Nga Sven Aurén
Përkthyer nga Adil N.Biçaku
Pjesa e pestë
ORIENTI EUROPES
Land af Albania! Let me bend mine eyes
On thee, thou rugged nurse of savage men.
Lord Byron.
Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.
Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.
Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.
Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.
Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumanshme.
Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.
Me shumë respekt
Adil Biçaku
Ditët kalonin.
Në oborrin Mbretëror filloi të vihej rregulli. Familja princore kalonte pjesën më të madhe të ditës në bahçen e vogël, ku ishin vënë disa divane të rehatshme, atje poshtë në buzë të detit, prej ku mund të shihje mbi Adriatikun dhe ëndërroje përsëri për Neuwied. Herë pas here, vinte ndonjë prijës malësor poshtë në qytet i shoqëruar dhe kërkonte audiencë. Ai pritej me formalitete madhështore dhe informohej nga adjutanti në detyrë, që Princit i pëlqen të titullohej “Naltmadhni” ose “Naltmadhëria e Tij”. Ai merrte një dekoratë me vete, kur largohej nga Durrësi.
Megjithatë, Mbreti nuk bëri ndonjë përshtypje të thellë: sjellja e ngathët, ndrojtja, pothuaj buzëqeshja e stërmunduar, nuk të jepte përshtypje bindëse. Bajraktari kthehej në malet e tij, ku atje në një tubim të përgjithshëm, jepte opinionin e tij për Zotin e Shqipërisë. Wilhelmi ndërmori disa masa të vogla qeveritare nga të cilat një nuk ishte e përshtatshme, për të ngjall simpati: ai ndërpreu bashkëpunimin me Komisionin Internacional, që kishte qendrën në Durrës dhe që detyra e tij, ishte të punonte për organizimin e shtetit shqiptarë. Komisioni i fyer u shpërngul prapë për në Vlorë.
Princit i’u paraqitën disa ide që, ai duhet të bënte disa vizita në vendin e tij, të dilte para popullit dhe të kërkojë të fitoj simpati, me anë të kontakteve personalisht. Wilhelmi nuk pranonte absolutisht rrugëtime në këtë vend kusarësh! “Po nuk do madhëria e tij, të paktën të dalë përpara banorëve të Durrësit”? Pas shumë ngurrimi, Wilhelmit i’u mbush mendja nga këto lutje, por sipas mënyrës tij speciale. Ai doli vetëm së bashku me bashkëshorten, duke dit mirë se asnjë atentator shqiptar, kurrë nuk do të qëllonte mbi të, kur ai kishte një grua në krahun e tij. Por shqiptarët e kuptuan këtë dredhi dhe pëshpëritjet për frikën e Mbretit dhe thashethemet e reja, u shpërndanë më shumë.
Disa javë ma vonë, kur pesimizmi u rrit deri në pakënaqësi të hapur, kur ekselenca e tij, ministri i Brendshëm dhe i Luftës e ndjeu veten të fortë, që ai mund të fillonte të intrigojë seriozisht, atëherë fillon akti i dytë dhe i fundit i operetës. Është një akt i shkurtër por intensiv. Skena e parë paraqiste një krahinë malore në jugë të Shqipërisë, tjetra luhej në Durrës.
***
Kjo filloi me një, që besohet se ishte një revolt e inspiruar nga ana greke, në jugë të Shqipërisë. Ushtria e qeverisë shqiptare mundohet me çdo mënyrë, me i’a dalë në krye me rrebelat, por shkaktarët e kryengritjes, duket se disponojnë burime të pashtershme, kur është fjala për armë dhe para. Shefi i Komisionit Ushtarak holandez në Durrës, kolonel-lejtnant Thomson, me detyrë të organizoj xhandarmërinë e ardhshme të principatës, donë ta ndalojë luftën, me anë të bisedave direket me udhëheqësin zyrtarë, të kryengritësve Zografos dhe prandaj udhëton për në front.
