Dashnor Kaloçi
Memorie.al / Historia e panjohur dhe e dhimbshme e klerikut katolik, që u diplomua në Austri dhe punoi për 20 vjet në mbledhjen e folklorit në Veriun e Shqipërisë. Dëshmia e nipit të tij, Luigj Palok Gjergji, lidhur me arrestimin e At Bernardin Palajt, një ditë pasi ishte kthyer nga takimi me Enver Hoxhën në Tiranë dhe si e gjetën trupin e tij të shtrirë dhe të mbytur në gjak, te Kuvendi Françeskan, që ishte kthyer në qeli burgu të Sigurimit të Shtetit…
Familja Palaj ku u lind Bernardini
Bernardini u lind më 22 tetor të vitit 1894 në fshatin Shllak të Dukagjinit, prej nga është dhe origjina e hershme e familjes së tij. Babai i tij, Gjon Palaj, ishte një rrobaqepës i njohur, në të gjithë atë zonë dhe njihej si një nga besimtarët më të devotshëm të fesë katolike. Ndërsa e ëma e tij, Maka, ishte një grua shtëpiake, që i ngryste ditët e saj duke u marrë me punët e shtëpisë. Bernardini, ishte i pari i fëmijëve dhe pas tij vinin dhe dy vëllezër e një motër. Lidhur me të kaluarën e tij dhe të familjes, i nipi i tij, Luigj Gjergji, tregon: “I vëllai i madh i Bernardinit, rreth vitit 1925 iku nga Shqipëria dhe mërgoi për në SHBA. Ai u martua me një vajzë, me origjinë australiane, deri në fund të jetës së tij banoi në Brooklyn, ku kishte në pronësi një hotel me emrin “Juvenilja” dhe një farmaci të madhe, ku i punonte e shoqja. Ndërsa i vëllai i vogël i Bernardinit, Gjon Palaj, mori zanatin e të atit të tij, duke u bërë një rrobaqepës i njohur. Pjesën më të madhe të jetës së tij e deri në vitin 1948, kur u nda nga jeta, Gjoni e kaloi në Tiranë, duke punuar si rrobaqepës tek, Gjon Laca, që e kishte punëtorinë e tij në shtëpinë e Kacelëve. Ndërsa motra e Bernardinit, Nusha, ka jetuar në qytetin e Shkodrës dhe është njohur si mjeke popullore. Nusha, vdiq në vitin 1953 dhe ajo la dy djem dhe tre vajza, njëra nga të cilat, Liza Gjergji, është nëna ime”.
Nga Austria në Dukagjin
Mësimet e para të shkollës fillores dhe unike, Bernardini i mori pranë Kolegjit të Françeskanëve, në qytetin e Shkodrës, ku u dërgua për të ndjekur më tej studimet pranë Liceut Teologjik në Salzburg të Austrisë. Pasi e mbaroi atë Lice, ai ndoqi më tej studimet e larta, pranë Fakultetit Teologjik në qytetin e Insbrukut. Pas marrjes së diplomës, Bernardini u kthye në Shqipëri dhe në vitin 1911, ai u dorëzua si frat pranë Kuvendit të Françeskanëve në qytetit e Shkodrës. Pasi qëndroi për disa vjet pranë atij Kuvendi, në vitin 1918, Bernardinit iu dha e drejta e meshtarit duke u dorëzuar si prift dhe pas asaj kohe ai shkoi për të shërbyer në disa nga famullitë e fshatrave më të thella të Malësisë së mbi-Shkodrës.
