Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror, etj.”! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al.
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR Sekret
-Sektori i Përgjithshëm-
PROCES – VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PPSH TË DATAVE
17 E 18 DHJETOR 1981
Rendi i ditës: Analiza e gabimit të rëndë të kryer nga anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike.
Në këtë mbledhje marrin pjesë gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me përjashtim të shokut Hekuran Isai, që nuk erdhi për arsye se mbrëmë natën, i vdiq e ëma.
Pyetje tjetër që më bëhet: Pse e përjashtoni përgjegjësinë e Fiqretit e të djalit?
SHOKU MEHMET SHEHU: Unë nuk e përjashtoj përgjegjësinë e Fiqretit dhe të djalit, po them që fajin kryesor e kam vetë. Djali ka fajin e tij që nuk vajti të zgjidhte një vajzë, siç i kishim rekomanduar. Edhe unë, edhe Fiqreti i kishim rekomanduar të bënte zgjedhje të përshtatshme, kurse ai vuri syrin te kjo vajzë. Fiqreti ka përgjegjësinë e saj që duhej të kishte ngulur këmbë te unë, po u lëkund e më në fund ra në pozitat që i thashë unë. Prandaj në autokritikën time them që përgjegjësia, në radhë të parë, është imja, pastaj e Fiqretit, sigurisht është edhe e djalit, se edhe ky ka faj. Kështu mendoj unë, kjo mund të jetë gabim.
SHOKU PALI MISKA: Këtë pyetje e bëra unë, shoku Mehmet, por nuk jam i bindur se është kështu siç thatë ju. Përkundrazi. Po pse ta bësh ti këtë? Dua të them, pse ta marrësh në mbrojtje Fiqretin? Ju në autokritikë e thoni vetë se Fiqreti e djali nuk kanë faj.
SHOKU MEHMET SHEHU: Jo, unë nuk e marr në mbrojtje Fiqretin, po në autokritikë them se Fiqreti lëkundesh.
SHOKU PALI MISKA: Jo lëkundeshe, po ajo është nxitëse në këtë çështje.
SHOKU MEHMET SHEHU: Jo, nuk është nxitëse Fiqreti.
SHOKU PALI MISKA: Mirë, ju keni mendimin tuaj dhe mbajeni, por unë them se në këtë rast dhe në raste të tjera, ajo ka qenë nxitëse. Gjykojeni, shoku Mehmet, këtë, merrini të lidhura këto punë, se kështu si po veproni, nuk e ndihmoni Partinë duke marrë në mbrojtje një komunist dhe një anëtar të Komitetit Qendror që gabon. Në autokritikë ju duhet t’i qëndronit edhe asaj.
SHOKU MEHMET SHEHU: Unë nuk e marr në mbrojtje atë, por marr përgjegjësinë time, që është kryesorja. Nuk them që Fiqreti ose djali nuk kanë përgjegjësi, por përgjegjësinë kryesore e kam unë.
SHOKU PALI MISKA: Nuk mjaftonte vetëm përgjegjësia jote. Këtu, në rastin konkret, ajo është anëtare e Komitetit Qendror, prandaj një fjalë duhet ta thoshte edhe për atë, të thoshte ç’faj ka Fiqreti.
SHOKU ENVER HOXHA: Një çështje që kalon caqet e familjes, ju, si ti edhe Fiqreti, duhet ta sillnit në Parti. Kjo ka mbajtur kushedi sa referate e leksione për luftën e klasave dhe kundër revizionizmit, bile i ka botuar ato pa leje, pa të cilën nuk botohen as referatet e shokëve, dhe në këtë çështje, për veten e saj u lëkund. Fiqreti, në qoftë se ishte komuniste e vendosur, duhej të kalonte dhe do të kalonte medoemos përmbi kokën tënde, të shkonte në Parti dhe të thoshte që: shoku Mehmet është vënë në një pozitë që do të bëjë një gabim të rëndë. E them këtë kështu, pse këtu duhet të merret parasysh që ajo është ngarkuar të mësojë kuadrot për luftën e klasave, prandaj duhet të të kishte thënë që: unë s’jam dakord me këtë që po bën dhe do të vete në Parti e të flas kundër teje, të shpëtoj Partinë në radhë të pare, që kjo fejesë të mos bëhet, po do të të shpëtoj edhe ty. Ky qëndrim do të ishte një frenim për ty, prandaj edhe ajo ka një faj të madh.
SHOKU MEHMET SHEHU: Ashtu duhej të vepronte.
SHOKU ENVER HOXHA: Dhe çështja qëndron gjithashtu edhe në atë që mendjemadhësia jote, mbivlerësimi i mendimeve të tua kalon jo vetëm përmbi gjithë shokët, që është shumë më e rëndë, por kalon edhe në planin familjar në mes dy anëtarëve të Komitetit Qendror. E kam fjalën se, pavarësisht që asnjë nga ne nuk ta tha këtë, se natyrisht nuk e dinte, po brenda në familje ta tha një anëtare e Komitetit Qendror që u lëkund. Ajo të tha ty, dale Mehmet, ç’po bëjmë kështu?