Ai thërritet të kthehet urgjentisht nga Esad Pasha. Ekzelenca e tij, nuk e sheh kaq të nxitueshme për marrëveshjet paqësore. Çështja është në të vërtetë kjo, që është ekselenca e tij, i cili qëndron pas revoltës. Ministri i Luftës dhe i Brendshëm, është Komandanti i Përgjithshëm, si mbi trupat rebelë ashtu edhe mbi ushtrinë e qeverisë.
Këtë mundet ta quash strategji!
Në dhomën e fjetjes së Wilhelmit, shfaqet natën fantazma e perandorit Maximilian, gjithnjë e më shpesh dhe Princi zbehet dhe bëhet më nervoz për çdo ditë, që kalon. Sipas mënyrës më të mirë ushtarake prusiane, pajiset me një hartë lufte. Esad Pasha i paraqet çdo ditë raporte, të pritura në ankth në dhomën e tij të punës.
– Naltmadhëria e juaj, thotë Esadi dhe si i shqetësuar rrudh fytyrën e shëndoshë, unë fatkeqësisht detyrohem të lajmëroj disa suksese të kryengritësve në Gjirokastër. Nëse Madhëria e juaj më lejon, kështu që unë do të propozoja prapë se prapë, një ofensivë në zonën e Sarandës. Në këtë mënyrë do t´i sulmonim rebelët pas shpine…!
– Mirë, i dashur Esad, thotë Wilhelmi me zë të dridhur, ku ai është ulur dhe i përkulur mbi hartën e luftës me gjilpëra me kokë me ngjyra. Unë u besoj plotësisht juve. Ju e dini cilat masa, që janë më efektivet.
Ekselenca e tij përkulet me shumë respekt dhe largohet e del. Sa më shpejt që dhe munden ta bajnë ato këmbët e vogla te tij, atë trup aq trashaluq dhe të shëndoshë si mullar byku, ai është Pasha edhe si figure, pastaj me vrap përsëri për në dhomën e vet të shërbimit, ku ai menjëherë hynë në funksion si komandant i ushtrisë rebele. Kuajt e korrierëve ikin prej Durrësi me revan. Telegrafi punon:
TRUPAT QEVERITARE PLANIFIKOJNË OFENSIVË. SARANDË. STOP. MERR MASA. STOP.
E tjera. E tjera.
Por i pakujdesshëm nga sukseset, ekselenca e tij në fakt e çon ca si larg, strategjinë e çuditshme. Nuk mundet të mbahet më gjatë sekreti, që është ministri i Luftës dhe i Brendshëm, që është udhëheqësi i vërtetë i revoltës. Ekselenca e tij duhet të arratiset. Ai merrte në Bordo në një destrojer italian dhe shkon në Itali, atje rrugët tashmë janë të hapura për të, po ashtu për çdo njërin që kontribuon të nxisë më shumë trazira në principatën Shqiptare dhe të ndihmojë, për të sheshuar rrugën për një mandat italian.
Wilhelmi, lëshon një psherëtimë lehtësuese, por zhdukja e ministrit të Luftës dhe të Brendshëm nga arena, nuk e ndihmon situatën. Zjarri është shpërndarë në përpjesëtime të mëdha, vlon pak gjithandej në vend. Ky Pashai i fuqishëm, ka pasues në Tiranë, vetëm tridhjet milje larg prej Durrësi dhe tashmë pëshpëritet për revoltë edhe në këtë qytet. Nga këto thashë e thema, Princi i humb krejtësisht konceptet: ai dërgon një trup në Tiranë, me urdhrin e dëshpëruar, që të qëllohet mbi çdo individ të armatosur edhe pse ai tashmë, ka arrit të konstatoj që shqiptarët nga tradita, dalin gjithnjë të armatosur. Rezulton fare natyrshëm, zjarr kundër nënshtetasve besnikë dhe me këtë, Shqipëria gjendet definitivisht në zjarr.