Në vitin 1920, Bernardini u caktua si profesor i gjuhës shqipe dhe latinishtes pranë Gjimnazit “Illyricum” të qytetit të Shkodrës dhe në atë kolegj ai bashkëpunoi ngushtë me drejtorin e saj, Padre Gjergj Fishtën, i cili e nxiti atë në fushën e studimeve, mbi doket zakonore dhe folklorin e Veriut të Shqipërisë. Atë punë kërkimore dhe studiuese, At Bernardini e vazhdoi gjatë gjithë atyre viteve që shërbeu si profesor pranë gjimnazit “Iliricum”, duke bashkëpunuar ngushtë dhe me mikun e tij, At Donat Kurtin, me të cilin ai herë pas here ndërmerrte ekspedita kërkimore në fshatrat më të thellë, të trevave të Veriut. Në ato zona të largëta ai bashkëpunoi ngushtë edhe me rreth 40 famullitarë, të cilëve iu linte detyra për mbledhjen e Eposit të Kreshnikëve të Veriut dhe dokeve e zakoneve të ndryshme, të atyre fshatrave ku shërbenin ata. Po kështu përveç asaj pune të vazhdueshme kërkimore në terren, që i zgjati për afro 20 vjet me radhë, At Bernardini u mor edhe me anën studimore të Eposit të Kreshnikëve dhe në vitin 1940 ai filloi botimin e tyre. Në atë kohë ai së bashku me mikun dhe bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, At Donat Kurtin, botuan në katër vëllime, librin “Këngë kreshnikësh dhe legjenda”, i cili pati një jehonë të madhe dhe u vlerësua shumë nga personalitetet e letrave të asaj kohe, si Xhuvani, Çabej, Dosti, Padër Anton Harapi etj, të cilët e quajtën atë vëllim: “Iliada shqiptare”. Pas kësaj në vitin 1942 At Bernardini filloi botimin e studimeve të tij në revistën “Hylli i Dritës” me studimin: “Doke e kanun në Dukagjin”, e cila vijoi në disa numra radhazi, gjë e cila u botua edhe në Romë në vitin 1944. Një pjesë e madhe e studimeve të At Bernardinit, u botuan në vitin 1943 edhe në tekste të ndryshme shkollore, kujton nipi i tij Luigj Gjergji, lidhur me punën studimore të dajës së tij, At Bernardin Palajt.
Vdekja tragjike në qelitë e Sigurimit
Pas vitit 1944, At Bernardini jetoi sa në Shkodër aq dhe në Tiranë, ku vinte shpesh për të botuar punimet e tija shkencore, në Institutin e Studimeve Shqiptare me të cilin kishte bashkëpunuar që nga koha e Luftës. Punimet shkencore të tij u vlerësuan mjaft edhe pas mbarimit të Luftës, ku një nga studiueset më të famshme të Eposit shqiptar, rusja Denisckaja, në një studim të saj shprehej me superlativa për të duke thënë: “At Palaj është njohësi më i thellë i maleve tona”. Mirëpo puna e gjatë kërkimore e studimore, që At Bernardin Palaj, kishte nisur që në fillimin e viteve 1920, nuk mundi të vazhdonte më tej, sepse ashtu si pjesa më e madhe e klerikëve katolikë edhe ai u godit nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Në datë 22 tetor e vitit 1946, vetëm një ditë pasi At Bernardini ishte kthyer nga Tirana, ku bashkë me disa klerikë të tjerë katolikë, ishin thirrur në një takim nga Enver Hoxha, atë e arrestuan dhe e mbyllën në një nga dhomat e Kuvendit të Françeskanëve, të cilin Sigurimi e kishte kthyer në burg. Gjatë asaj kohe që ai mbahej i arrestuar aty, u torturua në mënyrën më mizore dhe asnjë nga familja jonë, nuk mundi që ta takonte. Më datën 2 dhjetor të vitit 1946, ne na lajmëruan që të shkonim tek Kuvendi, për ta parë dhe vajtëm aty: unë me nënën, Lizën dhe gjyshen, Nushën. Ne nuk na lejuan që të futeshim brenda oborrit të Kuvendit, por na hapën paksa portën e jashtme dhe nga aty pamë trupin e Bernardinit të plandosur përdhe, me veladonin gjithë gjak të ngjitur për trupi. Njerëzit e Sigurimit na thanë se ai kishte pasur vdekje natyrale dhe na dhanë disa plaçka e sende të tija personale, krejt të parëndësishme. Por e vërteta qëndronte krejt ndryshe, sepse vdekja e tij, kishte ardhur nga torturat dhe sëmundja e tetanosit, që i ishte shpifur atij ato ditë nga teli me gjemba, që i kishin lidhur duart. Ne kërkuam që të merrnim me vete kufomën e tij për ta varrosur, por ata nuk na e dhanë e pas disa minutash, na përzunë nga aty. Që nga ajo ditë ne nuk mësuam dot asnjë të dhënë se ku e kishin varrosur trupin e tij, por pas pesë vjetësh, u hap fjala se At Bernardinin, së bashku me gjashtë klerikë të tjerë që i kishin mbytur në tortura, i kishin varrosur në gropën e gëlqeres, aty në një skaj të Kuvendit Françeskan. Po kështu krahas këtij lajmi ne na thanë se trupi i At Palajt ishte groposur në një vend me trupin e Dom Lazër Shantojës, brenda murit rrethues të Kuvendit. Por të gjithë këto ishin vetëm fjalë nga njerëz dashamirës, sepse eshtrat e At Bernardinit familja jonë nuk ka mundur t’i gjej edhe sot e kësaj dite, rëfen Luigj Gjergji.
