Nga Sven Aurén
Përkthyer nga Adil N.Biçaku
Pjesa e njëmbëdhjetë
ORIENTI EUROPES
Land af Albania! Let me bend mine eyes
On thee, thou rugged nurse of savage men.
Lord Byron.
Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.
Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.
Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.
Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.
Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumanshme.
Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.
Me shumë respekt
Adil Biçaku
Unë nuk e shoh programin deri në fund por iki nga kinemaja dhe kryqëzoj rrugën e errët, atje ku ndodhet një kafe e vogël. Kjo kafe në fakt, përbën një nga përpjekjet modeste të Tiranës për jetë nate. Një muzikë e rrallë, depërton jashtë, nëpërmjet derës së mbyllur dhe ka tërheq një grumbull dëgjuesish, të cilët janë ulur në trotuar. Atje brenda rrinë nja njëzet burra dhe llafosen nëpër tavolinat anash mureve. Në mes është një vend i hapur dhe në një qosh, një estradë muzike.
Përveç kinemave, kafeve dhe dancit të egjiptianëve, Tirana nuk ka asgjë të ofroj nga ana e dëfrimit dhe mirë është kështu. Ato të quajturat dëfrime kontinentale, që ka në shtetet e Ballkanit, janë të një karakteri vulgar shkatërrues. Në këtë dhe në shumë pamje të tjera, Tirana është kryeqyteti më i shkëlqyer i Ballkanit. Sa kohë që të jetë, një evropianizim i shpejtë zakonisht, kurrë nuk sjell vetëm të mira me vete.
Kur unë them se Tirana s´ka tjera argëtime, se ato që unë përshkrova, dua të bëj një rezervacion shumë të rëndësishëm. Tirana ka për situatën shqiptare, një kafe lulishteje imprensionuese. Gjendet në mes të qytetit dhe mban emrin e papërshtatshëm “Kursalon”, dyfish të papërshtatshëm, sepse lidhet me një restaurant të qetë dhe paqësor, të një sanatoriumi. “Kursaloni” i Tiranës është çdo gjë tjetër, por jo vend qetësie. “Kursaloni” është qendra e jetës së shkëndive dhe shqetësimeve të politikës, një lokal shumë i rëndësishëm, që unë do të vij më vonë në një tjetër kontekst.
Qytetari i Tiranës pra është një nënshtetas i rregullt, që flenë natën, pinë duhan, pi kafe dhe punon ditën. Kështu në mbrëmje Tirana është një qytet i qetë, qyteti më i qetë i Evropës. Si një kompliment të vogël të heshtjes së thellë, e cila për një perëndimor nervoz, shpesh mund të shkaktoj një përshtypje irritimi, vijon kjo histori. Kjo është një histori e bukur por sigurisht gënjeshtër. Mister Owen, shefi i ‘Standard Oilit’ të delegacionit në Shqipëri, është sajuesi i saj.
Delegacioni i ‘Standard Oilit’, përbëhej nga pesë amerikanë, që ngritën selinë e tyre në hotelin “Kontinental” për të studiuar mundësitë e tregtisë së vajit shqiptar. Erdh mbas dita dhe mbrëmja ditën e parë dhe kur u ngrys, do të dilnin jashtë këta pesë tregtarët, për t´u argëtuar. Ata veshën smokingët dhe futën pare në xhep dhe dolën në shëtitje, në bulevardin kryesor për të gjet ndonjë restaurant me danc.
Mr. Owen, siç përmenda më parë ishte kryetari i delegacionit, pyeti një polic:
-Ju lutem mundni me na rekomanduar disa lokale danci, please!
-Nuk ka lokale danci në Tiranë, përgjigjet polici.
-Disa bare atëherë?
-Nuk ka bare në Tiranë.
-Kafe me muzikë?
-Nuk ka kafe me muzikë në Tiranë.
-Njeri, çfarë ka pra?
-E vetmja që unë mund t´u rekomandoj zotërinjve, është të merrni me qera një dhomë të këndshme hoteli dhe të luani një parti letrash.
Të brengosur u kthyen të pesë xhentëlmenët për në hotel dhe u ulën në njërën nga dhomat e tyre, në katin e sipërm. Ata shikonin nga dritarja dhe konstatuan se qyteti ishte fare i zi. Drita e vetme që mund të shihej, ishin dy dritaret me dritë ndezur, në rezidencën Mbretërore përballë. E kuptuan se polici kishte të drejtë, nxorën letrat dhe filluan të luanin një parti pokeri.