Disa ditë më vonë dëgjohen deri brenda në “Pallat” krismat e plumbave, në rrethinat e Durrësit. Lemeria e Wilhelmit kalon në histeri. I verdh si kufomë nga tmerrimi, ulet pasardhësi i Skënderbeut me zonjën, adjutantët dhe stolitë, në një barkë dhe lundron, për në një nga destrojerët italian, që gjithë kohës që kur ai erdhi, kanë qenë në gatishmëri afër molos. Kjo është idiotësia më e madhe në përgjithësi, që ai sajoi. Lajmi fluturoi mbi gjithë Shqipërinë dhe prej veriu në jugë, ushtoi një jehonë e shpërthimit të gazit në gjithë vendin. Kryengritësit qeshnin, besnikët e qeverisë qeshnin, gjithë populli i vjetër luftarak tundet nga të qeshurit. Ishin gati të pushonin grindjet armiqësore. Kjo është gjithsesi tepër qesharake: pasardhësi i Skënderbeut i trembet plumbit…!
Me shumë vështirësi dhe me mobilizimin e gjithë aftësive të mundshme bindëse, arritën anëtarët e qeverisë, të bindin kryetarin e shtetit, të vijë në tokë prapë. Wilhelmi nguroi shumë gjatë. Është mjaft i sigurt në vaporin ushtarak dhe topi i madh në derën e kabinës, i bën përshtypje të mirë një mendjeje të tmerruar. Me një shpallje sikur Princi vetëm donte të përcjellë familjen, mundohen me mbuluar këtë incident të turpshëm, por tashmë është tepër vonë. Mbreti e ka bërë veten qesharak të pashpresë.
As edhe gjatë vazhdimit të rrethimit, nuk bën diçka për të riparuar dëmtimin rrënjësisht, të imazhit të tij. Ai ishte bile dhe ushtarak, ai mundet të qëndronte me trupat, t´u epte kurajo, të ishte shembull i mirë për ta. Dr. Roloff, tregon në ‘Leipziger Neueste Nachrichten’, që koloneli trim Thomson, i cili përveç tjerash, dha jetën për hir të Wilhelmit, ka thënë në një mënyrë për frikën e Princit, që nuk mund ta shkruajmë në gazetë. Wilhelmi, marshonte sa para mbrapa në dhomat e tij, se çfarë do të futej në valixhet, akoma të pa mbushura mirë. Ky qe aktiviteti i tij.
Ndonjë javë më vonë, ai nuk përballoi dot më. Përsëri mori një barkë dhe lundroi për te vapori ushtarak italian ‘Misurata’, por këtë herë për të mos u kthyer kurrë. Më 3 shtator u zhduk vapori në horizont dhe një principatë, ishte shemb krejtësisht pas pesë muajsh ekzistence. Dy javë nga shkëlqimi dhe festa, katër muaj e gjysmë nga rrëmuja dhe trazira, intriga dhe ligësi njerëzore. “Epoka Wilhelmjane”, që diplomatët austriakë besonin se erdhi, kur çifti princor shkeli në tokën e Shqipërisë, nuk u bë kurrë ndonjë epokë, por një episod tragji-komike.
Ndoshta do të ishte bërë një epokë, sikur Mbreti të kishte pas disi frymë nga Skënderbeu, në se ai do të tregohej si një mashkull, të cilin shqiptarët prisnin se ai do të ishte. Por tani edhe nëse Wilhelmi, me të vërtetë qe një personalitet, prapë se prapë do t´a kishte pasur gjithashtu të vështirë, të mbante qetësi dhe rregull në një principatë, që tashmë parakushtet e saj politike, qen të disfavorëshme dhe të dënuara të dështonin.