Ernest Koliqi: “At Bernardini ishte “frati i kangvet”
Tri dite ndjeja në Palç pa fratin, tue e pritun. Rrogtari e rrogtaresha më shikojshin sytë për të hetue dhe shpejt për të plotsue ma të voglin dëshir t’emin. Kurgja nuk më mungonte n’at qelë të paqt. Megjithëkëtë, kallzoj të drejtën, ato tri dit pa mikun e dashun m’u dukën të gjata. Jo se e urrej vetmin. Përkundrazi shpesh e due dhe e kërkoj si nji gja të lakmueshme. Për ma, qi ajo asht gjthmonë pjellore. Por vetmija e maleve kish fillue me më lodhun; vetmija e nji qytetari midis Malsorve, me të cilët kurr nuk mund të çelim, nga shkaku i mendësis rranjësisht të ndryshem, një marrëdhanje shfryese shpirtnore. Pritshem me padurim shokun e vjetër, në vetmin e qelës së Palçit. Shumë e rreptë vetmija e maleve. Vetëm ata qi e provuen mund të flasin për të. Na qi kemi jetue përjashta, njoftim vetmin e qyteteve të mëdhaja. Je kret i vetëm atje ne mes nji morije njerzish të huej. Ec brryl për brryl me ta, i panjoftun ndër të panjoftun, por atje, ndër udha të mbarmjes plot drita e lëvizje e zhurma e kumbime, zemrën nuk t’a ndrydhë nji shtrëngim i papritur shkretnimi si në Malsi, ku pra flitet gjuha jote.
Edhe pse nuk flasin me ty, kalimtarët e udhavet të përjashtëme të shoqnojnë me fytyra të qeshuna, me sympathy gazmore të shikimeve. E ndien veten si nji botë të rregullueme, q’i gjeti mjetet ma të holla me luftue mërzin, me zbutë ndiejen e tmerrshme të vetmis njerëzore, të vetmis tragjike, të shpirtit qi trupi don, robnues. I verbët, nga njerëzit tjerë e nga të gjitha sendet: e lenë, prandej, e shpesh e kandëshme vetmija ndër qytete të hueja. Përkundrazi ajo e maleve e randë për ne qytetarët dhe nganjiherë dërmuese.
Tmeri, mërzija e mortshme e vetmis më kapi keqas papritmas nji natë në Shosh, mbas dy javësh qi kasha banue me qef aty pa kurrnji takim me njerz qyteti. U argtova si përherë n’at mbramje-deri sa ngjatën ngjyrat e prendimit dhe xhixhilloi hylli i parë në kupë të qiellit, tue ndigjue si muzikë të folunit e pastër të Malsorve. Si u err, u ngjita n’odën t’ime majë kullës së Nik Gjergjit. E qe, aty, m’u duk shum e zbet, trishtuese, drita e vogël e kandilit me vojguri sjellë me tesha tjera prej Shkodre. Do burra të shtëpis, shtrue kambë kryq rreth meje, bsiedojshin. At mbramje nuk më tërhiqte biseda e tyne, si të flitshin nji gjuhë të huej qi un nuk kuptojshem. Sa u kujtuen se un dojshëm të rrij vetëm, ata me shumë njerzi zbritën poshtë. Nikën, qi përpiqej i shkreti t’a largojë me shpoti e gaz mërzin t’eme, e nisa jashtë me fjalë idhnake.