Pas dhjetë minutash ra zilja e telefonit.
– Guxon dikush me pyet se çfarë luajnë zotërinjtë? Donte të dinte një zë i veçantë me anglishte të mirë.
-Poker, sqaroi Mr. Owen.
-Është Mbreti Zog, që flet. Mund të bëj një vizitë menjëherë dhe të marr pjesë një copë herë? Unë kam një dreq mërzie.
LIGJI I GJAKMARRJES DHE DERVISHËT E ALLAHUT
I
Është dita jonë e parë në Tiranë. Neve qëndruam për të parë në një qoshe të një librarie dhe nuk jemi vetëm ne që shikojmë. Është një grumbull njerëzish, në atë kryqëzim rrugësh. Aty këtu janë mbledhur grupe, ku diskutohet dhe gjestikulohet me zell të madh. Dyqanxhiu vetë, ish ministri i Arsimit, Mit’hat Frashëri, tashmë dashamir librash dhe tregtar me pseudonimin letrar “Lumo Skendo”, qëndron afër fare, që të shikoj krejtësisht qoshen e ndërtesës. Në njërin mur lexon “Lumo Skendo” me shkronja të zeza të mëdha, me fund të kuq dhe poshtë disa fjalë se çfarë lloj dyqani është, që reklama synon. Ai dashuruesi i vjetër i librave, duket mjaft i xhindosur, kur ve syzet e modelit të vjetër (pincenèn) për të kontrolluar reklamën. Nuk kanë mbetur aq shumë shkronja në te. Muri është bërë shoshë me brima sa grushti, llaç dhe suva ndodhen grumbull në trotuar. Në disa copa llaçi, është një njollë e madhe gjaku të mpiksur.
Këtu është pra shpjegimi pse gjithë njerëzit, dukeshin kaq të distancuar këtë mëngjesin e parë. Para disa orësh bëra disa vizita në ministritë dhe u prita në një mënyrë shumë të respektueshme, por njëkohësisht me një farë ndrojtje. Një zotëri pyeti fare hapët: Ju ndoshta e keni dëgjuar? Unë përgjigjem jo, dhe ai kaloi menjëherë në tjetër temë bisede, prej aty nuk pata rast të kthehem në pyetjen e tij të çuditshme. Por këtu në librarinë e “Lumo Skendos” nuk është zor të marrësh veshtë se çfarë ka ngjarë. Në atë gradë sa mundësitë e gjuhës mjaftojnë, njerëzit janë të gatshëm për shërbim me sqarime. Nuk ka asnjë dyshim për llojin e kësaj drame, që u zhvillua në këtë qoshe rruge.
Është gjakmarrje!
Dy orë para ardhjes sonë në kryeqytet, vjen një prijës malësie në shëtitje në këtë rrugë dhe qëndron për një çast, në qoshen e “Lumo Skendos”. Është plot me njerëz jashtë. Karvanët e gomarëve kalojnë njëri pas tjetrit dhe tregtarët kanë zhvidhosur kapakët e dritareve dhe kanë ngritur perdet, për të filluar një ditë të re. Befas kërcet një pushkë dhe bajraktari dëgjon një plumb të bjerë në mur, afër tij. Ai përpiqet të kthehet me vrap të arrij brenda në dyqan, ku Lumo Skendo krejt i qetë ç´fleton një roman francez, por nga kjo anë, vjen një burrë me revole të ngritur. Ai rrotullohet dhe e sheh veten të rrethuar, në gjysmë rrethi nga pesë burra. Situata është e pashpresë. S’ka gjë tjetër të bëj, vetëm të dorëzoj shpirtin në dorë të Allahut dhe të presë vdekjen si burrë. Plumbat kërcitën në një largësi, prej pesë metrash, llaçi i murit u kthye në mjegull të bardhë. Kalimtarët e rrugës qëndrojnë në çast, pa frymë.