Më 3 shtator u mbyll perdja e skenës, për operetën e Princit shqiptarë. Wilhelmi e formuloi vetë replikën e fundit të operetës dhe këtë ai e bëri në një mënyrë, që gati dha një ngritje monumentale, që formoi diplomacinë e paraluftës, në mënyrën më të çuditshme, për nga fama të Austrisë në përdorimin e politikës në Ballkan. Ai para se të gremiset për në vaporin italian, arriti t´i drejtohet me një përshëndetje lamtumire popullit shqiptarë, një proklamatë me këtë përmbajtje:
PRINCI I SHQIPËRISË E SHEH MË TË PËRSHTATSHME QË PËR NJË KOHË TË SHKOJË NË PERËNDIM.
WILHELMI
Këto fjalë të denja, një uniformë e shkëlqyer dhe dekolteja e princeshës, në një vend muhamedan, kështu pra tani, mbi njëzet vjet më vonë, duken si pesë muajt kryesore, të qeverisjes tij signifikative.
“… që për një kohë të udhëtoj, për në perëndim” qëndron në deklaratën e lamtumirës. Fjalët kanë një përmbajtje më të thellë se sa mund të besohet. Për Wilhelm av Wied, nuk ka mbaruar opereta akoma dhe sot. Ai nuk ka abdikuar kurrë. Kalendari de Gotha, përmban akoma në edicionin e vitit 1935, dy shtëpi princore: Mbretit Zog dhe Princ Wiedit. La vendin më 3 shtator 1914, shkruan për këtë të fundit edhe këtë shtesën e vogël, që thotë më shumë se volume: reservant ses droits.
Ai pra akoma nuk është dorëzuar për të restauruar fronin e tij princor, ky zotëria i vjetër i shquar, që tashti shëtit në bulevardin e Nizës, me një lule zambaku në jakën e palltos. Ai është gjithnjë pretendent. Ai është Princi i Shqipërisë dhe Mbreti Zog një uzurpator, që me forcë ka marrë pushtetin, në këtë vendin e çuditshëm, në breg të Adriatikut, ku pushka është një domosdoshmëri e njenjtë, sikurse rrobat, pantallonat apo këpucët.
Por çfarë është më e pasigurt se bota e politikës? Mund të fryejnë erëra të reja, mund të vijë një ditë, kur populli shqiptarë dërgon një delegacion të ri, tek sovrani legjitim dhe me respekt të parashtrojnë një pyetje, nëse ai përsëri dëshiron të vijë dhe të hipi në fron. Qe pikërisht kjo: në se ai dëshiron! Por është mjaft e stërmundimshme të qeverisësh pinjollët luftarakë të Skënderbeut. Mendon ky Princi i vjetër, ku shëtit dhe mendon për Shqipërinë e tij të humbur, që kurrë nuk u bë ndonjë Arkadie, sado që fjalët tingëllojnë njëlloj.
Dhe prapë se prapë, janë absolut aq ndryshe.
Ushtima e plumbit në Sarajevë, u ndie mbi gjithë botën. I shkreti Princi Wied, është vetëm i pari në radhën e gjatë prej Mbretërish dhe Princash, që duhet të heqë dorë nga lavdia dhe shkëlqimi për një jetë modeste. Valët e stuhishme të luftës përplasen mbi Shqipërinë. Populli i vjetër malësor, detyrohet përsëri të braktisë vendin e tij, për shesh ngjarjesh të superfuqive për ujdinë e përgjakshme. Grekët pushtuan jugun e Shqipërisë, serbët rrëmbejnë pjesën e mesme të vendit: Pogradec, Tiranë, Elbasan, malazest marshojnë brenda në qytetin e ëndërruar Shkodër, lart në kufirin e veriut.
Italia kuptohet merr Vlorën. Dhe në këtë panoramë të grabitjeve të përgjithshme, bashkohet edhe dhelpra e vjetër, Esad Pasha. Me bishtin nën shalë ai u detyrua të ikte, kur trualli u bë tepër i nxehtë në principatën. Tani është kthye si triumfator. Mbret Esadit I-rë i zbavitet gjithnjë intelekti dhe ai, ka një fillim të suksesshëm duke u instaluar në Durrës si “diktator” i vetë emëruar. Lista e tij e meritave, është imprensionuese rreth kësaj situate. Sipas radhës dhe me suksese të ndryshme, ai ka shitur veten dhe vendin e tij ke Turqia, Mali Zi, Princi av Wied, italianët dhe serbët.
