhdojmë nesër, pse dëshiroj të flasë edhe unë. Vetëm dëshiroj me këtë rast, t’i bëj të qartë Mehmetit, se në këtë mbledhje, të gjithë shokët, me zëmër të hapur, si komunistë dhe si udhëheqës në këtë forum të lartë të Partisë, vunë në dukje gabimin tënd të madh politiko-ideologjik dhe reflektuan gjithashtu nga rrodhi ky gabim. Gjithçka thanë shokët e bënë për të mirën e Partisë dhe tëndin, se ti u ke shërbyer e do t’u shërbesh edhe paskëtaj Partisë dhe popullit dhe kam bindjen, se do të vazhdosh t’u shërbesh edhe më mirë, sikurse u ke shërbyer, në rast se i realizon këto gabime, të kuptosh edhe nga kanë rrjedhur ato. Pra, rëndësi ka të realizosh nga rrodhën këto gabime, se ai u bë.
Në radhë të parë, ti duhet të reflektosh dhe të jesh i bindur për drejtësinë e kritikave të shokëve, të cilat kanë qenë me baza të shëndosha dhe janë bërë brenda normave më të drejta revolucionare marksiste-leniniste dhe me qëllim për t’a ndrequr këtë gabim, për të ndrequr ty, për të ndrequr edhe punën këtej e tutje. Prandaj, kështu duhet ta marrësh këtë gjë. Këto kritika, në një formë të këtillë, nuk i ke parë asnjëherë ti, por unë që kam një eksperiencë të gjatë në parti, mund të them, që kjo mbledhje ka qenë në një lartësi shumë më të madhe nga mbledhjet e tjera që kemi bërë, për disa gabime të tjera.
Kjo tregon për mua dhe për të gjithë ne, nivelin e lartë marksist-leninist të shokëve, gjykimet e tyre të shëndosha, perspektivat e afërme dhe të largëta dhe ndjenjën e përgjegjësia së tyre, për ta ruajtur të pastër vijën e Partisë, për të të ruajtur edhe ty, shoku Mehmet, sepse nuk duam të të hedhim, dëshirojmë vetëm se ti të bësh kthesë.
Mendimi im, është që ato që do të na thuash nesër dhe jam i bindur se ti nesër do të flasësh këtu, sepse të kemi shok e të njohim, dhe se të gjitha këto që u thanë, të kanë bërë përshtypje, duhet të jenë të bazuara. Mos i merr gjerat lehtë, jo, kjo kritikë ishte ca e ekzagjeruar, ajo tjetra jo e plotë, por merr esencën, thelbin e tyre dhe neve kjo na intereson, se kështu na krijohet bindja që do të të ndreqim dhe në këtë drejtim, do të ta japim edhe ndihmën, me sinqeritet dhe me dashuri komuniste.
Rëndësi ka çështja, që të na kuptosh, të na kuptosh si udhëheqje, të na kuptosh edhe si komunistët, brenda parimeve të Partisë, jo në mënyrë sentimentale, që përmend ti, ose “shoqërore”.
Prandaj, që të arrish në një konkluzion të drejtë, sonte dhe ty tërë natën, nuk do të zërë gjumi, se këto shqetësime, në mos të kësaj natyre, por edhe të natyrave të tjera, gjumin na e prish të gjithëve, veçanërisht kjo situatë për ty, që është e rëndë. Prandaj nuk duhet ta rëndosh më shumë gjendjen. Edhe ne, prapë do të përpiqemi nesër, në interesin e Partisë dhe në interesin tënd, që kjo situatë të mos të rëndohet.
Unë të këshilloj, që ta rrëzosh atë autokritikë alibi, që na ke paraqitur, d.mth., për të shfajësuar gabimin politik që ke bërë. Kjo alibi, përpara logjikës së fortë marksiste-leniniste, ra. Atëhere, cila është rruga e drejtë në të cilën duhet të ecësh? Rruga e drejtë është ajo që thanë shokët. Pra, në qoftë se e hedh poshtë atë alibi, me të gjitha kon-tornot, atëhere brenda një kohe shumë të shkurtër, do t’i gjykosh drejtë gjërat dhe do të jesh i qetë.
Këto, që të vënë në dukje shokët, janë jo vetëm mësime për ty, por për të gjithë ne, pse mendoj që nuk ka asnjë nga ne, që në vetë vete, të mos ketë një grimë fryme mikroborgjeze. Ky realitet, është pasqyrimi i shoqërisë në të cilën kemi jetuar, i klasave nga vijmë, që diku shfaqet më shumë dhe diku më pak. Prandaj si komunist, si revolucionar, duhet të jemi kurdoherë vigjilentë për të analizuar në vetvete veprimin që po bëjmë dhe të shohim ka në këtë veprim që është mikroborgjeze?
Në qoftë se shkojmë nga parimi që: nuk ka se ne jemi komunistë të kalitur, se asgjë nuk na prek, atëhere, ato do të trashen, do të bëhen të mëdha. Çdo hap tonin, ta shikojmë njëherë vetë me këtë pasqyrë, por kur na ndihmojnë shokët, atëhere lehtësohet puna për ne. Në këtë kuptim, diskutimet e shokëve, këtu kanë qenë një ndihmë e madhe për ty, në radhë të parë, por edhe për të tërë ne, sidomos për Partinë, se shokët e gjykuan drejt, por duhet ta gjykosh edhe ti, që situate ishte e rëndë. Ishte e rëndë, jo vetëm pse u bë fejesa, por ashtu siç e shpjeguan shokët, ishte një situatë shumë e rëndë, edhe në drejtimin e punëve shtetërore, në atë formë, dhe me atë të meta të karakterit tënd, që nuk duhet nënvlerësuar se janë kryesoret.
Unë mund të them, që çdo e keqe ka të mirën e saj. Tani, kjo e keqe u bë dhe mirë që u hap dhe ti e hape këtë, ti je ai që hape këtë plagë, por duhet ta kuptosh, që jo se je armiku i Partisë, në asnjë mënyrë, nuk e mendon askush këtë, vetëm se këtë gabim e bëra.
Po ti e ke bërë në të njëjtën kohë, edhe një të mirë Partisë, i ke bërë një shërbim, pse të gjitha këto kritika që po të bëjmë, t’i kemi bërë edhe më përpara, por nuk je ndrequr, tani kam bindjen dhe do ta them kur të flas, se kjo situatë aktuale, do t’a shkundë Mehmetin, më shumë të ta sjellë në rrugën e drejtë, vetëm në qoftë se gabimin e kupton drejtë. Prandaj më duket mua, sikur të reflektosh sonte, ti Mehmet, të flas unë në fillim nesër, pastaj mund të flasësh edhe ti.
SHOKU MEHMET SHEHU: Dakord.
SHOKU ENVER HOXHA: Atëhere e mbyllim këtë seancë dhe vazhdojmë nesër në orën 10. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016