SHOKU MEHMET SHEHU: Po kështu është dhe më pas u bashkua me mendimin tim.
SHOKU ENVER HOXHA: Ky qëndrim ty prapë nuk të lëkundi. Po të ishte lëkundur, do të thoshte të mos e bëjmë këtë gjë. Ti pra ia imponove asaj. Ajo bëri gabimin dhe e tha që nuk veproi si duhet të vepronte. Imponimi që thashë, rrjedh nga mentaliteti dhe nga konceptet e tua filozofike, sepse këtë e ke vënë në jetë në shumë raste edhe në punët e përditshme shtetërore. Prandaj, kur analizon një situatë të tillë, nuk mund ta analizosh atë të shkëputur. Nuk vijnë rastësisht këto gjëra. Sigurisht ka edhe që vijnë rastësisht, po kjo gjë në këtë situatë nuk ka ardhur rastësisht.
Prandaj edhe Fiqreti ka faj. Nuk është formal ky faj që ajo u lëkund, por ashtu siç gabove ti në vijë, gaboi edhe ajo. Fiqreti nuk duhej të të kishte dëgjuar ty, por, siç thashë, duhej përnjëherë të kishte vajtur në Parti e të të shpëtonte edhe ty. Pra ajo ka bërë një gabim të rëndë dhe, po ta reflektosh, ti duhej ta kishe vënë këtë në autokritikë dhe të shkruaje atje që Fiqreti bëri një gabim të rëndë, që nuk erdhi në Parti, ku të deklaronte se Mehmeti është në rrugë të gabuar.
Këtu nuk është fjala për një fejesë të thjeshtë me njerëz të ndershëm, se i di të gjitha këto Fiqreti, prandaj ajo ka gabuar po aq rëndë sa edhe ti, se u bë pjesëtare e fajit. Ajo ka edhe fajin tjetër, atë që nuk reagoi të vente në Parti. Pra edhe ti nuk reagove të vejë në Parti, edhe ajo nuk erdhi në Parti. Gabimet këtu janë të njëllojta, ti thua që u shtange, ajo pranon që u lëkund. Ju e dini këtë në mes tuaj dhe ne ju besojmë për këtë, por gjykojmë se kështu duhej bërë. Deri sa nuk u bë kështu, mundet që ju të keni qenë dakord dhe neve mund të na lejohet që ta mendojmë një gjë të tillë.
SHOKU MEHMET SHEHU: Jo, juve mund t’ju lejohet, po unë them si ka qenë, si ka rrjedhur situata, që ajo lëkundej, pastaj më vonë edhe ajo u pajtua me mua.
SHOKU ENVER HOXHA: Po nuk duhesh të pajtohej me ty. Pastaj se ç’duhet të bënte ajo, këtë që themi sot për ty. Ç’duhet të bëje ti, këtë do t’ia themi edhe Fiqretit siç do t’i themi se ç’duhej të bënte edhe ajo me ty. Pavarësisht se jeni burrë e grua, më parë jeni anëtarë partie, pastaj edhe anëtarë të udhëheqjes.
SHOKU MEHMET SHEHU: Një nga shokët bëri pyetjen: Jeni i bindur se ky gabim është aksidental, ajo rrjedhim i gabimeve të tjera të bëra në jetën tënde? Ky gabim është rrjedhim i të gjithë elementëve negativë në karakterin tim edhe kanë ndodhur. Unë kështu mendoj.
SHOKU PALI MISKA: Edhe në autokritikë ju thoni se ju shkau këmba e djathtë. Me këtë ka të bëjë pyetja që kam bërë. Kur thua “më shkau këmba e djathtë”, është fjala për një rast aksidental, më shkau këmba, por këtu nuk kemi të bëjmë me “shkarje këmbe”.
SHOKU MEHMET SHEHU: Rashë në oportunizëm, me atë kuptim e thashë.
SHOKU PALI MISKA: Prandaj ju pyeta a jeni të bindur se akti i fundit është një rrjedhim logjik i tërë atyre të metave dhe gabimeve që ke pasur? Ndryshe nuk kish se si të ndodhte një gjë e tillë.
SHOKU MEHMET SHEHU: Jam plotësisht i bindur.
SHOKU RITA MARKO: Mos e nënvleftëso përgjegjësinë tënde me atë që thua “më shkau këmba”, ose e paraqet këtë çështje si një rastësi?
SHOKU MEHMET SHEHU: Jo si rastësi, por, në qoftë se unë nuk i luftoj këto të meta, mund të bie prapë në gabime të tilla. Prandaj Byrosë Politike dhe Partisë u premtoj se, dhe me ndihmën e shokëve do t’i luftoj ato të meta që të mos bie më në gabime të kësaj natyre e shkalle dhe nuk do të bie më në gabime të tilla, se njeriu gabime mund të bëjë, po jo të kësaj natyre.
SHOKU MUHO ASLLANI: Kisha diçka për këtë, shoku Mehmet. Ju edhe në autokritikë flisni për këtë të metë tuajën e për këto gabime që gjatë luftës e deri tani. A keni bërë ndonjëherë tjetër autokritikë në Parti për këto?