Në mbarim të vitit 1915, imazhi shndërron karakter. Ushtria serbe gjatë tërheqjes së saj të tmerrshme, i bie kryq gjithë vendit, deri në Durrës, nga ku ata trupat e mbetur gjallë, të hipnin në vapore për në Korfuz. Pas serbëve vijnë austriakët dhe ndjekin po të njëjtën rrugë, sikur kundërshtarët që ikën. Italianët u zgjeruan prej Vlorës, mbi pjesën e jugut të vendit. Në juglindje afrohen francezët.
Garnizoni i Korçës, tashmë ka pas njohje me patrullat e Zbulimit francez. Kështu që situata duket se ka stagnuar dhe vazhdon të ketë në përgjithësi, të njëjtën pamje deri në shpërthimin e 1918-ës. Esad Pasha, që në postin e diktatorit e ndjente veten pakës nervoz, i’a mbath për Selanik. Ky Esadi i mirë, nuk e ka lehtë. Çdo herë që ai ka gati shansin e fronit Mbretëror, vijnë superfuqitë dhe prishin gjithçka.
Një botë në vuajtje dhe e përgjakur, psherëtin nga lehtësia, kur më në fund u trumbetua ndalimi i zjarrit. Një Shqipëri e rraskapitur e mjerë, edhe ajo psherëtin e lehtësuar, me shpresë zgjimi. Aleatët kanë luftuar për synime të mëdha, shqiptarët mendojnë, për liri dhe vetëvendosje, për një jetë më të mire, për vende dhe popuj. Njerëzit kanë shpresa të mëdha, nga Konferenca e Parisit.
Në qetësi dhe me besim, se më në fund tani do të jepet drejtësi për një popull, që u plaçkit dhe u shtyp, që prej agimit të historisë, formohet një qeveri provizore në Durrës, me Turhan Pashën në krye. Pastaj pritje. Nja dy tre muaj. Katër pesë. Por trupat e huaj vazhdojnë të jenë, në tokën e Shqipërisë dhe populli shqiptarë, akoma nuk mund të marrë pjesë në bisedimet për të ardhshmen deçizive të vendit. Cirkëlojnë thashetheme të zymta. Pëshpëritet për një ndarje të vendit. Greqia, Italia dhe Jugosllavia e porsakrijuar, nxitojnë me kërkesat e tyre për brigjet e Shqipërisë.
Loja e intrigave të vjetra prej vitit 1912, është përsëri në kulm. Fusha e betejës avullon akoma nga gjaku, por fuqitë ndërluftuese duket se s´kanë mësuar asgjë. Nuk është pyetja me vu kufijtë sipas dëshirës së popullit, por si është drejt dhe lirë. Kjo është po e njëjta histori e vjetër dhe e neveritshme: luftë e fituesve për plaçkë. Dëshira për forcë egërsohet më shumë se kurrë.
Më 1920-ën, pra kur dy vjet më kot, në pritje të vendimit të superfuqive, mendojnë shqiptarët se kanë pritur mjaft. Një kongres mblidhet në Lushnje dhe vendosin të bëhen votime, për të krijuar një asamble kombëtare. Parlamenti i ri zgjedh qeverinë dhe qeveria e re, mblidhet për herë të parë në Tiranë, më 27 mars po atë vit. Postin e ministrit të brendshëm i’u dha një të riu 25 vjeçar: Ahmet Bej Zogu.
Lajmi mbi qeverinë shqiptare fluturon jashtë në botë, por bëhet veç një shpallje, në sektorët e jashtëm të gazetave. Kush ka kohë në këto ditë fatale, apo interes për fronin e lashtë të princ Wiedit, në breg të Adriatikut? Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016