Kështu mundën me e mposht agresorin dhe më pas, vjen zgjidhja tragji-komike e dramës: bajraktari s´është i lënduar. Ai ka qëndruar aty, pa mundësi ndihme në mes të breshërisë së plumbave dhe prapë se prapë, nuk ka marrë as edhe një gërvishte. Por në plehrat e rrugës, ndodhen të shtrirë dy trupa, që përfaqësojnë tragjedinë e kësaj ngjarje, dy figura të përgjakura dhe t’ue vdek, një grua dhe një fëmijë. Ata nuk kishin gjë me ngjarjen fare, por patën fatkeqësinë të kalojnë në kryqëzimin e rrugës, në momentin fatal. Të dy viktimat hiqen prej aty.
Tani qëndrojmë ne këtu dhe shikojmë edhe më mirë shenjat e brimave në mur, pas kësaj historie gjakësore, grumbujt e llaçit të murit, damkën e madhe të gjakut, menjëherë pranë derës. Ka shumë rëndësi me e demonstruar, se si shkoi gjithë kjo ngjarje. Këtu qëndroi ky dhe këtu ky, atje qëlloi ky plumb atje tjetri. Por Lumo Skendo nuk fol fare. Ai kontrollon përmasën e dëmit të shkaktuar dhe kur unë i lutem për disa informacione, ai përgjigjet:
-Horra të mallkuar! Ata kanë prishur murin tim!
Natyrisht gjithë kjo, bëri një përshtypje të keqe për ne. Dita e parë e jonë Shqiptare, dha në këtë mënyrë një aspekt mjaft luftarak dhe shqetësues, unë mendova për veten time, se gazetari italian, i cili në vapor, prej Bari më paralajmëroi për shtetin e Mbretit Zog, tashti siç ndodhi ndoshta ai pati të drejtë, në shprehjet e tija pesimiste. Shpjegimi që dhanë disa nga nëpunësit qeveritar, se ishte sulm i një lloj, si në Çikago që është ndodhi e përditshme, mezi duket bindëse. Për arsye të një patriotizmi të keq përdorur, mundoheshin këta zotërinj t´a mbanin motivin e gjakmarrjes, në prapaskenë. Mua më duket, se pikërisht ky motiv, fliste për avantazhin e Shqipërisë. Por duhet me bërë disa dallime midis zgjidhje të çështjeve të nderit dhe sulme gangstere.
Ishte sekretari i ministrisë së Jashtme, monsinjor Vlora, një burrë i mendshëm, i cili e pa të pa arsyeshme dhe naïve, t´i zbukuronte gjërat, i cili më dha mu një përshkrim korrekt, të shkakut të historisë. Ka goxha popull në Tiranë, që kanë qëndrime anti Mbretërore, që preferojnë t´a paraqesin Shqipërinë dhe situatën shqiptare, në një dritë sa më të ligsht, që të munden dhe njëkohësisht, akuzojnë qeverinë për gjendjen. Tue krahasuar paraqitjen e informacionit, që bëri Vlora me atë të pamjes politike, diametralisht në anë të kundërt, arriti me më krijuar një, që unë besoj, një panoramë realiteti mjaft të besueshëm të këtij institucioni drejtësie të çuditshëm, i cili përbën gjakmarrjen shqiptare.
Në lidhje me atentatin jashtë librarisë së “Lumo Skendos”, tregoi pra Vlora kështu:
-Ai burri, që u kanos në atë sulm dhe krejtësisht shpëtoi pa asnjë varrë – nuk mund të shëtiste pa revolver – është bajraktar i një fisi më të vogël, në pjesën veriore të vendit dhe major ushtrie në rezervë. Ai dhe familja e tij ndodhen në gjak, që prej shumë kohe me një familje tjetër bajraktari, jo larg prej zonës së tij. Ata pesë burrat, që sulmuan atë, ishin njerëz të familjes kundërshtare. Kur ata e kanë marrë vesh, se kryetari ka dalë jashtë të shëtisë vetëm, pa as ndonjë roje për ta mbrojtur, menduan se rasti kishte ardhë. Rezultati i trishtuar, qe vdekja e dy njerëzve të pafajshëm. Do të ishte kollaj që të mund të ishin më tepër.
-Po çfarë bën qeveria për të kufizuar këtë traditë barbare?
-Qeveria bën gjithçka sa mundet. Atentatorët janë kapur dhe do ta paguajnë me vdekje, shkeljen e ligjit në fuqi. Kodi penal modern shqiptar, parasheh në të vërtetë dënimin me vdekje edhe për përpjekje të gjakmarrjes.