SHOKU MEHMET SHEHU: Për cilin gabim?
SHOKU MUHO ASLLANI: Për këto gabime e të meta që thoni në autokritikën tuaj, si rrëmbimin, gjaknxehtësinë, shkarje e të tëra me radhë, se thua që do të përmirësohem, do të përmirësohem…!
SHOKU MEHMET SHEHU: Po ka pasur raste që kam bërë edhe autokritikë.
SHOKU SIMON STEFANI: Partia prapë të ka kritikuar për këto, po pse nuk i ke mbajtur parasysh kritikat e Partisë? Se ja tani përsëri ç’ndodhi.
SHOKU MEHMET SHEHU: Më ka kritikuar, po nuk është se nuk i kam mbajtur parasysh. Unë kam luftuar kundër këtyre, kam pasur edhe përmirësime, nuk mund të them se nuk kam pasur, por të metat nuk janë zhdukur tek unë. Po të ishin zhdukur, atëherë do të ishte ndryshe situata. Këto të meta në karakterin tim ekzistojnë.
SHOKU PALI MISKA: Të meta në karakterin tënd shoku Mehmet! Po të kuptohemi, është një jetë e gjatë kjo, anëtar i vjetër i udhëheqjes, nga më të vjetrit bile. Të kanë kritikuar shokët, të ka kritikuar edhe shoku Enver, të ka bërë disa herë vërejtje që mos të rrëmbehesh për këtë apo për atë çështje. Atëherë kur do rregullohen këto gjëra, kur do të vihen në rrugë të mbarë nga ana jote? Se, të kuptohemi, rrëmbimi, gjaknxehtësia dhe huqet e tua kanë rrjedhimet e veta edhe në shokët e tjerë, edhe poshtë në bazë, se je nga shokët kryesorë, atëherë kur do të ndreqen këto?
SHOKU MEHMET SHEHU: Po mua më duket se nuk jam aq i rrëmbyer sa kam qenë 10 vjet më përpara, njëfarë përmirësimi kam pasur në këto drejtime, nuk është se s’kam lëvizur fare nga të metat e mia, se, po të mos kisha lëvizur, Partia nuk do të rrinte pa reaguar, siç e them në autokritikë.
Një pyetje tjetër. A të kanë rënë në sy sjelljet e djalit të vogël dhe të nuses së tij?
Me djalin e vogël dhe me nusen e tij kam bërë luftë klase brenda familjes, por kjo nuk ka qenë në shkallën e duhur. Ka pasur edhe shokë, një nga të cilët ka qenë shoku Kadri, që më ka folur për ta. Unë i kam kritikuar rëndë që të dy dhe kohët e fundit kam vënë re përmirësime tek ata. Megjithatë detyra ime është t’i vete deri në fund punës, për t’i korrigjuar e për t’i vënë në vijë siç duhet.
Një pyetje tjetër është që…
SHOKU RITA MARKO: Si pretendoni që e keni bërë këtë luftë klase me djalin e me nusen e tij kur shihet që ata nuk janë aspak normalë? Ai vetë niset prej këtej me një ekip të tërë shoqëruesish e shkon jashtë shtetit, rri i veshur në mënyrë që habiten të tërë, shkon në Festivalin e Gjirokastrës, atje veçohet e sillet aq keq, sa të tjerët thane: “more po ç’është ky kosovar që na është futur këtu”? Njerëzit pra flasin pse ai dhe e shoqja vishen ndryshe nga të tjerët. Ju i shikoni ata, ua krijoni bile vetë tërë kushtet për një gjë të tillë dhe tani na thoni se keni luftuar! Si keni luftuar? Si mund të lihet ky njeri të bredhë jashtë, t’i bjerë Evropës nga të tërë anët?
SHOKU MEHMET SHEHU: Pyesni e bisedoni me të, unë kam luftuar e po luftoj, po nuk kam arritur atë shkallë që duhet.
SHOKU RITA MARKO: Si të bisedoj me të dhe pse të bisedoj unë? Nuk merrem unë me atë, po shikoj e them edhe mendimin e të tjerëve, shoku Mehmet, mund të bëj edhe autokritikë që këtë s’ta kam thënë me kohë. Por ama e kam ndjerë, kam shtruar edhe unë pyetjen. Si e kam shtruar? Ja, atë që e shikojmë te të tjerët, duhet ta shikojmë në radhë të parë te vetja. Juve nuk e keni parë këtë gjë dhe nuk keni luftuar, se po të kishit luftuar, nuk arrinte puna deri këtu. Si keni luftuar kur ju i’a krijonit kushtet atij në të kundërtën?
SHOKU MEHMET SHEHU: Unë kam luftuar, po jo në shkallën e duhur.
SHOKU KADRI HAZBIU: Tash, shoku Mehmet, me qenë se jemi këtu, duhet të themi troç që nuk ka luftuar hiç.
SHOKU MEHMET SHEHU: Unë nuk mund të them se nuk kam luftuar, po nuk kam luftuar në shkallën e duhur. Jo unë atë që thua ti, nuk mund ta pranoj. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016