Vobsija e odës, të zit e trenave të tavanit, pabukurija e orendive, terri porsa i davaritun prej flakës dridhëse të kandilit më hynë në shpirt. Dëshirova Shkodrën, shtëpin t’ime qytetare, nji shok qytetar cilindo, për të thye at vetmi kapërthyese. E mbasi këto ngushullime nuk i kishem, e ndjeva veten të mjerë, tmerësisht të mjerë. Por më kaloi. I lajmuem ndoshta prej Nikës për trishtimin t’im, u ngjit majë kullës plaku i shtëpis, Prel Gjoni, me zamare të vet në dorë. Më përshëndeti shkurtazi dhe, pa folun asnji fjalë tjetër, porsa zu vend larg dritës më nji skaj t’odës nisi me i ra zamares me gjashtë bira. Mue më pëlqej sigurija e tij se me ato tinguj të thjeshtë mund të shëronte çdo mërzi të shpirtit. Unë isha mbështetë në psotë me krye në jestek. Mbylla syt e lëshova n’at varg tingujsh qi herë të hollë e të naltë, herë të trashë e t’ ulët, mirreshin mbrapa bukurisht tue u gërshetue e tue u shkri njani në tjetrin. Zamarija përtrinte zanet e pyllit, të krojeve të jehonave bjeshkore.
Kur çela syt, pash bri plakut, pro pak ma në dritë, ndjejë dhe ajo për tokë, Currlinën, blegtoreshën e re. Heshte e më shikonte me vetulla çue përpjetë. Te vona, tue u avitë kadalë e tue më verejtë me nji tutë disi qesharake, këthei edhe Nika. Nji nga nji u shtruen prap rrotull meje burrat e shtëpis dhe pimë duhan e raki së bashku si ndër mbramje tjera. Ato çasa të shkurtë trishtimi midis malesh më bajnë të mendoj vetmin e kishtarve, të mësuesve, të nënpunsave t’anë qi jetojnë ndër vise ma të humbuna t’atdheut. Sidomos mërzija e gjatë dimnore, kur bora për gjashtë muej pret çdo marrëdhanje me qytete, tham do të jetë e tmerrshme. Por ndoshta e shumta mësohen. Ata qi nuk mund të mësohen në shkreti, vuejnë, por sigurisht ua lehtëson vuejtjen vetëdija e naltë e detyrës, e misjonit qi n’ato vise vetmitare kryejnë.
Unë ia qajshem hallin fratit t’em. Famullija e tij asht nji ndër ma të largtat e ma të vishtirat. Me kureshtë të gjallë pritshem t’a shof aty midis asaj bote t’egër, midis njerzve mali, atë qi njofta dikur bisedat plot vlerë e mende hapët në mes rretheve ma t’arsimeume të qytetit. Edhe frati erdhi, Buzë mbramjeje, ia dëgjuem shirrjen qi lëshoi nga kryet e livadheve. Plot m’a mbushi Me gëzim zemrën zhapllima e thundrave të kalit, qi zbrite shpejt e shpejt kah qela.
At Bernardin Palaj, famullitar i Mërtunit me ndeje në Palç. At mbramje qi erdhi u kënaqme tue bisedue mbi folkflorën t’onë. E, të nesërmen, frati më çoi në nji odë të vogël e aty, mbi lëpizat e nji rafti të vjetër, më tregoi do turra letrash zverdhue nga moti e tefterësh të trashë. Kangët. Mija kangë kreshnikësh e trimnish, mija valle darsmash, poezi shekullore e popullit shqiptar përherë e ngjomë, kalue nga goja e breznive në të sosun n’ atë të breznive në të këndellun. I shfletuem bashkë ato letra e ato tefterë të pluhunuem prej kah dilte fryma e nji prendvere s’amshueme. Cikli heroik i Mujit dhe i Halilit i këndue nga rapsodet e Dukagjinit me gjuhë të kulluet e të thekëshme. Po ato kangë, po ndër varjante ma të ngjyrëshme, ma të lëvizshme të Malsis së madhe, ku kangëtarët kanë fantazi ma të gjallë. Vallet e Kosovës dhe të Dibrës plot njomsi dashunore. Ato të Shestanit e t’Ulqinit me fytyrime detare, të holla e të lëmueta. Ato të Bizës, tu Kepi i Rodonit afër Durrësit, deliakte plot analogji me trajtat toskënishte.
Nuk e dij se kush pat thanë qi gjithkund në botë poetët këndojnë për popullin, vetëm në Balkan populli këndon për poetët. Deri tash për mue poeti ma i madh i Shqipnis asht populli i ynë. Kjo e vërtetë, më shëndriti para syve të mendes në Palç, në qelën e Fratit të Kangve. Ai, në vetmin e gjatë të malit, i ka vu veshin kangës së pashtershme qi buron shi nga zemra ma e thellë e kombit arbnuer edhe ia ka rrëmbye harresës. Mbi lëpiza të pluhunuene të qelës së Palçit, flen fara e prendvernave të përtardhuna të poezisë re shqiptare./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016