-Por prapë se prapë, vazhdon gjithnjë të jetojë gjakmarrja akoma?
Monsinjor Vlora, buzëqesh:
-Unë do të tregohem krejtësisht i sinqertë me ju. Ajo ekziston gjithnjë. Por për ta kuptuar këtë fenomen, duhet të kesh të qartë historinë e Shqipërisë. Duhet të kujtosh izolimin e detyruar, nga i cili, populli ynë, ka qenë i detyruar të përjetojë, për disa qindra vjet dhe mos harro, se shteti shqiptar, ka vetëm pak vjet në qafë. Gjakmarrja është një traditë e lashtë, e lindur dhe e kushtëzuar, nga një kod nderi të formuluar jashtëzakonisht imtësisht. Një burrë i ndershëm nuk lejon, që një familjari të vrarë, të mos i hakmerret. Më përpara qe i detyruar personalisht të hakmerrej, sepse nuk ekzistonte organi gjyqësor, ose edhe në se ishte, nuk zotëronte autoritetin e duhur.
Tani as që duhet dhe as që lejohet, që t´a bëjë këtë më. Nuk është e kollajtë që të zhdukësh një tradicion mijëvjeçar, si pa të keq. Ka ndodh, që fise kanë shfarosur njëri tjetrin dhe jo shumë vjet përpara, numëroheshin rreth 300 raste gjakmarrje në vit. Tani nuk kemi më se 10 a 12, histori të tilla çdo vit. Kjo është në se merr të gjitha rrethanat në konsideratë, një shenjë e bukur, për një ngritje të shpejtë kulturore. Ngaqë edhe sot e kësaj dite, kodi i nderit, vë kërkesa të jashtëzakonshme, për atë “që është në gjak”. Supozo, se ju keni vrarë vëllain tim dhe unë prej kësaj, kam mbet kryefamiljar. Mund të ndodhë, që unë në vizitë tek ndonjë i fisit, ofendohem në një formë mjaft të ndjeshme.
Kur neve jemi ulur së bashku dhe vjen kafja, zonja e shtëpisë, ven dorën e majtë mbi të djathtën, kur ajo më zgjat filxhanin. Kjo është një shenjë e qartë se s´jam burrë me dinjitet. Nëse është zoti i shtëpisë, që shërben, atëherë ai më zgjat filxhanin nën gjurin e majtë. Bën detyrën! “Hakmerru vëllait”, do të thotë kjo. Ju e kuptoni se çfarë tensioni shkaktojnë fyerje të tilla, çfarë ndjenje përgjegjësie sociale, që kërkohet nga një burrë, i cili damkoset në këtë mënyrë. Duhet që e drejta e ndëshkimit të vazhdimit të jetës së kodit të pashkruar të nderit, t´i rezervohet vetëm shtetit.
Mua më duket kjo është madhështore, që ne kemi pas sukses të zhdukim gjakmarrjen, aq sa tashmë ka arrit. Në lidhje më këtë, dua të them edhe një gjë tjetër: mos kujtoni se ato dymbëdhjetë rastet, që unë përmenda, ndodhin në rrugët e Tiranës. Me sa di unë kjo është hera e parë, që ne kemi pasur një histori gjakmarrje, brenda kufijve të qytetit. Ju shkoni më të sigurt në rrugët e Tiranës, se sa në qytetet e mëdha të botës. Ju mund të leni zonjën tuaj të bëjë një shëtitje natën, vetëm, kudo nëpër qytet. Unë ju jap fjalën e nderit se asnjë nuk do ta ngacmoj atë, as dhe me një fjalë.
-Pra, nxitësi i atentatit përjashta librarisë, familja e bajraktarit atje lart në mal edhe ai do të ndëshkohet?
-Natyrisht.
Me një përjashtim të rëndësishëm shkruajnë, bashkëbiseduesit e mi kundërshtarët e qeverisë, poshtë fjalëve të Vlorës: nuk besohet për ndonjë ndëshkim të nxitësve. Mbreti Zog nuk do të guxonte të përplasej, aq shumë me atë kryetarin e fisit të fortë, atje lart në veri. Por ata atentatorët, e paguar sigurisht, do të vareshin. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016